ATV

Blog

  • Trump: Irani do lejojë 20 anije cisternash nafte të kalojnë në Ngushticën e Hormuzit

    Trump: Irani do lejojë 20 anije cisternash nafte të kalojnë në Ngushticën e Hormuzit

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se Irani ka rënë dakord të lejojë kalimin e 20 anijeve cisternë të naftës nëpër Ngushtica e Hormuzit, duke e cilësuar këtë si një “dhuratë” në kuadër të negociatave mes palëve. Sipas deklaratave të tij për median ndërkombëtare, fillimisht Irani kishte lejuar një numër më të vogël anijesh, por më pas e rriti në 20, të cilat pritet të kalojnë duke nisur nga e hëna dhe në ditët në vijim.

    Trump theksoi gjithashtu se ky vendim ishte miratuar nga Mohammad Bagher Ghalibaf, duke e paraqitur si një sinjal pozitiv për ecurinë e bisedimeve mes dy vendeve. Megjithatë, retorika nga pala iraniane mbetet e ashpër. Ghalibaf paralajmëroi se forcat iraniane janë të gatshme të përballen me çdo ndërhyrje tokësore amerikane, duke akuzuar SHBA-në për përgatitje të fshehta ushtarake.

    Ndërkohë, tensionet në Lindjen e Mesme kanë ndikuar drejtpërdrejt në tregjet globale të energjisë. Çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm, me naftën Brent që ka kaluar mbi 115 dollarë për fuçi, ndërsa konflikti ka hyrë në javën e pestë.

    Situata është përkeqësuar edhe nga përfshirja e rebelëve Huthi në Jemen, të cilët kanë ndërmarrë sulme me raketa ndaj Izraelit, duke rritur frikën për ndërprerje të furnizimit global me energji.

    Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë për transportin e naftës, mbetet nën tension të lartë, pasi përmes saj kalon rreth 20% e furnizimit global me energji. Pavarësisht sinjaleve për lehtësim të pjesshëm, situata mbetet e paqëndrueshme. Trump deklaroi se një nga opsionet e tij kryesore është “marrja e naftës” iraniane, duke e krahasuar me ndërhyrje të mëparshme amerikane në vende të tjera prodhuese. Në të njëjtën kohë, raportimet flasin për sulme të vazhdueshme në rajon dhe për rrezik të shtuar për infrastrukturën energjetike, çka mund të çojë në një krizë edhe më të thellë globale. Autoritetet ndërkombëtare kanë bërë thirrje për ulje të tensioneve, ndërsa tregjet dhe vendet importuese të energjisë mbeten në alarm për zhvillimet e ardhshme.

  • Sa karburant është më mirë të keni në rezervuarin e veturës?

    Sa karburant është më mirë të keni në rezervuarin e veturës?

    Shumë pronarë veturash veprojnë njësoj: vozitin deri sa të ndizet llamba e rezervës, dhe vetëm atëherë mbushin karburantin.

    Të gjithë taktizojmë, dhe do të taktizojmë edhe më shumë me rritjen e çmimeve të karburantit.

    Të gjithë shtyjmë pagesën, por në fund do të duhet të mbushim rezervuarin. Niveli më praktik i karburantit rrallë është “gati bosh”, por as “plot deri në majë dhe pak më shumë”, shkruan Shoqata Amerikane e Automjeteve (AAA).

    Disa ekspertë rekomandojnë që të mos lini nivelin e karburantit të bjerë nën një të katërtën e rezervuarit para se ta mbushni sërish, ndërsa gjysma e rezervuarit është më e mençur gjatë dimrit, për udhëtime të gjata ose nëse dini që mund të bllokoheni në radhë.

    Nëse ngecni në trafik, duhet të rindërtoni rrugën ose të gjeni një stacion të hapur, sepse një rezervuar pothuajse bosh bëhet shpejt burim stresi.

    Çfarë nëse stacioni i karburantit ka problem teknik ose ndonjë problem tjetër logjistik?! Prandaj, kur niveli i karburantit bjerë në një të katërtën, kërkoni një stacion për ta mbushur. Për qetësinë tuaj.

    Shumë njerëz bëjnë edhe një gabim tjetër të zakonshëm: vazhdojnë të mbushin karburantin edhe pasi arma e karburantit klikon. Kjo duhet shmangur. Mbushja duhet të ndalet te klikimi i parë, sepse ai paralajmëron për mbushje të tepruar. Një rezervuar i mbushur tepër mund të shkaktojë derdhje dhe probleme, veçanërisht gjatë ditëve të nxehta.

