ATV

Category: Sport

  • Mourinho flet për herë të parë si trajner i Real Madridit: Mbappe mund të bëhet edhe më i fortë

    Mourinho flet për herë të parë si trajner i Real Madridit: Mbappe mund të bëhet edhe më i fortë

    Jose Mourinho ka nisur zyrtarisht aventurën e tij në stolin e Real Madridit, ndërsa në paraqitjen e parë para mediave si trajner i skuadrës madrilene, portugezi ka dërguar një mesazh të qartë: prioriteti i tij është zhvillimi i lojtarëve dhe forcimi i ekipit.

    Tekniku i njohur theksoi se kjo është periudha e duhur për të njohur grupin dhe për të analizuar në detaje situatën brenda klubit, duke shmangur komentet e nxituara.

    “Ky nuk është momenti për të folur shumë. Është koha për të vëzhguar, analizuar, komunikuar dhe për të ndërtuar një dialog të sinqertë me të gjithë. Qëllimi im është të ndihmoj lojtarët të përmirësohen, ekipin të rritet dhe klubin të ecë përpara”, deklaroi Mourinho.

    Trajneri portugez nënvizoi se nuk ka ardhur në “Santiago Bernabeu” për të gjykuar apo kritikuar punën e askujt, por për të dëgjuar dhe për të kontribuar në suksesin e përbashkët.

    “Jam këtu për të ndihmuar të gjithë. Nuk kam ardhur për të kritikuar apo për të bërë krahasime. Dua të dëgjoj, të kuptoj dhe të jap maksimumin tim për këtë klub”, shtoi ai.

    Një pjesë e veçantë e konferencës iu kushtua edhe yllit francez, Kylian Mbappe. Mourinho nuk i kurseu elozhet për sulmuesin, duke e cilësuar si një nga futbollistët më të mirë në botë, por njëkohësisht duke theksuar se ai ka ende hapësirë për t’u përmirësuar.

    “Mbappe është një lojtar fenomenal. Ai ka cilësi të jashtëzakonshme dhe unë do të bëj gjithçka që kam në dorë për ta ndihmuar të arrijë një nivel edhe më të lartë”, u shpreh Mourinho.

    Ndërkohë, Mbappe dhe pjesa më e madhe e yjeve të Real Madridit janë aktualisht të përqendruar te angazhimet me kombëtaret e tyre në Kupën e Botës 2026, duke synuar suksesin maksimal në turneun më të madh të futbollit

  • Kupa e Botës 2026: Katër përballje vendimtare sonte, në lojë kualifikimi për fazën tjetër

    Kupa e Botës 2026: Katër përballje vendimtare sonte, në lojë kualifikimi për fazën tjetër

    Sonte zhvillohen katër ndeshje shumë të rëndësishme në kuadër të fazës së grupeve të Kupës së Botës 2026, ku ekipet e Grupeve B dhe C do të luftojnë për pikët që mund t’u sigurojnë kalimin në raundin e ardhshëm.

    Në Grupin B, Kanadaja dhe Zvicra kryesojnë renditjen me nga 4 pikë, ndërsa Bosnja dhe Katari kanë grumbulluar vetëm nga 1 pikë. Në Grupin C, Brazili dhe Maroku ndajnë vendin e parë me nga 4 pikë, Skocia ka 3 pikë, ndërsa Haiti renditet i fundit pa asnjë pikë.

    Në orën 19:00, vëmendja do të jetë te përballja mes Bosnjës dhe Katarit. Të dy kombëtaret hyjnë në fushë me detyrimin për të fituar, pasi çdo rezultat tjetër do t’i komplikonte ndjeshëm shanset për kualifikim. Boshnjakët kërkojnë të shfrytëzojnë eksperiencën dhe cilësinë e tyre për të marrë tre pikët e para në turne, ndërsa Katari synon reagimin pas paraqitjeve zhgënjyese në dy ndeshjet e para.

