ATV

Category: SPORT

  • Ish-kampioni i botës, Zolani Tete, vritet me armë zjarri në moshën 38-vjeçare

    Ish-kampioni i botës, Zolani Tete, vritet me armë zjarri në moshën 38-vjeçare

    Ish-kampioni i botës në dy kategori të peshave, Zolani “Last Born” Tete, është vrarë me armë zjarri në moshën 38-vjeçare në Afrikën e Jugut.

    Ngjarja e rëndë ndodhi të premten mbrëma në Mdantsane, në provincën Eastern Cape, kur Tete po kthehej në shtëpinë e tij dhe ishte duke pritur që të hapej porta e oborrit.

    Sipas policisë, dy persona të armatosur dhe me maska dolën nga një automjet tjetër dhe hapën zjarr ndaj boksierit dhe një 27-vjeçareje që ndodhej me të në veturë. Tete tentoi t’i shpëtonte breshërisë së plumbave duke futur automjetin në oborr, por u plagos rëndë dhe ndërroi jetë në vendin e ngjarjes.

    Gruaja që ishte me të u qëllua disa herë dhe u dërgua në spital, ku vazhdon të marrë trajtim. Policia ka nisur hetimet për vrasjen, ndërsa deri tani nuk raportohet për ndonjë arrestim. Motivi i sulmit mbetet ende i paqartë.

    Tete ishte një nga emrat më të njohur të boksit në Afrikën e Jugut. Ai fitoi titullin botëror të IBF-së në kategorinë junior-bantamweight në vitin 2014, ndërsa më vonë u shpall kampion bote edhe në kategorinë bantamweight të WBO-së.

    Megjithatë, momenti që e bëri atë të njohur në mbarë botën erdhi në vitin 2017. Tete nokautoi bashkëkombësin e tij Siboniso Gonya vetëm pas 11 sekondash, duke regjistruar atë që njihet si nokauti më i shpejtë në një meç për titull botëror.

    Vitet e fundit të karrierës së tij u shoqëruan me një periudhë të vështirë. Pas një testi pozitiv për substancën e ndaluar stanozolol, pas duelit me Jason Cunningham në vitin 2022, Tete u suspendua për katër vjet. Dënimi i tij përfundoi më 29 korrik të këtij viti.

    Tete po përgatitej për rikthimin në ring dhe kishte synime për ta vazhduar karrierën profesionale. Madje, sipas raportimeve lokale, ai kishte planifikuar të rikthehej në ring më 29 nëntor.

    Vdekja e tij ka tronditur komunitetin e boksit në Afrikën e Jugut, ndërsa autoritetet lokale e kanë cilësuar humbjen e Tetes si një goditje të rëndë për sportin dhe komunitetin e Mdantsane, vendi që e nxori një prej kampionëve më të suksesshëm të boksit të vendit.

  • Agjenti i Julian Alvarez thumbon drejtuesit e Atletico Madridit

    Agjenti i Julian Alvarez thumbon drejtuesit e Atletico Madridit

    Agjenti i yllit të Atletico Madridit, Julian Alvarez, Fernando Hidalgo, ka publikuar një mesazh të drejtpërdrejtë për drejtuesit e klubit spanjoll nga “Metropolitano”.

    Hidalgo shkroi në llogarinë e tij në Instagram një thënie mjaft thumbuese ndaj drejtuesve të Atletico Madridit, në një moment kur e ardhmja e sulmuesit argjentinas vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes.

    Kjo deklaratë erdhi pasi Atletico Madridi refuzoi ta shiste Alvarezin te Barcelona gjatë kësaj vere, pavarësisht interesimit dhe kërkesave të shumta nga kampionët spanjollë.

    Zyrtarët e klubit madrilen këmbëngulin se lojtari nuk ka marrë asnjë premtim nga drejtuesit se mund të largohet nga “Metropolitano”.

    Siç dihet, Alvarez është një objektiv i madh i Barcelonës, por Atletico Madridi nuk dëshiron ta lejojë sulmuesin argjentinas të bashkohet me një prej rivalëve të tyre.

    Më saktësisht, klubi madrilen po kërkon një shumë shumë më të lartë për transferimin e tij te Barcelona, krahasuar me klubet e tjera. Në këtë kontekst, është përmendur edhe shifra prej 500 milionë eurosh, aq sa klauzola e lirimit të lojtarit.

