ATV

Category: Sport

  • Thanë se “nuk ishte lojtar për Dinamon”, por Hoxha vendosi kampionatin kroat

    Thanë se “nuk ishte lojtar për Dinamon”, por Hoxha vendosi kampionatin kroat

    “Thanë se nuk ishte lojtar për Dinamon, e pikërisht ai është njeriu që vendosi kampionatin”. Ky është titulli i shkrimit të gazetës së madhe kroate, Sportske Novosti, që i kushtohet sulmuesit të krahut, Arbër Hoxha.

    Ai vendosi derbin mes Rijekës dhe Dinamo Zagrebit. Hyri në lojë në minutën e 87-të dhe në minutën e 89-të shënoi gol të bukur për fitoren 2:1. Tri xhiro para fundit, Dinamo i ka katër pikë më shumë se Rijeka dhe thuajse ka siguruar titullin e ri. Dinamo gjatë gjithë kampionatit ishte prapa Rijekës e Hajdukut. Por në momentin e duhur doli në vendin e parë dhe me fitoren në derbin e së dielës thuajse i dha fund çështjes së kampionit.

    Hoxha në janar iu bashkua Dinamos nga Slaven Belupo. Për shkak të një ndryshimi në sistemin e lojës së Dinamos, ai kishte pak hapësirë në javët e fundit. Gjithsej në kampionatin kroat i ka luajtur 14 ndeshje, ndërsa goli i së dielës ishte i pari. Por ishte me shumë, shumë vlerë.

    “Jakiroviq në lojë e futi Arbër Hoxhën, djaloshin që mbeti në plan të dytë, për të cilin disa vetëm filluan të flasin që nuk është lojtar për Dinamon. Dhe pikërisht ai me golin e tij, të dytin prej se erdhi në shtëpinë e kaltër, vendosi pikën në këtë kampionat. Çfarë rrëfimi i veçantë, çfarë çmendurie futbolli”, ka shkruar “Sportske Novosti”.

    Festa ishte e madhe e lojtarëve dhe tifozëve të Dinamos pas fitores në Rijekë. Skuadra dominante e futbollit kroat po e fiton titullin edhe në një edicion shumë të vështirë.

    Edhe sajti më i njohur kroat “index.hr” ka shkruar se goli i Hoxhës mund të jetë vendimtar në garën për titull të kampionit.

    “Pikërisht goli i Hoxhës mund të jetë ai që do të vendosë kampionin. Reprezentuesi i Shqipërisë, që hyri dy minuta më parë, iku në krahun e majtë, u shmang nga mbrojtësi dhe me gjuajtje të saktë dërgoi topin në këndin e pambuluar të portës për festën e madhe të Dinamos”, shkruan “index.hr”.

    Sajti tjetër “germanijak.hr” ka shkruar se me golin e shënuar, Hoxha ka shpaguar transferimin e bërë nga Dinamo.

    “Tashmë e kishte vendin në rubrikën e ‘transferimeve të dështuara’ të Dinamos dhe më pas shkëlqeu në momentin vendimtar. Dhe Dinamos me shumë mundësi ia solli titullin e kampionit”, ka shkruar ky medium.

    Vetë Hoxha ka thënë se ka përjetuar momentin më të mirë në karrierë.

    “Jam krenar me golin dhe me fitoren e ekipit. Nuk ishim shumë të mirë në pjesën e parë. Goli i Rijekës na shokoi, por kemi shfaqur karakter dhe kemi fituar. Mendoj se ky është momenti më i mirë në karrierën time. Kam shënuar gol për tri pikë të vlefshme për titull të kampionit”, ka theksuar Hoxha.

    25-vjeçari në Kosovë ka luajtur për skuadra si Istogu, Prishtina, Hajvalia e Besa, para se të shpërthente te Ballkani. Në vitin 2021 iu bashkua Lokomotivës së Zagrebit e më pas Slaven Belupos. Tashmë është edhe reprezentues i Shqipërisë.

    Ndonëse periudha e përshtatjes te Dinamo po i zgjat më tepër se që pritej, me golin e së dielës Hoxha ka bërë tifozët e gjigantit kroat për vete.

  • ​Zidane i thotë “Jo” Bayernit

    ​Zidane i thotë “Jo” Bayernit

    Ish-trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, ka përjashtuar mundësinë që të bëhet trajner i Bayern Munichut, duke thënë se gjatë ndeshjes së ardhshme të Ligës së Kampionëve mes dy skuadrave, ai do të bëjë tifo për “Los Blancos” .

