ATV

Category: Sport

  • Tensionet politike vënë në pikëpyetje pjesëmarrjen e Iranit, Meksika ofron zgjidhje alternative për Botërorin

    Tensionet politike vënë në pikëpyetje pjesëmarrjen e Iranit, Meksika ofron zgjidhje alternative për Botërorin

    E ardhmja e Irani në Kupa e Botës FIFA mbetet ende e paqartë, ndërsa zhvillimet politike dhe të sigurisë po ndikojnë drejtpërdrejt në organizimin e ndeshjeve të këtij kompeticioni madhor.

    Sipas raportimeve të fundit, përfaqësuesja iraniane nuk është e gatshme të udhëtojë drejt Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku janë planifikuar të zhvillohen të tre ndeshjet e saj në fazën e grupeve. Ky qëndrim lidhet me tensionet dhe konfliktin aktual që përfshin SHBA-në dhe Izraeli në raport me Iranin, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë dhe pjesëmarrjen e skuadrës.

    Në këtë situatë, Irani i është drejtuar FIFA-s me kërkesë që ndeshjet e tij të zhvendosen në Meksika, një nga vendet bashkëorganizatore të turneut. Megjithatë, organi më i lartë i futbollit botëror ka refuzuar këtë mundësi, duke theksuar se kalendari dhe vendet e zhvillimit të ndeshjeve janë të përcaktuara paraprakisht dhe nuk mund të ndryshohen në këtë fazë.

    Pavarësisht refuzimit të FIFA-s, autoritetet meksikane kanë shprehur gatishmëri për të pritur përfaqësuesen iraniane. Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, deklaroi se vendi i saj është i hapur për një zgjidhje të tillë:

    “Nuk ka problem për Meksikën. Është thjesht çështje logjistike e FIFA-s. Është e realizueshme sepse ata fillimisht kishin ndërmend të shkonin në Shtetet e Bashkuara. A mund ta luajnë turneun këtu në Meksikë? Kjo po shqyrtohet dhe ne do t’ju informojmë në kohën e duhur”, theksoi ajo nga Mexico City.

    Megjithatë, realiteti organizativ e bën këtë skenar shumë të vështirë për t’u realizuar. Me vetëm rreth 12 javë deri në fillimin e turneut, ndryshimet në kalendar dhe logjistikë konsiderohen pothuajse të pamundura.

    Një tjetër çështje që mbetet e hapur është se çfarë do të ndodhte në rast se Irani do të kalonte fazën e grupeve. Pjesa më e madhe e ndeshjeve të fazës eliminatore zhvillohen në SHBA, çka do ta rikthente sërish problemin në plan të parë.

    Ndërkohë, pritet një vendim përfundimtar nga FIFA, i cili do të përcaktojë nëse Irani do të marrë pjesë në këtë Botëror apo do të përballet me një përjashtim të mundshëm, në një situatë ku sporti dhe politika janë ndërthurur më shumë se kurrë.

  • Prishtina zyrtarizon Alban Dragushën, ndryshim i shpejtë në pankinë pas largimit të Tovërlanit

    Prishtina zyrtarizon Alban Dragushën, ndryshim i shpejtë në pankinë pas largimit të Tovërlanit

    FC Prishtina ka konfirmuar zyrtarisht emërimin e Alban Dragusha si trajner të ri të skuadrës së parë, vetëm një ditë pas largimit të Afrim Tovërlani nga drejtimi i ekipit.

    Klubi kryeqytetas ka reaguar menjëherë për të mbushur boshllëkun në pankinë, duke i besuar drejtimin Dragushës, i cili vjen pas një periudhe të suksesshme në Ligën e Parë me KF Ramiz Sadiku.

    Në njoftimin zyrtar, Prishtina theksoi:

    “Alban Dragusha është emëruar trajneri i ri i skuadrës sonë. Trajneri 44-vjeçar vjen pas një periudhe të suksesshme te skuadra e Ramiz Sadikut, të cilën e ka drejtuar që nga korriku i vitit 2023. Nën udhëheqjen e tij, kjo skuadër u shndërrua në një nga befasitë më të këndshme të ligës së parë në këtë sezon”.

