ATV

Category: SPORT

  • Dennis Buzukja bën shqiponjën në mes të Beogradit, reagon pas akuzave për provokim

    Dennis Buzukja bën shqiponjën në mes të Beogradit, reagon pas akuzave për provokim

    Luftëtari shqiptaro-amerikan i UFC-së, Dennis “The Great” Buzukja, është bërë një nga emrat më të komentuar para eventit UFC Belgrade, pasi tërhoqi vëmendjen gjatë peshimit zyrtar të zhvilluar sot (e premte) në kryeqytetin serb.

    Buzukja e kaloi pa asnjë problem procesin e peshimit dhe, menjëherë pasi zbriti nga peshorja, formoi me duar simbolin e shqiponjës dykrenare.

    Gjesti u bë në mes të Beogradit, vetëm një ditë para duelit të tij në eventin e UFC-së.

    Ky veprim u interpretua nga një pjesë e mediave serbe si provokim, duke e krahasuar me festimet e futbollistëve me origjinë shqiptare, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, në ndeshjet kundër Serbisë.

    Mediat serbe pretenduan se simboli kishte prapavijë politike dhe e cilësuan si një mesazh provokues.

    Megjithatë, Buzukja reagoi menjëherë në rrjetet sociale, duke i mohuar kategorikisht këto pretendime. Ai kritikoi një gazetar që kishte raportuar për rastin dhe theksoi se shqiponja dykrenare ishte thjesht një simbol i identitetit të tij si shqiptaro-amerikan.

    “Zero provokim. E tregova shqiponjën shqiptare si një shqiptaro-amerikan. A është kjo provokim?”, shkroi ai.

    Më tej, ai shtoi se njerëzit në Beograd e kanë pritur me respekt dhe se mediat nuk duhet t’i shtyjnë tifozët drejt perceptimeve të gabuara.

    Buzukja do të ngjitet në kafaz të shtunën në Belgrade Arena, ku do të përballet me austriakun Bogdan Grad.

    Me një rekord prej 12 fitoresh dhe 6 humbjesh në MMA, si dhe vetëm një fitore në pesë paraqitjet e fundit në UFC, kjo sfidë konsiderohet vendimtare për të ardhmen e tij në organizatën më të madhe të arteve marciale mikse.

  • Casemiro: Gjithmonë kam ëndërruar të luaj me Messin

    Casemiro: Gjithmonë kam ëndërruar të luaj me Messin

    Mesfushori brazilian Casemiro ka zbuluar se një nga ëndrrat e tij më të mëdha në futboll ishte të luante në të njëjtën skuadër me Lionel Messin, pasi për vite me radhë u përball me argjentinasin si rival në ndeshjet mes Real Madridit dhe Barcelonës, si dhe në arenën ndërkombëtare.

    Gjatë prezantimit të tij si futbollist i Inter Miamit, Casemiro tha se është i lumtur që më në fund do të ndajë fushën me një nga lojtarët më të mëdhenj në historinë e futbollit.

    “Gjithmonë kam dashur të jem pranë më të mirëve. Kam ëndërruar çdo ditë të luaja me Messin. E di se është pothuajse e pamundur ta ndalosh. Unë nuk kam arritur kurrë ta ndaloj dhe gjithmonë kam pasur nevojë për ndihmën e bashkëlojtarëve të mi”, deklaroi Casemiro.

    Braziliani shtoi se synimi i tij është ta ndihmojë Messin dhe Inter Miamin të vazhdojnë të fitojnë trofe.

    “Çdo futbollist ëndërron të luajë me një nga më të mirët e të gjitha kohërave. Unë po jetoj një ëndërr dhe dua ta shijoj këtë moment, por mbi të gjitha dua ta ndihmoj Messin të vazhdojë të fitojë”, u shpreh ai, duke e cilësuar argjentinasin si një nga “perënditë e futbollit”.

    Casemiro iu bashkua Inter Miamit javën e kaluar si lojtar i lirë, pasi i përfundoi kontrata me Manchester United. Ai debutoi si titullar në fitoren 1-0 ndaj CF Montreal.

    “Isha shumë i qartë se, nëse do të luaja ndonjëherë në MLS, do të ishte vetëm me Inter Miamin”, theksoi 34-vjeçari.

