ATV

Category: Sport

  • ​Suksesi i sportistëve po ngufatet nga mungesa e infrastrukturës

    ​Suksesi i sportistëve po ngufatet nga mungesa e infrastrukturës

    Sportistët e Kosovës kanë arritur suksese të mëdha edhe në arenën ndërkombëtare, por mungesa e infrastrukturës adekuate sportive konsiderohet se po e ngufatë shpërthimin edhe më të madh të sportit në Kosovë.

    Infrastruktura është një prej elementeve thelbësore që i nevojiten një sportisti për të arritur rezultate kulminante.

    Drejtues të federatave e përfaqësues të institucioneve sportive, ngrenë alarmin për intervenim të shpejtë dhe investim të madh në infrastrukturë.

    Sekretari i Federatës së Karatesë, Nazmi Gashi tregon se si karateistët e Kosovës nuk kanë asnjë sallë të stërvitjeve dhe se ata, aktivitetin e tyre e kryejnë nëpër shkollat fillore e të mesme.

    “Nëntëdhjetë për qind e klubeve në sportin e karatesë e zhvillojnë sportin në shkolla fillore ose të mesme në regjionin ku ata jetojnë. Kjo është një mungesë e madhe e infrastrukturës për shkak se për të arritur një nivel të lartë, dhe një performancë të lartë të garuesve, duhet të kesh një sallë të cilën e ke nën kontroll 24 orë, dhe sportistëve do t’ua përshtatësh programin e stërvitjeve. Me këtë rast, me tri stërvitje që i mbajmë në shkolla e ke vetëm shtrirjen në regjion, nuk e ke suksesin. Prandaj, unë pajtohem plotësisht që infrastruktura sportive e dëmton shumë rezultatin kulminant”, thotë Gashi.

    E sipas kryetarit të Federatës së Atletikës, Halil Sylejmani, suksesi i një sportisti dëmtohet për 80% nga mungesa e infrastrukturës adekuate sportive.

    “Për shumë sporte kur nuk i ke mjetet e punës, stadiumin apo shtigjet, pengon në 80%. Një atlet, nëse ushtron apo bën trajnim në një shteg të atletikës ku vërtet i plotëson konditat ndërkombëtare ku ka edhe gjërat tjera përcjellëse si zhveshtoret e çështje të tjera, atëherë besoj se rezultati, nëse ka qenë këtu 30%, do të jetë 100% sepse aty e sheh veten”, thotë Sylejmani.

    Nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) thonë se një numër i madh i talentëve e braktisin sportin pikërisht për shkak se nuk kanë ku ta zhvillojnë aktivitetin e tyre.

    Zëdhënësi i KOK-ut, Kushtrim Krasniqi thekson se ka disa sporte në Kosovë që nuk kanë fare infrastrukturë sportive.

    “Suksesi që është arritur në këto 10 vjet i ka tejkaluar pritshmëritë edhe të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, por edhe pritshmëritë tona bazuar në infrastrukturën që e kemi momentalisht në Kosovë. Por, sikur të ishte e kundërta, sikur të kishim një infrastrukturë shumë më të mirë, sidomos te disa sporte që janë prioritet edhe në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, si atletika dhe noti që njihen si ‘mbretëresha të sportit’, e pikërisht te këto çalojmë sa i përket infrastrukturës, por edhe në sporte të tjera si gjimnastika apo tenisi dhe sporte të tjera, padyshim se do të kishim edhe më shumë përfshirje të fëmijëve dhe të rinjve në sport, dhe me këtë kur ke masivitet patjetër që do të kesh edhe talentë më shumë. E shohim sot që pikërisht në këto sporte kemi mangësi, sidomos te seniorët, sepse kryesisht fëmijët merren me këto sporte dhe në moshën madhore tërhiqen për shkak të mungesës së infrastrukturës”, thekson Krasniqi.

    Rëndësinë e madhe që ka infrastruktura sportive e thekson edhe ish-presidenti i KOK-ut, Besim Hasani.

