ATV

Category: Sport

  • Messi me mesazh prekës pas vdekjes së futbollistit spanjoll: Nuk ka fjalë

    Messi me mesazh prekës pas vdekjes së futbollistit spanjoll: Nuk ka fjalë

    Bota e futbollit vazhdon të jetë në zi pas vdekjes tragjike të futbollistit të CD Tenerife, Jesus de Miguel Alameda, i cili ndërroi jetë në moshën 30-vjeçare.

    Lajmi i hidhur ka prekur shumë emra të njohur të futbollit, ndërsa në mesin e tyre është edhe ylli argjentinas, Lionel Messi, i cili ka reaguar me një mesazh emocionues në rrjetet sociale.

    Legjenda e futbollit ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen, miqtë dhe të gjithë të afërmit e futbollistit, duke u uruar forcë në këto momente të vështira.

    “Nuk ka fjalë… Ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe shumë forcë për të gjithë familjen dhe miqtë e tij. U prehtë në paqe”, ka shkruar Messi.

    De Miguel humbi jetën rreth orës 08:00 të mëngjesit të së martës, pasi gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua pas përplasjes së rëndë me portierin e Andorrës, Jesus Owono, gjatë ndeshjes mes dy skuadrave.

    Vdekja e sulmuesit në një moshë kaq të re ka shkaktuar tronditje dhe pikëllim të madh në futbollin spanjoll, por edhe më gjerë, ndërsa mesazhe ngushëllimi kanë ardhur nga shumë figura të njohura të këtij sporti.

  • Conceicao pranë rikthimit në stol, Fenerbahce arrin marrëveshje me ish-trajnerin e Milanit

    Conceicao pranë rikthimit në stol, Fenerbahce arrin marrëveshje me ish-trajnerin e Milanit

    Sergio Conceicao është shumë pranë një aventure të re në futbollin evropian, pasi trajneri portugez pritet të marrë drejtimin e gjigantit turk, Fenerbahce.

    Ish-trajneri i Milanit raportohet se ka arritur marrëveshje me klubin nga Stambolli dhe tashmë pritet të udhëtojë drejt Turqisë në ditët e ardhshme, për të përmbyllur procedurat e fundit dhe për të zyrtarizuar emërimin e tij.

    Lajmi është raportuar nga mediumi turk “Haberturk”, i cili bën të ditur se drejtuesit e Fenerbahces dhe tekniku portugez kanë gjetur gjuhën e përbashkët për bashkëpunimin.

    Fenerbahce po kërkon një trajner të ri që mund ta rikthejë skuadrën në rezultate pozitive, pas një periudhe jo të mirë dhe ndarjes së rrugëve me Ismail Kartalin më 27 tetor. Ndërkohë, drejtimin e ekipit deri më tani e ka marrë përkohësisht Dirk Kuyt.

    Conceicao ka qenë një prej kandidatëve kryesorë të drejtuesve turq, të cilët fillimisht kishin shqyrtuar edhe mundësinë e angazhimit të trajnerit gjerman Julian Nagelsmann. Megjithatë, bisedimet me këtë të fundit nuk përfunduan me marrëveshje, duke bërë që vëmendja të përqendrohej te portugezi.

    Sipas raportimeve të fundit, marrëveshja mes palëve parasheh një kontratë 18-mujore, ndërsa Fenerbahce dëshiron që Conceicao të jetë në Stamboll para përballjes së Ligës së Kampionëve kundër Liverpoolit, e cila është planifikuar të zhvillohet më 4 nëntor.

    Nëse gjithçka shkon sipas planit, trajneri portugez do të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij, këtë herë në krye të një prej klubeve më të mëdha të futbollit turk.

  • Gerrard me kritika të ashpra ndaj Martinezit, dyshon se dëshiron të largohet nga Manchester Unitedi

    Gerrard me kritika të ashpra ndaj Martinezit, dyshon se dëshiron të largohet nga Manchester Unitedi

    Legjenda e Liverpoolit, Steven Gerrard, ka ngritur dyshime të mëdha rreth të ardhmes së Lisandro Martinezit te Manchester Unitedi, duke sugjeruar se mbrojtësi argjentinas mund të jetë duke krijuar probleme brenda skuadrës për të siguruar largimin gjatë afatit kalimtar të janarit.

