ATV

Category: Sport

  • Boksierët kosovarë mësojnë kundërshtarët në Kampionatin Botëror në Liverpool

    Boksierët kosovarë mësojnë kundërshtarët në Kampionatin Botëror në Liverpool

    Boksierët nga Kosova kanë mësuar emrat e kundërshtarëve të tyre për Kampionatin Botëror të boksit, i cili do të mbahet në Liverpool të Anglisë nga data 4 deri më 14 shtator.

    Sot gjatë mesditës, në ring do të ngjitet Loris Idrizi, i cili garon në kategorinë deri në 65 kilogramë. Ai do të përballet me boksierin spanjoll Ibarreche Conde Oier.

    Ndërkohë, edhe Shpëtim Bajoku (70 kg) do ta nisë garën, ku do të përballet me përfaqësuesin e Irakut, Hassanpour Sina.

    Përballje të tjera të rëndësishme për boksierët tanë janë planifikuar për ditët në vijim. Më 6 shtator, Donjeta Sadiku (60 kg) do të duelojë kundër kazakes Grafeyeva Viktoriya, ndërsa më 7 shtator, Bashkim Bajoku (55 kg) do të ketë një sfidë të fortë ndaj ukrainasit Oleh Chuliacheiev.

    Në këtë kampionat të madh, do të marrin pjesë gjithsej 554 boksierë nga 68 shtete të ndryshme, duke e bërë atë një prej ngjarjeve më të rëndësishme të boksit amator në nivel global. /ATVLIVE.TV

  • Amir Rrahmani pranë rinovimit me Napolin deri në vitin 2029

    Amir Rrahmani pranë rinovimit me Napolin deri në vitin 2029

    Amir Rrahmani është shumë pranë rinovimit të kontratës me Napolin, duke refuzuar ofertat e ardhura nga Premierliga dhe Arabia Saudite.

    Sipas mediave italiane, mbrojtësi kosovar ka vendosur të vazhdojë aventurën e tij në “Stadio Diego Armando Maradona”, me kontratën e re që do ta mbajë në klub deri në vitin 2029.

    Ky zhvillim vjen pas një sezoni ku 31 vjeçari ka treguar stabilitet dhe performancë të lartë në mbrojtje, duke u kthyer në një nga lojtarët më të besuar të prapavijës napolitane.

    Marrëveshja e re përfshin një rritje page, me mbrojtësin që pritet të përfitojë rreth 3 milionë euro në vit, një tregues i qartë i rolit të tij kyç në projektin afatgjatë të klubit.

    Pavarësisht interesimit serioz nga dy skuadra të Premierligës dhe një ofertë të majme nga Arabia Saudite, djali nga Prishtina ka zgjedhur të qëndrojë besnik ndaj Napolit. Vendimi i tij tregon jo vetëm përkushtim ndaj klubit, por edhe ambicien për të qenë pjesë e sukseseve të ardhshme. /ATVLIVE.TV

  • Merkatoja verore 2025 thyen rekorde globale – mbi 9.76 miliardë dollarë të shpenzuara në transferime

    Merkatoja verore 2025 thyen rekorde globale – mbi 9.76 miliardë dollarë të shpenzuara në transferime

    Afati kalimtar i verës 2025 ka hyrë në histori si më i shtrenjti ndonjëherë në futbollin ndërkombëtar, duke regjistruar shpenzime rekord prej 9.76 miliardë dollarësh (8.38 miliardë euro) për transferimet e lojtarëve, konfirmon FIFA në raportin e saj të fundit.

    Kjo shumë përfaqëson një rritje prej mbi 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, duke tejkaluar ndjeshëm edhe rekordin e mëparshëm të vendosur në vitin 2023.

    Premier League në krye, Arabia Saudite bie

    Në krye të listës qëndron Premier League angleze, me një total investimesh prej 2.73 miliardë eurosh, duke ruajtur pozicionin si kampionia absolute e merkatos globale. Pas saj renditen klubet gjermane (980 milionë euro), italiane (813 milionë euro) dhe franceze (625 milionë euro).

    Në kontrast me verën e vitit 2023, kur Arabia Saudite ishte e dyta për nga shpenzimet, këtë vit ajo ka rënë në vendin e gjashtë, duke reflektuar një ulje të ndjeshme të ritmit të investimeve.

