ATV

Category: Sport

  • Pjesëtarë të grupit të Milan Radoiçiqit të pranishëm në stadium gjatë ndeshjes Serbi–Angli

    Pjesëtarë të grupit të Milan Radoiçiqit të pranishëm në stadium gjatë ndeshjes Serbi–Angli

    Pesë anëtarë të bandës së kryeterroristit Milan Radoiçiq janë parë të martën mbrëma në stadiumin “Marakana”, ku u zhvillua ndeshja mes Serbisë dhe Anglisë.

    Danilo Iliq, Danijel Xhukiq, Marjan Radojeviq, Stefan Radojkoviq dhe Stefan Jovanoviq – të cilët janë në mesin e 44 të akuzuarve nga institucionet e Kosovës për sulmin në Banjskë në shtator të vitit 2023 – ishin pjesë e koreve fyese kundër Kosovës gjatë ndeshjes, në të cilën Serbia pësoi humbje të thellë 5-0 nga “Tre Luanët”.

    Një llogari në rrjetin social “X”, me emrin “Usrana Motka”, ka publikuar fotografi të personave të dyshuar si pjesëmarrës në sulmin terrorist në Banjskë.

    Sipas kësaj llogarie, grupi i Radoiçiqit ka ardhur në stadium me urdhër të Zhvallegës, të përgatitur për të frikësuar dhe terrorizuar të pranishmit në stadiumin e Beogradit. Po ashtu thuhet se disa prej tyre kanë ardhur nga Zveçani dhe Mitrovica e Veriut.

    Gjatë ndeshjes është raportuar edhe për një përleshje, ku dyshohet se kanë qenë të përfshirë anëtarë të grupit të Radoiçiqit, sipas mediave, përfshirë edhe Paparacin.

    44 të akuzuarit për rastin e Banjskës ngarkohen me disa vepra penale, përfshirë: “Kryerjen e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”,
    “Lehtësimin dhe financimin e terrorizmit”, si dhe “Shpërlarjen e parave”. /ATVLIVE.TV

  • Federata Spanjolle e Futbollit injoron sërish shtetin e Kosovës: “Seleksioni kosovar”

    Federata Spanjolle e Futbollit injoron sërish shtetin e Kosovës: “Seleksioni kosovar”

    Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF) ka injoruar edhe një herë shtetin e Kosovës, në kuadër të ndeshjes së zhvilluar dje ndërmjet ekipeve U-21 të Kosovës dhe Spanjës, e vlefshme për kualifikimet në Euro 2027.

    Para fillimit të ndeshjes, RFEF e kishte emërtuar Kosovën si “Territori i Kosovës” në materialet promovuese, duke shmangur kështu përdorimin e emrit zyrtar të shtetit.

    Më tej, as në raportin përfundimtar të ndeshjes nuk është përmendur shteti i Kosovës apo Kombëtarja e Kosovës, e cila është përshkruar thjesht si “seleksioni kosovar”.

    Federata Spanjolle ka tentuar të shmangë referencën direkte ndaj Kosovës, duke përmendur vetëm kryeqytetin Prishtinë, në një përpjekje për të evituar përdorimin e emrit të shtetit që Spanja ende nuk e njeh zyrtarisht.

    “Mision i përmbushur në Prishtinë (1:3). Spanja, me golat e Joel Roca, Iker Bravo dhe Niño, u përball me një kundërshtar të fortë për të arritur fitoren”, shkroi RFEF në një postim në rrjetet sociale. Megjithatë, në rezultatin final, Federata kishte vendosur flamurin e Kosovës pranë emrit të skuadrës.

    “Mbyllet dritarja me gjashtë pikë pas fitoreve kundër Qipros dhe ndaj seleksionit kosovar”, thuhet më tej në komunikatën e RFEF.

    Në lidhje me këtë çështje, Federata e Futbollit të Kosovës ka reaguar zyrtarisht pranë UEFA-s, duke e cilësuar si referim ofendues dhe të papranueshëm mënyrën e trajtimit nga Federata
    Spanjolle. /ATVLIVE.TV

  • Shqipëria mposht Letoninë dhe ngjitet në vendin e dytë – përballja vendimtare me Serbinë në tetor

    Shqipëria mposht Letoninë dhe ngjitet në vendin e dytë – përballja vendimtare me Serbinë në tetor

    Kombëtarja shqiptare ka shënuar një fitore të rëndësishme, edhe pse të vështirë, mbrëmjen e djeshme ndaj Letonisë. Kuqezinjtë triumfuan me rezultat minimal 1:0, duke siguruar tri pikë të çmuara në rrugën drejt Botërorit 2026.

