ATV

Category: Sport

  • Salah shpërthen, Slot kundërpërgjigjet: “Prandaj nuk është me skuadrën”

    Salah shpërthen, Slot kundërpërgjigjet: “Prandaj nuk është me skuadrën”

    Vështirësitë e Liverpoolit vazhduan të shtunën, kur ata pësuan një gol të barazimit në minutën e 96-të nga Leeds United, duke përfunduar 3-3, vetëm pak ditë pasi ishin ndalur në barazim 1-1 në shtëpi kundër Sunderlandit.

    Megjithatë, vëmendja kryesore u përqendrua pas ndeshjes, kur Mohamed Salah shprehu hapur frustrimin e tij në një intervistë të papritur për disa media. Egjiptiani, i cili sezonin e kaluar e udhëhoqi Liverpoolin drejt titullit historik të Premierligës, ishte lënë në stol për ndeshjen e tretë rresht dhe nuk u aktivizua fare.

    Në një reagim të fortë, Salah deklaroi se klubi “më ka hedhur nën autobus” dhe shtoi se “është shumë e qartë se dikush ka dashur që unë të marr fajin”. Ai gjithashtu theksoi se marrëdhënia me trajnerin Arne Slot “nuk ekziston” dhe se “dikush nuk më do në klub”, duke lënë të hapur të ardhmen e tij në skuadër.

    Megjithëse Salah ishte i pranishëm në stërvitje të hënën, ai nuk u përfshi në skuadrën që udhëtoi drejt Milanos për përballjen me Interin të martën në mbrëmje. Në vend të tij, Slot përfshiu 19-vjeçarin Wellity Lucky, i cili debutoi në humbjen 3-0 ndaj Crystal Palace në Carabao Cup në tetor.

    Në konferencën për shtyp të së hënës, Slot theksoi se komunikimi me Salahun ka qenë minimal: “Ne ia kemi bërë të ditur se ai nuk do të udhëtojë me ne. Kaq ka qenë i gjithë komunikimi mes nesh dhe atij.”

    Kur u pyet për reagimin e Salahut, Slot tha se ishte “i shkurtër”. Sa i përket mundësisë për rikthim, trajneri u shpreh: “Besoj fort se gjithmonë ekziston mundësia për t’u rikthyer”. Kur u pyet nëse Salah tashmë ka luajtur ndeshjen e tij të fundit për Liverpoolin, Slot tha: “Nuk kam asnjë ide.”

    Slot theksoi gjithashtu se nuk beson se marrëdhënia mes tyre është prishur, por pranoi se Salah “ka të drejtë t’i ndiejë gjërat ashtu siç i ndien”. Ai shtoi se egjiptiani ka qenë “shumë i respektueshëm” ndaj bashkëlojtarëve dhe stafit dhe se ka stërvitur shumë fort para ndeshjes me Leedsin, gjë që e bëri “befasi” shpërthimin e tij publik.

    “Kur një lojtar nuk luan, zakonisht nuk është i kënaqur, por ai ka treguar respekt ndaj stafit dhe ekipit. Është paksa surprizë kur dëgjova komentet,” përfundoi Slot. “Por nuk është hera e parë që një lojtar nuk luan dhe reagimi im është i qartë – prandaj ai nuk është këtu sonte. Kur një lojtar thotë gjëra të tilla, ne duhet të reagojmë si klub. Dhe mund ta shihni që ai nuk është këtu.” /ATVLIVE.TV

  • FIFA ndryshon rregullat, pauzë e re në minutën e 22-të

    FIFA ndryshon rregullat, pauzë e re në minutën e 22-të

    FIFA ka prezantuar një risi të re, “pushimin e hidratimit”, i cili do të zhvillohet në minutën e 22-të të çdo pjesëloje dhe do të zgjasë saktësisht tre minuta.

    Ajo që e bën këtë rregull të veçantë është zbatimi universal. Pushimi do të kryhet në çdo ndeshje, pavarësisht stadiumit, temperaturës apo kushteve atmosferike.

    Në komunikatën zyrtare, FIFA sqaroi: “Sipas një procedure të thjeshtë, gjyqtarët do të ndalojnë lojën pas 22 minutash në secilën pjesëloje, në mënyrë që lojtarët të kenë mundësi të marrin lëngje.”

    Drejtori i Turneut, Manolo Zubiria, dha më shumë detaje: “Pavarësisht nëse stadiumi ka çati ose jo, dhe pavarësisht temperaturës, pushimi do të jetë tre-minutësh. Ai do të zgjasë saktësisht tre minuta nga momenti i fishkëllimës së gjyqtarit.”

