ATV

Category: Sport

  • Kryeqytetasit marrin fitoren e dytë

    Kryeqytetasit marrin fitoren e dytë

    Sigal Prishtina shënoi fitoren e dytë në ndeshjen e dytë ndaj Brussels Basketball në Belgjikë me rezultat 75:80 (13:20, 17:20, 20:12, 25:28).

    Skuadra prishtinase ishte më e mirë në pjesën e parë, ku e fitoi çerekun e parë 13:20 dhe atë të dytë, 17:20, për të shkuar në pushim me shifrat 30:40.

    Edhe pse vendasit u rikthyen në periudhën e tretë, 20:12, kryeqytetasit kontrolluan lojën në dhjetë minutat e fundit, për të mos e rrezikuar fitoren 75:80.

    Katër basketbollistë bardhekaltër shënuan pikë dyshifrore, ku Arian Azemi kishte më shumë, 19 pikë. /ATVLIVE.TV

  • Tronditje në Argjentinë: Vdes trajneri i Boca Juniors

    Tronditje në Argjentinë: Vdes trajneri i Boca Juniors

    Gjigantët argjentinas të futbollit, Boca Juniors, kanë njoftuar me dhimbje se trajneri i tyre aktual, Miguel Ángel Russo, ka ndërruar jetë papritur në moshën 69-vjeçare.

    Russo ishte emëruar për herë të tretë në krye të skuadrës vetëm tre muaj më parë. Ai kishte drejtuar Boca Juniors edhe në vitin 2007, kur klubi fitoi trofeun prestigjioz Copa Libertadores, si dhe gjatë viteve 2020–2021, kur arriti të fitonte një kampionat argjentinas.

    Trajneri veteran ishte diagnostikuar me kancer të prostatës në vitin 2017, por pas dy ndërhyrjeve të suksesshme kirurgjikale, ai u rikthye në stolin e trajnerit dhe mori përsipër drejtimin e Bocës në qershor të këtij viti.

    Në 13 ndeshje të zhvilluara gjatë këtij mandati të tretë, Russo regjistroi 3 fitore, 7 barazime dhe 3 humbje. Dhjetë ditë më parë, klubi njoftoi se ai ishte shtruar në spital, por gjendja e tij shëndetësore nuk ishte bërë e ditur në detaje.

    Pavarësisht problemeve shëndetësore të mëparshme, Russo vazhdonte të ishte një prani e palodhshme në stërvitje – shpesh i pari që mbërrinte dhe i fundit që largohej. Për këtë arsye, lajmi për ndarjen e tij të papritur nga jeta ka tronditur komunitetin sportiv dhe tifozët.

    Gjatë karrierës së tij si futbollist, Russo ka luajtur vetëm për një klub – Estudiantes de La Plata, ku zhvilloi mbi 400 ndeshje mes viteve 1975 dhe 1988. /ATVLIVE.TV

  • Fanella historike e Maradonës del në ankand në Buenos Aires

    Fanella historike e Maradonës del në ankand në Buenos Aires

    Një nga fanellat më të rralla dhe më të rëndësishme në karrierën e Diego Armando Maradonës do të dalë në ankand në Buenos Aires, me një çmim fillestar prej 30 mijë eurosh.

    Bëhet fjalë për fanellën që legjenda argjentinase veshi gjatë finales së Kupës së Mbretit mes Barcelonës dhe Athletic Bilbaos — një ndeshje që u bë e famshme për përleshjen e ashpër në fushë, ku mori pjesë edhe vetë “Pibe de Oro”.

    Kjo ishte një nga paraqitjet e fundit të Maradonës me fanellën e Barcelonës, para se të transferohej te Napoli vetëm pak javë më pas.

    Në ankand do të shfaqen edhe objekte të tjera personale të Maradonës, si vathët që mbante gjatë ndeshjes së fundit me Boca Juniors dhe dy fanella origjinale të Napolit nga sezoni 1989/1990.

    Megjithatë, pjesa më e veçantë e koleksionit mbetet fanella e grisur nga përleshja në “Santiago Bernabeu”, e zhvilluar përpara syve të familjes mbretërore spanjolle.

    Zbulimin e këtij suveniri të çmuar e ka bërë Yael Rodriguez, një nga organizatorët e ankandit.

    “Pas ndeshjes, personi përgjegjës për larjen e fanellave e vuri mënjanë sepse ishte grisur. Pasi e pastroi, e mori në shtëpi dhe më vonë ia dhuroi një shoku të djalit të tij, tifoz i Barcelonës,” tregoi Rodriguez.

