ATV

Category: SPORT

  • Transferimi i Dakut te Spartaku ndez polemika, grupi ultras del publikisht kundër afrimit të sulmuesit shqiptar

    Transferimi i Dakut te Spartaku ndez polemika, grupi ultras del publikisht kundër afrimit të sulmuesit shqiptar

    Kalimi i mundshëm i Mirlind Dakut te Spartak Moska ka ngjallur polemika të mëdha në Rusi, madje ende pa u zyrtarizuar marrëveshja mes palëve.

    Grupi ultras i Spartakut, “Crazy North”, ka reaguar publikisht kundër transferimit të sulmuesit të Rubin Kazanit, duke publikuar në rrjetet sociale një deklaratë dhe një pankartë me mesazhe fyese të drejtuara ndaj shqiptarëve dhe kosovarëve.

    Në postimin e publikuar në kanalin e tyre në Telegram, tifozët shprehin kundërshtimin e plotë ndaj afrimit të Dakut, duke deklaruar se mbështesin popullin serb dhe duke përdorur gjuhë denigruese ndaj shqiptarëve dhe kosovarëve.

    Reagimi i tyre u shoqërua edhe me një pankartë që përmbante një mesazh ofendues kundër shqiptarëve, duke shkaktuar reagime të shumta në opinion.

    Megjithatë, kundërshtimi i një pjese të tifozëve nuk pritet ta pengojë realizimin e transferimit. Sipas raportimeve të mediave ruse, Spartak Moska dhe Mirlind Daku kanë arritur marrëveshje për kushtet personale, ndërsa zyrtarizimi i transferimit pritet të ndodhë në ditët në vijim.

    Sulmuesi 28-vjeçar pritet t’i japë fund aventurës së tij te Rubin Kazan, ku kaloi një periudhë shumë të suksesshme. Gjatë qëndrimit me klubin rus, Daku zhvilloi 93 ndeshje dhe realizoi 38 gola, duke u konfirmuar si një nga sulmuesit më efikas të kampionatit rus.

  • Rrudhani dhe Imeri shkëlqejnë në Zvicër, përfshihen në formacionin ideal të javës

    Rrudhani dhe Imeri shkëlqejnë në Zvicër, përfshihen në formacionin ideal të javës

    Paraqitjet mbresëlënëse të Donat Rrudhanit dhe Kastriot Imerit nuk kanë kaluar pa u vënë re. Dy futbollistët shqiptarë janë përzgjedhur në formacionin më të mirë të javës në elitën e futbollit zviceran, pas performancave vendimtare me skuadrat e tyre.

    Donat Rrudhani ishte një nga protagonistët në fitoren bindëse 3-0 të Sionit ndaj Luzernit, duke gjetur rrugën e rrjetës dhe duke konfirmuar rikthimin e tij në formën më të mirë. Mesfushori po kalon një fillim premtues sezoni dhe synon që me paraqitjet e tij të bindë përzgjedhësin e Kosovës, Franco Foda, për një rikthim në kombëtare.

    Edhe Kastriot Imeri vazhdon të shkëlqejë me fanellën e Young Boys. Mesfushori realizoi gol ndaj ish-skuadrës së tij, Thun, në triumfin spektakolar 6-0 të kampionëve zviceranë. Goli ndaj klubit ku festoi titullin sezonin e kaluar e bëri edhe më të veçantë paraqitjen e tij.

    Falë këtyre performancave të nivelit të lartë, Rrudhani dhe Imeri janë përfshirë në formacionin ideal të javës në Superligën zvicerane, sipas vlerësimeve të platformës së specializuar SofaScore.

  • Ballkani mes klubeve më të spikatura në historinë e Ligës së Konferencës

    Ballkani mes klubeve më të spikatura në historinë e Ligës së Konferencës

    Edhe pse në dy sezonet e fundit nuk ka arritur të sigurojë një vend në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, Ballkani vazhdon të mbetet një nga klubet më të dalluara në historinë e këtij kompeticioni.