    Mbi 12,000 transferime në vetëm dy muaj

    Gjatë periudhës nga 1 qershori deri më 2 shtator, FIFA ka regjistruar mbi 12,000 transferime ndërkombëtare në futbollin e meshkujve dhe mbi 1,100 në futbollin e femrave. Këto shifra pasqyrojnë një nivel të paparë aktiviteti në tregun e lojtarëve.

    Sipas FIFA-s, pjesërisht kjo rritje lidhet edhe me ndikimin e Kupës së Botës për Klube, e cila u zhvillua në qershor 2025. Kompeticioni ka krijuar një “dritare shtesë” për merkato në disa prej vendeve pjesëmarrëse, sidomos ato me klube që shpenzojnë shumë.

    Futbolli i femrave: rritje me 80%

    Edhe pse shifrat mbeten shumë më modeste në krahasim me futbollin e meshkujve, merkatoja në futbollin e femrave ka shënuar një rritje mbresëlënëse prej 80% krahasuar me vitin e kaluar, duke arritur në 12.3 milionë dollarë në total.

    Rreth një e treta e këtyre shpenzimeve vijnë nga klubet amerikane, në një kohë kur afrohet Kupa e Botës 2026 që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada. “Jemi vetëm një vit larg nga Botërori i SHBA-së, Meksikës dhe Kanadasë dhe kjo po reflektohet në të gjithë sektorët, përfshirë edhe atë të futbollit femëror“, u shpreh Emilio García Silvero, zyrtar i lartë në FIFA. /ATVLIVE.TV

  • Interesim i jashtëzakonshëm për ndeshjen Zvicër – Kosovë, stadiumi “St. Jakob-Park” i stërmbushur

    Interesim i jashtëzakonshëm për ndeshjen Zvicër – Kosovë, stadiumi “St. Jakob-Park” i stërmbushur

    Interesimi për të ndjekur nga afër ndeshjen ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës është jashtëzakonisht i madh. Mediumi i njohur zviceran Blick raporton se të gjitha biletat për sfidën që zhvillohet nesër në Basel, tashmë janë shitur.

    Kjo do të thotë se stadiumi “St. Jakob-Park” do të jetë i mbushur në kapacitet të plotë.

    Siç pritet, një pjesë e madhe e tifozëve do të jenë shqiptarë që jetojnë në Zvicër apo vende të tjera të Evropës.

    Blick përmend se kjo situatë nuk është befasuese, pasi edhe në nëntor të vitit 2023, gjatë ndeshjes kualifikuese për Euro 2024, stadiumi ishte mbushur plotësisht.

    Nga ana tjetër, për ndeshjen e radhës të Zvicrës kundër Sllovenisë, e cila do të zhvillohet të hënën, deri më tani janë shitur vetëm 8 mijë bileta nga gjithsej 33,996 të mundshme.

    Kosova e nis fushatën kualifikuese për Kupën e Botës 2026 me këtë ndeshje ndaj Zvicrës, e cila fillon nesër në ora 20:45. Futbollistët e Kosovës presin mbështetje të fuqishme nga tifozët shqiptarë në këtë përballje të rëndësishme.

    Pas kësaj, “Dardanët” do ta presin Suedinë të hënën e ardhshme në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë nga ora 20:45. /ATVLIVE.TV

  • Stadiumi i Gjakovës drejt finalizimit: nënshkruhet kontrata për mbulesën dhe ndriçimin

    Stadiumi i Gjakovës drejt finalizimit: nënshkruhet kontrata për mbulesën dhe ndriçimin

    Punimet në stadiumin e qytetit të Gjakovës kanë hyrë në një fazë vendimtare, duke u bërë çdo ditë e më afër realizimit të plotë të njërit prej projekteve më madhore sportive në Kosovë.

    Pas përfundimit të infrastrukturës bazë, është nënshkruar kontrata për mbulesën dhe ndriçimin e stadiumit, një hap kyç që e afron objektin drejt përfundimit dhe i jep edhe më shumë entuziazëm sportdashësve gjakovarë.

    Kjo fazë e investimit mbulohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila ka garantuar mbështetje të fortë për projektin, ndërsa Komuna e Gjakovës ka rikonfirmuar përkushtimin e saj për ta çuar deri në fund këtë iniciativë që pritet të kthehet në një pikë referimi për sportin kosovar.

    Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, pas nënshkrimit të kontratës, shprehu mirënjohje për ministrin Hajrulla Çeku dhe bashkëpunëtorët e tij, duke theksuar rëndësinë historike të projektit:
    “Ky është një hap i madh për njërin prej projekteve më ambicioze të ndërtuara ndonjëherë në vendin tonë. Jam i bindur se shumë shpejt qytetarët e Gjakovës dhe të gjithë Kosovës do të shohin këtë stadium të shpaloset në të gjithë madhështinë e vet”.

    Stadiumi i Gjakovës pritet të bëhet një qendër moderne sportive dhe një krenari e vërtetë për qytetin dhe të gjithë vendin.

  • Shqiptarët në skenën e Eurobasketit: Maxhuni me Finlandën sfidon Gjermaninë, Spahiu e Osmani për kreun me Turqinë

    Shqiptarët në skenën e Eurobasketit: Maxhuni me Finlandën sfidon Gjermaninë, Spahiu e Osmani për kreun me Turqinë

    Edon Maxhuni dhe Kombëtaren e Finlandës sonte do të kenë testin më të vështirë të Eurobasketit, pasi përballen me kampionët e botës, Gjermaninë, në ndeshjen e fundit të Grupit B që nis nga ora 19:30.

    Finlanda ka siguruar tashmë kualifikimin në 1/8 e finales me tri fitore, por përballja me gjermanët, që nuk kanë pësuar asnjë humbje deri më tani, pritet të jetë sfidë e fortë për ekipin e Maxhunit.
    Organizatori shqiptar ka dhënë kontribut të rëndësishëm në sukseset e deritashme të “Ujqërve të Veriut” dhe sot kërkon të lërë shenjë edhe ndaj favoritëve kryesorë të turneut.

    Ndërkohë, vëmendja e ditës shkon edhe në Grupin A, ku Kenan Spahiu dhe Erxhan Osmani do të zbresin në parket me fanellën e Turqisë kundër Serbisë nga ora 20:30.
    Të dy lojtarët me origjinë shqiptare kanë bërë paraqitje të mira në katër fitoret e deritanishme të Turqisë dhe tani kërkojnë pozitën e parë në grup përballë serbëve, që po ashtu kanë bilanc perfekt.

    Kështu, shqiptarët po shkëlqejnë në parketet e Eurobasketit, duke treguar se janë pjesë e historive më të bukura të këtij edicioni.

  • Barcelona përballet me një tjetër goditje: Alejandro Balde pëson një tjetër lëndim në kofshë

    Barcelona përballet me një tjetër goditje: Alejandro Balde pëson një tjetër lëndim në kofshë

    Barcelona nuk e ka nisur sezonin e ri në mënyrën më të lehtë dhe sfidat kanë vijuar me lajmin se mbrojtësi i majtë, Alejandro Balde, ka pësuar një tjetër lëndim në kofshë gjatë stërvitjes.

    Klubi katalanas konfirmoi të mërkurën pasdite, përmes një raporti mjekësor zyrtar, se Balde ka marrë një lëndim të lehtë në kofshën e majtë gjatë seancës së mëngjesit.

    “Mbrojtësi Alejandro Balde pësoi një lëndim të lehtë në kofshën e majtë gjatë stërvitjes së sotme. Disponueshmëria e tij do të varet nga mënyra se si do të përparojë,” thuhej në njoftim.

    Ky është lëndimi i dytë në kofshë për Balde brenda gjashtë muajve, pas një dëmtimi të ngjashëm në prill gjatë ndeshjes kundër Leganés. Kujtojmë se në janar 2024, ai kishte tërhequr muskujt gjatë një përballjeje me Athletic Club në “San Mamés”.

    Edhe pse Barcelona nuk ka dhënë një afat zyrtar për rikthimin e tij, gazetarja Helena Condis raportoi se Balde pritet të mungojë rreth tre javë. Kjo do të thotë se ai do të humbasë sfidat e La Ligës ndaj Valencias, Getafes dhe ndoshta edhe Real Oviedos, si dhe ndeshjen e parë të Ligës së Kampionëve këtë sezon kundër Newcastle United në “St James’ Park”.

    Mungesa e tij përkon me rikthimin e Gerard Martin në ekipin e parë, i cili u regjistrua në La Liga pak para barazimit të fundjavës së kaluar ndaj Rayo Vallecano. Martin pritet të jetë titullar në ndeshjet në vijim, megjithatë trajneri Hansi Flick mund t’i japë hapësirë edhe adoleshentit premtues Jofre Torrents, i cili ka lënë përshtypje pozitive gjatë përgatitjeve parasezonale.

