ATV

Category: Sport

  • Ancelotti i beson Raphinhas shiritin e kapitenit te Brazili

    Ancelotti i beson Raphinhas shiritin e kapitenit te Brazili

    Trajneri i Përfaqësueses së Brazilit, Carlo Ancelotti, ka marrë një vendim të rëndësishëm për ndeshjet e ardhshme miqësore, duke ia besuar sulmuesit të Barcelonës, Raphinha, shiritin e kapitenit të “Seleçaos”.

    Sipas raportimeve të gazetës spanjolle Marca, 29-vjeçari do të jetë lideri i Brazilit në sfidat miqësore ndaj Japonisë dhe Singaporit, duke marrë përsipër një përgjegjësi të re në përfaqësuesen e vendit të tij.

    Raphinha do ta marrë këtë detyrë në mungesë të mbrojtësit të Paris Saint-Germainit, Marquinhos, i cili nuk do të jetë në dispozicion të Ancelottit gjatë këtij grumbullimi për shkak të një lëndimi.

    Ajo që bie në sy është fakti se tekniku italian e ka preferuar yllin e Barcelonës përpara emrave të njohur si Vinicius Junior, Gabriel Magalhaes dhe Bruno Guimaraes, duke dëshmuar besimin që ka në aftësitë e tij drejtuese.

    Ky vendim vjen në një kohë kur Raphinha ka fituar gjithnjë e më shumë rëndësi edhe te Barcelona. Trajneri Hansi Flick e ka emëruar atë kapiten të skuadrës katalanase për këtë sezon, duke vlerësuar jo vetëm kontributin e tij në fushë, por edhe ndikimin pozitiv në dhomat e zhveshjes.

    Ndërkohë, Barcelona dhe përfaqësuesja braziliane kanë arritur marrëveshje për të menaxhuar me kujdes minutazhin dhe ngarkesën fizike të sulmuesit, me synimin për të shmangur probleme të mundshme fizike.

    Kështu, Raphinha po fiton gjithnjë e më shumë statusin e një prej figurave kryesore të futbollit brazilian, duke marrë besimin për të udhëhequr kombëtaren në sfidat e radhës.

  • Gjashtë xhudistë të Kosovës në Grand Prix Zagreb 2026

    Gjashtë xhudistë të Kosovës në Grand Prix Zagreb 2026

    Kosova do të përfaqësohet nga gjashtë xhudistë në Grand Prix Zagreb 2026, një prej garave të rëndësishme të kalendarit ndërkombëtar të xhudos, e cila do të mbahet nga 13 deri më 15 nëntor në kryeqytetin e Kroacisë.

    Përfaqësuesja e Kosovës në këtë kompeticion do të përbëhet nga tri garuese në konkurrencën e femrave dhe tre garues në atë të meshkujve, të cilët do të synojnë paraqitje sa më të mira dhe rezultate pozitive për vendin.

    Në kategorinë e femrave, Kosovën do ta përfaqësojnë Erza Muminoviq në kategorinë deri në 48 kilogramë, Fatjona Kasapi në atë deri në 52 kilogramë, si dhe Flaka Loxha në kategorinë deri në 57 kilogramë.

    Ndërkohë, në konkurrencën e meshkujve, në tatami do të zbresin Akil Gjakova dhe Dardan Cena në kategorinë deri në 73 kilogramë, ndërsa Luke Davies do të garojë në kategorinë deri në 81 kilogramë.

    Ekipi kosovar do të udhëhiqet nga trajnerët Fatos Tabaku dhe Kushtrim Gashi, të cilët do të jenë në mbështetje të garuesve gjatë këtij aktiviteti ndërkombëtar.

    Grand Prix Zagreb 2026 paraqet një tjetër mundësi për xhudistët kosovarë që të matin formën dhe përgatitjen e tyre përballë kundërshtarëve ndërkombëtarë, duke synuar rezultate sa më të mira dhe përfaqësim dinjitoz të Kosovës.

  • Alarm në sportin botëror, 10 milionë fëmijë dyshohet se përdorin doping

    Alarm në sportin botëror, 10 milionë fëmijë dyshohet se përdorin doping

    Një fenomen shqetësues po merr përmasa alarmante në sportin botëror. Rreth 10 milionë fëmijë në mbarë botën dyshohet se janë të përfshirë në përdorimin e substancave të dopingut, duke rrezikuar shëndetin dhe të ardhmen e tyre sportive.