    Skuadra nga Suhareka shkroi historinë duke u bërë klubi i parë nga Kosova që u kualifikua në fazën e grupeve të një gare evropiane. Nën drejtimin e trajnerit Ilir Daja, “Xhebrailat” jo vetëm që siguruan rezultate historike, por fituan vlerësime edhe për lojën atraktive që shfaqën në arenën ndërkombëtare.

    Sipas statistikave të publikuara nga Football Meets Data, Ballkani renditet në vendin e shtatë në listën e klubeve me më së shumti ndeshje të zhvilluara në historinë e Ligës së Konferencës. Klubi kosovar numëron 36 paraqitje, po aq sa edhe gjiganti zviceran Basel dhe Rapid Vienna nga Austria.

    Në krye të kësaj renditjeje qëndron Fiorentina me 60 ndeshje, e ndjekur nga Gent me 56 dhe AZ Alkmaar me 54 paraqitje.

    Megjithatë, aventura evropiane e Ballkanit u mbyll herët edhe këtë edicion. Skuadra u eliminua në raundet kualifikuese pas humbjes në penallti ndaj ekipit irlandez Bohemians, duke mbetur jashtë garës për një tjetër pjesëmarrje në fazën e grupeve.

    Aktualisht, shpresat e futbollit kosovar për një tjetër sukses në Evropë mbeten te Drita. Kampionia e Kosovës ka siguruar një vend në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës, ku do të përballet me Tre Fiori nga San Marino, me synimin për t’iu afruar edhe më shumë fazës së grupeve.

  • Juventusi zyrtarizon Kerim Alajbegovicin, talenti boshnjak firmos deri në vitin 2031

    Juventusi zyrtarizon Kerim Alajbegovicin, talenti boshnjak firmos deri në vitin 2031

    Juventusi ka zyrtarizuar transferimin e talentit boshnjak Kerim Alajbegovic, i cili ka nënshkruar kontratë me klubin torinez deri më 30 qershor 2031.

    Klubi italian njoftoi se ka arritur marrëveshje me Bayer Leverkusen për transferimin e përhershëm të sulmuesit anësor 19-vjeçar, duke siguruar një nga talentet më premtues të futbollit evropian.

    I lindur në Këln, por me kombësi boshnjake, Alajbegovic mbërrin në Torino pas një sezoni mbresëlënës me Red Bull Salzburgun, ku zhvilloi 44 ndeshje në të gjitha garat, shënoi 13 gola dhe regjistroi katër asistime.

    Në komunikatën zyrtare, Juventusi e përshkruan 19-vjeçarin si një futbollist dinamik dhe shumë të gjithanshëm, i aftë të luajë në të dy krahët e sulmit falë përdorimit të shkëlqyer të të dyja këmbëve.

    Klubi bardhezi vlerëson gjithashtu aftësitë e tij në kontrollin e topit në hapësira të ngushta, shpejtësinë dhe cilësinë për të krijuar epërsi numerike në situatat një kundër një.

    Alajbegovic e nisi karrierën në akademinë e Këlnit, përpara se t’i bashkohej Bayer Leverkusenit, ku hodhi hapat më të rëndësishëm në zhvillimin e tij si futbollist. Ai debutoi edhe me ekipin e parë, duke regjistruar paraqitje në Bundesliga dhe në Ligën e Kampionëve.

    Pavarësisht moshës së re, Alajbegovic ka fituar tashmë vend edhe në Kombëtaren e Bosnjë e Hercegovinës. Pas paraqitjeve me grupmoshat, ai debutoi me ekipin A dhe deri më tani ka zhvilluar 11 ndeshje, duke shënuar dy gola, njëri prej tyre në fazën finale të Kupës së Botës 2026.