    Po në të njëjtën orë, Zvicra dhe Kanadaja do të përballen në një duel direkt për kreun e Grupit B. Të dy skuadrat kanë treguar formë të mirë deri tani, duke mbetur të pamposhtura pas dy ndeshjeve të para. Një fitore do t’i siguronte fituesit vendin e parë në grup, ndërsa edhe barazimi mund të rezultojë i mjaftueshëm për të dyja ekipet për të vazhduar rrugëtimin në turne.

    Mbrëmja vazhdon në orën 22:00 me sfidat e Grupit C. Maroku do të përballet me Haitin, në një ndeshje ku afrikanët konsiderohen favoritë pas rezultateve pozitive të deritanishme. Me 4 pikë në dy takime, marokenët kanë në dorën e tyre fatin e kualifikimit, ndërsa Haiti kërkon pikët e para në këtë Botëror.

    Përballja më e fortë e natës pritet të jetë ajo mes Skocisë dhe Brazilit. Brazili kryeson grupin falë golavarazhit më të mirë dhe mbetet një nga favoritët kryesorë për triumfin në turne. Në anën tjetër, Skocia ka ende shanse reale për kualifikim dhe do të kërkojë të shkaktojë surprizën ndaj pesë herë kampionëve të botës.

    Me llogaritë e kualifikimit ende të hapura në të dy grupet, katër ndeshjet e sotme pritet të sjellin emocione, tension dhe spektakël, ndërsa ekipet luftojnë për një vend në fazën eliminatore të Kupës së Botës 2026.

  • Lionel Messi sot i mbush 39 vjet

    Lionel Messi sot i mbush 39 vjet

    Për senzacionin e futbollit, Lionel Messit, dita e sotme është e veçantë.

    Ai feston ditëlindjen e tij të 39-të.

    Messi edhe më shumë arsye për të festuar për shkak të thyerjes së rekordit si golashënues më i mirë në Kampionate Botërore, me 18 gola.

    “The Goat”, aktualisht është në formë të jashtëzakonshme duke i dhënë shtytje të madhe Argjentinës në Kampionatin Botëror.

    Pikërisht në ditën e lindjes, fituesi i tetëfisht i “Topit të artë”, ka publikuar disa pamje duke u stërvitur në palestër.

    Lionel Messi, u lind më 24 qershor 1987 në Rosario.

     

    View this post on Instagram

     

    A post shared by Leo Messi (@leomessi)

  • Njihuni me “Caramelo”, tifozin legjendar që ka ndjekur Meksikën në 543 ndeshje dhe 11 Kupa Bote

    Njihuni me “Caramelo”, tifozin legjendar që ka ndjekur Meksikën në 543 ndeshje dhe 11 Kupa Bote

    Kupa e Botës ka rikthyer në qendër të vëmendjes një nga tifozët më të famshëm të futbollit meksikan. Hector Chavez, i njohur nga të gjithë si “Caramelo”, ka ndjekur ndeshjen e tij të 543-të të kombëtares së Meksikës, duke konfirmuar edhe një herë statusin e tij si një nga tifozët më besnikë në botë.

    64-vjeçari ka qenë pranë “El Tri” që nga viti 1986, kur Meksika organizoi për herë të fundit Kupën e Botës. Ai kujton se ndeshja e parë që ndoqi ishte më 19 shkurt të atij viti kundër Bashkimit Sovjetik, ndërsa debutimin e tij në një Botëror e bëri më 3 qershor në përballjen ndaj Belgjikës.

    Në këtë edicion, “Caramelo” nuk është vetëm. Atij i është bashkuar edhe djali i tij 21-vjeçar, Hector Chavez Jr., i njohur si “Caramelo Jr.”. Dyshja dallohet lehtësisht në tribuna falë sombrerove të mëdhenj të zinj me nofkat e tyre të shkruara me shkronja të mëdha.

