ATV

Category: Sport

  • Rrezik i lartë në ndeshjen Tërnoci – Bosilegrad, masa të ashpra sigurie priten të dielën

    Rrezik i lartë në ndeshjen Tërnoci – Bosilegrad, masa të ashpra sigurie priten të dielën

    Klubi i Futbollit Tërnoci ka bërë të ditur se ndeshja e radhës kundër KF Bosilegrad do të zhvillohet të dielën, më 28 shtator 2025, në orën 15:30, në stadiumin e tyre.

    Në komunikatën e klubit theksohet se, për shkak të incidenteve që ndodhën vitin e kaluar në Bosilegrad, ku futbollistët shqiptarë të Tërnocit u trajtuan padrejtësisht nga policia serbe,
    andaj Federata Serbe e Futbollit ka shpallur këtë ndeshje “me rrezik të lartë”.

    Si pasojë, policia do të marrë masa të veçanta sigurie dhe për herë të parë në këtë rajon, ndeshja do të zhvillohet nën një protokoll të plotë sigurie, me standardet më të larta.

    Klubi u bën thirrje tifozëve dhe sportdashësve që të respektojnë rregullat dhe të kontribuojnë për një atmosferë sportive dhe të sigurt gjatë ndeshjes. /ATVLIVE.TV

  • Tension në stadiumin e Beogradit: Mesazhe për Kosovën nga tifozët serbë

    Tension në stadiumin e Beogradit: Mesazhe për Kosovën nga tifozët serbë

    Mbrëmja e së mërkurës solli emocione të shumta në kuadër të ndeshjeve të Ligës së Evropës.

    Një nga përballjet që tërhoqi vëmendje ishte ajo mes ekipit serb Crvena Zvezda dhe atij skoces Celtic, e cila u zhvillua në Beograd.

    Megjithatë, vëmendjen nuk e mori vetëm loja në fushë. Në pjesën e dytë të ndeshjes, tifozët ultras të ekipit serb, shfaqën një koreografi provokuese.

    Pikërisht në dy vjetorit e rënies së heroit Afrim Bunjaku në Banjskë edhe koreografia e tyre ishte kushtuar Stefan Nedelkoviq, i cili u vra gjatë incidentit të armatosur në Banjskë më 24 shtator 2023. Sipas burimeve mediatike serbe, ai ka qenë pjesë e këtij grupi tifozësh.

    Përveç koreografisë, nga tribuna u dëgjua edhe kënga nacionaliste “Oj, Kosovo, Kosovo…”, duke nxitur reagime të shumta.

    Megjithatë, ndeshja mes tyre përfundoi në barazim 1-1. /ATVLIVE.TV

  • Derbi i Suharekës dhe Derbi i Kryeqytetit – Superliga sot me përballje interesante

    Derbi i Suharekës dhe Derbi i Kryeqytetit – Superliga sot me përballje interesante

    Java e gjashtë e Superligës luhet në mesjavë dhe sjell disa përballje mjaft interesante për tifozët e futbollit vendor.

    Ndeshja kryesore e kësaj xhiroje padyshim është ajo ndërmjet Ballkanit dhe Dritës, e cila luhet në Suharekë nga ora 15:00.

    Përballje interesante priten edhe në Klinë, ku Dukagjini pret Llapin, si dhe në Gjilan, ku skuadra vendase përballet me Drenicën.

    Në të njëjtën orë zhvillohet edhe ndeshja mes Malishevës dhe Ferizaji.

    Ndërkohë, takimi i vetëm që luhet në mbrëmje, nga ora 20:15, është derbi i kryeqytetit ndërmjet Prishtinës dhe Prishtinës së Re – një duel historik pasi dy ekipet përballen për herë të parë në Superligë. /ATVLIVE.TV

  • KB Bashkimi debuton me fitore të madhe në arenën evropiane

    KB Bashkimi debuton me fitore të madhe në arenën evropiane

    KB Bashkimi ka shënuar një fitore të rëndësishme në debutimin e saj në arenën evropiane. Para një publiku të zjarrtë në palestrën “Sezai Surroi”, Bashkimi triumfoi ndaj gjigantit polak të basketbollit, Anwil Włocławek, me rezultat 80:75.

    Ekipi prizrenas dominoi pjesën më të madhe të takimit, duke përfunduar pjesën e parë me një epërsi të ngushtë 39:37. Çereku i parë u mbyll në favor të vendasve me rezultatin 24:16, ndërsa në çerekun e dytë, Anwil reagoi dhe e fitoi atë periudhë 21:15, duke e ngushtuar diferencën në vetëm dy pikë.