    Duke folur në emisionin “The Overlap Daily”, ish-kapiteni i Liverpoolit nuk i ka kursyer kritikat ndaj paraqitjeve dhe sjelljes së fundit të futbollistit, të cilat i ka cilësuar si zhgënjyese.

    “Kam përshtypjen se ai po mendon: Dua të largohem nga këtu sa më shpejt”, deklaroi Gerrard.

    Martinez është vënë në qendër të vëmendjes pas kartonit të kuq të marrë në humbjen 2-0 të Manchester Unitedit ndaj Chelseat, ndërsa situata e tij është komplikuar edhe më shumë pas kritikave të mëparshme ndaj drejtorit të futbollit të klubit, Jason Wilcox.

    Gerrard beson se sjellja e argjentinasit ka dëmtuar skuadrën, duke theksuar se ai ka zhgënjyer bashkëlojtarët, klubin dhe tifozët.

    Sipas tij, përjashtimi nga loja ishte një veprim egoist, sidomos duke marrë parasysh mbështetjen që Martinez ka marrë nga trajneri.

    Ish-mesfushori anglez ka paralajmëruar se sjelljet individuale të futbollistëve mund të bëhen pengesë për Manchester Unitedin në përpjekjet për t’u rikthyer te rezultatet pozitive.

    Megjithatë, pavarësisht kritikave dhe spekulimeve për të ardhmen e tij, drejtuesit e klubit nga “Old Trafford” vazhdojnë të shprehin besimin në përkushtimin e mbrojtësit argjentinas.

  • Hamilton rikthehet te polemikat në Ferrari: Duhet të mësojmë nga gabimet

    Hamilton rikthehet te polemikat në Ferrari: Duhet të mësojmë nga gabimet

    Tensionet brenda Ferrarit vazhdojnë edhe pas garës së zhvilluar në Meksikë, ku incidenti mes Lewis Hamiltonit dhe Charles Leclercit ka shkaktuar polemika të shumta.

    Pas kritikave të drejtpërdrejta ndaj shokut të skuadrës, shtatë herë kampioni i botës ka reaguar sërish përmes një mesazhi në rrjetet sociale, pa e përmendur konkretisht pilotin nga Monako.

    Hamilton theksoi se kontakti në pistë i kushtoi Ferrarit mundësinë për të luftuar për fitoren, duke nënvizuar se rivaliteti mes pilotëve nuk duhet të dëmtojë interesat e përbashkëta të ekipit.

    Britaniku e cilësoi fundjavën në Meksikë si jashtëzakonisht zhgënjyese, sidomos duke marrë parasysh punën e madhe të inxhinierëve dhe mekanikëve për ta vendosur skuadrën në pozitë për të fituar.

    Ai kërkoi më shumë përgjegjësi dhe sinqeritet brenda ekipit, duke theksuar se gabimet duhet të shërbejnë si mësim për të ardhmen.

    Pavarësisht spekulimeve për një largim të mundshëm nga Ferrari, Hamilton rikonfirmoi besimin e tij te skuadra italiane, duke kujtuar se kontrata e tij është deri në vitin 2027.

    “Jam ende në fillim të rrugëtimit tim me këtë skuadër dhe kemi ende shumë për të ndërtuar së bashku”, deklaroi britaniku.

    Ai shtoi se do të vazhdojë të japë maksimumin për Ferrarin dhe se ndihet përgjegjës për ta ndihmuar ekipin të rikthehet te rezultatet e dëshiruara.

  • Hetimet për vdekjen e sulmuesit spanjoll, policia po shqyrton rrethanat e përplasjes me portierin

    Hetimet për vdekjen e sulmuesit spanjoll, policia po shqyrton rrethanat e përplasjes me portierin

    Policia Kombëtare e Spanjës ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e vdekjes së sulmuesit të Tenerifes, Jesus de Miguel, i cili ndërroi jetë të martën, pas një përplasjeje të rëndë me portierin e Andorrës, Jesus Owono.

