ATV

Category: SPORT

  • ​Kosova me pesë xhudistë në Grand Slam Baku të Azerbajxhanit

    ​Kosova me pesë xhudistë në Grand Slam Baku të Azerbajxhanit

    Ekipi kosovar i xhudos i rikthehet nesër aksionit në garat ndërkombëtare, respektivisht në Azerbajxhan.

    Kosova do të paraqitet me pesë xhudistë në Baku të Azerbajxhanit, ku edhe do të mbahet edicioni i radhës i Grand Slam-it nga data 22 deri më 24 shtator, raporton KosovaPress.

    Kosovën do ta përfaqësojnë Distria Krasniqi në kategorinë deri në 52 kilogramë, Nora Gjakova në kategorinë deri në 57 kilogramë, Laura Fazliu në kategorinë deri në 63 kilogramë, Loriana Kuka në kategorinë deri në 70 kilogramë dhe Akil Gjakova në kategorinë deri në 73 kilogramë.

    Distria dhe Nora Gjakova luajnë nesër, kurse Fazliu, Kuka e Akil Gjakova do të ndeshen pasnesër, respektivisht të shtunën.

    Së bashku me xhudistët tanë kanë udhëtuar edhe trajnerët Majlinda Kelmendi dhe Fatos Tabaku.

    Në Grand Slamin e Bakus do të marrin pjesë 5 kontinente, 62 shtete dhe 452 garues.

  • Stadiumi i Suharekës, publikohet projekti

    Stadiumi i Suharekës, publikohet projekti

    Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj në profilin e tij zyrtar në “Facebook” ka publikuar projektin për stadiumin e qytetit.

    Pas asaj që deklaroi së fundmi ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, që komuna e Suharekës duhet të ketë projektin dhe lokacionin e gatshëm për stadium, reagimi i Muharremajt ishte i shpejtë, raporton KosovaPress.

    Muharremaj zbuloi se ekziston lokacioni si parcelë katastrale në sipërfaqen 16 hektar, që është miratuar nga PZHK dhe HZK.

    Stadiumi i Suharekës pritet të jetë i kategorisë 4 me kapacitet afro 17 mijë ulëse.

    Ndërkaq, Muharremaj tha se i mirëpret zyrtarët nga MKRS për të vazhduar me procedurat e tjera.

  • ​Shaqiri ndëshkohet me të kuq në ndeshjen Çikago-Kolumbus

    ​Shaqiri ndëshkohet me të kuq në ndeshjen Çikago-Kolumbus

    Ishte një lojë për t’u harruar për Xherdan Shaqirin në ndeshjen e Chicago Fire kundër Columbus.

    Skuadra humbi me rezultat 3-0 dhe Shaqiri është përjashtuar pas 67 minutave lojë. Por jo për shkak të një zëvendësimi, por për shkak të dy kartonëve të verdhë pas dy ndërhyrjeve të gabuara, përcjellë KosovaPress.

    Për Shaqirin ishte vetëm ndëshkimi i dytë në karrierë me karton të kuq. Ta parin ai e mori dymbëdhjetë vjet më parë, kur ishte lojtar i Baselit kundër Spartak Moskës në Ligën e Evropës.

    Pavarësisht humbjes, Çikago nuk i ka humbur ende shpresat e saj në playoff, pavarësisht pesë ndeshjeve pa shënuar. Diferenca me vendin e fundit në playoff është tre pikë. Kanë mbetur edhe pesë ndeshje për t’u zhvilluar.

    Replay of Xherdan Shaqiri Red Card vs Columbus Crew #cf97 pic.twitter.com/KWdZbifp3T

    — Gabrieledegiorgi (@deggio452) September 21, 2023

  • ​Edicioni i ri në basketboll, parashikohet garë e fortë mes “Top 4”

    ​Edicioni i ri në basketboll, parashikohet garë e fortë mes “Top 4”

    Të premten do të nisë edicioni i ri garues i Superligës së Kosovës në basketboll, me tetë skuadrat pjesëmarrëse që veçse testuan kapacitetet e tyre në finalet e Superkupës së Kosovës, e cila në fund i takoi Trepçës.

