ATV

Category: SPORT

  • “Allianz Arena” dhe “Camp Nou” presin finalet e Champions League në 2028 dhe 2029

    “Allianz Arena” dhe “Camp Nou” presin finalet e Champions League në 2028 dhe 2029

    UEFA ka zyrtarizuar stadiumet që do të jenë skenë e dy finaleve të ardhshme të Ligës së Kampionëve. Në vitin 2028, finalja do të zhvillohet në Mynih, ndërsa një vit më vonë spektakli më i madh i futbollit evropian do të zhvendoset në Barcelonë.

    “Munich Football Arena”, e njohur në mbarë botën si “Allianz Arena”, është përzgjedhur për të pritur finalen e vitit 2028.

    Kandidatura e qytetit gjerman ishte e vetme në garën për organizimin e finales, duke i dhënë Mynihut të drejtën për të mirëpritur edhe një herë një prej eventeve më të rëndësishme të futbollit evropian.

    Për vitin 2029, UEFA ka zgjedhur Barcelonën. Finalja do të luhet në “Spotify Camp Nou”, i cili aktualisht po kalon nëpër një proces të gjerë rinovimi. Stadiumi katalanas triumfoi ndaj “Wembley”-t në garën për të siguruar organizimin e finales.

    Pas përfundimit të punimeve, “Camp Nou” pritet të ketë një kapacitet prej mbi 104 mijë tifozësh, çka do ta rikthente atë në mesin e stadiumeve më madhështore të Evropës dhe do ta bënte stadiumin me kapacitetin më të madh në kontinent.

    Vendimi për dy finalet u mor nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s gjatë mbledhjes së mbajtur më 15 shtator 2026.

    Kështu, rruga drejt finales së Champions League tashmë është përcaktuar, në vitin 2028, trofeu do të synohet në “Allianz Arena”, ndërsa në vitin 2029, finalja do të rikthehet në “Camp Nou”-n e rinovuar.

  • Assane Diatta shpallet “Ylli i Javës” në Superligë

    Assane Diatta shpallet “Ylli i Javës” në Superligë

    Dy gola, një paraqitje mbresëlënëse dhe një tjetër vlerësim për sulmuesin e FC Prishtinës.

    Assane Diatta ka marrë vëmendjen e radhës në elitën e futbollit kosovar, duke u shpallur “Ylli i Javës” pas përfundimit të xhiros së gjashtë të Albi Mall Superligës.

    Çmimi tradicional, i organizuar nga Federata e Futbollit e Kosovës në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të kampionatit, Albi Mall, i është ndarë kësaj radhe futbollistit të FC Prishtinës, pas një paraqitjeje vendimtare në fitoren 3:0 ndaj FC Feronikelit 74.

    Diatta ishte protagonist i padiskutueshëm i kësaj sfide, duke realizuar dy nga tre golat e Prishtinës dhe duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm gjatë 92 minutave në fushë.

    Performanca e tij ndihmoi Prishtinën të arkëtojë tri pikë të rëndësishme, të cilat e ngjitën skuadrën në krye të tabelës së Albi Mall Superligës.

    Me golat, energjinë dhe ndikimin e tij në lojën e skuadrës, Diatta u vlerësua si një nga figurat kryesore të xhiros, duke merituar kështu çmimin “Ylli i Javës”.

    Përzgjedhja e fituesit është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, i cili vlerësoi paraqitjen e sulmuesit të Prishtinës si më të dalluarën e kësaj jave.

  • Meriton Korenica shënon golin e parë me FCSB-në

    Meriton Korenica shënon golin e parë me FCSB-në

    Meriton Korenica ka nisur të lërë gjurmën e tij te FCSB-ja, duke gjetur golin e parë me fanellën e klubit rumun në një mënyrë spektakolare.

    Futbollisti i Kombëtares së Kosovës ishte protagonist në përballjen ndaj Petrolulit, ku shënoi në minutën e 24-t për t’i dhënë FCSB-së epërsinë 2-1.

    Korenica realizoi pas një aksioni individual të jashtëzakonshëm. Ai fitoi topin në mesfushë dhe u nis me shpejtësi drejt portës kundërshtare, duke depërtuar në zonë dhe duke u përballur me portierin.

    Fillimisht, kosovari provoi ta kalonte portierin, por pas tentimit të parë nuk u ndal. Në përpjekjen e dytë arriti ta anashkalojë atë dhe vazhdoi aksionin deri në fund, duke e shtyrë topin drejt rrjetës dhe duke festuar golin e tij të parë me FCSB-në.

    Pavarësisht avantazhit të krijuar, skuadra rumune nuk arriti ta menaxhonte rezultatin deri në fund. Petroluli reagoi dhe takimi përfundoi me shifrat 2-2.