    Sipas raportimeve të mediumit spanjoll “Marca”, rasti tashmë është në duart e autoriteteve gjyqësore, ndërsa hetuesit po përpiqen të rindërtojnë ngjarjen dhe të përcaktojnë saktësisht se çfarë ndodhi gjatë aksionit që përfundoi në mënyrë tragjike.

    Ngjarja ndodhi në minutën e fundit të ndeshjes së kategorisë së dytë spanjolle, kur De Miguel tentoi të arrinte një top të gjatë, por në atë moment u përplas me portierin e Andorrës. Pas ndërhyrjes, Owono u ndëshkua me karton të kuq direkt.

    Pas përplasjes, De Miguel pësoi arrest kardiak dhe u transportua me urgjencë në Spitalin Nuestra Señora de Candelaria, ku u vendos në kujdes intensiv.

    Megjithatë, pavarësisht trajtimit mjekësor, sulmuesi nuk arriti t’u mbijetonte pasojave të ngjarjes dhe vdiq të martën, në orën 08:00 të mëngjesit, në moshën 30-vjeçare.

    Ndërkohë, hetimet do të përqendrohen në zbardhjen e plotë të rrethanave të përplasjes dhe në përcaktimin nëse ekziston përgjegjësi ligjore për atë që ndodhi.

    Sipas Kodit Penal të Spanjës, vrasja nga pakujdesia e rëndë mund të dënohet me burgim nga një deri në katër vjet.

  • Kosova mëson kundërshtaret në UEFA Women’s Nations League 2027, “Dardanet” në një grup me Slloveninë, Turqinë dhe Hungarinë

    Kosova mëson kundërshtaret në UEFA Women’s Nations League 2027, “Dardanet” në një grup me Slloveninë, Turqinë dhe Hungarinë

    Kombëtarja e Kosovës në futbollin e femrave ka mësuar kundërshtaret për edicionin e ri të UEFA Women’s Nations League 2027, pas shortit të hedhur këtë të martë në Nyon të Zvicrës.

    “Dardanet” do të jenë pjesë e Grupit 4 në Ligën B, ku do të përballen me Slloveninë, Turqinë dhe Hungarinë. Një grup që pritet të sjellë sfida interesante dhe një konkurrencë të fortë për përfaqësuesen kosovare.

    Kosova e fitoi të drejtën për të garuar në Ligën B falë paraqitjeve të mira në edicionin paraprak, ku përfundoi në vendin e parë në Grupin C2, duke siguruar kështu promovimin në një nivel më të lartë të garës.

    Në anën tjetër, aventura e “Dardaneve” në kualifikimet për Kupën e Botës 2027, e cila do të organizohet në Brazil, përfundoi në raundin e parë të plejofit, pas eliminimit nga Austria.

    Ndërkohë, edhe Kombëtarja e Shqipërisë ka mësuar rivalet e saj për edicionin e ardhshëm. Shqipëria do të garojë në Grupin 1 të Ligës B, ku do të ketë përballë Belgjikën, Rumaninë dhe Serbinë.

  • NBA dhuron spektakël me 15 ndeshje, Doncic shkëlqen me 42 pikë

    NBA dhuron spektakël me 15 ndeshje, Doncic shkëlqen me 42 pikë

    Mëngjesin e sotëm janë zhvilluar 15 ndeshje në kuadër të elitës së basketbollit amerikan NBA.

    Këto ndeshje kanë sjellë emocione të shumta, përballje spektakolare dhe rezultate interesante, me disa prej skuadrave pretendente që kanë regjistruar fitore të rëndësishme në kampionat.

    Kampioni në fuqi, New York Knicks, vazhdon me rezultate pozitive, pasi triumfoi 103-90 ndaj Brooklynit në derbin lokal, duke regjistruar fitoren e tretë të sezonit.

    Më meritorët për këtë fitore ishin Landry Shamet, i cili, pavarësisht se e nisi takimin nga stoli, shkëlqeu me 22 pikë, Jalen Brunson me 19 pikë dhe OG Anunoby me 18 sosh.

    Në anën tjetër, Julius Randle shënoi 21 pikë e 11 kërcime, por që nuk mjaftuan për fitore.

    Në Konferencën e Lindjes, Philadelphia 76ers vazhdon të mbajë kreun pas fitores bindëse 107-16 ndaj Chicago Bulls. Në këtë takim, të gjithë titullarët e skuadrës fituese arritën të realizonin më shumë se 11 pikë.