    “Mungesa e infrastrukturës, ose infrastruktura e mirë, është njëra ndër pesë kushtet që i numërojnë sportistët dhe trajnerët e tyre që duhet të plotësohen që të krijohen kushtet optimale për sukses…Pa infrastrukturë të mirë, pa infrastrukturë moderne dhe adekuate, nuk mund të kemi suksese të pritura. Ne kemi dëshmuar që edhe në këto rrethana ia kemi dalë me menaxhimin fantastik të krerëve të xhudos, ata ia kanë dalë që të mos vonohen me ndërtimin e infrastrukturës”, ka thënë Hasani.

    Gjithsesi, shpresa për ndryshim të kësaj gjendjeje është te zotimi që shteti i Kosovës ka marrë për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, pasi pritet ndërtimi i disa stadiumeve dhe palestrave të reja sportive./kp

  • “Ky mund të jetë shansi im i fundit”, Neymar synon të luajë në Kupën e Botës 2026

    “Ky mund të jetë shansi im i fundit”, Neymar synon të luajë në Kupën e Botës 2026

    Neymar Junior ka shprehur dëshirën e tij të fortë për të luajtur në Kupën e Botës 2026, duke pranuar se kjo mund të jetë mundësia e tij e fundit për të marrë pjesë në turneun prestigjioz.

    Sulmuesi brazilian synon të luajë edhe një Kampionat Botëror me kombëtaren e tij, duke qenë pjesë e ngjarjes së vitit 2026, e cila pritet të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksisë dhe Kanada.

    “Unë vërtet besoj në ekip, në lojtarët e rinj që vijnë. Sot nuk jemi në pozicionin që do të donim të ishim, por së bashku mund të arrijmë diçka të madhe. Kemi një vit, një vit e gjysmë për të punuar. Do të bëj gjithçka siç duhet dhe të arrijmë në Kupën e Botës”, ka thënë fillimisht Neymar.

    Kur u pyet nëse ai mendon se ka mundësi të kthehet në kombëtare për vitin 2026, Neymar u përgjigj pozitivisht.

    “Do të përpiqem. Dua të jem atje. Do të bëj gjithçka që mundem për të qenë pjesë e ekipit. E di që ky mund të jetë Botërori im i fundit, shansi im i fundit dhe do të bëj gjithçka për të luajtur në të”, përfundoi 32-vjeçari. /Telegrafi/

  • Gjysmëfinalja e Kupës së Spanjës, sonte Bilbao ballafaqohet me Barcelonën

    Gjysmëfinalja e Kupës së Spanjës, sonte Bilbao ballafaqohet me Barcelonën

    Sonte zhvillohet gjysmëfinalja e parë e Kupës së Spanjës.

    Përballë do të jenë Athletic Bilbao dhe Barcelona.

    Ndeshja nis nga ora 20:00.

    Mbetet të shihet se cila nga këto dy skuadra do të kalojnë në fazën tjetër.

    Ndërkaq nesër Mallorca e Vedat Muriqit, do ta kërkojë finalen përballë Real Madridit.

    Gjasat janë të mëdha që në finalen e Superkupës të ketë një “El Clasico”.

  • Elon Musk dëshiron ta blejë gjigantin anglez

    Elon Musk dëshiron ta blejë gjigantin anglez

    Miliarderi i teknologjisë, Elon Musk thuhet se ka treguar interes për të blerë aksione të Liverpool-it, duke përmendur një lidhje personale me qytetin, sipas babait të tij, Errol Musk.

    Gjatë një paraqitje në Times Radio, i ati i miliarderit adresoi thashethemet për interesimin e djalit të tij për klubin e njohur anglez, të nxitura nga raportet që sugjeronin se njeriu më i pasur në botë po planifikonte të investonte në skuadrën e Premier League.

    Kur u pyet nga prezantuesja Kait Borsay nëse Elon Musk kishte ndërmend të blinte Liverpool FC, Errol u përgjigj me kujdes: “Nuk mund të komentoj për këtë, ata do ta rrisin çmimin. Ai e ka shprehur dëshirën, por kjo nuk do të thotë se po e blen atë”.

    I shtypur nëse blerja e klubit ishte një mundësi serioze, ai shtoi: “Ai do të donte, padyshim. Çdokush do të dëshironte. Gjithashtu edhe unë”.

