ATV

Category: SPORT

  • Elon Berisha trajneri 28 vjeçar që e inkuadroi klubin nga Hajvalia në Ligën e Parë

    Elon Berisha trajneri 28 vjeçar që e inkuadroi klubin nga Hajvalia në Ligën e Parë

    Si klub, Shkëndija e Hajvalisë u formula vetëm tri vite ma parë, por para vetës kishin ide të qarta.

    Në vitin e parë të themelimit, garat i filluan në Ligën e Tretë, ku qysh në vitin debutues arritën sukses historik duke u inkuadruar në Ligën e Dytë të Kosovës.

    Pasi vitin e kaluar i ndau vetëm një pikë nga inkuadrimi në Ligën e Parë, këtë gjë e arritën këtë edicion edhe atë në mënyrën më të mirë të mundshme.

    Plotë 80 pikë të grumbulluara dhe lider i tabelës në Ligën e Dytë, duke shtuar këtu edhe sulmin më të mirë në këtë nivel garash me 106 gola të shënuar, e gjithashtu edhe mbrojtjen më të mirë me vetëm 17 gola të pësuar.

    E për krejt këtë sukses të arritur, meritat më të mëdha padyshim se shkojnë për Elon Berishën, trajner i ri në moshë dhe tejet premtues për futbollin kosovar.

    Berisha në vitin e tij të parë më klubin, ani pse nuk e nisi sezonën shumë mirë, arriti të rikthente besimin te skuadra dhe arriti plotë 22 fitore rresht, ku edhe u shpallën kampion.

    “Fillimisht, ky është viti i parë që jam pjesë e klubit të Shkëndijës dhe çdo nisje e sezonit me një trajner të ri dhe lojtarë të rinj që kanë ardhur në klub, nevojitet kohë për me u përshtatë dhe me u ambientu me rrethin e ri. Fillimin e sezonit nuk e kemi nisur mirë, pikërisht këto arsye kanë qenë kryesore. Kemi pasur disa ngecie në rezultate, mirëpo pas gabimeve që kemi bërë, kemi reflektu dhe kemi mësu nga ato gabime. Janë pikërisht këta djem që kanë tregu mentalitetin dhe karakterin e fortë dhe kanë menaxhu sitatat si duhet. Pas atyre gabimeve janë 22 ndeshje që janë fitu pa asnjë barazim dhe asnjë humbje, falë seriozitetit që kanë tregu këta djem”, tha Berisha.

    Tutje, 28 vjeçari tha se edhe me këtë kontigjent lojtarët, mund të jenë arrë e fortë për skuadrat tjera në Ligën e Parë.

    “Ne edhe kur e kemi përgatitur ekipin për Ligën e Dytë, vazhdimisht kemi potencu që ideja nuk është me pas bashkëpunime vetëm për një vit, mirëpo me i përzgjedh lojtarët të cilët janë në gjendje të garojnë edhe në Ligën e Parë. Ky kontigjent i lojtarëve është i mjaftueshëm me qenë konkurrues në Ligën e Parë, mirëpo ne duhet të presim edhe pak që të shohim edhe planet e klubit”, tha Berisha.

    Mirëpo, sa mund të arrijë që një trajner kaq i ri në moshë të jetë motivues për skuadrën dhe të arrijë qëllimet e tij, këtë gjë e tregon kapiteni, Salih Kosumi.

    “Duke i ditur aftësitë e trajnerit, i cili është shumë komunikues, shumë motivues, disiplinë të madhe ka. Kemi arritur të kemi mirëkuptim dhe padyshim vet puna si trajner neve na obligon të jemi si nxënës të tij”, tha Salih Kosumi, kapiten i Shkëndijës së Hajvalisë.

    Pasi e arriti vitin e kaluar suksesin e njëjtë me Rahovecin, duke u inkuadruar në Ligën e Parë, të njëjtën gjë Donat Krasniqi e arriti edhe me Shkëndinë, e më së miri tregon ai emocionetet e njëjta të përjetuara dy herë.

