ATV

Category: Sport

  • Përballje interesante në Superligë: Malisheva pret Dukagjinin, Gjilani takohet me Fushë Kosovën

    Përballje interesante në Superligë: Malisheva pret Dukagjinin, Gjilani takohet me Fushë Kosovën

    Superliga e Kosovës vazhdon këtë fundjavë me ndeshjet e javës së 28-të, që pritet të jenë tejet interesante.

    Malisheva do të jetë nikoqire e Dukagjinit në “Liman Gegaj”.

    Malishevasit po luftojnë për një vend që i dërgon në garat evropiane, teksa janë të katërtit në tabelë me 48 pikë, me vetëm tri pikë më pak se Drita, që mban pozitën e tretë.

    Në anën tjetër, klinasit janë në vendin e gjashtë me 35 pikë të grumbulluara.

    Të dy skuadrat barazuan në xhiron e kaluar. Malisheva ndau pikët me Dritën, kurse Dukagjini me Gjilanin.

    Gjilani sot do të jetë nikoqir i Fushë Kosovës. Kjo do të jetë një përballje mes dy skuadrave që po luftojnë për t’i ikur rënies direkte nga Superliga.

    Të dy ndeshjet janë të parapara për t’u zhvilluar nga ora 15:00.

  • ​Vajzat U19/ Kosova shënon fitore bindëse ndaj Luksemburgut

    ​Vajzat U19/ Kosova shënon fitore bindëse ndaj Luksemburgut

    Kombëtarja e Kosovës e grupmoshës U19 në konkurrencën e vajzave e ka mposhtur sot Kombëtaren e Luksemburgut, të të njëjtës grupmoshë, me rezultat bindës 4:0, në kuadër të rrethit të dytë për kualifikimet e Evropianit 2024.

    Dardanet e reja, me plotë përkushtim iu qasën lojës që nga fillimi i ndeshjes. Në pjesën e parë, Kosova zhbllokoi rezultatin duke shënuar golin e parë përmes Rreze Gashit në minutën e 40-të.

    Me të filluar pjesa e dytë, gjegjësisht në minutën e 49-të, Sahare Berisha shënon për 2:0. Vetëm pesë minuta më pas, Alba Shabani thellon epërsinë me golin e saj duke çuar rezultatin e Kosovës në 3:0.

    Ekipi kundërshtar i cili nuk arriti t’i rezistojë Kosovës, pak para fundit zyrtar të ndeshjes, përkatësisht në minutën 82 shkaktoi autogol, çfarë bëri që Kosova ta përmbyllë takimin me Luksemburgun me shifrat 4:0.

  • Ndahen 9 milionë euro për rinovimin e stadiumit të Gjakovës

    Ndahen 9 milionë euro për rinovimin e stadiumit të Gjakovës

    Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka njoftuar për ndarjen e nëntë milionë eurove për rinovimin e stadiumit të qytetit të Gjakovës.

    Të enjten është nënshkruar marrëveshja mes MKRS-së dhe Komunës së Gjakovës, përmes së cilës “ne kemi zotuar gjithë buxhetin e nevojshëm për përfundimin e stadiumit, ndërsa komuna ka për obligim zhvillimin e procedurave të prokurimit, punët ndërtimore si dhe mbikëqyrjen teknike”.

    “Futbollistët dhe qytetarët e kësaj komune dhe më gjerë do të kenë stadiumin e merituar, me kushte të dinjitetshme për të zhvilluar aktivitetet sportive dhe ndjekur ndeshjet e ekipeve të preferuara”, ka shkruar Çeku në Facebook.

    Stadiumi i Gjakovës është në mesin e stadiumeve që do të jenë nikoqirë të Lojërave Mesdhetare në vitin 2030.

    MKRS-ja ka njoftuar edhe për rinovimin e stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë e atë të Gjilanit, që gjithashtu do të presin Lojërat Mesdhetare 2030.

  • ​Kosova nuk ndryshon pozitë në ranglistën e re të FIFA-së

    ​Kosova nuk ndryshon pozitë në ranglistën e re të FIFA-së

    Organi më i lartë i futbollit botëror, FIFA ka publikuar sot ranglistën e re në nivel të kombëtareve. Në këtë renditje, Kosova nuk ka lëvizur nga vendi që ishte deri më tani. “Dardanët” janë të pozicionuar në vendin e 12-të me 1205 pikë.

    Muajin e kaluar, Kombëtarja e Kosovës i zhvilloi dy ndeshje miqësore. Më 22 mars fitoi me rezultat 1:0 kundër Armenisë në Jerevan, ndërsa më 26 mars në Budapest u mposht nga Hungaria me rezultat, 2:0.

    Në top 5-shen më të mirë janë Argjentina, Franca, Belgjika, Anglia dhe Brazili.

