ATV

Category: Sport

  • Ballkani shpërthen ndaj Drenicës, triumfon me rezultat të thellë 4-0

    Ballkani shpërthen ndaj Drenicës, triumfon me rezultat të thellë 4-0

    Ballkani ka regjistruar fitore bindëse me rezultat 4-0 ndaj Drenicës, në ndeshjen e vlefshme për javën e 12-të të Albi Mall Superligës së Kosovës.

    Skuadra e drejtuar nga Sami Sermaxhaj ka vazhduar me rezultate pozitive në kampionat, duke triumfuar kësaj radhe ndaj ekipit të Gentjan Mezanit.

    Therandasit e nisën më mirë takimin, duke krijuar disa raste të rrezikshme që në pjesën e parë. Epërsinë vendasve ua siguroi Albin Berisha, i cili shënoi në minutën e 20-të për 1-0. Ballkani arriti të shënonte edhe një herë në minutën e 44-t, por goli u anulua pas ndërhyrjes së sistemit VAR.

    Në pjesën e dytë, vendasit vazhduan me lojë të mirë dhe shumë shpejt e dyfishuan epërsinë. Ishte përsëri Albin Berisha, i cili në minutën e 47-të realizoi për 2-0.

    Dominimi i Ballkanit vazhdoi edhe në minutat në vijim, ndërsa në minutën e 64-t Giovanni realizoi një gol të bukur pas asistimit të Valentin Serebes, duke e çuar rezultatin në 3-0.

    Vetëm katër minuta më vonë, Diar Vokrri shënoi golin e katërt për Ballkanin, duke vulosur fitoren bindëse të skuadrës vendase me rezultat 4-0.

    Me këtë triumf, Ballkani shkon në kuotën e 16 pikëve dhe renditet në pozitën e gjashtë, ndërsa Drenica mbetet në vendin e shtatë me 11 pikë.

    Në xhiron e ardhshme, Ballkani do të përballet në udhëtim me Feronikelin ’74, kurse Drenica do të jetë nikoqire e Dritës.

  • Derbi Prishtina – Trepça në qendër të vëmendjes, këtë fundjavë zhvillohet xhiroja e shtatë e ProCredit Superligës

    Derbi Prishtina – Trepça në qendër të vëmendjes, këtë fundjavë zhvillohet xhiroja e shtatë e ProCredit Superligës

    ProCredit Superliga e Kosovës në basketboll vazhdon këtë fundjavë me ndeshjet e xhiros së shtatë, e cila njëkohësisht shënon përfundimin e rrethit të parë të garave. Në program janë katër përballje, ndërsa vëmendja kryesore do të jetë te derbi i madh ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Trepçës.

    Xhiroja hapet të shtunën, nga ora 17:00, në palestrën “13 Qershori”, ku Golden Eagle Ylli do të përballet me Rahovecin 029. Therandasit synojnë të rikthehen te fitorja pas humbjes nga Trepça, ndërsa mysafirët vijnë në këtë takim me moral të lartë, pas dy fitoreve radhazi ndaj Pejës dhe Vëllaznimit.

    Përballja e dytë e së shtunës zhvillohet nga ora 19:30 në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë, ku Vëllaznimi pret Bashkimin. Skuadra vendase ka regjistruar vetëm një fitore në gjashtë ndeshjet e para dhe do të kërkojë rezultat pozitiv para tifozëve të saj.

    Të dielën, nga ora 17:00, Peja do të jetë nikoqire e Borës. Pejanët synojnë t’i japin fund serisë prej katër humbjeve radhazi në kampionat, ndërsa Bora udhëton drejt Pejës pas fitores bindëse 76:57 ndaj Sigal Prishtinës.

    Ndeshja kryesore e kësaj xhiroje zhvillohet të dielën nga ora 19:30, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, ku Sigal Prishtina përballet me Trepçën.

    Prishtinasit kanë regjistruar tri fitore dhe tri humbje, ndërsa kampionët në fuqi të Trepçës kanë katër fitore dhe dy humbje. Mitrovicasit vijnë në këtë derbi pas tri fitoreve radhazi në kampionat dhe suksesit ndaj BC Batumi 2010 në FIBA Europe Cup.

