ATV

Category: Teknologji

Lexoni të gjitha lajmet, rishikimet dhe zhvillimet më të reja nga bota e teknologjisë. Zbuloni inovacionet e fundit në inteligjencën artificiale, telefonat inteligjentë, aplikacionet dhe shkencën digjitale.

  • Hard disqe prej xhami, arkivimi i të dhënave për mijëvjeçarë

    Hard disqe prej xhami, arkivimi i të dhënave për mijëvjeçarë

    Fragmente xhami të modifikuar me rreze lazer mund të jenë “hard disqet” e së ardhmes për arkivimin e të dhënave. Ruajtja e informacioneve në sasi të mëdha dhe siguria e tyre është e garantuar për të paktën 10 mijë vite, ndryshe nga pajisjet aktuale që degradohen pas disa vitesh apo dhjetëvjeçarësh.

    Teknika ka rezultuar mjaft efikase gjatë eksperimenteve, ku protagonist është xhami, mbi të cilin është përdorur një lazer për kodifikimin në brendësi të materialit të pikselave tredimensionale, njësi të quajtura “voxel”.

    Çdo voxel mund të memorizojë 1 bit të dhënash dhe sistemi ka kapacitet të shkruajë 65.9 milionë bit informacione në sekondë, ndërsa çdo mm³ xham mund të magazinojë 1.59 miliardë bit. Pra, një aftësi arkivimi e barabartë me rreth 2 milionë libra të shtypur ose 5 mijë filma me definicion të lartë.

    Sistemi është rezistent ndaj ujit dhe lagështirës, ndaj luhatjeve të temperaturave dhe ndërhyrjeve elektromagnetike.

    Eksperimentet janë zhvilluar edhe për të vlerësuar kohëzgjatjen e këtij sistemi, i cili është quajtur “Silica”, dhe rezulton se të dhënat qëndrojnë të lexueshme deri në 10 mijë vite.

    Studimi është kryer nga një bashkëpunim i Microsoft Research Cambridge në Britaninë e Madhe dhe është publikuar në revistën shkencore prestigjioze “Nature”.

    Klan News

  • Pas syzeve inteligjente, Meta përgatit një orë dore me asistent IA

    Pas syzeve inteligjente, Meta përgatit një orë dore me asistent IA

    Meta Platforms, pronare e Facebook dhe Instagram, planifikon të lançojë orën e saj të parë inteligjente në vitin 2026.

    Pajisja, e cila po zhvillohet si pjesë e programit “Malibu 2”, do të integrojë asistentin e inteligjencës artificiale Meta AI dhe do të ofrojë funksione monitorimi të shëndetit të përdoruesit.

    Ideja nuk është e re. Meta e konsideroi lançimin e një telefoni inteligjent pesë vjet më parë, por e anuloi këtë përpjekje në vitin 2022 për shkak të shkurtimeve në Reality Labs, laboratorin e zhvillimit të metaverse të kompanisë.

    Zhvillimi shënon një ndryshim nga kompanitë e teknologjisë drejt pajisjeve të inteligjencës artificiale që vishen, shumë prej të cilave janë projektuar posaçërisht për aplikime shëndetësore dhe fitnesi.

    E gjitha filloi me syzet inteligjente me inteligjencë artificiale të zhvilluara nga Meta në bashkëpunim me Ray-Ban , një kompani optike që i përket grupit EssilorLuxottica. Shitjet janë rritur këtë vit në gati 6 milionë njësi, sipas të dhënave nga kompania Smart Analytics Global.

    Meta po zhvillon tani katër modele të tjera të syzeve me IA, duke vënë në dukje se kompania po planifikon me kujdes kohën në mënyrë që publikimi i modeleve të shumta të mos përkojë në të njëjtën periudhë.

    Në dhjetor, punonjësit e Reality Labs u informuan se lançimi i syzeve të realitetit të përzier Phoenix do shtyhej për në vitin 2027.