    Pas afro katër dekadash, fanella u gjet dhe autenticiteti i saj u konfirmua përmes analizës së detajuar të ngjyrave dhe dëmtimeve.

    “Ne udhëtuam nga Buenos Aires në Barcelonë për ta marrë fanellën, dhe rastësisht ndodhëm në ‘Camp Nou’ pikërisht kur Barcelona po prezantonte lojtarin e ri, Marcus Rashford. Presidenti Joan Laporta e njohu fanellën menjëherë dhe pranoi të pozonte me të,” përfundoi Rodriguez.

    Ky objekt unik pritet të tërheqë vëmendjen e koleksionistëve dhe adhuruesve të Maradonës nga e gjithë bota. /ATVLIVE.TV

  • Kylian Mbappe në dyshim për ndeshjen kundër Azerbajxhanit

    Kylian Mbappe në dyshim për ndeshjen kundër Azerbajxhanit

    Ylli i Real Madridit Kylian Mbappe,nuk do të ketë mundësi që të luaj me Kombëtaren e Francës kundër Azerbajxhanit.

    Mbappe ka pësuar në kyçin e këmbës,dhe për më tepër u largua edhe nga stërvitja me gjelat për të nisur rehabilimtin.

    Përndryshe Federata Franceze e Futbollit bën të ditur se gjendja e Mbappes nuk është shqetësuese,megjithatë nuk është e sigurt se Mbappe do të luaj të premten apo jo.

    Kujtojmë që Kylian Mbappe po kalon formë të jashtëzakonshme,ku me Real Madridin ka shënuar 9 gola në 8 ndeshje në La Liga si dhe 5 gola në dy raundet e para të Champions League.

  • Ancelotti “mbreti” i bankinës – trajneri më i paguar i kombëtareve në botë

    Ancelotti “mbreti” i bankinës – trajneri më i paguar i kombëtareve në botë

    Carlo Ancelotti vazhdon të bëjë histori, këtë herë jo vetëm për trofetë, por edhe për pagesën rekord që merr si trajner i një kombëtareje. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, tekniku italian që drejton Brazilin është trajneri më i paguar në botë, me një pagë marramendëse prej 9.5 milionë eurosh në vit.

    Ancelotti, i cili mori drejtimin e “Seleçaos” pas një periudhe të artë me Real Madridin, kryeson listën e dhjetë trajnerëve më të paguar në arenën ndërkombëtare. Pas tij vjen Thomas Tuchel, trajneri i Anglisë, me një pagë prej 5.9 milionë eurosh, ndërsa podiumi plotësohet nga Julian Nagelsmann i Gjermanisë me 4.9 milionë euro.

    Në vendin e katërt ndodhet Fabio Cannavaro, ish-kapiteni kampion bote me Italinë në vitin 2006, i cili tani drejton Uzbekistanin dhe fiton 4 milionë euro në vit – njësoj si Roberto Martinez i Portugalisë.

    Kreun e dhjetësheve më të paguar e plotësojnë Didier Deschamps (Francë – 3.8 milionë euro), Marcelo Bielsa (Uruguai – 3.5 milionë euro), Ronald Koeman (Holandë – 3 milionë euro), Gustavo Alfaro (Paraguai – 2.5 milionë euro) dhe kampioni i botës me Argjentinën, Lionel Scaloni, me 2.3 milionë euro në vit.

    Kjo listë tregon jo vetëm vlerësimin financiar që kombëtaret u japin trajnerëve të mëdhenj, por edhe ndryshimin e madh që ekziston mes futbollit të kombëtareve dhe atij të klubeve.
    Ancelotti, me përvojën dhe sukseset e tij të shumta, shihet si garancia kryesore e Brazilit për të rikthyer lavdinë botërore në Kupën e Botës 2026.

  • Istvan Kovaç caktohet gjyqtar kryesor për ndeshjen Serbi – Shqipëri

    Istvan Kovaç caktohet gjyqtar kryesor për ndeshjen Serbi – Shqipëri

    Arbitri i njohur rumun, Istvan Kovaç, është caktuar nga UEFA si gjyqtari kryesor i ndeshjes mes Serbisë dhe Shqipërisë, e vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Botëror 2026.

    Sipas njoftimit zyrtar të UEFA-s, Kovaç do të asistojë nga bashkatdhetarët Mihai Marika dhe Ferenc Tunjogi, ndërsa Horatiu Feșnic do të jetë gjyqtar i katërt.
    Në dhomën e VAR-it do të jenë gjermanët Bastian Dankert dhe Pascal Müller, të cilët do të kujdesen për verifikimin e situatave të diskutueshme.