    Në anën tjetër, Sigal Prishtina kërkon rikthimin te rezultatet pozitive pas humbjes nga Bora. Përballjet ndërmjet këtyre dy rivalëve tradicionalë gjithmonë kanë sjellë rivalitet dhe emocione, ndaj edhe këtë herë pritet një atmosferë e veçantë në kryeqytet.

  • Milani dhe Interi arrijnë marrëveshje prej 650 milionë eurosh, stadiumi i ri do të quhet “Generali Stadium”

    Milani dhe Interi arrijnë marrëveshje prej 650 milionë eurosh, stadiumi i ri do të quhet “Generali Stadium”

    Milani dhe Interi kanë arritur marrëveshje me kompaninë e sigurimeve Generali për të drejtat e emërtimit të stadiumit të tyre të ri, i cili do të mbajë emrin “Generali Stadium”.

    Sipas raportimeve të ESPN-së, marrëveshja kap vlerën e 650 milionë eurove për një periudhë prej 20 vjetësh, duke u renditur ndër marrëveshjet më të mëdha për të drejtat e emërtimit të një stadiumi në historinë e sportit.

    Dy klubet nga Milano janë të vendosura të largohen nga stadiumi legjendar “San Siro”, për t’i hapur rrugë ndërtimit të një impianti të ri, i cili do të ketë kapacitet prej 71.500 ulësesh.

    Stadiumi i ri do të ndërtohet pranë objektit aktual, në një hapësirë që aktualisht shfrytëzohet si parking. Projekti është realizuar nga kompanitë projektuese Foster+Partners dhe MANICA, ndërsa arkitektura e tij do të frymëzohet nga katedralja e famshme e Milanos, Duomo.

    Punimet për ndërtimin e stadiumit pritet të nisin në vitin 2028, ndërsa ndeshja e parë synohet të zhvillohet në sezonin 2031/32, në varësi të marrjes së të gjitha miratimeve të nevojshme.

    Milani dhe Interi e kanë blerë tokën nga Komuna e Milanos për 197 milionë euro, ndërsa projekti mbështetet nga pronarët e dy klubeve, RedBird Capital Partners dhe Oaktree.

    Me këtë projekt, dy gjigantët italianë synojnë të krijojnë një stadium modern, i cili jo vetëm do të zëvendësojë “San Siron” legjendar, por edhe do të shërbejë si një burim i rëndësishëm të ardhurash për të ardhmen e tyre.

  • Barcelona dhe Real Madridi në garë për Pedro Porron, Tottenhami kërkon mbi 60 milionë euro

    Barcelona dhe Real Madridi në garë për Pedro Porron, Tottenhami kërkon mbi 60 milionë euro

    Pedro Porro mund të jetë një nga emrat më të kërkuar në afatin kalimtar të verës së vitit 2027. Mbrojtësi i djathtë i Tottenhamit ka përfunduar në radarin e dy gjigantëve të futbollit spanjoll, Barcelonës dhe Real Madridit.

    Sipas raportimeve, presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, e sheh 27-vjeçarin si një përforcim të rëndësishëm për krahun e djathtë të mbrojtjes, ndërsa interesim për të ka shfaqur edhe presidenti i Real Madridit, Florentino Perez.

    Barcelona e ka ndjekur prej kohësh situatën e reprezentuesit spanjoll, ndërsa drejtori sportiv Deco kishte kërkuar informacione për të edhe gjatë afatit kalimtar të verës së kaluar.

    Në anën tjetër, Real Madridi po kërkon zgjidhje për pozitën e mbrojtësit të djathtë, pasi deri më tani nuk ka gjetur qëndrueshmërinë e dëshiruar në këtë repart. Në disa ndeshje, Federico Valverde është detyruar të luajë në këtë pozitë, duke u larguar nga roli i tij i zakonshëm në mesfushë.

    Porro shihet si një alternativë ideale për të sjellë një specialist në krahun e djathtë. Ai ishte ndër lojtarët më të angazhuar të Tottenhamit gjatë sezonit 2025/26, duke regjistruar 47 paraqitje në të gjitha garat.