    Njohësit e basketbollit vendorë konsiderojnë se pjesa e epërme e tabelës do të ketë pamjen e njëjtë më atë të sezonit të kaluar, me Trepçën, Pejën, Prishtinën dhe Golden Eagle Yllin si skuadrat që synojnë titullin e kampionit.

    Trajneri dhe analisti Ismet Ferati thotë për KosovaPress se Trepça është skuadra më e përgatitur në prag të sezonit të ri, derisa vlerëson se përbërjen më të fortë në organikë e ka Golden Eagle Ylli.

    “Dihet që këtu Peja, Trepça, Prishtina dhe Ylli janë ekipe më stabile dhe më serioze, ndërsa pas tyre mendoj që do të jenë Prizreni, Bashkimi dhe Vëllaznimi të cilat do të luftojnë për vendet pesë dhe gjashtë që shkojnë në play-off edhe si ekipin e tetë e shoh Istogun i cili fatkeqësisht edhe pse është sezoni i parë e kemi parë që me përforcime nuk janë mirë… Unë si rival shumë të denjë e shoh ekipin e Yllit sepse në gjysmëfinale kam parë që ‘rosterin’ e kanë shumë serioz dhe trajnerin shumë të mirë dhe me përvojë. Tek Peja, nuk e kamë parë ende komponimin e ekipit edhe pse trajneri Hadar së bashku me trajnerin Beqiragic janë trajnerët më të mirë në basketbollin e Kosovës, problemi i tyre do të jetë komponimi… Prishtina është gjithmonë pretendente për titull, ende nuk e kemi parë Prishtinën e vërtetë… Ndërsa Trepçën prapë e shoh si ekipin më të përgatitur në fillim të kampionatit”, theksoi Ferati.

    Edhe për ish-basketbollistin Valentin Spaqi, ajo që njihet si “Top 4” (Trepça, Peja, Prishtina, Golden Eagle Ylli) do të luftojnë deri në fund për titull, por bën thirrje që të mos nënvlerësohen edhe Bashkimi e Vëllaznimi.

    “Duke parë investimet, organizimet, Prishtina ka filluar shumë herët, Trepça ka filluar shumë herët, Peja po ashtu, do të thotë prapë katërshja e madhe, duke shtuar edhe Yllin këtu, po ndahet disi tabela. Këto janë katër skuadra që do të synojnë mendoj nga fillimi, pastaj aty është Bashkimi, Vëllaznimi, kjo pjesa e poshtme e tabelës ku unë mendoj që normalisht edhe ato nuk janë skuadra për t’u nënvlerësuar, por kanë filluar më vonë, janë konsoliduar më vonë… Kështu që përafërsisht skuadrat janë definuar dhe pastaj t’i shohim lojërat e para”, tha Spaqi.

    Ndërkohë ish-drejtori sportiv i KB Pejës dhe menaxheri i Përfaqësueses së Kosovës në basketboll, Adriatik Rraci, ka thënë se edicionin 2023/24 në Superligën e Kosovës në basketboll do të jetë shumë më cilësorë se sa ai i viti ta kaluar.

    “Duke i pasur parasysh përforcimet e ekipeve, mirëpo edhe ndeshjet e Superkupës që u zhvilluan tani, po besoj që ekipet janë mjaftueshëm të përgatitura, të gjitha ekipet kanë sjellë lojtarë cilësorë. Po besojmë që tashmë veçse e dimë, ekipet si Trepça. Peja, Prishtina, Ylli edhe po shpresoj shumë Bashkimi, Ponte Prizreni, Vëllaznimi dhe Istogu t’iu bashkëngjiten dhe të tregojnë ndeshje cilësore dhe duke krahasuar me vitin e kaluar, po besoj që Vëllaznimi ka me qenë befasia më e këndshme e sezonit, gjë të cilën presim që edhe Istogu gjatë këtij rrugëtimi të përforcohet dhe të jetë njëri nga konkurrentët e kësaj lige”, tha Rraci.