    Klubi gjithashtu vuri në pah përvojën e tij në pankinë, duke shtuar:

    “Gjatë karrierës së tij si trajner, Dragusha ka drejtuar edhe ekipin e Vushtrrisë, ndërsa nga viti 2019 deri më 2022 ka qenë pjesë e stafit teknik si ndihmës trajner te Drita”.

    Përveç angazhimeve si trajner, Dragusha ka pasur një karrierë të pasur edhe si futbollist profesionist, duke luajtur në disa vende evropiane.

    “Ai ka ndërtuar një karrierë të pasur edhe si futbollist, duke luajtur në disa vende si Ukraina, Azerbajxhani, Suedia, Shqipëria dhe Kosova”.

    Në fund, klubi bardhekaltër i ka uruar mirëseardhje trajnerit të ri dhe sukses në detyrën e tij:

    “Klubi i uron trajnerit Dragusha mirëseardhje dhe shumë suksese në drejtimin e skuadrës bardhekaltër”, thuhet në njoftimin e klubit kryeqytetas.

    Me këtë lëvizje, Prishtina synon të stabilizojë skuadrën dhe të rikthehet në garë për objektivat e sezonit, duke hyrë në një fazë të re nën drejtimin e Dragushës.

  • Nis zgjerimi i Qendrës së Xhudos në Pejë, investim i madh për sportin dhe të ardhmen olimpike të Kosovës

    Nis zgjerimi i Qendrës së Xhudos në Pejë, investim i madh për sportin dhe të ardhmen olimpike të Kosovës

    Në Peja kanë nisur zyrtarisht punimet për zgjerimin e Qendrës Nacionale të Xhudos, një projekt i rëndësishëm që synon të avancojë më tej këtë sport dhe të krijojë kushte moderne për sportistët kosovarë. Ky investim shihet si një hap strategjik për forcimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke u mbështetur në sukseset e shumta olimpike dhe botërore të xhudos.

    Në ceremoninë e vënies së gurthemelit morën pjesë figura kyçe të sportit dhe institucioneve, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, kryetarin e Federatës së Xhudos Agron Kuka, trajnerin e mirënjohur Driton Kuka, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë.

    Kryetari i Federatës së Xhudos, Agron Kuka, e cilësoi këtë projekt si një moment historik për sportin në Kosovë, duke rikujtuar rrugëtimin e vështirë të xhudos ndër vite:

    “Para plot 30 vitesh, pak metra nga këtu, ka qenë babai im që ka vendosur një gurthemel. E ai ka qenë gurthemeri i mbijetesës. Po, ka qenë mbijetesa e sportit fisnik të xhudos pas uzurpimit të palestrave publike nga okupuesi serb. Dhe pas çlirimit, në po atë vend vazhdoi puna e madhe e sakrifica për përfaqësimin e shtetit tonë gjithandej botës, deri në arritjet kulminante që deri tani numërojnë pesë medalje olimpike, dhjetëra evropiane e botërore, e qindra të tjera ndërkombëtare. Përveç që i gjithë komuniteti ndërkombëtar i sportit u njoftua me potencialin e një shteti të ri, po ashtu u ngrit edhe kurioziteti se çfarë qëndron pas kësaj. Dhe kjo kuriozitet u shua në vitin 2021, ku shkëlqeu emri i vëllait tonë, Driton Toni Kukës, si trajneri më i mirë në Evropë dhe botë, i shpallur nga Federata Evropiane dhe ajo Botërore. E ky gurthemel po vendoset për mundësi më të mëdha, si në zhvillimin e sportit, po ashtu edhe në promovimin e vendit tonë përmes organizimit të aktiviteteve trajnuese e garuese ndërkombëtare. Njëra nga ato do të jetë edhe organizimi i garës prestigjioze të Lojërave Mesdhetare në sportin e xhudos dhe sportin e karatesë”, theksoi Kuka.