  • ​Kuka: Edhe në Paris pres medalje nga xhudo

    ​Kuka: Edhe në Paris pres medalje nga xhudo

    Kur kanë mbetur edhe pak më shumë se 100 ditë deri Lojërat Olimpike që do të zhvillohen në Paris, Federata Botërore e Xhudos ka rikujtuar suksesin historik të Distria Krasniqi e cila ishte shpallur kampione olimpike në Tokio 2020 në kategorinë deri në 48 kilogramë.

    Përmes fotove është shpërfaqur suksesi i xhudistes kosovare dhe për këtë postim ka reaguar edhe trajneri i ekipit kosovar të xhudos, Driton Kuka i cili përmes një shkrimi në rrjetet sociale ka thënë se për medalje do të luftohet edhe në Lojërat Olimp0ike Parisi 2024, transmeton KosovaPress.

    Postimi i plotë i trajnerit Driton Kuka:

    Për një ditë të mirë …

    Federata Botërore e xhudos përkujton triumfin me foto të bukura të Kampiones sonë Olimpike Disit! Tash diç më shumë se 100 ditë deri te Lojërat Olimpike në Paris!. Kosova tashmë i ka tri medalje olimpike me sportin e xhudos, shpresoj në medalje edhe në Paris.

    Ndryshe, Lojërat Olimpike do të zhvillohen nga 26 korrik deri më 11 gusht të këtij viti.

  • Derbi i Suharekës i takon Ballkanit, Prishtina dhe Drita barazojnë pa gola

    Derbi i Suharekës i takon Ballkanit, Prishtina dhe Drita barazojnë pa gola

    Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e para të fazës gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në futboll.

    Në stadiumin ‘Sami Kelmendi’ në Lipjan, Prishtina është takuar me Dritën, ndeshje kjo e cila ishte cilësuar derbi, por që loja e zhvilluar nuk e vërtetoi epitetin e derbit dhe kështu takim ka përfunduar me rezultatin më të padëshiruar në futboll 0:0.

    Ndërkohë në Suharekë janë takuar, FC Suhareka dhe FC Ballkani, takimi i tyre i parë në histori.

    Kampioni i Kosovës ka fituar 0:1 me golin e mesfushorit Ismailgeci, ish lojtari i Tiranës, realizoi një gol të bukur në minutën e 89.

    Kujtojmë që ndeshjet e kthimit, Drita – Prishtina dhe Ballkani – Suhareka, do të zhvillohen pas një jave.

     

  • Inzaghi i sjell Interit mbi 400 milionë euro

    Inzaghi i sjell Interit mbi 400 milionë euro

    Simone Inzaghi e ka çuar Interin në një nivel të ri dhe puna e tij ka ndihmuar të sjellë mbi 400 milionë euro të ardhura gjatë tre viteve të fundit.

    Trajneri 47-vjeçar italian i ka shndërruar “Nerazzurrët” në një nga skuadrat më të forta në Evropë që nga ardhja e tij në vitin 2021, duke i çuar në finalen e Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar dhe duke i vendosur në rrugën e duhur për të fituar Scudetton e 20-të historike këtë sezon. .

    Inzaghi ka më pak se 18 muaj të mbetur në kontratën e tij me Interin, por klubi po planifikon të ulet me trajnerin e tyre në muajt e ardhshëm për të vendosur një marrëveshje të re.

    “Calciomercato.com” detajon se si puna e Inzaghit në skuadrën e Interit gjatë tre viteve të fundit i ka sjellë klubit të paktën 460 milionë euro, falë rezultateve të tyre në garat vendore dhe në Ligën e Kampionëve, përcjellë KosovaPress.

    Në fund të këtij sezoni, Nerazzurët do të mbledhin rreth 190 milionë euro të ardhura, që vijnë nga kualifikimi në Champions League (50 milionë euro), sezonin e tyre 2023-24 në Ligën e Kampionëve (rreth 85 milionë euro) dhe kualifikimin në Kupën e Botës për Klube ( 50 milionë euro).

    Këtyre shifrave i shtohen edhe fitimet e tyre si rezultat i fitores së tyre në Scudetto, Superkupën e Italisë dhe të gjitha marrëveshjet e tyre të ndryshme sponsorizimi.

  • Gjermania në alarm për sulme para Euro 2024

    Gjermania në alarm për sulme para Euro 2024

    Nga 14 qershori – 14 korrik Gjermania pret finalet e Kampionatit Evropian 2024 dhe shteti gjerman është në këmbë për sigurinë. Bild bën me dije se autoritetet janë në alarm për të quajturit “Ujqërit e Vetmuar”, për shkak të radikalizimit të tyre nga grupet terroriste edhe nëpërmjet internetit.

    Persona të tillë veprojnë të vetëm dhe është e vështirë për t’i identifikuar. Fundjavën e kaluar, para ndeshjes Bayern Munich – Dortmund, grupi ISIS-K që mori përsipër masakrën e Moskës lëshoi një kërcënim se do sulmonte tifozët, gjë që çoi në gatishmëri shumë trupa, jo vetëm në terren.