    Përjashtimi i vetëm vlen kur loja është ndalur tashmë për shkak të një dëmtimi në minutën e 20-të ose të 21-të; në këtë rast, zyrtarët mund të përshtatin kohëzgjatjen për të shmangur vonesa të panevojshme.

    Ky është edicioni i parë në historinë e Kupës së Botës ku pushimi i hidratimit standardizohet, duke mos u bazuar më te kushtet e motit dhe duke garantuar kushte të barabarta për të gjitha 48 skuadrat pjesëmarrëse.

    Po ashtu, për herë të parë, FIFA do të organizojë tre ceremoni zyrtare hapëse, një në secilin nga vendet pritëse:

    11 qershor – Mexico City: Ceremonia para ndeshjes Meksikë – Afrika e Jugut, e cila do të hapë zyrtarisht turneun.

    12 qershor – Toronto: Ceremoni para debutimit të Kanadasë kundër fituesit të pley-off europian (Bosnja/Italia/Irlanda e Veriut/Uells).

    12 qershor – Los Anxhelos: Hapja në SHBA para ndeshjes Shtetet e Bashkuara – Paraguai, duke shënuar nisjen e Botërorit në tokën amerikane.

    Ky format me tri ceremoni thekson karakterin kontinentalë të edicionit 2026 që është më i madh dhe më i shtrirë gjeografikisht në historinë e FIFA-s.

    Po ashtu edhe finalja e planifikuar për 19 korrik në stadiumin New York–New Jersey do të ofrojë një shfaqje të veçantë gjatë pushimit të pjesës, e frymëzuar nga tradita e “Super Bowl” të NFL.

    Krahas kësaj, FIFA do të mbajë edhe ceremoninë tradicionale të mbylljes, duke kombinuar sportin dhe spektaklin për të përmbyllur një turne që pritet të jetë më i ndjekuri dhe më i vizituari në histori. /ATVLIVE.TV

  • Mbrëmje vendimtare në Champions – Gjigantët në betejë për kualifikim

    Mbrëmje vendimtare në Champions – Gjigantët në betejë për kualifikim

    Sot, e martë, futbolli evropian pritet të përjetojë një nga mbrëmjet më dramatike të sezonit. Në xhiron e gjashtë të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve, shumë prej ekipeve kryesore luajnë ndeshje vendimtare, jo vetëm për kualifikim, por për disa edhe për mbijetesë në garë.

    Kryendeshja e mbrëmjes zhvillohet në “Giuseppe Meazza”, ku Interi pret Liverpoolin në një duel që pritet të jetë spektakolar.

    Ndërkohë, për skuadra si Barcelona dhe Atletico Madrid, kjo natë mund të jetë vendimtare – një betejë “jetë a vdekje”. Barcelona pret Eintracht Frankfurtin në “Camp Nou” nën presion të madh për pikë, ndërsa Atletico përballet në udhëtim me PSV Eindhovenin.

    Priten duele të forta edhe në sfidat Bayern Munich–Sporting Lisbonë dhe Atalanta–Chelsea.

    Edhe për klubet më të vogla, nga Kairat Almaty deri te Union Saint-Gilloise, kjo mund të jetë mundësia e fundit për të surprizuar kontinentin dhe për të siguruar pozita historike. Kairat pret Olympiacosin, ndërsa Union Saint-Gilloise ndeshet në shtëpi me Marseille.

    Në takimet tjera të mbrëmjes, Monaco pret Galatasarayn, ndërsa Tottenhami përballet me Slavia Pragën.

    Takimet fillojnë nga ora 21:00, përveç Bayern Munich – Sporting nga ora 18:45 dhe Kairat Almaty – Olympiacos 16:30. /ATVLIVE.TV

  • Vëllaznimi zyrtarizon largimin e Marques Warrick, lojtari transferohet në një ligë të fortë evropiane!

    Vëllaznimi zyrtarizon largimin e Marques Warrick, lojtari transferohet në një ligë të fortë evropiane!

    Klubi i basketbollit Vëllaznimi ka njoftuar sot se ka arritur marrëveshje për largimin e yllit të skuadrës, Marques Warrick, duke përfituar kompensim financiar nga transferimi i tij. Klubi gjakovar konfirmon se basketbollisti do të vazhdojë karrierën në një prej ligave më të forta në Evropë, megjithëse destinacioni i tij i ri nuk është bërë ende i ditur.

