ATV

Category: Sport

  • Erik ten Hag: “Shkarkimi nga Bayer Leverkusen më erdhi si një surprizë e madhe”

    Erik ten Hag: “Shkarkimi nga Bayer Leverkusen më erdhi si një surprizë e madhe”

    Pas shkarkimit nga Bayer Leverkusen, trajneri Eric Ten Hag, për herë të parë ka folur duke treguar se ajo çfarë ka ndodhur është paprecedentë dhe sipas tij duhej t’i jepnin më shumë besim.

    “Vendimi nga menaxhmenti i Bayer Leverkusen për të më vënë në një pushim mungese erdhi si një surprizë e madhe. Të ndash rrugët me një trajner kryesor pas vetëm dy ndeshjeve të ligës është diçka absolutisht e paprecedentë.”

    “Këtë verë, shumë lojtarë kyç që ishin pjesë e sukseseve të kaluara u larguan nga skuadra. Ndërtimi i një ekipi të ri është proces i kujdesshëm që kërkon edhe kohë edhe besim”.

    “Një menaxher i ri meriton hapësirën për të zbatuar vizionin e tij, për të vendosur standardet, për të formësuar skuadrën, për të lënë gjurmën e tij në stilin e lojës”.

    “E fillova këtë punë me bindje dhe energji të plotë, por fatkeqësisht menaxhmenti nuk ishte i gatshëm të më jepte kohën dhe besimin që më duhej, gjë për të cilën jam penduar thellë. Ndjej se kjo nuk ishte kurrë marrëdhënie e bazuar në besimin e ndërsjellë”.

    “Gjatë gjithë karrierës sime, çdo sezon që kam qenë në gjendje të shoh deri në fund si trajner ka sjellë sukses. Klubet që vendosën besimin e tyre tek unë janë shpërblyer me sukses dhe trofe”.

    “Në fund, dua të falënderoj mbështetësit e Leverkusen për ngrohtësinë dhe pasionin e tyre dhe kështu i uroj skuadrës dhe stafit çdo sukses për pjesën e mbetur të sezonit”.

  • Andre Onana drejt largimit nga Manchester United, interes nga Arabia Saudite dhe Fenerbahçe

    Andre Onana drejt largimit nga Manchester United, interes nga Arabia Saudite dhe Fenerbahçe

    Portieri kamerunas Andre Onana mund të largohet nga Manchester United gjatë ditëve në vijim. 29-vjeçari është futur në listën e dëshirave të disa klubeve në Ligën Profesionale Saudite, ndërsa interesim ka shfaqur edhe gjiganti turk Fenerbahçe.

    Sipas mediave britanike, drejtuesit e “Djajve të Kuq” po shqyrtojnë seriozisht një transferim të mundshëm, sidomos pas vendimit të trajnerit Ruben Amorim, i cili i ka besuar portën portierit belg Senne Lammers, i ardhur nga Antwerp në ditët e fundit të merkatos.

    Kontrata e Onanës me United është e vlefshme deri në vitin 2028, me opsion rinovimi për një vit tjetër, por duket se palët nuk e shohin të ardhmen së bashku. Portieri kamerunas nuk ka luajtur asnjë ndeshje në Premier League këtë sezon, gjë që e ka shtuar pasigurinë për statusin e tij.

    Në rast të transferimit, Onana mund të rikthehet në qendër të vëmendjes ose në Arabinë Saudite me një kontratë të majme, ose te Fenerbahçe, ku shihet si pasues i mundshëm i brazilianit Ederson.

  • Christian Eriksen stërvitet me Malmö FF, në pritje të klubit të ri

    Christian Eriksen stërvitet me Malmö FF, në pritje të klubit të ri

    Mesfushori i njohur danez, Christian Eriksen, i cili është pa klub që nga vera pas skadimit të kontratës me Manchester United, po stërvitet aktualisht me skuadrën suedeze Malmö FF.

    Lajmi është konfirmuar nga klubi suedez, duke bërë të ditur se marrëveshja ka ardhur falë ndërhyrjes së shokut të tij nga kombëtarja, Anders Christiansen, i cili ka kërkuar që Eriksen të mbajë formën me ekipin.

