ATV

Category: SPORT

  • Kosovë–Izrael, FFK nis shitjen e biletave: Këto janë kushtet për tifozët

    Kosovë–Izrael, FFK nis shitjen e biletave: Këto janë kushtet për tifozët

    Kombëtarja e Kosovës do të kërkojë rikthimin te rezultatet pozitive në ndeshjen e radhës në Ligën e Kombeve, ku përballë do ta ketë Izraelin.

    “Dardanët” vijnë në këtë sfidë pas humbjes ndaj Austrisë, ndërsa synojnë të reagojnë në përballjen me izraelitët, të cilët kanë regjistruar dy humbje në Ligën B.

    Ndeshja do të zhvillohet më 1 tetor 2026 në Debrecen të Hungarisë, në terren neutral.

    Ndërkohë, Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se tashmë ka nisur shitja e biletave për sektorin e tifozëve kosovarë. FFK-ja ka bërë të ditur gjithashtu se tifozët duhet të plotësojnë disa të dhëna gjatë procesit të blerjes së biletës.

    Sipas njoftimit të federatës, tifozët duhet të sigurojnë që të gjitha informacionet e kërkuara të jenë të sakta dhe të përputhen me dokumentet identifikuese.

    “Federata e Futbollit e Kosovës njofton tifozët se tashmë ka filluar shitja e biletave për sektorin e tifozëve të Kosovës për ndeshjen Izrael–Kosovë, e cila zhvillohet më 1 tetor 2026, në Debrecen të Hungarisë.

    Për të siguruar biletën, secili tifoz duhet të plotësojë saktë të dhënat e kërkuara gjatë procesit të regjistrimit.

    Tifozët duhet të sigurohen që të gjitha të dhënat të jenë plotësuar saktë. Çdo tifoz që nuk ofron informacionin e kërkuar në mënyrë të saktë, ose të dhënat e identifikimit të të cilit nuk përputhen me regjistrimin e biletës, nuk do të lejohet të hyjë në stadium.

    Shitja e biletave për tifozët e Kosovës mbyllet më 30 shtator në ora 20:00.

  • Curry vazhdon me Warriors, kontrata e re mund ta mbyllë karrierën në Golden State

    Curry vazhdon me Warriors, kontrata e re mund ta mbyllë karrierën në Golden State

    Stephen Curry do të vazhdojë të jetë pjesë e Golden State Warriors, pasi ylli amerikan ka firmosur një kontratë të re dyvjeçare, me vlerë prej 116 milionë dollarësh.

    Marrëveshja e re përfshin edhe një opsion lojtari për sezonin 2028/29, duke i hapur rrugë Curry-t që ta përfundojë karrierën e tij 20-vjeçare në NBA me fanellën e Warriors.

    Curry, i cili është 38-vjeçar, do të përfitojë 62.5 milionë dollarë gjatë sezonit të ardhshëm dhe më pas do të kishte mundësinë të bëhej lojtar i lirë. Megjithatë, ai ka vendosur të qëndrojë në Golden State dhe të vazhdojë projektin me skuadrën që e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës së tij në NBA.

    Kontrata e re është rreth 20 milionë dollarë më e ulët se maksimumi për të cilin Curry ishte i kualifikuar, por kjo marrëveshje i krijon Warriors më shumë hapësirë financiare për të ndërhyrë në merkato dhe për të forcuar skuadrën.

    Vetë Curry kishte deklaruar më herët se e ardhmja e tij kontraktuale nuk do të ndikonte në paraqitjet e tij apo në atmosferën brenda ekipit.

    “Nuk dua që të ketë dramë”, kishte deklaruar ai.

    I konsideruar si një prej gjuajtësve më të mëdhenj për treshe në historinë e NBA-së, Curry synon të udhëheqë sërish Warriors drejt luftës për titullin e kampionit. Ai ka fituar katër unaza kampioni me Golden State, por skuadra nuk e ka ngritur trofeun që nga sezoni 2021/22.

