ATV

Category: Sport

  • Agron Kolaj shpërblehet me çmimin “Ylli i Javës” për xhiron e 12-të

    Agron Kolaj shpërblehet me çmimin “Ylli i Javës” për xhiron e 12-të

    Portieri i FC Feronikeli 74, Agron Kolaj, është përzgjedhur “Ylli i Javës” për xhiron e 12-të të Albi Mall Superligës së Kosovës, pas paraqitjes së tij të shkëlqyer në përballjen ndaj FC Malishevës.

    Në ndeshjen që përfundoi me rezultat të barabartë 0:0, Kolaj ishte një nga figurat kryesore të skuadrës, duke treguar siguri të lartë mes shtyllave dhe duke realizuar disa pritje vendimtare.

    Falë reagimeve të shpejta, përqendrimit dhe ndërhyrjeve të tij të sakta, portieri i Feronikelit arriti ta mbajë portën të paprekur, duke ndihmuar skuadrën të marrë një pikë të rëndësishme në këtë xhiro.

    Çmimi tradicional “Ylli i Javës”, i ndarë nga Federata e Futbollit e Kosovës në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, i është ndarë Kolajt pas vlerësimit të Komisionit të Veteranëve të Futbollit.

    Ky çmim vjen si vlerësim për paraqitjen e tij dhe kontributin e dhënë në suksesin e skuadrës.

  • Lakers këndellen me fitore, Warriors regjistrojnë triumfin e katërt radhazi në NBA

    Lakers këndellen me fitore, Warriors regjistrojnë triumfin e katërt radhazi në NBA

    Mëngjesin e sotëm janë luajtur dy ndeshje në kuadër të ligës më të fortë të basketbollit në botë, NBA.

    Los Angeles Lakers janë këndellur me fitore pas triumfit ndaj Toronto Raptors me rezultat 131-125.

    Luka Doncic ishte i pandalshëm, duke shënuar plot 45 pikë, 15 kërcime e gjashtë asistime.

    Derisa te skuadra humbëse u dalluan RJ Barrett me 22 pikë, 10 kërcime e pesë asistime dhe Jamison Battle me 20 pikë.

    Kujtojmë që Lakers renditen në pozitën e katërt në Konferencën e Perëndimit, derisa Raptors në pozitën e pestë në Lindje.

    Në ndeshjen tjetër, Golden State Warriors kanë shënuar fitoren e katërt radhazi, pasi mundën Los Angeles Clippers me shifrat 124-112.

    Yaxel Lendeborg udhëhoqi skuadrën e tij drejt fitores me 37 pikë, derisa De’Anthony Melton shtoi 21 pikë.

    Nga ana tjetër, Rui Hachimura ishte më efikasi me 24 pikë e shtatë kërcime, por që nuk mjaftuan për fitore.

    Warriors pozicionohen në vendin e nëntë në tabelën e Perëndimit, derisa Clippers në pozitën e 13-të.

  • Drilon Hajrizi shpallet Lojtari i Javës në FIBA Europe Cup

    Drilon Hajrizi shpallet Lojtari i Javës në FIBA Europe Cup

    Drilon Hajrizi po vazhdon të shkëlqejë në arenën evropiane, duke marrë një vlerësim të rëndësishëm për paraqitjet e tij me fanellën e Trepçës.

    Basketbollisti mitrovicas është shpallur Lojtari i Javës së katërt në FIBA Europe Cup, pas një performance të jashtëzakonshme në fitoren e skuadrës së tij ndaj BC Batumi 2010.

    Trepça triumfoi me rezultat bindës 91-70, ndërsa Hajrizi ishte njëri prej basketbollistëve më të dalluar në parket, duke kontribuar në disa aspekte të lojës.

    Ai e përfundoi ndeshjen me 20 pikë të realizuara, tetë kërcime dhe shtatë asistime, duke regjistruar indeks prej 30, statistika që dëshmojnë ndikimin e tij të madh në suksesin e skuadrës mitrovicase.

    Paraqitja e basketbollistit të Trepçës nuk kaloi pa u vënë re as nga tifozët e basketbollit evropian, të cilët patën mundësinë të votojnë për lojtarin e javës.

    Hajrizi mori plot 86 për qind të votave, duke dominuar bindshëm në këtë përzgjedhje dhe duke konfirmuar vlerësimin e madh që gëzon për paraqitjet e tij.

    Ky çmim përbën një tjetër sukses të rëndësishëm për basketbollistin kosovar dhe për Trepçën, e cila po vazhdon të përfaqësojë basketbollin e Kosovës në garat evropiane.

