ATV

Category: Sport

  • ​Milani drejt një krize financiare

    ​Milani drejt një krize financiare

    Dështimi i Milanit për t’u kualifikuar në ndonjë garë evropiane në sezonin 2025/26 shënon një përfundim të hidhur për një sezon tashmë zhgënjyes, por pasojat do të ndihen edhe përtej fushës.

    Humbja 3-1 e kuqezinjve ndaj Romës i mbylli zyrtarisht derën çdo shprese për një vend në gjashtë vendet e para, duke përjashtuar madje edhe një vend në Ligën e Konferencës së Evropës, pavarësisht rezultatit në ndeshjen e tyre të fundit në ligë, transmeton KosovaPress.

    Pasojat financiare pritet të jenë të konsiderueshme. Sipas “Calcio e Finanza”, gara e Milanit në Ligën e Kampionëve 2024/25 — e cila përfundoi në raundin play-off kundër Feyenoord — gjeneroi pak më pak se 60 milionë euro të ardhura nga UEFA.

    Shtuar kësaj ishin rreth 19-20 milionë euro nga pesë ndeshje në shtëpi, duke e çuar totalin afër 80 milionë euro — të ardhura që do të mungojnë sezonin e ardhshëm.

    Edhe një fushatë minimale në Ligën e Kampionëve vitin e ardhshëm, me një eliminim të hershëm nga Faza e Ligës dhe pa fitore, do të kishte garantuar rreth 40 milionë euro vetëm nga UEFA, plus afërsisht 15 milionë euro të ardhura nga dita e ndeshjeve.

    Liga e Evropës, ndonëse më pak fitimprurëse, do të kishte siguruar një bazë prej 13 milionë eurosh, me potencialin për të arritur 35 milionë euro ose më shumë në rast të një avancimi më tutje. Edhe kualifikimi në Ligën e Konferencave mund ta kishte zbutur goditjen – thuhet se Chelsea fitoi mbi 20 milionë euro gjatë rrugës për në finalen e vitit 2025.

    Pa futbollin evropian, Milani pritet të rivlerësojë strategjinë financiare, me shitjet e lojtarëve në tryezë. Mesfushori Tijjani Reijnders mund të jetë midis atyre që sakrifikohen, pasi klubi shpreson të ndezë një luftë ofertash midis Manchester City dhe Real Madrid. /kp

  • ​Ndryshon muaji, caktohet data e ndarjes së Topit të Artë

    ​Ndryshon muaji, caktohet data e ndarjes së Topit të Artë

    Ceremonia e ndarjes së çmimeve për “Topin e Artë” të vitit 2025 do të zhvillohet më 22 shtator në “Théâtre du Châtelet” në Paris, transmeton KosovaPress.

    Topi i Artë do të shpallet një muaj më herët se zakonisht këtë vit: ndërsa ceremonitë e fundit u mbajtën në fund të tetorit, edicioni i vitit 2025 do të zhvillohet më 22 shtator.

    Mbrëmja do të zhvillohet në të njëjtin vend prestigjioz: Théâtre du Châtelet, në zemër të Parisit. Lojtarët e nominuar për trofetë do të shpallen në gjysmën e parë të gushtit.

    Ceremonia e vitit 2025 do të shënohet nga barazia në shpërndarjen e çmimeve: të gjitha trofetë që ekzistonin vetëm për burrat tani do të jenë në dispozicion edhe për gratë (portierja më e mirë, lojtarja më e mirë e re, golashënuesja më e mirë).

    Duhet kujtuar se kjo ceremoni organizohet nga France Football: 30 lojtarë janë nominuar për Topin e Artë dhe emrat e tyre do të hidhen në votim. Votuesit janë gazetarë. Janë 100 për Topin e Artë të meshkujve dhe 50 për Topin e Artë të femrave.

    Nga ana e saj, France Football ka njoftuar një modifikim në kriteret e përzgjedhjes. Do të merren në konsideratë tre kritere hierarkike . Së pari, performancat individuale dhe natyra vendimtare dhe mbresëlënëse e lojtarit. Së dyti, aspekti kolektiv dhe trofetë e fituar. Së fundmi, klasi dhe loja e ndershme. Megjithatë, kriteri që lidhet me tërësinë e karrierës së një lojtari është hequr nga procedurat e votimit për garën e këtij viti.

