ATV

Category: Sport

  • Kosova debuton në lojërat Paralimpike “Paris 2024”

    Kosova debuton në lojërat Paralimpike “Paris 2024”

    Kosova ka shënuar njër ndër momentet më të rëndësishme në historinë e sportit të saj. Në mesin e mbi 50 mijë shikuesve nga mbarë bota, për herë të parë, flamuri i Kosovës ka valuar në ceremoninë hapëse të Lojërave Paralimpike “Paris 2024”.

    Ceremonia hapëse u zhvillua në sheshin Place de la Concorde dhe Champs-Elysées në Paris, me fillim nga ora 20:00, e ku defiluan gjithsej 166 shtete nga mbarë bota. Ky moment njëherësh shënon edhe debutimin e Kosovës në lojërat më prestigjioze të para sportit botëror, synim i kahershëm i parasportit kosovar.

    Në këtë ngjarje madhështore të parasportit, vendi ynë përfaqësohet nga paraatleti Grevist Bytyqi, i cili do të garojë në sportin e atletikës, në kategorinë T46, në disiplinën 1500 metra. Në këtë rrugëtim sfidues, Grevisti është i shoqëruar nga presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini, trajneri Adrian Mazreku dhe shefja e misionit, Arjeta Gashi.

    Pjesëmarrja e Kosovës në këto lojëra u mundësua falë anëtarësimit të vendit tonë në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar vitin e kaluar, moment që i hapi rrugën përfshirjes së parasportistëve tanë në këtë ngjarje madhore, e cila simbolizon përfshirjen, barazinë dhe fuqinë e sportit për të kaluar çdo pengesë.

    Në lojërat e sivjetme botërore të parasportit, të cilat zgjasin 11 ditë, do të marrin pjesë 4,400 paraatletë në gjithsej 22 parasporte.

  • ​Çeku: Paraatleti Bytyqi, inspirim për sportistët tjerë

    ​Çeku: Paraatleti Bytyqi, inspirim për sportistët tjerë

    Ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku ka thënë se pjesëmarrja e Kosovës në Lojërat Paralimpike në Paris është një hap hisotrik, derisa paraatletin Grevist Bytyqi, i cili po e përfaqëson Kosovën në këto lojëra e ka cilësuar si “inspirim për sportistët tjerë të Kosovës”.

    “Kosova për herë të parë pjesë e Lojërave Paralimpike. Në Paris 🇫🇷 vendin tonë po e përfaqëson paraatleti Grevist Bytyqi, i cili do të garojë në atletikë. Jemi krenarë që Grevisti po merr pjesë në një prej ngjarjeve më të mëdha të sportit global për persona me aftësi të kufizuara, ndërsa po bëhet inspirim për sportistët tjerë të vendit. I urojmë shumë suksese në garë”. Ka shkruar Çeku në ‘Facebook’.

    Ndryshe, Grevist Bytyqi do të marrë pjesë në sportin e atletikës në disiplinën deri në 1500 metra.

  • Te Drita premtojnë ndeshje të madhe ndaj Legias

    Te Drita premtojnë ndeshje të madhe ndaj Legias

    Futbollistët e Dritës e kanë parasysh se kalimi në fazën grupore të Ligës së Konferencës do t’iu hapte shumë dyer për të ardhmen. Por e dinë gjithashtu se pa angazhim nuk mund ta kalojnë pengesën e fundit drejt paraqitjes së parë në grupet e garës së tretë të UEFA-s për nga niveli.
    Për të siguruar kalimin tutje, Dritës i duhet ndeshje e madhe përballë Legias së Varshavës, që fitoi 2:0 si nikoqire.

    Ndeshja e dytë e plejofit të Ligës së Konferencës mes Dritës dhe Legias polake zhvillohet të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

    Ndeshja zhvillohet nga ora 20:00.

    Portieri i Dritës, Faton Maloku, u lavdërua pas paraqitjes ndaj Legias javën e kaluar. Ai thotë se do të mundohet ta ndihmojë ekipin e tij edhe në ndeshjen në Prishtinë.

    “Do të jetë ndeshje shumë e vështirë, por besojmë në ekipin tonë. Qëndrojmë pozitivë dhe nuk jemi dorëzuar. Me pak fat dhe me shumë angazhim mendojmë se mund ta arrijmë kalimin tutje”, ka thënë Maloku.

    Maloku pret përkrahje masive nga tribunat e stadiumit “Fadil Vokrri”.

    “Mbështetja e shikuesve është e mirëseardhur për ne. Përkrahja e tyre në këtë moment na duhet si kurrë më parë. Prandaj uroj që ta kemi stadiumin të mbushur dhe në fund të festojmë së bashku”, është shprehur Maloku.