    Mesfushori zbuloi gjithashtu se, përpara transferimit në Shtetet e Bashkuara, kishte biseduar me disa futbollistë që kishin luajtur më parë në MLS, mes tyre edhe bashkëkombësi i tij Kaká, i cili kaloi tre sezone te Orlando City.

    Casemiro pritet të forcojë ndjeshëm repartin e mesfushës dhe mbrojtjes së Inter Miamit, një skuadër që në sezonet e fundit është mbështetur kryesisht te fuqia sulmuese e udhëhequr nga Lionel Messi. Largimi i Sergio Busquets në fund të sezonit të kaluar krijoi një boshllëk në mesfushë, të cilin drejtuesit e klubit shpresojnë ta mbushin me përvojën e brazilianit.

  • Thellohet kriza në FIFA, këshilltari i lartë i Infantinos jep dorëheqjen

    Thellohet kriza në FIFA, këshilltari i lartë i Infantinos jep dorëheqjen

    Kriza rreth planeve të FIFA-s për të krijuar një strukturë të re komerciale dhe për të lejuar investitorë privatë të blejnë aksione minoritare në garat e saj po thellohet. Carlos Cordeiro, këshilltar i lartë i presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, ka dhënë dorëheqjen, duke kundërshtuar publikisht këtë iniciativë.

    Sipas gazetarit Ben Jacobs, i cili i referohet talkSPORT, dorëheqja e Cordeiros është një tjetër goditje për Infantinon, pasi tregon se presidenti i FIFA-s po humb mbështetje edhe brenda rrethit të tij më të afërt të bashkëpunëtorëve.

    Cordeiro, ish-president i Federatës së Futbollit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ish-bankier, deklaroi se nuk ishte përfshirë në hartimin e propozimit dhe se e kundërshton atë plotësisht.

    “Si këshilltar i lartë i presidentit të FIFA-s, ish-bankier dhe tifoz i përjetshëm i futbollit, nuk mund të rri duarkryq ndërsa FIFA shqyrton shitjen e aksioneve në Kupën e Botës.

    Dua të jem krejtësisht i qartë: Nuk kam qenë i përfshirë në zhvillimin e këtij propozimi dhe e kundërshtoj kategorikisht. Ky është një vendim i keq për federatat anëtare të FIFA-s, i keq për futbollin dhe i keq për të ardhmen afatgjatë të lojës”, deklaroi Cordeiro.

    Dorëheqja vjen menjëherë pasi UEFA, CONCACAF dhe AFC shprehën kundërshtimin e tyre ndaj planit të FIFA-s për krijimin e FIFA Forward Enterprise (FFE), një njësi komerciale që do të menaxhonte garat kryesore të organizatës dhe do t’u hapte rrugë investitorëve privatë për të blerë aksione minoritare.

    Këto zhvillime e vendosin presidentin Gianni Infantino përballë presionit në rritje, ndërsa konsultimet me 211 federatat anëtare të FIFA-s vazhdojnë dhe vendimi përfundimtar pritet të merret përmes votimit.

  • Vinícius Jr refuzon ofertën e parë të Real Madridit për rinovim, Arsenali monitoron situatën

    Vinícius Jr refuzon ofertën e parë të Real Madridit për rinovim, Arsenali monitoron situatën

    Sulmuesi brazilian Vinícius Júnior ka refuzuar ofertën e parë të Real Madridit për rinovimin e kontratës, ndërsa negociatat mes palëve vazhdojnë.

    Sipas raportimeve, oferta fillestare e klubit madrilen parashikonte një pagë prej rreth 22 milionë eurosh në sezon, si dhe 50 për qind të të drejtave të imazhit. Megjithatë, Vinícius kërkon një kontratë më të favorshme, me një pagë pranë 25 milionë eurove në vit dhe 80 për qind të të drejtave të imazhit.

    Zhvillimet po ndiqen me interes nga Arsenali, i cili, sipas mediave, është i gatshëm t’i ofrojë brazilianit 100 për qind të të drejtave të imazhit, një pagë më të lartë dhe një paketë financiare që mund të arrijë deri në 140 milionë funte.

    Pavarësisht interesimit të klubit londinez, prioriteti i Viníciusit mbetet vazhdimi i karrierës te Real Madridi. Megjithatë, ai synon të arrijë një marrëveshje që plotëson kërkesat e tij financiare dhe kushtet kontraktuale.