  • Messi vazhdon të magjepsë botën, gol spektakolar dhe asistim në fitoren e Inter Miamit

    Messi vazhdon të magjepsë botën, gol spektakolar dhe asistim në fitoren e Inter Miamit

    Lionel Messi vazhdon të dëshmojë se mosha është vetëm një numër, pasi edhe në moshën 39-vjeçare po dhuron paraqitje të jashtëzakonshme në futbollin amerikan.

    Ylli argjentinas ishte protagonisti kryesor në fitoren e Inter Miamit me rezultat 2-1 ndaj Neë England Revolution, duke realizuar një gol fantastik dhe duke regjistruar edhe një asistim.

    Inter Miami fillimisht u gjend në disavantazh, por kapiteni argjentinas mori përgjegjësinë dhe ndihmoi skuadrën të rikthehej në lojë.

    Në minutën e 69-të, Messi asistoi për German Berteramen, i cili realizoi golin e barazimit për 1-1.

    Megjithatë, momenti më i bukur i mbrëmjes erdhi në minutën e 83-të, kur tetë herë fituesi i Topit të Artë realizoi një gol spektakolar.

    Messi përshkoi një pjesë të fushës, dribloi disa kundërshtarë dhe pas një kombinimi me bashkëlojtarin, e dërgoi topin në rrjetë, duke vulosur fitoren e Inter Miamit.

    Ky ishte goli i 937-të në karrierën e tij profesionale, një tjetër shifër mbresëlënëse për njërin prej futbollistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

    Megjithatë, vetë argjentinasi nuk i kushton shumë rëndësi rekordeve personale.

    I pyetur për këtë arritje, Messi u shpreh se nuk është duke ndjekur asgjë, dhe se këto këto rekorde nuk I interesojnë shumë. Ai tha se dua vetëm t’i shijoj ndeshjet.

    Kështu, Messi vazhdon të jetë vendimtar për Inter Miamin, duke dëshmuar se magjia e tij në futboll nuk njeh moshë.

  • Milot Rashica rikthehet në fushë pas lëndimit, merr minutat e para me Besiktasin

    Milot Rashica rikthehet në fushë pas lëndimit, merr minutat e para me Besiktasin

    Futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Milot Rashica, është rikthyer në fushën e gjelbër pas një periudhe mungese për shkak të lëndimit që pësoi gjatë angazhimit me Kombëtaren.

    Sulmuesi kosovar regjistroi minutat e para me fanellën e Besiktasit, duke u inkuadruar në lojë në minutën e 83-të të takimit ndaj Kasimpasas, i cili përfundoi me rezultat 2-2.

    Rikthimi i Rashicës është një lajm pozitiv si për klubin turk, ashtu edhe për Kombëtaren e Kosovës, pasi futbollisti kishte munguar në disa ndeshje të rëndësishme për shkak të një dëmtimi muskulor.

    Lëndimi kishte ndodhur në ndeshjen e Kosovës ndaj Austrisë, ku Rashica ishte inkuadruar në pjesën e dytë, por u detyrua të largohej nga fusha vetëm pak minuta më vonë.

    Si pasojë, ai mungoi në pesë ndeshjet e fundit të Besiktasit, përfshirë edhe angazhimet në garat evropiane.

    Tashmë, pas rikthimit në aksion, mbetet të shihet se sa shpejt do të arrijë të rikthehet në formën optimale dhe të sigurojë një vend në formacionin titullar të skuadrës turke.

    Ndërkohë, vëmendja është edhe te Kombëtarja e Kosovës, pasi ende nuk dihet nëse përzgjedhësi Franco Foda do ta përfshijë Rashicën në listën e futbollistëve për ndeshjet e nëntorit ndaj Izraelit dhe Irlandës.

    Rikthimi i tij në fushë është padyshim një sinjal inkurajues për Dardanët, të cilët shpresojnë ta kenë sulmuesin në dispozicion për sfidat e ardhshme.

  • Kimi Antonelli shkruan historinë në Formula 1, shpallet kampion bote në moshën 20-vjeçare

    Kimi Antonelli shkruan historinë në Formula 1, shpallet kampion bote në moshën 20-vjeçare

    Kimi Antonelli ka hyrë në historinë e Formula 1, duke u shpallur kampion bote në moshën vetëm 20-vjeçare dhe duke u bërë piloti më i ri që fiton titullin më të madh në këtë sport.

    Piloti italian i Mercedesit e siguroi matematikisht titullin e sezonit 2026 në Çmimin e Madh të Meksikës, katër gara para përfundimit të kampionatit, pas një sezoni të jashtëzakonshëm.

    Antonelli e përfundoi garën në pozitën e tretë, rezultat që i mjaftoi për të siguruar pikët e nevojshme dhe për të lënë pas të gjithë rivalët në garën për titullin.