    Në katër sezonet e fundit, Warriors kanë mbetur jashtë play-off-it në dy raste, ndërsa sezonin e kaluar e mbyllën me bilanc prej 37 fitoreve dhe 45 humbjeve.

    Edhe për Curry, dy sezonet e fundit kanë qenë më të vështira sa i përket efikasitetit nga distanca. Për herë të parë në karrierën e tij, ai ka realizuar 40 për qind ose më pak të gjuajtjeve për tri pikë në dy sezone radhazi.

    12 herë All-Star, Curry luajti vetëm 43 ndeshje sezonin e kaluar për shkak të disa problemeve fizike, përfshirë shqetësimet me gjurin, dëmtimin e kockës dhe një lëndim në kuadricepsin e majtë.

    Megjithatë, rekordi individual mbetet një tjetër objektiv për yllin e Warriors. Curry ka nevojë për vetëm 141 pikë për t’u futur në top-20 të lojtarëve me më shumë pikë në historinë e NBA-së, ndërsa i duhen edhe 353 asistime për të arritur të njëjtën kuotë në këtë kategori.

    Dy herë MVP i NBA-së ka kështu mundësinë t’i bashkohet LeBron James, James Harden dhe Oscar Robertson si lojtarët e vetëm në historinë e ligës që renditen në top-20 si për pikë, ashtu edhe për asistime.

    Sezoni i ri për Golden State Warriors nis më 21 tetor 2026, kur do të përballen me Los Angeles Lakers.

  • Kosova rikthehet në stërvitje, “Dardanët” fokusohen te Izraeli

    Kosova rikthehet në stërvitje, “Dardanët” fokusohen te Izraeli

    Pas humbjes ndaj Austrisë, Kombëtarja e Kosovës nuk ka shumë kohë për të menduar për rezultatin e fundit, pasi tashmë vëmendja është kthyer te sfida e radhës.

    “Dardanët” kanë nisur përgatitjet për përballjen me Izraelin, e cila do të zhvillohet të enjten në mbrëmje në qytetin e Debrecenit të Hungarisë.

    Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se futbollistët janë rikthyer në stërvitje, duke zhvilluar seancën e radhës në kuadër të përgatitjeve për këtë takim.

    Lojtarët që nuk ishin titullarë në ndeshjen ndaj Austrisë kanë zhvilluar stërvitje të plotë, ndërsa futbollistët që e nisën ndeshjen nga minuta e parë iu nënshtruan programit të rigjenerimit në palestër.

    Për Kosovën, sfida ndaj Izraelit vjen në një moment ku pikët janë të rëndësishme, ndaj skuadra synon të reagojë pas disfatës së fundit dhe të rikthehet te rezultatet pozitive.

    Përballja Izrael – Kosovë do të luhet të enjten në stadiumin e Debrecenit, me fillim nga ora 20:45.

    “Dardanët” tashmë kanë nisur numërimin mbrapsht për këtë duel, ku synimi është një paraqitje sa më e mirë dhe marrja e pikëve të plota.

  • Zyrtare: Foda befason me formacionin ndaj Austrisë, Zhegrova në stol

    Zyrtare: Foda befason me formacionin ndaj Austrisë, Zhegrova në stol

    Kosova do të kërkojë një rezultat pozitiv në transfertën ndaj Austrisë, në kuadër të xhiros së dytë të Ligës B të Ligës së Kombeve.

    “Dardanët” do të jenë pa qendërmbrojtësin Albian Hajdari, i cili mungon për shkak të lëndimit të pësuar në ndeshjen e kaluar. Në vend të tij, trajneri Franco Foda ka vendosur t’i besojë Ron Raçit, i cili do të ketë mundësinë të tregojë vlerat e tij në një përballje të rëndësishme.

    Një nga befasitë e formacionit të Kosovës është lënia në stol e Edon Zhegrovës. Foda ka zgjedhur Baton Zabërgjën dhe Ermal Krasniqin për ta mbështetur kapitenin Vedat Muriqi në fazën ofensive.

