ATV

Category: SPORT

  • Dragusha: Giresse nuk ka sjellë asgjë të re te Kosova

    Dragusha: Giresse nuk ka sjellë asgjë të re te Kosova

    Analisti i futbollit, Muhamet Dragusha thekson se Alain Giresse nuk ka sjellë asgjë të re te Kombëtarja e Kosovës.

    “Te Giresse ka çaluar gjithçka. Mendoj që çdo trajner që vjen duhet të sjellë risi, e gjëra të reja, e këtë gjë nuk e kam parë te Alain Giresse”, tha Dragusha në Ekipi A.

    Për më shumë mund të ndiqni emisionin e plotë:

  • Gjonbalaj: Giresse është një emër i madh në futbollin botëror, mirëpo te Kosova nuk është vërejt puna e tij

    Gjonbalaj: Giresse është një emër i madh në futbollin botëror, mirëpo te Kosova nuk është vërejt puna e tij

    Analisti i futbollit, Malsor Gjonbalaj thekson se Alain Giresse nuk e kishte energjinë e duhur për ta menaxhuar Kombëtaren e Kosovës.

    “Alain Giresse është një emër i madh në futbollin botëror, një njohës i madh i futbollit, mirëpo te Kosova nuk është vërejtur shumë puna e tij, në ngritjen dhe zhvillimit e ekipit tonë përfaqësues. Ekipit kombëtar i duhet një energji më e madhe në krye të saj”, tha Gjonbalaj në EKIPI A.

    Për më shumë mund të ndiqni emisionin e plotë:

  • Morina: U dha një vrull shumë i madh për ndryshime te Kosova

    Morina: U dha një vrull shumë i madh për ndryshime te Kosova

    Trajneri i futbollit, Arbnor Morina thekson se Kombëtarja e Kosovës kishte më shumë mungesë të fatit gjatë ndeshjeve kualifikuese.

    “Isha pak spektik në fillim pasi u dha një vrull shumë i madh në fillim. Por gjithçka do të ishte ndryshe nëse do të shënonim në minutat e fundit kundër Israelit, e ky shkak ishte pse kishim mungesë të fatit”, tha Morina në Ekipi A.

    Për më shumë mund të ndiqni emisionin e plotë:

  • Messi për largimin e tij nga PSG: Njerëzit filluan të më trajtonin ndryshe

    Messi për largimin e tij nga PSG: Njerëzit filluan të më trajtonin ndryshe

    Lionel Messi ka dhënë një intervistë për beIN Sports në të cilën flet për largimin e tij nga Paris Saint-Germain.

    “Erdha në Paris sepse më pëlqeu klubi, sepse kisha miq dhe shumë njerëz që i njihja në dhomën e zhveshjes, bashkëlojtarë nga kombëtarja ose disa me të cilët kisha qenë më parë”, deklaroi ai.

    “Më dukej se, përtej asaj që ishte klubi, do të kisha një përshtatje shumë më të lehtë sesa në skuadrat e tjera ku mund të kisha shkuar, kështu që kjo është pak arsyeja pse vendosa të shkoj në Paris”.

    Koha e tij në Francë ishte e vështirë ndonjëherë: “E vërteta është se ishte një përshtatje shumë e vështirë, shumë më tepër nga sa prisja. Përveç faktit që kisha njerëz që njihja në dhomën e zhveshjes dhe kisha marrëdhënie me ta, ishte e komplikuar për t’u përshtatur me një ndryshim të ri. Arrita vonë, nuk kisha një parasezon. Më duhej të përshtatesha me një qytet të ri, i cili ishte i vështirë për familjen time dhe për mua. Ishte e ndërlikuar”.

    Dhe nuk përfundoi ashtu siç do të kishte dashur: “Më pas, njerëzit filluan të më trajtonin ndryshe. Një pjesë e turmës së PSG-së, pjesa tjetër dhe shumica më trajtuan akoma si në fillim, por pati një ndërprerje marrëdhëniesh me tifozët e PSG-së”.

    “Nuk ishte qëllimi im, larg tij, të gjeneroja atë pushim. Kjo ka ndodhur edhe me Neymar ose Mbappe më parë”.

    “Unë do të ruaj (kujtimet) e të gjithë njerëzve që më respektuan, siç i kam respektuar gjithmonë të gjithë që kur kam ardhur”, ka vazhduar më tej Messi.

