Në Hanin e Dy Robertëve në Prishtinë u mbajt një punëtori tre-ditore mbi kritikën e artit, me fokus në aftësimin e të rinjve për të analizuar dhe interpretuar artin bashkëkohor përmes formave të ndryshme të gazetarisë kulturore. Aktiviteti mblodhi pjesëmarrës nga fusha të ndryshme, studentë, gazetarë, artistë dhe profesionistë të rinj të kulturës, që gjatë tri ditëve zhvilluan ligjërata, ushtrime praktike dhe diskutime rreth rolit të kritikës në diskursin publik.
Punëtoria u udhëhoq nga Shkëlzen Maliqi, i cili ofroi një kornizë për të kuptuar kritikën si proces që shkon përtej përshtypjeve të shpejta. Përmes shembujve konkretë dhe debateve me pjesëmarrësit, u trajtuan qasjet bashkëkohore në interpretimin e artit dhe rëndësia e kontekstit social e politik në të cilin prodhohet dhe komunikohet.
Gjatë punëtorisë, pjesëmarrësit punuan edhe në zhvillimin e formateve të ndryshme të përmbajtjes, si recensione, artikuj, blogje apo podkaste, duke e parë gazetarinë kulturore si mjet për të sjellë artin më afër publikut dhe për të hapur diskutime më të thelluara rreth tij.
Ky aktivitet vjen në një kohë kur arti gjithnjë e më shumë trajtohet si ngjarje për konsum të shpejtë, ndërsa kritika mbetet margjinale në hapësirat mediale. Në këtë kontekst, punëtoria synoi të rigjallërojë interesimin për qasjen kritike dhe të nxisë forma të reja të komunikimit kulturor në vend.
Drejtoria e Shëndetësisë në kuadër të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë ka hapur një këshillimore të re të dedikuar për pacientët me diabet. Kjo iniciativë është ndërmarrë si përgjigje ndaj rritjes së numrit të rasteve me diabet në komunën e Prishtinës dhe synon të ofrojë kujdes më të specializuar dhe më të afërt për këtë kategori pacientësh.
Drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku ka potencuar se këshillimorja për diabet do të funksionojë me orar të rregullt gjatë ditëve të punës dhe do të jetë e përbërë nga profesionistë shëndetësorë të trajnuar në fushën e endokrinologjisë, infermierisë dhe dietologjisë. Pacientët do të kenë mundësi të marrin këshilla për menaxhimin e sëmundjes, kontrollin e nivelit të sheqerit në gjak, ushqimin e duhur, si dhe udhëzime për aktivitetet fizike të rekomanduara.
Ky shërbim është krijuar për të lehtësuar qasjen e qytetarëve në kujdes parandalues dhe për të reduktuar nevojën për trajtime të ndërlikuara në faza të mëvonshme të sëmundjes. Me anë të këtij këshillimi, synohet gjithashtu të rritet vetëdijësimi rreth komplikimeve të mundshme të diabetit, si dhe rëndësia e monitorimit të rregullt mjekësor. Mes tjerash këto shërbime ofrohen falas për qytetarët.
Drejtoria e Shëndetësisë ka theksuar se ky projekt është pjesë e një strategjie më të gjerë për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në nivel lokal, dhe se hapja e këshillmores është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet profesionistëve të shëndetit publik dhe komunitetit mjekësor vendor. Kjo është vetëm një nga iniciativat që parashihen të realizohen gjatë këtij viti./atvlive.tv
Në përvjetorin e 26-të të rënies heroike të dëshmorit Sinan Thaqi, fshati Zojz u mbush me ndjenjë respekti dhe krenarie kolektive. Në një atmosferë të ngrohtë por të mbushur me emocione të thella, nxënësit e shkollës që mban emrin e tij, SHFMU “Sinan Thaqi”, realizuan një program kulturor-artistik në nder të figurës së tij dhe të gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës.
