ATV

Category: Sport

  • Babai i Lamine Yamal njofton fejesën me një vajzë 16 vjet më të re

    Babai i Lamine Yamal njofton fejesën me një vajzë 16 vjet më të re

    Babai i yllit të Barcelonës, Lamine Yamal, Mounir Nasraoui, ka befasuar ndjekësit e tij në Instagram me një njoftim të papritur — ai ka konfirmuar se është fejuar me të dashurën e tij të re, Khristina, e cila është 16 vjet më e re se ai.

    Nasraoui postoi një fotografi ku shihet pranë partneres, duke shtuar në përshkrim dy emotikone domethënëse: një zemër të zezë dhe një unazë fejese. Kjo mjaftoi që ndjekësit të kuptonin se babai i talentit 18-vjeçar të Spanjës ka marrë vendimin për t’u martuar.

    Sipas mediave spanjolle, përfshirë AS.com, partnerja e tij Khristina është 23 vjeçare, dhe çifti e kishte bërë publike lidhjen e tyre vetëm disa muaj më parë. Postimi i Nasraouit ka marrë mijëra reagime, duke ndarë opinionet e ndjekësve — nga urimet e shumta për çiftin, deri te komentet ironike.

    “Urime, çift i mrekullueshëm!”, shkroi një ndjekës, ndërsa një tjetër shtoi me humor: “I varfëri Lamine, edhe një gojë tjetër për të mbajtur!”.

    Mounir Nasraoui është mjaft aktiv në rrjete sociale dhe shpeshherë komenton jetën e tij dhe suksesin e të birit, Lamine Yamal, i cili tashmë është një nga lojtarët më të ndjekur dhe më premtues në futbollin evropian.

    Ndërsa fejesa e tij me Khristinën ka ndezur diskutime të shumta në rrjet, shumica e reagimeve kanë qenë pozitive, me fansat që i urojnë fat dhe dashuri çiftit të ri.

    Megjithatë, ende nuk ka një konfirmim zyrtar për datën e martesës, dhe detajet e sakta mbi lidhjen e tyre mbeten private.

  • Cristiano Ronaldo zbulon planet për martesë: “Pas Botërorit, shpresojmë me trofeun në duar”

    Cristiano Ronaldo zbulon planet për martesë: “Pas Botërorit, shpresojmë me trofeun në duar”

    Ylli portugez, Cristiano Ronaldo, ka folur së fundmi për planet e tij për martesë me partneren Georgina Rodríguez, duke zbuluar se ceremonia mund të ndodhë pas përfundimit të Kampionatit Botëror.

    “Ne planifikojmë ta bëjmë pas Botërorit, shpresojmë me trofeun,” – është shprehur Ronaldo me buzëqeshje.

    Ky deklarim ka ndezur menjëherë reagime të shumta në rrjetet sociale, ku fansat shprehen të emocionuar për mundësinë e një dasme mbretërore, nëse Portugalia arrin suksesin e madh.

    Cristiano dhe Georgina janë bashkë prej më shumë se shtatë vitesh dhe kanë ndarë shpesh momente të ngrohta familjare me ndjekësit e tyre në rrjete sociale. Dasma e tyre pritet të jetë një nga ngjarjet më të përfolura në botën e sportit dhe showbiz-it.

  • Dybala shpëton nga më e keqja — rikuperimi pritet të jetë i shkurtër

    Dybala shpëton nga më e keqja — rikuperimi pritet të jetë i shkurtër

    Argjentinasi, Paolo Dybala, u dëmtua gjatë gjuajtjes së penalltisë së pritur nga Maignan në “San Siro”, në ndeshjen kundër Milanit në Ligën e Kampionëve.

    Roma mund të marrë frymë e qetë pasi, Dybala iu nënshtrua testeve mjekësore këtë mëngjes. Rezultatet konfirmuan një këputje muskuli të gradës së mesme në kofshën e majtë, por mungesa e tij nuk pritet të zgjasë shumë.