    Zidane së fundmi mori pjesë në Çmimin e Madh të Miami të shtunën, ku ai ndoqi garën e sprintit në Autodromin Ndërkombëtar të Miamit. Piloti i Red Bull Max Verstappen siguroi pole position për garën kryesore të së dielës, duke tejkaluar Charles Leclerc dhe Sergio Perez. Pas garës, Zidane i dha një çmim pilotit holandez në podium.

    Gjatë ngjarjes, Zidane u pyet për mundësinë që të marrë drejtimin e gjigantit bavarez, për të cilën ai tha, “Jo, nuk do të ndodhë”, përcjellë KP.

    “Unë do ta shikoj ndeshjen, do të bëj tifo për Real Madridin dhe shpresoj se Real Madridi do të fitojë. Do të jetë një lojë e vështirë”, shtoi ai.

    Vlen të theksohet se Zidane, 51 vjeç, nuk ka drejtuar një ekip që nga largimi i tij nga Real Madrid në vitin 2021.

    Ai është përfolur se është në konsideratë për poste drejtuese në Bayern Munich dhe Manchester United, por ai ende nuk ka zhvilluar diskutime zyrtare me asnjërin klub.

    Nga ana tjetër, pas humbjes së Francës nga Argjentina në finalen e Botërorit 2022, u përfol se ai mund të merrte kombëtaren franceze.

    Megjithatë, ato spekulime përfunduan kur kontrata e Didier Deschamps u zgjat deri në qershor 2026.

    Nga sot, Bayern Munich është në kërkim të një trajneri të ri për të zëvendësuar Thomas Tuchel në fund të sezonit.

    Megjithatë, klubi është përballur me një sërë pengesash në kërkimin e tij për të gjetur kandidatin e duhur. Disa emra kryesorë, duke përfshirë Xabi Alonso, Julian Nagelsmann dhe Ralf Rangnick, kanë refuzuar mundësinë për të udhëhequr ekipin gjerman.

  • Premtohet hapësirë e re stërvitore për Donjeta Sadikun

    Premtohet hapësirë e re stërvitore për Donjeta Sadikun

    Për boksieren Donjeta Sadiku janë dhënë lajmë të mira nga ana e Ministrisë së Sportit sa i përket kushteve në të cilat ajo stërvitet. Për vite me radhë, Sadiku së bashku me trajneren e saj Marjola Sallauka punojnë në një sallë e cila nuk plotëson kushtet elementare për t’u stërvitur.

    Donjeta Sadiku tashmë ka fituar normën që të jetë pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike “Parisi 2024” dhe në mënyrë që të përgatitet sa më mirë për këto lojëra, zëvendësministrja e Ministrisë së Sportit, Daulina Osmani, ka thënë se shumë shpejtë do të do të krijohet një hapësirë e re për boksieren kosovare me kushte optimale që ajo të përgatitet në kushte më të mira dhe me pajisje të reja.

    “Për çështjen e Donjeta Sadikut jemi në koordinim dhe mobilizim të tërësishëm ndërmjet ministrisë, klubit të Donjetës por edhe Federatës së Boksit të Kosovës për t’u siguruar që në një afat rekord t’i krijohet një hapësire e re me kushte të reja, me pajisje të reja në të cilat ajo do t’i bëjë edhe përgatitjet finale para ‘Parisit 2024’, mirëpo jo vetëm por të vazhdojë të qëndrojë si hapësirë e klubit të saj, së bashku Donjeta me trajneren e saj, mirëpo edhe me pjesëtarë të tjerë të klubit dhe me sportistët tjerë të cilët potencialisht mund të jenë potencial për vitin 2028”, tha Osmani.

    Tutje Osmani shtoi se ka besim të plotë që Donjeta Sadiku do të marrë pjesë edhe në Lojërat Olimpike 20278 dhe se do të jetë kandidate për medalje edhe atje.

    “Siç e dimë, boksi ka një karrierë më afatgjate se sa disa sporte të tjera që janë më të limituara, andaj Donjetën e kemi pjesëmarrëse në vitin 2024, mirëpo mendojmë që Donjeta, e urojmë dhe shpresojmë që të jetë një ndër kandidatet kryesore për medalje, jo vetëm tani mirëpo edhe në vitin 2028 së bashku edhe me xhudistët tjerë”, theksoi ajo.

    Këtë premtim, Osmani e bëri pak ditë më parë me rastin e lansimit të programit “Super sportistët” i cili synon mbështetjen e 20 sportistëve më të mirë të përzgjedhur nga tetë sportë të ndryshme dhe ata do të mbështetjen me katër milionë euro.

