ATV

Category: Sport

  • Dy atletë humbin jetën në Kampionatin Botëror të Triatlonit

    Dy atletë humbin jetën në Kampionatin Botëror të Triatlonit

    Komuniteti i triathlonit është në zi për një britanik 57-vjeçar dhe një meksikan 79-vjeçar.

    Të dy atletët humbën jetën në Kampionatin Botëror Sprint në Torremolinos, pranë Malagës, të enjten pasdite brenda pak minutash.

    Sipas policisë, që konfirmoi lajmin për gazetën lokale Malaga Hoy, shkaku i vdekjes për të dy sportistët e moshuar ishte një arrest kardiak.

    Ata po garonin në kategorinë e tyre për moshën përkatëse, në një garë që përfshinte 750 metra not, 20 kilometra çiklizëm dhe pesë kilometra vrap.

    Kampionati Botëror Sprint do të zgjasë deri të dielën.

  • Barcelona refuzoi një ofertë marramendëse gjatë verës për Yamal

    Barcelona refuzoi një ofertë marramendëse gjatë verës për Yamal

    Joan Laporta ka konfirmuar se Barcelona ka refuzuar një ofertë prej 250 milionë eurosh për Lamine Yamal para mbylljes së afatit kalimtar veror.

    Paris Saint-Germaini raportohet se ishin të gatshëm ‘të thyejnë bankën’ për Yamalin, duke trokitur në dyert e Barcelonës me një ofertë rekorde prej 250 milionë eurosh para hapjes së afatit kalimtar veror.

    Drejtuesit e gjigantit francez e kanë parë yllin spanjoll si zëvendësuesin adekuat të Kylian Mbappes i cilii gjatë verës u transferua tek Real Madridi.

    Sidoqoftë, Laporta ishte i sigurt për potencialin e Yamalit, duke refuzuar këtë ofertë dhe duke i ofruar atij mbështetje për të krijuar më shumë histori në ‘Camp Nou’.

    “Ata erdhën për të blerë Lamine Yamal nga unë për 250 milionë euro dhe unë iu thashë ‘jo’. Ai është lojtari më i famshëm në botë. Cila është vlera e vërtetë e Lamines? Kjo nuk reflekton në librin e rekordeve”, ka thënë Laporta fillimisht.

    Përkundër interesimit të madh nga klubet e tjera, Yamal mbetet i përkushtuar ndaj Barcelonës.

    Në një intervistë të dhënë së fundmi, 17-vjeçari deklaroi qëllimin e tij për të qëndruar tek klubi në një të ardhme afatgjatë, duke shprehur njëkohësisht dëshirën për t’u bërë legjendë e Barçës.

    Kontrata e tij aktuale përfshin një klauzolë lirimi në vlerë prej 1 miliardë eurosh, duke siguruar efektivisht të ardhmen e tij në ‘Camp Nou’ deri në vitin 2026./Telegrafi/

  • McGregor po rikthehet në kafaz – irlandezi ka konfirmuar kundërshtarin e tij dhe datën e ndeshjes

    McGregor po rikthehet në kafaz – irlandezi ka konfirmuar kundërshtarin e tij dhe datën e ndeshjes

    Conor McGregor ka zbuluar mbrëmjen e së shtunës se ndeshja e tij e ardhshme do të jetë ndaj Dan Hooker.

    Pas një paraqitje të tij në eventin e Bare Knuckle FC, McGregor tha se ndeshja e tij e ardhshme do të jetë ndaj Hooker më datë 1 shkurt në Arabinë Saudite.

    McGregor fillimisht ishte paraparë të bënte rikthimin e tij në kafaz ndaj Michael Chandler në UFC 303 më 29 qershor, por ai ishte detyruar të tërhiqej për shkak të thyerjes së gishtit.

    36-vjeçari nuk ka luftuar më që prej humbjes ndaj Dustin Poirier ndërsa kishte pësuar një lëndim të rëndë në korrik të vitit 2021.

    Hooker në ndërkohë ka fituar tri luftat e tij të fundit teksa së fundmi kishte triumfuar ndaj Mateusz Gamrot në UFC 305 më 17 gusht me vendim të ndarë të gjyqtarit.