    “Është një ndjenjë shumë e mirë, si më Rahovec si këtu kemi pas objektiva të njëtë dhe pak a shumë ka qenë e pritshme. Është një ndjenjë e mrekullueshme, kemi besuar, sidomos këtu kemi qenë shumë larg. Pas xhiros së tetë kemi qenë tetë pikë larg, mirëpo kemi besu dhe ja kemi dal. Gjë që na është shpërblyer me titullin kampion”, tha Donat Kransiqi, futbollist i Shkëndijës së Hajvalisë.

    Kujtojmë që klubi nga Hajvalia edicionin e ardhshëm, garat i vazhdon në Grupin B të Ligës së Parë. /atvlive.tv

  • Zyrtare: Bayerni transferon sulmuesin e Kosovës

    Zyrtare: Bayerni transferon sulmuesin e Kosovës

    Bayern Munichu e ka konfirmuar transferimin e sulmuesit kosovar, Dion Berisha për skuadrën e dytë.

    Berisha kalon nga akademia e të rinjve të Augsburgut te Bayern Munichu për sezonin e ri 2023/24, ku do të jetë pjesë e skuadrës së Holger Seitz, raporton KosovaPress.

    Hamit Altintop, drejtori sportiv te kampusi i Bayernit tha: “Dioni është një talent tejet interesant që ka shijuar një edukim tejet të mirë te FC Augsburgu. Ai veçse ka eksperiencën në ligën regjionale, dhe ne jemi tejet të lumtur që ai ka vendosur që ta merr hapin e radhës me ne”.

    Berisha, i lindur më 9 maj të 2003-ës në Lyon, bëri tetë paraqitej në sezonin e kaluar të Ragionalliga Bayern, më së shumti si sulmues i krahut. Dioni ka nënshkruar një kontratë dy vjeçare me Bayernin.

    Dion Berisha është pjesë e grupmoshave U21 të Kombëtares së Kosovës, me të cilën ka bërë tre paraqitje ndërsa ka shënuar një gol.

  • Vazhdojnë largimet nga Drita

    Vazhdojnë largimet nga Drita

    Drita përmes një komunikate zyrtare ka konfirmuar se Marko Simonovski ka mbyllur bashkëpunimin me klubin.

    Simonovski nuk vazhdon të ardhmen me gjilanasit pas përfundimit të kontratës mes dy palëve, raporton KosovaPress.

    Simonovski ishte pjesë e Dritës që nga sezoni 2021/22 dhe gjatë periudhës dy vjeçare arriti të bëjë 70 paraqitje në të gjitha garat, në të cilat shënoi 32 gola ndërsa regjistroi edhe gjashtë asistime.

    “Klubi jonë e falënderon MARKON për kontributin e dhënë dhe i dëshiron shumë suksese në vazhdim të karrierës”, shkruhej në komunikatën e Dritës.

  • Zyrtare: Messi largohet nga PSG

    Zyrtare: Messi largohet nga PSG

    Spekulimeve ju vjen fundi, Lionel Messi do të largohet nga Paris Saint-Germain.

    Lajmin e ka konfirmuar trajneri i Paris Saint-Germain, Christophe Galtier, i cili tha se ndeshja ndaj Clermont do të jetë e fundit e Messit te kampioni francez, raporton KosovaPress.

    “Unë e kisha privilegjin për të trajnuar lojtarin më të mirë në histori të futbollit, këtë vikend do të jetë ndeshja e fundit e Messit te PSG në ‘Parc des Princes’ kundër Clermont”, tha Galtier.

    Në 74 paraqitje në të gjitha garat për Paris Saint-Germain, Lionel Messi shënoi 32 gola ndërsa regjistroi 35 asistime.