    Muajin e kaluar, Meta njoftoi se po pezullonte lançimin e syzeve të saj Display në tregjet e reja për shkak të kërkesës së lartë në SHBA.

  • Gemini i Google tani krijon këngë 30-sekondëshe me inteligjencë artificiale

    Gemini i Google tani krijon këngë 30-sekondëshe me inteligjencë artificiale

    Gemini i Google tani mund të krijojë këngë 30-sekondëshe bazuar në kërkesa të përdoruesve.

    Për ta mundësuar këtë funksion, po përdoret Lyria 3, modeli më i fundit i muzikës gjeneruese nga Google DeepMind.

    Krijimi i muzikës po lansohet në versionin beta në aplikacionin Gemini në gjuhët anglisht, gjermanisht, spanjisht, frëngjisht, hindisht, japonisht, koreanisht dhe portugalisht.

    Qasje kanë të gjithë përdoruesit mbi 18 vjeç, ndërsa abonentët e Google AI Plus, Pro dhe Ultra do të kenë kufizime më të larta përdorimi krahasuar me ata që nuk paguajnë.

    Për ta përdorur funksionin, mjafton të përshkruani një ide ose të ngarkoni një foto apo video, në mënyrë që t’i kërkoni Gemini të frymëzohet prej saj. Arti i kopertinës gjenerohet automatikisht nga Nano Banana.

    Google thekson se “qëllimi i këtyre këngëve nuk është të krijojë një kryevepër muzikore, por t’ju japë një mënyrë argëtuese dhe unike për të shprehur veten” dhe për të ndarë krijimet me miqtë.

    Përdoruesit mund të përshkruajnë një zhanër, humor, shaka të brendshme apo një kujtim specifik për të krijuar këngë me tekst ose audio instrumentale që “i përshtatet atmosferës suaj”.

    Sa i përket teksteve, ato gjenerohen automatikisht dhe nuk ka nevojë që përdoruesi t’i shkruajë vetë. Këngët e krijuara nga Gemini janë të integruara me SynthID, vegla e padukshme e Google për identifikimin e përmbajtjes së gjeneruar nga inteligjenca artificiale e kompanisë.

    Google sqaron se gjenerimi i muzikës është projektuar për shprehje origjinale dhe jo për të imituar artistë ekzistues. Nëse në kërkesë përmendet emri i një artisti, Gemini do ta marrë si frymëzim të gjerë krijues dhe do të krijojë një këngë me stil ose humor të ngjashëm.

    Kompania shton se ka vendosur filtra për të kontrolluar rezultatet kundrejt përmbajtjes ekzistuese, ndërsa përdoruesit mund të raportojnë çdo përmbajtje që mund të shkelë të drejtat e tyre ose të të tjerëve.

  • Play Station 6 mund të vonohet deri në vitin 2029

    Play Station 6 mund të vonohet deri në vitin 2029

    Lojtarët e besuar të Sony mund të duhet të presin më gjatë se sa ishte planifikuar për PlayStation 6.

    Raportimet e fundit tregojnë se gjiganti japonez po shqyrton mundësinë e shtyrjes së prezantimit deri në vitin 2028 ose 2029.

    Arsyeja kryesore lidhet me mungesën globale të çipeve të memories, e përkeqësuar nga investimet e mëdha të kompanive si Google, Amazon dhe Microsoft në qendra të të dhënave për inteligjencë artificiale.

    Kjo ka bërë që prodhuesit e çipeve të fokusohen më shumë në AI sesa në pajisje për konsumatorët, duke reduktuar sasinë e memorieve të disponueshme për konsolat e video-lojërave.

    Në planin fillestar, PlayStation 6 ishte parashikuar të dilte në vitin 2027, por tani mund të ketë një vonesë deri në dy vjet.

    Kjo do të zgjaste ciklin e jetës së PlayStation 5 dhe mund të ndikojë në strategjinë e Sony-t për lojëra ekskluzive.