    Shtatë herë fituesi i Topit të Artë tashmë ka kaluar te Inter Miami, aty ku synon të mbyll karrierën e tij të ndritur si futbollit, ndonëse e kërkoi me ngulm rikthimin te Barcelona, por këta të fundit nuk ia arritën ta realizonin atë për shkak të Fair Play-it Finaciar.

  • FIFA e zbulon nikoqirin e Kupës së Botës për klube 2025

    FIFA e zbulon nikoqirin e Kupës së Botës për klube 2025

    Edicioni i parë i Kupës së Botës për klube që do të përfshijë 32 klube do të zhvillohet në vitin 2025.

    Kjo do të jetë hera e parë në histori që në këtë garë do të marrin pjesë 32 klube, dhe tani FIFA e ka konfirmuar edhe vendin se ky do të zhvillohet, raporton KosovaPress.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë nikoqiri i parë i edicionit të parë të Kupës së Botës për klube në formatin me 32 skuadra në vitin 2025.

  • Zyrtare: Urbonas, trajner i KB Prishtinës

    Zyrtare: Urbonas, trajner i KB Prishtinës

    Gjiganti i basketbollit vendor, KB Prishtina e ka bërë zyrtare emërimin e trajnerit të ri të klubit.

    Bëhet fjalë për trajnerin e njohur lituanez, Zydrunas Urbonas, i cili tani është kryetrajner i KB Prishtinës, raporton KosovaPress.

    “Trajneri i njohur lituanez dhe ish-lojtari i shumë ekipeve të njohura lituaneze, Zydrunas Urbonas i është bashkuar klubit më të madh shqiptar”, shkruante në komunikatën e KB Prishtinës.

    Urbonas karrierën e trajnerit e nisi te skuadra e njohur Juventus Utena, me të cilën për pesë vite me radhë ka arritur suksese të shkëlqyeshme.

  • ​Prishtina pret që të licencohet dhe të marr vendin e Dukagjinit në garat evropiane

    ​Prishtina pret që të licencohet dhe të marr vendin e Dukagjinit në garat evropiane

    Përkundër se tashmë është hedhur shorti sa i përket rundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës dhe Prishtina nuk ishte pjesë e tij për shkak se nuk është licencuar për garat evropiane dhe vendin e tyre e ka zënë Dukagjini, drejtuesit e skuadrës bardh e kaltër janë ende optimistë se do të luajnë në këtë kompeticion.

    Prishtina nuk ka marr licencën për shkak të problemeve financiare dhe borxheve që ka ndaj disa lojtarëve dhe situata e tyre po shqyrtohet nga Komisioni i Arbitrazhit Sportiv (KAS), nga i cili end nuk është marr ndonjë vendim.

    Por, Drejtori Gjeneral i Prishtinës, Artan Osmani, thotë se fakti që tashmë është hedhur shorti nuk paraqet ndonjë problem sepse nëse Prishtina e fiton rastin në KAS, atëherë është çështje teknike që Prishtina të marr vendin e Dukagjinit në Ligën e Konferencës.

    “Ankesa është në KAS, janë afatet ligjore, minimale që duhet të respektohen në KAS, dorëzimi i ankesës, zgjedhja e arbitrit, të gjitha ato janë afate që duhet respektuar. Federata do të na ndihmonte nëse do ta kishte caktuar arbitrin në afat më të shkurtër, por besoj që do ta shfrytëzojnë maksimumin kohor. Fakti që është hedhur shorti nuk ndikon në epilogun final. Nëse fitohet në KAS rasti, ose nëse KAS-i vendos që Prishtina është dashur të licencohet në bazë të kritereve dhe kushte me të cilat ka aplikuar në atë kohë federata, atëherë është çështje teknike, zëvendësohet emri dhe vazhdohet”, tha Osmani.

    Osmani më tutje ka bërë të ditur për KosovaPress se kanë kontaktuar me UEFA-në dhe nga ana e tyre iu është konfirmuar se nëse licencohen, do të marrin vendin e Dukagjinit për të luajtur në Ligën e Konferencës.

    “Këtë na e ka konfirmuar edhe UEFA dje, sepse kemi pasur komunikim edhe me UEFA-në, i kemi njoftuar paraprakisht për situatën, kështu që besoj që nëse KAS-i vendosë, atëherë ajo është punë e kryer, zëvendësohet emri…Është hera e parë që kemi përvojë të tillë me KAS, sidomos me zyrën e KAS-it në Kosovë, sepse me KAS-in në Lozanë kemi pasur edhe raste të tjera. Unë mendoj që nëse arbitrat e marrin parasysh situatën, zhvillimet dhe aplikimin e rregullave siç është bërë për të gjitha klubet, unë jam shumë optimistë që do të licencohemi.”, ak thënë Osmani.