Aktiviteti u zhvillua në sheshin “Sinan Thaqi”, pranë lapidarit të tij, ku morën pjesë shumë banorë të fshatit, mësimdhënës, përfaqësues të institucioneve lokale dhe mbi të gjitha, familjarët e dëshmorit, të pranishëm me një krenari të thellë dhe emocione që vështirë përmbaheshin. Prania e tyre e bëri këtë përkujtim edhe më të ndjerë, duke e kthyer në një akt simbolik të lidhjes së brezave me historinë dhe sakrificën për liri.
Nxënësit recituan poezi, kënduan këngë patriotike dhe sollën fragmente nga historia e luftës, duke dëshmuar se kujtimi për dëshmorët nuk jeton vetëm në libra apo lapidarë, por në zemrat dhe zërat e brezave të rinj që po rriten me krenarinë e trashëgimisë kombëtare.
Emri i Sinan Thaqit nuk ishte thjesht i gdhendur në gur, por i ngulitur në ndërgjegjen kolektive të këtij komuniteti. Ishte më shumë se një manifestim përkujtimor, ishte një mësim i gjallë për dashurinë ndaj atdheut.
Ky përvjetor dëshmoi se liria për të cilën luftuan dëshmorët nuk harrohet dhe Zojzi mbetet një shembull i gjallë i asaj se si ruhet e nderohet historia./atvlive.tv/
Burim Bunjaku është një emër i njohur në komunitetin e dashamirësve të kafshëve, i cili ka arritur të ndërtojë një petshop të suksesshëm duke kombinuar pasionin e tij për kafshët me përkushtimin ndaj shërbimit cilësor.
Me një përvojë të gjatë në kujdesin ndaj kafshëve shtëpiake, Burimi ka krijuar një ambient mikpritës ku klientët gjejnë gjithçka që u nevojitet për miqtë e tyre me katër këmbë, me krahë apo dhe ujorë, nga ushqimet cilësore, te lodrat, aksesorët dhe shërbimet shtesë për mirëqenien e tyre.
Në petshop-in e Burimit, klientët gjejnë gjithçka që kanë nevojë për kujdesin e duhur të papagajve, nga ushqimi i balancuar dhe i specializuar, deri te kafazët komodë, lodrat stimuluese dhe aksesorët që ndihmojnë në zhvillimin e tyre.
Ne botën e Burimit, të mbushur me kafshë nga më të ndryshme, ai ka pasur eksperiencë edhe me kafshë ekzotike si gjarpërinjtë, e cila është një dëshmi e guximit dhe dashurisë së tij të vërtetë për krijesat e natyrës./atvlive.tv/
Një platformë e re, e quajtur “Pianoteka Shqiptare”, është lansuar me synimin për të promovuar dhe ruajtur trashëgiminë e krijimtarisë pianistike shqiptare.
E krijuar nga një pianiste dhe pedagoge e pasionuar, “Pianoteka Shqiptare” fokusohet në paraqitjen e veprave të kompozitorëve nga Kosova dhe Shqipëria, duke i dhënë kështu një hapësirë të re dhe të merituar muzikës sonë kombëtare.
Në fazën e parë të projektit, vëmendja është përqendruar te kompozitori i njohur Tonin Harapi. Aktualisht, në kanal janë publikuar gjashtë video që ofrojnë informacione mbi jetën dhe krijimtarinë e tij, duke sjellë një qasje edukative dhe inspiruese për studentët, nxënësit dhe të gjithë të interesuarit për pianizmin shqiptar.
Platforma është realizuar me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndërsa një falënderim i veçantë i është adresuar pianistit Avni Krasniqi për bashkëpunimin e tij të çmuar.
Në të ardhmen, “Pianoteka Shqiptare” do të pasurohet me materiale të reja, duke përfshirë krijimtarinë e shumë kompozitorëve të tjerë nga Kosova dhe Shqipëria. Synimi është që ky kanal të shndërrohet në një pikë referimi për të gjithë nxënësit, studentët dhe dashamirësit e muzikës shqiptare./atvlive.tv/
Deputeti i zgjedhur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Paris Guri i ftuar në emisionin “STUDIO A” në ATV foli gjerë e gjatë për jetën e saj private e profesionale dhe jo vetëm.