    Nga ana tjetër, kryeministri Albin Kurti vuri në pah rëndësinë strategjike të këtij investimi dhe standardet që pritet të sjellë projekti:

    “Kjo qendër ku ndodhemi aktualisht është përuruar në shtator të vitit 2021. Një pjesë e rrugës drejt medaljeve olimpike në ‘Paris 2024’ është shtruar pikërisht këtu. Pjesa tjetër është bërë në kushte më të vështira, por me punë dhe përkushtim, kjo ekip e jashtëzakonshme e xhudos ka sjellë medalje të arta olimpike nga Rio dhe Tokio. Me angazhimin e pandalshëm të Federatës së Xhudos për ta ngritur Kosovën edhe më lart, në kuadër të programit ‘Kosova shtet i xhudos’, sot po nisim këtë investim të ri. Ky projekt përfshin: Palestër të re të xhudos me standarde ndërkombëtare, objekt multifunksional që përfshin akomodim, pishinë, sallë fitnesi dhe restorant. Projekti do të krijojë kushtet që xhudoja e Kosovës të vazhdojë punën përpara, të forcojë rolin e saj si qendër stërvitore në Evropë dhe njëkohësisht të kontribuojë në zgjerimin dhe ngritjen e sportit, turizmit dhe ekonomisë në vendin tonë. Pikërisht këtu, në hapësirat e palestrës së re të xhudos, do të zhvillohen edhe garat e sporteve luftarake në kuadër të Lojërave Mesdhetare 2030”, bëri të ditur Kurti.

    Ndërkohë, trajneri i mirënjohur Driton Kuka e cilësoi këtë moment si kulmin e një pune të gjatë dhe sakrifice të përbashkët, duke theksuar rëndësinë e kushteve që po krijohen për brezat e rinj:

    “E kemi pasur palestrën në një shkollë fillore ku kem stërvitur të gjitha klubet sportive në qytetin e Pejës dhe faktikisht mua më është dukur hapësirë shumë e vogël koha për të arritur diçka dhe gjithmonë e kam pasur në kokë që të fillojmë diçka, të kemi palestër 24 orë në ditë. Edhe pse ajo ka qenë palestër modeste por koha ka qenë e artë, koha ka qenë ajo që mua më është dashur si trajner që të ndërtojë ato që janë ndërtuar sot. Kështu që përgjegjësi dhe përkushtim kërkoj nga të gjithë këta sportistë, trajnerë e komunitet i xhudos, shteti tani po investon shumë seriozisht në ju dhe ju duhet t’ia ktheni me punë e përkushtim, rezultate e medalje”, tha Kuka.

    Zgjerimi i kësaj qendre pritet të ndikojë drejtpërdrejt në përgatitjen e sportistëve për garat ndërkombëtare, përfshirë edhe Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, ku Kosova synon të paraqitet denjësisht si organizatore dhe konkurrente.

    Ky projekt konsiderohet si një tjetër dëshmi e investimeve në sport, me synimin që Kosova të vazhdojë të prodhojë kampionë dhe të forcojë imazhin e saj në skenën globale.

  • Thunder e Pistons vazhdojnë të jenë lider, Spurs realizojnë fitoren e tretë

    Thunder e Pistons vazhdojnë të jenë lider, Spurs realizojnë fitoren e tretë

    Mëngjesin e sotëm janë zhvilluar ndeshjet e radhës në Ligën më të fortë të Basketbollit në botë, NBA.

    Kampioni në fuqi si dhe lideri I Konferencës së Perëndimit, Oklahoma City Thunder, ka realizuar fitoren e nëntë radhazi, ku kësaj radhe mundi Orlando Magic me rezultat 113-108.

    Si gjithmonë ylli i skuadrës së Thunder, Shai Gilgeous-Alexander shkëlqeu edhe në këtë ndeshje me 40 pikë derisa Chet Holmgren shtojë 20 sosh.

    Nga ana tjetër Paolo Banchero u dallua me 32 pikë dhe 10 kërcime, por që nuk mjaftuan për fitore.

    Kujtojmë që Magic është në poziten e gjashtë në Konferencën e Lindjes.

