ATV

Category: Sport

  • Napoli lë jashtë Lukakun nga lista e Championsit për shkak të lëndimit

    Napoli lë jashtë Lukakun nga lista e Championsit për shkak të lëndimit

    Napoli ka publikuar listën e lojtarëve të regjistruar për fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve 2025/26, ku mungon emri i Romelu Lukakut.

    Sulmuesi belg, që sezonin e kaluar ishte një nga lojtarët kyç të skuadrës së Antonio Contes, nuk është përfshirë për shkak të një lëndimi serioz. Lukaku u dëmtua më 14 gusht, gjatë një miqësoreje me Olympiacosin, duke pësuar një tërheqje në kofshën e majtë. Ky dëmtim pritet ta mbajë jashtë fushave për tre deri në katër muaj.

    Si pasojë, 32-vjeçari do të mungojë në të gjitha tetë ndeshjet e fazës së grupeve, ndërsa rikthimi i tij parashikohet në dhjetor. Për këtë arsye, Conte ka vendosur të mos e regjistrojë në listën e UEFA-s, duke llogaritur në alternativa të tjera sulmuese, përfshirë edhe Rasmus Højlundin, i transferuar këtë verë nga Manchester United.

    Lukaku do të ketë mundësinë të rikthehet nëse Napoli arrin fazën e eliminimit direkt të Championsit.

  • Mërgim Vojvoda: “Djemtë janë gati dhe jemi tu shku me i marr tri pikë”

    Mërgim Vojvoda: “Djemtë janë gati dhe jemi tu shku me i marr tri pikë”

    Përpara se të nisen për në Zvicër, Mërgim Vojvoda, me anë të një postimi nga Federata e Futbollit të Kosovës, ka treguar se janë gati për këto dy ndeshje dhe se qëllimi është të marrin pikët e plota.

    “Atmosfera është shumë e mirë, e dijmë që na presin dy ndeshje shumë të rëndësishme. Në Zvicër e dijmë që është e vështirë me lujtë atje, por e dijmë që kemi me pas shumë përkrahje dhe kjo do të na ndihmojë. Djemtë janë gati dhe jemi tu shku me i marr tri pikë.

    “Në këto dy ndeshje qëllimi është me i marr 6 pikë, të dy ekipet janë favorite, por ndonjëherë nuk i dihet dhe ndoshta është më mirë sepse presioni nuk është aq tek ne por tek ata.”

    Ndeshja do të zhvillohet të premten, nga ora 20:45 dhe do të luhet në stadiumin – St. Jakob Park (Basel).

  • FBK cakton 4 shtatorin si afat final për licencimin e klubeve dhe shkollave të basketbollit

    FBK cakton 4 shtatorin si afat final për licencimin e klubeve dhe shkollave të basketbollit

    Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka bërë të ditur se më 4 shtator përfundon afati për licencimin e klubeve dhe shkollave të basketbollit për edicionin garues 2025/26. Ky proces zhvillohet sipas Rregullores për Licencim dhe Garim dhe përfshin pesë kritere bazë: sportiv, financiar, ligjor, etik e disiplinor, si dhe administrativ e infrastrukturor.

    Klubet duhet të dorëzojnë dokumentacionin për kategorinë përkatëse të licencës (A, B, C ose D). Një ndër risitë e këtij edicioni është obligimi i klubeve të Superligës së Meshkujve që të dedikojnë së paku 10% të buxhetit vjetor për gjeneratat e reja dhe të paraqesin një program trajnimi për grupmoshat U10–U18.

    FBK ka kërkuar gjithashtu respektim të politikave të mbrojtjes së fëmijëve, duke obliguar klubet të emërojnë një person përgjegjës për këtë fushë dhe të marrin pjesë në trajnimet e nevojshme.

    Dokumentacioni për licencim duhet të dorëzohet fizikisht në zyrat e FBK-së deri më 4 shtator 2025.

  • Kombëtarja e Kosovës ka mbajtur sot stërvitjen e fundit para nisjes për në Bazel të Zvicrës

    Kombëtarja e Kosovës ka mbajtur sot stërvitjen e fundit para nisjes për në Bazel të Zvicrës

    Kombëtarja e Kosovës në futboll ka mbajtur sot seancën e fundit stërvitore para nisjes për në Bazel të Zvicrës.