Duke u veçuar me emrin e tij, në mes tjerash Parisi tregoi se kush ia vendosi emrin atij dhe të vërtetën që fshihet pas.
“Gjatë kohës sa mami ka qenë shtatzëne, babi ka qenë duke e lexuar ‘Iliadën Lufta e Trojës’ dhe i ka pëlqyer emri i personazhit ‘Paris’, pra ai princi që lufton për Helenën dhe kjo është arsyeja që babi ka vendosë që unë të quhem Paris”, tha mes tjerash ai.
Për të ndjekur intervistën e tij të plotë klikoni në videon e mëposhtme:
Reperi i njohur shqiptar, Gold AG, ka rrëfyer një anë tjetër të jetës së tij në një intervistë të veçantë përballë Elita Rudit në emisionin “The Elite Way”.
Në një bisedë të ndjerë dhe plot emocione, artisti tregoi për herë të parë me kaq sinqeritet për sfidat e fëmijërisë së tij, duke theksuar se është rritur vetëm me nënën.
“Jam rritë vetëm me nënën, hjekat e mija më kanë bërë këtë që jam sot”, u shpreh Gold AG.
Ai ndau me shikuesit sakrificat, vështirësitë dhe mësimet që e kanë formuar si njeri dhe artist./atvlive.tv/
Inteligjenca artificiale po shihet si një prej teknologjive më revolucionare të shekullit 21, por krahas përfitimeve të shumta që sjell në fusha si shëndetësia, arsimi apo transporti, po rritet edhe shqetësimi për ndikimin e saj negativ në mjedis.
Shtetet me ekonomi të mëdha si Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Mbretëria e Bashkuar janë ndër vendet që po investojnë më shumë në zhvillimin e inteligjencës artificiale, por pikërisht në këto vende janë vërejtur edhe efektet më të mëdha mjedisore që lidhen me këtë teknologji. Zhvillimi dhe përdorimi i sistemeve të avancuara të inteligjencës artificiale kërkon sasi të jashtëzakonshme të energjisë dhe resurseve natyrore, gjë që mund të përshpejtojë ndjeshëm degradimin e natyrës nëse nuk ndërmerren masa të menaxhimit të duhur.
Një prej problemeve kryesore që lidhen me ndikimin negativ të inteligjencës artificiale në mjedis është konsumi i lartë i energjisë elektrike nga qendrat e mëdha të të dhënave. Modelet e mëdha gjuhësore dhe sistemet komplekse të përpunimit të të dhënave kërkojnë shumë përpunim kompjuterik, që do të thotë më shumë serverë, më shumë ftohje dhe rrjedhimisht më shumë energji. Në shumicën e rasteve, kjo energji vjen nga burime jo të ripërtëritshme, siç janë karburantet fosile. Sipas një raporti të Universitetit të Massachusetts Amherst, vetëm trajnimi i një modeli të madh të inteligjencës artificiale mund të lëshojë mbi 280 mijë kilogramë dioksid karboni, që është ekuivalente me emetimet e pesë makinave që udhëtojnë gjatë gjithë jetës së tyre. Nëse inteligjenca artificiale zhvillohet pa standarde të qarta për mbrojtjen e mjedisit, ajo mund të kontribuojë në mënyrë të ndjeshme në ngrohjen globale.
Një tjetër aspekt shqetësues është përdorimi i ujit për ftohjen e qendrave të të dhënave. Në vendet me popullsi të madhe dhe klimë të ngrohtë, si India apo pjesë të Kalifornisë në SHBA, ku tashmë mungesa e ujit është një sfidë serioze, përdorimi i tij për teknologji mund të përkeqësojë gjendjen. Një studim i publikuar në vitin 2023 tregoi se një kërkim i vetëm me inteligjencë artificiale mund të konsumojë deri në 500 ml ujë për shkak të ftohjes së pajisjeve që përpunojnë informacionin. Në përmasa globale, kjo përkthehet në miliona litra ujë në ditë, duke rrezikuar ekosistemet ujore dhe duke ulur sasinë e ujit të pijshëm të disponueshëm për komunitetet lokale.