  • “Mora Fjalë” ndez atmosferën për Kosovën në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026

    “Mora Fjalë” ndez atmosferën për Kosovën në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026

    Kosova ka nisur në mënyrë të veçantë pjesëmarrjen në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026, ku atmosfera është ndezur nga tingujt e këngës “Mora Fjalë” të Shkurte Fejzës.

    Kënga e njohur shqiptare është kthyer në një lloj kolone zanore për delegacionin kosovar, duke u dëgjuar në fshatin mesdhetar, në rrugët ku lëvizin sportistët dhe në ambientet ku zhvillohen garat. Kjo atmosferë ka sjellë emocione dhe krenari te sportistët kosovarë, të cilët po përfaqësojnë vendin në një prej ngjarjeve më të rëndësishme shumësportëshe të rajonit.

    Kosova ka shkëlqyer edhe gjatë ceremonisë së hapjes, ku delegacioni kosovar parakaloi me krenari dhe mori ovacione të shumta nga të pranishmit.

    Pjesëmarrja në Taranto 2026 është historike edhe për nga numri i sportistëve. Kosova përfaqësohet me një delegacion rekord prej 163 sportistësh, 87 meshkuj dhe 76 femra, të cilët do të garojnë në 21 sporte.

    Lojërat Mesdhetare po zhvillohen nga 21 gushti deri më 3 shtator në Itali, ndërsa pas ceremonisë së hapjes, vëmendja tashmë është te garat.

    Sportistët kosovarë synojnë rezultate sa më të mira dhe medalje, me shpresën që kjo pjesëmarrje rekord të kurorëzohet edhe me suksese në arenën sportive.

  • Nga altari në fushë, Cristiano Ronaldo nis sezonin me gol

    Nga altari në fushë, Cristiano Ronaldo nis sezonin me gol

    Vetëm pak pasi la altarin, Cristiano Ronaldo iu rikthye fushës dhe bëri atë që di më mirë: shënoi.

    Ylli portugez e nis sezonin e ri në Arabinë Saudite në të njëjtën mënyrë siç e mbylli të kaluarin, duke gjetur menjëherë rrugën e rrjetës me fanellën e Al Nassr.

    Ronaldo u aktivizua në minutën e 62-të, në një moment kur Al Nassr kryesonte 0-3. Pavarësisht se u fut në pjesën e dytë, portugezi pati kohë të linte gjurmën e tij në këtë takim. Në minutën e 85-të, pasi mori një pasim në zonë, Ronaldo goditi saktë dhe vulosi golin e katërt për skuadrën saudite.

    Me këtë realizim, Cristiano Ronaldo regjistroi golin e 977-të në karrierën e tij, duke hedhur një tjetër hap drejt objektivit madhor prej 1000 golash. Një shifër që tashmë duket gjithnjë e më pranë për legjendën portugeze.

     

     

  • Zbulohet shorti i edicionit të ri 2026/27, java e parë sjell përballje interesante

    Zbulohet shorti i edicionit të ri 2026/27, java e parë sjell përballje interesante

    Është mësuar shorti për edicionin e ri 2026/27, i cili do të nisë më 19 shtator 2026.

    Java e parë e kampionatit do të sjellë disa përballje interesante, ku vëmendjen më të madhe e marrin duelet mes skuadrave të njohura të basketbollit kosovar.

    Në ndeshjet hapëse të sezonit do të përballen:

    • Rahoveci 029 – Trepça
    • Bashkimi – Golden Eagle Ylli
    • Bora – Vëllaznimi
    • Sigal Prishtina – Peja

    Skuadrat tashmë kanë mësuar kundërshtarët e parë të sezonit të ri, ndërsa gara pritet të jetë e fortë me synimin për titullin kampion dhe pozitat sa më të larta në tabelë.

  • Feronikeli 74 zyrtarizon transferimin e portierit Agron Kolaj

    Feronikeli 74 zyrtarizon transferimin e portierit Agron Kolaj

    Feronikeli 74 ka vazhduar përforcimin e skuadrës para sezonit të ri, duke zyrtarizuar transferimin e portierit Agron Kolaj.

    Skuadra nga Drenasi ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje me gardianin, i cili i bashkohet klubit pas aventurave te Besa e Pejës, Llapi, FC Prishtina dhe SC Gjilani.