    Stafi mjekësor i klubit do të vlerësojë gjatë pushimit ndërkombëtar nëse Dybala do të mund të rikthehet për ndeshjen e 23 nëntorit ndaj Cremoneses, apo nëse do të ndjekë një program më konservator rikuperimi, për t’u rikthyer plotësisht në formë për sfidën e madhe ndaj Napolit më 30 nëntor.

    Cilado qoftë data e rikthimit, objektivi i Romës mbetet që numri 21 të jetë në formacionin titullar kundër Napolit në fund të muajit.

    Lajmi për dëmtimin e argjentinasit sigurisht nuk i pëlqen Gasperinit, por koha e shkurtër e parashikuar për rikthim lë vend për optimizëm.

    Fillimisht ishte frikësuar se dëmtimi mund të ishte i rëndë, i ngjashëm me atë të Kevin De Bruyne, që e mbajti belgun jashtë fushës për rreth dy muaj. Për fat, analizat treguan se situata e Dybalas është më e lehtë. Roma njoftoi gjithashtu se lojtari e ka nisur tashmë terapinë e rikuperimit në qendrën stërvitore të Trigorias. /ATVLIVE.TV

  • Kurshumlija dhe Uglari në skenën evropiane!

    Kurshumlija dhe Uglari në skenën evropiane!

    Federata e Basketbollit të Kosovës vazhdon të përfaqësohet me sukses në arenën ndërkombëtare.

    Komisioni i Garave të FBK-së, Faton Kurshumlija, sot do të jetë pjesë e një dueli tejet të rëndësishëm në EuroLeague Women, ku Galatasaray pret Flammes – sfidë vendimtare për fazën e grupeve.

    Ndërkohë, gjyqtari Elldin Uglari nesër do të gjykojë ndeshjen Tresnjevka – Zabiny Brno në EuroCup Women, në Zagreb. /ATVLIVE.TV

  • Komisioni i Garave refuzon ankesën e Prishtinës së Re për ndeshjen ndaj Drenicës

    Komisioni i Garave refuzon ankesën e Prishtinës së Re për ndeshjen ndaj Drenicës

    Komisioni i Garave i Superligës dhe Ligës së Parë të Kosovës ka vendosur të refuzojë si të pabazuar ankesën e klubit Prishtina e Re lidhur me ndeshjen e javës së 12-të të Superligës, kundër Drenicës, e zhvilluar më 2 nëntor 2025 në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan.

    Në vendimin e publikuar më 4 nëntor 2025, Komisioni ka sqaruar se, pas shqyrtimit të materialeve zyrtare dhe të dhënave nga sistemi “MyFFK”, është konstatuar se lojtari Altin Vojvoda – për të cilin klubi ankues pretendonte se ishte aktivizuar në mënyrë të parregullt – ka qenë i regjistruar ligjërisht për Drenicën dhe figuron në protokollin zyrtar të ndeshjes me numrin 11.

    “Pretendimi i klubit ankues nuk gjen mbështetje faktike,” thuhet në arsyetimin e vendimit, ku shtohet se ndeshja mbetet e regjistruar me rezultatin e arritur në fushë, pasi nuk është konstatuar asnjë shkelje e rregullave të garës.

    Komisioni është mbështetur në nenet 46 dhe 47 të Rregullores së Garave të Superligës dhe Kupës së Kosovës për edicionin 2025/2026, të cilat përcaktojnë kriteret për regjistrimin e ndeshjeve dhe vlefshmërinë e protokolleve zyrtare.

    Ndeshja Prishtina e Re – Drenica përfundoi me rezultatin 0-0.

