ATV

Category: SPORT

  • Foda flet për tërheqjen e Rrahmanit: Nuk ka bojkot nga lojtarët e tjerë

    Foda flet për tërheqjen e Rrahmanit: Nuk ka bojkot nga lojtarët e tjerë

    Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka reaguar pas vendimit të kapitenit Amir Rrahmani për t’u tërhequr nga Kombëtarja, duke mohuar mundësinë që ky vendim të pasohet edhe nga futbollistë të tjerë.

    Foda ka bërë të ditur se Rrahmani e ka njoftuar personalisht për vendimin e tij, i cili erdhi pas zhvillimeve të fundit në Federatën e Futbollit të Kosovës.

    “Gjithçka është shumë emocionale në Kosovë. Fakti është se Amir Rrahmani ka dhënë dorëheqjen. Ai më informoi personalisht për këtë”, ka deklaruar Foda për CANAL+.

    Megjithatë, tekniku gjerman insiston se pjesa tjetër e futbollistëve do t’i përgjigjet ftesës së Kombëtares.

    “Të gjithë lojtarët që janë në formë dhe që do t’i ftoj, do të jenë të hënën aty dhe do të përgatiten me mua për ndeshjet”, ka shtuar ai.

    Foda ka mohuar gjithashtu raportimet për një bojkot të mundshëm nga futbollistë të tjerë.

    “Ka shumë dramë që po ekzagjerohet. Ideja se edhe më shumë lojtarë duan të bojkotojnë ekipin kombëtar nuk është e vërtetë”, ka theksuar përzgjedhësi i Kosovës.

    Deklaratat e Fodës u raportuan të enjten nga mediumi austriak “Laola1”, ndërsa Kombëtarja e Kosovës pritet të nisë të hënën përgatitjet për ndeshjet e radhës.

    Rrahmani, i cili ka 66 paraqitje dhe shtatë gola me Kosovën, e mbajti shiritin e kapitenit për rreth shtatë vjet, para se të njoftonte për tërheqjen e tij nga Kombëtarja.

  • Rocco Vata në listën e Irlandës për ndeshjet ndaj Kosovës dhe Izraelit

    Rocco Vata në listën e Irlandës për ndeshjet ndaj Kosovës dhe Izraelit

    Kombëtarja e Irlandës ka publikuar listën e futbollistëve të grumbulluar për ndeshjet e ardhshme në Ligën e Kombeve, ku është përfshirë edhe Rocco Vata, djali i ish-kapitenit të Kombëtares së Shqipërisë, Rudi Vata.

    Irlanda do ta nisë këtë cikël pikërisht ndaj Kosovës. “Dardanët” do ta presin Kombëtaren irlandeze më 24 shtator, në ndeshjen hapëse të Grupit B3.

    Vëmendja e tifozëve shqiptarë do të jetë te Rocco Vata, i cili është pjesë e listës së përzgjedhësit të Irlandës, Heimir Hallgrimsson.

    Sulmuesi 20-vjeçar është djali i Rudi Vatës, ish-futbollistit dhe kapitenit të Kombëtares shqiptare.

    Pas përballjes me Kosovën, Irlanda do të luajë ndaj Izraelit më 27 shtator, ndërsa më 1 tetor do të përballet me Austrinë. Cikli i parë i ndeshjeve do të mbyllet më 4 tetor, me një tjetër sfidë ndaj Izraelit.

    Ndërkohë, Kosova pas ndeshjes me Irlandën do të përballet me Austrinë më 27 shtator, Izraelin më 1 tetor dhe sërish Austrinë më 4 tetor.

  • NBA: Biletat për ndeshjen hapëse të Knicks kushtojnë mesatarisht 2,560 dollarë

    NBA: Biletat për ndeshjen hapëse të Knicks kushtojnë mesatarisht 2,560 dollarë

    Të shohësh nga afër natën e kampionëve të rinj të NBA-së nuk do të jetë aspak e lirë.

    Një biletë për ndeshjen hapëse të sezonit të ri mes Kampionit në fuqi Neë York Knicks dhe Philadelphia 76ers po shitet në tregun e rishitjes me një çmim mesatar prej rreth 2 mijë e 560 dollarësh.

    Bëhet fjalë për ndeshjen që do të zhvillohet më 20 tetor në Madison Square Garden, në startin e sezonit të ri të NBA-së.

