ATV

Category: Sport

  • Klodian Duro dhe Liria ndajnë rrugët!

    Klodian Duro dhe Liria ndajnë rrugët!

    Ekipi nga Prizreni, Liria, ka njoftuar se trajneri Klodian Duro për arsye personale është larguar nga drejtimi i skuadrës.

    Njoftimi i plotë i klubit:

    Klubi i Futbollit FC Liria njofton se trajneri i ekipit të parë, Klodian Duro, është larguar nga drejtimi i skuadrës për arsye personale.

    FC Liria shpreh mirënjohjen më të thellë për përkushtimin, punën e palodhur, kontributin dhe profesionalizmin që trajneri Duro ka treguar gjatë gjithë periudhës së tij në klub. I urojmë suksese të shumta në të ardhmen, si në aspektin personal, ashtu edhe në karrierën profesionale.

    Në ditët në vijim, klubi do të njoftojë mbi zgjedhjen e trajnerit të ri dhe hapat e mëtejshëm në drejtimin e skuadrës.

    Liria bën gara në Ligën e Parë dhe në 8 xhirot e para, zë vendin e 10 në tabelë me 12 pikë të grumbulluara. /ATVLIVE.TV

  • “Paguhen për gola dhe po i shënoj” – Daku me besim drejt Botërorit

    “Paguhen për gola dhe po i shënoj” – Daku me besim drejt Botërorit

    Mirlind Daku vazhdon të shkëlqejë me Rubin Kazanin në Rusi, duke shënuar gola vendimtarë ndeshje pas ndeshjeje.

    Sulmuesi shqiptar është bërë një pikë referimi për skuadrën ruse, duke ndihmuar me finalizime që përcaktojnë fatin e sfidave.

    Së fundmi, Daku ka dhënë një intervistë ku thekson se realizimi i golave është detyra e tij kryesore dhe për këtë paguhet.

    “Për të shënuar paguhem, dhe këtë po bëj,” – tha ai.

    “Jam shumë i fokusuar, e marr çdo ndeshje me radhë dhe mundohem gjithmonë të jap maksimumin. Dua të ndihmoj ekipin dhe pse jo, të përmirësoj statistikat e sezonit të kaluar, sepse tani e njoh më mirë ligën dhe kundërshtarët.”

    Në intervistë, Daku u ndal edhe te ndeshjet e ardhshme të Kombëtares Shqiptare, veçanërisht ajo ndaj Serbisë në tetor, një sfidë me peshë për kualifikueset drejt Botërorit.

    “Na presin takime shumë të rëndësishme me Kombëtaren. Jemi ende në garë për të shkuar në Botëror dhe do të luftojmë deri në fund për ta arritur këtë objektiv.
    Është një ëndërr dhe një dëshirë për secilin prej nesh dhe do të japim gjithçka për ta bërë realitet,”
    – u shpreh sulmuesi. /ATVLIVE.TV

  • Federer: Turnetë po favorizojnë finalet Alcaraz-Sinner

    Federer: Turnetë po favorizojnë finalet Alcaraz-Sinner

    Përballjet mes Carlos Alcaraz dhe Jannik Sinner në finalet e turneve Grand Slam apo Masters nuk janë thjesht rastësi. Sipas legjendës së tenisit, Roger Federer, disa turne janë ndërtuar qëllimisht për të rritur gjasat e një dueli mes spanjollit dhe italianit.

    Federer ngriti një debat të ri në botën e tenisit, duke sugjeruar se ndryshimet në sipërfaqe dhe topa po ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën si zhvillohet loja sot:

    “Duke ndryshuar shpejtësinë e fushave dhe të topave, drejtorët e turneve e kanë bërë çdo javë pothuajse identike. Kjo favorizon tenistët më të mirë, si Alcaraz dhe Sinner, ndërsa të tjerët duhet të bëjnë goditje jashtëzakonisht të mira shumë herë për të fituar pikë.”

    Zvicerani argumenton se ngadalësimi i sipërfaqeve ka ulur elementin e surprizës në tenis:

    “Në një fushë më të shpejtë, disa goditje të mira mund të ishin të mjaftueshme për të fituar një pikë. Por tani, fushat janë kaq të ngadalta saqë surprizat janë shumë më të rralla.”