    Megjithatë, transferimi i tij nuk pritet të jetë aspak i lehtë. Tottenhami ia ka vazhduar kontratën deri në vitin 2031, me mundësi zgjatjeje edhe për një sezon tjetër, duke e vendosur veten në një pozitë të favorshme negociuese.

    Sipas raportimeve, klubi londinez kërkon mbi 60 milionë euro për kartonin e mbrojtësit spanjoll, shumë kjo që do t’i detyronte Barcelonën dhe Real Madridin të bënin një investim të konsiderueshëm.

    Edhe trajneri Roberto De Zerbi e konsideron Porron një futbollist të rëndësishëm për planet e tij, ndaj Tottenhami nuk ka ndërmend ta lehtësojë largimin e tij.

    Vetë lojtari nuk e ka fshehur dëshirën për t’u rikthyer një ditë në futbollin spanjoll. Në një intervistë për emisionin “El Larguero”, ai ka pranuar se do të dëshironte të luante sërish në vendlindje, por ka theksuar se deri më tani nuk ka marrë ndonjë ofertë konkrete nga klubet spanjolle.

    Mbetet të shihet nëse Barcelona apo Real Madridi do të ndërmarrin hapa konkretë për transferimin e tij, në një garë që mund të marrë formë gjatë verës së vitit 2027.

  • Akil Gjakova synon medaljen e bronztë në Grand Slamin e Abu Dhabit

    Akil Gjakova synon medaljen e bronztë në Grand Slamin e Abu Dhabit

    Xhudisti kosovar Akil Gjakova e ka nisur me dy fitore paraqitjen në Grand Slamin e xhudos në Abu Dabi, por është ndalur në çerekfinale. Megjithatë, garuesi pejan ende ka mundësi për medalje, pasi do ta kërkojë të bronztën përmes repesazhit.

    Gjakova, i cili garon në kategorinë deri në 73 kilogramë, ishte i lirë në xhiron e parë, ndërsa në xhiron e dytë arriti të mposhtë me ‘ippon’ izraelitin Ohad Moritz.

    Në xhiron e tretë, xhudisti kosovar u përball me një kundërshtar shumë të fortë, bartësin e parë të garës dhe nënkampionin aktual të botës, Makhmadbek Makhmadbekov.

    Megjithatë, Gjakova zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer dhe arriti ta mposhtë edhe atë me ‘ippon’ në kohën shtesë, duke siguruar një vend në çerekfinale.

    Në këtë fazë, pejani u përball me garuesin vendas Hidayat Heydarov, por kësaj radhe nuk arriti të triumfojë, duke pësuar humbje në vazhdimin e ndeshjes.

    Pavarësisht kësaj humbjeje, Gjakova mbetet në garë për medalje. Ai do të vazhdojë garat në repesazh, ku fillimisht do të përballet me francezin Joan-Benjamin Gaba, me synimin për të siguruar mundësinë e luftës për medaljen e bronztë.

  • Cristiano Ronaldo vetëm 15 gola larg shifrës historike prej 1.000 golash në karrierë

    Cristiano Ronaldo vetëm 15 gola larg shifrës historike prej 1.000 golash në karrierë

    Cristiano Ronaldo po i afrohet gjithnjë e më shumë një prej rekordeve më të jashtëzakonshme në historinë e futbollit. Yllit portugez i nevojiten vetëm edhe 15 gola për të arritur shifrën jubilare prej 1.000 realizimeve në karrierën e tij.

    Ronaldo iu afrua këtij objektivi pas paraqitjes fantastike në fitoren e Al Nassrit ndaj Al Kholoodit, me rezultat 5:3, në kuadër të xhiros së 12-të të kampionatit saudit.

    Kapiteni portugez ishte protagonist kryesor i kësaj përballjeje, duke realizuar tre gola në pjesën e dytë, përkatësisht në minutat 66, 72 dhe 81, për të kompletuar një tjetër tregolësh në karrierën e tij.

    Me këto realizime, Ronaldo ka arritur në kuotën e 985 golave zyrtarë në karrierë, të shënuar me Sportingun, Manchester Unitedin, Real Madridin, Juventusin, Al Nassrin dhe Kombëtaren e Portugalisë.

