ATV

Category: Sport

  • E ardhmja e Ter Stegen te Barcelona është në dyshim

    E ardhmja e Ter Stegen te Barcelona është në dyshim

    Portieri, Marc-André ter Stegen, është shumë afër marrjes së lejes mjekësore për të qenë i gatshëm për ndeshjen e fundjavës ndaj Osasunës. Megjithatë, me afatin kalimtar të janarit që po afrohet, spekulimet rreth të ardhmes së tij janë bërë më të shpeshta.

    Në një moment ku është një nga kapitenët e Barcelonës, situata e portierit gjerman është gjithnjë e më e paqartë. Joan Garcia, portieri titullar i Barcelonës, ka qenë në formë të shkëlqyer dhe duket se do të jetë ai që do të mbajë vendin në portë për një kohë të gjatë.

    Sipas informacionit nga Sport Bild, Ter Stegen mund të mos jetë as portieri i dytë në renditje, pasi Wojciech Szczesny është gjithashtu një mundësi shumë e fortë për të marrë atë pozicion.

    Në një vit ku Kupën e Botës 2026 po afron, Ter Stegen është i motivuar të luajë sa më shumë që të jetë e mundur, në mënyrë që të jetë i ftuar nga trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsmann. Kjo mund ta shtyjë atë të kërkojë një kalim me huazim gjatë afatit kalimtar të janarit, për të siguruar minuta lojë.

    Pas operacionit të suksesshëm në shpinë, forma e tij mbetet një mister dhe interesimi për të mund të përfshijë huazime, pasi ka humbur shumë ndeshje.

    Megjithatë, Ter Stegen ka shprehur dëshirën të fokusohet vetëm te fusha dhe të rikthejë versionin më të mirë të vetes. Në fund, ai do të duhet të respektojë vendimet që do të marrë trajneri i kombëtares gjermane, Hansi Flick, për sa i përket minutave që do të luajë.

    Joan Garcia vazhdon të shkëlqejë në portë dhe Barcelona ka bërë një goditje të madhe me transferimin e tij për 30 milionë euro, duke shtuar më tej pasigurinë për të ardhmen e Ter Stegen te klubi. /ATVLIVE.TV

  • Napoli mposht Juventusin, Spalletti sqaron pse Zhegrova luajti pak minuta!

    Napoli mposht Juventusin, Spalletti sqaron pse Zhegrova luajti pak minuta!

    Napoli ka marrë një fitore të rëndësishme në derbin e fundjavës së Serie A, duke triumfuar 2:1 ndaj Juventusit në një ndeshje me ritëm të lartë dhe emocione deri në fund.

    Edon Zhegrova u paraqit sërish vetëm në minutat e fundit të takimit, duke pasur mundësi të kufizuara për të ndikuar në lojë. Aktivizimi i tij i vonshëm nxiti pyetje për formën dhe gjendjen e tij, të cilave trajneri Luciano Spalletti iu përgjigj pas ndeshjes.

    Spalletti bëri të ditur se reprezentuesi i Kosovës ka vuajtur shqetësime fizike gjatë javës, çka ka ndikuar që ai të mos jetë i disponueshëm plotësisht në stërvitje.

    “Edoni po vjen nga një periudhë e gjatë mungese. Ai është një lojtar shkatërrues në 15 metrat e fundit, por këtë javë ka pasur shqetësime dhe ka qenë jashtë stërvitjes. I duhet kohë që të rikthehet në ritmin e duhur. Do të doja ta përdorja më shumë, por ai duhet të rifitojë formën e tij fizike,” deklaroi Spalletti.

    Zhegrova pritet të rikthehet gradualisht në formën optimale në javët në vijim, ndërsa Napoli vazhdon luftën për pozitat e para në tabelën e Serie A-së.

  • Makazze dhe NaVi sfidohen nga Furia në çerekfinalet e CS2 Major

    Makazze dhe NaVi sfidohen nga Furia në çerekfinalet e CS2 Major

    Janë përcaktuar çiftet e çerekfinaleve në play-offin e CS2 Majorit që po zhvillohet në Budapest.

    Natus Vincere, ku bën pjesë edhe ylli kosovar Drin “makazze” Shaqiri, do të ketë sfidën më të vështirë, duke u përballur me ekipin më në formë të turneut, Furia. NaVi humbi ndaj Furias në ndeshjen hapëse të fazës së tretë dhe tani synon hakmarrje për t’u kualifikuar më tej në turneun më të rëndësishëm të CS2 në botë.