     

    E derisa lideri I Konferencës së Lindjes Detroit Pistons është këndellur me fitore pas triumfit ndaj Washington Wizards me rezultat 130-117.

    Jalen Duren udhëhoqi skuadrën e tijë drejt fitores me 36 pikë e 12 kërcime.

    Derisa te skuadra humbëse u dalluan Bub Carrington me 30 pikë dhe Will Riley me 21 sosh.

    Wizards pozicionohet në vendin e 14 në Konferencën Lindjes dhe kjo ishte humbja e 13 rresht.

     

    San Antonio Spurs ka realizuar fitoren e tretë rresht, pasi mposhti Sacramento Kings me rezultat 132-104.

    Më efikaset në fitoren e Spurs, ishin Victor Wembanyama me 18 pikë e tetë kërcime, Keldon Johnson me 18 pikë dhe Julian Champagnie me 17 sosh.

    Nga ana tjetër Maxime Raynaud shënoj 32 pikë dhe nëntë kërcime, por që ishin të pa mjaftueshme për fitore.

    Spurs renditen në poziten e dytë në Konferencën e Perëndimit, derisa Kings në poziten e fundit.

  • CAF i heq titullin Senegalit, Maroku shpallet kampion i Kupës së Kombeve të Afrikës 2026

    CAF i heq titullin Senegalit, Maroku shpallet kampion i Kupës së Kombeve të Afrikës 2026

    Një zhvillim i papritur ka tronditur futbollin afrikan, pasi Konfederata Afrikane e Futbollit (CAF) ka marrë një vendim të bujshëm lidhur me finalen e Kupës së Kombeve të Afrikës 2026. Komiteti i Apelit i këtij institucioni ka vendosur që t’i heqë titullin Senegalit dhe ta shpallë kampion Maroku.

    Sipas vendimit zyrtar, finalja mes Senegali dhe Marokut është regjistruar me rezultat zyrtar 3-0 në favor të marokenëve. Hetimet e zhvilluara nga organet përkatëse të CAF-it kanë konstatuar se përfaqësuesja e Senegalit ka shkelur rregulloren e garës duke u tërhequr nga loja, një veprim që automatikisht sjell humbje në tavolinë sipas dispozitave përkatëse.

    Ky vendim erdhi pas një apeli të paraqitur nga Federata Marokene e Futbollit, e cila u mbështet në nenet 82 dhe 84 të rregullores së kompeticionit. Pas shqyrtimit të provave dhe raporteve zyrtare, Komiteti i Apelit vendosi në favor të Marokut, duke ndryshuar përfundimisht epilogun e finales.

    Nga ana tjetër, Federata e Futbollit të Senegalit ka reaguar ashpër ndaj këtij vendimi, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe të paprecedentë. Në një komunikatë zyrtare, kjo federatë ka theksuar se nuk e njeh vendimin dhe këmbëngul që rezultati i arritur në fushë, ku Senegali ishte shpallur kampion, duhet të mbetet në fuqi.

    “Federata Senegaleze e Futbollit dënon një vendim të padrejtë, të pashembullt dhe të paprecedentë,” thuhet në reagim.

    Për më tepër, pala senegaleze ka paralajmëruar se do ta ndjekë çështjen në Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë. Ata synojnë të sfidojnë vendimin e CAF-it në instancën më të lartë të drejtësisë sportive, duke kërkuar rikthimin e titullit dhe mbrojtjen e integritetit të garës.

    Ndërkohë, situata mbetet e tensionuar dhe pritet që zhvillimet e ardhshme në CAS të jenë vendimtare për fatin përfundimtar të këtij edicioni të Kupës së Kombeve të Afrikës.

  • Spektakli i Ligës së Kampionëve vazhdon sonte me katër super ndeshje

    Spektakli i Ligës së Kampionëve vazhdon sonte me katër super ndeshje

    Mbrëmja e sotme sjell përballje shumë të forta në fazën e 1/8-ës së finales në Ligën e Kampionëve, ku disa skuadra kërkojnë përmbysje, ndërsa të tjera janë me një këmbë në çerekfinale.