  • Jose Mourinho flet për të ardhmen e Viniciusit mes zërave për kalimin te Arsenali

    Jose Mourinho flet për të ardhmen e Viniciusit mes zërave për kalimin te Arsenali

    Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka komentuar situatën e Vinicius Junior, i cili vazhdon të lidhet me një transferim të mundshëm te Arsenali gjatë afatit kalimtar të verës.

    Sulmuesi brazilian ka qenë në qendër të spekulimeve javët e fundit, pasi negociatat për rinovimin e kontratës me klubin madrilen thuhet se kanë ngecur. Sipas raportimeve, Arsenali po e ndjek me vëmendje situatën dhe është i gatshëm të bëjë një ofertë rekord për ta transferuar.

    Mediat raportojnë se drejtuesit e klubit londinez janë të gatshëm të thyejnë strukturën e pagave dhe t’i ofrojnë Viniciusit kushte të favorshme edhe sa i përket të drejtave të imazhit, me synimin për ta bindur të transferohet në “Emirates Stadium”.

    Megjithatë, Mourinho nuk është shfaqur i shqetësuar nga këto spekulime.

    Pas ndeshjes miqësore ndaj Fiorentinës, tekniku portugez konfirmoi se Viniciusi do t’i bashkohet skuadrës në ditët në vijim, pasi ka përfunduar pushimet pas Kupës së Botës.

    “Jam i shqetësuar që nuk i kam të gjithë lojtarët në dispozicion dhe do të doja të kisha tri javë punë me ta. Fatkeqësisht, kjo nuk është e mundur.

    Të hënën do të vijnë Vini Jr, Brahim dhe Bernardo. Gradualisht do të bashkohen edhe futbollistët që luajtën në gjysmëfinale dhe finale të Kupës së Botës, ndërsa i fundit do të jetë Cucurella”, deklaroi Mourinho për faqen zyrtare të Real Madridit.

    Deklaratat e trajnerit portugez lënë të kuptohet se Viniciusi vazhdon të jetë pjesë e planeve të Real Madridit për sezonin e ri, pavarësisht interesimit të raportuar nga Arsenali. Megjithatë, çështja e rinovimit të kontratës së brazilianit mbetet ende e pazgjidhur dhe pritet të jetë një nga temat kryesore të merkatos deri në mbylljen e saj.

  • Juventusi arrin marrëveshje me PSG-në për Kolo Muanin, zbulohen detajet e transferimit

    Juventusi arrin marrëveshje me PSG-në për Kolo Muanin, zbulohen detajet e transferimit

    Juventusi ka arritur marrëveshje me Paris Saint-Germain për transferimin e përhershëm të Randal Kolo Muanit, ka bërë të ditur eksperti i merkatos, Fabrizio Romano.

    Sulmuesi francez pritet të nënshkruajë kontratë me klubin torinez deri në verën e vitit 2031, pasi dy klubet kanë finalizuar detajet e marrëveshjes.

    Sipas Romanos, Juventusi do t’i paguajë PSG-së 38 milionë euro si shumë fikse, ndërsa marrëveshja përfshin edhe deri në 12 milionë euro të tjera në formë bonusesh, të lidhura me paraqitjet dhe sukseset e lojtarit.

    Me këtë marrëveshje, Juventusi ka hequr dorë nga formula e huazimit që ishte diskutuar më herët, duke siguruar transferimin e përhershëm të 27-vjeçarit.

    Kolo Muani pritet të përfitojë një pagë prej pak më shumë se pesë milionë euro neto në sezon me fanellën bardhezi.

    Ky transferim i jep fund një sage të gjatë të merkatos, pasi sulmuesi francez kishte qenë një nga objektivat kryesorë të Juventusit, pas paraqitjeve pozitive që kishte treguar gjatë periudhës së kaluar me klubin.

    Me afrimin e Kolo Muanit, Juventusi përforcon ndjeshëm repartin ofensiv, duke siguruar një sulmues me përvojë ndërkombëtare dhe një element të rëndësishëm për projektin afatgjatë të klubit torinez.