    Sony ende nuk ka komentuar zyrtarisht raportet mbi këtë shtyrje.

  • 20 minuta për të mashtruar ChatGPT, Google dhe sistemet e inteligjencës artificiale

    20 minuta për të mashtruar ChatGPT, Google dhe sistemet e inteligjencës artificiale

    Është zyrtare, të paktën sipas disa mjeteve të inteligjencës artificiale. ChatGPT dhe Google kanë pohuar se unë ha më shumë hot dog se çdo gazetar teknologjie në botë. Në realitet, kjo është një gënjeshtër e fabrikuar për të provuar një problem shumë më serioz: sa lehtë mund të manipulohen sistemet moderne të AI-së.

    Prej kohësh dihet se chatbot-ët ndonjëherë “shpiknin” informacione. Por tani po shfaqet një problem i ri, më pak i njohur, që mund të ketë pasoja serioze për mënyrën si njerëzit gjejnë informacion të saktë madje edhe për sigurinë e tyre. Një numër në rritje individësh kanë zbuluar një mënyrë për t’i shtyrë mjetet e AI-së të japin pothuajse çdo përgjigje që ata dëshirojnë. Dhe kjo mund të bëhet me lehtësi.

    Sipas ekspertëve, kjo praktikë po ndikon tashmë në përgjigjet që inteligjenca artificiale jep për çështje serioze si shëndeti apo financat personale. Informacioni i njëanshëm ose i rremë mund t’i shtyjë njerëzit të marrin vendime të gabuara nga zgjedhjet politike, te përzgjedhja e një shërbimi profesional, apo çështje mjekësore.

    Për të demonstruar problemin, autori i eksperimentit publikoi në faqen e tij personale një artikull të titulluar “Gazetarët më të mirë të teknologjisë në ngrënien e hot dog-ëve”, i mbushur me pretendime tërësisht të pavërteta, përfshirë edhe një kampionat imagjinar ndërkombëtar në Dakotën e Jugut. Brenda 24 orëve, disa nga chatbot-ët më të njohur në botë, përfshirë ChatGPT, Gemini dhe përmbledhjet me AI në krye të kërkimeve të Google e riprodhuan informacionin si fakt.

    Ekspertët e optimizimit për motorët e kërkimit (SEO) paralajmërojnë se kjo metodë mund të përdoret lehtësisht për promovim biznesesh apo përhapje dezinformimi. “Është shumë më e lehtë të mashtrosh chatbot-ët sesa ishte të mashtroje Google-in dy ose tre vite më parë”, thotë Lily Ray nga agjencia e marketingut Amsive. Sipas saj, kompanitë e AI-së po ecin më shpejt në zhvillimin e produkteve sesa në garantimin e saktësisë së tyre.

    Një zëdhënës i Google deklaroi se sistemet e renditjes që përdoren në kërkim mbajnë rezultatet “99% pa spam” dhe se kompania është e vetëdijshme për përpjekjet për manipulim. Edhe OpenAI thekson se merr masa për të identifikuar dhe parandaluar ndikimet e fshehta në mjetet e saj. Megjithatë, të dyja kompanitë paralajmërojnë se mjetet e tyre “mund të bëjnë gabime”.

    Sipas kritikëve, problemi nuk është zgjidhur ende. Cooper Quintin nga organizata për të drejtat digjitale Electronic Frontier Foundation paralajmëron se këto dobësi mund të përdoren për mashtrime, dëmtim reputacioni apo edhe për t’i shtyrë njerëzit drejt rrezikut fizik.

    Chatbot-ët funksionojnë mbi modele të mëdha gjuhësore, të trajnuara me sasi të mëdha të dhënash. Por kur përballen me pyetje specifike, ato shpesh kërkojnë informacion në internet – një proces që i bën më të ndjeshme ndaj manipulimit.

