ATV

Category: Sport

  • Federata e Futbollit të Kosovës publikon orarin e xhiros së gjashtë

    Federata e Futbollit të Kosovës publikon orarin e xhiros së gjashtë

    Federata e Futbollit të Kosovës ka publikuar orarin e xhiros së gjashtë në Albi Mall Superligë.

    Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen të enjten nga ora 15:00, përveç derbit të kryeqytetit e cila do të zhvillohet nga ora 20:15.

    E enjte 15:00:

    Ballkani – Drita (Stadiumi i qytetit, Suharekë)

    Dukagjini – Llapi (Stadiumi “18 Qershori”, Klinë)

    Gjilani – Drenica (Stadiumi me bari artificial, Gjilan)

    Malisheva – Ferizaj (Stadiumi “Liman Gegaj”, Malishevë)

    E enjte 20:15:

    Prishtina – Prishtina e Re (Stadiumi “Fadil Vokrri”, Prishtinë) /ATVLIVE.TV

  • Lamine Yamal rikthehet në stërvitje pas lëndimit, objektivi: PSG më 1 tetor

    Lamine Yamal rikthehet në stërvitje pas lëndimit, objektivi: PSG më 1 tetor

    Anësori i Barcelonës, Lamine Yamal, ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt rikuperimit të plotë, duke u rikthyer në fushë për stërvitje individuale të martën. 18-vjeçari preku topin për herë të parë që prej lëndimit, pas më shumë se një jave pune intensive në palestër.

    Në qendrën stërvitore të klubit, Yamal zhvilloi ushtrime të lehta me top, në kuadër të një programi të kontrolluar rikuperimi, që synon kthimin e tij të plotë në fushë sa më shpejt.

    Megjithëse ai nuk pritet të jetë në dispozicion për ndeshjen e radhës ndaj Real Oviedos, stafi teknik i Barcelonës ka në plan ta ketë gati për sfidën ndaj Real Sociedad. Synimi kryesor është që Yamal të jetë në formë optimale për përballjen e rëndësishme në Ligën e Kampionëve ndaj Paris Saint-Germain, më 1 tetor.

    Rikthimi i talentit të ri konsiderohet vendimtar për skuadrën e Hansi Flick, pasi Barcelona është mbështetur ndjeshëm në kreativitetin dhe shpërthimet e tij në fazën ofensive këtë sezon. Stërvitjet individuale përbëjnë një lajm inkurajues për ekipin, sidomos në një periudhë me kalendar të ngjeshur ndeshjesh.

    Yamal së fundmi u kthye nga Parisi, ku mori çmimin prestigjioz Kopa Trophy, si lojtari më i mirë i ri në botë. Ai përfundoi gjithashtu i dyti në garën për Topin e Artë, një tjetër dëshmi e talentit të tij të jashtëzakonshëm.

    Procesi i rikuperimit ka nisur me punë në palestër dhe po vazhdon me stërvitje në fushë me intensitet të kontrolluar, ku ai po tregon përmirësim të vazhdueshëm dita-ditës. Kthimi i tij i shpejtë pritet të sjellë një rritje të ndjeshme të cilësisë në repartin ofensiv të skuadrës katalanase në muajt në vijim. /ATVLIVE.TV

  • Chelsea në krizë: Palmer lëndohet, Maresca i shqetësuar për sezonin

    Chelsea në krizë: Palmer lëndohet, Maresca i shqetësuar për sezonin

    Në Londër, tek Chelsea po mbretëron ankthi pas një serie dëmtimesh që kanë reduktuar ndjeshëm alternativat e skuadrës së Enzo Maresca-s. Aktualisht, lista e lojtarëve të padisponueshëm ka arritur në shtatë emra, ndërsa shqetësimi më i madh mbetet gjendja e Cole Palmer.

    Sulmuesi ofensiv u detyrua të largohej nga fusha vetëm pas 21 minutash në sfidën ndaj Manchester United, dhe ende nuk ka një afat të qartë rikuperimi. Maresca e pranoi se situata është alarmuese:
    “Gjendja e tij do të vlerësohet ditë pas dite. Është diçka e re për ne dhe duket se lidhet me lodhjen pas Botërorit për Klube. Nuk e dimë ende se si do të ndikojë kjo në vazhdimësinë e sezonit”, tha italiani.

    Problemet për Chelsea nuk mbarojnë këtu. Portieri Robert Sanchez, i cili u përjashtua me karton të kuq në të njëjtën ndeshje, nuk do të jetë i gatshëm. Raportet nga klubi sugjerojnë se trajneri nuk është i kënaqur me performancën e tij, dhe ky incident mund të përshpejtojë largimin e spanjollit nga “Stamford Bridge”.

    Me një listë të gjatë mungesash dhe presionin e rezultateve, Maresca përballet me një sfidë të vështirë për të rikthyer qetësinë dhe konkurrueshmërinë te “Blutë e Londrës”.

  • Bashkimi nis aventurën në Evropë, sfidë e madhe ndaj kampionit Anwil

    Bashkimi nis aventurën në Evropë, sfidë e madhe ndaj kampionit Anwil

    Skuadra e Bashkimit të Prizrenit po përgatitet maksimalisht për ndeshjet kualifikuese të FIBA Europe Cup, aty ku për herë të parë do të garojë në këtë kompeticion prestigjioz.

