ATV

Category: Sport

  • Kombëtarja shqiptare përgatitet për dy ndeshjet e fundit kualifikuese – Programi i Kombëtares

    Kombëtarja shqiptare përgatitet për dy ndeshjet e fundit kualifikuese – Programi i Kombëtares

    Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Kupën e Botës 2026 në Grupin K, përballë Andorrës dhe Anglisë.

    Trajneri Silvinjo do të publikojë listën e lojtarëve të grumbulluar të premten, më 7 nëntor, dhe më pas do të mbajë një konferencë për mediat në “Shtëpinë e Futbollit”, ku do të flasë për listën dhe dy sfidat e ardhshme.

    Grumbullimi zyrtar i kombëtares do të nisë të hënën në Barcelonë.

    • Andorra – Shqipëri do të luhet më 13 nëntor në “Estadi FAF Encamp” në orën 20:45.

    • Shqipëria – Anglia do të zhvillohet më 16 nëntor në stadiumin “Air Albania” në orën 18:00.

    Aktualisht, Shqipëria renditet në vendin e dytë në Grupin K me 11 pikë. /ATVLIVE.TV

  • Të rinjtë e 2 Korriku U 19 publikojnë formacionin për sfidën me Hibernian U 19

    Të rinjtë e 2 Korriku U 19 publikojnë formacionin për sfidën me Hibernian U 19

    Të rinjtë e 2 Korrikut të Prishtinës janë gati për sfidën e sotme ndaj ekipit skocez Hibernian. Djelmoshat e ekipit U 19 synojnë një rezultat pozitiv në ndeshjen që nis në ora 13:00 në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

    Në ndeshjen e parë, 2 Korriku e humbi me rezultat 4:0.

    Klubi ka bërë publike edhe formacionin zyrtar për këtë përballje. /ATVLIVE.TV

  • Yakin: “Prioriteti jonë është ndeshja me Suedinë”

    Yakin: “Prioriteti jonë është ndeshja me Suedinë”

    Kombëtarja e Zvicrës po përgatitet për dy ndeshje të rëndësishme në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror. Përveç sfidës me Suedinë më 15 nëntor në Gjenevë, ekipi ka në fokus përballjen me Kosovën më 18 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

    Në Grupin B, Zvicra kryeson me 10 pikë, ndjekur nga Kosova me 7, Sllovenia me 3 dhe Suedia me 1 pikë.

    Para ndeshjes me Kosovën, selektori i Zvicrës, Murat Yakin, ka theksuar:

    “Ne fokusohemi vetëm në ndeshjen e radhës dhe duam ta përfundojmë ndeshjen me Suedinë. Nuk mund të ndikojmë ende asgjë,” u shpreh Yakin. /ATVLIVE.TV

  • Kontestim në Anfield: Pse gjyqtari Kovacs refuzoi penalltinë?

    Kontestim në Anfield: Pse gjyqtari Kovacs refuzoi penalltinë?

    Liverpool arriti një fitore të ngushtë ndaj Real Madridit me rezultat 1-0 në Anfield, falë golit të vetëm të shënuar nga Alexis Mac Allister në minutën e 61-të, pas një asistimi të saktë nga Dominik Szoboszlai.

    Ekipi i Arne Slot regjistroi kështu fitoren e dytë radhazi në të gjitha garat, duke u larguar nga një mini-krizë, ndërsa seria e gjashtë fitoreve radhazi e Real Madridit në të gjitha kompeticionet u ndërpre.

    Por, momenti më polemik erdhi në minutën e 30-të, kur Szoboszlai gjuajti nga jashtë zonës dhe topi preku dorën e Aurelien Tchouamenit.

    Gjyqtari rumun Istvan Kovacs akordoi fillimisht një goditje dënimi, por dhoma e VAR-it ndërhyri pasi dukej se prekja me dorë kishte ndodhur brenda zonës së penalltisë. Pas shqyrtimit të videos, u konstatua se dora e Tchouamenit ishte brenda zonës, por për habinë e të gjithëve, Kovacs vendosi të mos akordonte penallti. Në vend të saj, ai ia dorëzoi topin Real Madridit, duke i hequr mundësinë Liverpoolit për të sulmuar.

    Tifozët e Liverpoolit shprehën indinjatë, duke pyetur nëse ekipi i tyre ishte dëmtuar nga mosdhënia e penalltisë. BBC shpjegoi vendimin në detaje:

    Gjyqtarët e VAR-it i treguan Kovacs se kishte pasur një prekje me dorë nga lojtari i Realit brenda zonës. Megjithatë, vlerësimi i gjyqtarit ishte se dora ishte afër trupit dhe nuk kishte qenë një lëvizje e qëllimshme për të rritur sipërfaqen e trupit, prandaj nuk konsiderohej penallti e dënueshme. Kovacs përmbysi vendimin fillestar të goditjes së dënimit dhe vazhdoi lojën, duke i dhënë posedimin Real Madridit. /ATVLIVE.TV

  • Shorti i fazës së dytë kualifikuese për Botërorin 2027 – Kosova për herë të parë në këtë fazë

    Shorti i fazës së dytë kualifikuese për Botërorin 2027 – Kosova për herë të parë në këtë fazë

    Të enjten (nesër) në orën 11:00 në Vjenë do të bëhet tërheqja e shortit për fazën e dytë kualifikuese për Kampionatin Botëror 2027 në hendboll.