    Atmosfera shihet fantastike në grupin e “Dardanëve” para ndeshjes së rëndësishme.

    Franco Foda sot mbajti seancën e fundit, kurse nesër ekipi i Kosovës pritet të udhëtojë drejt Zvicrës.

    Të premten nga ora 20:45, zhvillohet ndeshja kundër “helvetikëve”, e vlefshme për kualifikim në Kupën e Botës 2026. /ATVLIVE.TV

  • Caktohet data e Superkupës dhe fillimit të edicionit të ri garues në volejboll

    Caktohet data e Superkupës dhe fillimit të edicionit të ri garues në volejboll

    Federata e Volejbollit e Kosovës (FVK) në mbledhjen e rradhës të bordit ka marrë vendime të rëndësishme që lidhen me zhvillimet e brendshme dhe përgatitjet për sezonin e ri garues 2025/26.

    Fillimisht, Bordi i FVK-së aprovoi procesverbalin e mbledhjes së kaluar, si dhe raportin e kombëtareve seniore për kualifikimet e CEV EuroVolley 2026, duke vlerësuar përkushtimin dhe paraqitjet e ekipit kombëtar në këtë cikël garash.

    Një pjesë e veçantë e mbledhjes iu kushtua përgatitjeve për sezonin e ri 2025/26, ku u përcaktua edhe kalendari i garave kombëtare:

    • Superkupa në konkurrencën e femrave do të zhvillohet më 20/21 shtator 2025;

    • Superliga A në të dy konkurrencat do të nisë më 27/28 shtator 2025;

    • Superliga B dhe Liga e Parë do të startojnë më 4/5 tetor 2025.

    Me këto vendime, FVK synon një organizim të standardit të lartë dhe të qëndrueshëm të garave, si dhe krijimin e një ambienti sa më të mirë për zhvillimin e volejbollit në Kosovë.

  • Szymon Marciniak do të ndajë drejtësinë në ndeshjen Zvicer – Kosovë

    Szymon Marciniak do të ndajë drejtësinë në ndeshjen Zvicer – Kosovë

    Shtëpia e futbollit, UEFA ka caktuar gjyqtarët për ndeshjen mes Zvicrës dhe Kosovës, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026.

    Gjyqtari kryesor i kësaj sfide do të jetë polaku Szymon Marciniak, i njohur për eksperiencën e tij në arenën ndërkombëtare.

    Ai do të shoqërohet nga ndihmësit Tomasz Listkiewicz dhe Adam Kupski, ndërsa Pawel Raczkowski do të jetë gjyqtari i katërt. Për sistemin VAR do të kujdeset Tomasz Kwiatkowski.

    Kujtojmë se Marciniak e ndau drejtësinë në finalen e Botërorit të fundit dhe finalen e Ligës së Kampionëve kështuqë do të jetë kryesor edhe në përballjen në mes të helvetëve dhe dardanëve.

    Ndeshja do të luhet të premten, me fillim nga ora 20:45, në qytetin Basel të Zvicrës. /ATVLIVE.TV

  • Skuadra e Vedat Muriqit, largon Dani Rodrigez nga shiriti i kapitenit

    Skuadra e Vedat Muriqit, largon Dani Rodrigez nga shiriti i kapitenit

    Klubi spanjoll Mallorca është përballur me një situatë jo të zakonshme.

    Kapiteni, Dani Rodrigez, në ndeshjen me Real Madridin nuk u paraqit asnjë minutë në fushë dhe pas ndeshjes ka akuzuar klubin për meritokraci.

    Nga ana tjetër, klubi ishullor nuk e ka toleruar aspak sjelljen e tij, duke e pezulluar 37-vjeçarin.
    Në njoftim ata shkruajnë:

    “Mallorca njofton se lojtari, Dani Rodrigez, është pezulluar nga puna dhe paga. Për më tepër, klubi ia ka hequr lojtarit shiritin e kapitenit me efekt të menjëhershëm”.

    Kujtojmë se mesfushori është pjesë e Mallorcës nga viti 2018.