    Një tjetër përballje interesante pritet të jetë ajo mes Spirit dhe Falcons.

    Të gjitha çiftet e çerekfinaleve:

    • Spirit – Falcons

    • Vitality – The Mongolz

    • Furia – NaVi

    • Mouz – Faze

    Dy çerekfinale do të luhen të enjten dhe dy të premten, ndërsa gjysmëfinalet janë programuar për të shtunën. Finalja do të zhvillohet të dielën dhe për herë të parë në histori do të luhet në formatin “BO5”.

  • Pas mbijetesës së Santosit, Neymar përballet me operacion dhe rrezikon Kupën e Botës

    Pas mbijetesës së Santosit, Neymar përballet me operacion dhe rrezikon Kupën e Botës

    Neymar Junior do t’i nënshtrohet një operacioni në gju, pasi ka luajtur me dhimbje në ndeshjet vendimtare për të ndihmuar Santosin të sigurojë mbijetesën në elitën e futbollit brazilian. Ai u paraqit në fushë edhe në fitoren 3-0 ndaj Cruzeiros të dielën, një rezultat që vulosi qëndrimin e klubit në ligën e parë, duke shtuar dilemat mbi pjesëmarrjen e tij në Kupën e Botës së vitit të ardhshëm.

    33-vjeçari u rikthye te Santos në janar, pas periudhës në Arabinë Saudite dhe pati një ndikim të madh në ecurinë e skuadrës, duke shënuar pesë gola në katër ndeshjet e fundit. Pas ndeshjes së fundit të sezonit, Neymar pranoi se ka luajtur i dëmtuar.

    “Erdha për këtë, për të ndihmuar sa më shumë që të mundem. Këto kanë qenë javë të vështira për mua,” tha ai para gazetarëve. “Faleminderit të gjithëve që më mbështetën. Pa ta, nuk do të kisha mundur të luaja për shkak të dëmtimeve dhe problemit me gjurin. Tani më duhet të pushoj dhe pastaj do t’i nënshtrohem operacionit.”

    Neymar nuk dha detaje rreth natyrës së operacionit apo afatit të rikuperimit.

    Ai nuk ka luajtur për Brazilin që prej dy vitesh për shkak të dëmtimeve të shpeshta. Në tetor, trajneri i kombëtares, Carlo Ancelotti, theksoi se sulmuesi duhet të rikthejë formën e tij optimale nëse dëshiron të jetë pjesë e skuadrës për Kupën e Botës 2026, e cila zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në Kanada, Meksikë dhe SHBA. /ATVLIVE.TV

  • Dy golat vendimtarë i sjellin Arlind Veliut çmimin “Ylli i Javës”

    Dy golat vendimtarë i sjellin Arlind Veliut çmimin “Ylli i Javës”

    Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, kanë ndarë çmimin tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në Superligën e futbollit kosovar.

    Për javën e gjashtëmbëdhjetë të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë futbollistit të FC Malisheva, Arlind Veliu, i cili pati një paraqitje individuale shumë të mirë për skuadrën e tij gjatë 90 minutave të ndeshjes. Ndonëse mbrojtës, ai ka shënuar dy gola, duke qenë vendimtar në fitoren e skuadrës së tij kundër FC Drenica, e cila përfundoi me rezultat 2:0.

    Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.

    Pasi mori këtë çmim, Veliu u shpreh i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i javës:

    “Nuk e kemi nisur kampionatin në mënyrën më të mirë, por megjithatë me trajnerin e ri po mundohemi të përmirësojmë lojën dhe të kuptojmë filozofinë e tij. Ambiciet tona janë tre vendet e para të tabelës dhe dalja në Evropë.

    E kemi ditur që kemi pasur një ndeshje të vështirë kundër Drenicës dhe mendoj se ia kemi dalë ta përgatisim mirë dhe të shënojmë fitore.

    Në aspektin personal, gëzohem që kam mundur të ndihmoj ekipin me dy gola dhe për këtë i falënderoj bashkëlojtarët e mi për angazhimin.” tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.