    Kujtojmë se kryetar i Komisionit të Garave është Abdyl Bellopoja. /ATVLIVE.TV

  • Sir David Beckham! Mbreti Charles i jep legjendës angleze nderin më të lartë britanik

    Sir David Beckham! Mbreti Charles i jep legjendës angleze nderin më të lartë britanik

    Futbollisti legjendar anglez, David Beckham, u dekorua sot (të martën) me titullin “Sir”, në një ceremoni të mbajtur në Kështjellën Windsor, si shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij shumëvjeçar në sport dhe në veprimtari bamirësie.

    Beckham mori titullin e kalorësit nga Mbreti Charles III dhe në këtë rast veshi një kostum elegant të dizajnuar nga bashkëshortja e tij, Victoria Beckham, stiliste e njohur dhe ish-anëtare e grupit “Spice Girls”.

    Gjatë ceremonisë, Mbreti Charles dhe Beckham shkëmbyen fjalë të ngrohta. Ish-kapiteni i Anglisë më vonë pranoi se ishte thellësisht i prekur kur mësoi për vlerësimin mbretëror.

    “Ky është një moment i jashtëzakonshëm për familjen tonë dhe shumë i veçantë për mua. Jam krenar që më është bërë një nder kaq i madh,” — tha Beckham.

    “U rrita në një familje të përulur në East End të Londrës. Gjithmonë kam ëndërruar të bëhem futbollist profesionist dhe sot ndodhem këtu, në Kështjellën Windsor, përballë monarkisë më të respektuar në botë,” — shtoi ai.

    I lindur në Londrën Lindore, Beckham debutoi në Premier League me Manchester United në vitin 1995, dy vjet pasi ishte bashkuar me klubin si junior. Me “Djajtë e Kuq” ai fitoi gjashtë tituj kampion, dy Kupa FA dhe Ligën e Kampionëve, përpara se të transferohej te Real Madrid, LA Galaxy, AC Milan dhe Paris Saint-Germain.

    Beckham u tërhoq nga futbolli në vitin 2013, pas një karriere të lavdishme me 115 paraqitje për kombëtaren angleze. I njohur për goditjet e lira dhe krosimet e sakta, ai u bë gjithashtu një nga atletët më të suksesshëm komercialisht të epokës së tij. /ATVLIVE.TV

  • Guardiola e krahason me Messin dhe Ronaldon, por norvegjezi reagon me modesti

    Guardiola e krahason me Messin dhe Ronaldon, por norvegjezi reagon me modesti

    Sulmuesi norvegjez, Erling Haaland, pritet të ketë një mbrëmje emocionuese të mërkurën, kur Manchester City do të përballet me Borussia Dortmund në raundin e katërt të Ligës së Kampionëve, në stadiumin “Etihad”.

    Haaland iu bashkua Cityt tre vjet më parë pikërisht nga Dortmundi dhe që atëherë është shndërruar në një nga sulmuesit më të mirë në botë.

    Në konferencën për shtyp para ndeshjes, përkrah Haalandit foli edhe trajneri Pep Guardiola, i cili e lavdëroi lart yllin norvegjez, duke e krahasuar madje me Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon për ndikimin që ka në lojë.

    Megjithatë, Haaland reagoi me modesti ndaj fjalëve të trajnerit të tij, duke qeshur dhe mohuar krahasimin:

    “Askush nuk mund t’u afrohet atyre. Unë jam thjesht një norvegjez dhe nuk duhet të mendoj se jam i veçantë vetëm sepse shënoj shumë gola,” — tha Haaland me sinqeritet.

    25 vjeçari këtë sezon në Premier League, në dhjetë ndeshje ka shënuar 13 gola dhe ka dhënë një asist. /ATVLIVE.TV

  • Më në fund: Shaqiri merr leje nga gjykata për ndërtimin e shtëpisë 3 milionëshe në Zvicër

    Më në fund: Shaqiri merr leje nga gjykata për ndërtimin e shtëpisë 3 milionëshe në Zvicër

    Pas më shumë se tre vitesh përplasje ligjore, Xherdan Shaqiri, ka marrë më në fund lejen për të ndërtuar vilën e tij luksoze në Rheinfelden, në kantonin e Aargaut.