    Në moshën 41-vjeçare, superylli portugez vazhdon të sfidojë kufijtë e futbollit dhe tashmë është vetëm 15 gola larg një arritjeje historike që do ta vuloste edhe më shumë emrin e tij në historinë e këtij sporti.

  • Laura Fazliu synon medaljen e bronztë në Grand Slamin e Abu Dhabit

    Laura Fazliu synon medaljen e bronztë në Grand Slamin e Abu Dhabit

    Xhudistja kosovare Laura Fazliu e ka nisur me dy fitore paraqitjen në Grand Slamin e xhudos, që po zhvillohet në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, por është ndalur në gjysmëfinale. Tashmë, ajo do të ketë mundësinë të luftojë për medaljen e bronztë përmes repesazhit.

    Fazliu, e cila garon në kategorinë deri në 63 kilogramë, ishte e lirë në xhiron e parë, ndërsa garat i nisi nga xhiroja e dytë, ku mposhti me ‘waza-ari’ portugezen Joana Crisostomo.

    Në çerekfinale, xhudistja kosovare vazhdoi me paraqitje të mirë, duke triumfuar me ‘ippon’ ndaj garueses vendase, Tsendbazar Mashbat, dhe duke siguruar një vend në gjysmëfinale.

    Megjithatë, në këtë fazë ajo u mposht nga polakja Angelika Szymanska, duke humbur mundësinë për të luftuar për medaljen e artë.

    Pavarësisht kësaj humbjeje, gara për Laurën nuk ka përfunduar. Ajo do të rikthehet në tapet përmes repesazhit, ku do të kërkojë fitoren që do t’i mundësonte të luftonte për medaljen e bronztë.

  • Memphis vazhdon serinë e fitoreve, triumfojnë edhe New Orleans dhe Atlanta

    Memphis vazhdon serinë e fitoreve, triumfojnë edhe New Orleans dhe Atlanta

    Memphis Grizzlies po kalon një formë fantastike në NBA, duke regjistruar fitoren e pestë radhazi. Skuadra nga Memphisi triumfoi me rezultat 124-103 në transfertë ndaj Portlandit, duke vazhduar të kryesojë renditjen në Konferencën e Perëndimit.

    Fuqia e Memphisit në këtë përballje ishte loja kolektive, pasi plot tetë basketbollistë të skuadrës realizuan më shumë se 10 pikë, duke dëshmuar edhe një herë forcën e grupit.

    Fitoren e parë këtë sezon në kampionat e regjistroi New Orleans Pelicans, që mposhti Sacramento Kings me rezultat 132-120, në një ndeshje me shumë pikë dhe emocione. Fears dhe Williamson shkëlqyen për vendasit me nga 22 pikë secili, ndërsa 34 pikët e Acuf për Sacramento nuk mjaftuan për të shmangur humbjen.

    Fitore të rëndësishme regjistroi edhe Atlanta Hawks, që në një përballje të luftuar deri në fund mposhti Cleveland Cavaliers me rezultat 114-111.

    Okongwu ishte më i dalluari te Atlanta me 29 pikë, ndërsa kontribut të rëndësishëm dha edhe Walker, që e mbylli ndeshjen me 25 pikë. Kjo ishte një fitore me peshë për Atlantan në garën për një vend në fazën e plejofit.

  • Kosova U15 e mbyll me fitore pjesëmarrjen në festivalin botëror të FIFA-së

    Kosova U15 e mbyll me fitore pjesëmarrjen në festivalin botëror të FIFA-së

    Kombëtarja U15 e Kosovës e ka përmbyllur me fitore pjesëmarrjen në Festivalin Botëror të FIFA-së për grupmoshën U15, i cili u zhvillua në Baku të Azerbajxhanit. Dardanët e rinj triumfuan me rezultat të thellë 6-1 ndaj Burundit në ndeshjen e fundit të këtij aktiviteti, e cila u përcoll nga afër edhe nga kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

    Paraprakisht, skuadra e drejtuar nga përzgjedhësi Ilir Nallbani ishte eliminuar në çerekfinalen e nivelit D, pasi kishte pësuar humbje 3-2 nga Republika Dominikane në ekzekutimin e penalltive. Koha e rregullt e kësaj përballjeje kishte përfunduar me rezultat 1-1.