    Kujtojmë se 24 vjeçari këtë edicion në 17 ndeshje ka shënuar 3 gola. /ATVLIVE.TV

  • Al-Hilal shfrytëzon kaosin te Liverpool – Salah objektivi kryesor i janarit

    Al-Hilal shfrytëzon kaosin te Liverpool – Salah objektivi kryesor i janarit

    Skuadra e Al-Hilal po përgatitet të bëjë një lëvizje të re dhe konkrete për transferimin e Mohamed Salah gjatë afatit kalimtar të janarit, ndërkohë që situata e sulmuesit egjiptian te Liverpooli po tensionohet dita-ditës.

    E ardhmja e Salah është vënë seriozisht në pikëpyetje pas ngjarjeve të fundjavës, kur ai mbeti në stol në sfidën kundër Leeds United në “Elland Road”. Pas ndeshjes, 31-vjeçari foli hapur për mediat britanike, duke deklaruar se “dikush brenda klubit po dëshiron largimin e tij”, dhe duke shtuar se nuk ka “asnjë marrëdhënie” me trajnerin Arne Slot.

    Sipas “The Mirror”, Al-Hilal po e konsideron këtë situatë të acaruar si mundësinë ideale për të realizuar një transferim të bujshëm. Sauditët kishin provuar ta merrnin Salah 18 muaj më parë me një ofertë rreth 150 milionë funtesh, por këtë herë besohet se mund ta sigurojnë yllin e Liverpool-it për më pak se gjysmën e atij çmimi.

    Raportohet gjithashtu se Salah mund ta ketë luajtur tashmë ndeshjen e tij të fundit për “The Reds”. Trajneri Slot nuk pritet ta përfshijë as në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Inter Milanit dhe as në përballjen e Premier Ligës ndaj Brightonit.

    Kjo situatë vjen pak ditë para se ai t’i bashkohet kombëtares së Egjiptit për Kupën e Kombeve të Afrikës, e cila zhvillohet javën e ardhshme në Marok.

    E ardhmja e Mohamed Salah mbetet tejet e paqartë, ndërsa ‘The Reds’ përballet me presion të madh për zgjidhjen e krizës dhe ruajtjen e qetësisë brenda skuadrës. /ATVLIVE.TV

  • Xabi Alonso nën presion te Real Madridi, reagon pas zërave për shkarkim

    Xabi Alonso nën presion te Real Madridi, reagon pas zërave për shkarkim

    Trajneri Xabi Alonso ka reaguar ndaj spekulimeve që qarkullojnë në Spanjë, sipas të cilave Real Madridi mund ta shkarkojë atë nëse skuadra humb ndaj Manchester Cityt në përballjen e ardhshme të Ligës së Kampionëve.

    Pas humbjes së papritur kundër Celtas në “Bernabéu”, një rezultat që ka ngritur ndjeshëm presionin mbi pankinën madrilene, Alonso u përball me pyetje të drejtpërdrejta lidhur me të ardhmen e tij.

    “Fokusi ynë është ndeshja e së mërkurës. Humbja ndaj Celta Vigos na dhemb, por duhet të tregojmë karakter dhe të rrisim nivelin e lojës sonë,” u shpreh ai.

    Real Madridi ka arritur vetëm një fitore në pesë ndeshjet e fundit të La Ligës, duke lejuar Barcelonën të shkëputet me katër pikë. Kjo seri negative ka intensifikuar kritikat dhe ka ngritur pikëpyetje mbi stabilitetin e skuadrës.

    Për shkak të reputacionit të klubit për vendime të menjëhershme dhe të ashpra, e ardhmja e 44 vjeçarit shihet e pasigurt nëse nuk arrihet një përmirësim i shpejtë. Madje, raportohet se Real Madridi ka gati edhe një alternativë të mundshme – rikthimin e Zinedine Zidane. /ATVLIVE.TV

  • NBA, Luka Donçiç udhëheq Lakers drejt triumfit, Nuggets fitojnë në transfertë!

    NBA, Luka Donçiç udhëheq Lakers drejt triumfit, Nuggets fitojnë në transfertë!

    Mëngjesin e sotëm janë zhvilluar disa ndeshje interesante në kuader të Ligës më të fortë të basketbollit në botë, NBA.

    Luka Donçiç ishte protagonist absolut në fitoren e Los Angeles Lakers kundër Philadelphia 76ers, ndeshje që u mbyll me shifrat 112:108.

    Ylli slloven regjistroi një “triple-double” mbresëlënës me 31 pikë, 15 kërcime dhe 11 asistime. Pas tij, LeBron James u dallua me 29 pikë, 7 kërcime dhe 6 asistime, duke qenë vendimtar në momentet kyçe të takimit.