Problemet mjedisore nuk ndalen me konsumimin e energjisë dhe ujit. Prodhimi i pajisjeve të nevojshme për zhvillimin e inteligjencës artificiale, siç janë procesorët dhe njësitë grafike (GPU), kërkon nxjerrjen e metaleve të rralla dhe mineraleve të çmuara nga toka. Këto minerale shpesh nxirren në rajone të pasura me burime natyrore por të varfra në aspektin ekonomik, ku mungojnë standardet për mbrojtjen e natyrës dhe të drejtave të punëtorëve. Minierat ilegale, ndotja e lumenjve dhe shkatërrimi i pyjeve janë vetëm disa nga pasojat që lidhen me këtë proces. Për më tepër, e gjithë kjo industri krijon një zinxhir të gjatë të ndotjes që shtrihet nga nxjerrja e materialeve, deri te shpërndarja dhe funksionimi i pajisjeve përfundimtare.
Institucionet ndërkombëtare dhe shtetet duhet të bashkëpunojnë për të vendosur standarde të përbashkëta që e detyrojnë industrinë teknologjike të zhvillojë zgjidhje që nuk dëmtojnë natyrën. Në fund të fundit, e ardhmja e inteligjencës artificiale nuk do të vlerësohet vetëm nga ajo çfarë arrin të bëjë për njerëzimin, por edhe nga mënyra se si respekton botën natyrore në të cilën zhvillohet.
Në një bisedë në emisionin LIBERO në ATV, profesori Xhavit Rexhaj deklaroi se identiteti i tij politik dhe njerëzor buron nga vlerat e presidentit historik Ibrahim Rugova.
Ai u shpreh i zhgënjyer me politikanët e sotëm, duke i krahasuar me përkushtimin dhe largpamësinë që kishte Rugova.
Sipas tij, për të kuptuar veprimet e tij si intelektual dhe qytetar, duhet kuptuar lidhja e fortë me arsimin dhe me filozofinë politike të Rugovës, që vendoste interesin e popullit mbi atë personal.
“Jam evropian, perëndimor, shqiptar, kosovar… por mbi të gjitha punëtori i arsimit. Rugovizmi është ajo na ka bërë këta që jemi sot. Nëse kemi ndonjë vlerë, është edhe falë rezistencës së asaj kohe. Politikanët e sotëm duhet ta shohin si model – ky nuk ka menduar për vete. Nëse i marrim 10 pikat e Rugovës të vitit 1994, mund të debatojmë me to edhe sot, me çdo politikan të kësaj kohe”, u shpreh Rexhaj.
Deklaratën e plotë të Xhavit Rexhajt në emisionin LIBERO, e gjeni në videon më poshtë:
Në një bisedë të thellë e prekëse në emisionin LIBERO në ATV, poetja e njohur Blerina Rogova foli për librin e saj “Thasë”, të cilin e cilëson si më personalin dhe më shëruesin.
Ajo zbuloi se pyetja që shpesh i shtrohej ishte: Si ia del një nënë, një krijuese dhe një grua në një periudhë të vështirë jetësore?
Sipas saj, poezitë e librit “Thasë” janë shkruar në një periudhë të vështirë, ku sfidat e jetës dhe të qenët nënë u shkrinë në një përpjekje të përditshme për të mos e humbur veten.
“Libri i Thasë është libri im i fundit me poezi… është i rëndësishëm për mua sepse brenda kapakëve të këtij libri flenë rrëfime të një periudhe shumë komplekse në jetën time… një periudhë të rëndë, kur sfidohesh me shkollimin, me fëmijë të vegjël… dominon motivi amnor. Ky libër më ka ndihmuar shumë, ka qenë një proces terapeutik për veten, poetik për veten”, tha ajo.
Rrëfimin e plotë të Blerina Rogovës në emisionin LIBERO, e gjeni në videon më poshtë: