ATV

Blog

  • Nga 1 prilli: Zvicra ndalon fishekzjarrët pas tragjedisë në Crans-Montana

    Nga 1 prilli: Zvicra ndalon fishekzjarrët pas tragjedisë në Crans-Montana

    Pasojat e zjarrit shkatërrues në Crans-Montana vazhdojnë të ndikojnë në mbarë vendin: duke filluar nga 1 prilli, në të gjithë Zvicrën do të hyjë në fuqi ndalimi i përdorimit të fishekzjarrëve në hapësirat publike.

    Vendimi është marrë nga organi i marrëveshjes ndërkantonale të drejtorëve të ndërtimit nga të 26 kantonet, transmeton albinfo.ch.

    Ky ndalim konsiderohet masë e menjëhershme pas zjarrit në Crans-Montana dhe do të mbetet në fuqi deri në hyrjen në fuqi të rishikimit të plotë të rregulloreve për sigurinë nga zjarri.

  • Masakra e Belegut, 27 vjet pa drejtësi për viktimat

    Masakra e Belegut, 27 vjet pa drejtësi për viktimat

    Sot shënohen 27 vjet nga masakra në Beleg të Deçanit, ku forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe vranë 46 shqiptarë gjatë ofensivës së vitit 1999.

    Ngjarja ndodhi një ditë pasi këto forca pësuan humbje nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në zonën e Irzniqit dhe Belegut.

    Edhe pas më shumë se dy dekadash, fati i 33 personave të zhdukur nga ky rajon mbetet i panjohur.

    Megjithëse hetimet janë zhvilluar nga UNMIK dhe EULEX, dhe dëshmi të shumta janë paraqitur edhe në Tribunalin e Hagës, deri më sot nuk ka asnjë të arrestuar për këtë krim.

  • KEDS ndërpret energjinë sot në disa zona të Kosovës për punime

    KEDS ndërpret energjinë sot në disa zona të Kosovës për punime

    Kompania KEDS sot kryen sot punime të domosdoshme për sigurinë e sistemit energjetik, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë në disa rajone.

    Në Pejë, energjia ndërpritet në Banjë, Dobrushë, Baicë, Lubovë e zona të tjera nga ora 08:00 deri 12:00 dhe në Jashanica nga ora 10:00 deri 14:00.

    Në Prizren dhe Prishtinë, disa dalje të TS-ve 110/10(20) kV shkyqen për punime sipas projekteve të aprovuar dhe krijimin e kushteve pa tension.

    Në Ferizaj, ndërprerje në Rashincë dhe fshatrat përreth zgjat nga ora 08:30 deri 17:00 për demontimin dhe shtrirjen e përçuesve të rinj.

    KEDS kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për diskomfortin e shkaktuar.

  • Burri i dehur ushtron dhunë ndaj gruas në Gjilan, ndërhyn policia dhe arreston të dyshuarin

    Burri i dehur ushtron dhunë ndaj gruas në Gjilan, ndërhyn policia dhe arreston të dyshuarin

    Një person është arrestuar në Gjilan pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

    Policia bën të ditur se nga rasti nuk raportohet për lëndime trupore, derisa thotë se i dyshuari ka rezultuar që ishte nën ndikim të alkoolit me 0.47 promila.

    Pas intervistimit, i dyshuari me vendim të Prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë. Rasti nën hetime.

  • Haradinaj kujton viktimat e Masakrës së Belegut: Shteti që e gëzojmë sot është fituar me shumë gjak e sakrificë

    Haradinaj kujton viktimat e Masakrës së Belegut: Shteti që e gëzojmë sot është fituar me shumë gjak e sakrificë

    Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka përkujtuar 27 vjetorin e Masakrës së Belegut ku mbetën të vrarë 49 shqiptarë.

    Nga kjo masakër deri sot akoma janë të pagjetur 33 civilë kosovarë.

    Haradinaj përmes një postimi në Facebook tha se ‘shteti që e gëzojmë sot është fituar me shumë gjak e sakrificë’.

    “Shteti që e gëzojmë sot është fituar me shumë gjak e sakrificë. E vërteta e luftës sonë çlirimtare nuk mund të shtrembërohet nga askush. Serbia kishte mision shfarosjen tonë si popull, ndërsa fundin atij synimi i dhanë trimat e UÇK-së në tokë dhe NATO në qiell e udhëhequr nga Amerika. Çdo përpjekje për ta ndryshuar këtë të vërtetë është e dështuar dhe kushdo që tenton ta bëjë këtë, do të mbetet me turp”, ka shkruar ai.

    Postimi i plotë:

    29 marsi na kthen në kujtesë vitin 1999, flijimin e dhjetëra motrave dhe vëllezërve tanë në fshatrat Beleg e Irzniq të Deçanit dhe në Poterq të Klinës. Sot në Beleg, ndamë dhimbjen me familjarët, të cilët edhe pas shumë vitesh vuajnë mungesën e më të dashurve të tyre. Edhe pse të paarmatosur, ata u ekzekutuan pa mëshirë nga forcat serbe; gra, pleq e fëmijë.