  • ​Lautaro: Messi është një “kafshë” edhe në stërvitje

    ​Lautaro: Messi është një “kafshë” edhe në stërvitje

    Lautaro Martinez ka folur për marrëdhënien e tij me “kafshën e konkurrencës” Lionel Messi ndërsa ka adresuar spekulimet për të ardhmen e tij në Inter.

    Sulmuesi i Interit zbuloi se sa shumë punon Lionel Messi në stërvitje, ndërsa shpjegoi se mentaliteti fitues i yllit të Inter Miami e veçon atë nga bashkëmoshatarët e tij. Ai gjithashtu foli me krenari për miqësinë e tij dhe lidhjen e ngushtë që ndan me legjendën e Argjentinës.

    Duke folur në programin televiziv italian Che Tempo Che Fa, Lautaro tha: “Unë jam shoku i skuadrës së Messit. Ne po flasim për një lojtar të rëndësishëm që ka bërë histori në futboll. Ndjehet sikur ai po luan një sport tjetër në seancat stërvitore. gjëra që nuk i kam parë kurrë më parë. Ai është një kafshë konkurrence dhe nuk dëshiron të humbasë kurrë.”

    Kontrata aktuale e 26 -vjeçarit me Interin skadon në vitin 2026, dhe ai është lidhur me një transferim të verës mes interesimit të raportuar nga Barcelona, por sulmuesi pohoi se do të dëshironte të vazhdonte në Milano, ndërsa la të kuptohej se mund të nënshkruante një marrëveshje të re me klubin ziklatër pasi fitoi Scudetton 2023-24.

    “Asnjëherë nuk e dini se çfarë mund të ndodhë në futboll, por sigurisht që jam i lumtur në Milano dhe dua të zgjas kontratën. Ne vuajtëm dy vjet më parë kur Milani fitoi titullin, kështu që [22 Prilli] ishte një ditë e veçantë për ne. Ka lojtarë me vlera të forta , por ne luajtëm ndeshje të shkëlqyera dhe arritëm atje”, theksoi ai.

  • Ky është super formacioni i vitit në Evropë sipas komentatorit Artor Shala

    Ky është super formacioni i vitit në Evropë sipas komentatorit Artor Shala

    Komentatori i SuperSport Kosova, Artor Shala ka qenë i ftuar në emisionin ‘A PLAY’ në ATV.

    Shala ka thënë që Real Madrid dhe PSG, janë favorit për të kaluar në finalen e Ligës së Kampionëve.

    Po ashtu ai e ka zgjedhur edhe formacionin më të mirë në Evropë, ku në mesin e 11 lojtarëve më të mirë ka lënë jashtë disa nga yjet e mëdha të futbollit botëror.

    Në linkun e më poshtëm mund të shihni formacionin e Artor Shalës.

  • Dy klube Italiane janë gati të shpenzojnë deri në 35 milionë euro për Edon Zhegrovën

    Dy klube Italiane janë gati të shpenzojnë deri në 35 milionë euro për Edon Zhegrovën

    Menaxheri i futbollit Serxhio Mezi në një lidhje direkte për emisionin ‘A PLAY’ në ATV ka bërë të ditur se dy klubet italiane Milan dhe Napoli janë të interesuara për Edon Zhegrovën.

    Sipas Mezi, Milan dhe Napoli mund të ofrojnë deri në 35 milionë euro për lojtarin që aktivizohet te Lille.

    “Vlera është shumë e lartë, Milani dhe Napoli mund të shkojnë me ofertë deri në 35 milionë euro për Zhegrovën, ai mund të luajë pa problem në skuadrën e Napolit”, ka thënë Mezi.

    Kujtojmë se Zhegrova po shkëlqen te Lille dhe falë paraqitjeve fantastike me skuadrën e tij, 25-vjeçari është në garë edhe për çmimin e lojtarit më të mirë në Ligue 1.

    Emisioni i plotë më poshtë.

  • ​Arsenali nuk lëshon pe për titull, mposht me lehtësi Bournemouthin

    ​Arsenali nuk lëshon pe për titull, mposht me lehtësi Bournemouthin

    Ka përfunduar ndeshja tejet interesante e Premier Ligës mes Arsenalit dhe Bournemouthit, ku vendasit po vazhdojnë të ëndërrojnë për titull.

    Pas më shumë se 90 minutave lojë të zhvilluara në stadiumin “Emirates”, Arsenali e ka mposhtur me lehtësi Bournemouthin me shifrat 3:0, raporton KosovaPress.

    Golat për “Topçinjtë” i shënuan Bukayo Saka (minuta e 45’), Leandro Trossard (minuta e 70’) dhe Declan Rice (minuta e 90+7’).