    Para komentit të McGregor të shtunën, Hooker kishte bërë shaka për kundërshtarin e tij të ardhshëm.

    “Unë kam një kundërshtar të hershëm vitin e ardhshëm dhe aty jam i fokusuar, ai është një person i ngarkuar. Nëse unë do të kisha numrin e bizneseve dhe ato para, nuk do të mendoj se do më kishit parë pranë kafazit”, ka thënë Hooker.

    Irlandezi në ndërkohë ka shpjeguar se po synon një ndeshje me Chandler gjatë një intervistë të martën, por ai gjithashtu po synon një luftë të re para rikuperimit.

    “Do të doja që ta caktoja menjëherë me Michael Chandler. Ju e dini, ne kemi pasur mosmarrëveshjen tonë. Nuk është vendosur, ai e ka një ndeshje. Do të doja një luftë para se ai të rikuperohet. Ka pak emra që janë duke u diskutuar”, shtoi McGregor./Telegrafi/

  • Man Utd po refuzon të heq dorë nga De Jong – planifikohet një ofertë tjetër për të gjatë janarit

    Man Utd po refuzon të heq dorë nga De Jong – planifikohet një ofertë tjetër për të gjatë janarit

    Manchester United raportohet se janë rikthyer sërish në ‘gjueti’ për transferimin e Frenkie De Jong dhe ata po planifikojnë një ofertë për holandezin gjatë janarit.

    United pati një fillim të dobët të sezonit nën urdhrat e Erik Ten Hag me holandezin që po lidhet me një shkarkim të mundshëm nëse rezultatet nuk përmirësohen së shpejti.

    INEOS dhe ‘Djajtë e Kuq’ kishin vendosur që t’ia besonin stolin Ten Hagut edhe për këtë sezon duke ndihmuar kauzën e tij me transferimin e disa lojtarëve gjatë verës.

    Sidoqoftë, siç ka raportuar SPORT, Ten Hag ka kërkuar transferimin e De Jongut të cilin paraprakisht e kishte udhëhequr tek Ajaxi.

    Unitedi tashmë ka shprehur interesim për shërbimet e mesfushorit holandez gjatë dy viteve të fundit me Ten Hag që thuhet se është një fans i madh i 27-vjeçarit.

    ‘Djajtë e Kuq’ do të bëjnë përpjekje sërish për transferimin e tij në janar pasi vendi i De Jong në ekipin e Hansi Flick ka mbetur në pikëpyetje.

    De Jong së fundmi u rikthye në aksion pas një mungese të gjatë shkaku i lëndimit, por nuk ka marrë shumë minuta pasi Flick po preferon opsione të tjera si Marc Casado, Pedri dhe Eric Garcia para tij.

    Me Gavi, Dani Olmo dhe Fermin Lopez që po ashtu do të rikthehen në aksion së shpejti, është e mundur se De Jong mund të humbasë edhe më shumë minuta dhe rrjedhimisht do të kërkojë largimin./Telegrafi/

  • Ylli i Man Cityt zbulon se klubi e ka gjetur tashmë pasardhësin e Guardiolës

    Ylli i Man Cityt zbulon se klubi e ka gjetur tashmë pasardhësin e Guardiolës

    Ederson beson se Manchester City ka identifikuar pasardhësin e Pep Guardiolës, teksa ka thënë se pret që ekipi i tij të jetë i suksesshëm edhe pas përfundimit të epokës së tij.

    Tekniku spanjoll i solli Man Cityt një sukses të paprecedentë por ai ende nuk ka nënshkruar një kontratë të re, me atë aktualen e cila skadon në verën e vitit 2025.

    Tani, portieri Ederson ka përkrahur ‘Qytetarët’ për të vazhduar rrugën drejt fitoreve dhe të jenë të suksesshëm edhe në rast largimi të ish-trajnerit të Barcelonës.

    “City është një klub shumë i strukturuar, i mirëmenaxhuar, ka një shef të mirë. Unë besoj se klubi tashmë e ka trajnerin e ardhshëm në mendje. Ditën që Pep vendos të largohet, ata do të përpiqen të ndjekin të njëjtën rrugë të punës”.