    Për herë të parë, në këtë fazë do të marrë pjesë edhe Kombëtarja e Kosovës, e cila javën e kaluar realizoi një sukses historik duke eliminuar Britaninë e Madhe në raundin e parë. Ky është një hap i madh për futbollin e hendbollit kosovar dhe një mundësi për t’u sfiduar me skuadrat më të forta të Europës.

    Në këtë short, Kosova do të jetë në vazon e dytë, ku janë edhe Sllovakia, Lituania, Belgjika, Finlanda, Izraeli, Letonia dhe Turqia.

    Në vazon e parë do të jenë Greqia, Bosnjë-Hercegovina dhe gjashtë kombëtaret që përfundojnë në vendet e fundit në grupet e Kampionatit Evropian 2026, i cili zhvillohet në janar të vitit të ardhshëm.

    Në praktikë, kjo do të thotë se Kosova mund të përballet me Greqinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe disa nga kombëtaret që përfundojnë të fundit në grupet C, D, E dhe F të Evropianit.

    Kualifikimet për Botëror organizohen në tri faza, dhe për Kosovën kalimi eventual i fazës së dytë do të konsiderohej një sukses i jashtëzakonshëm. Shumë do të varet nga shorti i së enjtes, i cili do të përcaktojë rivalët dhe sfidën që e pret përfaqësuesen kosovare.

    Ndeshjet e fazës së dytë do të luhen më 18/19 mars dhe 21/22 mars të vitit 2026, duke ofruar mundësi për t’u testuar ndaj skuadrave më të forta dhe për të treguar progresin e kombëtares sonë. /ATVLIVE.TV

  • Ftohet Zeqiri, mungon Jashari – Kombëtarja e Zvicrës publikon listën

    Ftohet Zeqiri, mungon Jashari – Kombëtarja e Zvicrës publikon listën

    Kombëtarja e Zvicrës ka publikuar listën e futbollistëve të ftuar për dy ndeshjet e radhës në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, ku do të përballet me Suedinë dhe Kosovën.

    Trajneri Murat Yakin ka përfshirë në listë tre futbollistë me origjinë shqiptare: Andi Zeqiri, Ardian Bajrami dhe Granit Xhaka.

    Në listë mungon Ardon Jashari, ndonëse mesfushori i ri është rikthyer së fundmi në stërvitje me skuadrën e tij, AC Milan.

    Zvicra do të zhvillojë fillimisht ndeshjen ndaj Suedisë më 15 nëntor, ndërsa më 18 nëntor do të përballet me Kosovën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

    Për momentin Zvicra kryeson në grup me 10 pikë të grumbulluara, e ndjekur nga Kosova me 7 pikë. Në vendin e tretë është Sllovenia me 3 pikë dhe me vetëm një pikë është Suedia në vend të fundit. /ATVLIVE.TV

  • Zhegrova fiton zemrën e Del Pieros – Spalletti gjen armën e re te Juventusi

    Zhegrova fiton zemrën e Del Pieros – Spalletti gjen armën e re te Juventusi

    Legjenda e Juventusit, Alessandro Del Piero, ka komentuar paraqitjen e sulmuesit shqiptar Edon Zhegrova, duke e cilësuar si një futbollist që sjell rrezik të vazhdueshëm për mbrojtjet kundërshtare.

    “Tani për tani, Spalletti duhet t’i menaxhojë sulmuesit taktikisht, fizikisht dhe në aspektin e ndikimit. Zhegrova është dikush që të jep ndjesinë se mund të të lëndojë — diçka që duhet të jetë e pranishme gjatë të gjitha 90 minutave,” – deklaroi Del Piero.

    Zhegrova u aktivizua në minutën e 71-të të ndeshjes së fundit ndaj Sporting CP, duke sjellë freski në lojën e Juventusit. Ai tregoi disa momente të shkëlqyera me driblime të shpejta dhe shpeshherë u ndal me faulle nga mbrojtësit portugezë.

    Sulmuesi nga Kosova nuk kishte qenë pjesë e formacionit në disa ndeshje nën drejtimin e Igor Tudor, por duket se po fiton më shumë besim nga trajneri aktual Luciano Spalletti. Ai kontribuoi edhe në fitoren 2-1 ndaj Cremoneses, duke dhënë sinjale pozitive për vazhdimësinë e tij te “Zonja e Vjetër”.

