ATV

Category: SPORT

  • Zhvillohet trajnimi ndërkombëtar për trajnerë të basketbollit i organizuar nga Kolegji AAB dhe Federata e Basketbollit të Kosovës

    Zhvillohet trajnimi ndërkombëtar për trajnerë të basketbollit i organizuar nga Kolegji AAB dhe Federata e Basketbollit të Kosovës

    Është mbajtur trajnimi ndërkombëtar për trajnerë të basketbollit i organizuar nga Kolegji AAB dhe Federata e Basketbollit të Kosovës. Ky trajnim u mbajt me dy ligjëruesit që janë trajnerë të njohur nga SHBA – Brad Soderberg dhe Evropa – Luca Palumbo.

    Të pranishëm në këtë trajnim ishin një numër i madh i trajnerëve të klubeve të basketbollit nga tërë Kosova dhe të gjitha kategoritë, si dhe studentët e Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Sportit të Kolegjit AAB.

    Trajnerët sollën përvojat dhe teknikat bashkëkohore të trajnimit nga basketbolli, ndërsa dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Sportit Fatmir Pireva ligjëroi tema rreth qasjes shkencore dhe aplikimit të metodologjive të reja për sportin e basketbollit. Të gjithë pjesëmarrësit u pajisën me certifikata në fund të trajnimit.

  • ​Historike/ Katër arbitra shqiptarë ndajnë drejtësinë në ndeshjen e Ligës së Kampionëve

    ​Historike/ Katër arbitra shqiptarë ndajnë drejtësinë në ndeshjen e Ligës së Kampionëve

    Arbitrat shqiptarë vazhdojnë të ngjisin shkallët e karrierës në arenën ndërkombëtare dhe së fundmi një lajm i mirë vjen nga UEFA. Për herë të parë në histori, një katërshe arbitrash shqiptarë do të gjykojnë një ndeshje të fazës së grupeve në kompeticionin më të rëndësishëm për klube, Ligën e Kampionëve.

    Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se arbitrat Enea Jorgji, kryesor, asistentët Denis Rexha e Ridiger Çokaj, si edhe Florian Lata si arbitër i katërt, do të drejtojnë ndeshjen e Grupit G, Young Boys-Leipzig, që do të luhet më 19 shtator në Zvicër.

    Ky është një tjetër lajm i shkëlqyer dhe një sukses për arbitrimin shqiptar dhe Federatën Shqiptare të Futbollit, që marrin një vlerësim të tillë nga UEFA. Kjo vërteton edhe një herë rritjen e arbitrimit shqiptar dhe përfaqësimin në nivele të larta të skenës së futbollit europian e botëror.

    Enea Jorgji është promovuar nga Komiteti i Arbitrave në UEFA në kategorinë e parë, ndërsa me paraqitjet e tij në Europë, synon që shumë shpejt të arrijë në kategorinë më të lartë të arbitrimit “Elite”, që në fakt është edhe objektivi për të gjithë ata që fillojnë profesionin e arbitrit.

    Në të kaluarën arbitrat shqiptare kanë drejtuar ndeshje ndërkombëtare të niveleve eliminatore apo edhe miqësore ndërkombëtar të rëndësishme, por jo ndeshje të fazës së grupeve të UEFA Ligës Kampionëve.

  • Kualifikimi në Evropian – Shqipëria do të marrë miliona euro nga UEFA

    Kualifikimi në Evropian – Shqipëria do të marrë miliona euro nga UEFA

    Ndeshjet kualifikuese të Euro 2024 nuk janë thjesht një luftë për të marrë pjesë në ndeshjet direkte të Euro 2024, por edhe një betejë për të fituar sa më shumë të ardhura.

    Në total, për ekipet pjesëmarrëse do të shpërndahen 371 milionë euro, ndërkohë gjatë edicionit të mëparshëm kjo shifër ishte 301 milionë.

    Shqipëria me pozitat që ka aktualisht dhe duke parë ndeshjet e mbetura në Grupin E, është pranë prerjes së një bilete për në finalet e këtij kompeticioni.

    Dhjetë pikë dhe kryesuese në grup, kuqezinjve u mjaftojnë vetëm 5 pikë në tri ndeshjet e mbetura për të parë veten në Gjermani qershorin e ardhshëm, teksa do të përballet me Çekinë në muajin tetor, ndërsa në nëntor dy sfidat e tjera me Moldavinë në transfertë.