  • Lapidar Lladrovci: Ëndrra ime ishte të luaja për Bayern-in

    Lapidar Lladrovci: Ëndrra ime ishte të luaja për Bayern-in

    I ftuar të dielën mbrëma në emisionin “Ekipi A” në ATV, futbollisti i FC Feronikelit 74 Lapidar Lladrovci i cili lajmëroi që do të pensionohet nga futbolli aktiv u shpreh se ishte pregaditur për këtë largim.

    “Më kanë thënë të gjithë se do të kesh shumë emocione, ndeshja e fundit sidomos brenda, para tifozërisë tonë, por unë nuk kam pas shumë emocione. Kam qenë goxha i ftohtë sepse pensionimin e kam bërë me plan, qe një kohë e kam menduar, por në të ardhmen e di që do të më mungojë futbolli.”

    E sa i përket karrierës së tij ku ishte pjesë e pesë klubeve, tre tituj kampioni, katër herë fitues i Kupës, pjesë e ekipit Kombëtar, ai shprehet i kënaqur me atë që kishte kaluar por tregon edhe ëndrrën e tij:

    “Ka qenë një karrierë e mirë, e kënaqshme. Kam pasur fatin të jem pjesë e skuadrave të mira. Por, si fëmijë, si çdo futbollist, edhe ëndrra ime ishte të bëhem pjesë e një prej klubeve më të mëdha Evropine, të jem lojtar i Bayern-it, pasi kam jetuar në Munchen. Por, kur e përmbledh karrierën time jam i kënaqur sepse kam fituar shumë dhe e kam shijuar shumë pjesën e Kombëtares dhe jam shumë krenar për këtë.” – tha ndër të tjera 34 vjeçari për ATV-në.

    Për më shumë, ndiqni videon më poshtë:

  • Ardian Basha: Nuk na besonin, por punuam shumë për ta mbajtur Dukagjinin në Superligë

    Ardian Basha: Nuk na besonin, por punuam shumë për ta mbajtur Dukagjinin në Superligë

    I ftuar të dielën mbrëma në emisionin “Ekipi A” në ATV, Ardian Basha ndihmës trajneri i Klubit të Futbollit Dukagjini u shpreh se shumë pak besuan se do të arrijnë të qëndrojnë në Superligë.

    “Këtë vit te Dukagjini është ndërruar trajneri, Ismet Munishi erdhi me filozofi tjetër dhe ka pasur lëvizje të lojtarëve bazë. Trajneri Ismet ju jepë shumë besim e minutazh lojtarëve të rinjë dhe natyrisht fillimi i kampionatit ishte i vështirë me rezultate jo të mira. Andaj, disa analistë përceptonin se Dukagjini do ta ketë të vështirë mbijetesën. Por, gjatë rrugës kemi punuar shumë, me përkushtim të madh dhe frytet kanë ardhur sidomos në sezonin e dytë. Atëherë arritëm të bëjmë një ekip shumë konkurues dhe arritëm fitore disa ndeshje radhazi. Falenderoj lojtarët që kanë dhënë gjithçka, ka qenë një grup shumë i mirë, tifozët, stafin dhe presidentin për punën e palodhshme.” – u shpreh ndër të tjera Ardian Basha.

    Për më shumë, ndiqni videon më poshtë:

  • ​Messi: Rivaliteti më Ronaldon ishte luftë në vete

    ​Messi: Rivaliteti më Ronaldon ishte luftë në vete

    Është rivaliteti më i famshëm në futbollin modern, Lionel Messi apo Cristiano Ronaldo. Tani ylli argjentinas i futbollit flet hapur në një intervistë për atë që e konsideron si “një kohë të mrekullueshme”.

    Për vite me radhë, Lionel Messi (dhe Cristiano Ronaldo luftuan në një duel në nivelin më të lartë, duke formësuar kështu futbollin. Në një intervistë me kanalin zyrtar X të Topit të Artë, Messi tani flet hapur për marrëdhënien e tij me portugezin.

    “Ishte gjithmonë një luftë”, pranon superylli argjentinas. “Nga pikëpamja sportive, ishte shumë bukur. Ne e shtymë njëri-tjetrin që të bëhemi gjithmonë më të mirë, sepse të dy jemi shumë ambiciozë. Ai gjithmonë donte të fitonte gjithçka – dhe unë gjithashtu. Ishte një kohë e mrekullueshme për ne dhe për të gjithë njerëzit që e duan futbollin”, thekso sulmuesi argjentinas, përcjellë KosovaPress.