    Megjithatë, Juventus vazhdon të hasë vështirësi në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Bardhezinjtë barazuan 1-1 me Sporting dhe, me katër xhiro të mbetura, kanë grumbulluar vetëm 3 pikë, duke rrezikuar seriozisht të mos arrijnë as në fazën e play-offit.

    Në këtë situatë, Zhegrova shihet si një nga pak shpresat që mund të ndryshojë dinamikën e skuadrës, ndërsa Spalletti kërkon nga lojtarët e tij angazhim maksimal në përballjet vendimtare që e presin Juventusin. /ATVLIVE.TV

  • Vazhdon Superliga e Kosovës në hendboll – në mesjavë zhvillohen ndeshjet e xhiros së shtatë

    Vazhdon Superliga e Kosovës në hendboll – në mesjavë zhvillohen ndeshjet e xhiros së shtatë

    Pas përfundimit të angazhimeve të Kombëtares së Kosovës në hendboll, këtë mesjavë rikthehet gara në Superligën e Kosovës në konkurrencën e meshkujve, ku në program është xhiroja e shtatë.

    Sonte (e mërkurë) zhvillohet ndeshja mes Vushtrrisë dhe Kastriotit, e cila fillon nga ora 20:00 në palestrën “Afrim Bunjaku” në Samadrexhë.

    Ndërkaq, edhe dueli tjetër në mes të Besa Famgas dhe Vëllaznimit, pritet të jetë një nga sfidat më interesante të javës, që do të zhvillohet në palestrën “Karagaçi” të Pejës.

    Dy ndeshje të tjera do të luhen të enjten. Nga ora 19:00, në Podujevë përballen Rahoveci dhe Llapi. Kampioni në fuqi, Rahoveci, do të jetë formalisht vendas, por për shkak se palestra “Mizahir Isma” është në shërbim të KQZ-së, ndeshja zhvillohet në Podujevë në palestrën “Hakif Zejnullahu”.

    Po të enjten, nga ora 19:30, në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, do të përballen Prishtina dhe Trepça.

    Me nga katër fitore dhe një humbje, e me tetë pikë të grumbulluara deri tani – kryesojnë në tabelë Rahoveci, Kastrioti dhe Vëllaznimi. Ndërsa Vushtrria është e fundit me zero pikë. /ATVLIVE.TV

  • Trepça përballet sonte me PAOK-un në “Minatori” në kuadër të FIBA Europe Cup

    Trepça përballet sonte me PAOK-un në “Minatori” në kuadër të FIBA Europe Cup

    Kampionia e Kosovës, Trepça, do të ketë një sfidë shumë të vështirë sonte, ku do të përballet me skuadrën e njohur greke, PAOK.

    Ndeshja zhvillohet në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, duke filluar nga ora 18:30, në kuadër të fazës së grupeve të FIBA Europe Cup.

    Në një grup tepër të fortë, “Xehetarët” ende nuk kanë arritur të gjejnë fitoren e parë, pasi kanë tri humbje, ndërsa PAOK ka regjistruar dy fitore dhe një humbje.

    Në këtë edicion, Trepça ka pësuar dy humbje në shtëpi:

    nga Braunschweig me rezultat 84:70,

    dhe nga Anwil me rezultat 97:87.

    Në ndeshjen e parë mes këtyre dy skuadrave, që u zhvillua në Greqi, PAOK kishte triumfuar me rezultat 85:74. /ATVLIVE.TV

  • Nata e Ligës së Kampionëve: Nëntë përballje emocionuese në xhiron e katërt

    Nata e Ligës së Kampionëve: Nëntë përballje emocionuese në xhiron e katërt

    Sot (e mërkurë) zhvillohen edhe nëntë ndeshje të tjera në kuadër të xhiros së katërt të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve.

    Pas spektaklit të mbrëmjes së martë, ku u panë disa përballje të zjarrta, tani radha i takon natës së sotme, e cila pritet të sjellë futboll të bukur dhe emocione të reja, megjithëse pa ndonjë derbi të madh në kalendar.

    Vëmendja kryesore do të jetë në “Etihad Stadium”, ku Manchester City pret Borussia Dortmundin në një ndeshje që pritet të prodhojë shumë gola dhe ritëm të lartë.

    Takime tërheqëse priten edhe në sfidat Newcastle – Athletic Bilbao, Ajax – Galatasaray, Benfica – Bayer Leverkusen dhe Marseille – Atalanta.

    Përveç tyre nga ora 21:00, në fushë zbresin edhe Interi dhe Barcelona.

    Skuadra italiane pret atë të kazakistanit Kairat Almaty, ndërsa katalanasit udhëtojnë në Belgjikë për duelin ndaj Club Brugge.

    Mbrëmja do të nis më herët, me dy ndeshje nga ora 18:45:

    Ekipi nga Azerbajxhani Qarabag do të pres atë anglez Chelsea dhe ekipi qipriot Pafos pret atë spanjoll Villarreal, që hapin rrugën për një natë të gjatë evropiane. /ATVLIVE.TV