ATV

Category: Sport

  • ​Malisheva barazon me skuadrën e Faruk Statovcit

    ​Malisheva barazon me skuadrën e Faruk Statovcit

    Skuadra e Malishevës ka barazuar në ndeshjen e sotme miqësore me skuadrën e trajnerit Faruk Statovci, FC Phoenix.

    Pas 90’ minutave lojë të zhvilluara në stadiumin në Vitomiricë, Phoenix ka barazuar 2:2 me Malishevën, raporton KosovaPress.

    Malisheva ishte në epërsi 2:0 pas pjesës së parë, ndërsa Phoenix arriti të rikthehej në lojë në pjesën e dytë, kur edhe gjeti golat e barazimit përmes Festim Krasniqit dhe Enbija Shehut.

    Rezultati final, 2:2.

  • ​Prishtina e mposht Prishtinën e Re

    ​Prishtina e mposht Prishtinën e Re

    Prishtina e ka fituar ndeshjen e parë miqësore të këtij viti, të cilën e zhvilloi kundër Prishtinës së Re.

    Në stadiumin “Flamurtari”, Prishtina e mposhti Prishtinën e Re me rezultat solid 2:0, raporton KosovaPress.

    Golat për skuadrën e Emmanuel Egbos i shënuan Hyseni (minuta e 8’) dhe Pefqeli (minuta e 28’).

    Po ashtu, Egbo provoi të gjithë futbollistët që i kishte në dispozicion, ndër ta edhe dy lojtarë të huaj që gjenden në prova te Prishtina.

    Rezultat final, 2:0 në favor të Prishtinës.

  • ​Llapi i fortë për Ulpianën

    ​Llapi i fortë për Ulpianën

    Sot u zhvillua ndeshja miqësore mes Ulpianës dhe Llapit, ku ky i fundit ka shënuar fitore bindëse si mysafirë.

    Pas plot 90’ minutave lojë të zhvilluara në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, Llapi e ka mposhtur Ulpianën 4:2, raporton KosovaPress.

    Golat për skuadrën e Tahir Batatinës i shënuan Muhamet Hyseni (minuta e 37’), Trimror Selimi (minuta e 67’), Mërgim Cërnavërni (minuta e 82’) dhe Arbër Bytyqi (minuta e 89’).

    Rezultati final, 4:2 në favor të Llapit.

  • Kosova dhe Shqipëria opsion i dytë, Diant Ramaj: Jam duke pritur Gjermaninë

    Kosova dhe Shqipëria opsion i dytë, Diant Ramaj: Jam duke pritur Gjermaninë

    Një nga portierët që vlerësohet me të ardhme të ndritur, Diant Ramaj gjatë një interviste për mediat e huaja ka treguar për bisedimet me Kombëtaren e Kosovës dhe Shqipërisë.

    Por, portieri i Ajaxit tregon se përkundër interesimit nga FFK-ja dhe FSHF-ja, objektivi i tij është Kombëtarja e Gjermanisë.

    “Kosova dhe Shqipëria tashmë më janë afruar. Unë u thashë që kam nevojë për kohë, gjithashtu sepse shpresoj dhe pres Gjermaninë”, u shpreh Ramaj.

    22-vjeçari gjatë këtij sezoni në Eredivisie ka zhvilluar 10 ndeshje, ka pranuar 13 gola dhe ka mbajtur tre herë portën e paprekur.

    Portieri shqiptar u transferua te Ajaxi gjatë verës së vitit të kaluar nga Eintracht Frankfurt për pesë milionë euro.

  • ​Një tifoz i Romës theret me thikë pas ndeshjes me Lazion

    ​Një tifoz i Romës theret me thikë pas ndeshjes me Lazion

    Mbrëmjen e djeshme Lazio dhe Roma janë përballur me njëri-tjetrin në çerekfinalet e Kupës së Italisë. Skuadra e Sarrit fitoi, ndërsa e Mourinhos u eliminua. Krahas ndeshjes, megjithatë, ka pasur edhe disa përplasje mes tifozëve të dy skuadrave.

