ATV

Category: SPORT

  • Kosova kryen stërvitjen e fundit para nisjes për në Budapest

    Kosova kryen stërvitjen e fundit para nisjes për në Budapest

    Pasi që mbrëmë barazoi 0:0 me Rumaninë, tani Kosova ka kthyer fokusin te përgatitjet për ndeshjen kundër Bjellorusisë.

    “Dardanët” sot vazhduan me përgatitje për ndeshjen ndaj Bjellorusisë, të cilën e zhvillojnë të hënën në stadiumin “Ferenc Szusza” të Budapestit.

    Për të rigjeneruar energjinë dhe fuqinë e tyre, lojtarët që ishin titullarë në ndeshjen e kaluar si dhe Edon Zhegrova, kanë patur një seancë të veçantë rigjeneruese në palestrën e fitnesit në hotel, ndërsa pjesa tjetër e ekipit ka bërë stërvitje intensive në Kampin Nacional në Hajvali.

    Ekipi i Kombëtares së Kosovës do të udhëtojë drejt Budapestit nesër.

    Përkundër zhgënjimit që solli barazimi kundër Rumanisë, “Dardanët” janë të përgatitur të bëjnë çmos për ta fituar sfidën e radhës ndaj Bjellorusisë.

    Ndeshja e katërt e kualifikimeve për Euro 2024, Bjellorusi – Kosovë, zhvillohet të hënën në stadiumin “Ferenc Szusza”, në orën 20:45.

  • Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë në Grand Slamin e Kazakistanit

    Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë në Grand Slamin e Kazakistanit

    Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu ka arritur të fitojë medaljen e bronztë me anë të repesazhit në Grand Slamin që po mbahen në Kazakistan.

    Pas Nora Gjakovës, e cila fitoi gjatë të premtes medaljen e argjentë, tani Kosovës iu shtua edhe një medalje tjetër.

    Është xhudistja Laura Fazliu, e cila ka fituar medaljen e bronztë në kategorinë deri në 63 kilogramë.

    Xhudistja jonë arriti të fitojë në repesazh ndaj xhudistes Dali Liluashvili, të cilën e mposhti me ‘ippon’.

    Ndryshe, Laura e nisi garën nga raundi i dytë, duke mposhtur Esmigul Kuyulova nga Kazakistani, por u mposht në raundin e tretë nga Jisu Kim nga Koreja e Veriut.

    Në repesazh, xhudistja jonë mposhti Kamila Badurova, para se të fitonte ndaj Liluashvili në ndeshjen për medaljen e bronztë.

  • Kosova e pafat ndaj Rumanisë, gjasat për EURO 2024 fillojnë të zbehen

    Kosova e pafat ndaj Rumanisë, gjasat për EURO 2024 fillojnë të zbehen

    Kosova nuk ka arritur më shumë se një barazim me Rumaninë në ndeshjen e tretë kualifikuese për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

    Ndeshja, e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, përfundoi me rezultatin 0-0.

    Vlen të përmendet se Kosova fillimisht ka marrë epërsinë në këtë ndeshje me një gol të shënuar nga Edon Zhegrova, por fatkeqësisht, ky gol u anulua më pas rishikimit nga VAR-i.

    Ky barazim nuk është në favor të Kosovës, pasi momentalisht ndodhet në vendin e katërt në Grupin I-rë pas tre ndeshjeve, duke mbledhur vetëm tre pikë, ndërsa Rumania zë pozitën e dytë me 7 pikë.

  • Kuka: Medalje e argjendtë për Norën në Ditën e Çlirimit të qytetit të saj të lindjes, Pejës

    Kuka: Medalje e argjendtë për Norën në Ditën e Çlirimit të qytetit të saj të lindjes, Pejës

    Një tjetër medalje i është shtuar Kosovës nga garat ndërkombëtare të xhudos, përkatësisht në Grand Slamin e Kazakistanit.

    Nora Gjakova është stolisur me medaljen e argjendtë në këtë Grand Slam, pasi që në luftën për medaljen e artë u mposht nga xhudistja franceze, Sarah Leonie Cysique.

    Deri në finale, në kuadër të kategorisë deri në 57 kilogramë, Gjakova shënoi katër fitore, ku njërën e kishte pa luftë.

    Gjakova fitoi edhe 700 pikë olimpike për Paris 2024.

    Me këtë rast, tani ka reaguar edhe trajneri i ekipit tonë të xhudos, Driton Kuka, i cili tha se Nora u stolis me medaljen e argjendtë në Ditën e Çlirimit të vendlindjes së saj, qytetit të Pejës.