    “Meksika ka një nga bazat më të mira të tifozëve në botë. Jemi ndër ata që udhëtojmë më shumë për të ndjekur ekipin dhe kemi traditë, identitet dhe krenari”, deklaroi Chavez për Associated Press.

    Megjithëse është bërë një figurë e njohur në stadiume anembanë botës, “Caramelo” pranon se ky Botëror ka qenë më i vështiri për t’u përballuar financiarisht.

    “Ky ishte Kupa e Botës më e shtrenjtë në histori. Disa nga miqtë e mi që zakonisht më shoqërojnë nuk mundën të vinin”, tha ai, duke zbuluar se udhëtimin e realizoi falë mbështetjes së familjes.

    Popullariteti i tij nuk ka kaluar pa polemika. Disa tifozë meksikanë mendojnë se ai tërheq shumë vëmendje dhe e kanë kritikuar pas incidentit kur hodhi kapelen në fushë gjatë ndeshjes Kolumbi-Uzbekistan në Mexico City.

  • Fundi i një epoke në Milwaukee: Giannis transferohet te Miami Heat në një nga marrëveshjet më të mëdha të NBA-së

    Fundi i një epoke në Milwaukee: Giannis transferohet te Miami Heat në një nga marrëveshjet më të mëdha të NBA-së

    Një nga lëvizjet më spektakolare të viteve të fundit në NBA tashmë është zyrtare. Pas muajsh spekulimesh dhe diskutimesh intensive, Giannis Antetokounmpo po largohet nga Milwaukee Bucks për t’iu bashkuar Miami Heat, duke i dhënë fund një kapitulli historik që zgjati më shumë se një dekadë.

    Sipas raportimeve të mediave amerikane, mes tyre edhe ESPN, Miami arriti të triumfojë në garën për nënshkrimin e superyllit grek, duke lënë pas edhe Boston Celtics. Antetokounmpo largohet nga Bucks si një nga lojtarët më të mëdhenj në historinë e organizatës, pasi fitoi dy çmime MVP dhe udhëhoqi skuadrën drejt titullit kampion në vitin 2021.

    Marrëveshja mes dy skuadrave është një nga më të mëdhatë e viteve të fundit. Përveç Giannisit, në Miami do të transferohet edhe Bobby Portis, ndërsa Milwaukee do të përfitojë Tyler Herro, Kel’el Ware, Jaime Jaquez Jr. dhe Kasparas Jakucionis.

    Pakoja për Bucks nuk përfundon me kaq. Klubi nga Wisconsin do të marrë gjithashtu tri zgjedhje të raundit të parë në draft, të drejtën për shkëmbimin e një zgjedhjeje të ardhshme dhe një zgjedhje të raundit të dytë.

    Largimi i Antetokounmpos mbyll një histori që nisi në vitin 2013, kur ai u përzgjodh nga Milwaukee në draft. Që nga ajo kohë, greku u shndërrua në fytyrën e klubit, liderin e skuadrës dhe simbolin e një prej periudhave më të suksesshme në historinë e Bucks.

    Megjithatë, muajt e fundit raportet mes yllit grek dhe drejtuesve të klubit nuk kanë qenë më të njëjtat. Pakënaqësitë u shtuan pas vendimeve të stafit mjekësor dhe teknik për ta lënë jashtë fushës pas një dëmtimi në gju, pavarësisht insistimit të lojtarit se ishte i gatshëm të luante.

    Situata u përkeqësua edhe më shumë pas një sezoni zhgënjyes për Milwaukee, që dështoi të siguronte një vend në play-off dhe e mbylli kampionatin me bilanc negativ prej 32 fitoresh dhe 50 humbjesh. Antetokounmpo nuk e fshehu pakënaqësinë e tij as ndaj mënyrës se si ishte ndërtuar skuadra.

    “Mendoj se ndonjëherë njerëzit nuk dëgjojnë atë që them. Ata dëgjojnë burime të tjera. Burimi kryesor jam unë, por kështu funksionojnë gjërat”, deklaroi ai në muajin prill.