    Përveç pagës dhe të drejtave të imazhit, sulmuesi brazilian raportohet se po kërkon edhe një bonus të konsiderueshëm për firmosjen e kontratës së re, i cili mund të arrijë deri në 25 milionë euro.

    Negociatat mes palëve vazhdojnë, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të merret në javët në vijim.

  • Ndahet nga jeta legjenda e futbollit italian, Franco Baresi

    Ndahet nga jeta legjenda e futbollit italian, Franco Baresi

    Bota e futbollit është në zi pas ndarjes nga jeta të legjendës së AC Milanit dhe kombëtares italiane, Franco Baresi, i cili u shua të premten në moshën 66-vjeçare. Lajmi është konfirmuar nga AC Milan, duke shkaktuar reagime të shumta nga klubet, futbollistët dhe tifozët në mbarë botën.

    Baresi konsiderohet një nga mbrojtësit më të mëdhenj në historinë e futbollit. Ai ia kushtoi të gjithë karrierën e tij profesionale, që zgjati 20 vjet, AC Milanit, ku u shndërrua në simbol të klubit dhe kapiten për shumë sezone. Me fanellën kuqezi zhvilloi 719 ndeshje zyrtare, fitoi gjashtë tituj të Serie A dhe tre Kupa Evropiane, duke udhëhequr një nga mbrojtjet më të forta që ka njohur futbolli.

    Me kombëtaren e Italisë zhvilloi 81 ndeshje dhe ishte pjesë e skuadrës që fitoi Kupën e Botës në vitin 1982. Më vonë, si kapiten, ai e udhëhoqi Italinë deri në finalen e Botërorit 1994, ku “Azzurrët” u mposhtën nga Brazili pas penalltive.

    I njohur për inteligjencën taktike, elegancën në lojë dhe cilësitë e jashtëzakonshme drejtuese, Baresi revolucionarizoi rolin e mbrojtësit qendror dhe mbetet frymëzim për breza të tërë futbollistësh. Në shenjë nderimi për kontributin e tij, AC Milan e tërhoqi përgjithmonë nga përdorimi fanellën me numrin 6.

    “E gjithë historia e AC Milan është në lot pas ndarjes nga jeta të Franco Baresit. Shembulli dhe integriteti i tij do të mbeten përgjithmonë pjesë e ADN-së së klubit, ashtu si edhe fanella e tij ikonike me numrin 6. Ngushëllimet tona më të sinqerta shkojnë për familjen e tij. Çdo tifoz i Milanit e ndien këtë humbje si të ishte e vetja.”

    Franco Baresi lindi më 8 maj 1960 në Travagliato të Italisë dhe konsiderohet një nga ikonat më të mëdha të futbollit botëror. Besnikëria e tij ndaj AC Milanit, ku luajti gjatë gjithë karrierës, e bëri simbol të klubit dhe një nga kapitenët më të respektuar në historinë e sportit. Pas tërheqjes nga futbolli në vitin 1997, ai vazhdoi të ishte pjesë e Milanit si zyrtar i klubit, ndërsa trashëgimia e tij mbetet ndër më të mëdhatë në historinë e futbollit.

  • FIFA mbron planin për investitorët privatë, por përballet me kundërshtim të fortë nga UEFA, AFC dhe CONCACAF

    FIFA mbron planin për investitorët privatë, por përballet me kundërshtim të fortë nga UEFA, AFC dhe CONCACAF

    FIFA ka reaguar ndaj kritikave të ashpra për planin e saj që parashikon krijimin e një strukture të re komerciale, e cila do t’u mundësonte investitorëve privatë të blinin aksione minoritare në garat e saj. Organizata thekson se procesi është ende në fazën e konsultimeve dhe se asnjë vendim përfundimtar nuk është marrë.

    Reagimi vjen pasi konfederatat evropiane, aziatike dhe ato të Amerikës së Veriut e Qendrore kanë shprehur kundërshtim të hapur ndaj propozimit. Sipas raportimeve, të 55 federatat anëtare të UEFA-s kanë paralajmëruar se mund të bojkotojnë Kupën e Botës nëse FIFA vazhdon me këtë plan.

    Kundërshtimi është shprehur edhe nga CONCACAF, që përfaqëson 41 federata nga Amerika e Veriut, Qendrore dhe Karaibet, si dhe nga AFC, konfederata me 47 federata anëtare nga Azia, Lindja e Mesme dhe Australia.