    Përballja në “Camp Nou” nis nga rezultati 1-1 i ndeshjes së parë. Barcelona është favorite falë formës së mirë në shtëpi, ku nuk ka humbur në 12 ndeshje, ndërsa Newcastle synon surprizën e madhe. Ndeshje shumë e hapur, por me avantazh të lehtë për Barcelonën.

    Bayern është shumë pranë kualifikimit pas fitores 6-1 në ndeshjen e parë. Gjermanët janë favoritë absolutë edhe sonte, pavarësisht disa mungesave. Pritet ndeshje me gola, por kualifikimi duket i mbyllur.
    Liverpool duhet të përmbysë humbjen 1-0 nga ndeshja e parë. Anglezët luajnë në “Anfield”, por forma e paqëndrueshme i vendos në presion, derisa Galatasaray vjen me besim, por Liverpool mbetet i rrezikshëm në shtëpi.

    Tottenham ka probleme me formën dhe mungesa, kurse Atletico është shumë pranë çerekfinales, ku ka epërsi të madhe 5-2 nga ndeshja e parë dhe është favorit për të fituar edhe në Londër.

    Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen sonte më 18 mars 2026, me fillim nga ora 21:00, përveç ndeshjes Barcelona vs Newcastle United, që nis nga 18:45.

  • Bashkimi Evropian kundër Google

    Bashkimi Evropian kundër Google

    Më shumë se 20 organizata evropiane kanë bërë thirrje që Bashkimi Evropian të ndërmarrë masa të shpejta kundër Google, duke kërkuar vendosjen e gjobave për shkelje të Aktit për Tregjet Digjitale (DMA).

    Ata paralajmërojnë se zvarritja e hetimit mund të ketë pasoja serioze për mediat dhe kompanitë evropiane, madje duke i çuar disa prej tyre drejt falimentimit.

    Në një letër drejtuar zyrtarëve të BE-së, organizatat theksojnë se është thelbësore të merret një vendim sa më shpejt dhe të ndalet dominimi i kompanive të mëdha teknologjike.

    Sipas tyre, praktikat e Google po dëmtojnë konkurrencën dhe po ulin mundësitë e zhvillimit për bizneset evropiane. Ata kërkojnë që të merret një vendim formal për mosrespektim të rregullave dhe të vendosen masa ndëshkuese, përfshirë gjoba të konsiderueshme.

    Nga ana tjetër, Google pretendon se ka bërë ndryshime për t’u përputhur me kërkesat e DMA-së, por kritikët thonë se këto ndryshime nuk janë të mjaftueshme.

    Ligji DMA synon të kufizojë fuqinë e kompanive të mëdha teknologjike dhe të sigurojë konkurrencë më të drejtë në tregun digjital të BE-së.

  • Shtrëngimi i duarve u shndërrua në një konflikt verbal: Rudiger ‘sulmoi’ Guardiolën

    Shtrëngimi i duarve u shndërrua në një konflikt verbal: Rudiger ‘sulmoi’ Guardiolën

    Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola ka pasur një situatë të pakëndshme pas ndeshjes me mbrojtësin e Real Madridit, Antonio Rudiger, pavarësisht se ai i përgëzoi të gjithë lojtarët e klubit spanjoll për fitoren.

    Lojtarët e Manchester Cityt janë eliminuar nga beteja për një nga katër trofetë për të cilët luftonin këtë sezon, pasi u eliminuan nga Liga e Kampionëve.

    ‘Qytetarët’ u eliminuan nga gara elitare nga Real Madridi, i cili fitoi me rezultat të përgjithshëm 5-1, dhe pas ndeshjes në Etihad mbrëmë, u pa një skenë interesante.

    Konkretisht, trajneri i Cityt, Pep Guardiola, i përshëndeti lojtarët në fushë, buzëqeshi pavarësisht humbjes, dhe kur arriti te Antonio Rudiger, gjermani e tronditi.

    Rudiger padyshim kishte diçka që e shqetësonte Guardiola gjatë ndeshjes, dhe për shkak të kësaj, ai kishte diçka për t’i thënë atij gjatë këtij takimi.