    Rreth 7 mijë bileta janë shitur deri tash për ndeshjen ndaj Legias.

    Përkrahje nga tribunat pret edhe mbrojtësi me përvojë, Egzon Bejtullai. Megjithatë, ai thotë se për të kaluar tutje u duhet ndeshje gati e përkryer ndaj ekipit polak.

    “Sigurisht se përkrahja e tifozëve gjithmonë na jep motiv edhe më të madh, sepse tifozëria gjithnjë është lojtari i 12-të i ekipit. Shpresoj të vijnë në numër sa më të madh për të na përkrahur dhe do Zoti që në fund t’i gëzojmë, sepse e meritojnë gjithnjë”, ka thënë Bejtullai.

    Ai pranon se pa angazhim, kalimi në grupet e Ligës së Konferencës mbetet vetëm ëndërr.

    “Mendoj se nuk ka rastësi në futboll, duke ditur se Drita ka një ekip shumë të mirë. Edhe në ndeshjet që kemi zhvilluar kemi treguar futboll të mirë. Futbolli është i bukur dhe gjithnjë ka befasi. Do të japim gjithçka nga vetja për të arritur rezultat pozitiv dhe të kalojmë tutje”, ka theksuar Bejtullai.

    Drita, nga Legia e Varshavës ishte eliminuar edhe në edicionin 2020/21, por në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Atëbotë për shkak të situatës me koronavirus ishte zhvilluar vetëm një ndeshje.

    Skuadra gjilanase ka bërë përvojë në garat evropiane. Është pjesëmarrëse prej edicionit 2018/19, kurse me plot sukses është përballur edhe me skuadra të mëdha si Viktoria Plzen, Antwerp, Feyenoord e Malmo. Megjithatë, është eliminuar nga të gjitha këto skuadra.

    Lojtarët e Dritës vlerësojnë se në shumë raste ua ka kthyer edhe fati shpinën, sidomos në ndeshjet evropiane. Fati nuk ishte në anën e tyre as javën e kaluar në Varshavë. Drita, e cila e humbi 2:0 ndeshjen në Varshavë, nga minuta e 31-të luajti me një lojtar më pak në fushë.

    Kapiteni Rron Broja uron ta kenë në anën e tyre fatin të enjten mbrëma në Prishtinë.

    “Do të jetë ndeshje shumë e vështirë. Por ne jemi optimistë. Duhet të japim maksimumin për të kthyer rezultatin në favorin tonë. Në këtë ndeshje na duhet fati dhe një ndeshje e përkryer për t’u kualifikuar. Tifozët do të jenë motiv shtesë për ne”, ka thënë Broja.

    Skuadrat e tjera kosovare tashmë janë eliminuar nga Evropa.

  • ​Nesër Kuvendi Zgjedhor i FBK-së

    ​Nesër Kuvendi Zgjedhor i FBK-së

    Të premten (nesër) do të mbahet Kuvendi i Rregullt Zgjedhor i Federatës së Basketbollit të Kosovës. Kuvendi mbahet nga ora 17:30 në Hotel “Emerald” – Prishtinë me këtë rend të ditës:

    Kandidati i vetëm për kryetar të kësaj federata është Arben Fetahu i cili synon të marr edhe një tjetër mandat në krye të shtëpisë më të madhe të basketbollit në Kosovë.

  • ​Drita përball misioni të vështirë në “Fadil Vokrri”

    ​Drita përball misioni të vështirë në “Fadil Vokrri”

    Skuadra e vetme shqiptare që po e vazhdon rrugëtimin e saj në garat evropiane, Drita, do të jetë sonte përball një misioni jashtëzakonisht të vështirë.

    Në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Drita sonte me fillim nga ora 20:00 e pret Legia Varshavën me objektivin e madh për ta përmbysur rezultatin e ndeshjes së parë, raporton KP.

    Skuadra polake triumfoi në shtëpinë e saj me rezultat 2-0, andaj “Intelektualët” duhet të shkëlqejnë për ta përmbysur atë dhe për ta siguruar fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

  • ​Basketboll/ Mësohen oraret e ndeshjeve çerekfinale të Superkupës

    ​Basketboll/ Mësohen oraret e ndeshjeve çerekfinale të Superkupës

    Qyteti i Prizrenit do të jetë mikpritës i Superkupës së Kosovës në basketboll. Spektakli i basketbollit do të fillojë në qytetin e bukur dhe historik. Pasi janë caktuar çiftet çerekfinale, tashmë dihet edhe orari i ndeshjeve, që zhvillohet më 7 dhe 8 shtator.