    Megjithatë, portokall e zinjtë arritën ta ruajnë avantazhin deri në fund të ndeshjes dhe të sigurojë një fitore të madhe përballë tifozëve të tyre besnikë.

    Kjo ishte ndeshja e parë kualifikuese për fazën grupore të FIBA Europe Cup, ndërsa takimi i kthimit do të zhvillohet më 1 tetor në Poloni. Fituesi nga këto dy ndeshje do të kualifikohet në fazën grupore të garës.

    Në këtë edicion të FIBA Europe Cup merr pjesë edhe Trepça, kampionia e Kosovës, e cila u eliminua në çerekfinale të raundit kualifikues të Ligës së Kampionëve nga skuadra holandeze Den Bosch.

    Në rast se Bashkimi siguron kualifikimin, ai do të garojë në Grupin F së bashku me Trepçën, skuadrën gjermane Braunschweig dhe ekipin grek PAOK. /ATVLIVE.TV

  • Flick për Yamal pas humbjes së Topit të Artë: “Është i motivuar dhe do ta fitojë në të ardhmen”

    Flick për Yamal pas humbjes së Topit të Artë: “Është i motivuar dhe do ta fitojë në të ardhmen”

    Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka komentuar mbi gjendjen e Lamine Yamal pas humbjes në garën për Topin e Artë 2025, ku çmimi shkoi për Ousmane Dembele.

    Flick u shpreh se talenti i ri i Barcelonës e ka pranuar rezultatin me sportivitet dhe është i motivuar të punojë edhe më shumë për të ardhmen.
    “Fola me të dhe është i motivuar për vitet në vijim. E ka pranuar me qetësi dhe dëshiron të tregojë potencialin e tij maksimal. Jam i bindur se do të ketë shansin ta fitojë më vonë”, deklaroi Flick.

    Trajneri gjerman vuri në dukje gjithashtu se Dembele e meritoi plotësisht trofeun, duke përmendur edhe faktin që disa lojtarë të tjerë të Barcelonës ishin në listën e të nominuarve – një tregues sipas tij i progresit që po bën skuadra.

    Përveç kësaj, Flick dha edhe një lajm pozitiv për gjendjen shëndetësore të Yamalt, i cili është pranë rikthimit pas një problemi muskulor në ijë. Megjithatë, ai ka pak gjasa të jetë gati për ndeshjen e së enjtes ndaj Oviedos, por pritet të rikthehet fundjavën kundër Real Sociedadit.

    Barcelona shpreson që 18-vjeçari të jetë plotësisht i gatshëm për sfidën e madhe të Ligës së Kampionëve ndaj PSG-së javën e ardhshme.

  • Mevlan Zeka suspendohet me dy ndeshje

    Mevlan Zeka suspendohet me dy ndeshje

    Federata e Futbollit e Kosovës, përkatësisht Komisioni Disiplinor dhe Etikës, ka marrë vendim për klubin e futbollit Malisheva dhe lojtarin e saj, Mevlan Zeka.

    Për goditje të lojtarit kundërshtar, Zeka është dënuar me dy ndeshje moslojë, derisa Malishevës ia ka shqiptar masën e qortimit për dështim të organizimit të ndeshjes ndaj Prishtinës në fundjavë.

    Me dy ndeshje janë suspenduar edhe dy zyrtarët e Malishevës, Kastriot Kafexholli dhe Pajtim Morina. Të dy kishin ofenduar gjyqtarët e ndeshjes Malisheva – Prishtina.

  • El Clasico i parë i sezonit mes Realit dhe Barcelonës, më 26 tetor në “Bernabeu”

    El Clasico i parë i sezonit mes Realit dhe Barcelonës, më 26 tetor në “Bernabeu”

    “El Clasico”, derbi më i madh i futbollit botëror, është gati të rikthehet. Episodi i parë i këtij sezoni mes Real Madridit dhe Barcelonës do të zhvillohet më 26 tetor në “Santiago Bernabeu”, në orën 16:15, një orar i cili po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm për këtë përballje gjigantësh.

    Ky takim pritet me interes të jashtëzakonshëm, pasi të dy ekipet kanë hyrë në sezon me ambicie të mëdha, ndërsa një fitore në “Clasico” shpeshherë ka ndikim vendimtar në ecurinë e kampionatit. Përveç rivalitetit sportiv, kjo ndeshje mbart edhe ngarkesë emocionale, historike dhe prestigji që shkon përtej futbollit.