    Sa i përket çështjes së prezencës së tifozëve në palestra, Rraci bëri të ditur se po vazhdojnë diskutimet brenda Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe se së shpejti do të merret një vendim nëse ata do të lejohen në ndeshjet e basketbollit apo jo.

  • ​Ballkani përballet sot me Viktoria Plzen në grupet e Ligës së Konferencës

    ​Ballkani përballet sot me Viktoria Plzen në grupet e Ligës së Konferencës

    Do të nis sot aventura e Ballkani në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

    Kampioni i Kosovës do të luaj në Republikën e Çekisë kundër nikoqirëve, Viktoria Plzen, raporton KosovaPress.

    Për këtë ndeshje, trajneri Ilir Daja tha të mërkurën në konferencë për media se vendasit janë favorit absolut, por që lojtarët e tij janë përgatitur për të bërë diçka të mirë në këtë ndeshje.

    Në grupin C, bëjnë pjesë edhe dy skuadra të tjera të forta si Dinamo Zagrebi dhe Astana.

    Ndeshja nis nga ora 21:00.

  • UEFA e dënon “but” Rumaninë, veç një lojë pa shikues dhe gjobë 52 mijë euro

    UEFA e dënon “but” Rumaninë, veç një lojë pa shikues dhe gjobë 52 mijë euro

    UEFA e ka marrë vendimin për incidentet që ndodhën në ndeshjen Rumani – Kosovë, e vlefshme për kualifikimet e Euro 2024.

    Komisioni Disiplinor i UEFA-s e ka dënuar Rumaninë me zhvillimin e një ndeshjeje si vendëse pa shikues, atë ndaj Andorrës, si rezultat i skandalit të publikut rumun, i cili e shpalosi pankartën “Kosova është Serbi” dhe për thirrjet e tifozëve “Serbia Serbia”.

    Ndërkohë, Federata Rumune është gjobitur me 52 mijë euro për parregullsitë që u shfaqën në këtë ndeshje.

    Ky pa dyshim është një dënim i “butë” për rumunët.

  • ​UEFA pritet të marrë sot vendim për incidentin në ndeshjen Rumani-Kosovë

    ​UEFA pritet të marrë sot vendim për incidentin në ndeshjen Rumani-Kosovë

    Ndeshja mes Rumanisë dhe Kosovës ishte ndërprerë për afro 50 minuta për shkak të banerit të shfaqur ku shkruhej “Kosova është Serbi!”.

    Edhe pse ndeshja u ndërpre, dhe gjyqtari dërgoi të dy kombëtaret në zhveshtore, u vendos që dueli të vazhdojë, ku më pas Rumania e mposhti Kosovën 2:0, raporton KosovaPress.

    Tani, siç bëhet e ditur nga “FANATIK”, incidentet në ndeshjen mes Rumanisë dhe Kosovës do të gjykohen nga UEFA sot.

    Komisioni Disiplinor i UEFA-s ka nisur hetimet për diskriminim dhe racizëm në ndeshjen që u zhvillua në “National Arena”.

    Dënimi më i rëndë që Rumania mund ta merr nga UEFA është që të luajë një ndeshje si vendas me stadiumin gjysmë të mbyllur, por mund të jetë edhe më keq për rumunët.

    Në rastin më ekstrem, UEFA mund të vendosë që fitorja t’i jepet Kosovës me shifrat 3:0, por ky vendim shihet si i vështirë për tu marrë sepse ndeshja kishte rifilluar dhe ishte zhvilluar deri në fund.

  • ​Inzaghi merr lajm të keq para sfidës me Real Sociedadin

    ​Inzaghi merr lajm të keq para sfidës me Real Sociedadin

    Lajme jo të mira për Simone Inzaghin para ndeshjes së nesërme të skuadrës së tij, Interit kundër Real Sociedadit.