    Malmö ka sqaruar se mesfushori 33-vjeçar nuk mund të luajë në ndeshje zyrtare, pasi afatet e regjistrimit në kampionat dhe në Europa League tashmë kanë përfunduar. Megjithatë, nëse ai do të nënshkruante, mund të paraqitej vetëm në fazën e pranverës të garave evropiane.

    E ardhmja e Eriksenit në nivel klubi mbetet e hapur, pasi interesim për të kanë shfaqur ekipe si Burnley në Premier League, Mallorca në La Liga dhe Besiktas në Turqi.

    Ndërkohë, për shkak se nuk ka klub aktiv, Eriksen nuk është përfshirë në listën e Kombëtares së Danimarkës për ndeshjet kualifikuese kundër Skocisë dhe Greqisë.

    Gjatë karrierës së tij, Eriksen ka luajtur mbi 650 ndeshje, përfshirë 310 paraqitje në Premier League, ku ka shënuar 55 gola dhe ka dhënë 78 asistime. Me kombëtaren daneze numëron 144 paraqitje dhe 46 gola, duke u renditur mes futbollistëve më të rëndësishëm të gjeneratës së tij.

  • Faza përfundimtare për rinovimin e stadiumit të Prizrenit, vlera 13 milionë euro

    Faza përfundimtare për rinovimin e stadiumit të Prizrenit, vlera 13 milionë euro

    Projekti për rinovimin e stadiumit “Përparim Thaçi” në Prizren është në fazën përfundimtare të procedurave dhe shumë shpejt do të nënshkruhet kontrata për realizimin e tij.

    Këtë e bëri të ditur zëvendësministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani.

    “Edhe stadiumi i Prizrenit po merr formë! Jemi në prag të nënshkrimit të kontratës për një projekt me vlerë trembëdhjetë milionë euro, që parashikon modernizimin e plotë të stadiumit në një arenë moderne, sipas standardeve të UEFA-së, me një kapacitet prej 7,750 ulësesh,” tha Osmani.

    Sipas saj, ky investim përbën një lajm të mirë jo vetëm për klubin historik Liria, por edhe për të gjithë komunitetin sportiv dhe tifozët e qytetit të Prizrenit, të cilët presin me padurim një infrastrukturë dinjitoze për futbollin lokal. /ATVLIVE.TV

  • Agim Ademi: “Zvicra nuk ka arsye të ketë frikë nga ne” – shkruan “Blick”

    Agim Ademi: “Zvicra nuk ka arsye të ketë frikë nga ne” – shkruan “Blick”

    Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në prag të ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës, ka folur për vendimin e Leon Avdullahut që të përfaqësojë Kosovën dhe për marrëdhëniet mes dy federatave, shkruan e përditshmja zvicerane “Blick”.

    “Leon Avdullahu pritet të jetë një figurë kyçe në ekipin kombëtar të Kosovës për dhjetë vjet apo edhe më shumë”, shkruan gazeta. Ai do të përballet me Zvicrën në qytetin e Bazelit – pikërisht aty ku ai hodhi hapat e parë drejt një karriere premtuese si mesfushor.

    Deri në nivelin U-21, Avdullahu ka përfaqësuar Zvicrën 22 herë në moshat e reja.

    “Blick”: Zoti Ademi, a duhet të ketë frikë Zvicra nga ju?

    Agim Ademi: Zvicra nuk ka arsye të frikësohet nga unë apo nga Federata e Futbollit të Kosovës. Ne jemi miq të mirë dhe nuk ka arsye të kesh frikë nga miqtë. Marrëdhëniet tona me Zvicrën janë shumë të mira. Megjithatë, në futboll gjithçka vendoset në fushë, dhe ajo që ka rëndësi është kush fiton ndeshjen. Kjo është arsyeja pse ne do të synojmë fitoren të premten.

    “Nëse dikush zgjedh Zvicrën, ne e respektojmë edhe këtë. Kur Xhaka dhe Shaqiri zgjodhën Zvicrën, ne vazhduam t’i mbështesim ata -veçanërisht gjatë kohës kur themeluam shtetin tonë. Ndër shumë të tjerë, Ardon Jashari, për shembull, kohët e fundit e refuzoi ofertën tonë. Këta lojtarë ndihen rehat aty ku janë. Dhe ne në Kosovë jemi madje tifozë të ekipit kombëtar zviceran për shkak të tyre.”