    Golin e vetëm e shënoi, Kristjan Asllani, në minutën e 25’ nga pika e bardhë.

    Fitorja e Shqipërisë u kombinua me një tjetër rezultat mjaft të favorshëm pasiqë Anglia mposhti Serbinë me rezultat të thellë 5:0 në Beograd, duke e ndihmuar ekipin e Sylvinhos që të ngjitet në vendin e dytë në Grupin K.

    Aktualisht, Shqipëria ka grumbulluar 8 pikë, një më shumë se Serbia, e cila ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

    Sfida e ardhshme do të jetë vendimtare: më 11 tetor, kuqezinjtë udhëtojnë drejt Beogradit për t’u përballur me Serbinë në një duel direkt për pozitën e dytë – që mund të rezultojë kyçe për një vend në fazën “play-off”.

    Më pas, më 13 nëntor, Shqipëria do të luajë në transfertë ndaj Andorrës, ku fitorja është e domosdoshme për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim.

    Faza e grupeve do të mbyllet më 16 nëntor në “Arenën Kombëtare”, ku kuqezinjtë do të presin Anglinë – lideren e grupit dhe favoritja kryesore për kualifikimin direkt. Me shumë gjasë, anglezët do ta kenë siguruar vendin e parë deri atëherë, çka mund të ndikojë në qasjen e tyre ndaj ndeshjes së fundit, potencialisht në favor të Shqipërisë. /ATVLIVE.TV

  • Mbappe shkruan histori: Tejkalon Thierry Henryn me golin e 52-të për Francën

    Mbappe shkruan histori: Tejkalon Thierry Henryn me golin e 52-të për Francën

    Kylian Mbappe ka vazhduar të lërë gjurmë në historinë e futbollit francez. Me golin e tij të 52-të për kombëtaren, ai ka tejkaluar legjendën Thierry Henry dhe është ngjitur në vendin e dytë në listën e golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave për Francën.

    Sulmuesi i Real Madridit realizoi në fundin e pjesës së parë, në minutën e 45-të, në fitoren e ngushtë 2-1 ndaj Islandës, të martën mbrëma, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

    Golin tjetër për “Gjelat” e shënoi Bradley Barcola në minutën e 62-të, ndërsa për Islandën shënoi Andri Gudjohnsen në minutën e 21-të.

    Goli i Mbappe-së, përveçse vendimtar në rezultat, ishte historik në aspektin personal – duke kaluar Henryn dhe duke u vendosur vetëm pesë gola larg rekordit të Olivier Giroud (57 gola), golashënuesit më të mirë në historinë e kombëtares franceze.

    Top 5 golashënuesit në histori të Francës:

    1. Olivier Giroud – 57 gola

    2. Kylian Mbappe – 52 gola

    3. Thierry Henry – 51 gola

    4. Antoine Griezmann – 44 gola

    5. Michel Platini – 41 gola

  • Racizëm në Beograd? Anglezët s’do të heshtin kundër Serbisë

    Racizëm në Beograd? Anglezët s’do të heshtin kundër Serbisë

    Kombëtarja e Anglisë ka zbarkuar në Beograd për ta zhvilluar ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës 2026 kundër Serbisë.

    Megjithatë, përfaqësuesja angleze ka shprehur shqetësime lidhur me mundësinë e thirrjeve raciste nga tifozët serbë në stadiumin “Marakana”, duke pasur parasysh historikun e incidenteve të tilla në ndeshjet e mëhershme.

    FIFA tashmë e ka dënuar Federatën Serbe të Futbollit me gjobë dhe e ka detyruar të mbyllë 15% të kapacitetit të stadiumit për këtë ndeshje, si pasojë e thirrjeve raciste në një ndeshje të mëparshme.

    Në rast se incidentet e tilla përsëriten, Serbia rrezikon sanksione më të ashpra nga organi më i lartë i futbollit botëror.

    Federata Serbe i ka bërë thirrje tifozëve të saj që të sillen në mënyrë të qytetëruar dhe të shmangin çdo lloj sjelljeje të papërshtatshme.

    Nga ana tjetër, edhe Anglezët nuk do të qëndrojnë indiferentë nëse bëhen viktimë e racizmit. Kapiteni i Anglisë, Harry Kane, ka deklaruar se nëse ndodhin thirrje raciste gjatë ndeshjes, skuadra angleze mund të largohet nga fusha.