    Errol Musk shtjelloi lidhjen emocionale të familjes me Liverpool-in, duke zbuluar një arsye më të thellë për interesimin e djalit të tij. “Gjyshja e tij ka lindur në Liverpul dhe ne kemi të afërm në këtë qytet. Ne ishim me fat që njihnim shumë nga Beatles sepse ata u rritën me disa nga familja ime. Pra, ne jemi të lidhur me Liverpulin”.

    Liverpool FC aktualisht është në pronësi të Fenway Sports Group (FSG), i cili e bleu klubin në vitin 2010 për 300 milionë paund. Vlera e klubit që atëherë është rritur në 4.3 miliardë paund, sipas Forbes.

  • Barcelona rrezikon, i merr në Arabinë Saudite Dani Olmon dhe Pau Victor

    Barcelona rrezikon, i merr në Arabinë Saudite Dani Olmon dhe Pau Victor

    Barcelona do të bëjë gjithçka që nga e marta për të tentuar regjistrimin e Dani Olmo dhe Pau Víctor, pasi kërkesa e tyre është refuzuar zyrtarisht nga Federata Spanjolle dhe La Liga së bashku.

    Aktualisht, të dy lojtarët nuk kanë licencë për të luajtur, por do të jenë pjesë e skuadrës që do të udhëtojë nesër drejt Arabisë Saudite për të marrë pjesë në Superkupë.

    Çështja duhet të zgjidhet, për mirë ose për keq, brenda pak ditësh, dhe klubi është optimist se të dy do të mund të luajnë, të paktën në finale, nëse Barça kualifikohet.

    Klubi katalanas do të shkojë deri në fund në këtë çështje, dhe përfshirja e të dy lojtarëve në skuadër është një vendim i prerë.

    Në dhomat e zhveshjes ka shumë pakënaqësi për mënyrën se si po zhvillohet situata, dhe kapiteni Ronald Araújo dha një mesazh të qartë pasi Olmo dhe Pau Víctor nuk mundën të udhëtonin në Barbastro për ndeshjen e Kupës.

    Skuadra dëshiron që të dy lojtarët të jenë me grupin dhe ka kërkuar nga klubi që të zgjidhë këtë problem sa më shpejt.

    Olmo dhe Pau Víctor do të shkojnë në Arabinë Saudite pa e ditur ende asgjë për statusin e tyre, duke marrë pjesë në një kompeticion të organizuar nga Federata, një nga organet që ka refuzuar regjistrimin e tyre.

    Barça do të paraqesë një kërkesë në CSD (Këshilli i Lartë i Sportit) të martën në mëngjes, duke kërkuar një masë të përkohshme për të dy lojtarët, por nuk është e sigurt nëse CSD do të marrë një vendim brenda ditës, për shkak të kompleksitetit të çështjes.

    Ka shumë gjasa që lojtarët të mbeten në një situatë të paqartë dhe të mos mund të luajnë gjysmëfinalen. Nëse skuadra kualifikohet për finalen, e cila është planifikuar për të dielën e ardhshme, çështja mbetet e hapur.

    Si Dani Olmo ashtu edhe Pau Víctor kanë filluar të humbin disi besimin për shkak të lajmeve të fundit. Ata shpresojnë në menaxhimin e situatës nga CSD, dhe klubi u ka siguruar se do të shkojë në gjykatë nëse nuk ka një vendim të favorshëm.

    Megjithatë, koha po ecën dhe ekziston rreziku që ata të humbasin mundësinë për të luajtur gjatë një pjese të madhe të janarit.

    Për momentin, përfaqësuesit e të dy lojtarëve nuk po zhvillojnë lëvizje në tregun e transferimeve, por e kanë të qartë se ekzistojnë opsione për të luajtur gjashtë muajt e ardhshëm jashtë Barçës.

    Një mundësi do të ishte prishja e kontratës aktuale dhe nënshkrimi i një kontrate të përkohshme me një klub tjetër, për t’u rikthyer te Barça në verë. Megjithatë, kjo është një opsion i ndërlikuar që asnjëra palë nuk dëshiron ta shqyrtojë seriozisht për momentin.