    Buzëqeshja u zhduk shpejt nga fytyra e Guardiolës, kur ai e kuptoi se Rudiger ishte serioz, dhe më pas lojtarët e tjerë i ndanë së bashku me trajnerin e Real Madridit, Alvaro Arbeloa.

    Guardiola u largua me qetësi nga vendi i konfliktit, ndërsa Rudiger vazhdoi t’i ankohej nga larg, dhe më pas spanjolli i dërgoi një puthje.

  • Alban Dragusha pritet të marrë drejtimin e FC Prishtinës

    Alban Dragusha pritet të marrë drejtimin e FC Prishtinës

    FC Prishtina është në prag të një tjetër ndryshimi në pankinë, pasi Alban Dragusha pritet të emërohet trajneri i ri i skuadrës, duke u bërë kështu i treti që e drejton ekipin në sezonin 2025/2026.

    Ky zhvillim vjen pas dorëheqjes së Afrim Tovërlanit, të cilën klubi e konfirmoi pas humbjes së fundit ndaj Ferizajt me rezultat të thellë 3-0. Disfata ka zbehur ndjeshëm shpresat e prishtinasve për titullin kampion këtë edicion.

    Tovërlani mori drejtimin e skuadrës më 25 nëntor dhe gjatë periudhës së tij udhëhoqi ekipin në 15 ndeshje në të gjitha garat, duke regjistruar 4 fitore, 3 barazime dhe 8 humbje.

    Ndërkohë, Dragusha vjen pas një periudhe të suksesshme te Ramiz Sadiku, nga ku është larguar me marrëveshje të dyanshme. Marrëveshja me Prishtinën tashmë është arritur dhe zyrtarizimi i tij pritet të bëhet gjatë ditës së mërkurë.

    Si ish-futbollist, Dragusha ka një karrierë të pasur, duke qenë pjesë e shumë klubeve vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë KEK-un, Kosovën e Prishtinës, Vorskla Poltava, FK Baku, Besa Kavajë, Trepçën, Skënderbeun e Korçës, Kalmarin, Vushtrrinë, Hajvalinë, Dritën dhe Vëllaznimin.

  • FIFA synon të sjellë në Youtube botërorin 2026

    FIFA synon të sjellë në Youtube botërorin 2026

    FIFA ka konfirmuar një ndryshim të madh në mënyrën se si tifozët do të ndjekin FIFA World Cup 2026, duke sjellë për herë të parë përmbajtje të drejtpërdrejtë në YouTube.

    Në një marrëveshje historike, organizata ka arritur partneritet me platformën globale, duke i hapur rrugë një eksperience më të aksesueshme dhe interaktive për miliona tifozë në mbarë botën. Sipas këtij bashkëpunimi, transmetuesit zyrtarë do të kenë mundësinë të publikojnë pjesë nga ndeshjet drejtpërdrejt në YouTube.

    Ajo që e bën këtë marrëveshje veçanërisht të rëndësishme është fakti se për herë të parë në histori, tifozët do të mund të ndjekin falas 10 minutat e para të çdo ndeshjeje të Botërorit në platformë. Ky hap pritet të rrisë ndjeshëm angazhimin dhe të tërheqë një audiencë edhe më të gjerë, sidomos në tregjet ku qasja në transmetime tradicionale është më e kufizuar.

    Justin Connolly, kreu global i mediave dhe sporteve në YouTube, theksoi se synimi i platformës është të krijojë një përvojë globale dhe gjithëpërfshirëse për tifozët:
    “Ne duam të sjellim një eksperiencë interaktive dhe të fokusuar tek tifozët, duke i afruar ata më shumë se kurrë me lojën.”

    Ky partneritet mes FIFA-s dhe YouTube konsiderohet si një hap i madh drejt modernizimit të transmetimeve sportive dhe rritjes së aksesit global, duke i dhënë tifozëve më shumë mundësi për të qenë pjesë e emocionit të Kupës së Botës se kurrë më parë.