    Dominimi i dy lojtarëve të jashtëzakonshëm është i dukshëm jo vetëm në Primera Division Spanjoll ose në Ligën e Kampionëve, por mbi të gjitha në luftën për Topin e Artë. Nga viti 2008 deri në vitin 2017, çmimi prestigjioz i shkoi ekskluzivisht njërit prej të dyve. Messi e fitoi çmimin gjithsej tetë herë, Ronaldo pesë herë.

    “Ajo që kemi arritur gjatë një periudhe kaq të gjatë kohore meriton respektin më të madh. Sepse, siç thotë shprehja, është e lehtë të arrish majën – pjesa e vështirë është të qëndrosh atje.”, thotë Messi.

    Dy legjendat e futbollit që atëherë janë larguar nga vëmendja dhe tani luajnë jashtë Evropës. Messi në MLS-në amerikane, Ronaldo te klubi saudit Al-Nassr.

    Edhe pse të dy ndoshta nuk do të takohen më në asnjë ligë, mund të ketë ende një duel final – në Kupën e Botës 2026. Messi është tashmë i rezervuar për turneun me Argjentinën, ndërsa Ronaldo ende duhet të kualifikohet me Portugalinë. /kp

  • Tifozët e Novi Pazarit në ndeshjen ndaj Cërvena Zvezdës: Kosova nuk është e juaja, është shqiptare

    Tifozët e Novi Pazarit në ndeshjen ndaj Cërvena Zvezdës: Kosova nuk është e juaja, është shqiptare

    Novi Pazari dhe Cërvena Zvezda luajtën një ndeshje dramatike që përfundoi me rezultat të barabartë 3:3, të shtunën në xhiron e parafundit të plejofit të Superligës së Serbisë.

    Zvezda tashmë e ka siguruar titullin kampion, ndërsa Novi Pazari vazhdon të shpresojë për një kualifikim historik në garat evropiane, gjë që mund ta arrijë vetëm me fitore në ndeshjen e fundit kundër OFK Beogradit, në udhëtim.

    Përballja në stadiumin e qytetit në Novi Pazar, e ndjekur nga rreth 9000 shikues, u karakterizua nga një atmosferë e tensionuar. Loja u ndërpre disa herë për shkak të hedhjes së mjeteve shpërthyese në fushë. Përveç tifozëve të zjarrtë vendas, të pranishëm ishin edhe mbështetës të Cërvena Zvezdës.

    Mediat serbe kanë raportuar për parulla dhe këngë që erdhën nga tifo-grupi boshnjak i Novi Pazarit, “Torcida Sanxhak”, që përshëndetën Kosovën si pjesë të Shqipërisë dhe u drejtuan drejtpërdrejt kundër tifozëve beogradas si “Delije” dhe “Grobari”. Sipas “sportal.rs”, kjo është cilësuar si një “provokim i turpshëm në zemër të Serbisë”.

    Kënga “E keni humbur Kosovën, ishte serbe, tani është shqiptare; dëgjoni Delije, dëgjoni Grobari, Kosova nuk do të kthehet” u këndua nga i gjithë stadiumi i Novi Pazarit. Si kundërpërgjigje, tifozët e Zvezdës brohoritën “Kosova është Serbi” dhe shfaqën flamurin serb të vendosur mbi hartën e Kosovës, duke shoqëruar gjithashtu thirrje për Ratko Mladiqin. Nga ana tjetër, tifozët vendas përmendën emrin e komandantit boshnjak Naser Oriq.

    Edhe media tjetër nacionaliste serbe “informer.rs” shkroi për “skandal” dhe përkrahje ndaj shqiptarëve, duke theksuar se një gjë e tillë do të zemëronte gjithë Serbinë.

    Tifozeria e Novi Pazarit ka një rivalitet të ashpër me tifozët e klubeve beogradase, dhe megjithëse janë më të paktë në numër, shpesh arrijnë të jenë në qendër të vëmendjes së mediave serbe.

  • Lamine Yamal ka rinovuar kontratën me Barcelonën, pritet vetëm nënshkrimi

    Lamine Yamal ka rinovuar kontratën me Barcelonën, pritet vetëm nënshkrimi

    Presidenti i FC Barcelonës, Joan Laporta, ka konfirmuar se talenti i ri katalanas, Lamine Yamal, ka arritur marrëveshjen për rinovimin e kontratës me klubin, duke theksuar se mbetet vetëm formalizimi përmes nënshkrimit, shkruan Gazeta Sinjali.