    Nëse një gjë e tillë ndodh, Serbia mund të humbasë ndeshjen me rezultat zyrtar 0:3, ndërsa kjo do t’i jepte një avantazh të rëndësishëm Shqipërisë, e cila ndodhet në të njëjtin grup me këto dy përfaqësuese.

    Në këtë skenar, përballja e ardhshme mes Serbisë dhe Shqipërisë në stadiumin “Rajko Mitić” do të fitonte peshën e një “finaleje” për vendin e dytë në grup. /ATVLIVE.TV

  • Ange Postecoglou rikthehet në Premier League si trajner i ri i Nottingham Forest

    Ange Postecoglou rikthehet në Premier League si trajner i ri i Nottingham Forest

    Ange Postecoglou rikthehet në Premier League si trajner i ri i Nottingham Forest.

    Trajneri australian është zyrtarizuar sot nga klubi anglez, pak kohë pas largimit të tij nga Tottenham Hotspur.

    Ai do të pasojë portugezin Nuno Espirito Santo, i cili u shkarkua mbrëmjen e kaluar pas rezultateve të dobëta.

    Gjatë sezonit të kaluar, Postecoglou drejtoi Tottenhamin në një kampanjë të vështirë në ligë, duke e përfunduar në vendin e 17-të. Megjithatë, arriti të shpëtojë sezonin me një sukses të madh në arenën evropiane, duke fituar Europa League dhe duke siguruar një vend në Champions League për edicionin e ardhshëm./ATVLIVE.TV

  • Modriq shënon 40-vjetorin dhe paraqitjen e 190-të me Kroacinë

    Modriq shënon 40-vjetorin dhe paraqitjen e 190-të me Kroacinë

    Mesfushori i Milanit dhe legjenda e futbollit kroat, Luka Modriq, feston sot 40-vjetorin e lindjes.

    Ai e shënoi këtë ditë të veçantë pas fitores së madhe 4-0 ndaj Malit të Zi, duke regjistruar paraqitjen e tij të 190-të me fanellën kuqezi.

    Shokët e tij të Kombëtares nuk ngurruan të dërgonin urime të ngrohta.

    Ivan Perisiq e quajti “një nder të madh” bashkëjetesën me të në dhomën e zhveshjes gjatë 15 viteve, ndërsa Mateo Kovaçiq e përshkroi si “vëlla dhe shembull për të gjithë”.

    Në urimet e tyre u bashkuan edhe Gvardiol dhe Kramariq, të cilët i dëshirojnë shëndet dhe suksese të mëtejshme.

    Modriq mbetet simbol i gjeneratës së artë kroate dhe një nga mesfushorët më të shquar në historinë e futbollit./ATVLIVE.TV

  • Reagon FFK: “Veprimi i Federatës Spanjolle të Futbollit është i papranueshëm”

    Reagon FFK: “Veprimi i Federatës Spanjolle të Futbollit është i papranueshëm”

    Federata e Futbollit e Kosovës përmes një shkrese nga presidenti Agim Ademi drejtuar presidentit të UEFA-s, Aleksandër Çeferin dhe presidentit të RFEF-së, Rafael Louzan ka paraqitur notë proteste ndaj veprimit të papranueshëm të Federatës Spanjolle të Futbollit, e cila në komunikimet e saj zyrtare në prag të ndeshjes kualifikuese për Evropianin 2027, Kosovë-Spanjë, iu referua Kosovës si “territori i Kosovës”.

    Shkresa e plotë:

    I nderuar President Çeferin,

    Shpresoj që kjo letër t’ju gjejë me shëndet të mirë.

    Në këtë periudhë të ngarkuar, do të preferoja të adresoja çështje më konstruktive dhe më vizionare që lidhen me të ardhmen e futbollit evropian. Mirëpo, fatkeqësisht, sërish jam i detyruar të ngre një problem që vazhdon të dëmtojë përfaqësimin tonë në garat evropiane, e që lidhet me mënyrën se si disa federata anëtare trajtojnë ekipet tona kombëtare.

    Rasti i fundit ka të bëjë me Federatën e Futbollit të Spanjës (RFEF), e cila në kanalet e saj zyrtare në rrjetet sociale i është referuar Kosovës si “Territori i Kosovës”. Një qasje e tillë e mohon sovranitetin e Kosovës, e cila është shtet i pavarur dhe i përfaqësuar nga Federata e Futbollit të Kosovës, anëtare e barabartë dhe e plotë e UEFA-s, ashtu siç është edhe vetë RFEF.