    Ky është alarmi që vjen nga një hulumtim i transmetuesit publik gjerman ARD, i realizuar pas gjashtë vitesh kërkime në më shumë se 50 shtete dhe 25 sporte të ndryshme.

    Sipas studimit, nga rreth 200 milionë fëmijë të moshës 8 deri në 17 vjeç që merren me sport garues, 5 deri në 6 për qind mund të përdorin substanca për përmirësimin e performancës.

    Ndër preparatet më të përdorura përmenden steroidet anabolike dhe hormoni i rritjes. Madje, disa të mitur mund t’i konsumojnë ato pa e ditur përmbajtjen, pasi u prezantohen si vitamina apo produkte të padëmshme.

    Hulumtimi evidenton se presioni për rezultate dhe suksese sportive po i shtyn gjithnjë e më shumë fëmijët drejt kësaj praktike. Në disa raste dyshohet se ndikim kanë edhe trajnerët, prindërit dhe persona të tjerë të përfshirë në sport.

    Shqetësues është edhe fakti se vetëm rreth 100 të mitur në vit rezultojnë pozitivë në kontrollet antidoping, duke ngritur dyshime për numrin e rasteve që mund të mbeten të pazbuluara.

    Ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i dopingut në moshë të hershme mund të shkaktojë pasoja serioze dhe afatgjata për shëndetin e fëmijëve.

    Seria dokumentare e ARD-së, që synon të zbulojë përmasat e këtij fenomeni, nis publikimin më 13 nëntor.

  • NBA: Knicks dhe Celtics vazhdojnë seritë pozitive, Portland rikthehet te fitorja

    NBA: Knicks dhe Celtics vazhdojnë seritë pozitive, Portland rikthehet te fitorja

    Janë zhvilluar ndeshjet e radhës në elitën e basketbollit amerikan, NBA, ku edhe kësaj radhe nuk kanë munguar spektakli dhe rezultatet interesante.

    Kampioni në fuqi, New York Knicks, ka regjistruar fitoren e katërt radhazi, pasi mposhti Milwaukee Bucks me rezultat 117-85.

    Më meritorët për këtë fitore ishin Jalen Brunson me 23 pikë, Karl-Anthony Towns me 21 pikë e 16 kërcime, si dhe OG Anunoby me 19 pikë.

    Në anën tjetër, Jaime Jaquez Jr. u dallua te Milwaukee me 16 pikë e pesë kërcime, por që nuk mjaftuan për të shmangur humbjen.

    Knicks renditen në vendin e katërt në Konferencën e Lindjes, ndërsa Bucks gjenden në fund të tabelës. Për skuadrën nga Milwaukee, kjo ishte humbja e shtatë radhazi.

    Boston Celtics ka marrë kreun e tabelës në Lindje, pas një përballjeje të drejtpërdrejtë me Philadelphia 76ers për këtë pozitë.

    Celtics triumfuan me rezultat bindës 123-101, duke regjistruar fitoren e katërt radhazi.

    Paul George shkëlqeu në këtë ndeshje me 36 pikë, ndërsa Jayson Tatum kontribuoi me 21 pikë dhe gjashtë kërcime në fitoren e skuadrës së tij.

    Te skuadra humbëse, Tyrese Maxey ishte më efikasi me 24 pikë.

    Kujtojmë se Philadelphia renditet në pozitën e dytë në Konferencën e Lindjes.

    Portland Trail Blazers është këndellur me fitore, pasi mposhti Oklahoma City Thunder me rezultat 123-103.

    Damian Lillard u dallua me 25 pikë, ndërsa Deni Avdija shtoi 24 pikë, gjashtë kërcime dhe tetë asistime, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në suksesin e skuadrës së tij.

    Nga ana tjetër, Shai Gilgeous-Alexander shkëlqeu me 26 pikë dhe tetë kërcime, por paraqitja e tij nuk mjaftoi për të shmangur humbjen e Thunder.

    Pas këtij triumfi, Blazers renditen në pozitën e tetë në Konferencën e Perëndimit, ndërsa Thunder mbajnë vendin e pestë.