    “Medalje e argjendtë për Noren në Ditën e çlirimit të qytetit të saj të lindjes Pejes!

    Nora Gjakova shënoj 3 fitore për tu ndeshur në finale me Francezen Qysique e ku mirë e filloj luftën dhe u prit luftë e fortë por një gabim i kushtoj por kjo se humb shkëlqimin e medaljes së argjendtë të Nores dhe 700 Pikë Olimpike!

    Nora tashmë vulosi Normën drejt Lojerave Olimpike dhe lufta është të mbetet në Top 8 që të jetë ndër bartëset e grupeve”, shkroi Kuka në “Facebook”.

    Më poshtë e gjeni postimin e plotë të Kukës.

  • Kosova prezanton ekipin për Lojërat Evropiane ‘23, Krasniqi: Jepini maksimumin

    Kosova prezanton ekipin për Lojërat Evropiane ‘23, Krasniqi: Jepini maksimumin

    Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka bërë sot (e premte) prezantimin e garuesve të cilët do të përfaqësojë vendin tonë në edicionin e tretë të Lojërave Evropiane Krakow dhe Malopolska 2023.

    38 sportistë nga tetë sporte të ndryshme do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Evropiane 2023, raporton KosovaPress.

    Atletika ka më së shumti garues me gjithsej 23 sosh, ndërsa boksi prin nga pas me shtatë garues. Kajakimi dhe sporti i teqball kanë nga dy garues, kurse me nga një sportist janë sportet si çiklizmi, shenjëtaria, shigjetaria dhe taekwondo.

    Në këtë përbërje vërehet mungesa e sportit të xhudos, sport ky në të cilin në dy edicionet e kaluara Kosova fitoi katër medalje, dhe për këtë gjë presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi tha e se gjithë barra e suksesit mbetet te sportistët e sporteve të tjera.

    “Në dy edicionet e kaluara të Lojërave Evropiane kemi lënë gjurmë, duke fituar katër medalje, të gjitha nga sporti i xhudos. Për fatin tonë të keq, këtë herë nuk e kemi xhudon, dhe në mungesë të tyre, barra e suksesit mbetet tek sportistët e sporteve tjera”, tha Krasniqi.

    Më tej, Krasniqi tha se KOK-u ka mbështetur sportistët dhe trajnerët me përgatitjet, mbështetje kjo që vjen përmes bursave olimpike dhe shpresave olimpike, e që numri i tyre shkon në 57, si dhe si rrjedhojë e mbështetjes edhe për Lojërat Olimpike Paris 2024.

    Për fund, presidenti i KOK-ut kishte edhe një mesazh për sportistët që do ta përfaqësojnë Kosovën në këto Lojëra Evropiane 2023.

    “Në emër të Komitetit Olimpik të Kosovës, kërkoj nga ju të jepni maksimumin, të përmirësoni rezultatet tuaja, dhe të shfaqni disiplinë të lartë gjatë garave dhe jo vetëm. Unë ju uroj fat dhe mbarësi gjatë garave, dhe bashkë do të rrugëtojmë drejt sukseseve tona”, tha Krasniqi.

    Ndërsa boksierja Donjeta Sadiku, e cila njëkohësisht do të jetë bartëse e flamurit të Kosovës në LE 2023. Sadiku tha se përgatitjet kanë shkuar siç edhe janë planifikuar, dhe se synimi i saj është që të kthehet me medalje, të kualifikohet në Lojërat Olimpike Paris 2024, dhe që ta ngre flamurin e Kosovës në këto Lojëra Evropiane.

    “Unë së bashku me trajneren time Marjola Sallauka jemi përgatitur maksimalisht që nga këto Lojëra të kthehemi me medalje si dhe me kualifikim për Paris 2024. Unë e di që nuk është aspak e lehtë, mirëpo për mu është e mundshme kjo që e thash, kështu që i qëndroj fjalës sime. Kam shumë punë për me bo në këto Lojëra Evropiane, kështu që iu uroj të gjithë sportistëve shumë suksese, ta prezantojmë vendin tonë denjësisht, unë personalisht do të kujdesem që ta përfaqësojë maksimalisht dhe ta ngris flamurin në këto Lojëra Evropiane”, tha Sadiku.

    Po ashtu, fjalën e mori edhe drejtori gjeneral i Bankës Ekonomike Tregtare (BKT), Suat Bakkal i cili tha se do të vazhdojë mbështetja për sportistët dhe KOK-un sa më shumë, për dy vitet e ardhshme.