    Prizrenasit do të kenë përballë një kundërshtar shumë të fortë – Anwil Wloclawek nga Polonia, skuadër që ka fituar këtë garë në vitin 2023 dhe në edicionin e fundit arriti deri në fazën e 1/16-ve.

    Atmosfera në palestrën “Sezai Surroi” pritet të jetë e jashtëzakonshme të mërkurën mbrëma, kur nga ora 19:00 zhvillohet sfida e parë. Ndeshja e kthimit është caktuar më 1 tetor në Poloni, ndërsa fituesi nga dy përballjet do të sigurojë një vend në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup.

    Bashkimi, nënkampion i Kosovës, ka bërë thirrje për përkrahje masive nga tifozët “Portokallezinj”, pasi ky është një moment historik për klubin dhe qytetin e Prizrenit.

  • Rrahmani i rikuperuar, pritet startimi në ndeshjen Napoli – Milan

    Rrahmani i rikuperuar, pritet startimi në ndeshjen Napoli – Milan

    Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, pritet të jetë plotësisht i gatshëm për sfidën e radhës me Napolin.

    Sipas mediave italiane, mbrojtësi kosovar do të rikthehet si titullar në derbin ndaj Milanit, që zhvillohet të dielën mbrëma në “San Siro”, në kuadër të javës së pestë të Serie A.

    31 vjeçari mungoi në tri ndeshjet e fundit të Napolit për shkak të një lëndimi që pësoi në përballjen Zvicër – Kosovë, gjatë kualifikimeve për Botërorin 2026.

    Ai tashmë është rikuperuar plotësisht dhe ishte në stol gjatë ndeshjes së fituar ndaj Pisas, por nuk u aktivizua nga trajneri Antonio Conte.

    Mbrojtësi nuk ka luajtur as në sfidat ndaj Fiorentinës dhe Pisas në kampionat, si dhe kundër Manchester Cityt në Ligën e Kampionëve.

    Të kaltrit kryesojnë aktualisht në Ligën Italiane, me katër fitore në po aq ndeshje, tri pikë përpara Milanit, rivalit të së dielës ku pritet rikthimi i Rrahmanit në fushë. /ATVLIVE.TV

  • Laporta konfirmon përfundimin e punimeve në Camp Nou, por mungon leja zyrtare

    Laporta konfirmon përfundimin e punimeve në Camp Nou, por mungon leja zyrtare

    Joan Laporta njoftoi se të gjitha procedurat e nevojshme për përfundimin e punimeve në stadiumin Camp Nou janë kryer dhe çertifikata është dorëzuar. Megjithatë, stadiumi ende pret miratimin e këshillit bashkiak, i cili duhet të lëshojë lejen zyrtare për funksionimin.

    “Stadiumi është i gatshëm, ashtu siç kanë pohuar La Liga dhe UEFA,” tha Laporta, duke shtuar se nuk dëshiron të bëjë presion mbi procesin, pasi vendimi i fundit i takon këshillit të qytetit.

    Barça planifikon të rihapë Camp Nou-n në tre faza, ku në secilën fazë do të lejohet një numër i ndryshëm spektatorësh. Faza e parë, me një kapacitet prej 27,000 tifozësh, është përfunduar sipas ekipit të ndërtimit dhe agjencisë së certifikimit.

    Laporta shpreson që këshilli bashkiak të marrë vendimin për lejen e aktivitetit sa më shpejt, për të mundësuar zhvillimin e ndeshjeve në stadiumin e rinovuar. Megjithatë, ende nuk ka një datë të saktë për rikthimin e Barcelonës në Camp Nou. Për këtë sezon, ndeshja e Ligës së Kampionëve kundër Paris Saint-Germain do të luhet në ‘Montjuic’ më 1 tetor. /ATVLIVE.TV

  • Rey Manaj pranë blerjes së klubit të Lushnjës

    Rey Manaj pranë blerjes së klubit të Lushnjës

    Një futbollist i Kombëtares shqiptare është shumë pranë një marrëveshjeje për të blerë klubin e futbollit të Lushnjës.

    Bëhet fjalë për Rey Manajn, i cili ka nisur negociatat për të marrë në pronësi skuadrën nga qyteti i tij i origjinës. Moda e futbollistëve të suksesshëm që investojnë në klube po përhapet edhe në Shqipëri, dhe Rey Manaj po hedh një hap të rëndësishëm duke investuar te Lushnja. Ky model është i domosdoshëm për zhvillimin e futbollit vendor.

    Ekspertët dhe njohësit e futbollit vlerësojnë se 28 vjeçari është kandidati më i mundshëm për këtë blerje, duke marrë parasysh lidhjet e tij të forta me Lushnjën.

    Ky veprim e vendos sulmuesin shqiptar në të njëjtën linjë me emra të njohur të futbollit ndërkombëtar që kanë zgjedhur të investojnë në klube, si David Beckham, pronar i Inter Miami në SHBA, dhe Ronaldo “Fenomeni”, që prej disa vitesh është pronar i Real Valladolidit në Spanjë.