    Kolaj ka qenë gjithashtu pjesë e Përfaqësueses së Kosovës U21, ndërsa tashmë do të jetë pjesë e projektit të Feronikelit 74.

    “Mirë se erdhe në familjen tonë, Agron! Të urojmë shumë suksese me fanellën e FC Feronikeli 74”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit.

    Me këtë transferim, Feronikeli synon të rrisë konkurrencën në repartin e portierëve dhe të ndërtojë një skuadër sa më të kompletuar për edicionin e ri.

  • Manchester City synon transferimin e Frenkie de Jong

    Manchester City synon transferimin e Frenkie de Jong

    Manchester City ka identifikuar mesfushorin e Barcelonës, Frenkie de Jong, si një nga objektivat kryesorë për përforcimin e skuadrës para mbylljes së afatit kalimtar.

    Mesfushori holandez, 29-vjeçar, është një profil që prej kohësh pëlqehet nga drejtuesit e klubit anglez. Me nevojën për të shtuar alternativat në mesfushë, City ka bërë transferimin e një lojtari në këtë repart një nga prioritetet kryesore të ditëve të fundit të afatit.

    Drejtuesit e Manchester Cityt kanë përshpejtuar aktivitetin në merkato pas disa ndryshimeve të rëndësishme në skuadër. Klubi ka arkëtuar rreth 70 milionë euro nga shitja e Rodrit te Barcelona, ndërsa Tijjani Reijnders është transferuar në Arabinë Saudite për rreth 61 milionë euro.

    Ndërkohë, Bernardo Silva është larguar si lojtar i lirë drejt Real Madridit, ndërsa City është në negociata të avancuara me Newcastle për Nico González.

    Në këtë situatë, Frenkie de Jong shihet si një alternativë e rëndësishme për mesfushën e Pep Guardiolës. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse Barcelona do të jetë e gatshme të negociojë për një nga lojtarët e saj kryesorë dhe nëse City do të arrijë të finalizojë një marrëveshje para mbylljes së afatit kalimtar.

  • Kosova triumfon ndaj Algjerisë në Lojërat Mesdhetare ‘Taranto 2026’

    Kosova triumfon ndaj Algjerisë në Lojërat Mesdhetare ‘Taranto 2026’

    Kombëtarja e Kosovës në volejboll për vajza ka regjistruar fitoren e parë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.

    “Dardanet” kanë mposhtur Algjerinë me rezultat të pastër 3-0, në ndeshjen e dytë të Grupit B.

    Kosova e nisi takimin në mënyrë të shkëlqyeshme, duke fituar setin e parë me rezultat 25-19. Dominimi i vajzave kosovare vazhdoi edhe në setin e dytë, ku ato nuk i dhanë shumë hapësirë kundërshtares dhe triumfuan bindshëm 25-10.

    Në setin e tretë, Kosova vazhdoi me paraqitje të sigurt dhe e mbylli ndeshjen me rezultat 25-14, duke siguruar fitoren e parë në këtë edicion të Lojërave Mesdhetare.

    Kjo ishte ndeshja e dytë e Kosovës në Grupin B. Në debutim, “Dardanet” ishin mposhtur nga Greqia me rezultat 0-3.

    Në Grupin B, përveç Kosovës dhe Algjerisë, bëjnë pjesë edhe Greqia dhe Maqedonia e Veriut.

  • Premier League 2026/27 nis me ndryshime të rëndësishme në rregulla

    Premier League 2026/27 nis me ndryshime të rëndësishme në rregulla

    Sezoni i ri i Premier League, 2026/27, nis sot (e premte) me përballjen mes kampionit në fuqi, Arsenalit, dhe Coventry City, e cila zhvillohet nga ora 21:00. Edicioni i ri sjell edhe një sërë ndryshimesh të rëndësishme në rregullat e lojës.

    Masat e reja synojnë të përshpejtojnë ritmin e ndeshjeve dhe të vendosin ndëshkime më të rrepta për vonesat, ndërsa ndryshimet prekin ndërprerjet e lojës, trajtimin e lëndimeve, zëvendësimet dhe përdorimin e VAR-it.