    Ekspertët theksojnë se, ndryshe nga kërkimi tradicional ku përdoruesit vizitonin burime të ndryshme dhe ushtronin mendim kritik, përgjigjet e përmbledhura nga AI shpesh perceptohen si autoritative dhe të drejtpërdrejta nga kompania teknologjike. Studime të fundit sugjerojnë se përdoruesit kanë 58% më pak gjasa të klikojnë në një lidhje kur në krye të kërkimit shfaqet një përmbledhje me AI.

    Problemi nuk kufizohet te shembuj humoristikë. Janë dokumentuar raste ku chatbot-ët kanë riprodhuar pretendime të pabazuara për produkte shëndetësore apo investime financiare, bazuar në njoftime për shtyp ose përmbajtje të sponsorizuara.

    Google pranon se kërkimet e pazakonta ose shumë specifike, të cilat përbëjnë rreth 15% të kërkimeve të përditshme mund të krijojnë “zbrazëti të dhënash” (data voids), duke çuar në rezultate me cilësi të ulët. Kompania thotë se po punon për të kufizuar shfaqjen e përmbledhjeve me AI në raste të tilla.

    Ekspertët propozojnë disa masa parandaluese. Një prej tyre është vendosja e paralajmërimeve më të dukshme për përdoruesit. Gjithashtu, chatbot-ët mund të jenë më transparentë për burimet e informacionit dhe të sqarojnë kur një pretendim mbështetet vetëm në një burim të vetëm ose në një material promocional.

    Përdoruesit këshillohen të tregojnë kujdes, veçanërisht për çështje që lidhen me shëndetin, ligjin, financat apo bizneset lokale. Inteligjenca artificiale mund të jetë e dobishme për pyetje të përgjithshme, por për tema me pasoja reale rekomandohet verifikimi i informacionit përmes burimeve të shumta dhe të besueshme.

    Në një garë për inovacion dhe fitim, paralajmërojnë ekspertët, siguria e përdoruesve nuk duhet të mbetet pas.

  • Bill Gates anulon pjesëmarrjen në samitin IA Impact në Indi në minutat e fundit

    Bill Gates anulon pjesëmarrjen në samitin IA Impact në Indi në minutat e fundit

    Bill Gates u tërhoq nga samiti i IA Impact në Indi disa orë para fjalimit të tij kryesor të planifikuar të enjten, duke i dhënë një goditje tjetër një eventi të madh të njollosur tashmë nga mangësitë organizative, një mosmarrëveshje për robotët dhe ankesat për kaosin në trafik.

    Mungesa e Gates, e cila erdhi pasi shefi i Nvidia-s, Jensen Huang, anuloi gjithashtu pjesëmarrjen e tij, e ndërlikoi më tej organizimin e samitit, i cili cilësohet si forumi i parë i madh mbi inteligjencën artificiale në jugun global, ku India po kërkon të pozicionohet si një zë kryesor për rregullimin e teknologjisë në botë.

    Fondacioni Gates tha se miliarderi nuk do të mbante një fjalim “për t’u siguruar që fokusi të mbetet te prioritetet kryesore të samitit”. Vetëm disa ditë më parë, fondacioni kishte hedhur poshtë thashethemet për mungesën e tij të mundshme dhe kishte këmbëngulur që ai do të merrte pjesë.

    Gates e anuloi vizitën e tij pasi Departamenti Amerikan i Drejtësisë publikoi email-e muajin e kaluar që përfshinin komunikime midis financierit të ndjerë dhe shkelësit të dënuar për vepra penale seksuale, Jeffrey Epstein, dhe punonjësve të Fondacionit Gates.

    Gates tha se marrëdhënia e tyre lidhej vetëm me aktivitete filantropike dhe se takimet me Epstein ishin një gabim.

    Kryeministri indian Narendra Modi bëri thirrje për mbrojtjen e sigurisë së fëmijëve në platformat e inteligjencës artificiale, ndërsa iu drejtua pjesëmarrësve në një aktivitet të enjten së bashku me Presidentin Francez Emmanuel Macron, Drejtorin Ekzekutiv të Google, Sundar Pichai, drejtorin e OpenAI, Sam Altman dhe Drejtorin Ekzekutiv të Anthropic, Dario Amodei.