    “Qëllimi është të arrijmë Kampionatin Evropian dhe Leon Avdullahu e luan një rol veçanërisht të rëndësishëm si udhëheqës. Ne e shohim atë si pjesë të brezit të ri që do ta formojë themelin. Ne besojmë se ai mund të bëhet Granit Xhaka i Kosovës. Sigurisht, ai është ende i ri dhe nuk duam t’i bëjmë shumë presion. Por, mendojmë se ai ende mund të zhvillohet shumë mirë”, deklaroi ndër të tjera Ademi.

  • Scaloni mes emocioneve: Ndeshja ndaj Venezuelës mund të jetë e fundit për Messin në shtëpi

    Scaloni mes emocioneve: Ndeshja ndaj Venezuelës mund të jetë e fundit për Messin në shtëpi

    Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, nuk i fshehu emocionet teksa fliste për mundësinë që ndeshja kundër Venezuelës të jetë e fundit zyrtare e Lionel Messit në tokën argjentinase, në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës.

    Ikona 38-vjeçare e futbollit kishte paralajmëruar javën e kaluar se kjo mund të jetë paraqitja e tij e fundit në një ndeshje kualifikuese në Buenos Aires – një moment i veçantë që, sipas Scalonit, meriton një përshëndetje të jashtëzakonshme nga tifozët.

    Në konferencën për shtyp të mbajtur të mërkurën mbrëma, trajneri i emocionuar u ndal te nderi dhe privilegji i të qenit në krye të ekipit kombëtar gjatë një epoke të artë të udhëhequr nga tetë herë fituesi i Topit të Artë, me të cilin fitoi Kupën e Botës në Katar më 2022.

    “Po, është një ndeshje për të cilën Leo ka thënë se do të jetë emocionale, e veçantë dhe e bukur, sepse realisht është kualifikuesja jonë e fundit në shtëpi,” tha Scaloni.

    “Duhet ta shijojmë, siç kemi bërë gjithmonë. Më shumë se kushdo tjetër, unë do ta shijoj këtë moment. Ta kesh Messin në skuadër dhe ta stërvitësh atë ka qenë një kënaqësi e madhe. Shpresoj që edhe tifozët ta ndiejnë këtë dhe ta festojnë ashtu siç ai e meriton.”

    Scaloni shtoi se shpreson që kjo të mos jetë ndeshja e fundit e Messit përballë tifozëve argjentinas.

    “Jam i bindur që kjo nuk do të jetë ndeshja e tij e fundit në Argjentinë dhe nëse ai vendos që është e fundit, atëherë do të sigurohemi që të luajmë edhe një tjetër në nder të tij sepse e meriton – në mënyrën më të bukur dhe në kohën e duhur,” përfundoi ai.

    Messi, aktualisht pjesë e Inter Miami-t në SHBA, ku ka lënë të kuptohet se do të tërhiqet nga kombëtarja pas Kupës së Botës 2026, ku Argjentina do të kërkojë të mbrojë titullin kampion në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

    Duke qenë se kualifikueset për Kupën e Botës 2030 nisin në vitin 2027 – kur Messi do të jetë 40 vjeç – ndeshja e së enjtes merr një dimension edhe më emocional, si një lamtumirë e mundshme ndaj ndeshjeve zyrtare në vendlindje.

    Argjentina tashmë e ka siguruar vendin e parë në grupin e CONMEBOL-it dhe kualifikimin për turneun e ardhshëm, duke e shndërruar këtë sfidë në një festë për të nderuar kapitenin legjendar.

  • Carlo Ancelotti:Neymar nuk është ftuar tek Brazili për arsye teknike

    Carlo Ancelotti:Neymar nuk është ftuar tek Brazili për arsye teknike

    Selektori i kombëtares së Brazilit Carlo Ancelotti, ka folur për mospërfshirjen e Neymar për ndeshjet kualifikuese të botërorit të vitit 2026.

    Tekniku italian ka thënë se Neymar nuk u ftua për arsye teknike,dhe se askush nuk e vë në dyshim që 33 vjeçari është një lojtar kualitativ.