    “Natyrisht, do të ishte një humbje e madhe (nëse largohet Guardiola). Ne po flasim për trajnerin më të mirë në botë, por unë e shoh klubin mirë të përgatitur për epokën pas Pepit”, ka thënë Ederson.

    City ka fituar gjithçka nën urdhrat e Guardiolës që prej se ai mori drejtimin e tyre në vitin 2016.

    Ani pse kontrata e tij po shkon drejt përfundimit, raportimet sugjerojnë se ish-trajneri i Bayernit mund të nënshkruaj një zgjatje të kontratës gjatë muajve në vazhdim.

    Krahas thashethemeve për të ardhmen e Guardiolës, ai dhe ekipi i tij do të përgatiten për duelin e radhës që do ta luajnë në Ligën Premier të dielën ndaj Wolves./Telegrafi/

  • ​Më këtë ndeshje nis sot xhiro 9-të e Superligës

    ​Më këtë ndeshje nis sot xhiro 9-të e Superligës

    Xhiro e nëntë e Superligës së Kosovës në futboll do të nis sot me një ndeshje mjaftë interesante. Në qytetin e Gjilanit do të ballafaqohen Gjilani me Ferizajn, dy skuadra që nuk e kanë nisur mirë sezonin 2024-25.

    Këto dy skuadra janë të renditura në pjesën e poshtme të tabelës, me Gjilanin që ka nënë pikë në vendin e shtatë dhe Ferizajn në pozitën e tetë me shtatë pikë, raporton KosovaPress.

    Po ashtu, të dy këto skuadra kanë bilanc të njëjtë në pesë ndeshjet e fundit me nga një fitore dhe katër humbje.

    Kjo ndeshje fillon nga ora 13:00.

  • ​Reali identifikon zëvendësuesin e Carvajal-it

    ​Reali identifikon zëvendësuesin e Carvajal-it

    Ylli i Liverpoolit,Trent Alexander-Arnold është bërë një objektiv prioritar i transferimeve nga Real Madridi. Gjigantët spanjollë janë të vendosur të sigurojnë një lojtar të klasit të lartë në atë pozicion këtë dimër ose në fund të sezonit.

    Mbrojtësi i djathtë i Realit, Dani Carvajal është jashtë për të gjithë sezonin për shkak të një dëmtimi në gju, i cili ka përshpejtuar planet e tyre. Sipas “The Athletic”,Reali po vlerëson disa lojtarë të tjerë së bashku me Alexander-Arnoldin, përcjellë KosovaPress.

    Pedro Porro i Tottenham, Jeremie Frimpong i Bayer Leverkusen dhe Juanlu i Sevillas janë të gjithë në listën e tyre. Liverpool ka qenë duke negociuar me mbrojtësin e tyre për të rinovuar kontratën e tij, e cila skadon në verë.

  • ​Ky është trajneri që po kërkon ta pasojë Guardiolan te City

    ​Ky është trajneri që po kërkon ta pasojë Guardiolan te City

    Trajneri i Sportingut, Ruben Amorim, është i interesuar të pasojë Pep Guardiolën si trajner i Manchester Cityt. Kontrata e Guardiolës me Cityn skadon në fund të sezonit dhe ende nuk dihet nëse ai do të vazhdojë punën e tij në “Etihad”. Ndërsa raportet e fundit thonë se ai pritet të nënshkruajë një marrëveshje njëvjeçare , City po planifikon një të ardhme pa trajnerin e tyre ikonë, raportojnë mediat portugeze.

    City e sheh Amorimin si një trajner të aftë për të vazhduar trashëgiminë e Guardiolës, dhe trajneri portugez thuhet se është jashtëzakonisht i interesuar të marrë përsipër këtë sfidë. Amorim ishte i lidhur më parë me Liverpoolin pasi Jurgen Klopp njoftoi largimin e tij sezonin e kaluar.