    Kombëtarja që arrin kualifikimin në Evropian, do të marrë plotë 9.25 milionë euro. Ndërkaq përfitimet nuk do të ndalen me kaq.

    Kombëtaret do të shpërblehen edhe për çdo fitore në grupe dhe kalimet në fazat e radhës.

    1.5 milionë euro për çdo fitore në grup dhe 750 mijë euro për barazim.

    2 milionë euro për çdo kombëtare që kalon në raundin e 1/16-ave.

    3.25 milionë euro për çdo kombëtare që arrin në çerekfinale.

    5 milionë euro për çdo kombëtare që arrin në gjysmëfinale.

    7 milionë euro për finalistin që humbet.

    10 milionë euro për fituesin e Euro 2024.

  • ​Osmani: Lokacioni i stadiumit nacional s’është caktuar ende

    ​Osmani: Lokacioni i stadiumit nacional s’është caktuar ende

    Zëvendësministrja e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport ka thënë se Qeveria e Kosovës ka zotuar 250 milionë euro për organizimin e Lojërave Mesdhetarë në Kosovë në vitin 2030.

    Ajo ka thënë se kjo shifër është e ndarë në tri fusha, ku mbi 300 milionë do të shkojnë për përgatitjen dhe ndërtimin e infrastrukturës sportive, ndërsa pjesa tjetër për shpenzime operacionale si dhe 2.5 milionë euro për pagesën që duhet t’i bëhet Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare.

    “Janë 250 milionë euro të zotuara nga Qeveria e Kosovës për këtë organizim. 204 milionë e 337 mijë e 500 euro të ndara për infrastrukturën sportive, 49 milionë e 108 mijë euro për programe dhe shpenzime operacionale për të arritur të organizojmë lojëra të suksesshme në vitin 2030 si dhe janë 2.5 milionë euro për pagesën që duhet t’i bëhet Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare për dhënien e të drejtave ekskluzive Kosovës për organizimin e kësaj ngjarje”, theksoi Osmani.

    Ajo foli edhe për ndërtimin e stadiumit nacional për të cilin tha se duhet të jetë i gatshëm në vitin 2030, por për të cilin tha se ende nuk është caktuar lokacioni dhe se kjo do të bëhet pas studimit të fizibilitetit.

    “Stadiumi nacional, temë dhe projekt ndër vite i përmendur në komunitetin sportiv por edhe më gjerë. Kosova ka pasur dhe ka nevojë për një stadium nacional, andaj tani është futur në kuadër të kësaj platforme, kësaj kornize të cilën duhet të mobilizohemi maksimalisht që të sigurohemi që në vitin 2030 të jetë i gatshëm që të mirëpres sportistët e 26 shteteve anëtare të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare. Sa i përket lokacionit dhe projektit, përgjigjet e kësaj çështje do të na i kthej studimi i fizibilitetit, analizat të cilat do të bëhen, e të cilat do të na tregojnë se ku është vendi ideal për ndërtimin e këtij stadiumi, për shkak se duhet të kemi parasysh që ndërtimi e ka një kosto”, tha Osmani.

    Përveç stadiumit, Osmani theksoi se do të ndërtohen e rinovohen edhe shumë palestra sportive, ndërtohen pishina olimpike si dhe një shteg për biçikleta.

  • Reagimi i federatës rumune pasi u ndërpre ndeshja me Kosovën: Ne s’bëjmë luftëra, s’kemi armë

    Reagimi i federatës rumune pasi u ndërpre ndeshja me Kosovën: Ne s’bëjmë luftëra, s’kemi armë

    Drejtor teknik i Federatës së Futbollit në Rumani, Mihai Stoichita, thotë se ishte i frikësuar e mund të ndërpritet ndeshja të martën mes Kosovës dhe Rumanisë, për shkak të një banderole të shpalosur në shkallët e stadiumit nga tifozët rumunë ku shkruhej se “Kosova është Serbi”, si dhe thirrjeve raciste ndaj shqiptarëve.