  • Milot Rashica shpallet kampion i Turqisë me Galatasarayn, feston me flamur të Kosovës

    Milot Rashica shpallet kampion i Turqisë me Galatasarayn, feston me flamur të Kosovës

    Ylli i Kosovës, Milot Rashica, është shpallur kampion i Super Ligës së Turqisë me skuadrën e Galatasarayt.

    Në sezonin e tij të parë me Galatasarayn, tek i cili gjendet në formë huazimi nga skuadra e Norwichit, Milot Rashica e ka fituar titullin e kampionit të Turqisë.

    Ndeshja e sotme kundër Ankaragucut, e cila përfundoi 4:1 në favor të Galatasarayt ishte vendimtare për titullin e kampionit në kampionatin turk.

    Sikurse në ndeshjet e tjera, Rashica shkëlqeu edhe sot duke dhënë asistim te goli i parë i Icardit kundër Ankaragucut.

    Në total, Rashica ka arritur të bëjë 29 paraqitje në të gjitha garat me Galatasarayn, ndërsa ka regjistruar gjashtë gola dhe gjashtë asistime mbi emrin e tij.

    Po ashtu, ai ka publikuar pamjet në Facebook ku shihet duke festuar trofeun me flamurin e Kosovës.

  • “Djokovic vuan që nuk është si Federeri dhe Nadali, ai është sportisti më i urryer”

    “Djokovic vuan që nuk është si Federeri dhe Nadali, ai është sportisti më i urryer”

    Novak Djokovic është sportisti më i urryer në botë sipas kryetarit të Federatës së Tenisit të Kosovës, Jeton Hadergjonaj.

    Në një intervistë në “Direkt”, ai ka thënë se tenisti serb e vuan se nuk mund të jetë si legjendat Federer dhe Nadal dhe se nuk e ka simpatinë e tyre.

    “Djokovic tregoi fytyrën e tij pse është sportisti më i urryer në botë, sepse nuk ka simpati nga publiku edhe pse është një sportist i madh. Ai nuk ka arritur kurrë të jetë si Federer dhe si Nadal dhe kjo e prenë ata se ‘pse nuk jam unë si ata, pse nuk më dojnë mua si ata. Me sjelljet e tij, Ai e ka treguar se ka mungesë të karakterit të tij”, ka thënë Hadergjonaj.

    Deklaratat dhe sjelljet e Djokovicit në ndeshjen e fundit ku shkroi për Kosovën janë bërë shkas që Federata e Tenisit e Kosovës dhe Komiteti Olimpik i Kosovës të dërgojnë ankesë në organet ndërkombëtare.

  • ​“Siguria në Rrugë”, maturantët e Prishtinës nisin garat me biçikleta

    ​“Siguria në Rrugë”, maturantët e Prishtinës nisin garat me biçikleta

    Maturantë nga shumë shkolla të Kosovës u bënë pjesë e garës me biçikleta që u organizua në kryeqytet, në kuadër të edicionit të tetë të revistës shkollore “Siguria në rrugë”.

    Sipas organizatorëve, aktivitete si ky kanë filluar të marrin rol edukativ dhe arsimor në vend.

    “Diku në vitin 2013 ka filluar edicioni i parë i revistës shkollore “Siguria në Rrugë”. Dhe sot mbushëm 10 vjet të këtyre aktiviteteve jashtë-mësimore, por edhe mësimore, nëpër nivele të ndryshme të shkollave në mbarë Kosovën. Ministria e Arsimit është bashkëpunuese vazhdimisht në të gjitha këto aktivitete, për shkak se ka bërë përzgjedhjen e shkollave në të gjitha aktivitetet”, tha Muhamed Krasniqi nga Akademia “Tempulli”.

    Nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatqiu, premtoi se në të ardhmen do të ketë shtigje më të përshtatshme për çiklistët.

    “Kemi zgjeruar shtigjet e biçikletave, jemi duke punuar në rritjen e sigurisë në to. Sigurisht që ka nevojë më të madhe dhe këtu ku jemi tash në shesh, kemi nevojë për ndryshimet e fundit, të cilat i nevojiten këtij sheshi që të bëhet tamam shesh”, tha nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu.