    Ndeshja e Grupit K do të zhvillohet të shtunën, më 11 tetor, në orën 20:45, në stadiumin “Dubočica” të Leskovcit. Takimi pritet të jetë një nga më të nxehtët e javës në këtë fazë kualifikuese, duke marrë parasysh rivalitetin e fortë sportiv mes dy përfaqësueseve.

    Kovaç, i cili konsiderohet ndër gjyqtarët më të mirë evropianë aktualisht, ka një karrierë mbresëlënëse në arenën ndërkombëtare. Ai arbitroi finalen e fundit të Ligës së Kampionëve mes Paris Saint-Germain dhe Interit në Mynih, si dhe finalen e Ligës së Evropës mes Atalantës dhe Bayer Leverkusenit.
    Në vitin 2022, ai gjykoi edhe finalen e Ligës së Konferencës mes Romës dhe Feyenoordit, të zhvilluar në Tiranë.

    Pas pesë ndeshjeve të luajtura në Grupin K, Anglia kryeson me 15 pikë, e ndjekur nga Shqipëria me 8 pikë, Serbia me 7 (dhe një ndeshje më pak), Letonia me 4 dhe Andorra që mban vendin e fundit pa pikë.

  • Turneu “PINK-PONG” në Prishtinë: Sport për vetëdijesim kundër kancerit të gjirit

    Turneu “PINK-PONG” në Prishtinë: Sport për vetëdijesim kundër kancerit të gjirit

    Klubi i Pingpongut “Priping”, në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit, do të organizojë turneun tradicional jo konkurrues “PINK-PONG Breast Cancer Awareness Table Tennis Tournament”, me qëllim ngritjen e vetëdijesimit për kancerin e gjirit.

    Kjo nismë vjen në kuadër të Muajit të Vetëdijesimit ndaj Kancerit të Gjirit, që shënohet në mbarë botën gjatë tetorit. Përmes sportit dhe bashkimit qytetar, organizatorët synojnë të theksojnë rëndësinë e kontrollimeve të hershme dhe parandalimit të kësaj sëmundjeje.

    “Muaji tetor është periudha kur i rikujtojmë vetes rëndësinë e kujdesit për shëndetin. Me anë të sportit të pingpongut, duam të përçojmë mesazhin se kanceri i gjirit mund të luftohet që në hapat e parë përmes zbulimit të hershëm,” – thuhet në njoftimin e klubit KPP Priping.

    Turneu do të mbahet sot (9 tetor) në sallën e pingpongut në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, me fillim nga ora 17:00.
    Organizatorët kanë bërë të ditur se do të sigurojnë të gjitha pajisjet e nevojshme për pjesëmarrësit, ndërsa të gjithë qytetarët janë të ftuar të marrin pjesë dhe të mbështesin këtë kauzë humane.

  • Duka para sfidës Serbi–Shqipëri: “Ata kanë emra, ne kemi ekipin dhe karakterin”

    Duka para sfidës Serbi–Shqipëri: “Ata kanë emra, ne kemi ekipin dhe karakterin”

    Në fundjavë, e gjithë vëmendja e rajonit do të jetë e përqendruar në Leskovc, ku të shtunën më 11 tetor do të zhvillohet ndeshja vendimtare e Grupit K për kualifikimet e Kupës së Botës 2026 mes Serbisë dhe Shqipërisë.

    Kuqezinjtë aktualisht renditen në vendin e dytë me 8 pikë, një më shumë se Serbia, e cila ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Një fitore në këtë përballje do të ishte një hap madhor për Shqipërinë drejt fazës së “play-off”-it.

    Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, është shprehur optimist për këtë sfidë të zjarrtë, duke theksuar rëndësinë e përqendrimit dhe qetësisë emocionale.

    “Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme nga pikëpamja sportive. Nuk mund të injorojmë presionin që sjell atmosfera, por kërkesa jonë ndaj lojtarëve është e qartë: të jenë të përqendruar dhe të tregojnë sportivitet. Ekipi që do të mbetet më i qetë dhe do ta lexojë më mirë ndeshjen, do të dalë fitues,” – tha Duka për kanalin zyrtar të FSHF-së.

    Kreu i FSHF-së shtoi se Serbia nuk është një skuadër e frikshme si grup, ndonëse ka disa individë cilësorë, deklaratë që ka bërë jehonë edhe në mediat e rajonit.