  • Tri emra të rinj i bashkohen Kosovës, emocionet dhe krenaria në fjalët e para si Dardanë

    Tri emra të rinj i bashkohen Kosovës, emocionet dhe krenaria në fjalët e para si Dardanë

    Kombëtarja e Kosovës ka marrë tri përforcime të reja për sfidat e ardhshme, ndërsa Lindrit Kamberi, Enis Rexhepi dhe Bleon Kurtulus tashmë janë pjesë e grupit të Dardanëve.

    Tre futbollistët do të jenë në dispozicion të përfaqësueses kosovare për dy ndeshjet e radhës në Ligën e Kombeve, ndaj Izraelit dhe Irlandës, duke nisur kështu një kapitull të ri në karrierën e tyre ndërkombëtare.

    Përmes një videoje të publikuar nga Federata e Futbollit të Kosovës, treshja ka ndarë emocionet e para pas ftesës, duke mos e fshehur krenarinë për mundësinë që të përfaqësojnë vendin e tyre.

    Lindrit Kamberi u shpreh i lumtur për këtë mundësi, duke theksuar se mezi pret të zbresë në fushë me fanellën dardane.

    “Unë jam Lindrit Kamberi, futbollisti më i ri i Kosovës. Jam shumë krenar dhe mezi pres me vesh fanellën e Kosovës. Forca Kosova”, deklaroi ai.

    Edhe Enis Rexhepi e cilësoi si një krenari të veçantë përfshirjen në përfaqësuesen e Kosovës.

    “Përshëndetje, unë jam Enis Rexhepi, lojtari më i ri i Kosovës. Jam shumë krenar me vesh fanellën e Dardanëve. Forca Kosova”, ishte mesazhi i tij.

    Ndërkaq, Bleon Kurtulus përcolli një mesazh më emocional, duke zbuluar se përfaqësimi i Kosovës ka qenë gjithmonë një dëshirë e veçantë për të.

    “Unë jam Bleon Kurtulus, lojtari më i ri i Kosovës. Zemra jem ka rrah gjithmonë për Kosovën. Forca Kosova”, u shpreh Kurtulus.

    Tani, për Kamberin, Rexhepin dhe Kurtulusin nis sfida e vërtetë: ta dëshmojnë veten në nivelin ndërkombëtar dhe të japin kontributin e tyre për fanellën dardane.

    Kosova fillimisht do të përballet me Izraelin në Prishtinë, këtë të shtunë, ndërsa javën e ardhshme do të udhëtojë drejt Dublinit, ku do të zhvillojë duelin e radhës ndaj Irlandës.

    Tri fytyra të reja, tri histori të ndryshme, por një objektiv i përbashkët: të japin gjithçka për Kosovën dhe ngjyrat e saj.

  • Granit Shala paralajmëron spektakël në Dusseldorf: Kundërshtari ende nuk e ka provuar grushtin shqiptar

    Granit Shala paralajmëron spektakël në Dusseldorf: Kundërshtari ende nuk e ka provuar grushtin shqiptar

    Boksieri shqiptar Granit Shala po përgatitet për një nga sfidat e radhës në ring, ku më 28 nëntor, në Dusseldorf të Gjermanisë, do të përballet me boksierin Kristinsson.

    Në prag të kësaj përballjeje, Shala ka përcjellë një mesazh për të gjithë shqiptarët përmes një videoje të publikuar në Instagram, duke i ftuar që të jenë pjesë e kësaj mbrëmjeje sportive dhe ta mbushin sallën me ngjyrat kuqezi, pikërisht në një datë kaq simbolike për shqiptarët.

    Boksieri shqiptar shprehet se po kalon periudhën më të mirë të karrierës së tij dhe se është maksimalisht i motivuar për këtë duel. Megjithatë, përballë do të ketë një kundërshtar mjaft të vështirë, i cili vjen me një bilanc mbresëlënës prej 20 fitoresh në po aq ndeshje, 14 prej tyre të arritura me nokaut.

    Por, pavarësisht statistikave të kundërshtarit, Shala nuk shfaq asnjë dyshim në besimin e tij për triumf. Madje, ai ka zgjedhur edhe një mesazh provokues për rivalin, duke theksuar se ende nuk e ka përjetuar fuqinë e grushtit shqiptar.

    “Përshëndetje miqtë e mi, unë jam Granit Shala. Meçin e radhës e kam në Dusseldorf, më 28.11. Ju pres të gjithë shqiptarëve të vini kuqezi dhe të bëjmë një festë fantastike në Ditën e Flamurit, për t’i treguar botës se kush jemi ne dhe çfarë dimë të bëjmë”, u shpreh Shala.