    Megjithatë, për Korenicën ishte një mbrëmje e veçantë, pasi ai jo vetëm që gjeti golin e parë me klubin e ri, por ishte edhe një prej futbollistëve më të dalluar të FCSB-së.

    Korenica iu bashkua FCSB-së gjatë kësaj vere, pas aventurës së tij te CFR Cluj. Transferimi te një prej klubeve më të njohura të futbollit rumun përbën një tjetër kapitull të rëndësishëm në karrierën e kosovarit.

  • Ermal Krasniqi shkëlqen në Turqi, dy asistime dhe vend në formacionin e javës

    Ermal Krasniqi shkëlqen në Turqi, dy asistime dhe vend në formacionin e javës

    Ermal Krasniqi ka vazhduar me paraqitje të shkëlqyera në futbollin turk, duke u përfshirë në formacionin më të mirë të xhiros së pestë të kampionatit.

    Futbollisti kosovar ishte ndër protagonistët kryesorë në fitoren bindëse të Amedsporit, që triumfoi me rezultat të thellë 5-0 në shtëpi ndaj Istanbul Basaksehirit.

    Ajo që e bën edhe më të veçantë paraqitjen e Krasniqit është fakti se 28-vjeçari u aktivizua në një rol jo të zakonshëm për të, si mbrojtës i krahut të djathtë. Megjithatë, pozita e re nuk e pengoi aspak që të ishte një nga lojtarët më të dalluar në fushë.

    Krasniqi dha dy asistime, duke qenë vendimtar në dy prej golave të Amedsporit. Ai shërbeu Gift Orbanin për golin e tretë dhe të katërt, duke dëshmuar edhe një herë aftësitë e tij në fazën ofensive.

    Paraqitja e tij u vlerësua maksimalisht edhe nga platforma e statistikave Sofascore, e cila i dha notën 9.0. Ky vlerësim i lartë i siguroi Krasniqit një vend në formacionin më të mirë të xhiros së pestë.

    Në këtë fitore të Amedsporit spikati edhe një tjetër futbollist kosovar, Lumbardh Dellova. Mbrojtësi zhvilloi një ndeshje të sigurt në repartin defensiv dhe ndihmoi skuadrën të përfundonte takimin pa pranuar gol.

    Kështu, dyshja kosovare Krasniqi-Dellova patën një rol të rëndësishëm në fitoren e thellë të Amedsporit, ndërsa paraqitja e Krasniqit u shpërblye edhe me përfshirjen në 11-shen më të mirë të javës.

  • Rrahmani dhe Zhegrova shkëlqejnë në Serie A, dy kosovarët përfshihen në formacionin e javës

    Rrahmani dhe Zhegrova shkëlqejnë në Serie A, dy kosovarët përfshihen në formacionin e javës

    Java e katërt e kampionatit italian Serie A ka sjellë një tjetër moment të veçantë për futbollin kosovar, pasi Amir Rrahmani dhe Edon Zhegrova janë përfshirë në formacionin më të mirë të javës.

    Dy futbollistët e Kosovës patën paraqitje të spikatura me skuadrat e tyre, duke lënë gjurmë në një javë ku emrat e tyre u renditën mes më të mirëve të kampionatit italian.

    Amir Rrahmani ishte titullar në fitoren minimale të Napolit, 1-0 ndaj Bolognas, ku zhvilloi një ndeshje të sigurt në qendër të mbrojtjes. Për paraqitjen e tij, mbrojtësi kosovar u vlerësua me notën 7.7 nga Sofascore.

    Kapiteni i Kosovës kompletoi 63 pasime me saktësi prej 91 për qind, ndërsa regjistroi edhe tri spastrime të topit nga zona. Rrahmani fitoi gjithashtu tetë duele ajrore, duke qenë një prej lojtarëve më të rëndësishëm në ruajtjen e portës së Napolit të paprekur.

    Në krahun tjetër, Edon Zhegrova ishte protagonisti kryesor i Juventusit në ndeshjen ndaj Sassuolos. 27-vjeçari e nisi takimin nga banka rezervë, por hyrja e tij në minutën e 60-të ndryshoi ndjeshëm paraqitjen e tij personale.

    Në vetëm 30 minuta lojë, Zhegrova arriti të shënojë dy gola, duke qenë lojtari më i dalluar i Juventusit, pavarësisht humbjes së skuadrës torineze.

    Paraqitja e tij spektakolare u vlerësua me notën 9.2 nga Sofascore, ndërsa kosovari u shpall edhe “Lojtari i Ndeshjes”.

    Zhegrova pati tri goditje drejt portës së Aro Muric, me dy prej tyre që përfunduan në rrjetë. Ai kompletoi edhe 12 pasime dhe krijoi një mundësi të madhe për gol, duke dhënë kontribut edhe në fazën defensive.