    Nga burime brenda Federatës së futbollit të Kosovës, KosovaPress mëson se vendimi që do të merret nga Komisioni i Arbitrazhit Sportiv, çoftë ai edhe për në favor të Prishtinës, nuk nënkupton që direkt rikthimin e Prishtinës në garat evropiane të sezonit të ardhshëm. Sipas këtyre burimeve, kjo pastaj do t’i takojë UEFA-s që të vendosë nëse klubi bardh e kaltër do ta zë vendin e Dukagjinit automatikisht.

    KosovaPress ka dërguar e-mail në UEFA për të kërkuar sqarim rreth kësaj çështje, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marr përgjigje nga ana e tyre.

    Në shortin e tërhequr të martën, është mësuar se Dukagjini do të ballafaqohet me skuadrën Europa nga Gjibraltari në rundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës dhe nëse Prishtina licencohet, atëherë mund zë vendin e skuadrës nga Klina në këtë kompeticion dhe të luaj pikërisht ndaj këtij kundërshtari.

    Ndryshe, në edicionin 2022/23 të Superligës së Kosovës, Prishtina përfundoi në vendin e pestë, kurse Dukagjini në të katërtin, por meqenëse skuadra nga kryeqyteti e fitoi Kupën e Kosovës, atëherë siguron pjesëmarrjen në garat evropiane duke lënë jashtë skuadrën e vendit të katërt.

  • Kualifikimet e Ligës së Kampionëve/Strugën e pret ferri, Ballkani me fat

    Kualifikimet e Ligës së Kampionëve/Strugën e pret ferri, Ballkani me fat

    Asi që dje u hodh shorti për raundin e parë kualifikues drejt Ligës së Kampionëve, sot u hodh shorti edhe për raundin e dytë të kualifikimeve të kësaj gare.

    Ekipi shqiptar, Struga në rast fitoreje ndaj Zalgiris Vilnius, në raundin e dytë të këtyre kualifikimeve e pret ferri, ku do të përballet me gjigantin turk, Galatasaray, raporton KosovaPress.

    Ndërkaq, fati si duket i ka buzëqeshur kampionit kosovar, Ballkanit i cili në rast fitoreje ndaj Ludogorets do të përballet me fituesin e ndeshjes mes Olimipija Ljubjanas dhe Valmieras.

    Zalgiris Vilnius/Struga – Galatasaray

    Ballkani/Ludogorets – Olimpija Ljubljana/Valmiera

     

  • “Ulkonja e Moravës”, kampione e botës në Muay Thai

    “Ulkonja e Moravës”, kampione e botës në Muay Thai

    Shqiptarja Joana Kiptiu e cila ndryshe njihet si “Ulkonja e Moravës” dhe mban gjithsej 6 tituj në Muay Thai, pas tre dite ka ndeshjen në Francë, për titullin kampion Evrope.

    Në një intervistë virtuale për emisionin e mëngjesit ”Alarm”, në ATV, ajo foli për përgatitjet që po bënë si dhe synimet në karrierë.

    “Ndeshja do të zhvillohet në Francë dhe kundërshtarja është franceze dhe ajo është kampione momentalisht. Normalisht është sfiduese por unë i pëlqej sfidat dhe për këtë arsye edhe e kam zgjedhur këtë sport, që natyrisht kam pasur mbështetjen e familjes, posaçërisht të mamit tim. Jam gjithmonë aktive, nuk shkëputen asnjëherë nga stërvitja dhe për këtë ndeshje kam gati një muaj që po stërvitem dhe e kam studiuar këtë kundërshtare me të gjithë profesorët e mi”, tha ajo.

    “Kam një qellim që në një të ardhme të afërt të shkojë në Thailand, atje ku ka lindur ky sport dhe të ndeshem atje”, shtoi tutje ajo.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • ​Sermaxhaj: Nuk është koha për trajner vendor në krye të Kosovës

    ​Sermaxhaj: Nuk është koha për trajner vendor në krye të Kosovës

    Posti i trajneri të Kombëtares së Kosovës tashmë është i lirë. Megjithëse Trajneri francez Alain Giresse është shkarkuar nga Federata e Futbollit të Kosovës pak orë pas humbjes së papritur nga Bjellorusia në kuadër të kualifikimeve për në Kampionatin Evropian 2024.