    Në komunikatën zyrtare, Vëllaznimi bën të ditur se oferta për transferimin e Warrick ishte “e parefuzueshme” si për klubin, ashtu edhe për vetë lojtarin, ndërsa shuma e marrëveshjes mbetet konfidenciale.

     

    Njoftimi i klubit: “Rrugët tona ndahen me marrëveshje”

    “Për shkak të marrëveshjes kontraktuale me Marques Warrick, rrugët tona ndahen këtu. Ai do të transferohet në një ligë të fortë evropiane dhe, me marrëveshje të dyanshme, kemi vendosur ta lëmë të shkojë. Falënderojmë Marques për kontributin e tij gjatë kohës te Vëllaznimi dhe i urojmë suksese në vazhdim të karrierës”, thuhet në njoftimin e klubit.

     

    Kujtojmë që, Warrick, la gjurmë të forta në ndeshjen e tij të fundit me fanellën e kuqe. Kundër Trepçës, ai spikati me 28 pikë, 2 kërcime dhe 2 asistime, duke dëshmuar vlerën dhe ndikimin që pati në skuadër.

    Largimi i tij përbën një humbje të ndjeshme për Vëllaznimin, por njëkohësisht një hap të rëndësishëm për karrierën e basketbollistit amerikan, i cili tani do të matet me basketbollin elitar evropian.

  • FIFA prezanton risi historike për Kupën e Botës 2026, spektakël në stilin e Super Bowl dhe rregulla të reja për mediat!

    FIFA prezanton risi historike për Kupën e Botës 2026, spektakël në stilin e Super Bowl dhe rregulla të reja për mediat!

    Kupa e Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, pritet të sjellë ndryshimet më të mëdha në historinë e turneut, duke transformuar mënyrën se si tifozët në mbarë botën e përjetojnë ngjarjen më të madhe sportive.

    Gjatë shortit përfundimtar të mbajtur në Washington D.C., FIFA konfirmoi dy risi madhore:

    Një shfaqje gjigante në pushimin e finales, e frymëzuar nga Super Bowli, si dhe rregulla të reja të detyrueshme për komunikimin me median, të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt trajnerët dhe lojtarët.

    FIFA njoftoi se finalja e Kupës së Botës 2026 do të shoqërohet me një spektakël të madh argëtues në pjesën e parë, ashtu si tradita e Super Bowlit në SHBA.

    Raportime të Inside World Football theksojnë se FIFA u frymëzua nga sukseset e NFL-it, ku pushimi i ndeshjes është kthyer në një event kulturor me performanca të artistëve botërorë.

    Kjo qasje u testua me sukses në finalen e Kupës së Botës për Klube 2025, ku në skenë u ngjitën J Balvin, Doja Cat dhe Coldplay, duke tërhequr audiencë rekord dhe reagime masive në rrjetet sociale.

    Spektakli pritet të sjellë përfitime të mëdha komerciale dhe kohë televizive premium, ndonëse mbetet të shihet si do të harmonizohet me pushimin tradicional 15-minutësh të futbollit.

    Po ashtu, FIFA, ka prezantuar edhe ndryshime thelbësore në mënyrën e mbulimit mediatik të turneut.

    Sipas All Football, këto janë rregullat e reja kryesore:

    Trajnerët dhe lojtarët do të japin intervista televizive menjëherë pas pjesës së parë, një praktikë që nuk është aplikuar kurrë në Kupën e Botës.

    Intervista të detyrueshme edhe pas përfundimit të çdo ndeshjeje.

    Konferencë shtypi dy ditë para çdo ndeshjeje për secilin ekip.

    Qëllimi i FIFA-s është rritja e transparencës, afrimi i tifozëve me ekipet dhe krijimi i një përvoje më interaktive.

    Me zgjerimin në 48 ekipe dhe me këto risi të mëdha, Kupa e Botës 2026 premton të jetë turneu më inovativ dhe më i ndjekur ndonjëherë.

    FIFA synon të bashkojë futbollin, argëtimin dhe median në një format që pasqyron epokën moderne dhe kërkesat e tregut global.

    Ky edicion do të jetë jo vetëm garë për titullin, por një spektakël botëror që synon të ndryshojë përgjithmonë standardet e organizimit të Kupës së Botws.

  • Hansi Flick pas humbjes së Real Madridit nga Celta Vigo: Nuk e pashë ndeshjen, isha në shtrat!