    “Kemi një ekip të fortë dhe të balancuar që di si të përballet me çdo kundërshtar. Serbia ka disa lojtarë me cilësi, por si skuadër nuk janë aq të fortë. Besoj se mund të arrijmë një rezultat pozitiv në këtë transfertë,” – theksoi ai.

    Në mbyllje, Duka u shpreh se karakteri dhe besimi do të jenë pikat më të forta të kombëtares shqiptare.

    “Shpresoj që presioni të jetë më shumë në anën e Serbisë. Ne do të luajmë me zemër, por edhe me qetësi. Kam besim të madh te djemtë tanë,” – përfundoi ai.

    Sfida Serbi–Shqipëri do të zhvillohet nën masa të rrepta sigurie dhe pritet të jetë një ndër ndeshjet më të tensionuara dhe më të rëndësishme të ciklit kualifikues drejt Kupës së Botës 2026.

  • Ceferin mahnitet nga Nuno Mendes: “Ndoshta lojtari më i mirë në botë aktualisht”

    Ceferin mahnitet nga Nuno Mendes: “Ndoshta lojtari më i mirë në botë aktualisht”

    Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka lavdëruar në superlativ mbrojtësin e majtë të Paris Saint-Germain, Nuno Mendes, duke e quajtur “ndoshta lojtarin më të mirë në botë për momentin”.
    Deklarata e tij u bë gjatë fjalës në ‘Portugal Football Summit’, ku Ceferin theksoi se futbollistët në mbrojtje shpesh nuk marrin vlerësimin që meritojnë, krahasuar me ata që shënojnë gola.

    “Nuno Mendes është fantastik, ndoshta lojtari më i mirë aktualisht, por pozicioni i tij nuk vlerësohet aq sa ai i atyre që shënojnë,” – u shpreh Ceferin.

    Presidenti i UEFA-s përmendi gjithashtu disa prej talenteve më të mëdha të Portugalisë, si Joao Neves, Vitinha dhe Ruben Dias, të cilin e cilësoi si qendërmbrojtësin e tij të preferuar.

    “Janë Joao Neves, Vitinha, qendërmbrojtësi im i preferuar Ruben Dias… por nuk dua të përmend shumë emra, ndoshta po harroj ndonjë,” – shtoi ai me humor.

    Ceferin u ndal edhe te suksesi i jashtëzakonshëm i futbollit portugez, duke theksuar se përveç talentit dhe punës së madhe, Portugalia ka “diçka më shumë” që e bën unike.

    “Ajo që bën Portugalia është mbresëlënëse. Nuk është vetëm talent dhe punë, edhe të tjerët e bëjnë këtë. Ka diçka më shumë – shpresoj ta zbuloj para se të largohem nga presidenca e UEFA-s,” – përfundoi ai.

    Në të njëjtin event, Nuno Mendes, bashkë me bashkëkombasit e tij Gonçalo Ramos dhe Vitinha, u nderuan në ceremoninë e ‘Portugal Football Globes 2025’ për suksesin historik me PSG-në, pas triumfit në Ligën e Kampionëve.

  • Granit Xhaka flet para ndeshjes ndaj Sllovenisë

    Granit Xhaka flet para ndeshjes ndaj Sllovenisë

    Kapiteni i Kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka, ka dhënë një deklaratë për gazetën zvicerane Blick në prag të ndeshjes kundër Suedisë, e vlefshme për kualifikimet në Kupën e Botës 2026.

    Mesfushori i Sunderlandit komentoi fillimin jo të mirë të suedezëve në këto kualifikuese, duke theksuar se ata nuk e kanë nisur siç pritej.

    “Suedia nuk e nisi ashtu siç të gjithë e prisnin. Në dy ndeshjet e para kanë një barazim dhe një humbje, përfshirë edhe atë ndaj Kosovës,” tha Xhaka.

    Megjithatë, ai paralajmëron bashkëlojtarët e tij të jenë të kujdesshëm, pasi beson se Suedia mbetet një kundërshtar me kualitet.

    “Nëse e analizoni ekipin e tyre, do të shihni që kanë cilësi. Na pret një ndeshje e vështirë,” u shpreh kapiteni zviceran.

    Ndeshja mes Suedisë dhe Zvicrës do të luhet nesër, me fillim nga ora 20:45 dhe është e vlefshme për grupin B, ku për momentin Zvicra kryeson me 6 pikë, e ndjekur nga Kosova me 3 dhe nga një pikë kanë Suedia dhe Sllovenia. /ATVLIVE.TV