ATV

Category: Sport

  • Nuk kishin bileta, policia nuk i lejon tifozët turq të hyjnë në “Fadil Vokrri”

    Nuk kishin bileta, policia nuk i lejon tifozët turq të hyjnë në “Fadil Vokrri”

    Ka mbetur edhe pak kohë deri te fillimi i ndeshjes historike mes Kosovës dhe Turqisë.

    Një numër i madh i tifozëve turq u kthyen nga policia gjegjësisht Njësia Speciale Operative (NJSO) dhe nuk u lejuan të hyjnë në stadium për shkak se nuk kishin bileta.

    Finalja e madhe Kosovë-Turqi nis nga ora 20:45 në “Fadil Vokrri”.

    “Dardanët” synojnë ta shkruajnë historinë duke marrë pjesë për herën e parë në Kampionatin Botëror.

  • Lojtarët e Kosovës dalin në fushë për të inspektuar terrenin ku do të luhet ndeshja

    Lojtarët e Kosovës dalin në fushë për të inspektuar terrenin ku do të luhet ndeshja

    Kombëtarja e Kosovës dhe ajo e Turqisë do të luajnë sonte (e martë) në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë, nga ora 20:45, në finalen e madhe për kualifikim për Kupën e Botës 2026.

    Teksa na ndajnë vetëm pak orë para fillimit të kësaj ndeshjeje historike, të dy ekipet tashmë gjenden në stadium, ku pritet të kryejnë përgatitjet e fundit para fillimit të ndeshjes.

    Lojtarët e Kosovës tashmë kanë dalë në fushë për të inspektuar terrenin, ku janë pritur me duartrokitje të forta nga tifozët që tashmë kanë filluar të mbushin stadiumin.

    Gjendja e fushës duket perfekte dhe gjithçka është gati për lojtarët e Kosovës që sonte të shkruajnë emrin e tyre me shkronja të arta në historinë e vendit tonë.

  • Formacioni startues i Kosovës për ndeshjen historike

    Formacioni startues i Kosovës për ndeshjen historike

    Federata e Futbollit të Kosovës ka publikuar 11-startuese të cilën e ka përzgjedhur trajneri Foda për ndeshjen finale kundër Turqisë për kualfikim në Kampionatin Botëror.

    Foda nuk ka bërë ndryshime nga foramcioni startues ndaj ndeshjes që Kosova e fitoi kundër Sllovakisë.

    Ky është formacioni startues i Kosovës.

    Muriq: Vojvoda, Dellova, Hajrizi, Hajdari, Gallapeni: Hoxhaa, Muslija, Rexhbeçaj: Asllani, Muriqi.

    Formacioni i Turqisë

  • Armand Duka: Ndoshta jemi dy, por zemra jonë është një

    Armand Duka: Ndoshta jemi dy, por zemra jonë është një

    Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, ka dërguar një mesazh emocionues në rrjetet sociale, duke shprehur mbështetjen e tij për Kombëtaren e Kosovës para ndeshjes vendimtare ndaj Turqisë.

    Në postimin e tij në Facebook, Duka ka theksuar lidhjen e veçantë mes dy kombëtareve shqiptare, duke treguar se ndonëse përfaqësimet janë të ndara, bashkimi shpirtëror mbetet i paprekur.

    “Ndoshta sot mund të ishim dy… por edhe kështu, jemi një. Me krenarinë që na dha Shqipëria dhe shpresën që na jep Kosova. Forca djemtë tanë!”, ka shkruar ai, duke dërguar një mesazh të qartë uniteti dhe motivimi për “Dardanët”.

    Ky reagim vjen në një moment historik për Kosovën, e cila synon të arrijë rezultate të jashtëzakonshme dhe kualifikimin për herë të parë në Kupën e Botës 2026. Mesazhi i Dukës shihet si një mbështetje simbolike që tejkalon sportin, duke forcuar ndjenjën e përbashkët kombëtare mes shqiptarëve.

    Postimi i tij ka gjetur pritje të ngrohtë tek tifozët, të cilët e kanë shpërndarë gjerësisht dhe e kanë cilësuar si një thirrje për unitet dhe përkrahje ndaj Kombëtares së Kosovës.

    Ndeshja finale ndaj Turqisë zhvillohet sonte në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, me fillim nga ora 20:45, dhe pritet të jetë një përballje vendimtare për historinë e futbollit kosovar.