    Corriere della Sera raporton se një tifoz i Romës është goditur me thikë nga disa tifozë të Lazios, të cilët kanë bërë një pritë në një lokal në zonën e Pratit (jo shumë larg Olimpico-s) rreth katër orë pas përfundimit të ndeshjes.

    Viktima, një tifoz 31-vjeçar, tani është shtruar në spital por jeta e tij nuk është në rrezik. Gjatë pritës në lokal ka mbetur i plagosur edhe pronari i lokalit, derisa policia po heton se çfarë ka ndodhur, përcjellë KosovaPress.

    Tifozët e Romës tentuan të përplaseshin me tifozët e Lazios edhe nga zona të tjera (Piazza Mancini dhe Viale Pinturicchio), por policia ia doli që të mos lejonte konfrontim ndërmjet tifozëve. Tre tifozë të Romës u ndaluan dhe u dërguan në komisariat .

  • Ish-trajneri i Anglisë: Jam me kancer, më ka mbetur vetëm edhe një vit jetë

    Ish-trajneri i Anglisë: Jam me kancer, më ka mbetur vetëm edhe një vit jetë

    Ish-trajneri i Anglisë, Sven-Goran Eriksson, ka thënë se ai është diagnostikuar me kancer dhe se në skenarin më të mirë të mundshëm, ai ka vetëm edhe një vit jetë.

    75-vjeçari e çoi Anglinë në finalet e Kupës së Botës në 2002 dhe 2006, duke humbur në çerekfinale në të dy rastet, si dhe në Euro 2004. Ai gjithashtu trainoi ekipe si Benfica, Roma dhe Manchester City gjatë karrierës së tij prej katër dekadave.

    Në shkurt të vitit të kaluar, ai u largua nga roli i tij në klubin suedez Karlstad për shkak të “çështjeve shëndetësore”.

    “Të gjithë mund të shohin se unë kam një sëmundje që nuk është e mirë, dhe të gjithë supozojnë se është kancer, dhe është. Por unë duhet ta luftoj atë sa më gjatë që të jetë e mundur,” tha Eriksson në një paraqitje në Radio P1 suedeze.

    “Unë e di që në rastin më të mirë është rreth një vit, në rastin më të keq edhe më pak. Ose në rastin më të mirë mendoj edhe më gjatë. Unë nuk mendoj se mjekët që kam mund të jenë plotësisht të sigurt. Është më mirë të mos mendosh për këtë. Ju duhet të mashtroni trurin tuaj. Unë mund të shkoj duke menduar për këtë gjatë gjithë kohës dhe të ulem në shtëpi dhe të jesh i mjeruar dhe të mendosh se jam i pafat dhe kështu me radhë.”, tha ai në fund.

  • ​“Nuk mund ta besoj që e refuzuam Bayernin”, flet agjenti i Dragusin

    ​“Nuk mund ta besoj që e refuzuam Bayernin”, flet agjenti i Dragusin

    Eksperti i transferimeve, Fabrizio Romano e konfirmoi sot se Tottenhami ka arritur marrëveshje me Genoan për transferimin e mbrojtësit Radu Dragusin.

    Tottenhami do t’i paguajë Genoas dëmshpërblim prej 30 milionë eurosh për transferimin e Dragusin, raporotn KosovaPress.

    Saga e transferimit të mbrojtësit rumun për pak sa nuk morri kahje të ndryshme mbrëmë, pasi që në garë u fut edhe Bayern Munichu.

    Këtë gjë e konfirmoi vetë agjenti i lojtarit, Florin Manea, i cili nuk po mund ta besojë se klienti i tij e refuzoi Bayernin.

    “Nuk mund ta besojë që ne e refuzuam Bayernin. Radu i dha fjalën e tij Tottenhamit dhe zgjodhi ta respektonte atë. Jemi ende të habitur paksa”, tha Manea.

  • Rikthimi i Muriqit në fushën e blertë, gjithnjë e më afër

    Rikthimi i Muriqit në fushën e blertë, gjithnjë e më afër

    Vedat Muriqi po shkon me hapa të sigurt drejt rikthimit në fushën e blertë.