    Në përballjen e fundit midis tyre, ishte Barcelona që triumfoi në një ndeshje spektakolare me rezultat 4-3, fitore që vulosi edhe titullin e sezonit të kaluar në La Liga. Pikërisht për këtë arsye, Real Madridi kërkon hakmarrje dhe do të synojë t’i japë një mesazh të fortë rivalit të përjetshëm.

    “El Clasico” nuk është thjesht një ndeshje futbolli, por një ngjarje që ndalet për të gjithë botën e sportit. Nga duelet historike të Maradonës, Ronaldinhos, Messit e Ronaldos, e deri te gjenerata e re me Jude Bellingham, Vinicius Junior e Lamine Yamal, ky derbi vazhdon të prodhojë momente të paharrueshme dhe të shkruajë kapituj të rinj në historinë e futbollit.

    Me stadiumin “Bernabeu” të rikonstruktuar dhe modernizuar, atmosfera e këtij edicioni premton të jetë edhe më elektrizuese. Tifozët e të dyja skuadrave, por edhe miliona shikues në mbarë botën, tashmë kanë filluar numërimin mbrapsht për spektaklin që do të ndodhë më 26 tetor.

  • Leci drejt Lirisë? Prizrenasit ende pa konfirmim zyrtar

    Leci drejt Lirisë? Prizrenasit ende pa konfirmim zyrtar

    Skuadra me histori të pasur, Liria e Prizrenit, ka si objektiv kryesor rikthimin në mesin e më të mirëve të futbollit në vend. Pas ndarjes me kryetrajnerin Klodian Duro, klubi është në pritje të emërimit të trajnerit të ri.

    Në qarqet sportive po përflitet se Liridon Leci është kandidati kryesor për të marrë drejtimin e ekipit, megjithëse ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga klubi.

    Aktualisht, Liria po përballet me një periudhë të vështirë. Pas tetë javësh në Ligën e Parë të Kosovës, skuadra renditet në vendin e dhjetë me vetëm 12 pikë, duke reflektuar nevojën për ndryshim dhe përforcim të menjëhershëm.

    Emërimi i Lecit shihet si përpjekje për të kthyer stabilitetin dhe rezultatet pozitive në skuadrën prizrenase. /ATVLIVE.TV

  • Rrahmani: Nga Liga e Dytë në vlerën prej 8 milionë eurosh

    Rrahmani: Nga Liga e Dytë në vlerën prej 8 milionë eurosh

    Albion Rrahmani po shkëlqen në këtë fillim sezoni 2025/26 dhe po kalon një nga periudhat më të mira në karrierën e tij.

    Sulmuesi kosovar ka qenë protagonist i Sparta Pragës, duke dhënë kontribut të madh në 15 ndeshjet e para mes kampionatit çek dhe Ligës së Konferencës. Me 8 gola dhe një asistim, ai ka dëshmuar formë të lartë dhe ka rritur ndjeshëm vlerën e tij në treg.

    Nga 5 milionë euro që vlente më parë, vlera e Rrahmanit aktualisht është 8 milionë euro në Transfermarkt, një rritje e madhe për lojtarin 25-vjeçar.

    Kjo është një arritje e jashtëzakonshme për një futbollist që vetëm pesë vite më parë luante në Ligën e Dytë të Kosovës, me skuadrat Minatori dhe KF Bashkimi.

    Nëse vazhdon me këtë ritëm, vlera e Rrahmanit mund të dyfishohet apo trefishohet deri në fund të sezonit, duke konfirmuar statusin e tij si një nga talentet më premtues në futbollin evropian. /ATVLIVE.TV

  • Bajrami largohet nga Benfica dhe bashkohet me Luzernin

    Bajrami largohet nga Benfica dhe bashkohet me Luzernin

    Futbollisti shqiptar, Adrian Bajrami, nuk është më pjesë e skuadrës portugeze Benfica.

    Mbrojtësi ka arritur një marrëveshje me klubin e njohur zviceran Luzern.

    Lajmin e ka konfirmuar vetë klubi i Luzernit.

    “Adriani është integruar shkëlqyeshëm dhe në një kohë të shkurtër është bërë pjesë e rëndësishme e mbrojtjes sonë. Jemi shumë të kënaqur që kemi arritur të sigurojmë një kontratë të përhershme me Adrianin. Në bashkëpunim me Benfican, kemi gjetur një zgjidhje të pranueshme për të gjithë,” tha drejtori sportiv i Luzernit, Remo Meyer.

    Bajrami ka firmosur me Luzernin një kontratë që do të zgjasë deri në vitin 2028. /ATVLIVE.TV