  • Kosova përballë Turqisë, Presidentja Osmani dërgon mesazhin e mbështetjes

    Kosova përballë Turqisë, Presidentja Osmani dërgon mesazhin e mbështetjes

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dërguar një mesazh motivues para ndeshjes vendimtare kundër Turqisë, që zhvillohet sonte nga ora 20:45 dhe vendos fatin e kualifikimit për Kupën e Botës 2026.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani ka lidhur rrugëtimin e vështirë të Kosovës si shtet dhe si komb me paraqitjen e futbollistëve të Kombëtares në fushë.

    “Kosova ka lindur mes sfidave dhe sakrificave, është rritur me krenari dhe sot qëndron në fushë me dinjitet, duke përfaqësuar ëndrrat e një populli të tërë,” ka shkruar ajo, duke e përshkruar ekipin si simbol të qëndresës dhe guximit.

    Mesazhi i Presidentes ishte i qartë dhe i ngrohtë: “Ju jeni simbol i qëndresës, i guximit dhe i shpresës. Jemi me ju djema. Me Kosovën përgjithmonë. Me Dardanët.”

    Ndeshja e sotme pritet të jetë një moment historik, me tifozët që do të krijojnë një atmosferë elektrizuese për ta mbështetur Kombëtaren në këtë përballje të rëndësishme për vendin.

  • BBC: Kosova vetëm 90 minuta larg historisë së Botërorit

    BBC: Kosova vetëm 90 minuta larg historisë së Botërorit

    Mediumi britanik BBC ka shkruar për ndeshjen historike të Kosovës kundër Turqisë, një përballje që vendos fatin e kualifikimit për Kupën e Botës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    BBC thekson se dhjetë vite më parë Kosova nuk kishte luajtur kurrë një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës, ndërsa tani është vetëm 90 minuta larg arritjes së një objektivi historik. “Dhjetë vite më parë, Kosova nuk kishte luajtur kurrë një ndeshje kualifikuese për Botëror. Tani ata janë vetëm 90 minuta larg,” shkruan BBC, duke transmetuar transmetimin e lajmit nga Express.

    Mediumi britanik rikujton historikun e shtetit të Kosovës: shpallja e pavarësisë në vitin 2008 dhe anëtarësimi në FIFA dhe UEFA në vitin 2016. BBC vëren se një fitore do ta çonte Kosovën në Botëror, ku do të marrin pjesë 48 ekipe nga SHBA, Kanada dhe Meksikë.

    BBC gjithashtu përmend se stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë pritet të jetë i mbushur plot, megjithëse shumica e tifozëve do ta ndjekin ndeshjen përmes televizionit. Mediumi britanik kujton se Kosova luajti ndeshjen e saj të parë zyrtare ndërkombëtare në mars 2014 ndaj Haitit, ndërsa ndeshja e dytë ishte kundër Turqisë, për të cilën humbi 6-1.

    BBC rikthen edhe sfidat e para kualifikuese të Kosovës, duke përmendur barazimin 1-1 me Finlandën në 5 shtator 2016 dhe nëntë humbjet radhazi që pasuan, ku Kosova përfundoi e fundit në grup.

    Megjithatë, mediumi britanik thekson se Kosova ka përparuar shpejt, duke përfshirë lojtarë nga Gjermania, Zvicra dhe Suedia. BBC përmend suksesin ndaj Anglisë në kualifikueset e Euro 2020 dhe rolin kyç të Vedat Muriqit, golashënuesit rekordmen të ekipit me 32 gola ndërkombëtarë dhe 18 gola këtë sezon për Mallorca-n spanjolle.

    Sipas BBC-së, Turqia është veçanërisht e interesuar për Muriqin, i cili ka shënuar gola të shumtë edhe me klubet turke Rizespor dhe Fenerbahçe.

  • Edon Zhegrova feston ditëlindjen para ndeshjes historike Kosovë–Turqi

    Edon Zhegrova feston ditëlindjen para ndeshjes historike Kosovë–Turqi

    Sot është një ditë e veçantë për Edon Zhegrovën, ndërsa Kombëtarja e Kosovës përgatitet për ndeshjen vendimtare ndaj Turqisë për kualifikim në Kupën e Botës 2026.