    Plani i FIFA-s parashikon krijimin e një njësie komerciale të quajtur FIFA Forward Enterprise (FFE), e cila do të marrë përgjegjësinë për menaxhimin e garave kryesore, përfshirë Kupën e Botës. Sipas FIFA-s, investitorët do të mund të blejnë vetëm aksione minoritare dhe nuk do të kenë të drejta menaxhuese.

    Për miratimin e këtij propozimi nevojiten të paktën 106 vota nga 211 federatat anëtare të FIFA-s. Duke marrë parasysh kundërshtimin e shprehur nga UEFA, AFC dhe CONCACAF, miratimi i planit pritet të jetë një sfidë e madhe.

    Në deklaratën e publikuar të premten, FIFA mohoi se synon të “shesë futbollin”, duke theksuar se raportimet e pasakta mediatike kanë ndikuar negativisht në procesin e konsultimeve.

    “Ne do të vazhdojmë konsultimet për t’u siguruar që çdo federatë kombëtare të votojë mbi bazën e fakteve të verifikuara”, thuhet në deklaratë.

    FIFA shtoi se respekton shqetësimet e federatave dhe opinionit publik, ndërsa ritheksoi se qëllimi i krijimit të FIFA Forward Enterprise është t’u japë federatave kombëtare mundësi më të mëdha për të zhvilluar potencialin tregtar të futbollit në vendet e tyre, pa cenuar strukturën e qeverisjes së FIFA-s dhe integritetin e futbollit botëror.

  • Ballkani luan sonte për kualifikimin, synon përmbysjen ndaj Bohemians në “Fadil Vokrri”

    Ballkani luan sonte për kualifikimin, synon përmbysjen ndaj Bohemians në “Fadil Vokrri”

    Ballkani do të zhvillojë sonte një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit, teksa pret Bohemians në stadiumin “Fadil Vokrri” në kuadër të ndeshjes së kthimit të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.

    Takimi, që nis në orën 20:00, është vendimtar për kampionët e Kosovës, të cilët synojnë të përmbysin humbjen 2-1 të pësuar në Irlandë dhe të sigurojnë një vend në raundin e tretë të garës.

    Përballë tifozëve të tyre, skuadra nga Suhareka beson se mund ta përmbysë rezultatin dhe të vazhdojë rrugëtimin evropian. Atmosfera në “Fadil Vokrri” pritet të jetë një nga armët më të forta të Ballkanit në këtë sfidë.

    Në prag të ndeshjes, klubi u ka bërë thirrje tifozëve që të mbushin stadiumin dhe ta mbështesin ekipin në këtë përballje vendimtare.

    “Bashkë për kualifikim! Të enjten, nga ora 20:00, Ballkani zbret në fushë për ndeshjen vendimtare ndaj Bohemians. Stadiumi ‘Fadil Vokrri’. Na duhet zëri i secilit prej jush!”, thuhet në njoftimin e klubit në rrjetet sociale.

    Një fitore do t’i mundësonte Ballkanit të vazhdojë aventurën evropiane dhe të sigurojë kualifikimin në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.

  • Malisheva synon historinë, fitorja e dërgon në raundin e tretë të Ligës së Konferencës

    Malisheva synon historinë, fitorja e dërgon në raundin e tretë të Ligës së Konferencës

    Malisheva është vetëm 90 minuta larg një momenti historik. Skuadra kosovare do të zbresë sonte në stadiumin legjendar “Easter Road” në Edinburg, ku do të përballet me Hibernian në ndeshjen e kthimit të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.

    Pas fitores së madhe 2-0 në ndeshjen e parë në stadiumin “Fadil Vokrri”, ekipi i drejtuar nga Thomas Brdaric udhëton në Skoci me besim të madh, por edhe me vetëdijen se puna ende nuk ka përfunduar. Golat e Kreshnik Ukës dhe Valmir Nafiut i dhanë Malishevës një epërsi të çmuar, e cila tani duhet mbrojtur në një nga sfidat më të rëndësishme në historinë e klubit.

    Takimi nis në orën 20:00 dhe pritet të zhvillohet në një atmosferë elektrizuese, pasi Hibernian do të ketë mbështetjen e mijëra tifozëve të tij. Skuadra skoceze nuk ka më hapësirë për gabime dhe do të kërkojë me çdo kusht të përmbysë rezultatin e ndeshjes së parë.