    Ndeshja mes Austrisë dhe Kosovës do të zhvillohet në Vjenë dhe do të nisë nga ora 18:00.

    Formacionet zyrtare:

    Austria: Zawieschitzky; Veratschnig, Affengruber, Danso, Wöber; Schlager, Seiwald; Wimmer, Wanner, Schmid; Adamu.

    Kosova: Muric; Raçi, Dellova, Krasniqi; Gallapeni, Avdullahu, Hoxha, Vojvoda; Krasniqi, Zabërgja; Muriqi.

    “Dardanët” synojnë të vazhdojnë me rezultate pozitive pas fitores 1-0 ndaj Irlandës në ndeshjen hapëse të këtij edicioni.

  • Trepça dhe Bashkimi përballen për trofeun e parë të sezonit

    Trepça dhe Bashkimi përballen për trofeun e parë të sezonit

    Trepça dhe Bashkimi do të përballen të martën në finalen e ProCredit Superkupës së Kosovës në basketboll, në një duel që pritet të sjellë spektakël si në parket, ashtu edhe në tribuna.

    Finalja do të zhvillohet më 29 shtator në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, me fillim nga ora 19:00.

    Të dyja skuadrat do të synojnë trofeun e parë të sezonit, ndërsa përballja pritet të zhvillohet para një numri të madh tifozësh.

    Interesimi për këtë duel është i madh, veçanërisht për shkak të rivalitetit mes dy skuadrave dhe ambicieve të tyre për ta nisur sezonin me një trofe.

    Organizatorët kanë bërë të ditur se të gjitha biletat e blera më herët do të mbeten të vlefshme edhe për finalen e 29 shtatorit.

    Tashmë gjithçka është gati për duelin Trepça–Bashkimi, ku dy skuadrat do të kërkojnë të shkruajnë emrin e tyre në historinë e edicionit të ri të basketbollit kosovar.

  • “Plisat” tubohen në Prishtinë në mbështetje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së

    “Plisat” tubohen në Prishtinë në mbështetje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së

    Tifo-grupi “Plisat” është tubuar sot në Prishtinë, në kuadër të protestës së paralajmëruar nga grupet e tifozëve në Kosovë në mbështetje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së që po përballen me procese gjyqësore në Hagë.

    Tifozët janë mbledhur prapa Pallatit të Rinisë, prej nga pritet të vazhdojnë drejt sheshit “Skënderbeu”, ku prej disa ditësh po zhvillohen protesta.

    Ndërkohë, në qendër të Prishtinës është shtuar prania e Policisë së Kosovës. Pjesëtarë të policisë janë vendosur në pika të ndryshme të zonës, ndërsa janë marrë masa shtesë të sigurisë, përfshirë vendosjen e barrierave metalike.

    Në protestë pritet të marrin pjesë edhe tifo-grupe të tjera nga qytete të ndryshme të Kosovës.

    Tubimi është organizuar si shprehje mbështetjeje për ish-pjesëtarët e UÇK-së që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë, ndërsa autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë për të garantuar rendin gjatë protestës.

  • Moldavia triumfon në ditën e dytë të Kampionatit Ballkanik të Xhudos në Pejë

    Moldavia triumfon në ditën e dytë të Kampionatit Ballkanik të Xhudos në Pejë

    Kampionati Ballkanik i Xhudos për Senior U23 dhe Ekipore ka dhuruar emocione të shumta në palestrën “Karagaç” të Pejës, ku sot u zhvillua dita e dytë e garave me konkurrencën ekipore.

    Në këtë turne morën pjesë ekipet përfaqësuese të Bosnjës dhe Hercegovinës, Moldavisë dhe Turqisë, të cilat u përballën mes tyre në një atmosferë sportive dhe me duele të forta.

    Në fund të garave, titulli i kampionit në konkurrencën ekipore i takoi Moldavisë, e cila siguroi vendin e parë dhe trofeun e Kampionatit Ballkanik.

