ATV

Category: SPORT

  • Anthony Joshua emocionohet nga mikpritja shqiptare, ndan momente të veçanta pas duelit me Prengën

    Anthony Joshua emocionohet nga mikpritja shqiptare, ndan momente të veçanta pas duelit me Prengën

    Anthony Joshua ka treguar edhe një herë anën e tij sportive dhe njerëzore pas përballjes me boksierin shqiptar Kristian Prenga, duke ndarë me miliona ndjekës momente të veçanta nga dueli dhe atmosfera e krijuar pas tij.

    Ylli britanik i boksit publikoi pamje nga përballja, por vëmendjen më të madhe e morën momentet pas duelit, ku Joshua shihet duke vendosur mbi supe flamurin shqiptar dhe duke pozuar së bashku me familjarët e Prengës, të cilët ishin të veshur me veshje tradicionale shqiptare.

    Joshua theksoi se boksi nuk matet vetëm me fitore dhe humbje, por edhe me respektin dhe lidhjet që krijohen mes sportistëve pas përballjeve në ring.

    “Gjëja më e madhe që krijon sporti nuk është gjithmonë fituesi, por respekti i ndërsjellë mes personave që kanë fituar respektin e njëri-tjetrit. Kjo është trashëgimia e vërtetë e sportit”, shkroi Joshua.

    Në mesazhin e tij, britaniku falënderoi edhe familjen e Kristian Prengës për mundësinë që kjo përballje të zhvillohej, duke vlerësuar luftën dhe përkushtimin e treguar nga të dy boksierët.

    “Dua t’ju falënderoj që më dhatë mundësinë të luftoj me djalin tuaj. Ishte një ndeshje e madhe. Të dy dhamë më të mirën dhe ju vlerësoj juve, ekipin dhe Prengën”, u shpreh Joshua.

    Edhe Kristian Prenga pati fjalë të mëdha për kundërshtarin e tij, duke e cilësuar Joshua-n si një prej emrave më të mëdhenj të historisë së boksit dhe duke e ftuar të vizitojë Shqipërinë.

    “Jam krenar që ndava ringun me ty. Të kam thënë se je legjendë. Të uroj më të mirën ty dhe familjes tënde. Je i mirëseardhur në Shqipëri, e ke një shtëpi të dytë aty”, deklaroi Prenga.

    Në aspektin sportiv, Joshua triumfoi ndaj Prengës në raundin e dytë me nokaut, pas një dueli ku boksieri shqiptar pati një paraqitje të fortë në raundin e parë, duke i dhënë rivalit të tij një sfidë të denjë.

  • Kosova shkruan histori në golf, debuton në European Team Shield Championship 2026

    Kosova shkruan histori në golf, debuton në European Team Shield Championship 2026

    Përfaqësuesja e Kosovës në golf po përjeton një moment historik, pasi për herë të parë në histori po merr pjesë në një garë zyrtare të organizuar nga European Golf Association.

    Sot kanë nisur ushtrimet zyrtare të European Team Shield Championship – Malta 2026, ku ekipi kosovar do të përfaqësojë vendin në një prej ngjarjeve të rëndësishme të golfit evropian.

    Kosova do të prezantohet me katër lojtarë: Albin Arifi, Azer Bislimaj, Mërgim Gjinovci dhe Qëndrim Alija, të udhëhequr nga kapiteni Arif Arifi. Ekipi kosovar synon të japë maksimumin dhe të prezantojë denjësisht ngjyrat e Republikës së Kosovës në këtë debutim historik.

    Pjesëmarrja e Kosovës në këtë kampionat është bërë e mundur falë mbështetjes së kompanisë Sent.dm, e cila ka marrë rolin e sponsorit të artë të ekipit, ndërsa përkrahje të rëndësishme ka dhënë edhe Ministria e Sportit, duke vazhduar mbështetjen për zhvillimin dhe afirmimin e sporteve të reja në vend.

    Ky debutim përfaqëson një hap të madh për Federatën e Golfit të Kosovës, e cila po vazhdon punën për promovimin e golfit dhe përfshirjen e sportistëve kosovarë në arenën ndërkombëtare.