    Dy golat ndaj Sassuolos ishin të parët për Zhegrovën me fanellën e Juventusit në Serie A. Paraqitja e tij mund të jetë një sinjal i rëndësishëm për vazhdimin e sezonit, teksa sulmuesi kosovar synon të fitojë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm te “Bianconerët”.

    Me Rrahmanin të sigurt në prapavijë dhe Zhegrovën shpërthyes në sulm, futbollistët kosovarë vazhdojnë të jenë protagonistë në elitën e futbollit italian.

  • Rexhbeçaj në dyshim për Ligën e Kombeve, pritet të mësohet shkalla e lëndimit

    Rexhbeçaj në dyshim për Ligën e Kombeve, pritet të mësohet shkalla e lëndimit

    Kombëtarja e Kosovës mund të përballet me një mungesë të rëndësishme në ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve, pasi mesfushori Elvis Rexhbeçaj ka pësuar lëndim.

    Futbollisti prizrenas u dëmtua të premten, pa pasur kontakt me ndonjë lojtar kundërshtar. Ai pritet t’i nënshtrohet testeve të tjera mjekësore për të përcaktuar shkallën e saktë të lëndimit dhe kohën e rikuperimit.

    Sipas mediumit gjerman “Liga-Zwei”, aktualisht nuk dihet se sa gjatë do të jetë Rexhbeçaj jashtë fushave. Megjithatë, në klub ekziston optimizmi se gjendja e tij mund të përmirësohet.

    “Rexhbeçaj ka pësuar lëndim në këmbë të premten, pa kontakt me ndonjë lojtar tjetër. Ai mund të mungojë për një periudhë të gjatë. Testet e para nuk kanë dhënë rezultate përfundimtare, ndaj të hënën do t’i nënshtrohet ekzaminimeve të tjera, të cilat do të përcillen nga afër”, raporton mediumi gjerman.

    Po ashtu, “Liga-Zwei” thekson se ende ekziston shpresa që situata të përmirësohet, ndonëse nuk përjashtohet mundësia që mesfushori të mungojë edhe në ndeshjen e radhës ndaj Darmstadtit.

    Rexhbeçaj ka qenë një nga lojtarët më në formë të Wolfsburgut që prej rikthimit te klubi ku u rrit. Ai ka qenë titullar në pesë ndeshjet e fundit të skuadrës në Bundesliga 2.

    Nëse lëndimi rezulton të jetë serioz, kjo do të ishte një goditje për Kosovën, e cila në shtator nis aventurën në Ligën e Kombeve. “Dardanët” ndeshjen e parë do ta zhvillojnë më 24 shtator ndaj Irlandës.

  • Zhegrova shkëlqen me dy gola, vlerësohet me notën më të lartë te Juventusi

    Zhegrova shkëlqen me dy gola, vlerësohet me notën më të lartë te Juventusi

    Edon Zhegrova ka lënë gjurmë në ndeshjen e djeshme të Juventusit ndaj Sassuolos, duke realizuar dy gola pas inkuadrimit në fushë.

    Futbollisti kosovar e nisi takimin nga banka rezervë, ndërsa në minutën e 60-të iu dha mundësia të hyjë në lojë.

    Zhegrova nuk e shpërdoroi rastin dhe shumë shpejt u shndërrua në një prej protagonistëve kryesorë të Juventusit, duke tundur rrjetën në dy raste.

    Edhe pse Juventusi në fund u mposht me rezultat 3-2, paraqitja individuale e Zhegrovës ishte mbresëlënëse dhe mori vlerësime të larta.

    “SofaScore” e vlerësoi yllin kosovar me 9.3, duke e renditur ndër lojtarët më të dalluar të takimit.

    Ndërkohë, kjo paraqitje vjen në një moment të rëndësishëm edhe për Kombëtaren e Kosovës. Zhegrova raportohet se ende nuk ka marrë ftesë nga përzgjedhësi Franco Foda për ndeshjet e Ligës së Kombeve.

    Pas një dygolëshi ndaj Sassuolos, mbetet të shihet nëse forma e tij me Juventusin do të mjaftojë për ta bindur Fodën që ta rikthejë në listën e Kosovës.

    60 minuta pritje, dy gola dhe një notë 9.3, Zhegrova dha përgjigjen e tij në fushë.

  • Zverev kurorëzohet kampion i US Openit, mposht Sheltonin në finale

    Zverev kurorëzohet kampion i US Openit, mposht Sheltonin në finale

    Alexander Zverev është shpallur kampion i US Openit, pasi në finale mposhti amerikanin Ben Shelton dhe siguroi një tjetër trofe të madh në një vit fantastik për të.