    Hansi Flick pas humbjes së Real Madridit nga Celta Vigo: Nuk e pashë ndeshjen, isha në shtrat!

    Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka komentuar situatën në garën për titull pas humbjes së Real Madridit ndaj Celta Vigos, por ka befasuar me deklaratën se nuk e kishte ndjekur fare ndeshjen e rivalëve të përjetshëm.

    “Më është thënë se Real Madridi ka humbur, unë nuk e pash ndeshjen, isha në shtrat”, tha Flick me qetësi, duke lënë të kuptohet se rezultatet e tjerëve nuk e shqetësojnë aspak.

    Humbja e Real Madridit nga Celta Vigo ka trazuar garën për titull, por trajneri i Barcelonës insiston se skuadra e tij nuk e humb fokusin.

    I pyetur për raportin e vazhdueshëm të krahasimeve mes dy gjigantëve, Flick u përgjigj shkurt dhe prerë:

    “Dallimi mes Barcelonës dhe Real Madridit? Ne gjithmonë fokusohemi te vetja.

    Nuk i shikojmë kundërshtaret dhe nuk duam të flasim për ta. Jemi të përqendruar dhe e dimë që rruga është e gjatë.”

    Me këto deklarata, Flick ka dërguar një mesazh të qartë për lojtarët dhe tifozët, Barcelona nuk do të ndikohet nga luhatjet e rivalëve dhe do të ecë përpara duke ndërtuar lojën e saj.

    Trajneri gjerman duket se po synon të mbajë presionin larg ekipit, duke i dhënë përparësi stabilitetit dhe vazhdimësisë, pavarësisht humbjes befasuese të Real Madridit ndaj Celta Vigos.

    Barcelona vazhdon rrugëtimin e saj, me Flick që kërkon qetësi dhe fokus maksimal.

  • Neymar në rrezik për Kupën e Botës 2026-Pritet t’i nënshtrohet operacionit në gju

    Neymar në rrezik për Kupën e Botës 2026-Pritet t’i nënshtrohet operacionit në gju

    Ylli brazilian Neymar mund të rrezikojë pjesëmarrjen me Kombëtaren e Brazilit në Kupën e Botës vitin e ardhshëm.

    33 vjeçari pritet që t’i nënshtrohet një operacioni në gju,kjo pasi Neymar luajti i dëmtuar në ndeshjen kundër Cruzeiros.

    Përndryshe Neymar nuk dihet se sa kohë mund të jetë larg fushave të gjelbërta,ndërkohë një mungesë e tij e mundshme në Kupën e Botës do të ishte hendikep i madh për Brazilin.

    Kujtojmë që Neymar ka pasur probleme me lëndime të shumta që prej rikthimit tek Santos,ku zhvilloi vetmë 20 ndeshje në kampionatin brazilian nga 38 të mundshmet.

  • Real Madridi në panik – Pérez thërret takim emergjent pas rënies së formës

    Real Madridi në panik – Pérez thërret takim emergjent pas rënies së formës

    Real Madridi përjetoi një natë të vështirë në “Bernabéu” pas humbjes tronditëse 0-2 ndaj Celta Vigos, rezultat që e la skuadrën katër pikë prapa Barcelonës. Sipas raportimeve të “Marca”-s, drejtuesit e klubit, të kryesuar nga Florentino Pérez, zhvilluan një takim urgjent që zgjati deri në orët e para të mëngjesit për të analizuar rënien e formës dhe krizën që ka goditur ekipin javët e fundit.

    Në takim u trajtuan disa çështje madhore. Forma e dobët e skuadrës, me vetëm tre fitore në shtatë ndeshjet e fundit, ishte shqetësimi kryesor. Gjithashtu, dëmtimet e shumta në mbrojtje – sidomos ai i Éder Militãos – kanë lënë ekipin të pambrojtur. Edhe gjykimi i ndeshjes ndaj Celtas u diskutua, pasi tre përjashtime e kanë lënë Realin me mungesa të mëdha për sfidën e radhës.

    Megjithatë, pika më e nxehtë e debatit ishte situata e trajnerit Xabi Alonso. Raportohet se marrëdhënia e tij me disa lojtarë kyç është tensionuar, sidomos pas episodeve si zëvendësimi i Viniciusit në “El Clásico”. Klubi e ka vendosur ndeshjen e së mërkurës kundër Manchester Cityt si test vendimtar, i cili do të përcaktojë të ardhmen e tij. Në rast dështimi, emrat e Zinedine Zidane dhe Jürgen Klopp po qarkullojnë si kandidatë të mundshëm.