    Samiti i parë i madh i Indisë mbi inteligjencën artificiale është dëmtuar nga mangësi organizative që i tronditën pjesëmarrësit për shkak të asaj që ata e quajtën mungesë planifikimi nga qeveria indiane.

  • Zuckerberg para gjykatës, një 20-vjeçare padit platformat online që krijojnë varësi

    Zuckerberg para gjykatës, një 20-vjeçare padit platformat online që krijojnë varësi

    Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka nisur një proces gjyqësor, që sipas ekspertëve, mund të ketë ndikim të gjerë në industrinë e teknologjisë.

    Një 20-vjeçare ka paditur platformat online, të cilat i akuzon se i kanë projektuar shërbimet e tyre në mënyrë të qëllimshme për të krijuar varësi tek përdoruesit.

    Në bankën e dëshmitarëve është ulur edhe vetë kreu i Meta-s, Mark Zuckerberg, i cili i doli në mbrojtje praktikave të kompanisë së tij. Themeluesi i Facebook insistoi se kompania nuk vendos më objektiva për kohën që përdoruesit kalojnë në aplikacionet e saj. Por sipas raportimeve nga salla e gjyqit, ai e pranoi gjithashtu se në të kaluarën ka pasur mangësi në verifikimin e moshës së përdoruesve.

    Në mea culpa-n e tij pohohej se kompania ka qenë e ngadaltë në identifikimin e përdoruesve të mitur dhe se disa fëmijë nën moshën 13 vjeç kanë arritur të hapin llogari në platforma si Instagram, ndonëse kjo bie ndesh me kushtet e përdorimit. Sipas tij, llogaritë e tilla hiqen sapo zbulohen. Në padi, 20-vjeçarja pretendon se platformat janë ndërtuar me mekanizma që nxisin përdorimin e vazhdueshëm, si funksioni i “scroll”-it të pafund, që i lejon përdoruesit të kalojnë pa ndërprerje nga një postim në tjetrin. Ajo thotë se ka nisur t’i përdorë këto rrjete që në fëmijëri dhe i lidh problemet e saj me depresionin dhe ankthin me përdorimin e tyre afatgjatë.

    Padia është ngritur kundër YouTube dhe Instagramit. Gjyqi konsiderohet se mund të krijojë një precedent të rëndësishëm mbi përgjegjësinë ligjore të kompanive të teknologjisë mbi ndikimin e produkteve të tyre në shëndetin mendor të përdoruesve.

  • Mercedes-Benz ringjall “Red Pig”, homazh modern për një ikonë të garave

    Mercedes-Benz ringjall “Red Pig”, homazh modern për një ikonë të garave

    Prodhuesi gjerman Mercedes-Benz ka prezantuar një koncept të ri që sjell në vëmendje një nga modelet më legjendare të historisë së tij – Mercedes-Benz 300 SEL 6.8 AMG, i njohur ndryshe si “Red Pig”.

    Ky model bëri histori në vitin 1971, kur arriti sukses të madh në garën prestigjioze 24 Hours of Spa, duke e vendosur AMG-në në qendër të vëmendjes së botës së motorsportit.

    Dizajn që lidh të shkuarën me të ardhmen

    Koncepti i ri ruan profilin klasik të një sedani të madh, por e rishfaq atë me elemente moderne:

    • grilë të theksuar përpara,

    • ndriçim LED bashkëkohor,

    • linja më agresive dhe detaje aerodinamike sportive.

    Ngjyra ikonike e kuqe mbetet elementi dominues, duke e lidhur drejtpërdrejt me “Red Pig”-un origjinal.

    Sipas mediave gjermane, ky është një projekt dizajni dhe nuk është prezantuar si model për prodhim serik. Ende nuk ka detaje mbi specifikat teknike apo planet për prodhim në të ardhmen.