    Tashmë, në moshën 31-vjeçare, Antetokounmpo nis një aventurë të re me Miami Heat, me synimin për të rikthyer skuadrën mes pretendenteve kryesore për titullin e NBA-së. Ndërkohë, Milwaukee përballet me sfidën e rindërtimit pas largimit të lojtarit që për më shumë se dhjetë vjet ishte zemra dhe shpirti i klubit.

  • Ministri Gashani vlerëson Gresa Bakraçin: Krenari e sportit kosovar dhe frymëzim për gjeneratat e reja

    Ministri Gashani vlerëson Gresa Bakraçin: Krenari e sportit kosovar dhe frymëzim për gjeneratat e reja

    Ministri i Sportit, Blerim Gashani, ka shprehur vlerësimin e tij të lartë për sukseset e vazhdueshme të atletes kosovare Gresa Bakraçi, e cila po vazhdon të shkëlqejë në arenën ndërkombëtare me paraqitje dhe rezultate të jashtëzakonshme.

    Përmes një postimi publik, Gashani bëri të ditur se pati kënaqësinë të takojë kampionen kosovare, duke theksuar se arritjet e saj janë dëshmi e përkushtimit, disiplinës dhe talentit që sportistët e Kosovës po e prezantojnë me krenari para botës.

    Ministri rikujtoi suksesin e fundit të Bakraçit në Kampionatin Evropian të Shteteve në Zhvillim, të mbajtur në Monako, ku ajo u shpall nënkampione evropiane, duke konfirmuar edhe një herë nivelin e saj elitar në atletikë.

    “Në orët e para të mëngjesit, dita nisi me një nga ato takime që të kujtojnë se sporti është shumë më tepër sesa garë; është krenari, disiplinë dhe identitet kombëtar.

    Me kënaqësi të veçantë takova kampionen tonë, Gresa Bakraçi, e cila po vazhdon të shkruajë historinë e sportit kosovar me suksese të njëpasnjëshme në skenën ndërkombëtare.

    Në Kampionatin Evropian të Shteteve në Zhvillim në Monako, ajo u shpall nënkampione, ndërsa në Kampionatin Ballkanik në Volos fitoi dy medalje të argjendta, duke u shpallur dy herë nënkampione ballkanike. Po ashtu, ajo vendosi rekord shtetëror në disiplinën e 5000 metrave, duke e bërë këtë paraqitje një nga më të veçantat në karrierën e saj.

    Sukseset nuk u ndalën me kaq. Në ‘Challenge Meeting’ në Celje të Sllovenisë, Bakraçi u shpall kampione dhe theu edhe një herë rekordin shtetëror në disiplinën e 1 miljes”, ka shkruar Gashani.

    Gresa Bakraçi vazhdon të mbetet një nga figurat më të spikatura të atletikës kosovare, duke shërbyer si frymëzim për të rinjtë dhe ambasadore e denjë e sportit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

    “Suksese të mëtejshme, kampione! Kosova është krenare me ty”, përfundoi ministri Gashani.

  • Policia kanadeze u drejtohet kroatëve: Nuk lejohet përdorimi i cigareve elektronike në tribuna, marihuana lejohet në qytet

    Policia kanadeze u drejtohet kroatëve: Nuk lejohet përdorimi i cigareve elektronike në tribuna, marihuana lejohet në qytet

    Kroacia luan kundër Panamasë në raundin e dytë të grupit të Kupës së Botës sonte pas mesnate, në orën 1:00 të mëngjesit të së mërkurës sipas kohës lokale.

    Në ndeshjen e parë, Kroacia humbi ndaj Anglisë 4-2 në Dallas, ndërsa Panamaja u mposht nga Gana 1-0 në raundin e parë.