    “Rinovimi i Lamine është arritur, dhe e vetmja gjë që mungon është nënshkrimi formal”, deklaroi Laporta për mediat spanjolle.

    Ai shtoi se Yamal ka një lidhje të veçantë me ambientin në “Camp Nou” dhe shokët e skuadrës.

    “Yamal është një gjeni që kënaqet duke luajtur për Barcelonën. Ka miq në klub dhe është pjesë e një brezi me lidhje të fortë mes tyre”, u shpreh presidenti i klubit blaugrana.

  • Fundjavë e zjarrtë në elitën e futbollit kosovar – Superliga në fazën vendimtare

    Fundjavë e zjarrtë në elitën e futbollit kosovar – Superliga në fazën vendimtare

    Elita e futbollit kosovar rikthehet sot me ndeshjet e xhiros së 35-të, teksa sezoni ka hyrë në fazën përmbyllëse dhe emocionet janë më të zjarrta se kurrë.

    Edhe pse Drita tashmë e ka siguruar matematikisht titullin e kampionit të Kosovës, mbetet e hapur gara për pozitat që sigurojnë pjesëmarrjen në garat evropiane, si dhe beteja e ashpër për mbijetesë në elitë.

    Të gjitha pesë ndeshjet e kësaj jave do të zhvillohen sot duke filluar nga ora 16:00, me përballje që pritet të sjellin dramë dhe rivalitet të madh.

    Pa dyshim, vëmendja më e madhe është te derbi gjilanas mes Gjilanit dhe Dritës – një sfidë që gjithmonë sjell pasion të zjarrtë brenda dhe jashtë fushës, pavarësisht renditjes së skuadrave.

    Një tjetër duel i rëndësishëm është përballja mes Ballkanit dhe Llapit – dy ekipe me ambicie për Evropë, që pritet të dhurojnë spektakël në luftën për tri pikët.

    Në takimet e tjera, Dukagjini pret Ferizajn në një sfidë me rëndësi për mbijetesë, Malisheva përballet me Suharekën në një duel rajonal, ndërsa Feronikeli ’74 do të kërkojë pikë të arta kundër Prishtinës për të mbajtur gjallë shpresat e qëndrimit.

    Superliga e Kosovës – Java e 35-të

    E shtunë, ora 16:00

    Dukagjini-Ferizaj

    Malisheva-Suhareka

    Ballkani-Llapi

    Gjilani-Drita

    Feronikeli ’74-Prishtina

  • Superliga rikthehet me duele të zjarrta – Kush qëndron, kush bie?

    Superliga rikthehet me duele të zjarrta – Kush qëndron, kush bie?

    Fundjava sjellë emocione të mëdha në futbollin kosovar, pasi Superliga rikthehet me ndeshjet e javës së 35-të – e parafundit për këtë sezon.

    Edhe pse tashmë është zyrtarizuar kampioni, Drita, gara për vendet që sigurojnë Evropën dhe mbijetesa në elitën e futbollit po hyjnë në një fazë tejet kritike, ku çdo pikë mund të jetë vendimtare.

    Të gjitha përballjet do të zhvillohen të shtunën, me fillim nga ora 16:00, e pa dyshim që vëmendja më e madhe do të jetë në Gjilan, ku skuadra vendase përballet me kampionen Drita – në derbin më të zjarrtë të futbollit kosovar.

    Një tjetër sfidë që pritet me interes të madh është ajo mes Ballkanit dhe Llapit – dy skuadra që po luftojnë fort për një vend në Evropë.

    Edhe takimet tjera pritet të jenë të zjarrta, pasi skuadrat që ndodhen në pjesën e poshtme të tabelës janë në garë të drejtpërdrejtë për të shmangur rënien nga elita.

    Superliga e Kosovës – Java e 35-të

    E shtunë, 18 maj | Ora 16:00

    Dukagjini – Ferizaj

    Malisheva – Suhareka

    Ballkani – Llapi

    Gjilani – Drita

    Feronikeli ’74 – Prishtina

  • ​Rama për Lojërat Mesdhetare: Nuk lejojmë t’i humbasim ato

    ​Rama për Lojërat Mesdhetare: Nuk lejojmë t’i humbasim ato

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama deklaron se kryeqyteti është në hap me kohën sa i përket përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare – me plane të qarta për infrastrukturën dhe ndërtimin e stadiumit të ri.