    Gjermani, bartësi i parë i turneut, triumfoi me rezultat 6-3, 7-6, 5-7, 6-2, në një finale që solli emocione të mëdha në “Arthur Ashe Stadium”.

    Zverev e nisi ndeshjen në mënyrë perfekte, duke fituar dy setet e para. Shelton reagoi në të tretin dhe arriti ta ngushtojë diferencën, duke fituar setin 7-5 dhe duke rikthyer shpresat e publikut amerikan.

    Por në setin e katërt, Zverev tregoi edhe një herë qetësinë dhe klasën e tij. Ai e theu menjëherë shërbimin e Sheltonit dhe më pas kontrolloi plotësisht ndeshjen, duke e mbyllur setin 6-2 dhe finalen në favor të tij.

    Ky triumf ka një rëndësi të veçantë për Zverevin, pasi gjermani më në fund i dha fund pritjes pas disa zhgënjimeve në finalet e Grand Slameve. Ai gjithashtu la pas kujtimin e hidhur të finales së US Openit të vitit 2020, kur ishte shumë pranë titullit, por humbi ndaj Dominic Thiem.

    Për Ben Sheltonin, humbja ishte veçanërisht e dhimbshme. Amerikani 23-vjeçar kishte eliminuar Carlos Alcarazin në çerekfinale dhe Frances Tiafoen në gjysmëfinale, duke shpresuar të bëhej amerikani i parë pas 23 vitesh që fiton një Grand Slam.

    Megjithatë, në fund Zverev ishte më i fortë.

    Pas Roland Garrosit dhe finales së Wimbledonit, triumfi në New York e bën vitin 2026 një prej sezoneve më të rëndësishme të karrierës së tij.

    Tashmë, Zverev ka edhe një tjetër objektiv, kreun e renditjes ATP, ku aktualisht ndodhet pas Jannik Sinnerit.

  • Dy sfida interesante në Superligë, Ballkani dhe Llapi kërkojnë pikët e plota

    Dy sfida interesante në Superligë, Ballkani dhe Llapi kërkojnë pikët e plota

    Superliga e Kosovës rikthehet këtë të hënë me dy përballje interesante, të vlefshme për xhiron e gjashtë të kampionatit.

    Në Suharekë, Ballkani do të ketë përballë Dukagjinin, në një duel që pritet të sjellë rivalitet dhe emocione deri në fund.

    Skuadra nga Thëranda do të kërkojë rikthimin te rezultatet pozitive, ndërsa Dukagjini vjen me një seri të mirë pas vetes. Klinasit nuk njohin humbje në pesë ndeshjet e fundit dhe synojnë ta vazhdojnë këtë ecuri edhe në transfertën ndaj Ballkanit.

    Një tjetër përballje interesante do të zhvillohet në stadiumin “Zahir Pajaziti”, ku Llapi do ta presë Malishevën.

    Llapi më në fund e shijoi fitoren e parë në kampionat në xhiron e kaluar ndaj Vushtrrisë dhe tani synon të ndërtojë një seri pozitive. Në anën tjetër, Malisheva do të kërkojë reagim pas humbjes së fundit, me synimin për të shmangur një tjetër rezultat negativ radhazi.

    Të dyja ndeshjet janë në program të zhvillohen nga ora 16:00.

  • Shtyhet finalja e Superkupës së Kosovës mes Trepçës dhe Bashkimit

    Shtyhet finalja e Superkupës së Kosovës mes Trepçës dhe Bashkimit

    Finalja e ProCredit Superkupës së Kosovës 2026 nuk do të zhvillohet sipas planit fillestar.

    Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka bërë të ditur se përballja mes Trepçës dhe Bashkimit, e paraparë për 15 shtator, është shtyrë për një datë tjetër.

    Pas kërkesës së bërë nga Komuna e Rahovecit, Bordi i FBK-së ka vendosur që finalja të zhvillohet më 29 ose 30 shtator 2026, në Palestrën Sportive “Mizahir Isma” në Rahovec.

    Sipas FBK-së, kërkesa për shtyrjen e ndeshjes lidhet me çështje teknike dhe organizative, me synimin që të krijohen të gjitha kushtet e nevojshme për një organizim sa më të mirë të finales.

    Megjithatë, ende nuk është përcaktuar saktësisht se në cilën prej dy datave do të zhvillohet sfida dhe as ora e fillimit.

    FBK ka bërë të ditur se data dhe koha përfundimtare do të caktohen pas koordinimit me Komunën e Rahovecit dhe KB Rahovecin 029, ndërsa vendimi do t’i komunikohet me kohë opinionit publik.

    Kështu, tifozët e Trepçës dhe Bashkimit do të duhet të presin edhe disa ditë për ta mësuar datën definitive të finales së Superkupës.