  • Mikel Arteta paralajmëron përforcime të tjera: Nuk do të rrimë duarkryq në merkato

    Mikel Arteta paralajmëron përforcime të tjera: Nuk do të rrimë duarkryq në merkato

    Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka bërë të ditur se klubi do të vazhdojë të jetë aktiv në afatin kalimtar të verës, duke theksuar se “Topçinjtë” synojnë ta përforcojnë edhe më shumë skuadrën para nisjes së sezonit të ri.

    Pas fitores bindëse 4-1 ndaj Gironas në një ndeshje miqësore, tekniku spanjoll u pyet për planet e Arsenalit në merkato, në një kohë kur klubi vazhdon të lidhet me emra të njohur si Bruno Guimaraes i Newcastle United dhe Vinicius Jr i Real Madridit.

    Megjithatë, Arteta shmangu komentet për futbollistë të veçantë, duke theksuar se fokusi i klubit mbetet forcimi i skuadrës.

    “Presim të ketë lëvizje në javët e ardhshme, natyrisht.

    Ne duam të bëhemi më të fortë, ashtu si çdo skuadër tjetër. Mjafton të shikoni tregun e transferimeve dhe atë që po bëjnë kundërshtarët tanë, por edhe ne. Nuk do të rrimë duarkryq dhe jemi shumë ambiciozë në atë që po bëjmë.

    Dallimet janë shumë të vogla. Ne duam të përmirësohemi, sepse niveli do të rritet. Duhet ta rrisim konkurrencën brenda skuadrës dhe të identifikojmë ato gjëra që ende na mungojnë”, deklaroi Arteta.

    Deri më tani, Arsenali ka siguruar shërbimet e portierit Illan Meslier dhe sulmuesit Christos Tzolis, ndërsa qendërmbrojtësi Piero Hincapie është transferuar përfundimisht, pasi sezonin e kaluar e kaloi në huazim në “Emirates Stadium”.

    Arsenali do ta nisë mbrojtjen e titullit në Ligën Premier më 21 gusht, kur në “Emirates Stadium” do të presë Coventry Cityn, skuadrën e sapongjitur në elitën e futbollit anglez.

  • Liverpooli i vendos çmim të lartë Gakpos, Tottenhami heziton të bëjë lëvizjen

    Liverpooli i vendos çmim të lartë Gakpos, Tottenhami heziton të bëjë lëvizjen

    Liverpooli ka vendosur një çmim të lartë për Cody Gakpon, mes interesimit të vazhdueshëm të Tottenhamit për sulmuesin holandez gjatë afatit kalimtar të verës.

    Sipas Anfield Watch, drejtuesit e Liverpoolit kërkojnë rreth 72 milionë funte për 26-vjeçarin, i cili vazhdon të jetë në listën e dëshirave të klubit londinez.

    “The Reds” e arsyetojnë këtë vlerësim duke iu referuar edhe transferimit të Anthony Gordonit te Barcelona për 69 milionë funte, duke besuar se Gakpo ka më shumë përvojë dhe e ka dëshmuar veten në nivelin më të lartë të futbollit evropian.

    Tottenhami është lidhur me Gakpon prej javësh, madje muajsh, por kërkesa e lartë financiare e Liverpoolit ka bërë që ai të mos jetë më prioriteti kryesor i klubit.

    Aktualisht, Spurs janë duke zhvilluar bisedime për transferimin e Savinhos nga Manchester City, megjithatë nuk përjashtohet mundësia që skuadra londineze të afrojë dy anësorë gjatë kësaj vere.

    Mbetet të shihet nëse Tottenhami do të rikthehet me një ofertë konkrete për Gakpon apo do ta përqendrojë vëmendjen te objektiva të tjerë në merkato.