    “Mbrëmë po mendoja, Zot, nuk ka mundësi të kemi këtë fat të keq. Po shikoja, ishin zhdukur të gjithë në dhomat e zhveshjes, po mendoja nëse duhet të shkoja edhe unë”, tha ai për mediumin Fanatik në Rumani.

    “Plumbi na kaloi drejt veshit. Ne nuk bëjmë luftëra, nuk kemi armë. Jemi kundërshtarë për 90 minuta, dhe duhet ta respektojmë njëri-tjetrin”, tha ai.

    Ai mendon se mesazhe të tilla nuk kanë vend në stadium, aq më tepër që me anëtarësimin në FIFA dhe UEFA, “jemi pajtuar me rregullat e vendosura nga këto organizata”.

    “Jetojmë në një demokraci. Demokraci nuk do të thotë kaos. Nëse UEFA dhe FIFA i kanë bërë këto ligje, duhet t’i respektojmë”.

    Ndeshja kualifikuese për Kampionatin Evropian 2024 mes Rumanisë dhe Kosovës në Bukuresht u ndërpre për rreth një orë të martën, pasi tifozët vendas bënë thirrje dhe e shpalosën një baner “Kosova është Serbi”.

    Rumania është njëra nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, bashkë me Spanjën, Qipron, Greqinë dhe Sllovakinë, që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

  • Goli i më i bukur i raundit, Asani pretendenti për ta fituar

    Goli i më i bukur i raundit, Asani pretendenti për ta fituar

    UEFA ka publikuar gjatë mbrëmjes një video me 4 golat më të bukur të raundit që kali në ndeshjet eliminatore për kualifikueset e Euro 2024.

    Katër lojtarët të cilët kandidojnë me golat e tyre janë Asani, Joao Felix, Trossard dhe Smorodov. Padyshim që goli i yllit tonë të kombëtares, Jasir Asani, është ai gol që spikat më tepër, pasi pozicioni i vështirë dhe një disatancë shumë e largët, e bën këtë gol tepër të veçantë.

    UEFA ka hapur votimin për të vlerësuar golin më të bukur sipas ndjekësve dhe gjasat janë se lojtari ynë i Shqipërisë ta marrë këtë çmim.

  • Dora e hekurt e UEFA-s, ja dënimi që pritet të marrin rumunët pas thirrjeve nacionaliste

    Dora e hekurt e UEFA-s, ja dënimi që pritet të marrin rumunët pas thirrjeve nacionaliste

    Ndeshja mes Rumanisë dhe Kosovës ka zgjatur rreth tre orë, pasi është ndërprerë që në minutën e 18-të.

    Tifozët vendas shpalosën banderola të shkruara ‘Kosova është Serbi’ dhe bënin thirrje të tilla në kor.

    Kjo ka bërë që gjyqtari kryesor të ndërpresë ndeshjen dhe t’i dërgojë futbollistët në zhveshtore ku qëndruan për 50 minuta.

    Megjithatë ndeshja vazhdoi në fund dhe rumunët ndalën pikët e plota në Arena Nacionala në Bukuresht pasi fituan me rezultat 2-0.

    Por rumunët nuk pritet të shpëtojnë lehtë pasi shtëpia më e madhe e futbollit evropian UEFA do t’i dënojë ata pasi nuk bëjnë tolerime në raste të tilla.

    Rumania rrezikon një dënim me të holla nga 20 mijë deri në 100 mijë euro, por jo vetëm kaq.

    UEFA në raste të tilla kur politika është përzierë në sport vepron me duar të hekurta dhe njësoj duhet të veprojë edhe tani. Rumunët përveç dënimit me të holla pritet t’iu mbyllet edhe stadiumi për një ose dy ndeshje ku ata luajnë ndaj Andorrës dhe Zvicrës.

  • Karateistja 13 vjeçare që numëron rreth 100 medalje

    Karateistja 13 vjeçare që numëron rreth 100 medalje

    87 medalje dhe 90 mirënjohje në sportin e karatesë është përshkrimi më i mirë i suksesit në këtë sport për 13 vjeçaren nga Podujeva.

    Vlera Salihu, hapat e parë i mori në klubin “Podujeva” nga ku u antarësua në moshën 5 vjeçare.