    Kjo nuk do të jetë një mbrëmje e zakonshme për Knicks.

    Pas triumfit në sezonin e kaluar, ekipi i New Yorkut do ta nisë mbrojtjen e titullit para tifozëve të vet, me ngritjen e flamurit të kampionatit në tavanin e Madison Square Garden, si dhe me ceremoninë e dorëzimit të unazave të kampionëve.

    Knicks e fituan titullin e NBA-së për herë të parë pas 53 vjetësh, duke i dhënë kësaj nate një rëndësi të veçantë për tifozët e skuadrës.

    Përballë do të jetë Philadelphia 76ers, ndërsa kjo ndeshje do të shënojë edhe debutimin e LeBron James me fanellën e Philadelphia-s në sezonin e ri.

    Sezoni 2026/27 i NBA-së nis zyrtarisht më 20 tetor, me një program të trefishtë në natën hapëse.

    Përveç Knicks dhe 76ers, në aksion do të jenë edhe Boston Celtics ndaj Detroit Pistons, si dhe Oklahoma City Thunder kundër San Antonio Spurs.

    Ndërkohë, për ata që duan ta përjetojnë nga afër ceremoninë në New York, çmimi i biletës tregon se festa e kampionëve këtë vit do të ketë një kosto shumë të lartë.

  • Amedspor konfirmon ftesat e Dellovës dhe Krasniqit

    Amedspor konfirmon ftesat e Dellovës dhe Krasniqit

    Një ditë para publikimit të listës zyrtare të Kosovës, Amedspor ka konfirmuar ftesat e dy futbollistëve kosovarë për ndeshjet e ardhshme të përfaqësueses në Ligën e Kombeve.

    Klubi turk ka bërë të ditur se Lumbardh Dellova dhe Ermal Krasniqi janë grumbulluar nga Kosova, duke i përfshirë të dy në listën e lojtarëve të Amedspor që do t’u bashkohen përfaqësueseve të tyre.

    “Urojmë suksese për lojtarët tanë të ftuar në përfaqësueset kombëtare”, ka shkruar klubi turk në njoftimin e tij.

    Konfirmimi nga Amedspor vjen një ditë para se Federata e Futbollit të Kosovës të publikojë listën zyrtare të futbollistëve të ftuar nga përzgjedhësi Franco Foda.

    Dellova dhe Krasniqi pritet t’i bashkohen Kosovës për një seri prej katër ndeshjesh, të cilat “Dardanët” do t’i zhvillojnë brenda vetëm dhjetë ditësh.

    Kosova do ta nisë këtë cikël më 24 shtator, në Prishtinë, ndaj Irlandës.

    Më 27 shtator, “Dardanët” do të udhëtojnë në Austri, ndërsa më 1 tetor do të përballen me Izraelin në Hungari.

    Cikli i parë i ndeshjeve do të mbyllet më 4 tetor në Prishtinë, sërish ndaj Austrisë.

    Dellova dhe Krasniqi, nëse konfirmohen edhe në listën zyrtare të FFK-së, do të jenë kështu pjesë e skuadrës së Franco Fodës për këto katër përballje të Ligës së Kombeve.

  • Topi i Artë 2026, një garë e fortë mes yjeve të futbollit

    Topi i Artë 2026, një garë e fortë mes yjeve të futbollit

    Topi i Artë 2026 pritet të jetë një nga edicionet më të luftuara të viteve të fundit. Ceremonia do të zhvillohet më 26 tetor në Londër dhe do të shënojë 70-vjetorin e këtij çmimi prestigjioz.

    Votimi do të përfshijë të gjithë sezonin, nga gushti i vitit 2025 deri më 19 korrik 2026, duke përfshirë edhe performancat në Kupën e Botës.

    Sipas rregullores, kriteri kryesor është paraqitja individuale e futbollistit, ndërsa më pas vlerësohen sukseset kolektive dhe trofetë, si dhe klasa dhe loja e pastër sportive. Pra, fitimi i një trofeu madhor nuk garanton automatikisht Topin e Artë.

    Në garë spikasin disa emra të mëdhenj.

    Kylian Mbappe realizoi 25 gola në La Liga, fitoi Pichichin, ndërsa në Ligën e Kampionëve shënoi 15 gola. Në Kupën e Botës, francezi realizoi plot 10 herë dhe fitoi Këpucën e Artë të turneut.