    Vendimi përfundimtar u mor nga Gjykata Administrative e Aargaut, e cila i dha dritën jeshile projektit pas ndërhyrjes së Gjykatës Federale Zvicerane.

    Në gusht të vitit 2022, ylli i Baselit kishte marrë fillimisht lejen për ndërtimin e vilës, e cila vlerësohet në rreth 3 milionë franga zvicerane, por kundërshtimet e disa fqinjëve e kishin bllokuar projektin.

    Në janar të vitit 2024, Gjykata Administrative ia kishte revokuar lejen e ndërtimit, duke detyruar Shaqirin ta çojë çështjen në Gjykatën Federale.

    Në pranverë, gjykata më e lartë e vendit e rrëzoi këtë vendim, duke e cilësuar si të pabazuar dhe duke kërkuar rishqyrtim të çështjes.

    Tani, gjykata e Aargaut ka miratuar projektin, por me disa kushte, ndër to, detyrimi për të vendosur perde në dritare për të reduktuar ndotjen e dritës për banorët gjatë natës.

    Edhe pse fqinjët fituan këtë detaj të vogël, ata konsiderohen pala humbëse, pasi janë urdhëruar të paguajnë 7,777 franga për shpenzime gjyqësore, si dhe 6,600 franga Shaqirit dhe 4,125 franga komunës së Rheinfeldenit si kompensim.

    Shaqiri, që u rikthye te Baseli në verën e vitit 2024, ka shkëlqyer që në sezonin e parë duke fituar dopietën kombëtare të trofeve. /ATVLIVE.TV

  • Shorti i UEFA-s vendos Shqipërinë në Grupin B1

    Shorti i UEFA-s vendos Shqipërinë në Grupin B1

    Kombëtarja e vajzave të Shqipërisë mësoi këtë të martë kundërshtarët që do të përballet në kualifikueset e Botërorit “Brazil 2027”.

    Në shortin e hedhur në selinë e UEFA-s në Nyon, Zvicër, Shqipëria u vendos në Grupin B1, ku do të ndeshet me Uellsin, Çekinë dhe Malin e Zi.

    Ndeshjet kualifikuese do të zhvillohen sipas sistemit vajtje-ardhje, në përputhje me kalendarin e UEFA-s. Takimet e para do të luhen në muajin shkurt, ndërsa sfidat përmbyllëse janë planifikuar për qershor.

    Pas përfundimit të ndeshjeve kualifikuese, do të nisë faza e Play-off-it. Kombëtarja e vajzave do të ketë mundësi të kualifikohet në këtë fazë nëse renditet në vendin e parë, të dytë ose të tretë të Grupit B. /ATVLIVE.TV

  • “Dardanet” në sfidë për Botërorin 2027: Ja grupi për Botërorin

    “Dardanet” në sfidë për Botërorin 2027: Ja grupi për Botërorin

    Kombëtarja e Kosovës në futboll për femra ka mësuar kundërshtarët për fazën e parë të kualifikuese të Kampionatit Botëror 2027.

    Skuadra “Dardane” do të garojë në Ligën C, me synimin për të kaluar në rundin tjetër të garës.

    Sipas shortit të hedhur nga UEFA, Kosova është e vendosur në Grupin C2, ku do të përballet me Kroacinë, Bullgarinë dhe Gjibraltarin. Një grup i balancuar, që i jep Kosovës mundësi reale për të luftuar për kreun.

    Përzgjedhësi dhe futbollistet e Kosovës synojnë të përmirësojnë paraqitjet e mëparshme dhe të ndërtojnë një ekip konkurrues për të ardhmen.

    Ndeshjet do të zhvillohen në këto data: 26 shkurt –7 mars 2026, 9 – 18 prill 2026 dhe 3-9 qershor 2026. /ATVLIVE.TV