    Derisa dje kujtuam ditën e themelimit të Brigadës 137 “Gjakova”, sot bëmë homazhe në nderim të 14 bashkëluftëtarëve të rënë në Shishman të Bokës. Djem të zotë e luftëtarë të dalluar, disa prej të cilëve i njoha në frontet e luftës.

    Shteti që e gëzojmë sot është fituar me shumë gjak e sakrificë. E vërteta e luftës sonë çlirimtare nuk mund të shtrembërohet nga askush. Serbia kishte mision shfarosjen tonë si popull, ndërsa fundin atij synimi i dhanë trimat e UÇK-së në tokë dhe NATO në qiell e udhëhequr nga Amerika. Çdo përpjekje për ta ndryshuar këtë të vërtetë është e dështuar dhe kushdo që tenton ta bëjë këtë, do të mbetet me turp.

    Lavdi të rënëve për liri!

  • Juventusi rrezikon të humbasë Thuram në verë nëse dështon të kualifikohet në Champions

    Juventusi rrezikon të humbasë Thuram në verë nëse dështon të kualifikohet në Champions

    Juventusi mund të përballet me një humbje të madhe në merkaton e ardhshme verore, pasi Khephren Thuram mund të largohet nga Torino nëse bardhezinjtë nuk arrijnë të sigurojnë një vend në Ligën e Kampionëve.

    Mesfushori francez konsiderohet një nga lojtarët kyç të skuadrës dhe e ardhmja e tij lidhet ngushtë si me ambiciet sportive, ashtu edhe me situatën financiare të klubit. Juventusi tashmë është jashtë garës për titull dhe objektivi i vetëm i mbetur është përfundimi në katër vendet e para në Serie A.

    Eliminimi i fundit ndaj Galatasarayt në “Allianz Stadium” është parë si një goditje e rëndë, duke rritur presionin mbi skuadrën për të shpëtuar sezonin përmes kualifikimit në Champions. Përveç aspektit sportiv, një dështim i tillë do të sillte pasoja të mëdha financiare për klubin.

    Nëse rivalët si Como dhe Roma arrijnë të zënë vendet që çojnë në Ligën e Kampionëve, Juventusi jo vetëm që do të mbetet jashtë kompeticionit më të rëndësishëm evropian, por gjithashtu do të humbasë të ardhura të konsiderueshme. Një skenar i tillë mund ta detyrojë klubin të bëjë një shitje të rëndësishme gjatë verës.

    Në këtë kontekst, Thuram shihet si kandidati kryesor për t’u larguar. Raportohet se vetë lojtari është i hapur për një transferim nëse Juventusi mbetet jashtë top 4, në mënyrë që të vazhdojë zhvillimin e tij në nivelin më të lartë evropian.

    Që nga transferimi i tij në Torino për rreth 20 milionë euro, vlera e Thuram është rritur ndjeshëm dhe ai ka tërhequr interesin e disa klubeve të mëdha. Mes tyre është edhe Manchester United, i cili e sheh francezin si një përforcim ideal në mesfushë, sidomos në prag të një largimi të mundshëm të Casemiros. Në “Old Trafford”, ai mund të formojë një treshe interesante me Kobbie Mainoo dhe Bruno Fernandes.

    25-vjeçari ka zhvilluar një sezon solid me fanellën e Juventusit, duke regjistruar 38 paraqitje në të gjitha garat, mbi 2700 minuta në fushë, si dhe duke kontribuar me 3 gola dhe 3 asistime.

  • Ekspozita për masakrat, Tahiri: Kjo qeveri po prodhon skandal pas skandali – rasti të trajtohet seriozisht

    Ekspozita për masakrat, Tahiri: Kjo qeveri po prodhon skandal pas skandali – rasti të trajtohet seriozisht

    Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri, në një konferencë për media ka folur reth ekspozitës së Shkëlzen Gashit, e cila ngjalli reagime të ashpra për shkak të të dhënave të pasakta të paraqitura në Masakrat që kishin ndodhur në Kosovë.

    Tahiri deklaroi se Qeveria aktuale po prodhon skandal pas skandali.

    Ai theksoi se tash së fundmi janë goditur viktimat e Burgut të Dubravës.

    “Kjo qeveri e ky pushtet po prodhon skandal pas skandalit. Është e pakuptimtë se si shteti dështon, dështon Qeveria e Kosovës, Kuvendi, ministria dhe mbështet një ekspozitë e cila në esencë ka pasaktësi që ndërlidhen me të drejtën historike të Kosovës. Pasaktësi, që e demanton burimi i informacionit”, deklaroi shefi i GP të AAK-së para mediave.

    “Secili në këtë pushtet mundohet me ikë prej përgjegjësisë. Lëvizja Vetëvendosje mundohet me ikë nga përgjegjësia duke thënë se ne e kemi përjashtuar autorin nga Zyra e Kryeministrit. Mundohet të ikë nga përgjegjësia edhe Ministria e linjës e cila thotë “Jo ne nuk dimë asgjë për këtë punë”, po ashtu edhe Kuvendi i Kosovës”, deklaroi Tahiri.