    Interi do të jetë nesër pa shërbimet e mesfushorit, Hakan Calhanoglu në ndeshjen si mysafirë i Real Sociedadit në Ligën e Kampionëve, raporton KosovaPress.

    Arsyeja e mungesës së Calhanoglut do të jetë një lëndim në kofshën e tij të majtë.

    “Hakan Calhanoglu nuk do të jetë i gatshëm për Simone Inzaghin për ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Real Sociedadit për shkak të një lodhjeje në kofshën e majtë”, shkruante në komunikatën e Interit.

    Tani Inzaghit do t’i duhet të mendojë për zgjidhjen më të mirë për ta zëvendësuar Calhanoglun. Kristjan Asllani shihet si favoriti për ta zëvendësuar ish-mesfushorin e Bayer Leverkusenit.

  • Fundi i një epoke plot magji në Ligën e Kampionëve

    Fundi i një epoke plot magji në Ligën e Kampionëve

    Liga më prestigjioze evropiane, ajo e Ligës së Kampionëve, do t’i rikthehet sot aksionit, ku do të zhvillohen ndeshjet e para të fazës së grupeve të sezonit të ri 2023/24.

    Skuadra të shumta e nisin aventurën për titullin e madh të Ligës së Kampionëve, ndërsa për Manchester Cityn do të jetë sfida për ta mbrojtur titullin e kampionit të kësaj gare, raporton KosovaPress.

    Por, Liga e Kampionëve e këtij edicioni nuk do të jetë e njëjtë sikurse ajo e sezoneve të kaluara, pasi do të mungojë magjia e dyshes, Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi.

    Ky do të jetë sezoni i parë i Ligës së Kampionëve pa Ronaldon dhe Messin që prej 2002/03, pas plot 20 sezoneve rresht që të paktën njëri prej tyre u paraqit në këtë garë.

  • FIFA lavdëron strategjinë e FFK-së për futbollin e femrave

    FIFA lavdëron strategjinë e FFK-së për futbollin e femrave

    Muajin e ardhshëm, Federata e Futbollit të Kosovës planifikon të lansojë strategjinë e futbollit për femra. FFK ka punuar me FIFA-n për hartimin e kësaj strategjie që nga tetori i vitit 2022, teksa punëtoria e fundit e FIFA-s në Prishtinë, ishte një tjetër moment historik i rëndësishëm, shkruan Fifa.com lidhur me punëtorin e mbajtur ditë më parë në ‘Emerald’.

    Shkalla në të cilën futbolli i femrave është zhvilluar pozitivisht në vitet e fundit u demonstrua qartë në Kupën e Botës të Femrave të FIFA-s në Australi dhe Zelandë të Re 2023™ të këtij viti. Rreth tetë debutues ishin në mesin e 32 kombeve pjesëmarrëse, rekorde të shumta u thyen dhe parashikimi i presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino para turneut për “Kupën e Botës më të mirë të FIFA-s për femra” ishte i padiskutueshëm. Futbolli i femrave po lulëzon!, shkruan FIFA.com.

    Kjo reflektohet në faktin se 88 për qind e federatave anëtare të FIFA-s kanë një strategji të futbollit për femra, ndërsa në listë së shpejti do të shtohet edhe një anëtare tjetër, Federata e Futbollit të Kosovës, shkruan tutje shtëpia e futbollit botëror në një artikull kushtuar strategjisë së FFK-së për futbollin e femrave.

    “Pas disa muajsh bashkëpunimi për një strategji të re të futbollit të femrave me FFK-në, u mbajt një punëtori në Prishtinë me palët kryesore të interesuara për të prezantuar gjetjet e deritanishme dhe për të marrë informacione të mëtejshme përpara finalizimit të strategjisë”, shpjegoi Sue Ronan për FIFA.com, konsulente teknike e FIFA-s për futbollin e femrave.