    Me këtë sukses, italiani theu rekordin e Sebastian Vettel, i cili ishte 23-vjeçar kur fitoi kampionatin e tij të parë në vitin 2010.

    Por, ky triumf ka edhe një rëndësi të veçantë për Italinë, pasi Antonelli bëhet kampioni i parë italian në Formula 1 që nga legjenda Alberto Ascari, në vitin 1953.

    Dominimi i tij këtë sezon ka qenë mbresëlënës, me nëntë fitore në 19 gara të zhvilluara, duke lënë pas edhe bashkëlojtarin George Russell, i cili në fillim të kampionatit konsiderohej favorit për titull.

    Pjekuria dhe talenti i tij janë vlerësuar edhe nga ish-drejtuesi i Haas, Guenther Steiner, i cili theksoi se Antonelli ka tejkaluar të gjitha pritshmëritë.

    Kështu, në vetëm sezonin e dytë në Formula 1, Kimi Antonelli arrin atë që shumë pilotë ëndërrojnë gjatë gjithë karrierës: bëhet kampion bote dhe shkruan një kapitull të ri në historinë e këtij sporti.

  • Mediat italiane: Edon Zhegrova meriton më shumë minuta te Juventusi

    Mediat italiane: Edon Zhegrova meriton më shumë minuta te Juventusi

    Paraqitjet e fundit të Edon Zhegrovës me fanellën e Juventusit kanë tërhequr vëmendjen e mediave italiane, të cilat po i bëjnë thirrje trajnerit Luciano Spalletti që t’i besojë më shumë minuta yllit të Përfaqësueses së Kosovës.

    Sulmuesi kosovar po dëshmon se mund të jetë një armë e rëndësishme për “Zonjën e Vjetër”, sidomos me shpejtësinë, teknikën dhe aftësinë e tij për të krijuar raste në fazën ofensive.

    Në përballjen ndaj Napolit, Zhegrova la gjurmë të rëndësishme, duke kontribuar në fitoren 2-0 të Juventusit. Hyrja e tij në lojë solli më shumë rrezik në sulmin bardhezi, ndërsa driblimet dhe tentimet e tij vendosën vazhdimisht në vështirësi mbrojtjen kundërshtare.

    Ajo që ka rënë veçanërisht në sy është ndikimi i menjëhershëm i kosovarit, i cili në një periudhë të shkurtër arriti të krijonte më shumë rrezik sesa disa prej sulmuesve të tjerë të Juventusit.

    Pikërisht për këtë arsye, mediat e njohura italiane dhe evropiane kanë vlerësuar paraqitjen e tij, duke theksuar se Spalletti duhet t’i japë më shumë hapësirë në formacion.

    Edhe pse konkurrenca në repartin ofensiv të Juventusit është e madhe, Zhegrova po shfrytëzon çdo mundësi për të dëshmuar vlerat e tij dhe për të bindur trajnerin se meriton një rol më të rëndësishëm në skuadër.

    Tashmë mbetet të shihet nëse Spalletti do t’i përgjigjet këtyre vlerësimeve dhe do t’i japë më shumë minuta yllit kosovar në ndeshjet e ardhshme.

  • Ermal Krasniqi shkëlqen në Turqi, shënon gol në fitoren 5-1 të Amedspor ndaj Eyupsporit

    Ermal Krasniqi shkëlqen në Turqi, shënon gol në fitoren 5-1 të Amedspor ndaj Eyupsporit

    Ermal Krasniqi ishte një nga protagonistët kryesorë në fitoren e thellë të Amedsporit ndaj Eyupsporit me rezultatin 5-1, në një ndeshje ku futbollisti kosovar la gjurmën e tij edhe në listën e golashënuesve.

    Anësori, i cili këtë sezon po aktivizohet në rolin e mbrojtësit të djathtë, zhbllokoi rezultatin në pjesën e parë, duke realizuar golin e parë të takimit me një goditje të bukur me këmbën e majtë.

    Krasniqi e nisi sfidën si titullar dhe qëndroi në fushë për 55 minuta, përpara se të zëvendësohej nga trajneri Besnik Hasi, në një takim ku Amedspori arriti të siguronte një fitore bindëse.

    Përveç golit, 26-vjeçari regjistroi edhe statistika pozitive, me dy goditje drejt portës, 43 prekje të topit, dy driblime të suksesshme nga po aq tentativa dhe shtatë duele të fituara.

    Paraqitja e tij u vlerësua me notën 8.3 nga platforma SofaScore, duke e renditur ndër futbollistët më të mirë të Amedsporit në këtë përballje.

    Fitorja me pesë gola të shënuar e rikthen Amedsporin në pozitën e dytë të klasifikimit me 23 pikë, vetëm dy më pak se lideri Galatasaray.