    Përpara ndeshjes kundër Panamasë, policia kanadeze lëshoi rekomandime të posaçme për tifozët kroatë se si të sillen në vendet publike gjatë qëndrimit në Toronto para dhe pas ndeshjes, njoftoi Federata Kroate e Futbollit.

    Konsumi i alkoolit

    – Konsumi i alkoolit në vende publike është i ndaluar – pijet alkoolike në shishet e tyre origjinale nuk duhet të jenë të dukshme gjatë konsumimit

    – Alkooli mund të konsumohet në një vend publik vetëm nëse pija alkoolike është në një shishe pa etiketë dhe të errët (p.sh. një shishe plastike ose alumini të errët pa etiketë)

    – Alkooli mund të konsumohet në lokalet e hotelerisë dhe në tarracat e tyre, si dhe në zonat e tifozëve dhe përreth stadiumit dhe brenda vetë stadiumit, si dhe në tribuna nëse pija alkoolike është blerë në zonën e zonës së tifozëve dhe stadiumit,

    – Alkooli lejohet të konsumohet vetëm jashtë në Trinity Bellwoods Park, ku tifozët janë planifikuar të mblidhen para se të shkojnë në stadium.

    Konsumi i cigareve, cigareve elektronike dhe marihuanës

    – Konsumi i marihuanës lejohet në hapësirat publike në qytet, ndërsa nuk lejohet në stadium,

    – Konsumi i cigareve dhe cigareve elektronike nuk lejohet në tribunat e stadiumit. Do të ketë dhoma të veçanta në stadium ku do të lejohet pirja e duhanit dhe cigareve elektronike.

    Përdorimi i piroteknikës

    – Nuk lejohet përdorimi i mjeteve piroteknike (fishekzjarrë, raketa, petardë etj.). Nëse policia vepron ndaj një personi që përdor mjete piroteknike, ata mund të jenë penalisht përgjegjës,

    – Për përdorimin e piroteknikës në stadium, autori i veprës penale do të arrestohet, ndalohet, gjobitet dhe ndoshta do të dëbohet nga vendi.

  • Këto janë rekordet që pritët të thyhen në këtë Botëror

    Këto janë rekordet që pritët të thyhen në këtë Botëror

    Kupa e Botës 2026 tashmë e ka rishkruar historinë e futbollit.
    Lionel Messi, Kylian Mbappe, Harry Kane dhe Erling Haaland dolën të gjithë nga bllokimet duke shënuar golA në ndeshjet hapëse të kombeve të tyre përkatëse.

    Dhe ndërsa lojtarët më të mëdhenj të Kupës së Botës përgatiten të bëjnë paraqitjet e tyre të dyta në garën e parë me 48 ekipe, shumë rekorde duket se janë gati të thyhen.

    Nga Messi i Argjentinës dhe Cristiano Ronaldo i Portugalisë që zgjerojnë trashëgiminë e tyre në Kupën e Botës e deri te Mbappe që bëhet golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i Francës, BBC Sport hedh një vështrim në një listë të rekordeve kryesore që janë thyer tashmë ose që pritet të thyhen.

    Messi shkruan histori, bëhet golashënuesi më i mirë në Kupën e Botës
    Lionel Messi ka hyrë zyrtarisht në histori të futbollit botëror duke thyer rekordin e Miroslav Kloses për golat në Kupën e Botës. Pas tregolëshit në ndeshjen hapëse të Argjentinës, Messi ka arritur në 17 gola, duke u bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në turne.

    Kane barazon Lineker dhe vendos rekorde me Anglinë
    Harry Kane ka vazhduar formën e tij të lartë duke barazuar Gary Lineker si golashënuesi më i mirë i Anglisë në finalet e Kupës së Botës me 10 gola. Ai gjithashtu është bërë lojtari i dytë anglez që shënon në tre edicione të ndryshme të Botërorit, duke hyrë në histori të “Tre Luanëve”.