    Me pjesëmarrjen në Malta 2026, Kosova nis një kapitull të ri në historinë e golfit të saj, duke synuar që kjo të jetë vetëm fillimi i paraqitjeve të saj në garat evropiane.

  • Cucurella e mban premtimin pas triumfit në Botëror, bën tatuazh fytyrën e trajnerit De la Fuente

    Cucurella e mban premtimin pas triumfit në Botëror, bën tatuazh fytyrën e trajnerit De la Fuente

    Marc Cucurella e ka shndërruar në realitet një premtim që kishte bërë para finales së Kupës së Botës. Mbrojtësi i Kombëtares së Spanjës ka bërë tatuazh fytyrën e përzgjedhësit Luis de la Fuente, si shenjë falënderimi për njeriun që e udhëhoqi “La Rojan” drejt titullit botëror.

    Para finales, Cucurella kishte deklaruar se do ta përjetësonte trajnerin në trupin e tij nëse Spanja arrinte të fitonte trofeun.

    “Nëse fitojmë Kupën e Botës, do ta bëj tatuazh fytyrën e Luis de la Fuentes. Duhet të jetë në një vend të dukshëm, sepse njerëzit do të më pyesin për të”, kishte thënë ai.

    Premtimi mori jetë pasi Spanja triumfoi 1-0 ndaj Argjentinës në finalen e madhe, duke fituar për herë të parë në histori Kupën e Botës.

    Vetëm disa ditë pas suksesit historik, mbrojtësi publikoi tatuazhin e ri në rrjetet sociale, duke dëshmuar se nuk kishte ndërmend të tërhiqej nga fjala e dhënë.

    Cucurella ishte një prej lojtarëve kyç në rrugëtimin triumfues të Spanjës gjatë turneut, ndërsa raporti i tij me Luis de la Fuente është forcuar edhe më shumë gjatë viteve të fundit. Tani, si kujtim i përhershëm i këtij suksesi historik, fytyra e trajnerit kampion të botës do ta shoqërojë mbrojtësin spanjoll gjatë gjithë jetës.

  • Arijon Ibrahimovic flet për të ardhmen ndërkombëtare: Synimi i madh mbetet Gjermania

    Arijon Ibrahimovic flet për të ardhmen ndërkombëtare: Synimi i madh mbetet Gjermania

    Talenti me prejardhje nga Kosova, Arijon Ibrahimovic, ka folur për të ardhmen e tij në arenën ndërkombëtare, duke lënë të kuptohet se objektivi i tij është të veshë një ditë fanellën e Kombëtares A të Gjermanisë.

    Mesfushori ofensiv 20-vjeçar, i cili ka kaluar nëpër të gjitha grupmoshat e përfaqësueses gjermane, konsiderohet një nga futbollistët premtues që mund të hyjë në planet e përzgjedhësit Jurgen Klopp, nëse arrin të sigurojë një rol të rëndësishëm te Bayern Munich.

    Megjithatë, Ibrahimovic theksoi se për momentin nuk dëshiron të mendojë për kombëtaren, pasi i gjithë fokusi i tij është te skuadra bavareze, ku synon të fitojë besimin e stafit teknik dhe të sigurojë më shumë minuta në fushë.

    “Dua të afirmohem fillimisht këtu, të jap maksimumin dhe të luftoj për minuta loje. Çfarë do të ndodhë në të ardhmen, do ta shohim të gjithë. Fokusi im i plotë është te Bayerni”, u shpreh ai.

    E ardhmja e Ibrahimovicit te Bayern Munich ka qenë temë diskutimi edhe në mediat gjermane. Sipas Kicker, ky sezon mund të jetë vendimtar për talentin 20-vjeçar, i cili duhet të dëshmojë vlerat e tij nëse dëshiron të sigurojë një vend në planet afatgjata të klubit.