    Më 9 shtator do të zhvillohen ndeshjet gjysmëfinale, derisa finalja më 11 shtator. Në ndeshjet çerekfinale, fituesja e Kupës, Superkupës, por edhe kampionia Trepça do të ndeshet me Borën, që ka hyrë nga Liga e Parë, derisa Sigal Prishtina do të ndeshet me Vëllaznimin.

    Të dielën sfidë interesante shihet mes Pejës dhe Proton Cable Prizrenit dhe Golden Eagle Yllit e Bashkimit.

    Orari

    7 Shtator

    17:00 Trepça – Bora

    20:00 Sigal Prishtina – Vëllaznimi

    8 Shtator

    17:00 Peja – Proton Cable Prizreni

    20:00 Golden Eagle Ylli – Bashkimi

  • Rrahmani e Krasniqi e kërkojnë sonte kualifikimin në Champions

    Rrahmani e Krasniqi e kërkojnë sonte kualifikimin në Champions

    Albion Rrahmani dhe Ermal Krasniqi do ta kërkojnë sonte kualifikimin në Ligën e Kampionëve.

    Ekipi i tyre i ri, Sparta Praga do të përballet me Malmon në ndeshjen e kthimit të “Play-Offit” të Championsit.

    Krahas tyre, tek ekipi nga kryeqyteti çek luajnë edhe shqiptarët tjerë, Qazim Laqi, Indrit Tuci dhe Enes Osmani.

    Skuadra çeke synon ta ruajë kapitalin e krijuar në ndeshjen e parë, të cilën e kishte fituar me rezultat 2:0.

    Sparta do ta mirëpresë sonte ekipin suedez në Çeki në ndeshjen vendimtare për t’u bërë pjesë e skuadrave elitare të kompeticionit më të rëndësishëm të futbollit evropian.

    Kjo do të thoshte se 38 herë kampioni çek do ta siguronte pjesëmarrjen në Champions pas pritjes së gjatë prej 18 vjetësh.

    Ndeshja mes Sparta Pragës dhe Malmos do të nisë në orën 21:00.

  • ​Çerekfinalet e Superkupës në basketboll

    ​Çerekfinalet e Superkupës në basketboll

    Nga 7 deri më 11 shtator në Prizren do të zhvillohet Superkupa e Kosovës në basketboll. Tetë skuadrat e elitës pritet të sjellin spektakël të basketbollit.

    Pas përfundimit të 28 xhirove të edicionit të kaluar, tashmë dihen çiftet çerekfinale. Fituesja e fundit, Trepça do të ndeshet me Borën, derisa finalistja Peja do të përballet me Proton Cable Prizrenin.

    Sfidë interesante do të jetë mes Golden Eagle Yllit dhe Bashkimit, si dhe mes Sigal Prishtinës e Vëllaznimit. Në ditët në vazhdim do të jepen detaje për Superkupën e Kosovës që zhvillohet në palestrën “Sezai Surroi” të Prizrenit.

    Ndeshjet çerekfinale:

    Trepça – Bora

    Peja – Proton Cable Prizreni

    Golden Eagle Ylli – Bashkimi

    Sigal Prishtina – Vëllaznimi

  • ​Botërori i Kickbox-it/ Kosova e nis me dy fitore në Budapest

    ​Botërori i Kickbox-it/ Kosova e nis me dy fitore në Budapest

    Në Budapest të Hungarisë po zhvillohet Kampionati Botëror i Kickbox-it në kategorinë e juniorëve.

    Në këtë kampionat po marrin pjesë 2253 garues nga 68 shtete të botës, derisa Kosova po paraqitet me gjashtë garues. Të hënën janzë zhvilluar duelet e para ku luftuan edhe tre garues nga Kosova.

    Nart Mehmeti fitoi meçin e parë në ballafaqim me rivalin e tij meksikan, Gent Hyseni gjithashtu mori fitore ndaj kickobksierit italian.

    Kosova po merr pjesë në këtë kampionat me gjashtë garues dhe luftërat tjera do të zhvillohen sot. I kënaqur me paraqitjen e tyre është shprehur përzgjedhësi Nasret Salihaj.

  • ​Ronaldo: Nuk e shoh veten trajner futbolli

    ​Ronaldo: Nuk e shoh veten trajner futbolli

    Ylli botëror i futbollit, Cristiano Ronaldo ka folur për të ardhmen e tij pas futbollit, duke thënë se ai nuk e sheh veten duke u marr me këtë sport pas pensionimit të tij.

    Portugezi ka deklaruar se në mendjen e tij është të merret me diçka që nuk ka të bëjë me futbollit pas pensionimit, përcjellë KP.

    “Në mendjen time nuk e konsideroj të jem trajner i ndonjë klubi futbollistik. As nuk e mendoj këtë. Ndoshta e shoh të ardhmen duke bërë gjëra jashtë futbollit”, ka thënë Ronaldo.