    Mbappe në garë për histori të dyfishtë me Këpucën e Artë
    Kylian Mbappe dhe Harry Kane mbeten në garë për t’u bërë lojtarët e parë që fitojnë dy herë “Këpucën e Artë” në Kupën e Botës. Mbappé e kishte fituar çmimin në 2022, ndërsa Kane në 2018, dhe të dy janë sërish ndër favoritët kryesorë.

    Ronaldo vendos rekorde të moshës dhe paraqitjeve
    Cristiano Ronaldo është bërë lojtari i parë që luan në gjashtë edicione të Kupës së Botës dhe gjithashtu lojtari më i vjetër që ka startuar një ndeshje në turne, në moshën 41 vjeç e 132 ditë.

    Haaland nis fuqishëm, afër rekordit norvegjez
    Erling Haaland ka shënuar shpejt në turne dhe është bërë golashënuesi më i mirë i Norvegjisë në historinë e Kupës së Botës, duke barazuar rekordin e Kjetil Rekdal. Ai pritet ta përmirësojë këtë shifër në ndeshjet e ardhshme.

    Rekorde në portë dhe te trajnerët
    Portieri i Kepit të Gjelbër, Vozinha, ka hyrë në histori si një nga më të vjetrit që debuton në Kupën e Botës dhe që mban portën e paprekur në debutim. Ndërkohë, trajneri i Francës, Didier Deschamps, është pranë rekordit për më shumë fitore në historinë e turneut.

    Kartonët e kuq nisin të rriten
    Në aspektin disiplinor, janë dhënë tashmë gjashtë kartonë të kuq në turne, ndërsa rekordi historik prej 28 mbetet ende larg, por mund të vihet në rrezik në vazhdim të garës.

    Kupa e Botës 2026 po dëshmon se është një turne ku historia ndryshon nga ndeshja në ndeshje, ndërsa rekordet e reja pritet të vazhdojnë të bien me ritëm të shpejtë.

  • Botërori thyen çdo parashikim: 2 milionë tifozë në stadiume pas 36 ndeshjeve të para

    Botërori thyen çdo parashikim: 2 milionë tifozë në stadiume pas 36 ndeshjeve të para

    Kupa e Botës 2026 ka thyer çdo parashikim dhe ka shuar kritikat fillestare sa i përket audiencës dhe organizimit.

    Pas zhvillimit të 36 ndeshjeve të para të turneut, numri i tifozëve që kanë ndjekur sfidat live nga shkallët e stadiumeve ka kapur shifrën rekord prej 2 milionë personash.

    ​Ky fluks i jashtëzakonshëm tregon një entuziazëm të pabesueshëm rreth këtij orgazinimi, duke iu përgjigjur me fakte skeptikëve dhe kritikave të shumta që ishin shoqëruar në pragun e nisjes së këtij Botërori.

  • Zyrtare: UEFA e konfirmon stadiumin ku do të zhvillohet ndeshja Izrael – Kosovë

    Zyrtare: UEFA e konfirmon stadiumin ku do të zhvillohet ndeshja Izrael – Kosovë

    Kombëtarja e Kosovës do të luajë si mysafir i Izraelit në Hungari, më saktësisht në stadiumin “Nagyerdei”.

    Izraeli shkaku i luftës ndeshjet si vendas po vazhdon t’i zhvillojë në stadiume neutrale, ndërsa ndaj Kosovës e ka zgjedhur Hungarinë.

    UEFA ka konfirmuar se përballja që do të zhvillohet më 1 tetor 2026 do të zhvillohet në “Nagyerdei Stadion”.

    Kujtojmë, Kosova do të rikthehet në “aksion” në muajin shtator, ku për herë të parë do t’i zhvillojë katër ndeshje brenda 14 ditëve.

    Rikujtojmë, në Ligën B të Ligës së Kombeve, “Dardanët” ndodhen në të njëjtin grup kualifikues me Austrinë, Irlandën dhe Izraelin.