    Sipas tij, kjo qasje nuk është e rastësishme:

    “Drejtorët e turneve e dinë që rivaliteti mes Sinner dhe Alcaraz sjell shumë audiencë. Ata nuk kanë interes t’i vënë ata në vështirësi.”

    Duke bërë një krahasim me kohën e tij, Federer theksoi:

    “Kur unë luaja, vetëm 12 turne kishin rëndësi të madhe dhe secili zhvillohej në një sipërfaqe specifike. Kjo krijonte kontraste interesante në lojë – sulm ndaj kundërsulmit. Sot, të gjithë luajnë njësoj, sepse fushat janë bërë të gjitha të ngjashme.”

    Në vijim të komenteve të Federer-it, The Times kujton se që nga mesi i viteve 2000, organizatorët e turneve filluan të ngadalësonin fushat në mënyrë të qëllimshme. /ATVLIVE.TV

  • Superliga rikthehet me derbin Ballkani – Drita dhe sfida të zjarrta në xhiron e gjashtë

    Superliga rikthehet me derbin Ballkani – Drita dhe sfida të zjarrta në xhiron e gjashtë

    Superliga e Kosovës rikthehet këtë mesjavë me sfidat e xhiros së gjashtë, ku spikat super-derbi mes Ballkanit dhe Dritës që do të zhvillohet të enjten në Suharekë.

    Therandasit, të pamposhtur deri tani në këtë edicion, do të synojnë të vazhdojnë serinë pozitive dhe të ruajnë epërsinë në fushën e tyre, ndërkohë që Drita, pas fitores së parë të sezonit në fundjavën e kaluar, do të kërkojë të ndërtojë një ecuri të re pozitive.

    Një tjetër duel interesant do të jetë ai mes Dukagjinit dhe Llapit në Klinë. Vendasit e kanë nisur sezonin për mrekulli dhe aktualisht ndajnë kreun e tabelës me Prishtinën. Për këtë arsye, skuadra e Ismet Munishit synon maksimalen ndaj një Llapi në krizë.

    Skuadra nga Podujeva, e drejtuar nga Tahir Batatina, ende nuk ka arritur të shijojë fitoren këtë edicion. Me tri barazime dhe dy humbje në pesë ndeshje, llapjanët ndodhen në fundin e renditjes dhe do të kërkojnë një kthesë të shpejtë.

    Katër ndeshje do të zhvillohen nga ora 15:00, ndërsa derbi kryeqytetas mes Prishtinës dhe Prishtinës së Re do të luhet në mbrëmje, nën dritat e reflektorëve në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 20:15. /ATVLIVE.TV

  • FIFA dhe CONMEBOL diskutojnë mundësinë e Kupës së Botës 2030 me 64 ekipe

    FIFA dhe CONMEBOL diskutojnë mundësinë e Kupës së Botës 2030 me 64 ekipe

    Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, së bashku me homologun e tij të CONMEBOL-it, Alejandro Dominguez, dhe disa drejtues të federatave të futbollit, u takuan në New York për të diskutuar opsionin që Kupa e Botës 2030 të zhvillohet me 64 ekipe, raporton ESPN.

    Ideja për zgjerimin e turneut u propozua fillimisht nga presidenti i Federatës së Uruguait, në emër të konfederatës së Amerikës së Jugut.

    Infantino ka zhvilluar së fundmi edhe vizita në Marok për të kërkuar mbështetjen e federatave afrikane, ndërsa ka pasur bisedime me disa prej federatave kryesore aziatike për të siguruar konsensus të gjerë rreth formatit të ri.

    Botërori i vitit 2030 pritet të zhvillohet në gjashtë vende dhe tre kontinente: Marok, Spanjë, Portugali, si dhe Uruguai, Argjentinë e Paraguai. Aktualisht, vendet e Amerikës së Jugut pritet të presin nga një ndeshje secila.

    Nëse miratohet zgjerimi në 64 ekipe, CONMEBOL mund të përfitojë deri në 10 vende të garantuara në turne. Nga shtetet e saj, vetëm Venezuela nuk ka debutuar ende në një Kupë Bote.

    Për krahasim, Botërori 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë do të ketë 48 ekipe, pas kalimit nga formati tradicional me 32 skuadra.