    Në përgjithësi, Kosova pati një rrugëtim me shumë ndeshje dhe përballje të rëndësishme në këtë festival, të organizuar për herë të parë nga FIFA. Gjatë këtij aktiviteti, Dardanët U15 arritën fitore ndaj Tahitit, Sierra Leones, Afrikës së Jugut, Maldiveve, Anguilës dhe Burundit, ndërsa pësuan humbje nga Estonia, Franca, Republika Dominikane dhe Lituania.

    Përtej rezultateve, kjo pjesëmarrje ishte një përvojë e vlefshme për futbollistët e rinj kosovarë, të cilët patën mundësinë të matin forcat me bashkëmoshatarë nga vende të ndryshme të botës.

    Përzgjedhësi Ilir Nallbani është shprehur i kënaqur me angazhimin, disiplinën dhe karakterin e treguar nga futbollistët gjatë 12 ditëve të qëndrimit në Baku.

    Ai ka vlerësuar se, pavarësisht kalendarit të ngjeshur dhe ngarkesës së madhe fizike, futbollistët arritën të përballojnë lodhjen dhe të japin maksimumin në secilën ndeshje.

    Duke komentuar eliminimin nga Republika Dominikane, Nallbani ka theksuar se Kosova zhvilloi një paraqitje të mirë dhe kishte potencial për të shkuar edhe më larg në këtë garë, por fati nuk ishte në anën e saj gjatë ekzekutimit të penalltive.

    Sipas përzgjedhësit, në rast të kalimit të kësaj pengese, Dardanët kishin mundësi reale të arrinin deri në finalen e nivelit D.

    Në fund, Nallbani ka shprehur kënaqësinë për paraqitjet e futbollistëve, duke shpresuar që përvoja e fituar në Baku të shërbejë si motiv shtesë për të vazhduar punën dhe përkushtimin, në mënyrë që në të ardhmen të jenë pjesë e rëndësishme e Kombëtares së Kosovës.

  • Ferrari synon ta mbyllë sezonin fuqishëm, Hamilton mendon për revolucionin e vitit 2027

    Ferrari synon ta mbyllë sezonin fuqishëm, Hamilton mendon për revolucionin e vitit 2027

    Ferrari po hyn në fazën vendimtare të sezonit në Formula 1 me objektiva të qarta: të fitojë sa më shumë gara dhe të sigurojë vendin e dytë në Kampionatin e Konstruktorëve, ndërsa përgatit terrenin për një rikthim më të fuqishëm në vitin 2027.

    Edhe pse lufta për titullin kampion është shtyrë për një sezon tjetër, skuadra italiane dëshiron ta përfundojë kampionatin me rezultate pozitive. Ndërkohë, Lewis Hamilton dhe Charles Leclerc vazhdojnë garën për pozita të larta në renditjen e pilotëve.

    Pas 18 garave, Ferrari ka regjistruar dy fitore, por ende nuk ka arritur të sigurojë asnjë pole position. Makina SF-26 ka treguar potencial të mirë në shasi dhe aerodinamikë, megjithatë njësia e fuqisë mbetet një nga fushat ku kërkohen përmirësime.

    Pikërisht këtu përqendrohet edhe Lewis Hamilton, i cili beson se vendimet e marra gjatë dimrit mund të jenë vendimtare për suksesin e sezonit të ardhshëm.

    Sipas britanikut, Ferrari duhet të identifikojë me kujdes pikat ku mund të fitojë kohë, duke ruajtur njëkohësisht cilësitë që makina ka dëshmuar deri më tani.

    Hamilton theksoi se edhe përmirësime të vogla mund të bëjnë diferencën, duke sjellë përfitime prej disa të dhjetash të sekondës në çdo kthesë.

    Mesazhi i tij është i qartë, Ferrari nuk ka nevojë të ndryshojë gjithçka, por duhet të korrigjojë dobësitë dhe të shfrytëzojë potencialin ekzistues.

    Tani, përveç objektivit për ta mbyllur sezonin sa më mirë, “kokëkuqja” duhet të marrë vendimet e duhura për vitin 2027, me shpresën që Hamilton dhe Leclerc ta rikthejnë skuadrën italiane në luftën për titullin kampion.