    Pas huazimit te Heidenheimi, ku sezonin e kaluar zhvilloi 32 ndeshje në Bundesliga, duke shënuar dy gola dhe dhuruar katër asistime, Ibrahimovic është rikthyer te Bayerni me synimin për të bindur drejtuesit dhe trajnerin se e meriton një rol në ekipin e parë. Paraqitjet e tij në “Allianz Arena” pritet të jenë vendimtare jo vetëm për të ardhmen në klub, por edhe për ambiciet e tij për të marrë një ftesë nga Kombëtarja A e Gjermanisë.

  • UEFA u beson sërish gjyqtarëve kosovarë të ndajnë drejtësinë në Ligën e Konferencës

    UEFA u beson sërish gjyqtarëve kosovarë të ndajnë drejtësinë në Ligën e Konferencës

    UEFA ka konfirmuar edhe një herë besimin ndaj arbitrave nga Kosova, duke deleguar dy ekipe gjyqtarësh për ndeshjet e raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.

    Njëri nga delegimet i është besuar gjyqtarit me stemën e FIFA-s, Mervan Bejtullahu, i cili do të ndajë drejtësinë në përballjen mes Ilves dhe Stjarnan. Takimi do të zhvillohet më 30 korrik në stadiumin “Tammelan Stadion” në Tampere, me fillim nga ora 18:00.

    Bejtullahu do të ketë në krah asistentët Edmond Zeqiri dhe Bashkim Hyseni, ndërsa rolin e gjyqtarit të katërt do ta kryejë Alban Shala.

    Ndërkohë, një tjetër delegim i rëndësishëm i është besuar edhe gjyqtarit ndërkombëtar Genc Nuza, i cili do të drejtojë ndeshjen ndërmjet Gent dhe LNZ Cherkasy. Kjo sfidë do të luhet më 30 korrik në “KAA Gent Arena”, me fillim nga ora 20:30.

    Nuza do të ndihmohet nga asistentët Fatmir Sekiraqa dhe Pashtrik Burrniku, ndërsa gjyqtar i katërt do të jetë Erdall Zasella.

    Federata e Futbollit e Kosovës e ka cilësuar këtë si një tjetër vlerësim të rëndësishëm nga UEFA për arbitrat kosovarë. Sipas FFK-së, delegimet dëshmojnë besimin e vazhdueshëm të shtëpisë evropiane të futbollit në profesionalizmin, përgatitjen dhe standardin e lartë që gjyqtarët e Kosovës po shfaqin në arenën ndërkombëtare.

  • Zyrtare: LeBron James transferohet te Philadelphia 76ers

    Zyrtare: LeBron James transferohet te Philadelphia 76ers

    LeBron James do të jetë pjesë e Philadelphia 76ers nga sezoni i ardhshëm, në atë që konsiderohet si një nga transferimet më të mëdha në historinë e NBA-së.

    Klubi nga Filadelfia e konfirmoi zyrtarisht marrëveshjen përmes kanaleve të tij zyrtare, ndërsa presidenti i operacioneve të basketbollit, Mike Gansey, mirëpriti afrimin e një prej emrave më të mëdhenj që ka njohur ndonjëherë ky sport. Megjithatë, detajet financiare të kontratës nuk janë bërë publike.

    Me transferimin e katër herë kampionit të NBA-së dhe katër herë fituesit të çmimit MVP, Philadelphia 76ers forcon ndjeshëm skuadrën në synimin për t’u rikthyer në garën për titullin kampion.

    LeBron do të ndajë parketin me yje si Joel Embiid, Tyrese Maxey, Jaylen Brown dhe VJ Edgecombe, duke formuar një nga skuadrat më të forta në ligë.

    Në moshën 41-vjeçare, James vazhdon të mbetet një prej basketbollistëve më të mirë në botë. Ai është shënuesi më i mirë në historinë e NBA-së me 43,440 pikë, ndërsa gjatë karrierës ka fituar katër tituj kampion, katër çmime MVP të sezonit dhe është shpallur MVP i finaleve në secilin prej katër triumfeve të tij.