    Ndërsa, Mallorca në këtë merkato verore zyrtarizoi edhe shqiptarin e dytë, përpos Vedat Muriqit tani pjesë e tyre është edhe Marash Kumbulla. /ATVLIVE.TV

  • Gjobat e rënda ndaj tifozëve ndezin debat në futbollin kosovar

    Gjobat e rënda ndaj tifozëve ndezin debat në futbollin kosovar

    Sjellja e tifozëve në stadiumet e futbollit kosovar po ndëshkohet gjithnjë e më ashpër nga autoritetet. Vetëm javën e fundit janë regjistruar dy raste me gjoba të rënda në Gjakovë dhe Podujevë, duke ngjallur debat mbi qasjen ndaj publikut sportiv.

    Në Gjakovë, një tifoz i Vëllaznimit u gjobit nga policia për ofendime ndaj lojtarëve të Prizrenit, gjatë ndeshjes së zhvilluar pranë palestrës “Shani Nushi”. Ai e pranoi se kishte sharë, por theksoi se nuk ishte i vetmi që veproi në atë mënyrë.

    Ndërkohë, në Podujevë, gjatë derbit mes Llapit dhe Dritës, dy anëtarë të “Intelektualëve” u gjobitën nga 500 euro secili. Sipas reagimit të tifo-grupit gjilanas, njëri u ndëshkua vetëm pse kishte lagur me birrë shokët gjatë festës, ndërsa tjetri pasi reagoi ndaj policisë gjatë tensioneve në tribuna. Si pasojë, tifozët e Dritës braktisën tribunat në minutat e fundit të ndeshjes.

    “Intelektualët” e kanë quajtur këtë vendim të policisë “të paprecedentë dhe të patolerueshëm”, duke publikuar edhe fotografinë e gjobës prej 500 euro.

    Këto raste kanë hapur diskutime të gjera për mënyrën se si po trajtohen tifozët në stadiume, me shqetësime se masat ndëshkuese mund të ndikojnë në uljen e numrit të tyre, ndonëse pjesëmarrja në tri javët e para të kampionatit ishte e lartë.

  • Antonio Cassano: “Edon Zhegrova goditja e merkatos, lojtar me personalitet”

    Antonio Cassano: “Edon Zhegrova goditja e merkatos, lojtar me personalitet”

    Legjenda e futbollit Italian, Antonio Cassano, ka folur mbi kalimin e yllit kosovar, Edon Zhegrova, tek Juventusi nga Lille.

    Ai e quan si një transfer të jashtëzakonshëm të kryer nga “Zonja e vjetër” dhe 26 vjeçarin e cilëson si lojtar me personalitet:

    “Sipas mendimit tim, goditja më e mirë e kësaj merkatoje është Zhegrova te Juventus. Është një lojtar me personalitet që më pëlqen jashtëzakonisht shumë, ka kualitet dhe sipas meje do të bëjë gjëra të mëdha.”

    Edon Zhegrova për shkak të këtij transferimi, nuk do të jetë i pranishëm për dy ndeshjet e shtatorit me Kombëtaren e Kosovës. /ATVLIVE.TV

  • Sylvinho nuk ka në dispozicion Ramadanin, Muçin dhe Kastratin

    Sylvinho nuk ka në dispozicion Ramadanin, Muçin dhe Kastratin

    Ende pa filluar ndeshjet e shtatorit, Kombëtarja e Shqipërisë ka hasur në mungesa të rëndësishme.

    Ylber Ramadani dhe Ernest Muçi, mungojnë për arsye dëmtimi, por tashmë problemeve fizike ka shfaqur edhe portieri Elhan Kastrati.

    Ai ka një pësuar një dëmtim në gju dhe pasi iu nënshtrua analizave nga stafi mjekësor, u arrit në përfundimin se nuk mund të jetë i gatshëm.

    Në vend të tij, trajneri brazilian ka ftuar portierin e Kombëtares U-21 Simon Simoni, i cili do të jetë në urdhrat e 51 vjeçarit.

    Ndërkaq, pjesa tjetër e skuadrës ka vijuar përgatitjet për ndeshjet e shtatorit në ditën e tretë në kampin stërvitor në Malaga të Spanjës.

    Kujtojmë se Shqipëria do të luajë më 4 shtator një miqësore ndaj Gjibraltarit në transfertë, me sfidën që nis në ora 18:00, ndërsa më datë 9 shtator kombëtarja do të presë Letoninë në sfidën e kualifikueseve që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” dhe fillon nga ora 20:45. /ATVLIVE.TV