    Turqia u rendit në vendin e dytë, duke fituar medaljen e argjendtë, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina përfundoi në vendet e treta.

    Kampionati Ballkanik i Xhudos në Pejë ka sjellë një fundjavë të mbushur me gara cilësore dhe ka mbledhur sportistë të rinj nga rajoni, duke promovuar nivelin dhe zhvillimin e këtij sporti në Ballkan.

  • Nicholas Walsh gjyqtar i ndeshjes Austri–Kosovë

    Nicholas Walsh gjyqtar i ndeshjes Austri–Kosovë

    Skocezi Nicholas Walsh do të jetë arbitri kryesor i përballjes ndërmjet Austrisë dhe Kosovës në Ligën e Kombeve.

    “Dardanët” do të zbresin sot në fushë në Vjenë, ku nga ora 18:00 do të përballen me Austrinë në kuadër të Grupit B3 të Ligës së Kombeve.

    Walsh do të ketë në krah bashkëkombësit Francis Connor dhe Daniel McFarlane, të cilët do të jenë ndihmësit e tij. Arbitër i katërt do të jetë Donald Robertson.

    Në sistemin VAR do të jenë po ashtu dy gjyqtarë nga Skocia, Steven McLean dhe John Beaton.

    Të dyja skuadrat e kanë nisur me fitore këtë edicion dhe aktualisht kanë nga tri pikë. Kosova të enjten triumfoi 1-0 ndaj Irlandës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa Austria regjistroi fitore 3-1 ndaj Izraelit.

    Përballja e sotme në Vjenë pritet të jetë një test i rëndësishëm për “Dardanët”, të cilët do të kërkojnë të marrin një rezultat pozitiv ndaj një prej kundërshtarëve kryesorë në grup.

    Kosova do të jetë pa mbrojtësin Albian Hajdari, i cili nuk mund të luajë për shkak të lëndimit të pësuar në ndeshjen ndaj Irlandës.

  • Luis De la Fuente pas fitores ndaj Anglisë: “Ky është sekreti i kësaj skuadre”

    Luis De la Fuente pas fitores ndaj Anglisë: “Ky është sekreti i kësaj skuadre”

    Spanja vazhdon të shkruajë histori. “La Roja” mposhti Anglinë me rezultat 3-2 në “Wembley”, në një përballje spektakolare të karakterizuar nga përmbysjet, duke regjistruar ndeshjen e 39-të radhazi pa humbje.

    Në fund, skuadra e Luis de la Fuentes doli fituese nga Londra, ndërsa trajneri spanjoll pas ndeshjes vlerësoi paraqitjen dhe mentalitetin e futbollistëve të tij.

    “Patëm 6-7 minuta ku një superfuqi na bëri dëme. Në përgjithësi, besoj se ndeshja ishte nën kontroll. Në disa raste na kushtoi fakti që vrapuam pas shpinës së kundërshtarit”, deklaroi De la Fuente.

    Trajneri i Spanjës u ndal veçanërisht te mentaliteti dhe ambicia e grupit që drejton, duke theksuar se rezultatet e fundit janë edhe pasojë e karakterit të futbollistëve.

    “E gjithë kjo uri është meritë e futbollistëve. Janë ambiciozë dhe kanë dëshirë të përmirësohen. Kjo është meritë e këtij grupi, i cili ka treguar vlera përtej aspektit futbollistik. Janë vlera jetësore që i bashkohen talentit të madh futbollistik”, u shpreh ai.

    Me fitoren ndaj Anglisë, Spanja e çoi në 39 numrin e ndeshjeve radhazi pa humbje. Për De la Fuentes, kjo seri është dëshmi e punës së bërë nga ky brez.

    “Shifrat janë aty. Është shumë e vështirë të bësh atë që po bën kjo skuadër. Ndeshja e radhës do të jetë sikur të jetë e fundit. Ky është sekreti”, theksoi trajneri spanjoll.