    Tyrese Maxey shkëlqeu me 26 pikë e 11 asistime, derisa V.J. Edgecombe shtoi 21 sosh.

    Te skuadra humbëse, më efikasi ishte Caleb Wilson me 24 pikë e shtatë kërcime.

    Një rezultat dramatik u regjistrua në duelin mes Memphis Grizzlies dhe New Orleans Pelicans, ku këta të fundit fituan 135-134 pas vazhdimeve, duke i shkaktuar kundërshtarit humbjen e parë sezonale.

    Zion Williamson udhëhoqi skuadrën drejt fitores me 25 pikë e 11 kërcime, ndërkaq Karlo Matkovic po ashtu realizoi 25 pikë.

    Derisa 40 pikët e T.Y. Jerome nuk mjaftuan për Memphis që ta evitonte humbjen.

    Vëmendje të veçantë mori edhe përballja mes Los Angeles Lakers dhe Miami Heat, ku skuadra kaliforniane triumfoi me rezultat 138-117. Luka Doncic ishte i pandalshëm me 42 pikë dhe 13 asistime, duke fituar duelin individual ndaj Giannis Antetokounmpo, i cili regjistroi 30 pikë dhe 12 kërcime.

  • Kombëtarja e Kosovës në futsall nis përgatitjet për dy sfidat ndaj Italisë

    Kombëtarja e Kosovës në futsall nis përgatitjet për dy sfidat ndaj Italisë

    Kombëtarja e Kosovës në futsall ka hyrë në fazën përgatitore për dy përballjet e rëndësishme ndaj Italisë, të vlefshme për Grupin 10 të fazës “Main Round” të kualifikimeve për Kupën e Botës 2028.

    Dardanët i presin dy sfida të vështira ndaj italianëve, fillimisht në shtëpi më 6 nëntor, me fillim nga ora 20:00, ndërsa ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 10 nëntor në Itali, po ashtu nga ora 20:00.

    Kombëtarja kosovare i pret këto dy takime me moral të lartë, pas triumfit të rëndësishëm 3:2 ndaj Gjeorgjisë në udhëtim. Kjo fitore ka qenë një shtysë pozitive për skuadrën, e cila synon të vazhdojë me rezultate të mira në garën kualifikuese.

    Megjithatë, përballjet me Italinë do të përbëjnë një provë të madhe për kapacitetet e Kosovës, pasi përballë do të ketë një kundërshtar me përvojë dhe traditë në futsallin evropian.

    Dardanët synojnë të shfrytëzojnë ndeshjen e parë në shtëpi për të marrë një rezultat sa më të favorshëm, përpara udhëtimit në Itali, ku do të zhvillohet dueli i dytë.

    Objektivi i Kosovës mbetet vazhdimi i rrugëtimit me hapa të sigurt drejt ëndrrës për një kualifikim historik në Kupën e Botës 2028.

  • Liga e Kampionëve rikthehet me superndeshje, sonte zbresin gjigantët evropianë

    Liga e Kampionëve rikthehet me superndeshje, sonte zbresin gjigantët evropianë

    Futbolli evropian rikthen emocionet e mëdha këtë të martë, me Ligën e Kampionëve që vjen me një mbrëmje të pasur me përballje interesante dhe rivalitet mes skuadrave të njohura të kontinentit.

    Në kuadër të xhiros së katërt të fazës së ligës, në aksion do të jenë disa prej klubeve më të mëdha evropiane, përfshirë Bayern Munichun, Barcelonën, Manchester Unitedin, Interin, Paris Saint-Germainin dhe Atletico Madridin.

    Programi i ndeshjeve nis në orën 18:45, me dy sfida që pritet të sjellin rivalitet të fortë. Galatasaray do të kërkojë fitoren përballë Stuttgartit, ndërsa Shakhtar Donetsk do të përballet me Sporting Lisbonën.

    Por vëmendja kryesore do të jetë në orën 21:00, kur do të zhvillohen shumica e përballjeve të mbrëmjes, me disa duele që premtojnë spektakël të vërtetë.