    Një kapitull i rëndësishëm në historinë e AMG-së

    “Red Pig” origjinal ishte i pajisur me motor 6.8-litër V8 dhe konsiderohet një pikë kthese për AMG-në, duke dëshmuar se një sedan luksoz mund të rivalizojë makinat sportive në pistë.

    Me këtë koncept, Mercedes-Benz nderon trashëgiminë e tij sportive dhe rikujton se ADN-ja e garave mbetet thelbësore në identitetin e markës.

  • Funksione të fshehta të Google Maps, kurseni kohë, bateri dhe internet

    Funksione të fshehta të Google Maps, kurseni kohë, bateri dhe internet

    Shumica e përdoruesve e përdorin Google Maps vetëm për navigim, por aplikacioni ofron disa veçori të fuqishme që mund t’ju ndihmojnë të shmangni stresin, të kurseni internet dhe të organizoheni më mirë gjatë ditës.

    Ja pesë funksione shumë të dobishme:

    1. Ruani vendin ku keni parkuar

    Nuk ka më nevojë të bëni foto apo të mbani mend rrugën. Pasi të parkoni, prekni pikën blu që tregon vendndodhjen tuaj dhe zgjidhni “Save parking”. Aplikacioni vendos një shenjë në hartë dhe mund të shtoni edhe shënime shtesë, si niveli i parkimit apo afati i pagesës.

    2. Përdoreni navigimin pa internet

    Me funksionin “Offline Maps”, mund të shkarkoni hartat e një qyteti apo rajoni direkt në telefon. Kështu mund të navigoni edhe pa sinjal ose në “Flight mode”, duke kursyer internet dhe bateri.

    3. Kontrolloni sa i ngarkuar është një vend

    Para se të shkoni në një restorant, dyqan apo palestër, shikoni grafikun “Popular times”. Ai tregon nëse vendi është më i mbushur se zakonisht në atë moment, duke ju ndihmuar të shmangni radhët dhe orët e pikut.

    4. Ndani vendndodhjen në kohë reale

    Mund të ndani lokacionin tuaj live me familjarët apo miqtë për një kohë të caktuar. Kjo është më e saktë dhe më praktike sesa dërgimi i një adrese statike.

    5. Shtoni ndalesa gjatë rrugës

    Gjatë navigimit, mund të shtoni ndalesa të ndërmjetme (p.sh. pikë karburanti, bankomat apo kafene) pa e anuluar itinerarin kryesor. Thjesht zgjidhni “Add stop” dhe aplikacioni do të rillogarisë rrugën automatikisht.

    Këto veçori të fshehta e bëjnë përdorimin e hartës shumë më efikas – sidomos kur jeni me nxitim ose udhëtoni shpesh.

  • “Gjenerata e Facebookut” më depresive

    “Gjenerata e Facebookut” më depresive

    Adoleshentët sot pinë më pak, marrin më pak droga dhe kanë më pak gjasa të jenë vandalë ose të dhunshëm sesa pleqtë e tyre vetëm një dekadë më parë, tregoi një studim i ri i gjerë.

    Megjithatë, ata kanë më shumë gjasa të vuajnë nga depresioni ose obeziteti, të flenë keq ose të vetë-dëmtohen. Zhvendosja e sjelljes midis dy gjeneratave të 14-vjeçarëve vetëm dhjetë vjet larg sugjeron ndikimin e mediave sociale – një faktor madhor në jetën e këtij grupi të lindur në vitin 2000 dhe 2001.

    Njohur si “Gjenerata e Facebook”, këta adoleshentë kanë nivele shumë më të ulëta të pirjes, pirjes së duhanit, marrjes së drogës ose shtatzënisë në adoleshencë krahasuar me paraardhësit e tyre. Megjithatë, disa studime sugjerojnë se ata janë bërë grupi më i vetmuar i moshës, me më shumë gjasa të ndihen të izoluar dhe të vetëm sesa të moshuarit dhe pensionistët.