    De la Fuente analizoi edhe momentin kur Anglia arriti të rikthehej në lojë, duke veçuar rastet e humbura nga skuadra e tij.

    “Përmbysja nisi kur patëm tri raste të pastra dhe nuk i shënuam. E shihja skuadrën të aftë për të reaguar në çdo rrethanë. Jam i sigurt se edhe me rezultatin 3-1 do të kishim reaguar njësoj”, deklaroi ai.

    Trajneri spanjoll pati gjithashtu fjalë të mira për Ferran Torres, duke vlerësuar kontributin e sulmuesit në suksesin e “La Rojas”.

    “Hugo Sanchez ishte shënuesi më i mirë me golat e shënuar me prekjen e parë. Ferran është një goleador shumë i mirë. Jam i kënaqur me punën e tij dhe prej saj përfitoi më pas edhe Mikel Oyarzabal. Kjo është punë skuadre dhe kjo është forca që kemi”, tha De la Fuente.

    Në fund, ai u pyet edhe për Lamine Yamal dhe rolin që talenti i Barcelonës ka në kombëtare.

    “Nuk e di se çfarë i kërkon Barcelona. Ne i kërkojmë të bëjë atë që i përshtatet më mirë stilit tonë të lojës. Është një mrekulli që është me ne”, përfundoi trajneri i Spanjës.

  • Bayern mendon për pasuesin e Kane, Brobbey në listën e bavarezëve

    Bayern mendon për pasuesin e Kane, Brobbey në listën e bavarezëve

    Bayern Munich ka nisur të planifikojë të ardhmen e repartit ofensiv, pavarësisht se negociatat për rinovimin e kontratës me Harry Kane po ecin në drejtimin e duhur.

    Sulmuesi anglez, 33 vjeç, ka një kontratë që skadon në fund të këtij sezoni dhe aktualisht është në bisedime me klubin bavarez për zgjatjen e saj. Të dyja palët kanë shfaqur qetësi dhe optimizëm, pasi dëshira e përbashkët është që Kane të vazhdojë të jetë pjesë e Bayern Munichut edhe për disa vite.

    Megjithatë, drejtuesit në Mynih e dinë se një ditë do të duhet të gjejnë pasuesin e sulmuesit anglez. Për këtë arsye, klubi ka nisur prej kohësh të monitorojë disa alternativa, me synimin për të qenë një hap përpara konkurrencës në merkato.

    Sipas gazetarit Ekrem Konur, një prej emrave që Bayern Munich po ndjek prej kohësh është Brian Brobbey.

    Sulmuesi holandez, 24 vjeç, ka qenë edhe më herët në radarët e klubit bavarez. Bayern e kishte konsideruar Brobbeyn si një alternativë të mundshme për Kane gjatë dy sezoneve të fundit, por në atë periudhë nuk vendosi të bëjë një ofertë konkrete.

    Megjithatë, emri i tij vazhdon të jetë në listën e kandidatëve për të ardhmen. Brobbey është aktivizuar së fundmi me Sunderlandin dhe paraqitjet e tij kanë tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha.

    Në fillim të sezonit, holandezi shënoi një tripletë ndaj Manchester Cityt, ndërsa më herët kishte lënë përshtypje edhe me fanellën e kombëtares së Holandës në Kupën e Botës.

    Brobbey ka kontratë me Sunderlandin deri në qershor të vitit 2029 dhe tashmë është futur në radarët e disa prej klubeve të mëdha të Premier League.

    Në merkatot e ardhshme, emri i tij pritet të jetë ndër më të përfolurit, veçanërisht për shkak të profilit si qendërsulmues klasik, një tipologji që po bëhet gjithnjë e më e rrallë në futbollin modern.

    Për Bayern Munichun, Brobbey mund të jetë një prej alternativave për periudhën pas Harry Kane, edhe pse drejtuesit bavarezë pritet të shqyrtojnë disa kandidatura përpara se të marrin një vendim përfundimtar.