    “Është një vendim teknik, jo i lidhur me gjendjen fizike. Bazohet në disa faktorë. Askush nuk mund ta vërë në dyshim talentin e Neymarit, por ne e vlerësojmë kryesisht gjendjen fizike të tijën dhe të lojtarëve të tjerë. Konkurrenca është e jashtëzakonshme; kemi të paktën 70 lojtarë që mund të jenë pjesë e skuadrës”

    Përndryshe Ancelotti shton se skuadra duhet të luaj me intensitet të madh,dhe shton se forca kolektive tek kariokët është gjëja më e rëndësishme.

    Kujtojmë që Neymar ndeshjen e fundit me Brazilin e kishte zhvilluar në tetor të vitit 2023 kundër Uruguajit,dhe që nga atëherë më nuk e ka veshur fanellën e 5 herë kampionëve të botës.

  • Robert Lewandovski refuzoi ofertat tunduese nga Arabia Saudite

    Robert Lewandovski refuzoi ofertat tunduese nga Arabia Saudite

    Sulmuesi polak Robert Lewandovski, ka qenë një ndër yjet të cilët ka mundur të largohet nga Barcelona këtë verë.

    Polaku së fundmi kishte oferta nga dy klubet gjigante nga Arabia Saudite Al Hilal dhe Al Nassr,por Lewa i kishte refuzuar duke bërë me dije se dëshiron të qëndrojë tek gjiganti katalunas.

    Përndryshe Lewandovski është i gatshëm që të fitoj trofe me Barcën edhe në sezonin e ri,ku natyrisht synimi kryesor është fitimi i trofeut të Ligës së Kampionëve që i mungon katalunasve nga viti 2015.

    Kujtojmë që Robert Lewandovski ka kontratë me Barcelonën deri në qershor të vitit 2026,por në dy ndeshjet e para në La Liga nuk ka arritur të shënoj ende gol.

  • “Dardanët” nisen drejt Bazelit për betejën e madhe ndaj Zvicrës

    “Dardanët” nisen drejt Bazelit për betejën e madhe ndaj Zvicrës

    Kombëtarja e Kosovës në futboll është nisur sot në orët e hershme të mëngjesit drejt qytetit Bazel në Zvicër.

    Të gjithë lojtarët dhe stafi teknik kanë udhëtuar me aeroplan ku nesër do të përballen me “Helvetikët” në kuadër të ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës 2026.

    Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “St. Jakob – Park”, ku pritet një numër i madh tifozësh, përfshirë edhe shumë shqiptarë që do të jenë aty për të mbështetur “Dardanët”.

    Kujtojmë se sfida mes Zvicrës dhe Kosovës do të luhet nesër (e premte), me fillim nga ora 20:45. /ATVLIVE.TV

  • Nis “Tour of Kosova 2025” – Gara Ndërkombëtare e Çiklizmit që mbledh çiklistë nga e gjithë bota

    Nis “Tour of Kosova 2025” – Gara Ndërkombëtare e Çiklizmit që mbledh çiklistë nga e gjithë bota

    Federata e Çiklizmit e Kosovës ka hapur sot zyrtarisht edicionin e ri të garës ndërkombëtare “Tour of Kosova 2025”, e cila do të zhvillohet deri më 6 shtator.

    Kjo garë prestigjioze është pjesë e kategorisë 2.2 të kalendarit të Unionit Ndërkombëtar të Çiklizmit (UCI), duke e pozicionuar si një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive që organizohet në vendin tonë.

    Gara do të nisë sot në orën 12:00 nga sheshi “Ibrahim Rugova” në Prishtinë, ndërsa itinerari i saj përfshin dy nga arteriet kryesore rrugore të Kosovës: autostradën “Ibrahim Rugova” dhe autostradën “Arbën Xhaferi”.

    Në këtë edicion pritet të marrin pjesë qindra çiklistë nga vende të ndryshme të botës, duke sjellë konkurrencë të lartë dhe vëmendje ndërkombëtare për sportin e çiklizmit në Kosovë.

    Komiteti Olimpik i Kosovës ka uruar përfaqësuesit kosovarë për një paraqitje të suksesshme dhe ka shprehur mbështetjen për zhvillimin e mëtejmë të sporteve elitare në vend. /ATVLIVE.TV