  • Kurti: Ekspozita për krimet në Kosovë të korrigjohet dhe të rikthehet e vërteta e plotë në qershor

    Kurti: Ekspozita për krimet në Kosovë të korrigjohet dhe të rikthehet e vërteta e plotë në qershor

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar lidhur me ekspozitën për masakrat e luftës në Kosovë, duke theksuar nevojën që ajo të korrigjohet dhe të rikthehet në një formë më të saktë dhe gjithëpërfshirëse.

    Ai bëri të ditur se ekspozita tashmë është larguar nga sheshi, ndërsa shtoi se, megjithëse përfshin disa raste të rëndësishme, ajo ka pasur mangësi dhe gabime në përmbajtje që duhet patjetër të përmirësohen.

    Kurti theksoi se dokumentimi dhe prezantimi i saktë i krimeve të luftës është thelbësor, jo vetëm për opinionin ndërkombëtar, por edhe për vetë shoqërinë kosovare, veçanërisht për gjeneratat e reja që nuk e kanë përjetuar luftën.

    Sipas tij, një pjesë e madhe e popullsisë ose kanë qenë fëmijë gjatë luftës, ose kanë lindur pas saj, prandaj është e domosdoshme që e vërteta historike të ruhet dhe të prezantohet në mënyrë të drejtë.

    Ai vlerësoi se një ekspozitë e tillë ka rëndësi të veçantë për të ardhmen e vendit, pasi ndihmon në ruajtjen e kujtesës kolektive dhe në ndërgjegjësimin për çmimin e lartë të lirisë, duke theksuar se shumica e viktimave të luftës në Kosovë kanë qenë civilë.

    “Kjo ekspozitë është shumë e rëndësishme për të ardhmen tonë jo vetëm për të kaluarën tonë. Ndërkaq, është e rëndësishme edhe për aspektin ndërkombëtar, sepse ne dëshirojmë që bota me të cilën kemi ndërveprim të dendur të mos harroj asnjëherë se çmimi i lirisë dhe i pavarësisë ishte shumë i lartë dhe në veçanti në popullsinë civile, sepse shumica dërrmuese e të vrarëve në Kosovë janë popullsi civile”, deklaroi ai.

    Kryeministri u shpreh se një ekspozitë e rishikuar dhe e bazuar në fakte duhet të rikthehet sa më shpejt, duke sugjeruar muajin qershor, në përvjetorin e çlirimit të Kosovës, si një moment të përshtatshëm.

    “Një ekspozitë e saktë e drejtë dhe e plotë mbi të gjitha e vërtetë për krimet e kryera të Serbisë në Kosovë, unë besoj që duhet të rikthehet sa më parë. Madje, një datë optimale do të ishte qershori, përkatësisht koha kur shënojmë përvjetorin e 27-të të çlirimit të Kosovës”, deklaroi ai në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.

    Ai shtoi gjithashtu se një nismë e tillë nuk duhet të kufizohet vetëm në Prishtinë, por të shtrihet në të gjitha komunat e vendit, në mënyrë që të jetë sa më e qasshme për qytetarët.

  • Çështja e presidentit, Kurti i gatshëm të ftojë në takim liderët opozitarë

    Çështja e presidentit, Kurti i gatshëm të ftojë në takim liderët opozitarë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se çështja e presidentit është tejet e rëndësishme, dhe e njëjta duhet të trajtohet me seriozitetin më të madh institucional dhe politik.

    Në konferencën për media pas mbledhjes së qeverisë, ai bëri të ditur se posa të zhvillojë konsultimet e brendshme, do të nisë dërgimin e ftesave për takim me kryetarët e partive opozitë.

    “Kjo është çështje tejet e rëndësishme, zgjedhja e presidentit duhet të trajtohet me seriozitetin më të lartë institucional dhe politik. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, nëse nuk gaboj, kemi kohë deri më 28 prill, që do të thotë se i kemi 30 ditë, pra jo 3, por 30. Megjithatë, do të përpiqemi që sa më shpejt të kryejmë sa më shumë. Për këtë më nevojiten konsultimet e brendshme, dhe dihet se pas tyre menjëherë do të dërgojmë ftesa për takim me kryetarët e partive opozitare”, deklaroi shefi i qeverisë.