    Me fitoren e sotme, Arsenali ngjitet në kuotën e 83 pikëve në vendin e parë, katër sosh më shumë se Manchester City në vendin e dytë, por me dy ndeshje më pak të zhvilluara.

    Në anën tjetër, Bournemouthi zë vendin e 10 me 48 pikë të arkëtuara.

    Rezultati final i ndeshjes, 3:0 në favor të Arsenalit.

  • Dueli përcaktues për finalistin e dytë, Peja dhe Ylli përballen sonte në “Karagaçi”

    Dueli përcaktues për finalistin e dytë, Peja dhe Ylli përballen sonte në “Karagaçi”

    Sot do të zhvillohet dueli i pestë dhe përcaktues për fatin e finalistit të dytë të Play-Off për sezonin 2023-24.

    KB Peja do ta mirëpret në Karagaçi skuadrën e KB Golden Eagle, ku të dyja skuadrat do të kërkojnë biletën për në finale.

    KB Ylli kishte avanazhin prej 2-0 ndaj KB Pejës, megjithatë pejanët e barazuan serinë me dy fitore të njëpasnjëshme, një në terrenin e saj dhe më të fundit të arritur në Suharekë pas një drame në fund të ndeshjes.

    Kujtojmë që finalen e ka siguruar tashmë KB Trepça, e cila triumfoi ndaj KB Prishtinës me rezultat të pastër 3-0.

    Dueli fillon nga ora 19:00.

  • Krasniqi kthehet sonte në ring, do të përballet me Silvan

    Krasniqi kthehet sonte në ring, do të përballet me Silvan

    Robin (Haxhi) Krasniqi do të ngjitet sonte në ring, nëntë muaj pas meçit të fundit të cilin e zhvilloi në Kosovë.

    Boksieri nga Kosova do të përballet me portugezin, Jorge Silva.

    Ky meç do të zhvillohet në “Neue Sporthalle”, në Augsburg të Gjermanisë – teksa pritet të fillojë rreth orës 23:00.

    Përballja mes tyre është e planifikuar për 10 raunde.

    Meçi nuk është i vlefshëm për ndonjë titull në boks apo kualifikim për ndonjë titull, teksa i takon kategorisë gjysmë të rëndë.

    Për Krasniqin do të jetë ky meçi i 61-të në boksin profesionist. Ai ka 53 fitore dhe shtatë humbje. 20 prej fitoreve i ka arritur me nok-aut.

    37-vjeçari meçin e fundit e kishte zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku kishte triumfuar ndaj Nadjib Mohammedi, në një meç që ishte shoqëruar me polemika të shumta.

    Në anën tjetër, 40-vjeçari nga Portugalia i ka 22 fitore dhe nëntë humbje në karrierë. 12 prej fitorve i ka me nok-aut.

    Vlen të theksohet se sonte do të boksojnë edhe shqiptarë të tjerë si Granit Stein (Bylygbashi), Isuf Kelmendi, Kushtrim Tahirukaj e Atdhe Delijaj. Në total do të jenë nëntë meçe.

    Mbrëmja e boksit është e organizuar nga vet ekipi i Robin Krasniqit.

  • ​EURO 2024/25 – Grupmoshat U17 dhe U19 të Kosovës mësojnë kundërshtarët

    ​EURO 2024/25 – Grupmoshat U17 dhe U19 të Kosovës mësojnë kundërshtarët

    Sot në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës u bë tërheqja e shortit për raundin e parë të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2024/25, ku Kombëtarja e Kosovës në grupmoshat U17 dhe U19 tanimë ka mësuar kundërshtarët.

    Ekipet kombëtare të grupmoshave U17 janë ndarë në 14 grupe, ku shorti i sotëm e ka vendosur Kosovën U17 në Grupin 4 së bashku me Belgjikën, Ukrainën dhe Kazakistanin, raporton KosovaPress.

    Me datën 6 maj do të vendoset shteti nikoqir i turneut kualifikues të këtij grupi, ndërsa Evropiani 2025 me tetë ekipet finaliste do të zhvillohet në Shqipëri.

    Ndërkaq, sot shorti i raundit kualifikues për Kampionatin Evropian 2024/25 u hodh edhe për Kosovën U19, i cili ka përcaktuar 13 grupet që do të fillojnë rrugëtimin drejt turneut final me tetë ekipe, që do të mbahet në Rumani në verën e vitit 2025.

    Kosova U19 është pozicionuar në Grupin 10 së bashku me Spanjën, Austrinë dhe Ishujt Faroe.