    “Duam të japim mbështetje në të gjitha fushat dhe po punojmë që të përgatitemi me ekipet tona për këtë, veçanërisht ndërsa ju jeni duke u përgatitur për lojërat, ne po përgatitemi për t’ju mbështetur juve më shumë. Dhe këtë privilegj shpresojmë që do ta ndjeni dy vitet e ardhshme dhe të gjithë së bashku do të përgatitemi për Lojërat Olimpike”, tha Bakkal.

    Lojërat Evropiane Krakoë dhe Malopolska 2023 do të fillojnë më 21 qershor dhe do të mbahen deri më 2 korrik. Bartës të flamurit të Kosovës do të jenë boksierja Donjeta Sadiku dhe atleti Muhamet Ramadani.

    Më poshtë i gjeni sportistët dhe sportet që do të përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Evropiane Krakoë dhe Malopolska 2023.

    Boksi (7 sportistë): Altin Shala, Bashkim Bajoku, Donjeta Sadiku, Patriot Behrami, Shpejtim Bajoku, Taulant Jakupi – (3 trajnerë): Besim Brahimi, Latif Demolli, Marjola Sallauka

    Çiklizmi (1 sportist): Samir Hasani – (1 trajner): Blerton Nuha

    Kajakim (2 sportistë): Blandine Xhemajli, Lorand Gjoshi – (1 trajner): Besfort Balidemaj

    Shenjëtari (1 sportist): Nexhat Sahiti – (1 trajner): Driton Sejdiu

    Shigjetari (1 sportist): Edi Dvorani – (1 trajner): Fehmi Bylykbashi

    Taekëondo (1 sportist): Arbër Bajra – (1 trajner): Arsim Agushi

    Teqball (2 sportistë): Adrien Uka, Krenar Emini – (1 trajner): Azem Ahmeti

    Atletika (23 sportistë): Muhamet Ramadani, Alaudin Suma, Arbesa Shala, Astrit Kryeziu, Emine Jenuzi, Enis Bytyçi, Erudit Rysha, Granit Ahmeti, Gresa Bakrraqi, Leon Thaqi, Medina Kutleshi, Albion Ymeri, Olti Bytyçi, Sara Susuri, Vesa Jusufi, Florentina Restelica, Genc Isufi, Lirije Peci, Donika Kryemadhi, Bardhyl Hajdaraj, Valentina Kelmendi – Musa, Florian Berisha dhe Ejona Shala – (6 trajnerë): Abdurrahman Shkodra, Bajram Duja, Lumbardh Shala, Xhavit Tahiri, Adrian Mazreku dhe Zijadin Kryeziu /KP

  • Nora Gjakova e argjendtë në Kazakistan

    Nora Gjakova e argjendtë në Kazakistan

    Xhudistja jonë, Nora Gjakova ishte e pafat duke humbur në finale, por fitoi medaljen e argjendtë të Grand Slamit që po mbahet në Kazakistan.

    Gjakova nuk ka arritur të triumfojë në finalen e madhe në kategorinë deri në 57 kilogramë.

    Në finale, xhudisja jonë u mposht me ‘ippon’ nga xhudistes nga Franca, Sara Leonie Cysique.

    Ndryshe, Gjakova e nisi ditën për mrekulli në Kazakistan, duke shënuar fillimisht dy fitore në kategorinë deri në 57 kilogramë.

    Pejania raundin e parë e nisi pa luftë, ndërsa në raundin e dytë fitoi ndaj Anastasija Sokirjanska të Letonisë.

    Në rrethin e tretë, Nora u ndesh me polaken Julia Kowalczyk, të cilën gjithashtu e mposhti për të kaluar në gjysmëfinale.

    Në gjysmëfinale, kampionia olimpike pati punë me Julie Beurskens, të cilën e mposhti për të kaluar në finalen e madhe.

  • Gjakova lufton për medaljen e artë në Grand Slam të Kazakistanit

    Gjakova lufton për medaljen e artë në Grand Slam të Kazakistanit

    Edhe një tjetër medalje është siguruar për Kosovën në garat e xhudos, përkatësisht në Grand Slamin e Kazakistanit.

    Bëhet fjalë për Nora Gjakovën, e cila në kuadër të kategorisë deri në 57 kilogram do të luftojë në finale të këtij Grand Slami për medaljen e artë, raporton KosovaPress.

