Kombëtarja e Kosovës në futbollin e femrave ka mësuar kundërshtaret për edicionin e ri të UEFA Women’s Nations League 2027, pas shortit të hedhur këtë të martë në Nyon të Zvicrës.
“Dardanet” do të jenë pjesë e Grupit 4 në Ligën B, ku do të përballen me Slloveninë, Turqinë dhe Hungarinë. Një grup që pritet të sjellë sfida interesante dhe një konkurrencë të fortë për përfaqësuesen kosovare.
Kosova e fitoi të drejtën për të garuar në Ligën B falë paraqitjeve të mira në edicionin paraprak, ku përfundoi në vendin e parë në Grupin C2, duke siguruar kështu promovimin në një nivel më të lartë të garës.
Në anën tjetër, aventura e “Dardaneve” në kualifikimet për Kupën e Botës 2027, e cila do të organizohet në Brazil, përfundoi në raundin e parë të plejofit, pas eliminimit nga Austria.
Ndërkohë, edhe Kombëtarja e Shqipërisë ka mësuar rivalet e saj për edicionin e ardhshëm. Shqipëria do të garojë në Grupin 1 të Ligës B, ku do të ketë përballë Belgjikën, Rumaninë dhe Serbinë.
