ATV

Category: Sport

  • Nenad Tomović: “Droni ishte i planifikuar nga futbollistët shqiptarë, gjithçka ishte e inskenuar”

    Nenad Tomović: “Droni ishte i planifikuar nga futbollistët shqiptarë, gjithçka ishte e inskenuar”

    Futbollisti serb Nenad Tomović, në një intervistë për “Sportinho”, është rikthyer të komentojë ngjarjen e famshme të 14 tetorit 2014, në ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd, e cila u ndërpre pas incidentit me dronin që mbante flamurin “Autochthonous”.

    Sipas tij, ngjarja nuk ishte spontane, por e planifikuar nga pala shqiptare. Ish-mbrojtësi i Serbisë pretendon se disa futbollistë shqiptarë e dinin se do të ndodhte një skenë e tillë.

    “Sinqerisht, ishte një provokim i madh ta shihnim atë flamur të valëvitej mbi kokat tona. Stefani reagoi me zgjuarsi dhe e hoqi menjëherë. Nga reagimi i tyre, që vrapuan për ta mbrojtur flamurin, shihet se gjithçka ishte e planifikuar dhe e organizuar. Më pas shpërthyen incidentet, por mendoj se ky ishte qëllimi i tyre. Ajo që planifikuan, në fund e arritën,” – tha 38-vjeçari.

    Tomović foli edhe për ndeshjen e ardhshme mes Serbisë dhe Shqipërisë, që do të zhvillohet të shtunën në Leskovc. Ai beson se Serbia duhet ta fitojë këtë përballje, duke theksuar se skuadra e tij ka më shumë cilësi dhe përvojë.

    “Kudo që të luhet ndeshja – në Beograd, Leskovc apo kudo tjetër – qëllimi është i njëjtë: fitorja. Duhet të jemi të durueshëm dhe të zgjuar, të mos nxitohen për të shënuar me çdo kusht. Serbia ka cilësi më të larta si individualisht ashtu edhe si ekip, prandaj besoj se do ta fitojmë këtë ndeshje,” – përfundoi ai.

  • KB Prishtina kërkon fitoren e dytë në Ligën ENBL ndaj Brussels Basketball

    KB Prishtina kërkon fitoren e dytë në Ligën ENBL ndaj Brussels Basketball

    Pas një nisjeje të mbarë në edicionin e ri të Ligës ENBL, KB Prishtina do të zhvillojë sonte (e mërkurë) ndeshjen e dytë, këtë herë në transfertë ndaj Brussels Basketball.

    Skuadra bardhekaltër vjen pas fitores bindëse ndaj Gimle Basket, dhe synon të vazhdojë me të njëjtin ritëm për të konsoliduar pozitat në grup.

    Kjo është sfida e parë për ekipin belg në këtë sezon të ENBL, ndërsa për Prishtinën përfaqëson një test të rëndësishëm për të matur forcën e saj në arenën ndërkombëtare.

    Ndeshja do të zhvillohet nga ora 20:30 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në kanalin zyrtar të YouTube të ENBL.

    Kryeqytetasit marrin pjesë për herë të dytë në këtë ligë, e cila po fiton gjithnjë e më shumë reputacion në rajon. Përveç Prishtinës, në këtë edicion garon edhe skuadra tjetër kosovare, Peja, duke përfaqësuar me krenari basketbollin e vendit në arenën ndërkombëtare.

  • Gianni Infantino mbërrin në Kosovë, pritet dhe dekorohet nga Presidentja Osmani

    Gianni Infantino mbërrin në Kosovë, pritet dhe dekorohet nga Presidentja Osmani

    Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka mbërritur sot në Kosovë në një vizitë zyrtare, ku është pritur me ceremoni madhështore nga përfaqësues të lartë të shtetit dhe të futbollit kosovar.

    Në aeroportin e Prishtinës, Infantinon e mirëpritën Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, si dhe zyrtarë të Presidencës së Kosovës.

    Gjatë qëndrimit të tij, Infantino u dekorua nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme të FIFA-s për zhvillimin e futbollit në vend.

    Pritja dhe dekorimi i tij u zhvilluan me nderime dhe respekt të veçantë, duke reflektuar rëndësinë e vizitës së kreut të FIFA-s për futbollin kosovar dhe bashkëpunimin e ngushtë mes institucionit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës.