  • Lojërat Mesdhetare, Kosova nuk guxon të humbasë kohë në ndërtimin e infrastrukturës sportive

    Lojërat Mesdhetare, Kosova nuk guxon të humbasë kohë në ndërtimin e infrastrukturës sportive

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Janë bërë më shumë se 1 vit prej kur Kosova ka fituar të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare që do ta mbahen në vitin 2030. Por, për organizimin e kësaj ngjarjeje sportive që i bënë bashkë 26 shtete të botës ka frikë se mund të dështojë.

    Andaj Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi thotë për të garantuar sukses ky vit duhet të jetë ai që do të përcaktojë rrjedhën e punëve.

    “Ne i frikësohemi kohës dhe çdo minutë duhet ta kursejmë sepse sa më shumë që humbasim kohë, atëherë do të jetë edhe më i vështirë organizimi i Lojërave Mesdhetare. Ky është interes kombëtar dhe duhet të gjithë të bashkohemi kur janë në pyetje Lojërat Mesdhetare dhe të fokusohemi në organizimin e tyre”, tha Krasniqi.

    Thirrje për të evituar çdo neglizhencë apo vonesë që do të rrezikonte mbajtjen e Lojërave Mesdhetare në Kosovë, ka bërë edhe ish-kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani.

    “Duke marrë parasysh rëndësinë që kanë organizimi i Lojërave Mesdhetare për imazhin e shtetit, të mos flasim për ne qe jemi nëpër federata, sa është e rëndësishme për sportistët tanë dhe jo vetëm për sportistët por edhe për trajnerët e administratorët, përvoja që fitohet këtu jam i bindur që askush nuk guxon dhe nuk e ka kurajën që të mos e kryejë punën dhe obligimin që e ka për t’u organizuar dhe ndërtuar gjithë infrastruktura në kohë për t’u mbajtur Lojërat Mesdhetare këtu në Kosovë”, tha Hasani.

    Për organizmin e tyre, Kosova është zotuar se do të investojë 250 milionë euro derisa, Komiteti Organizativ i Lojërave Mesdhetare pritet të themelohet nga Komiteti Olimpik i Kosovës, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.

    Detaje për themelimin e komitetit nuk dihen akoma, teksa sipas ligjit një gjë e tillë duhet të bëhet jo më shumë se 1 muaj nga miratimi në Kuvend.

    “Nuk ka vonesa të mëdha, tani veçse është krijuar një grup, një organizim tre palësh në mënyrë që të organizohen Lojërat Mesdhetare, merr pjesë Komuna e Prishtinës, Komiteti Olimpik dhe Qeveria e Kosovës…Në bazë të ligjit pastaj jepen edhe disa përparësi dhe tejkalohen disa ligje të tjera sepse është ligj special për Lojërat Mesdhetare”, tha nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj.

    Kuvendi i Kosovës e kishte miratuar Ligjin për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” por partia më e madhe opozitare, PDK e ka dërguar atë në Gjykatë Kushtetuese.

  • Guardiola: Man City nuk ka shanse për të fituar Ligën Premier

    Guardiola: Man City nuk ka shanse për të fituar Ligën Premier

    Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola ka treguar edhe një herë se ekipi i tij nuk është në garë për titullin e Ligës Premier në këtë sezon.

    Guardiola ka shënuar ndeshjen e tij të 500-të në krye të Manchester Cityt me një fitore të vështirë 2-0 ndaj Leicesterit Cityt më 29 dhjetor.

    Megjithatë, trajneri katalunas e di se skuadra e tij ka mbetur mbrapa në luftën për titull të Ligës Premier duke treguar se ekipi i tij nuk ka asnjë shans.

    “Ne jemi shumë larg nga fitimi i Ligës Premier”, ka thënë fillimisht Guardiola.

    “Ne e pranojmë se tashmë nuk ka asnjë shans për këtë, por kemi gjëra të tjera për të luftuar: FA Cup, katërshen e parë… dhe fitimi i ndeshjeve na ndihmon”, përfundoi trajneri i Cityt.