    Njëra prej ndeshjeve më tërheqëse është padyshim ajo mes Atletico Madridit dhe Bayern Munichut. Dy skuadrat me traditë të madhe në futbollin evropian do të matin forcat në një përballje ku secila do të synojë të marrë pikë të rëndësishme për vazhdimin e garës.

    Në të njëjtën kohë, Barcelona do të luajë para tifozëve të saj kundër Aston Villës. Skuadra katalunase hyn në këtë takim me synimin për të shfrytëzuar avantazhin e fushës vendase, por anglezët kanë treguar se janë kundërshtar mjaft i vështirë për t’u përballur.

    Interes të veçantë zgjon edhe dueli ndërmjet Manchester Unitedit dhe Romës, ku dy emra të mëdhenj të futbollit evropian do të kërkojnë një rezultat pozitiv në një përballje me peshë të madhe sportive.

    Ndërkohë, Paris Saint-Germaini ka një udhëtim aspak të lehtë në Spanjë, ku do të përballet me Villarrealin. Kampionët francezë synojnë të tregojnë cilësinë e tyre edhe në transfertë, por vendasit do të tentojnë t’ua vështirësojnë objektivin.

    Ndeshje interesante priten edhe në Holandë, ku Feyenoordi do të presë Interin, ndërsa Bodo/Glimt do të takohet me Lille. Në program është edhe përballja ndërmjet LASK-ut dhe Slovan Bratislavës.

    Me nëntë takime në program dhe shumë skuadra pretendente në fushë, kjo e martë pritet të jetë një tjetër mbrëmje e zjarrtë në Ligën e Kampionëve, ku çdo pikë mund të ketë rëndësi të madhe në rrugëtimin drejt fazës së ardhshme të garës.

  • Ermal Krasniqi shpërblehet për paraqitjen fantastike, përfshihet në formacionin e javës në Turqi

    Ermal Krasniqi shpërblehet për paraqitjen fantastike, përfshihet në formacionin e javës në Turqi

    Ermal Krasniqi po vazhdon të lërë gjurmë te Amedspori, ndërsa paraqitjet e tij të mira janë shpërblyer me një tjetër vlerësim në futbollin turk.

    Futbollisti i Kombëtares së Kosovës është përfshirë në formacionin më të mirë të javës së 10-të në Superligën e Turqisë, pas paraqitjes mbresëlënëse në fitoren 5-1 të Amedsporit ndaj Eyupsporit.

    Krasniqi ishte ndër lojtarët më të dalluar të ndeshjes, duke zhbllokuar rezultatin që në minutën e 13-të. Reprezentuesi kosovar realizoi një gol të bukur me këmbën e majtë, duke i dhënë skuadrës së tij epërsinë e hershme.

    Ai e nisi takimin nga minuta e parë dhe luajti për 55 minuta, ndërsa paraqitja e tij u vlerësua me notën 8.3 nga platforma e statistikave Sofascore.

    Përveç golit të realizuar, 28-vjeçari regjistroi dy goditje në drejtim të portës, 43 prekje të topit dhe dy driblime të suksesshme nga po aq tentativa. Gjithashtu, ai fitoi shtatë duele gjatë minutave të kaluara në fushë.

    Performanca e tillë i siguroi Krasniqit një vend në formacionin ideal të javës, ku është përzgjedhur në krahun e djathtë të mbrojtjes, me notën 8.3.

    Krasniqi po përshtatet gjithnjë e më mirë në rolin e tij të ri, pasi këtë sezon te Amedspori po aktivizohet kryesisht si mbrojtës i djathtë, ndonëse gjatë karrierës ka luajtur kryesisht në pozita më të avancuara.

    Në dhjetë ndeshje të zhvilluara në Superligën turke këtë edicion, ai ka kontribuar me një gol dhe dy asistime.

    Ndërkohë, fitorja bindëse ndaj Eyupsporit ka pasur ndikim edhe në renditjen tabelare për Amedsporin. Skuadra e Krasniqit është ngjitur në vendin e dytë me 23 pikë, vetëm dy më pak se lideri Galatasaray.

    Me formën që po kalon dhe kontributin e tij në skuadër, Ermal Krasniqi po dëshmon se mund të jetë një nga lojtarët kyç të Amedsporit në vazhdim të sezonit.