    Harry Kane pati një sezon spektakolar me Bayern Munichun, duke shënuar 61 gola në 51 ndeshje. Ai realizoi 36 gola në Bundesliga dhe fitoi Këpucën e Artë evropiane.

    Lamine Yamal, ndërkohë, kombinoi statistikat personale me sukseset e skuadrës. Talenti i Barcelonës shënoi 16 gola dhe dhuroi 12 asistime në La Liga, ndërsa Barcelona fitoi kampionatin dhe Spanja triumfoi në Botëror.

    Në garë vlerësohet edhe Rodri, i cili u shpall lojtari më i mirë i Kupës së Botës.

    Fituesi do të përcaktohet nga votat e gazetarëve të 100 vendeve të para në renditjen e FIFA-s.

    Përgjigjja përfundimtare do të merret më 26 tetor, kur Londra do të presë ceremoninë e 70-të të Topit të Artë.

  • Messi shkruan historinë me Inter Miamin, arrin shifrën e 100 golave

    Messi shkruan historinë me Inter Miamin, arrin shifrën e 100 golave

    Inter Miami ka mbyllur një tjetër natë të paharrueshme, duke triumfuar 2-0 ndaj Cruz Azulit dhe duke ngritur në duar trofeun e Campeones Cup. Në qendër të vëmendjes ishte sërish Lionel Messi, i cili regjistroi një tjetër arritje të veçantë me klubin amerikan.

    Ylli argjentinas ishte ai që zhbllokoi takimin në minutën e 24-t. Messi përfitoi nga një krosim i Luis Suarezit dhe me kokë e dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë avantazhin skuadrës së tij.

    Për Messin, ky nuk ishte thjesht një gol i radhës. Ishte goli i 100-të me fanellën e Inter Miamit, në paraqitjen e tij të 115-të në të gjitha kompeticionet.

    Edhe më e veçantë është mënyra se si u lidh ky jubile me fillimin e aventurës së tij në SHBA. Pikërisht ndaj Cruz Azulit, Messi kishte shënuar golin e parë për Inter Miamin në korrik të vitit 2023. Në atë debutim, argjentinasi i dha skuadrës fitoren 2-1 me një goditje spektakolare nga gjuajtja e lirë në minutat shtesë.

    Inter Miami e vulosi suksesin në minutën e 81-të. Casemiro shënoi me kokë pas një korneri të ekzekutuar nga vetë Messi, duke vendosur rezultatin përfundimtar 2-0.

    Edhe mesfushori brazilian po kalon një periudhë të jashtëzakonshme para portës. Në pesë ndeshjet e fundit, Casemiro ka realizuar katër gola dhe të gjithë kanë ardhur me goditje me kokë.

    Trofeu i Campeones Cup i shtohet një liste gjithnjë e më të gjatë suksesi për Inter Miamin në epokën e Messit. Klubi nga Florida më herët kishte fituar Kupën e Ligës në vitin 2023, Supporters’ Shield në 2024 dhe MLS Cup në 2025.

    Pas festës së radhës, Inter Miami do t’i rikthehet kampionatit amerikan. Të dielën, skuadra e Messit do të presë San Diegon në “Nu Stadium”, në një takim që do ta nisë nga pozita e dytë në Konferencën Lindore.

    Për Messin, ndërkohë, festa vazhdon: 100 gola me Inter Miamin dhe një tjetër trofe në një aventurë që tashmë ka hyrë në historinë e klubit.

  • Klopp publikon listën e Gjermanisë, Brajan Gruda merr ftesën për Ligën e Kombeve

    Klopp publikon listën e Gjermanisë, Brajan Gruda merr ftesën për Ligën e Kombeve

    Përzgjedhësi i ri i Gjermanisë, Jürgen Klopp, ka bërë të ditura listat e para për katër ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve, ndërsa në mesin e 44 futbollistëve të përzgjedhur gjendet edhe talenti me prejardhje shqiptare, Brajan Gruda.

    Klopp ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për organizimin e skuadrës, duke i ndarë futbollistët në dy grupe. Në grupin e parë, të përbërë nga 24 lojtarë, janë ata që do të jenë në dispozicion për dy ndeshjet e para, kundër Holandës më 24 shtator dhe Greqisë më 27 shtator.