    Ai shtoi se ndihet në formën më të mirë fizike dhe mendore, ndërsa pret një përballje të fortë, por me besimin e plotë se do të dalë fitues.

    “Kundërshtarin e kam shumë të fortë, me asnjë humbje, 20 fitore dhe 14 nokaut, por ai ende nuk ka ngrënë grusht shqiptari kuqezi. Do t’i tregoj se çfarë nate do të jetë kjo”, deklaroi boksieri shqiptar.

    Në fund, Shala përsëriti thirrjen për bashkatdhetarët, duke kërkuar që Dusseldorfi të shndërrohet në një arenë të vërtetë kuqezi.

    Përballja e 28 nëntorit pritet të jetë më shumë se një duel boksi për Granit Shalën, pasi ai synon që këtë mbrëmje ta kthejë në një festë të madhe shqiptare, duke kërkuar mbështetjen e bashkatdhetarëve në një nga datat më të rëndësishme të historisë sonë.

  • Goditje për Kosovën, Lumbardh Dellova humb dy ndeshjet e radhës

    Goditje për Kosovën, Lumbardh Dellova humb dy ndeshjet e radhës

    Kombëtarja e Kosovës ka marrë një lajm jo të mirë në prag të dy përballjeve të fundit të këtij edicioni të Ligës së Kombeve, pasi mbrojtësi Lumbardh Dellova nuk do të jetë në gjendje të paraqitet në ndeshjet ndaj Izraelit dhe Irlandës.

    Lajmi është konfirmuar nga Federata e Futbollit e Kosovës, e cila ka bërë të ditur se pas ekzaminimeve mjekësore është konstatuar se qendërmbrojtësi nuk është i gatshëm fizikisht për të ndihmuar përfaqësuesen. Për këtë arsye, ai është liruar nga grumbullimi.

    Mungesa e 27-vjeçarit përbën një problem shtesë për përzgjedhësin Franco Foda, i cili humb një tjetër opsion në repartin defensiv në prag të dy sfidave të rëndësishme.

    Dellova kishte pasur probleme me lëndime edhe gjatë muajit tetor, kur pësoi një dëmtim në përballjen e Amedsporit ndaj Genclerbirligit në kampionatin turk. Pas ekzaminimeve me rezonancë magnetike, klubi kishte konfirmuar lëndimin, ndërsa rikuperimi i tij parashihej të zgjaste rreth një muaj.

    Edhe pse mbrojtësi kishte shprehur dëshirën për t’iu bashkuar Kombëtares dhe për të qenë në dispozicion të Fodës, gjendja fizike nuk ia ka mundësuar një gjë të tillë. Ndërkohë, FFK-ja i ka uruar atij shërim sa më të shpejtë dhe rikthim të suksesshëm në fushën e gjelbër.

    Por Dellova nuk është mungesa e vetme në kampin e Kosovës. Edhe Valmir Matoshi dhe Erblin Osmani janë jashtë planeve për këto dy ndeshje, për shkak të lëndimeve të pësuara në klubet e tyre.

    Po ashtu, Albian Hajdari dhe Vesel Demaku nuk janë përfshirë në grumbullim, pasi vazhdojnë procesin e rikuperimit nga lëndimet.

    Kështu, Franco Foda do të duhet të gjejë zgjidhje alternative në mbrojtje, në një moment kur Kosovën e presin dy përballje të rëndësishme në përmbyllje të edicionit të Ligës së Kombeve.

  • Vazhdojnë të shiten biletat për ndeshjen Kosovë – Izrael, lirohen edhe sektorët e rezervuar për mysafirët

    Vazhdojnë të shiten biletat për ndeshjen Kosovë – Izrael, lirohen edhe sektorët e rezervuar për mysafirët

    Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se vazhdon shitja e biletave për ndeshjen ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, e vlefshme për Ligën e Kombeve.

    Një mundësi shtesë për tifozët e “Dardanëve” është krijuar pas konfirmimit zyrtar nga Federata e Futbollit e Izraelit se tifozët izraelitë nuk do të udhëtojnë drejt Kosovës.

    Si rrjedhojë, sektori i tribunave që fillimisht ishte rezervuar për tifozët mysafirë, në përputhje me rregulloret e UEFA-s, tashmë është liruar dhe biletat për këto vende janë vënë në dispozicion të tifozëve vendas.