    Kontribut solid dha edhe Rui Hachimura, i cili realizoi 17 pikë dhe siguroi 6 kërcime, ndërsa Deandre Ayton shtoi 14 pikë e 12 kërcime. Austin Reaves kompletoi paraqitjen e tij me 11 pikë, 4 kërcime dhe 4 asistime.

    Në anën tjetër, më i miri për 76ers ishte Tyrese Maxey me 28 pikë, 9 asistime dhe 7 kërcime. Joel Embiid kontribuoi me 16 pikë, 7 kërcime dhe 2 asistime, por nuk mjaftuan për t’i shmangur humbjen.

     

    Në një takim tjetër, Denver Nuggets arritën një fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Charlotte Hornets, duke triumfuar 115:106. Jamal Murray ishte lojtari kryesor i Nuggets me 34 pikë, 5 asistime dhe 3 kërcime.

    Për Hornets, Miles Bridges shfaqi një paraqitje të fuqishme me 24 pikë, 9 kërcime dhe 8 asistime. Brandon Miller shtoi 17 pikë dhe 5 kërcime, ndërsa Simpson realizoi 16 pikë. Kontribut të mirë dhanë edhe Knueppel dhe McNeeley me nga 14 dhe 13 pikë.

     

    Ndërkohë, New York Knicks fituan ndaj Orlando Magic me rezultat 106:100, por fitorja u zbeh nga dëmtimi i rëndë i Franz Ëagner, i cili pësoi një lëndim serioz në këmbën e majtë dhe pritet të mungojë për një periudhë të gjatë.

  • Derbi verdhezi i takon pejanëve

    Derbi verdhezi i takon pejanëve

    Derbin verdhezi e ka fituar GO+ Peja ndaj Golden Eagle Yllit me rezultat 63:82 (13:18, 24:26, 14:16, 12:22), në javën e nëntë të ProCredit Superligës.

    Përballja që u zhvillua në ‘Karagaçi’ ishte emocionuese, por në momentet vendimtare pejanët ishin më të mirë duke u rikthyer te fitoret.

    Pejanët e nisën ndeshjen më mirë dhe e fituan çerekun e parë 13:18, derisa periudha e dytë ishte më e baraspeshuar, duke përfunduar 24:26, për të shkuar në pushim me rezultat 37:44.

    Ylli arriti të rikthehet në periodën e tretë për të kaluar në epërsi 47:46, por më pas ishte radha e basketbollistëve të GO+ Pejës, që ishin më të mirë për të fituar në fund me rezultat 63:82.

    Trevon Allen kishte 20 pikë e pesë kërcime te Ylli, kurse në anën tjetër Tajh Green kishte 15 pikë e 17 kërcime te GO+ Peja, ndërsa Jordan Johnson 16 pikë e gjashtë asistime.

    Golden Eagle Ylli numëron dy fitore e shtatë humbje, ndërsa GO+ Peja shtatë fitore e dy humbje. /ATVLIVE.TV

  • Samadrexha, kampione vjeshtore në Superligën e hendbollisteve

    Samadrexha, kampione vjeshtore në Superligën e hendbollisteve

    Të dielën ka përfunduar stinori vjeshtor në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave.

    Gara në elitën e hendbollisteve ishte interesante, ndërsa është shquar skuadra e Samadrexhës.

    Samadrexhaset i kanë fituar të gjitha tetë ndeshjet dhe dimërojnë në krye të tabelës me 16 pikë. Kampioni në fuqi, Istogu, është i dyti me 14 pikë. Pason Shqiponja e Gjakovës me 12, Ferizaj me dhjetë, Tereza me tetë, e Prishtina me gjashtë. Në tri pozitat e fundit me nga dy pikë janë Besa, Ulpiana e Kastrioti.

    Samadrexha në xhiron e parë ishte e lirë. Në të dytën fitoi 42:22 ndaj Besës së Pejës. Pasuan fitoret 38:25 ndaj Ulpianës dhe 27:26 ndaj Shqiponjës. Me Kastriotin, skuadra nga fshati Samadrexhë i Vushtrrisë fitoi bindshëm, 46:19.

    Fitorja kryesore e stinorit vjeshtor, pos asaj me Shqiponjën, ishte ndaj Istogut, 30:20, në xhiron e gjashtë. Pasuan fitoret 40:27 me Terezën, 24:19 me Ferizajn dhe 37:27 ndaj Prishtinës. /ATVLIVE.TV