  • Tifozët e Eintracht Frankfurt ndalohen të udhëtojnë në Napoli për Champions League – Klubi shpërthen ndaj autoriteteve italiane

    Tifozët e Eintracht Frankfurt ndalohen të udhëtojnë në Napoli për Champions League – Klubi shpërthen ndaj autoriteteve italiane

    Ndeshja e ardhshme e Champions League mes Napolit dhe Eintracht Frankfurt, e planifikuar për 4 nëntor, po zhvillohet nën tension të madh dhe masa të rrepta sigurie. Autoritetet italiane kanë ndaluar udhëtimin e tifozëve gjermanë drejt Napolit, duke ua mohuar atyre mundësinë për të qenë të pranishëm në stadium.

    Ky vendim, i marrë nga Prefektura e Napolit dhe Ministria e Brendshme e Italisë, është justifikuar me rrezikun e lartë për trazira, duke pasur parasysh incidentet e dhunshme që ndodhën në vitin 2023 mes ultrasve gjermanë dhe forcave të rendit, ku pati makina të djegura dhe përleshje të ashpra në rrugët e qytetit.

    Klubi gjerman ka reaguar ashpër ndaj këtij ndalimi. Philipp Reschke, anëtar i bordit të Eintracht-it, deklaroi pas takimit me autoritetet italiane:
    “Duhet të pranojmë me keqardhje se përjashtimi i tifozëve nga ndeshjet me rrezik të lartë është bërë praktikë e zakonshme në Itali. Ne e dimë që kjo ndeshje është e ndjeshme për shkak të së kaluarës, por ndalimi i tifozëve është përgjigjja e gabuar”.

    Eintracht ka bërë të ditur se do të shqyrtojë edhe rrugë ligjore për të kundërshtuar dekretin, ndërsa tifozët gjermanë njihen për mbështetjen e zjarrtë dhe udhëtimet masive në gjithë Evropën.

    Autoritetet italiane paralajmërojnë masa shtesë sigurie për të ndaluar hyrjen e çdo tifozi gjerman në Napoli, duke e kthyer këtë përballje të fazës së grupeve jo vetëm në sfidë sportive, por edhe në një çështje politike dhe shoqërore që prek futbollin europian.

  • Mourinho shpërthen: “VAR-i po e shkatërron futbollin”

    Mourinho shpërthen: “VAR-i po e shkatërron futbollin”

    Benfica u ndal në një barazim 1-1 kundër Rio Ave në javën e gjashtë të Superligës së Portugalisë, dhe Jose Mourinho nuk i kurseu kritikat pas ndeshjes së tij të parë në shtëpi si trajner i klubit.

    Në minutën e 60-të, goli i Antonio Silva u anulua nga VAR për një faull të dyshuar, vendim që ngriti polemika. Benfica arriti të kalojë në epërsi vonë, me golin e Heorhiy Sudakov në minutën e 86-të, por vetëm pesë minuta më vonë Andre Luiz barazoi, duke i mohuar fitoren ekipit vendas.

    Mourinho u shpreh i pakënaqur me arbitrimin dhe vendimin e VAR-it, duke e cilësuar futbollin e sotëm si të padrejtë.

    “Pjesa e parë ishte e dobët, ndërsa e dyta e mirë. Kontrolluam lojën, krijuam raste dhe ishim agresivë. Shënuam një gol që na e mohuan për një shkelje minimale, një gisht mbi një tjetër. Nëse ky është futbolli i ri, atëherë nuk më pëlqen”, tha Mourinho.

    Ai shtoi se arbitrat po bëhen protagonistë të panevojshëm:
    “Nuk më pëlqen kur burri te monitori bëhet personazhi kryesor. Nëse goli anulohet për një shkelje të tillë, atëherë gjyqtari nuk ka karakter”.

  • Sulm i armatosur në pronën e trajnerit të Portugalisë, grabitje me vlerë 700,000 paundësh

    Sulm i armatosur në pronën e trajnerit të Portugalisë, grabitje me vlerë 700,000 paundësh

    Tekniku i Portugalisë, Roberto Martinez dhe bashkëshortja e tij kanë kaluar një mbrëmje të vështirë, pasi shtëpia e tyre u sulmua nga një bandë bullgare, e cila dyshohet se iku duke marrë gjëra me vlerë prej 700,000 paundësh.