    Në raundin e Gjakova ishte e lirë, kurse në xhiron e dytë ajo mposhti me Ippon, garuesen nga Letonia, Anastasija Sokirjanska. Nora në çerekfinale mposhti me Ippon edhe polaken, Julia Kowalczyk.

    Në gjysmëfinale garuesja jonë mposhti me tri dënime për Ippon, holandezen, Julie Beurskens.

    Tani, Nora Gjakova, e cila gjithashtu është edhe kampione Olimpike, në finale do të ndeshet me xhudisten franceze, Sarah Leonie Cysique.

  • Me këtë formacion pritet të luajë Kosova sonte ndaj Rumanisë

    Me këtë formacion pritet të luajë Kosova sonte ndaj Rumanisë

    Lëndimi i dyshes Elbasan Rashani dhe Edon Zhegrova do ta detyrojë trajnerin e Kosovës. Alain Giresse që të bëjë ndryshime në formacionin startues për ndeshjen kundër Rumanisë.

    Këto dy kombëtare ballafaqohen sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 20:45 në ndeshjen e vlefshme për grupin I të kualifikimeve për në Kampionatin Evropian që mbahet vitin e ardhshëm, raporton KosovaPress.

    Ndryshimi kryesor që pritet ta bëjë Giresse është në fazën e sulmit, aty ku në vend të të lënduarit Edon Zhegrova pritet të aktivizohet Ermal Krasniqi.

    Ish-sulmuesi i Ballkanit luan pikërisht në futbollin rumun tek skuadra CFR Cluj dhe kjo shihet si një përparësi që ai të luajë nga minuta e parë sonte.

    Përkrah Krasniqit pritet të luajë dyshja Muriqi-Rashica të mbështetur nga mesfusha e përbërë nga treshja Dreseviç-Kryeziu-Muslija.

    Për “Dardanët”, opcioni i vetëm është fitorja sepse çdo rezultat tjetër do t’i linte ata pa shpresë për kualifikim në EURO 2024.

    Ky është formacioni i mundshëm i Kosovës përballë Rumanisë: Muric; Vojvoda, Rrahmani, Aliti, Paqarada; Dresevic, H.Kryeziu; Muslija; Krasniqi, Muriqi, Rashica.

  • Zyrtare: Prishtina transferon ish-sulmuesin e Llapit

    Zyrtare: Prishtina transferon ish-sulmuesin e Llapit

    Klubi i futbollit Prishtina ka prezantuar blerjen e dytë brenda ditës së sotme.

    Pas transferimit të talentit 19 vjeçar Eridon Malokut, klubi nga kryeqyteti ka zyrtarizuar blerjen e ish-sulmuesit të Llapit, Albion Kurtaj.

    Kurtaj, në edicionin e fundit ka zhvilluar 26 ndeshje, jo të gjitha si titullar, duke realizuar dy gola dhe tre asistime.

    Ai tha se ëndrra e çdo lojtari është të luaj për Prishtinën.

    “Dihet që ëndrra e çdo lojtari është të luaj për skuadrën e Prishtinës, sepse Prishtina është klub me trofe të shumtë dhe gjithmonë garon për pozitat e para në klasifikim. Është sfidë e jashtëzakonshme për mua të jem pjesë e Prishtinës duke besuar se do të korrim suksese së bashku.”, ka thwnw Kurtaj.

  • Licencimi për garat evropiane, Prishtina: Ende nuk ka vendim

    Licencimi për garat evropiane, Prishtina: Ende nuk ka vendim

    Raportimet e sotme nga mediat se Prishtina edhe zyrtarisht nuk është licencuar për pjesëmarrje në garat evropiane i ka mohuar vet klubi kryeqytetas.

    Përmes një reagimi në faqen zyrtare, KF Prishtina ka bërë të ditur se ende as nuk ka nisur procesi gjyqësor për këtë çështje, derisa kanë shtuar se ky proces është duke u monitoruar edhe nga UEFA, përcjellë KosovaPress.

    Ky është reagimi i plotë i Prishtinës:

    Duam të ju njoftojmë se ky lajm nuk është i vërtetë.

    KAS-i ende nuk ka caktuar as gjyqtarët e procesit, pra nuk ka filluar ende implementimi i gjyqit dhe këtë gënjeshtër nuk mund të kuptojmë ndryshe vetëm se trysni ndaj gjyqit.

    Po ashtu, iu bëjmë me dije se edhe organet e UEFA-së janë të njoftuara për procesin gjyqësor që do ta kemi.

    FC Prishtina do të informoj opinionin në kohë reale për çdo vendim që do të merret.