    Në 23 sezonet e zhvilluara në NBA me Cleveland Cavaliers, Miami Heat dhe Los Angeles Lakers, LeBron ka regjistruar mesatare prej 26.8 pikësh, 7.5 kërcimesh dhe 7.4 asistimesh për ndeshje.

    Edhe sezonin e fundit me Lakers ai tregoi se vazhdon të performojë në nivel të lartë, duke e mbyllur edicionin me mesatare prej 20.9 pikësh, 7.2 asistimesh dhe 6.1 kërcimesh për takim.

    Në aventurën e tij të re me Philadelphia 76ers, James do të mbajë fanellën me numrin 23, ndërsa klubi shpreson që përvoja dhe cilësitë e tij të jenë çelësi për rikthimin e trofeut të kampionit në Filadelfia.

  • FIFA zgjedh golin më të bukur të Botërorit 2026, Cabral hyn në histori

    FIFA zgjedh golin më të bukur të Botërorit 2026, Cabral hyn në histori

    FIFA ka zyrtarizuar golin më të bukur të Kupës së Botës 2026, ndërsa çmimi prestigjioz i ka takuar reprezentuesit të Kepit të Gjelbër, Sidny Lopes Cabral.

    Mbrojtësi i majtë shkroi historinë, pasi u bë futbollisti i parë nga një përfaqësuese afrikane që fiton këtë vlerësim në një Kampionat Botëror.

    Momenti që i siguroi këtë çmim erdhi në përballjen e 1/8 së finales ndaj Argjentinës. Gjatë kohës shtesë, Cabral zhvilloi një aksion të jashtëzakonshëm individual, duke kaluar fillimisht Alexis Mac Allister me një driblim elegant, përpara se të lëshonte një goditje të fuqishme dhe të saktë nga skaji i zonës, e cila përfundoi në rrjetë, pa i lënë asnjë mundësi reagimi portierit Emiliano Martínez.

    Edhe pse Kepi i Gjelbër u eliminua në fund të takimit pas një autogoli dramatik në minutat e fundit të vazhdimeve, kombëtarja afrikane la gjurmë në debutimin e saj historik në Kupën e Botës. Arritja deri në mesin e 16 ekipeve më të mira të turneut u konsiderua një nga surprizat më të mëdha të edicionit.

    Ndërkohë, supergoli i Cabral është përjetësuar tashmë në historinë e Kampionateve Botërore, pasi FIFA e shpalli zyrtarisht si golin më të bukur të Botërorit 2026, duke i dhënë mbrojtësit afrikan një vend të veçantë mes momenteve më të paharrueshme të turneut.

  • Zidane realizon ëndrrën, merr drejtimin e Francës pas viteve të pritjes

    Zidane realizon ëndrrën, merr drejtimin e Francës pas viteve të pritjes

    Zinedine Zidane është prezantuar zyrtarisht si përzgjedhësi i ri i Kombëtares së Francës, duke nisur një epokë të re në karrierën e tij si trajner. Legjenda franceze e cilësoi këtë moment si realizimin e ëndrrës më të madhe, duke zbuluar se stoli i “Les Bleus” ishte i vetmi që kishte pritur gjatë gjithë këtyre viteve.

    Gjatë ceremonisë së prezantimit, Zidane tregoi se kishte refuzuar oferta të shumta nga klube dhe kombëtare, pasi synimi i tij kishte qenë gjithmonë drejtimi i Francës.

    “Ishte e vetmja bankinë që e doja. Kam refuzuar shumë oferta ndër vite, sepse e prisja këtë moment. Nuk mund ta humbisja mundësinë për ta drejtuar Kombëtaren e Francës”, deklaroi ai.

    Ish-trajneri i Real Madridit e përshkroi këtë detyrë si privilegjin më të madh të karrierës së tij, duke theksuar se është plotësisht i vetëdijshëm për përgjegjësinë që sjell drejtimi i një prej kombëtareve më të forta në botë.

    “Është një privilegj i jashtëzakonshëm. E njoh peshën e kësaj fanele dhe përgjegjësinë që sjell ky rol. Do të jap gjithçka për ta rikthyer Francën në majën e futbollit botëror”, u shpreh 54-vjeçari.