  • Arsenali goditet nga një tjetër lëndim – Madueke jashtë për 2 muaj

    Arsenali goditet nga një tjetër lëndim – Madueke jashtë për 2 muaj

    Pas disa mungesave të rëndësishme që kanë dëmtuar ritmin e ekipit, goditja më e fundit për Arsenalin vjen nga sulmuesi i ri anglez, Noni Madueke. Gjatë ndeshjes së fundjavës kundër Manchester Cityt, Madueke pësoi një dëmtim në gju, i cili pritet ta mbajë jashtë fushave për një periudhë të konsiderueshme.

    Sipas burimeve të afërta me klubin dhe raportimit të gazetarit të njohur David Ornstein, parashikimet fillestare tregojnë se lojtari do të mungojë për rreth dy muaj, çka përbën një tjetër goditje për trajnerin Mikel Arteta dhe stafin teknik të Arsenalit.

    23 vjeçari iu bashkua Arsenalit gjatë afatit kalimtar të verës, pasi u transferua nga Chelsea. Edhe pse ka zhvilluar vetëm gjashtë paraqitje me fanellën e “Topçinjve”, ai ende nuk ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës, por ishte konsideruar si një nga talentet me më shumë potencial për të ardhmen.

    Lëndimi i tij vjen në një moment të ndjeshëm për klubin, i cili është në garë për titullin dhe po përpiqet të ruajë vazhdimësinë në rezultate pozitive. Mungesa e tij do të thotë më pak alternativa në repartin ofensiv dhe shton barrën mbi lojtarët kryesorë si Saka, Martinelli dhe Jesus. /ATVLIVE.TV

  • France Football: “Dembele fitoi me diferencë të madhe, ishte një Top i Artë pa dilema”

    France Football: “Dembele fitoi me diferencë të madhe, ishte një Top i Artë pa dilema”

    Kryeredaktori i France Football, Vincent Garcia, ka zbuluar detaje mbi votimin e Topit të Artë 2025, i cili kurorëzoi Ousmane Dembele si futbollistin më të mirë në botë, pasardhës i spanjollit Rodri.

    Në një intervistë për L’Equipe TV, Garcia e përshkroi fitoren e francezit si të pakontestueshme:
    “Nuk ishte garë, sinqerisht. Ousmane Dembele fitoi me një diferencë të madhe dhe me mbështetjen dërrmuese të votuesve tanë. Ai është një fitues që përfaqëson bindshëm zgjedhjen e gazetarëve.”

    Garcia theksoi se sezoni i fortë i Paris Saint-Germain nuk ia vështirësoi aspak rrugën Dembeles drejt trofeut, pavarësisht se edhe disa prej shokëve të tij të skuadrës morën vota:
    “Vitinha arriti disa vende të para, Achraf Hakimi gjithashtu, por shumë pak. Kjo nuk ndikoi tek rezultati përfundimtar.”

    Sipas tij, fitorja e Dembeles ishte unanime në të gjitha kontinentet:
    “Ai fitoi me një diferencë të madhe në Afrikë, Evropë, Amerikën e Jugut dhe Amerikën e Veriut. Një Top i Artë i qartë dhe pa mëdyshje.”

    Të gjitha detajet e plota të votimit do të publikohen të shtunën në edicionin special të revistës France Football, ku do të zbulohet renditja e plotë e kandidatëve.

  • Jose Mourinho ka një klauzolë të veçantë te klubi i Benfikës

    Jose Mourinho ka një klauzolë të veçantë te klubi i Benfikës

    Jose Mourinho mori vendin e Bruno Lage në stolin e Benficës, duke firmosur kontratën 2-vjeçare me klubin.

    Detajet e kontratës përmbajnë elemente mjaft interesante.

    Sipas njoftimit zyrtar të Benficës, në marrëveshjen e Mourinhos është përfshirë një klauzolë e veçantë për prishjen e saj. Kjo klauzolë parashikon që brenda 10 ditëve pas ndeshjes së fundit të sezonit 2025-26, palët mund ta ndërpresin kontratën me marrëveshje të ndërsjellë. Ky fleksibilitet ofron një mundësi strategjike si për klubin, ashtu edhe për trajnerin.

    Media portugeze gjithashtu ka zbuluar edhe detajet financiare të Mourinhos.

    Trajneri portugez do të përfitojë 6 milionë euro neto në vit nga Benfica, plus bonuse suksesi. Kjo shifër konsiderohet e ulët krahasuar me të ardhurat e tij në klubet prestigjioze gjatë karrierës, teksa së fundmi te Fenerbahçe fitonte 15 milionë euro në vit.

    Aventura e Mourinhos te Benfica përbën një pikë kthese në karrierën e tij.

    Legjenda portugeze kishte përjetuar pikërisht 25 vjet më parë, në vitin 2000, eksperiencën e tij të parë si trajner i një ekipi të parë, sërish në krye të Benficës. Kjo firmë e rikthen Mourinhon në tokën ku lindi, duke shkruar kështu edhe një histori emocionale.