    Ndër të tjera, Kurti theksoi se kjo çështje duhet trajtuar me urgjencë, por nuk duhet “të matemi me përpjekjet që bëjmë, por me suksesin që arrijmë”.

    “Sa i përket rëndësisë, kjo duhet trajtuar me urgjencë. Nuk duhet të matemi me përpjekjet që bëjmë, por me suksesin që arrijmë. Në këtë kuptim, çështja është më e rëndësishme dhe urgjente, por Kushtetuesja na ka dhënë një periudhë kohe që na lejon jo vetëm të veprojmë shpejt, por edhe të shmangim gabimet në mënyrën se si arrijmë aty ku duhet”, përfundoi kryeministri.

  • LDK mban konferencë për “skandalin e njehsorëve elektrikë” para ZRRE-së

    LDK mban konferencë për “skandalin e njehsorëve elektrikë” para ZRRE-së

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se sot, duke filluar nga ora 15:00, do të mbajë konferencë për media para objektit të Zyra e Rregullatorit për Energji.

    Sipas njoftimit, në këtë konferencë do të flasë Visar Azemi, i cili pritet të trajtojë sërish çështjen e ashtuquajtur “skandal i njehsorëve elektrikë”.

    LDK ka ftuar përfaqësuesit e mediave që të marrin pjesë dhe ta përcjellin nga afër këtë konferencë për media.

  • “Pas Pavarësisë do të jetë lumturia më e mirë e shtetit tonë”, Vedat Muriqi beson në fitoren e Kosovës ndaj Turqisë

    “Pas Pavarësisë do të jetë lumturia më e mirë e shtetit tonë”, Vedat Muriqi beson në fitoren e Kosovës ndaj Turqisë

    Qendërsulmuesi Vedat Muriqi thotë se beson se Kosova do të triumfojë në përballjen ndaj Turqisë.

    Ylli nga Kosova në konferencë për media dha lëvdata për ekipin e Turqisë, por shpreson se “Dardanët” do të kenë sukses.

    “Kam kënaqësinë që jam kapiten në këtë sfidë të rëndësishme, pra jemi në finale. Jam i qetë, kemi atmosferë jashtëzakonisht të shkëlqyer në kombëtare dhe shpresojmë shumë në sukses”.

    “Për kualitetin e Turqisë nuk flitet, duhet të bëjmë një lojë ekipore për të qenë më mirë se Turqia”.

    I pyetur se nëse ka ardhur koha të shënojë në ndeshjen vendimtare pasi “nuk e ka gjetur golin që disa ndeshjes”, Muriqi nënvizoi se suksesi i ekipit është prioritet.

    “Gjithmonë kam thënë se nuk më intereson të shënoj gola, përderisa fiton ekipi. Jemi t’u fol për shtetin, jemi në finale kështu që s’më intereson aspak kush shënon gola”.

    “Pas Pavarësisë mund të jetë lumturia më e mirë e shtetit tonë. Nuk dua t’i bëj presion bashkëlojtarëve apo vetës, por besoj nëse në fitore e pastaj të festojmë në shesh”, shtoi ai.

    Kujtojmë, përballja mes Kosovës dhe Turqisë do të zhvillohet të martën nga ora 20:45.

  • Miratohet Projekt-ligji për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Gërvalla: Mandati publik nuk është mundësi për pasurim

    Miratohet Projekt-ligji për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Gërvalla: Mandati publik nuk është mundësi për pasurim

    Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar sot Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i propozuar nga Ministria e Drejtësisë si një nga nismat kryesore reformuese në kuadër të forcimit të sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.

    Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se në fjalën e tij, kryeministri Albin Kurti, tha se Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme përbën një nga zotimet më të rëndësishme të Qeverisë në fushën e drejtësisë.

    “Angazhimin tonë të madh për jetësimin e Byrosë, fatkeqësisht, ish-pushtetarët iu përgjigjën me kundërshtim e zell të paimagjinueshëm. Jemi sfiduar, por nuk jemi ndalur e as nuk do të ndalemi. Do ta jetësojmë Byronë përkundër atyre që motivet e vërteta i fshehin prapa ankesave në Gjykatën Kushtetuese”, tha Kryeministri Kurti.

    Ndërsa Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, theksoi rëndësinë e këtij ligji për rritjen e llogaridhënies dhe besimit qytetar në institucione.