    “Kur i kam pasë 5 vjet, prindërit me kanë çu me ushtru në klubin e karates “Podujeva”. Kam pasë vështirësi në fillim, ndërsa me kalimin e kohës, jam mësu aty. Aq shumë që kam pasë qejf me hy në klub, nuk ka pas ndonjë moment që kam thënë se nuk po mundem me e vazhdu më”, thotë Vlera.

    Krahas suksesit të jashtëzakonshëm, shkollimin nuk e ndali asnjëherë.

    Testi ‘Atom’ ka vërtetuar përkushtimin e 13 vjeçare në shkollë.

    Secila fitore ka ndjesinë e vet, por për Vlera Salihun më e veçanta mbetet paraqitja dhe fitorja e parë.

    Frymëzimi e inspirim për të mos u ndalur me kaq, janë fytyrat kampione të Kosovës.

    E ardhmja e saj do të jetë e ndritur, rruga për të ka filluar, e Vlera premton të punojë vazhdimisht që të sjell edhe të tjera çmime në vendin e saj. /atvlive.tv

    Bisedën e saj të plotë për ATV-në e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Vojvoda kërkon reagimin e FIFA-së pas provokimeve në Rumani

    ​Vojvoda kërkon reagimin e FIFA-së pas provokimeve në Rumani

    Futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Mërgim Vojvoda ishte ai që pati reagimin më të fuqishëm pas ndeshjes ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës e cila përfundoi me humbjen e “Dardanëve” me rezultat 2-0, humbje e cila shuan pothuajse të gjitha shpresat për kualifikim në Euro 2024.

    Tifozët rumun shpalosën banerin “Kosova është Serbi” në pjesën e parë, gjë e cila solli ndërprerjen e ndeshjes për 40 minuta dhe për këtë Vojvoda i ka bërë thirrje FIFA-së që të reagojë për të mos lejuar gjëra të tilla në lojën e futbollit.

    Ai përmes një reagimi në “Istagram” ka thënë se Rumania duhet të ndihet e turpëruar për atë që ndodhi në Bukuresht, ndërsa shprehi krenarinë e tij që është shqiptar.

    “Rumani, turp për ju dhe për mënyrën se si mendoni. FIFA të reagojnë në mënyrë që respekti të dominojë në lojë. Krenaria jonë më e madhe është që jemi shqiptar.”, ka shkruar Vojvoda.

  • Kosova nuk ia del me dhjetë lojtarë në fushë – zbehet ëndrra për Euro 2024

    Kosova nuk ia del me dhjetë lojtarë në fushë – zbehet ëndrra për Euro 2024

    Kosova ka pësuar humbjen e dytë në kampanjën kualifikuese për Euro 2024, pasi u mposht në Bukuresht nga Rumania me rezultat 2-0.

    Ka qenë një ndeshje që ka zgjatur thuajse tre orë për shkak të ndërprerjes që ndodhi në fillim të saj.

    Fillimisht ndeshja u ndërpre në minutën e 18-të për shkak të thirrjeve nacionaliste dhe banderolave të llojit ‘Kosova është serbi’.

    Megjithatë pas gati një orësh që gjyqtari i dërgoi futbollistët në zhveshtore ndeshja ka vazhduar.

    Kosova ka pasur dy raste të arta për shënim, me Vedat Muriqin që ishte i pafat pasi topi duke shkuar drejt portës nga vija e largoi një mbrojtës rumun.

    Një rast të artë e kishte edhe Edon Zhegrova në minutën e 40-të, por që goditja e tij shkoi jashtë portës.Megjithatë në minutën e 43-të Dardanët kanë mbetur me një futbollist më pak në fushë pasi Vedat Muriqi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua nga loja.

    Pjesa e parë përfundoi ashtu siç filloi me rezultatin baras 0-0.

    Në pjesën e dytë Dardanët u rikthyen në mbrojtje për ta ruajtur rezultatin dhe në minutën e 59-të vendasit fituan një penallti.

    Megjithatë portieri i Kosovës, Arijanet Muric priti penalltinë e kapitenit të vendasve Christian Stanciu.

    Por në minutën e 83-të ndeshja u zhbllokua, kur Stanciu me një goditje të fuqishme mposhti Aro Muric për epërsinë e vendasve 1-0.

    Kosova kishte dy raste të mira shënimi me Loshajn dhe Muslijën, por goditjet e tyre shkuan jashtë.