    Aktivitete si ky u përkrahën edhe nga Policia e Kosovës.

    Si çdo aktivitet tjetër, Policia e Kosovës edhe kësaj radhe do t’i mbështesë pothuajse në të gjitha komunat, përfshirë edhe kryeqytetin me pjesën e ligjërimit nëpër institucione apo shkolla. Fokus kanë qenë klasat e 12-ta, gjë që për ne është me rëndësi, meqë kjo moshë është mosha ku pothuajse shumica prej tyre do ta kenë fatin që t’i nënshtrohen testit të pjesës teorike, apo marrjes së patentë-shoferit”, tha nënkoloneli, Jeton Rexhepi.

    Kjo ngjarje u organizua nga akademia “Tempulli” dhe Asociacioni Kosovar për Motorizëm dhe kishte mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Byrosë Kosovare të Sigurimit dhe Policisë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • ​KOK-u reagon në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar për mesazhin provokues të Gjokoviq

    ​KOK-u reagon në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar për mesazhin provokues të Gjokoviq

    Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka dërguar sot ankesën në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, në lidhje me mesazhin provokues dhe politik të tenistit serb, Novak Gjokoviq.

    Gjokoviq, vazhdoi dhe dje me provokimet e tij politike, duke shkruar mesazhe me propagandë pro-serbe “Kosova është zemra e Serbisë, ndaleni dhunën”.

    Me këtë rast, KOK ka kërkuar sot nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON/IOC), që të marrë masa ndaj Gjokoviqit për mesazhet e vazhduara politike në dëm të një vendi të pavarur dhe anëtar i IOC-ut, siç është Kosova.

    “Gjokoviq promovoi sërish propagandën e nacionalistëve serbë dhe përdori platformën sportive për ta bërë këtë. Po ashtu, deklaratat e mëtejshme të bëra nga një personazh i tillë publik pa asnjë ndjenjë pendimi, rezultojnë drejtpërdrejt në ngritjen e nivelit të tensionit dhe dhunës mes dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në fillim të reagimit.

    KOK një kopje të reagimit ia ka dërguar edhe Fedearatës Ndërkombëtare të Tenisit.

    “Si presidenti i KOK-ut, e ndjej për obligim të ngris shqetësimet e mia dhe ju kërkoj që të reagoni në emër të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, pasi këto mesazhe dhe veprime janë të rrezikshme për të ardhmen e sportit, nëse mbesin pa u ndëshkuar. Sipas Kartës Olimpike (parimi themelor 5), siç u përmend më lart, organizatat sportive në kuadër të lëvizjes olimpike do të zbatojnë neutralitetin politik dhe duke pasur parasysh se ITF është Federatë Ndërkombëtare e njohur nga IOC, unë me respekt kërkoj që IOC të reagojë në kuadër të saj dhe t’i kërkojë ITF-së të hetoj çështjen duke hapur procedurë disiplinore kundër sportistit”, thuhet më tej në reagimin e dërguar nga presidenti Krasniqi, për presidentin e IOC-ut, Thomas Bach.

    “I nderuari president, ajo që ndodhi në ‘French Open’, përceptohet si shkelje e parimeve sportive dhe e shpirtit olimpik, si një shkelje e Kartës Olimpike. Pavarësisht se Gjokoviq është një nga tenistët më të mirë, një sjellje e tillë e përsëritur nuk mund të tolerohet, pasi krijon një precedent të rrezikshëm që sporti mund të përdoret si një platformë për mesazhe politike, agjenda dhe propagandë. Unë me të vërtetë shpresoj që IOC të ngrit zërin në emër të sportit dhe të tregoj edhe një herë, siç e keni treguar gjithmonë, se sporti nuk mund të përdoret për mesazhe dhe agjenda politike dhe ju falënderoj paraprakisht për vëmendjen që do të rezervoni për këtë çështje”, shkruan në fund të reagimit të të parit të KOK-ut.