    “Ky ligj jep një mesazh të qartë: Mandati publik nuk është mundësi për pasurim personal, si dhe është përgjegjësi që duhet kryer bazuar në dispozitat dhe obligimet ligjore. Në anën tjetër, për qytetarët, kjo nismë dhe ky ligj do të thonë më shumë barazi, pastaj drejtësi dhe gjithashtu, më shumë besim në institucionet shtetërore”, deklaroi ajo.

    Ministrja Gërvalla tha se ky projektligj është rezultat i një procesi disa vjeçar reformash që ka nisur në vitin 2021 dhe është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke reflektuar rekomandimet e Komisionit të Venedikut dhe gjetjet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

    “Ky moment shënon edhe fillimin e një rrugëtimi maratonik pothuajse 5-vjeçar drejt jetësimit të kësaj nisme reformuese, e cila, bazuar në analizat dhe hulumtimet paraprake, derivon nga nevoja e shtimit të instrumenteve dhe kompletimit të infrastrukturës ligjore në fushën kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar”, u shpreh ministrja Gërvalla.

    Projektligji për Byronë Shtetërore, sipas Ministres Gërvalla, ka për qëllim të forcojë llogaridhënien e zyrtarëve publikë, duke e bërë të qartë se pasuria duhet të jetë në përputhje me të ardhurat e ligjshme si dhe të ruajë standardet kushtetuese dhe të drejtat themelore, duke siguruar që çdo ndërhyrje në pronë të bëhet vetëm me vendim gjyqësor dhe mbi bazë prove.

    Në fund, Ministrja Gërvalla tha se miratimi i këtij projektligji konsiderohet hap i rëndësishëm drejt kompletimit të infrastrukturës ligjore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe drejt rritjes së besimit të qytetarëve në institucionet shtetërore.

  • Serialet më të mira për t’u parë në prill: Nga rikthimi i “Euphoria” te surprizat e reja televizive

    Serialet më të mira për t’u parë në prill: Nga rikthimi i “Euphoria” te surprizat e reja televizive

    Prilli sjell një valë të re prodhimesh televizive që premtojnë të mbajnë publikun të mbërthyer pas ekranit, nga rikthimet e shumëpritura te projektet krejtësisht të reja që po tërheqin vëmendjen e kritikëve dhe shikuesve.

    Një nga rikthimet më të bujshme është sezoni i tretë i serialit Euphoria, ku rikthehen emra të njohur si Zendaya dhe Sydney Sweeney. Historia zhvendoset disa vite përpara, me personazhet që tashmë përballen me sfida të reja në jetën e tyre si të rritur.

    Ndërkohë, fansat e nostalgjisë do të gjejnë kënaqësi te rikthimi i Malcolm in the Middle, ku Bryan Cranston rikthehet në rolin e babait Hal, duke sjellë humorin karakteristik të serialit kult.

    Në listën e serialeve më të pritura është edhe The Testaments, vazhdimi i historisë së njohur nga universi i The Handmaid’s Tale, që eksploron më tej botën distopike të Gilead dhe fatet e personazheve të rinj.

    Për ata që preferojnë komedinë me elemente krimi, seriali Big Mistakes sjell një histori të pazakontë rreth një familjeje që përfshihet në botën e krimit në mënyrë të papritur.

    Një tjetër projekt interesant është The Miniature Wife, që trajton me humor dhe metaforë marrëdhëniet bashkëshortore përmes një koncepti fantastik – zvogëlimit të trupit njerëzor.

    Në zhanrin dramatik, spikat Half Man, një histori e fortë mbi maskulinitetin dhe marrëdhëniet komplekse mes dy burrave, ndërsa Beef rikthehet me sezonin e dytë dhe një kast të ri, duke vazhduar të eksplorojë konfliktet njerëzore në mënyrë intensive.

    Po ashtu, prilli sjell edhe tituj si:

    Your Friends and Neighbors
    The Audacity
    Margo’s Got Money Troubles
    Widow’s Bay
    Man on Fire

    Këto prodhime ofrojnë një përzierje të pasur zhanresh nga drama dhe komedia, te thriller-i dhe fantazia – duke e bërë prillin një muaj të pasur për adhuruesit e serialeve.

    Me rikthime të fuqishme dhe ide të freskëta, ky muaj pritet të jetë një nga më interesantët për ekranin e vogël.