    Krizat e fundit kanë lëkundur rëndë Realin edhe në renditje, ndërsa Barcelona duket se po fiton vrull pavarësisht problemeve të veta. Për Xabi Alonson, përballja me Cityn mund të jetë shansi i fundit për të kthyer situatën dhe për të shmangur ndryshime të mëdha këtë verë. /ATVLIVE.TV

  • Nga futbolli te hetimet: Polemika pas ndeshjes Gjilani–Llapi dhe rasti i kanosjes që po heton prokuroria!

    Nga futbolli te hetimet: Polemika pas ndeshjes Gjilani–Llapi dhe rasti i kanosjes që po heton prokuroria!

    Pas ndeshjes së tensionuar ndërmjet Gjilanit dhe Llapit, në Superligën e Kosovës kanë shpërthyer reagime të ashpra, ndërsa organet e drejtësisë kanë hapur hetime për një rast të dyshuar kanosjeje që përfshin persona të lidhur me ngjarjet e ditës.

    Klubi i Llapit ka publikuar një reagim të fuqishëm pas humbjes ndaj Gjilanit, duke akuzuar gjyqtarin kryesor, Egzon Dakaj, për gjykim tendencioz dhe të njëanshëm. Sipas klubit, vendimi për t’i treguar karton të kuq kapitenit Axel Gnapi ishte plotësisht i pabazë, ndërsa vlerësimet e ekspertëve ndërkombëtarë të FIFA-s, të cituara nga Llapi, e kanë konsideruar ndërhyrjen si të rregullt dhe jo përjashtuese.

    Llapi pretendon se gjyqtari ka marrë vendimin me pesë minuta vonesë, gjë që sipas tyre e bën kartonin e kuq “të dyshimtë dhe të porositur”. Po ashtu, klubi kontestion edhe faullin që parapriu golin e dytë të Gjilanit, duke theksuar se ndërhyrja nuk ka qenë e parregullt.

    Në njoftim, Llapi kujton se nuk është hera e parë që Dakaj del në qendër të akuzave në ndeshje të rëndësishme të klubit, teksa kërkon nga Komisioni i Gjyqtarëve dhe organet e FFK-së hapjen e procedurës disiplinore ndaj tij dhe analizimin e plotë të vendimeve.

    Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka pranuar informacion zyrtar nga Policia e Kosovës për një rast të dyshuar kanosjeje mes personave me inicialet T.B. dhe E.D.

    Prokurori i Shtetit ka urdhëruar Policinë të intervistojë palët dhe të mbledhë prova shtesë për të sqaruar rrethanat e incidentit.

    Në njoftimin zyrtar thuhet se organet kompetente janë duke punuar për “mbledhjen dhe grumbullimin e informacioneve relevante me qëllim zbardhjen e plotë të çështjes”.

    Kjo ditë e trazuar për futbollin kosovar pritet të ketë vazhdim, si në aspektin sportiv me shqyrtimin e vendimeve të gjyqtarit Dakaj, ashtu edhe në aspektin juridik me hetimet për rastin e kanosjes.

  • Presidentja Osmani viziton FC Dritën, moment krenarie për klubin

    Presidentja Osmani viziton FC Dritën, moment krenarie për klubin

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar gjatë ditës së sotme ekipin nga Gjilani, Fc Drita.

    Klubi është shprehur mirënjohës për vizitën e saj duke treguar se është një moment që i mbush me krenari dhe motivim të jashtëzakonshëm.

    FC Drita shkruan:

    Sot patëm nderin dhe privilegjin të presim në FC Drita në një vizitë historike Presidenten e Republikës së Kosovës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, si dhe Kryetarin e Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni. Kjo ishte një nga vizitat më të rëndësishme në historinë e klubit tonë, një moment që na mbushi me krenari dhe motivim të jashtëzakonshëm.

    Prania e Presidentes në ambientet tona është vlerësim i madh për punën, përkushtimin dhe rolin që FC Drita ka në zhvillimin e sportit, komunitetit dhe rinisë. Ky takim na inkurajon të vazhdojmë rrugëtimin tonë me edhe më shumë energji dhe përgjegjësi.

    Në emër të klubit, lojtarëve, stafit dhe gjithë tifozëve bardhekaltër, shprehim mirënjohjen tonë të thellë për këtë vizitë.

    Faleminderit Presidente!