    Tahiri shtoi se AAK-ja kërkon që kjo të trajtohet seriozisht.

  • Kapiteni Amir Rrahmani pritet të jetë i pranishëm në ndeshjen Kosovë–Turqi

    Kapiteni Amir Rrahmani pritet të jetë i pranishëm në ndeshjen Kosovë–Turqi

    Kapiteni i Kombëtares së Kosovës Amir Rrahmani, pritet të jetë i pranishëm në stadiumin “Fadil Vokrri” për të mbështetur bashkëlojtarët e tij në ndeshjen vendimtare ndaj Kombëtarja e Turqisë, në kuadër të finales së Play-Off-it.

    Edhe pse mungesa e tij në fushë është ndjerë dukshëm për shkak të një dëmtimi muskulor, mbrojtësi i Napoli ka marrë leje nga klubi për të udhëtuar drejt Prishtinës. Ai pritet t’i bashkohet ekipit të martën, duke ofruar përkrahje morale në një moment shumë të rëndësishëm për kombëtaren.

    Rrahmani, i cili është në fazën përfundimtare të rikuperimit pas dëmtimit të pësuar në ndeshjen ndaj Roma, pritet të rikthehet në fushë në mesin e muajit prill. Ky është një lajm i mirë për trajnerin Antonio Conte, i cili do të mund të llogarisë në shërbimet e tij në momentet vendimtare të sezonit në Serie A.

    Prania e kapitenit në tribunat e stadiumit në Prishtinë pritet të shërbejë si një shtysë e madhe për futbollistët e Kosovës, të cilët do të kërkojnë një rezultat pozitiv përballë Turqisë dhe një hap të rëndësishëm drejt suksesit.

    Kujtojmë që Amir Rrahmani mungon në grumbullimin e dardanëve për ndeshjet vendimtare të dardanëve për shkak të lëndimit.

  • Ministria e Jashtme e Shqipërisë thirrje qytetarëve: Shmangni udhëtimet në Lindjen e Mesme

    Ministria e Jashtme e Shqipërisë thirrje qytetarëve: Shmangni udhëtimet në Lindjen e Mesme

    Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri ka dalë me një thirrje lidhur me situatën dhe përshkallëzimin e luftës në Lindjen e Mesme.

    Sipas njoftimit, Ministria u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të shmangin çdo udhëtim jo të domosdoshëm, në mënyrë të veçantë udhëtimet për arsye turistike në këtë rajon.

    “Në vijim të komunikimeve të mëparshme lidhur me përshkallëzimin në rajonin e Lindjes së Mesme, dhe në kushtet e pasigurisë dhe paparashikueshmërisë së zhvillimeve, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme përsërit thirrjen për qytetarët shqiptarë që të shmangin sa më shumë të jetë e mundur çdo udhëtim jo të domosdoshëm, në mënyrë të veçantë çdo udhëtim për arsye turistike në këtë rajon, deri në një njoftim të dytë. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme po ndjek me vëmendje zhvillimet dhe do të informojë publikun në mënyrë të vazhdueshme”, thuhet në njoftim, shkruan Euronews.

  • Zelensky: Ukraina ka nevojë për 700 mijë tonë karburant në muaj

    Zelensky: Ukraina ka nevojë për 700 mijë tonë karburant në muaj

    Ukraina ka nevojë për rreth 700,000 tonë naftë dhe benzinë ​​çdo muaj, me nevojat vjetore që tejkalojnë 7 milionë ton, tha Presidenti Volodymyr Zelensky të shtunën.

    Duke folur gjatë një video-konference me gazetarët, Zelensky tha se ushtria mbetet e furnizuar plotësisht.

    “Që nga sot, ushtria është e furnizuar plotësisht. Ushtria është përparësia jonë”, tha ai.

    “ Ne i kuptojmë qartë vëllimet. Furnizimet totale të naftë dhe benzinës për të gjithë vendin, përfshirë ushtrinë, arrijnë në rreth 700,000 ton në muaj. Ne vlerësojmë përafërsisht vëllimet vjetore në 7.2 deri në 7.4 milionë ton”, shtoi ai, sipas Interfax-Ukrainë.

    Zelensky tha se siguroi furnizime me naftë për të paktën një vit gjatë vizitës së tij të fundit në Lindjen e Mesme.

    “Dje, rashë dakord për naftë për të paktën një vit. Kaq. Pastaj është çështje për kompaninë tonë dhe kompanitë lokale”, tha ai, siç citohet nga RBC-Ukrainë.

    Gjatë turneut të tij në Gjirin Persik, Zelensky siguroi gjithashtu marrëveshje mbrojtjeje me Katarin dhe Arabinë Saudite, dhe ra dakord të përparojë bashkëpunimin në mbrojtje me Emiratet e Bashkuara Arabe.