    Kjo është herë e dytë që Gianni Infantino viziton Kosovën, dhe gjatë qëndrimit ai pritet të takohet me drejtues të institucioneve sportive dhe shtetërore për të diskutuar projekte të reja për infrastrukturën sportive dhe zhvillimin e talenteve të rinj në futbollin kosovar.

  • Dean Huijsen lë grumbullimin e Spanjës për shkak dëmtimi, rikthehet Aymeric Laporte

    Dean Huijsen lë grumbullimin e Spanjës për shkak dëmtimi, rikthehet Aymeric Laporte

    Kombëtarja e Spanjës ka pësuar një tjetër goditje përpara ndeshjeve kualifikuese të Kupës së Botës 2026. Mbrojtësi i Real Madridit, Dean Huijsen, është detyruar të largohet nga grumbullimi për shkak të një dëmtimi muskulor, duke mos qenë në gjendje të vazhdojë me ekipin.

    Trajneri Luis de la Fuente ka reaguar menjëherë, duke thirrur në vend të tij Aymeric Laporten, i cili rikthehet në Kombëtare pas gati një viti mungesë, që nga ndeshjet e Nations League në nëntor të vitit 2024.

    Federata Spanjolle e Futbollit ka konfirmuar lajmin me një deklaratë zyrtare:

    “Dean Huijsen largohet nga grumbullimi i Kombëtares për shkak të një dëmtimi muskulor, përpara ndeshjeve kualifikuese ndaj Gjeorgjisë dhe Bullgarisë.

    Mbrojtësi i Real Madridit mbërriti me simptoma lodhjeje dhe pas testeve mjekësore, u konfirmua dëmtimi. Klubi i tij është informuar dhe lojtari do të vazhdojë rikuperimin në Madrid. I urojmë shërim të shpejtë.”

    Huijsen, i cili nuk ishte stërvitur që nga e marta në qendrën stërvitore të Las Rozas, do të ekzaminohet nga stafi mjekësor i Real Madridit sapo të rikthehet në klub për të përcaktuar shkallën e dëmtimit.

    Ndërkohë, Laporte do t’i bashkohet menjëherë grumbullimit të “La Rojas”, duke sjellë përvojë dhe stabilitet në repartin e mbrojtjes për dy ndeshjet e rëndësishme të radhës.

  • Xavi me superlativa për Lamine Yamal: “Një gjeni që mund të hyjë në historinë e futbollit”

    Xavi me superlativa për Lamine Yamal: “Një gjeni që mund të hyjë në historinë e futbollit”

    Ish-trajneri dhe legjenda e Barcelonës, Xavi Hernández, ka vlerësuar me fjalët më të larta talentin e ri të katalanasve, Lamine Yamal, duke e cilësuar si një lojtar të lindur për madhështi.

    Në një intervistë për mediat spanjolle, Xavi theksoi se e ardhmja e 18-vjeçarit varet tërësisht nga dëshira dhe përkushtimi i tij për t’u përmirësuar çdo ditë.

    “Lamine Yamal është një i zgjedhur. Ai mund të jetë një nga gjenitë më të mëdhenj në historinë e futbollit — por kjo varet prej tij, nga ambicia dhe pasioni që do të tregojë”, u shpreh Xavi.

    Trajneri spanjoll kujtoi edhe momentin kur i dha Yamalit mundësinë të debutonte në ekipin e parë të Barcelonës, në moshën vetëm 15-vjeçare, duke pranuar se talenti i tij ishte i dukshëm që në stërvitjet e para.

    “Yamal bënte gjëra që i shihje vetëm te Neymar apo Messi. E pashë menjëherë se ishte ndryshe — nuk kishte frikë, nuk kishte komplekse, dhe ishte gati të bënte diferencën,” – shtoi Xavi me admirim.

    Sot, Lamine Yamal është një nga figurat më premtuese të futbollit evropian dhe një shtyllë e rëndësishme për të ardhmen e Barcelonës, duke treguar pjekuri dhe klas të jashtëzakonshme për moshën e tij të re.

  • Armand Duka merr një tjetër post prestigjioz në FIFA

    Armand Duka merr një tjetër post prestigjioz në FIFA

    Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, është zgjedhur anëtar i Komitetit të Federatave Anëtare të FIFA-s (Member Associations Committee) për një mandat katërvjeçar.