    Nga ana tjetër, Malisheva synon të tregojë edhe një herë karakterin që e çoi deri këtu. Skuadra kosovare ka dëshmuar se mund të përballet denjësisht me kundërshtarë më me përvojë dhe tani ka mundësinë të kurorëzojë punën e bërë me një kualifikim historik.

    Nëse arrin ta ruajë epërsinë, Malisheva do të sigurojë për herë të parë një vend në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës, duke shkruar një kapitull të ri në historinë e klubit. Një sukses i tillë nuk do të kishte rëndësi vetëm për Malishevën, por edhe për futbollin kosovar në përgjithësi, pasi do të konfirmonte edhe një herë rritjen e klubeve të Kosovës në arenën evropiane.

    Të gjitha sytë do të jenë sonte në Edinburg. Për Malishevën, janë 90 minuta që mund të ndryshojnë historinë dhe ta afrojnë edhe më shumë me ëndrrën evropiane.

  • Muriqi pritet si hero nga tifozët e Fenerbahçes, sulmuesi kosovar premton rikthim sa më të shpejtë

    Muriqi pritet si hero nga tifozët e Fenerbahçes, sulmuesi kosovar premton rikthim sa më të shpejtë

    Edhe pse vazhdon të jetë jashtë fushave për shkak të një lëndimi, Vedat Muriqi mbetet një nga futbollistët më të dashur për tifozët e Fenerbahçes.

    Sulmuesi kosovar ishte protagonisti kryesor i një aktiviteti të organizuar në dyqanin zyrtar Fenerium në Kadıköy, ku qindra tifozë u mblodhën që në orët e para të mëngjesit për ta takuar nga afër.

    Muriqi nënshkroi autografe, bëri fotografi me tifozët dhe u prit me ovacione të shumta, ndërsa entuziazmi më i madh u pa te tifozët më të rinj, të cilët shfrytëzuan rastin për të takuar idhullin e tyre.

    Aktiviteti u zhvillua nën masa të rrepta sigurie dhe u kthye në një atmosferë festive, me tifozët që i shprehën mbështetje të plotë sulmuesit të Kosovës dhe i uruan rikthim sa më të shpejtë në fushën e blertë.

    Në fund të takimit me tifozët, Muriqi i falënderoi ata për përkrahjen e vazhdueshme, duke marrë edhe një herë dëshmi të dashurisë së madhe që gëzon te mbështetësit verdheblu.

    Ndërkohë, Fenerbahçe siguroi kualifikimin në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve, pasi barazoi 1-1 në ndeshjen e kthimit ndaj Górnik Zabrzes, rezultat që i mjaftoi për të kaluar më tej falë fitores 1-0 në sfidën e parë. Në fazën e ardhshme, skuadra turke do të përballet me Sturm Graz për një vend në fazën e ligës së kompeticionit më prestigjioz evropian për klube.

  • Adeyemi flet për ëndrrën e tij: Dua ta fitoj Ligën e Kampionëve

    Adeyemi flet për ëndrrën e tij: Dua ta fitoj Ligën e Kampionëve

    Sulmuesi i Barcelonës, Karim Adeyemi, ka bërë të qartë se objektivi më i madh në karrierën e tij mbetet fitimi i Ligës së Kampionëve, një trofe që ende nuk ka arritur ta ngrejë.

    Në një intervistë për Mundo Deportivo, reprezentuesi gjerman foli për ambiciet e tij dhe kujtoi momentin kur ishte shumë pranë suksesit në kompeticionin më prestigjioz evropian për klube, por mbeti pa e realizuar ëndrrën.

    “Ëndrra ime është të fitoj Ligën e Kampionëve. Isha shumë afër, por për fat të keq nuk ia dolëm. Ajo mbetet ende ëndrra ime dhe punoj çdo ditë për ta bërë realitet”, u shpreh Adeyemi.

    Futbollisti 23-vjeçar theksoi se kalimi te Barcelona i ka dhënë edhe më shumë motivim për të synuar majën e futbollit evropian.

    Kujtojmë se Adeyemi ishte shumë pranë triumfit në Ligën e Kampionëve në sezonin 2023/24, por skuadra e tij u mposht 2-0 nga Real Madridi në finalen e zhvilluar në Wembley. Tashmë, ai shpreson që me fanellën e Barcelonës të ketë një tjetër mundësi për të realizuar ëndrrën e tij më të madhe.