    Në këtë takim mungoi një tjetër futbollist kosovar i skuadrës, Lumbardh Dellova, i cili nuk ishte në dispozicion për shkak të kartonëve.

  • Hoffenheim në krizë rezultatesh, Fisnik Asllani: Duhet të reagojmë ndaj Crystal Palace!

    Hoffenheim në krizë rezultatesh, Fisnik Asllani: Duhet të reagojmë ndaj Crystal Palace!

    Hoffenheimi po kalon një periudhë të vështirë në Bundesligë, ndërsa humbja e fundit ndaj Werder Bremenit ka shtuar zhgënjimin në kampin e skuadrës gjermane.

    Ekipi i Fisnik Asllanit dhe Leon Avdullahut u mposht me rezultatin 2-0 në transfertë, në takimin e vlefshëm për javën e tetë të kampionatit. Të dy futbollistët kosovarë e nisën ndeshjen si titullarë dhe qëndruan në fushë deri në minutën e 87-të, ndërsa Albian Hajdari mungoi për shkak të një dëmtimi.

    Hoffenheimi nuk arriti të gjente rrugën drejt rrjetës, ndërsa Werder Bremeni shfrytëzoi mundësitë e tij për të marrë tri pikët. Pas ndeshjes, sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani, e konsideroi takimin të ekuilibruar, duke theksuar se gjithçka u vendos nga goli i parë.

    “Ishte thjesht çështje se kush do ta shënonte golin e parë. Kushdo që do ta bënte, do të fitonte. Kjo ishte ndjesia ime në fushë dhe kështu ndodhi. Këto javë, me ndeshje edhe gjatë mesjavës, janë shumë intensive, si fizikisht ashtu edhe mendërisht. Por ky nuk është justifikim”, u shpreh Asllani.

    Sulmuesi kosovar komentoi edhe momentin e golit të Niclas Füllkrug, duke pranuar se fillimisht kishte menduar se ishte shkaktuar një faull.

    “Kur shënoi Niclas Füllkrug, përshtypja ime e parë ishte se kishte faull, pasi ai përdori duart për të shtyrë. Por në fakt e menaxhoi shumë mirë situatën”, theksoi futbollisti.

    Kjo disfatë erdhi pas një tjetër rezultati negativ për Hoffenheimin, që gjatë javës ishte eliminuar nga Kupa e Gjermanisë, pas humbjes ndaj Holstein Kielit.

    Megjithatë, Asllani nuk mendon se skuadra e tij zhvilloi një paraqitje të dobët ndaj Werder Bremenit. Sipas tij, mungesa e fatit dhe disa episode vendimtare ndikuan në rezultatin përfundimtar.

    “Nuk mendoj se bëmë një ndeshje të keqe. Me pak fat mund të kishim kaluar në avantazh dhe ndeshja do të kishte rrjedhë tjetër. Në një moment, topi u largua pikërisht nga vija e portës. Është një përfundim i hidhur për ne”, u shpreh sulmuesi i Kosovës.

    Megjithatë, Hoffenheimi nuk ka shumë kohë për t’u ndalur te zhgënjimet, pasi e pret një tjetër sfidë e rëndësishme në Ligën e Evropës, ku do të përballet me Crystal Palace.

    Asllani e konsideron këtë takim një mundësi të mirë për të reaguar dhe për të rikthyer skuadrën te rezultatet pozitive.

    “Tani duhet të japim më të mirën ndaj Crystal Palace. Është një ndeshje e madhe, të cilën të gjithë e presim me padurim. Kjo është ana pozitive e këtyre javëve të ngjeshura – kemi mundësinë t’i rregullojmë gjërat shumë shpejt”, përfundoi Fisnik Asllani.

  • Ernest Muçi asiston sërish, sulmuesi shqiptar protagonist te Trabzonspor!

    Ernest Muçi asiston sërish, sulmuesi shqiptar protagonist te Trabzonspor!

    Ernest Muçi po kalon një sezon fantastik në Turqi, ku po konfirmohet gjithnjë e më shumë si një nga protagonistët e kampionatit. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka dhuruar një tjetër asist në duelin që Trabzonspor po zhvillon ndaj Gaziantepit, i vlefshëm për javën e 10-të të Superligës turke.

    Futbollisti shqiptar ishte protagonist në aksionin e golit të avantazhit, duke devijuar me kokë një krosim të Salah nga goditja e këndit. Topi përfundoi te Saviç, i cili nuk gaboi përballë portës, duke e dërguar në rrjetë dhe duke kaluar Trabzonsporin në avantazh.

    Një tjetër kontribut i rëndësishëm për Muçin, i cili po shfaq një formë shumë të mirë këtë sezon, duke u kthyer në një element vendimtar për skuadrën turke me golat dhe asistet e tij.