    Për fat të keq, nuk është hera e parë që përballemi me një sjellje të tillë nga Federata e Futbollit të Spanjës dhe ne e konsiderojmë këtë plotësisht të papranueshme. UEFA qëndron mbi vlera si uniteti, respekti dhe barazia ndërmjet të gjithë anëtarëve të saj, prandaj këto parime duhet të respektohen jo vetëm në veprime, por edhe në fjalë, nga çdo federatë anëtare.

    Prandaj, kërkojmë nga UEFA një reagim të qartë dhe të menjëhershëm për këtë çështje, si dhe një korrigjim publik dhe pranim zyrtar nga Federata e Futbollit të Spanjës, duke e pranuar se veprimet e tyre ishin të papërshtatshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të UEFA-s.

    Ne shpresojmë dhe besojmë se Federata e Futbollit e Kosovës do të vazhdojë të trajtohet si një anëtare e barabartë e UEFA-s, jo vetëm nga vetë UEFA, por edhe nga të gjitha federatat tjera kombëtare.

    Ju falënderoj sinqerisht për vëmendjen ndaj këtij problemi serioz dhe presim veprime të shpejta në mbështetje të kësaj çështjeje. thuhet në njoftim.

  • Spanja i referohet Kosovës si “territor” para ndeshjes me Kosovën U21

    Spanja i referohet Kosovës si “territor” para ndeshjes me Kosovën U21

    Kombëtarja U21 e Spanjës ka shkaktuar reagime pas mënyrës se si i është referuar Kosovës në paralajmërimin zyrtar të ndeshjes së sotme, duke përdorur termin “territor” në vend të “shtet”.

    Kosova U21 pret Spanjën sonte në stadiumin “Fadil Vokrri”, me ndeshjen që fillon nga ora 19:00 dhe është pjesë e kualifikimeve për Kampionatin Evropian U21.

    Përdorimi i termit “territor” nga federata spanjolle konsiderohet si një vazhdimësi e mosnjohjes së shtetësisë së Kosovës nga Spanja – një qëndrim që është shfaqur edhe në ndeshjet e mëparshme mes këtyre dy ekipeve.

    Pavarësisht kësaj, ‘Dardanët’ e rinj janë të fokusuar në fushën e lojës. Ata e nisën fushatën kualifikuese me një barazim 0-0 ndaj Rumanisë dhe sonte, me përkrahjen e tifozëve në Prishtinë, synojnë të marrin fitoren e parë në grup.

    Kujtojmë se biletat janë falas. /ATVLIVE.TV

  • Zyrtare: Andi Zeqiri transferohet në elitën e futbollit polak

    Zyrtare: Andi Zeqiri transferohet në elitën e futbollit polak

    Sulmuesi shqiptar Andi Zeqiri ka kompletuar transferimin e tij te klubi polak Widzew Łódź, që garon në elitën e futbollit në Poloni.

    Pas një periudhe të kaluar në Belgjikë me skuadrën Genk, Zeqiri tani nis një kapitull të ri në karrierën e tij, ku do të luajë përkrah reprezentuesit të Kosovës, Dion Gallapeni.

    “Në mbyllje të afatit kalimtar, Widzew Łódź ka nënshkruar me një tjetër lojtar – sulmuesin zviceran Andi Zeqiri, i cili vjen nga KRC Genk si transferim i përhershëm”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit polak.

    Zeqiri iu bashkua Genkut në vjeshtën e vitit 2023, pas një transferimi nga skuadra angleze Brighton & Hove Albion. Gjatë kohës së tij në Belgjikë, ai u huazua edhe te Standard Liège, ku pati paraqitje të mira.

    Statistikat e sezonit të kaluar:

    • 23 ndeshje

    • 9 gola

    • 3 asistime

    Në total, Zeqiri numëron 45 paraqitje në elitën belge, me 14 gola dhe 3 asistime.

    Ai është gjithashtu pjesë e kombëtares së Zvicrës, ku ka luajtur në të gjitha grupmoshat. Me ekipin U21, ka regjistruar 16 paraqitje dhe 1 gol, ndërsa në total në nivelet e moshave ka shënuar 28 gola.

    Zeqiri luan kryesisht si qendërsulmues, por është aktivizuar edhe në krahun e djathtë dhe të majtë të sulmit. Ai është 185 cm i gjatë dhe luan me këmbën e majtë.