    Ndryshe nga Kupa e Botës 2026, Premier League nuk do të aplikojë rregullin që parashikon ndëshkimin e lojtarëve për mbulimin e gojës me duar gjatë komunikimit. Gjithashtu, nuk do të ketë pushime të detyrueshme për hidratim.

    Lojtarët do të kenë vetëm pesë sekonda për të kryer një rivënie anësore ose për ta rikthyer topin në lojë.

    Nëse gjyqtari vlerëson se lojtari po vonon qëllimisht, do të nisë një numërim mbrapsht prej pesë sekondash. Në rast se afati përfundon, kundërshtari do të fitojë zotërimin e topit, ndërsa në situatat kur topi duhet të rikthehet në lojë nga portieri, mund të akordohet goditje nga këndi.

    Një lojtar që merr trajtim për një dëmtim në fushë dhe shkakton ndërprerjen e lojës do të duhet të qëndrojë jashtë saj për një minutë, në vend të 30 sekondave sa ishte më parë.

    Megjithatë, do të ketë përjashtime. Për shembull, rregulli nuk do të zbatohet nëse dëmtimi është shkaktuar nga një faull për të cilin kundërshtari është ndëshkuar me karton të verdhë.

    Nëse një portier rrëzohet dhe shkakton një ndërprerje të lojës që gjykohet se është përdorur nga skuadra si një lloj pushimi taktik, trajneri do të duhet të zgjedhë një lojtar nga ekipi i tij për të lënë fushën për një minutë.

    Procesi i zëvendësimit duhet të përfundojë brenda maksimumi 10 sekondave.

    Nëse lojtari që po largohet nga fusha vonon në mënyrë të tepruar, zëvendësuesi nuk do të lejohet të hyjë menjëherë dhe skuadra do të duhet të luajë me një lojtar më pak për një minutë.

    Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me VAR-in. Për herë të parë, teknologjia do të mund të ndërhyjë në raste që lidhen me kartonin e dytë të verdhë.

    VAR-i mund të përdoret nëse kartoni i dytë i verdhë është dhënë për një gabim të qartë, për shembull kur nuk ka pasur fare faull. Megjithatë, VAR-i nuk mund t’i kërkojë gjyqtarit t’i japë një lojtari kartonin e dytë të verdhë nëse arbitri nuk e ka ndëshkuar fare me të.

    Gjithashtu, VAR-i do të ketë mundësi të ndërhyjë në rastet kur një faull në sulm ka ndodhur para një ndërprerjeje dhe aksioni pasues përfundon me gol, penallti ose një masë tjetër disiplinore.

    Me këto ndryshime, Premier League synon të reduktojë vonesat dhe ndërprerjet e panevojshme, duke e bërë lojën më të shpejtë dhe më dinamike.

  • FBK shtyn afatin e licencimit të klubeve deri më 26 gusht

    FBK shtyn afatin e licencimit të klubeve deri më 26 gusht

    Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka vendosur të shtyjë afatin për përfundimin e procesit të licencimit të klubeve për edicionin garues 2026/27.

    Afati i ri për përfundimin e këtij procesi është 26 gushti, ndërsa FBK ka bërë të ditur se kjo është data përfundimtare dhe nuk do të ketë shtyrje të tjera.

    Vendimi është marrë pasi vetëm një numër i kufizuar i klubeve kanë arritur të përmbushin dhe dorëzojnë të gjithë dokumentacionin e kërkuar gjatë afatit të rregullt të licencimit, i cili ishte nga 5 deri më 14 gusht.

    Klubet që nuk i përmbushin kriteret dhe nuk e kompletojnë dokumentacionin deri më 26 gusht do të trajtohen në përputhje me Rregulloren për Licencimin e Klubeve. Sipas FBK-së, klubet që nuk pajisen me licencë nuk do të kenë të drejtë të marrin pjesë në garat e basketbollit.

    Ndërkohë, Bordi i FBK-së ka vendosur të shtyjë edhe afatin kalimtar veror në të gjitha garat deri më 28 gusht.

    Kjo shtyrje do t’u mundësojë klubeve që, pas përfundimit të procesit të licencimit, të përfundojnë procedurat për regjistrimin dhe transferimin e lojtarëve.

    Klubet janë të obliguara që të gjitha procedurat për regjistrimin dhe transferimin e lojtarëve t’i përfundojnë brenda afatit të ri, më 28 gusht.