    “Të pranishëm ishin një përzierje e administratorëve, lojtareve dhe trajnerë të klubeve dhe kombëtareve, përfaqësues nga pushteti vendor dhe Komiteti Olimpik, si dhe stafi nga çdo departament brenda federatës. U zhvillua një ditë produktive diskutimi dhe idesh, e cila përfundimisht përcaktoi dhe prioritizoi qëllimet afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata të nevojshme për zhvillimin dhe rritjen e futbollit të femrave në Kosovë”, shtoi Sue Ronan.

    FFK-ja ka punuar me FIFA-n që nga tetori 2022 për të zhvilluar strategjinë e përmendur nga Ronan, e cila do të lansohet me një ngjarje të madhe muajin e ardhshëm.

    “Bashkëpunimi ynë me FIFA-n ka qenë i rëndësishëm në krijimin e strategjisë së parë të futbollit për femra”, tha Sanije Krasniqi, shefe e edukimit të trajnerëve në FFK dhe përzgjedhëse e ekipit kombëtar U-17 të Kosovës për femra.

    “Punëtoria e fundit shënoi një moment historik të rëndësishëm, duke bashkuar jo vetëm kolegët tanë, por edhe akterët tanë të rëndësishëm. Ky takim gjithëpërfshirës përfshiu si partnerët tanë të besueshëm nga e kaluara, ashtu edhe ata me të cilët do të vazhdojmë përpara për të pasuruar më tej peizazhin e futbollit të femrave për të gjitha gratë dhe vajzat e talentuara në Kosovë në të ardhmen”, shtoi Krasniqi.

    Gjatë seminarit, FFK-ja prezantoi vizionin e saj strategjik dhe caktoi secilin pjesëmarrës në një shtyllë specifike bazuar në përvojën dhe ekspertizën e tyre profesionale. Kjo qasje lejoi diskutime të gjera dhe prezantimin e njohurive dhe sugjerimeve të reja.

    “Strategjia jonë fokusohet në bërjen e futbollit si sporti më popullor dhe më i aksesueshëm për të gjithë. Ne synojmë ta arrijmë këtë duke promovuar pjesëmarrjen, zhvillimin teknik dhe konkurrencën ndërkombëtare”, shpjegoi Valbona Gashi, shefe e Futbollit të Femrave në FFK.

    “Për të rritur pjesëmarrjen, ne duhet të adresojmë barrierat sociale dhe të ndryshojmë perceptimet. Qëllimi ynë është të rrisim edukimin e futbollit në shkolla, klube dhe institucione arsimore, duke bashkëpunuar me organizata dhe institucione sportive. Ne e vlerësojmë mbështetjen e FIFA-s dhe i falënderojmë për kontributin e tyre, veçanërisht mentorët tanë Sue dhe Arbenita (Morina). Së bashku, ne mund ta bëjmë realitet këtë vizion”, shtoi ajo.

    Deklaratat e Valbona Gashit janë në përputhje me një nga objektivat kryesore strategjike të FIFA-s, në të cilën të gjitha federatat anëtare të FIFA-s kanë strategjinë e tyre gjithëpërfshirëse të futbollit për femra. FIFA dëshiron të rrisë futbollin e grave, të përfshijë në faza të hershme më shumë vajza në futboll, të mbajë më shumë gra në këtë sport për kohë më të gjatë dhe ta promovojë atë edhe më mirë, duke e përdorur futbollin më shumë për të mbështetur kauzat sociale.

    “Futbolli i femrave në Kosovë po përjeton një rritje të dukshme. Me zhvillimin e një strategjie të dedikuar për futbollin e femrave, ne jemi gati që jo vetëm ta njohim këtë potencial, por edhe ta ushqejmë dhe ta dërgojmë atë në drejtimin e duhur”, tha Albina Rrahmani, menaxhere e Grassroots dhe përzgjedhëse e ekipit kombëtar U-19 të Kosovës për femra.