    Ky komitet ka një rol thelbësor në mbështetjen e federatave anëtare të FIFA-s në zhvillimin e tyre institucional, teknik dhe në zbatimin e politikave të qeverisjes së futbollit në nivel global.

    Emërimi i Dukës në këtë strukturë të rëndësishme vjen si një vlerësim i madh për kontributin e tij shumëvjeçar në drejtimin e futbollit shqiptar dhe për rolin e tij aktiv në arenën ndërkombëtare.

    Kujtojmë se Duka mban gjithashtu pozicionet e Zëvendëspresidentit të UEFA-s, anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s dhe Kryetarit të Komitetit të Medias në UEFA, duke e bërë një nga figurat më me ndikim të futbollit europian në strukturat drejtuese botërore.

  • Broja dhe Ajeti me njëzëri para Serbisë: “Do të hyjmë vetëm për 3 pikët”

    Broja dhe Ajeti me njëzëri para Serbisë: “Do të hyjmë vetëm për 3 pikët”

    Kombëtarja shqiptare është në prag të njërës prej ndeshjeve më të rëndësishme të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026. Kuqezinjtë do të përballen me Serbinë të shtunën në mbrëmje, në Leskovac, me fillim nga ora 20:45 — një sfidë e ngarkuar jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe emocional.

    Në konferencat e fundit për shtyp, kanë folur dy prej figurave kryesore të ekipit, Armando Broja dhe Arlind Ajeti, të cilët kanë dërguar mesazhe të qarta për vendosmërinë e skuadrës.

    Armando Broja ka theksuar se skuadra është më e fokusuar se kurrë për të marrë fitoren:
    “Për mua më e rëndësishme është të fitojmë ndeshjen dhe të marrim 3 pikët. E di që dua të shënoj gola, por mbi të gjitha dua të ndihmoj ekipin. Jemi shumë të përqendruar dhe të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj sfide.
    Në fushë do të hyjmë vetëm për fitore. Kam besim te shokët e skuadrës, te trajneri dhe te puna që kemi bërë. Do të luftojmë deri në fund — shpresojmë që këtë herë të festojmë ne,” – u shpreh sulmuesi kuqezi.

    Nga ana tjetër, Arlind Ajeti e sheh përballjen me qetësi profesionale, por me ndjenjë të fortë përgjegjësie:
    “Normalisht që emocionet ekzistojnë, por ne mundohemi t’i shohim të gjitha si ndeshje futbolli. Synimi ynë është të jemi profesionistë dhe të marrim tre pikë. Serbia ka lojtarë me cilësi të lartë si Mitrovic dhe Vlahovic, por ne do të jemi të përgatitur për secilin.
    Do të jetë më e vështirë pa tifozët tanë, por do japim maksimumin për të mbajtur portën e paprekur dhe për të mos u dorëzuar deri në fund,” – deklaroi mbrojtësi i Kombëtares.

    Kuqezinjtë janë të vendosur të shkruajnë një tjetër faqe të rëndësishme në historinë e futbollit shqiptar.
    Të shtunën në mbrëmje, gjithë sytë do të jenë nga Leskovaci — aty ku Shqipëria do të kërkojë tre pikët e artë që mund të bëjnë diferencën në rrugëtimin drejt Botërorit 2026.

  • Dëmtimi i Mbappé shqetëson Real Madridin dhe Francën

    Dëmtimi i Mbappé shqetëson Real Madridin dhe Francën

    Te Real Madrid është ndezur alarmi pas një problemi fizik të sulmuesit francez Kylian Mbappé. Pas ndeshjes ndaj Villarrealit, ylli i “Los Blancos” ka pësuar një dëmtim në kyçin e këmbës së djathtë dhe aktualisht po stërvitet individualisht nën kujdesin e stafit mjekësor të Kombëtares së Francës në qendrën stërvitore Clairefontaine.

    Sipas mediave franceze dhe burimeve si Tuttomercatoweb dhe AS, prezenca e Mbappés në ndeshjen e parë kualifikuese të Francës kundër Azerbajxhanit është në pikëpyetje. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse ai do të jetë gati për sfidën ndaj Islandës më 13 tetor.

    Në Madrid, shqetësimi është i madh, pasi 26 vjeçari konsiderohet si lojtari kyç në skemat e trajnerit Xabi Alonso. Çdo dëmtim, sado i vogël, mund të ndikojë ndjeshëm në ecurinë e ekipit.