    Përmes një njoftimi, FFK-ja ka ftuar të gjithë përkrahësit e Kombëtares që të shfrytëzojnë këtë mundësi për të siguruar biletat dhe për të qenë sa më të shumtë në numër në stadiumin “Fadil Vokrri”.

    Tifozët mund t’i blejnë biletat përmes platformës online në linkun e postuar në faqën zyrtare të Federatës së Futbollit në Facebook.

    Kujtojmë se përballja ndaj Izraelit është një nga dy ndeshjet e fundit të Kosovës në këtë edicion të Ligës së Kombeve, ndërsa mbështetja nga tribunat pritet të jetë një motiv shtesë për futbollistët e përfaqësueses.

    Dardanët synojnë të kenë përkrahje sa më të madhe në këtë sfidë të rëndësishme në shtëpi.

  • Dardanët vazhdojnë përgatitjet, zhvillohet seanca e dytë stërvitore para dy sfidave të radhës

    Dardanët vazhdojnë përgatitjet, zhvillohet seanca e dytë stërvitore para dy sfidave të radhës

    Kombëtarja e Kosovës ka vazhduar përgatitjet për dy ndeshjet e ardhshme në kuadër të Ligës së Kombeve, duke zhvilluar sot seancën e dytë stërvitore në prag të përballjeve me Izraelin dhe Republikën e Irlandës.

    Atmosfera në kampin e “Dardanëve” paraqitet mjaft pozitive, ndërsa futbollistët po punojnë me përkushtim për t’u përgatitur sa më mirë për këto dy sfida të rëndësishme.

    Në stërvitjen e sotme ishin të pranishëm pothuajse të gjithë lojtarët e grumbulluar, me përjashtim të Lumbardh Dellovës, i cili mungoi në këtë seancë.

    Ndërkohë, rikthimi në Kombëtare ka sjellë entuziazëm te Betim Fazliji dhe Kreshnik Hajrizi, të cilët janë shprehur të lumtur që sërish janë pjesë e Kombëtares së Kosovës.

    Të dy futbollistët kanë shprehur optimizëm për dy ndeshjet e ardhshme, duke besuar se Kosova ka potencialin për të marrë rezultate pozitive.

    Kujtojmë se fillimisht Kosova do të përballet me Izraelin, në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndërsa më pas do të udhëtojë drejt Dublinit për duelin me Irlandën.

    Dardanët synojnë ta shfrytëzojnë në maksimum këtë periudhë përgatitore, me objektivin për ta mbyllur edicionin e Ligës së Kombeve me paraqitje dhe rezultate sa më të mira.

  • Kosova kërkon hakmarrjen sportive ndaj Italisë në kualifikimet për Botërorin 2028

    Kosova kërkon hakmarrjen sportive ndaj Italisë në kualifikimet për Botërorin 2028

    Kombëtarja e Kosovës në futsall zbret sonte në parket për një tjetër sfidë të rëndësishme në rrugëtimin drejt Kupës së Botës 2028, ku do të përballet me Italinë në ndeshjen e kthimit të Grupit 10, në kuadër të raundit kryesor kualifikues.

    Dardanët do të luajnë në palestrën “PalaDisfida” në Barletta, me fillim nga ora 20:00, me synimin për të marrë një rezultat pozitiv dhe për të kompensuar humbjen e pësuar në përballjen e parë.

    Ndeshja e zhvilluar në Prishtinë disa ditë më parë ishte mjaft dramatike dhe përfundoi me fitoren e italianëve me rezultat 4-3.

    Pavarësisht humbjes, Kosova tregoi se mund të rivalizojë me përfaqësuesen italiane, ndërsa në atë takim Ramadan Alaj ishte protagonist me dy gola të realizuar. Një tjetër gol për Dardanët e shënoi Fitim Krasniqi.

    Në anën tjetër, për Italinë realizuan Michele Podda, Giovanni Pulvirenti, Carmelo Musumeci dhe Giuliano Fortini.

    Përballja e sotme paraqet një tjetër mundësi për futsallistët kosovarë që të dëshmojnë vlerat e tyre dhe të luftojnë deri në fund për një rezultat që do t’i mbante në garë në këto kualifikime.

    Pas duelit me Italinë, Kosova do të vazhdojë aventurën kualifikuese më 24 shkurt, kur në program është ndeshja ndaj Gjeorgjisë.