    Mesazhi i djeshëm i Gjokovoqit, nuk ishte i pari, pasi i njëjti kishte bërë deklarata të tilla politike në ngjarje të ndryshme të tenisit.

  • ​Dyshimet për trukime, reagon edhe presidenti i KOK-ut

    ​Dyshimet për trukime, reagon edhe presidenti i KOK-ut

    Xhiro e fundit e Superligës së Kosovës në futboll ngjalli reagime të shumta nga opinioni sportdashës në Kosovë për shkak të dyshimeve se mund të jenë kurdisur ndeshjet Trepça ‘-Prishtina dhe Ferizaj-Dukagjini.

    Në këtë të fundit, portieri i Dukagjinit pranoi një gol që po konsiderohet si pranim i qëllimshëm duke ia dhënë fitoren Ferizajt që rrjedhimisht solli edhe sigurimin e barazhit të kësaj skuadre për mbetje në Superligën e Kosovës, ndërsa nga ana tjetër e pësoi Trepça ‘89 që ka rënë tashmë në Ligën e Parë, raporton KP.

    Në lidhje me këto dyshime, ka reaguar edhe Komiteti Olimpik i Kosovës. Presidenti i shtëpisë më të madhe të sportit në Kosovë, Ismet Krasniqi, ka thënë për KosovaPress se janë fuqishëm kundër këtyre dukurive negative që e dëmtojnë imazhin ndërkombëtar të sportit kosovar, në këtë rast të futbollit. Ai ka shtuar se beson tek organet kompetente brenda Federatës së Futbollit të Kosovës se do të marr masat e duhura nëse dyshimet e tilla konfirmohen.

    “KOK është fuqishëm kundër dukurive të tilla negative që dëmtojnë imazhin e mirë që sporti dhe në këtë rast futbolli kanë krijuar në arenën ndërkombëtare.

    Ne besojmë fuqishëm tek organet kompetente të FFK-së, që të marrin masat e duhura, në rast se vërtetohet që ka pasur dukuri të tilla.”, ka thënë Krasniqi për KosovaPress.

    Ndërkohë, Këshilli për Sport dhe Ministria e Sportit tashmë kanë konformuar se kanë kërkuar nga prokuroria që të nis hetimet për këto dy ndeshje.

  • Formula 1, Max Verstappen i pandalshëm edhe në Monako

    Formula 1, Max Verstappen i pandalshëm edhe në Monako

    Max Verstappen vijon dominimin në Formula 1 me makinën e Red Bull, me holandezin që triumfoi edhe në Çmimin e Madh të Monakos me një pistë të rënduar nga reshjet e shiut pas xhiros së 55.

    Verstappen e nisi garën në Pole Positon dhe deri në fund piloti I skuderisë austriake tregoi se është I pandalshëm këtë edicion, kështu duke arritur vetëm triumfin e dytë në karrierë në pistën atraktive të Montekarlos.

    Po ashtu podiumi u plotësua nga Fernando Alonso dhe Esteban Ocon, me Spanjollin e Aston Martin që edhe një herë tjetër bëri një garë të mire, ndërsa piloti francez,
    regjistroi podiumin e tretë të karrierës së tij.

    Në anën tjetër vazhdon të zhgënjej shtatë herë kampioni I botës Lewis Hamilton që u mjaftua me pozitën e katërt edhe pas ndryshimeve në bolidin e skuderisë gjermane, ndërsa dy pilotët e Ferrarit dështuan sërish, Charles Leclerc u rendit i gjashti, teksa Carlos Sainz e mbylli garën në vendin e tetë.

    Kujtojmë se pas fitores të së dielës, Max Verstappen thellon diferencën me 39 pikë ndaj ndjekësit më të afërt, që është shoku i tij i skuadrës, meksikani Sergio Perez.

    Vlen të përmendet se gara e radhës në Formula 1 do të zhvillohet në datë 4 qershor në Spanjë.