  • Mirlind Daku me lot në sy pas fitores së Rubin Kazanit, trajneri: I urojmë fat për gjithçka

    Mirlind Daku me lot në sy pas fitores së Rubin Kazanit, trajneri: I urojmë fat për gjithçka

    Mirlind Daku ishte protagonisti kryesor në fitoren 2-1 të Rubin Kazanit ndaj Akron Tolyattit në javën e dytë të Ligës Premier të Rusisë, por skenat pas ndeshjes morën edhe më shumë vëmendje sesa goli i tij.

    Sulmuesi shqiptar realizoi golin e fitores për Rubin Kazanin, ndërsa pas vërshëllimës përfundimtare u përqafua nga bashkëlojtarët, të cilët e ngritën në krahë dhe e hodhën disa herë në ajër, në një moment mjaft emocional.

    Vetë Daku nuk arriti t’i përmbante emocionet dhe u pa me lot në sy. Sipas raportimeve, reagimi i tij lidhet me largimin e mundshëm nga Rubin Kazani gjatë këtij afati kalimtar.

    Së fundmi është raportuar se Spartaku i Moskës ka aktivizuar klauzolën e lirimit të sulmuesit shqiptar, duke e afruar ndjeshëm transferimin e tij. Klubi rus thuhet se është i gatshëm të paguajë 11 milionë euro, shumë e paraparë në kontratën e Dakut.

    Pas ndeshjes, trajneri i Rubin Kazanit, Javi Artiga, u pyet nëse kjo ishte ndeshja e fundit e Dakut me fanellën e skuadrës.

    “Nuk e di, do ta shohim. Unë jam trajneri dhe të gjitha lajmet na kanë gjetur këtu në Samara”, tha fillimisht Artiga për “Match TV”.

    Më pas ai nuk i kurseu fjalët e mëdha për sulmuesin shqiptar.

    “Në çdo rast, i urojmë Mirlindit shumë fat dhe e falënderojmë për gjithçka. Përveçse është një futbollist i shkëlqyer, Mirlindi është edhe një njeri i jashtëzakonshëm që gjithmonë jep gjithçka për skuadrën. Ju kujtohet sezoni kur Rubini u rikthye nga Liga e Parë dhe, në masë të madhe falë Dakut, arriti një tjetër nivel”, u shpreh trajneri.

    Ndërkohë, sipas raportimeve, Daku pritet të nënshkruajë një kontratë shumëvjeçare me Spartakun e Moskës, ku do të përfitojë rreth 3.3 milionë euro në sezon, pagë që do ta rendiste ndër tre futbollistët më të paguar në kampionatin rus.

  • Real Madridi cakton ofertën për Rodrin, beson se mesfushori dëshiron transferimin

    Real Madridi cakton ofertën për Rodrin, beson se mesfushori dëshiron transferimin

    Real Madridi po vazhdon përpjekjet për transferimin e Rodrit nga Manchester City dhe tashmë ka përcaktuar shumën që është i gatshëm të paguajë për mesfushorin spanjoll.

    Sipas gazetares Arancha Rodríguez, drejtuesit e klubit madrilen janë të bindur se 30-vjeçari dëshiron t’i bashkohet Real Madridit gjatë kësaj vere.

    Raportohet se “Los Blancos” e vlerësojnë Rodrin mes 40 dhe 70 milionë eurove, duke besuar se marrëveshja me Manchester Cityn mund të arrihet brenda këtij diapazoni financiar. Megjithatë, bisedimet mes dy klubeve janë ende në vazhdim.

    Rodri ka qenë një nga objektivat kryesorë të Real Madridit gjatë këtij afati kalimtar. Sipas raportimeve, trajneri Jose Mourinho e konsideron spanjollin përforcimin ideal për mesfushën në prag të sezonit të ri.

    Edhe pse ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare me Manchester Cityn, optimizmi në kampin madrilen mbetet i lartë. Besohet se dëshira e vetë lojtarit për t’u transferuar në “Santiago Bernabéu” mund të jetë vendimtare në finalizimin e marrëveshjes.

    Negociatat pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa Real Madridi synon të sigurojë një nga transferimet më të bujshme të kësaj vere.