    Kalendari i ngjeshur i klubit mbretëror e bën situatën edhe më delikate: më 19 tetor do të përballen me Getafen, më 22 tetor me Juventusin në Champions League dhe më 26 tetor vjen supersfida “El Clásico” kundër Barcelonës. Ditët në vijim pritet të sqarojnë gjendjen e lojtarit përmes ekzaminimeve të detajuara mjekësore. /ATVLIVE.TV

  • Steven Gerrard: “Egoja dhe mungesa e unitetit na kushtuan trofetë me Anglinë”

    Steven Gerrard: “Egoja dhe mungesa e unitetit na kushtuan trofetë me Anglinë”

    Ish-kapiteni legjendar i Liverpoolit dhe Kombëtares së Anglisë, Steven Gerrard, ka reflektuar mbi arsyet pse “brezi i artë” anglez nuk arriti të fitojë asnjë trofe madhor, pavarësisht talentit të jashtëzakonshëm që kishte.

    Në një intervistë për podcastin Rio Ferdinand Presents, Gerrard pranoi se rivalitetet mes klubeve të mëdha si Liverpool, Manchester United dhe Chelsea krijuan ndarje të thella në kombëtare dhe penguan krijimin e një grupi të bashkuar.

    “Ne ishim humbës egoistë. Pse nuk u lidhëm kur ishim 20 apo 23 vjeç? A ishte ego apo rivalitet? Ne nuk ishim miq, nuk ishim një ekip i vërtetë,” – u shpreh Gerrard.

    Sipas tij, Anglia kishte mjaftueshëm cilësi për të fituar trofe, por mungesa e unitetit dhe bashkëpunimit mes lojtarëve e bëri këtë të pamundur.

    “Lojtarët ishin aty për të bërë më mirë, por nuk funksionon kur secili mendon për veten,” – shtoi ish-mesfushori.

    Gerrard gjithashtu vlerësoi punën e Gareth Southgate, duke theksuar se trajneri aktual ka arritur të krijojë një atmosferë bashkimi që dikur mungonte:
    “Southgate është nënvlerësuar për mënyrën se si ka ndërtuar një grup të fortë dhe të bashkuar.”

    Sa i përket të ardhmes së tij si trajner, pas eksperiencave me Aston Villan dhe Al Ettifaqun, Gerrard la të hapur mundësinë e një rikthimi te Rangers, duke theksuar se dëshiron të jetë pjesë e një skuadre që garon për trofe:
    “Dua të jem në një ekip që lufton për të fituar. Vetëm atëherë ndiej se jam në vendin e duhur.”

  • Messi me mesazh prekës për Jordi Alba-n: “Do të jetë e çuditshme të mos të shoh më në krahun tim të majtë”

    Messi me mesazh prekës për Jordi Alba-n: “Do të jetë e çuditshme të mos të shoh më në krahun tim të majtë”

    Ylli argjentinas Lionel Messi i ka dedikuar një mesazh emocional mikut të tij të ngushtë dhe ish-bashkëlojtarit Jordi Alba, pas vendimit të këtij të fundit për t’i dhënë fund karrierës si futbollist profesionist.

    Në një postim në rrjetet sociale, Messi shprehu mallin dhe mirënjohjen për vitet e përbashkëta që ndanë në fushë:

    “Do të jetë e çuditshme për mua të shikoj majtas dhe të mos të shoh atje… Do të më mungosh shumë. Është çmenduri sa shumë asistime më ke dhënë gjatë gjithë këtyre viteve.”

    Messi dhe Alba kanë ndarë një miqësi të fortë dhe një bashkëpunim të jashtëzakonshëm si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Ata ndërtuan një partneritet të paharrueshëm te Barcelona, ku fituan gjithçka së bashku, dhe më pas u ribashkuan në Inter Miami, përkrah Sergio Busquets dhe Luis Suárez.

    Jordi Alba, një nga mbrojtësit e majtë më të mirë të gjeneratës së tij, ka lënë pas një karrierë të mbushur me trofe dhe momente të paharrueshme, si me Barcelonën, ashtu edhe me Kombëtaren e Spanjës.

    Tërheqja e tij vjen vetëm pak ditë pas largimit nga futbolli të një tjetër legjende blaugrana, Sergio Busquets, duke shënuar kështu fundin e një epoke të artë për ish-yjet e mëdhenj të Barcelonës.