    Rasti nuk u klasifikua si një ‘kërcënim specifik’, por autoritetet e sigurisë u alarmuan, veçanërisht në funksion të Kampionatit Evropian. Sipas Bild, pas këtij kërcënimi ka pasur një shkëmbim informacionesh mes autoriteteve kombëtare dhe shërbimeve sekrete të huaja.

    “Qëllimi është të zbulohet nëse një celulë terroriste po shkon në Gjermani”, tha një zyrtar i policisë për gazetën gjermane. Vëmendja u përqendrua mbi të gjitha tek ‘Ujqërit e Vetmuar’.

    “Një person i tillë mund të ndihet i frymëzuar për të kryer një sulm terrorist nga një thirrje propagandistike”, vuri në dukje një ekspert. Për të vlerësuar saktë kërcënimet dhe për të marrë masat e nevojshme, raporton Bild, autoritetet gjermane llogarisin edhe ndihmën e shërbimeve të inteligjencës dhe autoriteteve të huaja të sigurisë, si FBI.

    Për t’u theksuar se sa i takon tifozëve problematikë që pritet të shkojnë në Gjermani, në Angli kanë ndaluar daljen e huliganëve dhe më shumë se 1600 tifozëve do u konfiskohen pasaportat.

  • ​Guardiola: Haaland është sulmuesi më i mirë në botë

    ​Guardiola: Haaland është sulmuesi më i mirë në botë

    Pep Guardiola e cilësoi Erling Haalandin si sulmuesin më të mirë në botë pasi ai u krahasua me një lojtar të Ligës së Dytë nga Roy Keane.

    Ish-kapiteni i Manchester United duke folur në rolin e analistit në Sky Sport tha se Haaland është një sulmues i mirë para golit, por që loja e tij e përgjithshme është e njëjtë me një sulmues të Ligës së Dytë.

    Guardiola nuk ishte i impresionuar nga komentet, duke argumentuar se Haaland ishte i rëndësishëm në suksesin e tripletës së Cityt sezonin e kaluar përpara se të këmbëngulte se çdo faj për mosshënimin e golave kundër Arsenalit duhet të ndahej nga e gjtihë skuadra.

    “Unë nuk jam dakord me të, absolutisht jo”, tha Guardiola. “Ai është sulmuesi më i mirë në botë dhe na ndihmoi të fitojmë atë që fituam sezonin e kaluar. Erling është i jashtëzakonshëm. Arsyeja që nuk krijojmë raste nuk është për shkak të Erlingut. Standardet që ka Erling janë të pabesueshme dhe të gjithë presin gjëra të tjera. Ka ndeshje ku ai mund të ishte më i mirë, por unë e dija gjatë ndeshjes kundër Arsenalit se arsyeja pse ne nuk po krijonim raste nuk ishte për shkak të Erlingut”, theksoi Guardiola.

    Guardiola, skuadra e të cilit mirëpret Aston Villan sot në mbrëmje, ka pranuar se ai vazhdimisht është i hutuar nga ish-lojtarët që ofrojnë pikëpamje të ashpra për futbollistët bashkëkohorë.

    Megjithatë, spanjolli pranon se kritikat vijnë me territorin e të qenit një futbollist profesionist i profilit të lartë.

    “Nëse nuk dëshiron ta pranosh këtë si futbollist, duhet t’i përkushtohesh një pune tjetër”, ka thënë Guardiola. “Kur je personazh publik, duhet ta pranosh. Kjo është arsyeja pse kur je në bisedime për kontratë, duhet të kërkosh shumë para për të pranuar ato momente. Jam i befasuar që vjen nga ish-lojtarët. Me gazetarët mund të kuptoj sepse ata nuk kanë qenë kurrë në fushë, por ish-lojtarët janë gjithmonë një surprizë kur flasin në këtë mënyrë”, tha në fund trajneri spanjoll.

     

  • Zhvillohen sot gjysmëfinalet e para të Kupës së Kosovës

    Zhvillohen sot gjysmëfinalet e para të Kupës së Kosovës

    Do të zhvillohen sot dy gjysmëfinalet e para të Kupës së Kosovës në futboll me dy ndeshjet që garantojnë spektakël në fushë për 90 minuta.

    Vëmendja kryesore do të jetë tek ballafaqimi i dy skuadrave elitare të futbollit kosovar, ai ndërmjet Prishtinës dhe Dritës.

    Kjo ndeshje zhvillohet në stadiumin “Sami Kelmendi” të Lipjanit nga ora 15:00.

    Prishtina luan në gjysmëfinalen e 14-të pas luftës nga 11 finale prej vitit 1992 dhe 8 trofe po nga viti 1992

    Ballafaqim tjetër interesant do të jetë edhe ai ndërmjet Suharekës dhe Ballkanit, dy rivalë lokal që do të ballafaqohen në stadiumin e qytetit në Suharekë me fillim nga ora 15;00.