    City së fundmi konfirmoi se drejtori Txiki Begiristain së shpejti do të zëvendësohet nga Hugo Viana, i cili lë rolin e tij si drejtor i futbollit i Sporting CP për t’iu bashkuar skuadrës angleze. Viana dhe Amorim kanë punuar së bashku në Lisbonë për katër vjet, përcjellë KosovaPress.

    Amorim e ka udhëhequr Sportingun drejt dy titujve të Primeira Liga si trajner dhe është gati të sigurojë një tjetër kurorë përpara largimit të tij të mundshëm për një aventurë të re.

  • ​Uta Ibrahmi pushton edhe majat e Shisha Pangma

    ​Uta Ibrahmi pushton edhe majat e Shisha Pangma

    Ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku ka pritur në takim alpinisten Uta Ibrahimi, e cila ka përfunduar me sukses ngjitjen në Shisha Pangma, majen e 13-të nga projekti i saj për ngjitjen e 14 majave më të larta në botë.

    Në takim u diskutua për sfidën dhe suksesin e fundit, përvojën që ka kaluar Uta dhe përgatitjen për ngjitjen e radhës.

    Ministri Çeku e ka përgëzuar për forcën dhe vendosmërinë që ka treguar ndërsa i uroi shumë suksese në realizimin e qëllimit të saj final, të jetë alpinistja e parë nga Kosova që do të ngjisë 14 majat më të larta në botë.

  • ​Batatina: Po t’i besohej më herët lojtarëve të Superligës, do ishim kualifikuar në Evropian

    ​Batatina: Po t’i besohej më herët lojtarëve të Superligës, do ishim kualifikuar në Evropian

    Trajneri i Llapit Tahir Batatina është shprehur i bindur se po të kishin pasur lojtarët e Superligës së Kosovës besimin e trajnerëve të kombëtares, ata do të ishin vendimtar që Kosova të ishte pjesë e Kampionatit Evropian apo edhe Botëror.

    Në ndeshjen ndaj Qipros ishin tetë lojtarë që kanë dal nga Superliga në formacionin startues të Kosovës, lajm ky që Batatina e ka vlerësuar jashtëzakonisht shumë.

    Batatina: Po t’i besohej lojtarëve të Superligës mund të ishim kualifikuar në Evropian

    “Mendoj që është dashur më herët të veprohet kështu dhe komplimente për selektorin që është tani për shkak se i ka besuar lojtarëve të Superligës, lojtarë që kanë dal nga liga jonë dhe shumë shpejtë janë inkuadruar te kombëtarja. Po të kishte ndodhur ndoshta më herët ishim kualifikuar në Evropian që patëm edhe në Botëror. Mendoj që neglizhenca dhe mos respektimi i Superligës së Kosovës ka ndikuar që ne të mos kualifikohemi në asnjë prej kampionateve botërore dhe evropiane”, ka deklaruar Batatina.

    Më tutje, trajneri i Llapit ka thënë se është shumë i kënaqur me rezultatet e arritura nga “Dardanët” në ndeshjet e fundit, por ka kërkuar që të synohen edhe dy fitore në muajin nëntor.

    “Besoj që kemi bërë paraqitje të mirë, dy ndeshje, dy fitore. Kemi mundësi edne që të përmirësohet kombëtarja jonë, shpresoj që të përmirësohet duke e ditur që trajneri tani e ka mundësinë t’i njoh për së afërmi lojtarët për cilësitë, kualitetin, çfarë duhet të ndryshojë. Normal që jemi shumë të kënaqur kur kombëtarja jonë ka arritur dy fitore dhe pse jo ta presim muajin nëntor dhe ta arrijmë objektivin dhe t’i marrim edhe dy fitore të radhës dhe të kualifikohemi më tutje duke e ditur që Kosova ka potencial, ka një skuadër shumë të fortë dhe mendoj se është gjynah nëse na ikën edhe ky kualifikim dhe të mos jemi aty ku e meritojmë sepse kemi lojtarë shumë cilësorë”, theksoi Batatina.

    Rrugëtimin në Ligën e Kombeve, Kosova e mbyll me ndeshjet ndaj Rumanisë dhe Lituanisë që zhvillohen më 15 dhe 18 nëntor.