  • Ushtarët koreano-veriorë stërvitje ekstreme para Kim Jong-Un, thyejnë betonin me kokë – Diktatori i shijon stërvitjet ekstreme

    Ushtarët koreano-veriorë stërvitje ekstreme para Kim Jong-Un, thyejnë betonin me kokë – Diktatori i shijon stërvitjet ekstreme

    Kim Jong-un ka parë një shfaqje ushtarake ku ushtarët e Koresë së Veriut kryen teste mbresëlënëse dhe ekstreme qëndrueshmërie, duke thyer pllaka betoni me kokat e tyre dhe duke u goditur me çekiçë dhe lopata.

    Sipas ‘Daily Mail’, shfaqjet ishin pjesë e një shfaqjeje të fuqisë ushtarake të vendit, me Kim-in duke buzëqeshur dhe duke duartrokitur me entuziazëm.

    Në një nga skenat më të çuditshme që u zhvilluan para syve të udhëheqësit të Koresë së Veriut, ushtarët me uniforma kamuflazh thyen pllaka të mëdha betoni në kokat e kolegëve të tyre përpara se të kryenin një program artesh marciale që përfshinte lëvizje akrobatike dhe sulme të sinkronizuara.

    Në një moment tjetër të demonstratës, një ushtar goditi një tjetër me një shkop të madh druri, duke e thyer shkopin në dysh, ndërsa “lufta” vazhdoi pa ndërprerje. Në të njëjtën kohë, ushtarët mbajtën pllaka betoni mbi trupin e kolegut të tyre, të cilat një pjesëmarrës tjetër i shkatërroi me çekiç.

    Kamera vazhdonte të kthehej te Kim Jong-un, i cili ishte ulur në një kolltuk të madh të bardhë pas një tavoline druri, duke komentuar demonstratën, ndërsa ushtarët përreth tij qeshën me vërejtjet e tij. Udhëheqësi i Koresë së Veriut dukej se e shijonte spektaklin, duke reaguar me buzëqeshje dhe duartrokitje.

    Në shfaqje të tjera të qëndresës, ushtarët hodhën lopata dhe përdorën çekiçë për të goditur barkun e kolegëve të tyre, të cilët mbetën të palëvizshëm dhe të tensionuar. Teste të ngjashme përfshinin goditjen e bërrylave që mbështeteshin mbi grumbuj betoni me çekiçë të rëndë, si dhe thyerjen e tullave me duar të zhveshura.

    Një tjetër shfaqje e pazakontë përfshinte një ushtar që godiste një ushtar tjetër në këmbë me çekiç, si pjesë e një demonstrimi të qëndrueshmërisë fizike dhe stërvitjes luftarake. Pamjet mbresëlënëse përfshinin gjithashtu ushtrime ushtarake më klasike, të tilla si lëvizje të sinkronizuara të arteve marciale dhe parada të njësive.

    Në fund të ngjarjes, ushtarët u mblodhën rreth Kim Jong Un, duke shtrënguar duart dhe duke shprehur entuziazëm me slogane dhe brohoritje, ndërsa bënin foto me të.

  • Policia sekuestron 20 motoçikleta dhe shqipton 55 gjoba për kundërvajtësit në Pejë

    Policia sekuestron 20 motoçikleta dhe shqipton 55 gjoba për kundërvajtësit në Pejë

    Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë brenda një jave ka sekuestruar 20 motoçikleta të llojeve të ndryshme.

    Gjatë aksionit i cili u bë në kuadër të implementimit të Planit Operativ “Kontroll i shtuar i qarkullimit të motoçikletave, skuterëve, trotineteve dhe katërçikletave, u shqiptuan edhe 55 gjoba për kundërvajtësit.

    Nga data 23 mars deri më 29, u sekuestruan dhe u shqiptuan gjoba:

    20 motoçikleta llojeve tё ndryshme.

    15 gjoba pa regjistrim të motoçikletave.

    22 gjoba për mos posedim patentë shoferi.

    18 gjoba për mos bartje të helmetës.

    Aktivitete dhe detyra të shumta policore, që janë të planifikuara të realizohen në kuadër të Planit Operative, do të vazhdojnë në mënyrë intensive në ditët në vijim, pa asnjë tolerim ndaj secilit kundërvajtës.

    “Krejt kjo në të mirë të rregullimit të komunikacionit, si dhe parandalimit të aksidenteve. Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, e veçanërisht tek ngasësit e motoçikletave, tё respektojnë rregullat e komunikacionit”, thuhet në njoftim.