    Duke e vlerësuar si të duhur vendimin e FFK-së për t’i ndarë rrugët me Giressen, analisti Genc Sermaxhaj, thotë për KosovaPress se gabimi i madh nga federata u bë në momentin e emërimit të francezit në krye të Kosovës.

    “E dimë që shpresat e të gjithëve kanë qenë që Kosova të ketë paraqitje dhe rezultate më të mira në Euro 2024 duke i parë edhe kombëtaret e tjera të cilat ishin në grup, mirëpo maksimumi i përfaqësueses sonë ishte kaq duke u bërë disa gabime që nga fillimi, së pari me përzgjedhjen e trajneri Giresse të cilin krerët e federatës e përzgjodhën që ai të jetë në krye të përfaqësueses dhe më pas gabimet e tij në idenë, lojën, përzgjedhjen dhe në ekipin startues dhe ata që i kanë zëvendësuar startuesit”, tha Sermaxhaj.

    Sermaxhaj e konsideron si të vonshëm ndërprerjen e bashkëpunimit me Giressen, pasi, sipas tij, ai është dashur të largohet menjëherë pas ndeshjeve të Ligës së Kombeve vitin e kaluar.

    “Në fakt është dashur që në fillim të shihet profili i trajneri dhe të vendoset për të se a duhet të jetë përzgjedhës i Përfaqësueses së Kosovës apo jo. Më pastaj është dashur që rezultatet e tij të shihen mirë në Ligën e Kombeve sepse mendoj që aty trajneri është dashur të shkarkohet që të mos vazhdohet me të për kualifikimet e Euro 2024 sepse edhe aty Përfaqësuesja e Kosovës nuk ka pasur nuk ka pasur paraqitje dhe rezultate të mira, nuk ka pasur lojë të mirë e as përzgjedhje të mirë të futbollistëve dhe të gjitha këto kanë bërë që, sipas meje, me të nuk është dashur të vazhdohet në kualifikimet e Euro 2024”, theksoi Sermaxhaj.

    Në lidhje me përzgjedhjen e re që duhet ta bëjë Federata e Futbollit, Sermaxhaj thotë se edhe më tutje nuk është koha që një trajner vendor të jetë në krye të ekipi përfaqësues, por duhet një trajner i kalibrit evropian, me ide të futbollit modern.

    “Unë nuk mendoj që është koha ta kemi një trajner vendor për të ardhmen sepse, pa dashur t’i nënçmoj, unë e di që kemi trajner të mirë në futbollin tonë, por, për nivelin e futbollistëve që ne e kemi, mendoj që duhet të jetë një trajner ri, një profili evropian, një trajner që është me ide të reja të futbollit modern… Unë mendoj që një profil i trajnerit inteligjent, trajner ri cili ka kohë për të përzgjedhur futbollistët, një trajner i cili mbase jo shumë ta njohë mentalitetin tonë, por e rëndësishme është ta njeh lojën e futbollit, metodat e reja, siç aplikojnë trajnerët e mëdhenj si Guardiola, Klopp e Tuchell, pra një trajner bashkëkohor”, tha Sermaxhaj.

    Për rezultatet negative të Kosovës në kualifikimet për Euro 2024, Sermaxhaj ka fajësuar edhe lojtarët, duke thënë se ata nuk kanë treguar vullnet dhe dëshirë për të fituar.

    “Natyrisht se edhe futbollistët kanë një pjesë të përgjegjësisë për mos rezultatet e mira, sepse ata janë që performojnë në fushe me udhëzimet që i jep kryetrajneri. Por tani, këta janë futbollistët që i kemi, e më të mirë se këta nuk kemi. Kështu që është rrezik i madh nëse mendohet që të startojnë apo të luajnë dikush tjetër sepse këta i kemi më të mirët. Është një problem, por një ide e re, një mënyrë e re e lojës, një nxitje më e madhe për angazhim, për dëshirë për fitore,, për ta djersitur fanellën e Kosovës, mendoj se mund të kemi rezultate më të mira në të ardhmen.”, tha Sermaxhaj.

    Sa i përket trajneri të ri, FFK nuk ka bërë të ditur se kur do ta emërojë atë, por se ka paralajmëruar reforma të thella brenda kombëtares. /kp