    Federata e Futbollit e Kosovës ka uruar mes lojtarëve të saj në faqen zyrtare në Facebook:

    “Urime ditëlindjen, Edon Zhegrova! Plani ishte ta prisnim tortën në drekë… por e lamë për ‘desert’ pas ndeshjes. Sepse festa e vërtetë fillon atëherë! Po a paramendojmë se e dini cila ishte dëshira e Edonit kur i fryu qirinjtë? E thjeshtë, por e madhe: Kupa e Botës 2026!”

    Mes urimeve dhe atmosferës festive, futbollisti shfaq entuziazëm për sfidën e mbrëmjes, duke treguar se motivimi i tij personal është i lidhur ngushtë me ëndrrën e çdo shqiptari: një kualifikim historik për Kosovën në turneun më të madh botëror.

    Stadiumi “Fadil Vokrri” pritet të mbushet me tifozë që do ta mbështesin Kosovën dhe do të shndërrojnë këtë ndeshje në një mbrëmje historike, ku ditëlindja e Zhegrovës dhe ëndrra për Botëror bëhen një simbol i energjisë dhe pasionit dardan.

  • Tre yjet e Kosovës bëhen baballarë, fanellat e Kombëtares me emrat e fëmijëve

    Tre yjet e Kosovës bëhen baballarë, fanellat e Kombëtares me emrat e fëmijëve

    Tre lojtarët e njohur të Kombëtares së Kosovës, Elvis Rexhbeçaj, Veldin Hoxha dhe Edon Zhegrova, kanë nisur një kapitull të ri të jetës, atë të baballarëve.

    Secili prej tyre ka marrë një fanellë të personalizuar të Kombëtares së Kosovës me emrin e vogëlushit të tij: Lian, Neyla dhe Mars, një dhuratë simbolike që shënon këtë moment të veçantë.

    Tifozët dhe bashkëlojtarët kanë uruar lojtarët për lajmin e bukur, duke e konsideruar këtë një arritje të re personale që shkon përtej fushës së futbollit.

  • Miqësi përtej fushës, kafe dhe çaj falas për tifozët turq në Prishtinë

    Miqësi përtej fushës, kafe dhe çaj falas për tifozët turq në Prishtinë

    Pak orë para përballjes historike mes Kombëtares së Kosovës dhe Turqisë, një lokal në Prishtinë ka tërhequr vëmendje me një veprim simbolik që ka prekur zemrat e shumë qytetarëve.

    Në hyrje të kafenesë është vendosur një mesazh domethënës:

    “Sot rivalë, por gjithmonë miq! Kafe dhe çaj falas për të gjithë tifozët turq. Ju e paguat më 1999 – sot nuk keni asnjë detyrim.”

    Ky mesazh kujton periudhën e Luftës së Kosovës, kur Turqia qëndroi pranë popullit kosovar në momentet më të vështira. Pronari i lokalit, përmes këtij gjesti, dëshiron të shprehë mirënjohje dhe të forcojë lidhjen historike mes dy popujve, duke treguar se respekti dhe solidariteti mund të qëndrojnë përtej rivalitetit sportiv.

    Reagimet në rrjetet sociale kanë qenë të shumta, me qytetarë që e kanë cilësuar këtë veprim si një shembull të vërtetë të miqësisë dhe humanizmit.

    Ndërsa në stadium pritet një duel i zjarrtë për vendin në Kupën e Botës 2026, ky veprim tregon se sporti mund të bashkojë njerëzit dhe të ruajë lidhjet që shkojnë përtej rezultatit.

  • Tifozët kuq e zi: Kosova është zemra e Shqipërisë

    Tifozët kuq e zi: Kosova është zemra e Shqipërisë

    Në prag të ndeshjes historike Kosovë–Turqi, tifozët e Kombëtares së Shqipërisë kanë shfaqur mbështetje të hapur për Dardanët. Në rrjetet sociale, grupime të tifozëve kuq e zi kanë publikuar mesazhin: “Kosova është zemra e Shqipërisë!”, duke treguar solidaritetin dhe emocionin për sfidën vendimtare që zhvillohet sonte.

    Postimi ka marrë shumë pëlqime dhe shpërndarje, ndërsa komentet e ndjekësve shprehin krenarinë dhe mbështetjen për Kombëtaren e Kosovës në këtë duel të rëndësishëm për kualifikim në Kupën e Botës 2026.

    Ndërkohë, stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë pritet të jetë i mbushur, ndërsa tifozët kosovarë dhe ata shqiptarë bashkohen për të krijuar një atmosferë elektrizuese që do të shtyjë lojtarët drejt një arritjeje historike.