    Megjithëse situata nuk është ideale për Barcelonën, ekziston një ndjenjë lehtësimi që Balde pritet të mungojë vetëm për një periudhë të shkurtër. Megjithatë, lëndimet e përsëritura të 21-vjeçarit në të njëjtën zonë mbeten një shqetësim serioz, të cilin stafi mjekësor pritet ta shqyrtojë me kujdes në vijim. /ATVLIVE.TV

  • Juventusi blindon Kenan Yildizin: kontratë deri në vitin 2030

    Juventusi blindon Kenan Yildizin: kontratë deri në vitin 2030

    Juventusi ka përgatitur kontratën e re për mesfushorin turk Kenan Yildiz, një nga lojtarët më të pëlqyer nga trajneri Igor Tudor.

    Sipas mediave italiane, marrëveshja do të zgjasë deri në vitin 2030 dhe përfshin një rritje të ndjeshme të pagës, duke arritur me bonuset deri në 6 milionë euro në sezon. Me këtë kontratë, 19-vjeçari do të ngjitet mes lojtarëve më të paguar të “Zonjës së Vjetër”, në nivel me Bremerin dhe Davidin, menjëherë pas Vlahoviçit.

    Klubi bardhezi ka refuzuar të gjitha ofertat e ardhura këtë verë nga gjigantë europianë si Arsenali dhe Chelsea, duke e konsideruar Yildizin gurthemel të projektit të së ardhmes. Zyrtarizimi i marrëveshjes pritet të bëhet sapo agjenti i lojtarit të rikthehet në Torino.

    Ndërkohë, Juventusi ka surprizuar me vendimin për të mbajtur Dusan Vlahoviçin në skuadër, ndonëse ishte përfolur një rikthim i Kolo Muanit. Po ashtu, këtë javë u zyrtarizua edhe kontrata me sulmuesin kosovar Edon Zhegrova.

  • Ekipi i Kosovës në Boks drejt Kampionatit Botëror në Liverpool

    Ekipi i Kosovës në Boks drejt Kampionatit Botëror në Liverpool

    Ekipi i Kosovës në boks do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror që do të mbahet nga data 4 deri më 14 shtator 2025, në Liverpool të Anglisë.

    Përfaqësuesen tonë do ta udhëheq medalistja botërore dhe evropiane, Donjeta Sadiku, së bashku me vëllezërit Bashkim dhe Shpëtim Bajoku, si dhe boksierin e talentuar, Loris Idrizi.

    Ky është Kampionati i parë Botëror i organizuar nga World Boxing, federata e re që tashmë menaxhon boksin ndërkombëtar.

    Shpresojmë që boksierët tanë të kenë fat në short dhe sukses në rrugëtimin e tyre drejt medaljeve botërore. /ATVLIVE.TV

  • Akanji flet para sfidës me Kosovën: Respekt për Avdullahun, por krenar që luaj për Zvicrën

    Akanji flet para sfidës me Kosovën: Respekt për Avdullahun, por krenar që luaj për Zvicrën

    Mbrojtësi i Zvicrës, Manuel Akanji, doli sot para mediave në prag të ndeshjes kualifikuese për Botërorin 2026 kundër Kosovës, ku foli për sfidën e radhës dhe për vendimin e Leon Avdullahut që të përfaqësojë Kosovën.

    Akanji, i cili iu bashkua kombëtares helvetike të hënën, në atë kohë ende zyrtarisht lojtar i Manchester Cityt, theksoi se nuk ka pasur asnjëherë dyshime për zgjedhjen e tij për Zvicrën.

    Duke komentuar për Avdullahun, mesfushorin e ri që zgjodhi Kosovën, Akanji u shpreh:
    “Është vendimi i tij. Ne kemi një ekip shumë të fortë këtu. Nëse ai dëshiron të luajë për Kosovën, është zgjedhja e tij dhe duhet ta respektojmë. Për mua, është nder dhe krenari të luaj për Zvicrën.”

    Sa i përket ndeshjes së së premtes, mbrojtësi i Interit paralajmëroi se skuadra e Kosovës nuk është aspak e lehtë si kundërshtar:
    “Në kualifikueset e Europianit nuk patën fat, pësuan gola të vonshëm, por janë ekip agresiv dhe i fortë. Ne do të synojmë fitoren dhe duhet të jemi gati që nga minuta e parë.”

    Zvicra dhe Kosova do të përballen të premten në një duel të rëndësishëm për ecurinë e tyre në Grupin e kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.