    Gruda është përfshirë në grupin e dytë, ku bëjnë pjesë 20 futbollistë. Ky grup do të grumbullohet për sfidën ndaj Serbisë, më 1 tetor, si dhe për duelin e dytë kundër Greqisë, që zhvillohet më 4 tetor.

    Për 22-vjeçarin, kjo është një mundësi e rëndësishme për të bërë hapin e radhës në karrierën ndërkombëtare. Gruda synon të bindë Kloppin dhe të fitojë gradualisht një vend të qëndrueshëm në ekipin e parë të Gjermanisë.

    Sulmuesi është pjesë e Brightonit, ndërsa aktualisht është i huazuar te Leipzigu. Ai e ka kaluar një pjesë të rëndësishme të zhvillimit të tij në futbollin gjerman dhe ka qenë pjesë e disa prej grupmoshave të përfaqësueses së Gjermanisë.

    Ftesa e Grudës merr rëndësi të veçantë edhe për shkak të ndryshimit në stolin e kombëtares. Klopp ka nisur zyrtarisht punën si përzgjedhës i “Panzerëve”, me objektivin për të ndërtuar një skuadër të re dhe konkurruese pas përfundimit të Botërorit 2026.

    Debutimi i tij në stolin e Gjermanisë do të jetë më 24 shtator, në Amsterdam, ku “Panzerët” do të përballen me Holandën. Më 27 shtator, Gjermania do të presë Greqinë në Augsburg.

    Programi vijon me duelin ndaj Serbisë më 1 tetor në Mynih, ndërsa katër ditë më vonë gjermanët do të udhëtojnë drejt Selanikut për ndeshjen e dytë kundër Greqisë.

    Për Brajan Grudën, grumbullimi përbën një tjetër hap të rëndësishëm në rrugëtimin e tij, ndërsa tani mbetet të shihet nëse talenti shqiptar do të arrijë të bindë Kloppin dhe të bëhet pjesë e rëndësishme e Gjermanisë në vazhdim.

  • Tre shqiptarë në listën e Zvicrës, Yakin beson sërish te Xhaka, Jashari dhe Bajrami

    Tre shqiptarë në listën e Zvicrës, Yakin beson sërish te Xhaka, Jashari dhe Bajrami

    Përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, ka bërë publike listën e futbollistëve të grumbulluar për ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve, ku nuk mungon prania shqiptare.

    Në mesin e lojtarëve të përzgjedhur janë tre futbollistë me prejardhje shqiptare: Granit Xhaka, Ardon Jashari dhe Adrian Bajrami. Të tre do të jenë pjesë e skuadrës helvetike në sfidat e radhës, duke konfirmuar edhe një herë kontributin e futbollistëve shqiptarë në përfaqësuesen zvicerane.

    Granit Xhaka vazhdon të mbajë një rol të rëndësishëm në formacionin e Zvicrës, ndërsa Ardon Jashari po fiton gjithnjë e më shumë besimin e Yakin dhe po konsolidohet në planet e përfaqësueses.

    Në një moment të rëndësishëm të karrierës së tij ndodhet edhe Adrian Bajrami. I lindur në Zvicër dhe me prejardhje shqiptare nga Maqedonia e Veriut, mbrojtësi kishte përfaqësuar më herët Shqipërinë, por në vitin 2025 vendosi të vazhdonte karrierën ndërkombëtare me Zvicrën. Ndryshimi i përfaqësimit u miratua nga FIFA, ndërsa më pas Bajrami mori edhe ftesën e Yakin për ndeshjet kualifikuese të Botërorit.

    Zvicra e pret një kalendar i ngjeshur në Ligën e Kombeve. Përfaqësuesja helvetike do të përballet dy herë me Maqedoninë e Veriut, ndërsa në program janë edhe takimet me Skocinë dhe Slloveninë.

    Me një ekip që po kalon një fazë të re dhe me synimin për të ndërtuar një grup sa më konkurrues për sfidat e ardhshme, Yakin do të kërkojë përgjigje nga secili prej lojtarëve të tij.

    Në këtë kuadër, Xhaka mbetet një prej pikave kryesore të ekipit, Jashari synon të konsolidojë edhe më tej pozitën e tij, ndërsa Bajrami do të kërkojë ta shfrytëzojë maksimalisht mundësinë për të fituar hapësirë dhe për të bindur përzgjedhësin zviceran.