    Ylli kosovar i është bashkuar ekipit të Mallorcës në stërvitje, që nënkupton se rikthimi i tij është gjithnjë e më afër, shkruan mediumi spanjoll “Diario de Mallorca”.

    Sulmuesi prizrenas ishte lënduar më 12 nëntor të vitit të kaluar në ndeshjen Kosovë – Izrael, ndërsa nga ajo kohë, kur kanë kaluar tashmë dy muaj, 29 vjeçari nuk ka mundur të luajë më.

    Edhe pse pritej të rikthehej pas 4 deri në 6 javësh nga tërheqja muskulore që e kishte pësuar në stadiumin “Fadil Vokrri”, lëndimi i tij duket se ishte më i rëndë dhe kërkoi më shumë kohë për t’u rikuperuar.

    E tash, edhe pse u tha që “Pirati” do të rikthehet në muajin shkurt, mund të ndodh që kjo të ndodh më herët.

    Muriqi është lojtari kryesor i Mallorcës dhe mungesa e tij është ndier në ndeshjet e fundit.

    Në dy edicionet e fundit ai e ndihmoi ekipin ishullor të shpëtonte pa rënë nga liga, ndërsa të njëjtën gjë do të mundohet ta bëjë edhe në këtë sezon.

  • Në nder të Messit, Federata e Argjentinës vendos ta tërheq fanellën me numrin 10 kur Leo ta lërë futbollin

    Në nder të Messit, Federata e Argjentinës vendos ta tërheq fanellën me numrin 10 kur Leo ta lërë futbollin

    Federata e Argjentinës në Futboll ka vendosur të heqë nga qarkullimi fanellën me numrin 10 që mban Lionel Messi, kur kapiteni i “Albicelestes” të largohet nga futbolli i luajtur.

    Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga Claudio Tapia, kreu i federatës.

    “Pleshti” kërkon të fitojë një tjetër Kupë të Amerikës me të tijtë dhe për këtë ka lënë grumbullimin me Inter Miamin, duke munguar shtatë takime për ekipin nga MLS, transmeton abcnews.

    “Kur Messi të thotë lamtumirë, nuk do të lejojmë që dikush tjetër të veshë numrin 10 pas tij. Për nder të tij, fanella me atë numër do të tërhiqet nga përdorimi. Kjo është më e pakta që mund të bëjmë për të”, deklaroi Claudio Tapia, president i Federatës Argjentinase të Futbollit.

  • Tre skuadra italiane të interesuara për Mario Balotellin

    Tre skuadra italiane të interesuara për Mario Balotellin

    Mario Balotelli thuhet se dëshiron të largohet nga Adana Demirspor për një rikthim në Serie A, me Udinesen, Salernitanan dhe Empolin të interesuar.

    33-vjeçari është nën kontratë në Turqi vetëm deri më 30 qershor, megjithëse ekziston edhe një opsion për ta vazhduar qëndrimin edhe një vit.

    Ai e kishte nisur mirë sezonin me tre gola në pesë ndeshje të Superligës Turke, por më pas iu desh të operohej për një dëmtim në gju në muajin nëntor.

    Sipas mediumit Footmercato, Balotelli është gati të largohet nga Adana Demirspor dhe do të favorizonte një kalim në Serie A, duke shpresuar që të fitonte një vend në skuadrën e Italisë për Euro 2024.

    Janë tre klube që besohet se po vlerësojnë idenë e marrjes së SuperMario-s, me Salernitanën e Pippo Inzaghit një opsion interesant, veçanërisht pasi Boulaye Dia është i lënduar dhe në treg.

    Udinese është një tjetër alternativë, pasi ka luftuar për gola deri më tani këtë sezon dhe me Florian Thauvin të tërhequr nga një rikthim në Francë.

    Klubi i tretë thuhet të jetë Empoli, i cili është në zonën e rënies dhe ka Francesco Caputo të lidhur me një kalim te Spezia.