    Zidane rikthehet në bankinë pas pesë vitesh mungesë, duke pasuar Didier Deschamps në krye të Francës. Ai ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2030 dhe do ta nisë zyrtarisht aventurën e tij në muajin shtator, kur Franca do të zhvillojë ndeshjet e para në Ligën e Kombeve. Me përvojën e fituar te Real Madridi dhe objektiva të mëdha përpara, Zidane do të synojë ta udhëheqë Francën drejt sukseseve të reja në arenën ndërkombëtare.

  • Drita sonte për vulën e kualifikimit, Floriana sfida e fundit drejt raundit të tretë

    Drita sonte për vulën e kualifikimit, Floriana sfida e fundit drejt raundit të tretë

    Drita rikthehet sonte në aksion në arenën evropiane, ku do të përballet me Florianan në ndeshjen e kthimit të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.

    Pas barazimit 1-1 në sfidën e parë të zhvilluar në Maltë, skuadra gjilanase ka gjithçka në duart e saj për të siguruar kalimin në raundin e tretë. Bardhekaltërit lanë përshtypje të mira në takimin e parë dhe krijuan mjaft raste shënimi, duke qenë pranë një fitoreje që do t’ua lehtësonte ndjeshëm punën para duelit të kthimit.

    Liridon Balaj kishte kaluar Dritën në epërsi në minutat shtesë, por Floriana reagoi në çastet e fundit dhe barazoi në minutën e 102-të. Takimi u zgjat për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike në stadium, duke sjellë një fund dramatik të sfidës.

    Tashmë gjithçka vendoset në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku Drita do të ketë në anën e saj përkrahjen e tifozëve dhe avantazhin e fushës vendëse. Ekipi kosovar synon të përsërisë paraqitjen e mirë të ndeshjes së parë, por kësaj radhe të jetë më konkret para portës kundërshtare.

    Objektivi është i qartë, kualifikimi në raundin e tretë të Ligës së Konferencës. Nëse eliminon Florianan, Drita do të përballet me Tre Fiorin nga San Marino në fazën e ardhshme të garës.

    Takimi mes Dritës dhe Florianas zhvillohet sonte me fillim nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

  • Hidhet shorti i Superligës së Kosovës, java e parë sjell derbin Prishtina–Ballkani

    Hidhet shorti i Superligës së Kosovës, java e parë sjell derbin Prishtina–Ballkani

    Federata e Futbollit e Kosovës ka hedhur sot shortin për edicionin 2026/27 të ALBI Mall Superligës, ndërsa java e parë premton duele interesante që në startin e kampionatit.

    Kampionia në fuqi, Drita, sezonin e ri do ta nisë në shtëpi përballë Llapit, në një përballje mes dy skuadrave që tradicionalisht synojnë kreun e tabelës.

    Vëmendja më e madhe pritet të jetë te sfida mes Prishtinës dhe Ballkanit, një duel mes dy emrave të mëdhenj të futbollit kosovar, që pritet të japë tonin e garës që në javën hapëse.

    E rikthyer në elitë, Vushtrria do ta nisë aventurën përballë Malishevës, me synimin për të dëshmuar se rikthimi në Superligë nuk do të jetë i përkohshëm.

    Në Skenderaj, Drenica do të presë Dukagjinin, në një ndeshje ku të dyja skuadrat do të kërkojnë ta nisin sezonin me tre pikë dhe me besim për vazhdimësinë.

    Ndërkaq, Feronikeli 74 do të përballet me Gjilanin, në një sfidë ku mysafirët do të tentojnë ta nisin kampionatin me fitore, ndërsa vendasit do të kërkojnë ta shfrytëzojnë faktorin fushë.

    Kujtojmw qw sezoni i ri i ALBI Mall Superligës pritet të nisë më 15 gusht, ndërsa shorti i hedhur sot ka zbuluar vetëm aktin e parë të një kampionati që premton rivalitet të madh nga java e parë e deri në fund.