    Në një intervistë për KosovaPress, ai thekson se megjithëse niveli lokal është aktiv dhe i organizuar, mungesa e institucioneve qendrore po ngadalëson procesin.

    Ai bën thirrje për bashkëpunim të shpejtë për të mos rrezikuar këtë mundësi historike për Kosovën.

    “Lojërat Mesdhetare janë nesër sa i përket kohës që e kemi për të krijuar infrastrukturën e nevojshme për Lojërat Mesdhetare. Ne si kryeqytet kemi vazhduar me procesin, me përpilimin masterplanit të fshatit olimpik për Lojërat Mesdhetare edhe detalizimit të tij, kështu që jemi dy hapa përpara për fat të mirë, mirëpo mungesa e krijimit të institucioneve të nivelit qendror normalisht që e pamundëson zhvillimin e shpejtë i cili ishte dashur të jetë në zhvillim e sipër për stadiume, për hapësira të ndryshme, për arena e të tjera për Lojërat Mesdhetare”, thotë Rama.

    I pari i Komunës së Prishtinës thekson se janë në komunikim të vazhdueshëm me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare duke i informuar ata për çdo hap që po merret në funksion të përgatitjeve për mbarëvajtjen e këtyre lojërave në Kosovë, që mbahen pas pesë vjetësh.

    “Edhe në takimet tona që i kemi pasur me ICMG [Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare] ju kemi treguar dhe ju kemi dhënë besimin atyre, e kanë parë që faktikisht ne jemi përpara me planifikime si kryeqytet prandaj për momentin jemi në rregull por nuk duhet të ndalemi sepse koha ecën tepër shpejtë”, vijon tutje Rama.

    Duke parë se ende nuk është ndërmarrë asnjë hap për ndërtimin e stadiumit kombëtar, Rama bën të ditur se komuna do ta ndërtojë një stadium të ri, të kategorisë së katërt të UEFA-s që do ta kryejë këtë funksion.

    “Ne kemi propozuar dhe kemi planifikuar dhe do ta ndërtojmë stadiumin e kryeqytetit, i cili do t’i ketë të gjitha kapacitetet edhe për Lojërat Ndërkombëtare, pra do të jetë i kategorisë së katërt të UEFA-s që i mundëson të gjitha nevojat për lojëra ndërkombëtare. Por a do të trajtohet ai si stadium kombëtar apo jo, ajo mbetet të shihet, por po them që neve na duhet një stadium i ri i kryeqytetit të cilin e kemi planifikuar dhe të cilin do ta ndërtojmë”, bën të ditur Rama.

    Ai ka folur për rrezikun potencial që Kosova të humb të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare, pikërisht për shkak të vonesave në ndërtimin e infrastrukturës sportive, duke thënë në asnjë mënyrë nuk do të lejojnë që kjo të ndodh.

    “Ne për fat të mirë kemi shumë mundësi si kryeqytet t’i shtyjmë proceset përpara dhe nuk do ta lejojmë këtë gjë [dështimi i organizimit të Lojërave Mesdhetare] të ndodh. Po them që uroj që qeveria të formohet sa më parë dhe në bashkëpunim me nivelin lokal, pra me kryeqytetin, t’i shtyjmë proceset sa më shpejtë sepse sa më shpejtë aq më mirë, dhe aq më nikoqirë të mirë do të jemi. E kemi vetëm një rast ndoshta në histori të vendit tonë, të kryeqytetit dhe të Kosovës që të jemi nikoqirë të këtyre lojërave të mrekullueshme dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që të organizohemi në mënyrën më të mirë që të jemi nikoqirët më të mirë, sepse kjo e tregon nivelin e ngritjes së shoqërisë sonë në nivelin ndërkombëtar, prandaj uroj që qeveria të formohet sa më parë dhe t’i shtyjmë proceset sa më parë, sepse sa më parë ne t’i kryejmë punët tona të cilat na nevojiten atëherë mund të futemi edhe në detaje dhe t’i kemi lojërat ndërkombëtare më të mira deri më tani. Këtë ne e synojmë”, thotë Rama.

    Thirrje për intensifikim të punëve në përgatitjet për Lojërat Mesdhetare së fundi kanë bërë edhe nga Komiteti Olimpik i Kosovës.

    Për KosovaPress, ata kanë thënë se kanë frikë se Kosova me këtë ritëm të punëve mund të mos jetë gati që në vitin 2030 këto lojëra të organizohen në vendin tonë./kp