    Sipas mediave portugeze, në momentin e ngjarjes Roberto Martinez dhe Beth Thompson nuk ndodheshin në shtëpi, pasi po darkonin në një restorant në Lisbonë.

    Policia njofton se banda hyri në pronën luksoze në qytetin Cascais, në perëndim të Lisbonës, duke thyer një dritare.

    Hetuesit dyshojnë se hajdutët kishin informacione paraprake për planet e çiftit, të cilët kishin qëndruar larg rezidencës për rreth katër orë. /ATVLIVE.TV

  • Arpagjik’t gati për zjarr: Bashkimi sfidon rivalin evropian!

    Arpagjik’t gati për zjarr: Bashkimi sfidon rivalin evropian!

    Sot, skuadra e KB Bashkimit do të zhvillojë njërën nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij sezoni, duke u përballur me klubin polak Anwil Włocławek, në kuadër të para-kualifikimeve për FIBA Europe Cup.

    Përballja do të zhvillohet në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, ku pritet një atmosferë e zjarrtë nga tifozët besnikë “Arpagjik’t”.

    Shitja e biletave vazhdon edhe sot, duke filluar nga ora 12:00 përpara palestrës, ndërsa hyrja do të hapet nga ora 18:00.

    Pritet që palestra të jetë e mbushur plotë, me tifozët që do të jenë përkrah skuadrës në përpjekjen për të arritur një fitore historike ndaj një rivali me emër dhe traditë në basketbollin evropian. /ATVLIVE.TV

  • “Izraelitët janë vrasës” – Thirrje kundër Solomon në Sevilla

    “Izraelitët janë vrasës” – Thirrje kundër Solomon në Sevilla

    Futbollisti izraelit Manor Solomon, aktualisht i huazuar nga Tottenham Hotspur te Villarreal, ishte në qendër të vëmendjes në fitoren 2-1 të skuadrës së tij kundër Sevillas në La Liga – jo vetëm për shkak të golit vendimtar, por edhe për polemikat politike që e shoqëruan para dhe gjatë ndeshjes.

    26 vjeçari, u inkuadrua në lojë në minutën e 84-të të ndeshjes, e zhvilluar në stadiumin “Ramon Sanchez-Pizjuan”. Menjëherë pas hyrjes në fushë, ai u prit me fishkëllima, fyerje dhe thirrje politike nga një pjesë e tifozëve vendas – përfshirë edhe një deklaratë të ashpër të grupit ultras të Sevillas, Biris Norte.

    Nga tribunat u dëgjuan thirrje si “Izraelitët janë vrasës”, ndërsa më herët, grupi ultras kishte publikuar një mesazh në rrjete sociale:

    “Ky përkrahës i gjenocidit po na viziton shtëpinë. Jemi të qartë për këtë çështje… Nuk ka vend për sionistët në Nervion.”

    Pavarësisht atmosferës së tensionuar, Solomon reagoi në mënyrën më sportive të mundshme, duke shënuar golin e fitores për Villarrealin – goli i katërt që i sjell fitoren klubit në këtë sezon.

    Kjo nuk është hera e parë që Solomon përballet me sulme dhe komente të ashpra. Në tetor 2023, ai mori kritika dhe kërcënime pas mbështetjes publike që i dha Izraelit pas sulmit të Hamasit. Që atëherë, ai ka qenë objekt i ofendimeve në stadiume dhe sulmeve verbale në rrjete sociale.

    Në dhjetor 2024, gjatë një ndeshjeje mes Leeds United dhe Stoke City, u dëgjuan thirrje antisemite ndaj tij, që detyruan klubin e Leeds-it të lëshonte një deklaratë dhe të njoftonte masa disiplinore kundër tifozëve përgjegjës.

    Edhe jashtë fushës, Solomon është përballur me urrejtje. Në qershor 2025, kur klubi i tij publikoi një mesazh urimi për martesën me partneren Dana Voshina, postimi u përmbyt me komente fyese dhe akuza të rënda, duke e quajtur “sionist” dhe “vrasës fëmijësh”.

    Po atë muaj, gjatë një udhëtimi drejt Izraelit për ceremoninë e martesës, izraeliti mbeti i bllokuar përkohësisht në vend për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore, pas përshkallëzimit të konfliktit me Iranin – çka e vuri edhe më shumë në qendër të vëmendjes. /ATVLIVE.TV