    Ndryshe, fitorja e dytë e Cityt në 10 ndeshjet e fundit në Ligën Premier, e ka ngritur ekipin në vendin e gjashtë në renditje, 14 pikë prapa liderit, Liverpoolit. /Telegrafi/

  • Zyrtare: Sergio Conceicao trajneri më i ri i Milanit

    Zyrtare: Sergio Conceicao trajneri më i ri i Milanit

    Milani ka konfirmuar përmes një njoftimi zyrtar emërimin e Sergio Conceicaos si trajneri i tyre më i ri.

    Conceicao ulet në stolin e ‘Rossonerëve’ duke zëvendësuar Paulo Fonsecan, i cili u lirua nga detyrat e tij gjatë ditës së sotme pasi gjiganti italian ra në pozitën e tetë në tabelë.

    50-vjeçari ka qenë i papunë që prej largimit të tij nga Porto, aty ku qëndroi për shtatë vite dhe u shpall tri herë kampion i Portugalisë.

    Conceicao nuk është i panjohur për kampionatin italian, pasi atje ka fituar Scudetton me Lazion si lojtar teksa ka luajtur edhe tek Parma dhe Interi.

    Ai zakonisht preferon të luajë me sistemin 4-4-2 ose 4-2-3-1 dhe kërkon lëvizje vertikale të topit.

    Skuadrat e tij zakonisht janë përshkruar si të vështira për t’u përballur ndaj tyre dhe që bëjnë një lojë mjaft fizike dhe intensive.

  • ​Peshëngritësi shqiptar shpallet kampion aziatik

    ​Peshëngritësi shqiptar shpallet kampion aziatik

    Peshëngritësi nga Cërriku Ertjan Kofsha shpallet kampion në Kampionatin Aziatik të Peshëngritjes në Doha, Katar, me një dy garësh prej 358 kg, 165 kg në stilin e shkëputjes dhe 193 kg në stilin e shtytjes duke përmirësuar rekordin e tij personal me 4 kg.

    Kofsha, një peshëngritës shqiptar, i cili ka treguar përkushtim dhe punë të palodhur për të arritur këtë nivel së bashku me trajnerin e tij z. Leonard Toska dhe me mbështetjen e FSHP-së dhe Presidentit z. Elez Gjoza.

    Në këtë kampionat, Kofsha konkurroi me disa nga peshëngritësit më të mirë në botë, duke treguar forcë dhe teknikë të lartë.

    Ky sukses është një arritje e madhe jo vetëm për Kofshën, por edhe për sportin shqiptar në përgjithësi, duke dëshmuar se me punë të palodhur dhe përkushtim mund të arrihen rezultate të shkëlqyera në arenën ndërkombëtare.

    Ertjan Kofsha konsiderohet tashmë talenti më i madh i peshëngritjes shqiptare pasi më herët ka fituar edhe titull kampion bote/ Top Channel

  • ​Canavaro merr drejtimin e skuadrës së njohur evropiane

    ​Canavaro merr drejtimin e skuadrës së njohur evropiane

    Ish-mbrojtësi i Italisë, Fabio Cannavaro është emëruar trajner i ri i Dinamo Zagrebit, njoftoi klubi kroat të dielën. Fituesi i Kupës së Botës 2006 dhe fituesi i Topit të Artë rikthehet në menaxhim pas një periudhe të shkurtër me Udinesen në fillim të vitit, ku ai drejtoi skuadrën për vetëm gjashtë ndeshje.

    Ai ishte më parë menaxher i përkohshëm për ekipin kombëtar të Kinës dhe Al Nassr në Arabinë Saudite.

    “Karizmi i tij, origjina e kampionatit dhe uria për sukses e bëjnë atë kandidatin ideal. Ai e njeh ekipin, ligën dhe sfidat përpara ,” thuhet në një deklaratë nga Dinamo, përcjellë KosovaPress.

    Ai zëvendëson Nenad Bjelicën, i cili u shkarkua pas rezultateve të dobëta në Ligën Kroate të Futbollit të nivelit të lartë, ku skuadra është e treta, shtatë pikë prapa Rijekës në krye të tabelës..

    Cannavaro do të marrë përsipër skuadrën pas Vitit të Ri, me ndeshjen e tij të parë me Arsenalin më 22 janar, në fazën e grupeve të Champions League, ku Dinamo është e 24-ta, vendi i fundit në seksionin e playoff-it.