  • Kroos thumbon Musialën, Wirtzin dhe Pavlovicin: Nuk u vunë re në Botëror

    Kroos thumbon Musialën, Wirtzin dhe Pavlovicin: Nuk u vunë re në Botëror

    Toni Kroos ka zgjedhur ironinë për të komentuar paraqitjet e disa prej yjeve të rinj të Kombëtares së Gjermanisë, në prag të publikimit të listës së parë të Jurgen Kloppit.

    Gjatë podcastit “Einfach Mal Luppen”, të cilin e drejton së bashku me vëllain e tij Felix, ish-mesfushori gjerman u sfidua të përmendte tre futbollistë që nuk kishin qenë pjesë e Botërorit të fundit.

    Kroos e shfrytëzoi menjëherë mundësinë për një batutë, duke përmendur emrat e Jamal Musialës, Florian Wirtzit dhe Aleksandar Pavlovicit.

    Problemi ishte se të tre futbollistët kishin qenë pjesë e Gjermanisë në atë turne. Fillimisht, vëllai i tij Felix nuk e kuptoi menjëherë ironinë e Kroosit dhe e pyeti se për cilin Botëror po fliste.

    Vetëm pak sekonda më vonë, ai e kuptoi se bëhej fjalë për një thumbim ndaj paraqitjeve të treshes, duke e vazhduar edhe më tej shakanë me idenë se ata thjesht nuk ishin vënë re gjatë turneut.

    Në fakt, Kroos iu referua paraqitjeve zhgënjyese të Musialës, Wirtzit dhe Pavlovicit me Gjermaninë, e cila u eliminua nga Paraguai në raundin e 32-të.

    Më pas, ish-kampioni i botës i vitit 2014 kaloi nga ironia te emrat që, sipas tij, do të meritonin të ishin në listën e parë të Jurgen Kloppit.

    Kroos përmendi Tom Bischof dhe Lennart Karl të Bayern Munichut, si dhe talentin e Kolnit, Said El Malan, si tre futbollistë që do të dëshironte t’i shihte në grumbullimin e ri të Kombëtares gjermane.

    Tashmë mbetet të shihet se cilët emra do të përfshijë Klopp në listën e tij të parë dhe nëse ndonjëri prej talenteve të përmendur nga Kroos do të marrë një ftesë nga trajneri i ri i “Die Mannschaft”.

  • Rey Manaj reagon pas vendimit të Hagës për ish-krerët e UÇK-së

    Rey Manaj reagon pas vendimit të Hagës për ish-krerët e UÇK-së

    Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Rey Manaj, ka reaguar në rrjetet sociale pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Gjykata në Hagë ka shpallur aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët janë dënuar me gjithsej 81 vjet burgim. Vendimi ka sjellë reagime të shumta publike në Kosovë dhe jashtë saj.

    Në mesin e personave që kanë reaguar ka qenë edhe futbollisti i Kombëtares shqiptare. Manaj, aktualisht pjesë e Sivassporit, ka publikuar në rrjetet sociale një fotografi me simbolin e UÇK-së, të shoqëruar me një mesazh për sakrificën dhe luftën për liri.

    Në postimin e tij, sulmuesi kuqezi ka shkruar se UÇK-ja nuk është thjesht një emër i historisë, por lidhet me sakrificën dhe lirinë, duke nënvizuar se kjo e fundit nuk është arritur pa kosto.

    Manaj e ka shoqëruar reagimin edhe me një fotografi nga ndeshja e Kombëtares shqiptare ndaj Serbisë, e zhvilluar në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Në fokus të postimit ka qenë edhe momenti i golit të fitores së Shqipërisë në atë përballje.

    Reagimi i futbollistit vjen në një ditë kur vendimi i Hagës ka shkaktuar diskutime dhe reagime të shumta publike. Ndaj aktgjykimit të shkallës së parë palët kanë të drejtë të ushtrojnë ankesë, në përputhje me procedurat përkatëse.

    Postimi i Manajt ka tërhequr vëmendjen e ndjekësve të tij në rrjetet sociale, duke u bërë pjesë e reagimeve publike pas vendimit të gjykatës në Hagë.