ATV

Category: SPORT

  • Lojtarët e Kombëtares së Kosovës të pakënaqur me barazimin ndaj Izraelit

    Lojtarët e Kombëtares së Kosovës të pakënaqur me barazimin ndaj Izraelit

    Kombëtarja e Kosovës nuk ka arritur të nxjerrë më shumë se një barazim kundër Izraelit pa gola 0:0,ndeshje që i takoi grupit 3 të Ligës së Kombeve.

    Futbollistët dardanë u shprehën tejet të zhgënjyer me këtë rezultat,duke bërë me dije se fitorja ndaj izraelitëve ishte e domosdoshme për shanset e Kosovës për pozitën e parë në grup pas barazimit të Austrisë ndaj Irlandës 2:2.

    Kapiteni Mërgim Vojvoda ka deklaruar se ekipi duhet të jetë i kënaqur me pikën e marrë,dhe konsideron se gara për pozitën e parë është ende e hapur dhe të fokusohen të dielën në ndeshjen kundër Austrisë.

    Leon Avdullahu thotë se Kosova nuk e meritoi fitoren kundër Izraelit për mënyrën sesi luajti ,por thotë se mungesa e Vedat Muriqit ka bërë të veten ku ky i fundit u lëndua para fillimit të ndeshjes,teksa shton se ndaj Austrisë ekipi duhet të rikuperohet dhe se synimi duhet të jetë vendi i parë.

    Milot Rashica ka thënë se pritshmëritë për të marrë 3 pikë ishin shumë të mëdha,por në fund shtoi se Izraeli pati raste shënimi dhe se duhet marrur këtë pikë që ekipi të ec tutje.

    Në fund foli edhe Valmir Matoshi i cili ka deklaruar se ky barazim ndaj Izraelit është si humbje,teksa dha një premtim që do të jap maksimumin në fushë për Kosovën sa herë që i jipet rasti.

    Kujtojmë që Kosova ndeshjen e rradhës e zhvillon kundër Austrisë të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

  • Fanella e Michael Jordan nga finalja e NBA-së shitet për 12.26 milionë dollar

    Fanella e Michael Jordan nga finalja e NBA-së shitet për 12.26 milionë dollar

    Fanella legjendare e Michael Jordanit, e veshur gjatë finales së NBA-së në vitin 1998 ndaj Utah Jazz, është shitur për plot 12.26 milionë dollarë, duke u bërë fanella më e shtrenjtë e basketbollit e shitur ndonjëherë në ankand.

    Bëhet fjalë për fanellën e bardhë ikonike të Chicago Bulls, me numrin 23, të cilën Jordan e veshi më 7 qershor 1998, në ndeshjen e tretë të finales, në United Center të Çikagos.

    Ajo ndeshje mbeti një nga momentet më të veçanta të epokës së “Last Dance”. Bulls shkatërruan Utah Jazz me rezultatin 96-54 dhe morën epërsinë 2-1 në seri.

    Në fund, Chicago triumfoi 4-2, ndërsa Jordan siguroi titullin e gjashtë dhe të fundit të NBA-së në karrierën e tij.

    Ankandi u zhvillua përmes platformës JOOPITER, të themeluar nga Pharrell Williams. Çmimi fillestar ishte 10 milionë dollarë, ndërsa me taksat dhe shpenzimet shtesë, shuma përfundimtare arriti në 12.26 milionë.

    Në mënyrë interesante, për fanellën u bë vetëm një ofertë detyruese.

    Ky rekord i ri tejkalon edhe rekordin e mëparshëm të Jordanit. Në vitin 2022, fanella e kuqe e veshur prej tij në ndeshjen e parë të së njëjtës finale ishte shitur për më shumë se 10 milionë dollarë.

    Vlera e fanellës së fundit lidhet edhe me rrallësinë e saj. Sipas JOOPITER, ajo është e vetmja fanellë e bardhë e Jordanit nga finalet e vitit 1998 që njihet publikisht dhe ka dalë në treg.

    Megjithatë, Jordan nuk mban rekordin absolut në sport. Ai i përket legjendës së bejsbollit, Babe Ruth, fanella e të cilit u shit për 24.12 milionë dollarë.

    Kështu, fanella e Jordanit hyn në histori me një rekord të ri në basketboll dhe me një çmim që tregon edhe një herë vlerën e jashtëzakonshme të trashëgimisë së tij sportive.

  • Cristiano Ronaldo drejt fundit me Portugalinë, e ardhmja e tij në pikëpyetje

    Cristiano Ronaldo drejt fundit me Portugalinë, e ardhmja e tij në pikëpyetje

    E ardhmja e Cristiano Ronaldos me Kombëtaren e Portugalisë duket se po hyn në një tjetër fazë, ndërsa në vend po rikthehen spekulimet për një pensionim të mundshëm të yllit portugez pas Kupës së Botës 2026.

    Sipas mediumit spanjoll “Diario AS”, Federata Portugeze e Futbollit kishte parashikuar që Ronaldo ta mbyllte aventurën me përfaqësuesen pas përfundimit të Botërorit.

    Raportohet se gjatë procesit për përzgjedhjen e pasuesit të Roberto Martinezit, federata u kishte bërë me dije disa prej kandidatëve për postin e trajnerit se 41-vjeçari mund të mos rikthehej më te Portugalia pas turneut të vitit 2026.

    Megjithatë, duke qenë se Ronaldo nuk kishte marrë ende një vendim përfundimtar për të ardhmen e tij, trajneri Jorge Jesus vendosi ta përfshinte kapitenin në listën e lojtarëve për ndeshjet e Ligës së Kombeve.

    Por situata ndryshoi pas zhvillimeve të fundit brenda grumbullimit të Portugalisë.

    Ronaldo u largua nga grumbullimi në mes të kampit, pas një përplasjeje me trajnerin Jorge Jesus, e cila lidhej me minutat e pakta të lojës.

    Ky episod ka rikthyer edhe më fuqishëm diskutimet rreth të ardhmes së tij me përfaqësuesen dhe mundësisë që aventura e gjatë e Ronaldos me fanellën e Portugalisë të jetë pranë fundit.

    Ndërkohë, motra e tij, Katia Aveiro, ka dalë në mbështetje të kapitenit portugez, duke deklaruar se “CR7 meritonte më shumë respekt” pas zhvillimeve të fundit.

    Ronaldo mbetet një prej figurave kryesore në historinë e futbollit portugez, ndërsa vendimi për të ardhmen e tij me kombëtaren pritet të jetë një nga temat më të diskutuara në muajt e ardhshëm.

  • Kosova rikthehet sonte në fushë, me synimin për t’u rikthyer te fitorja në Ligën e Kombeve.

    Kosova rikthehet sonte në fushë, me synimin për t’u rikthyer te fitorja në Ligën e Kombeve.

    Kombëtarja e Kosovës rikthehet sonte në fushë, në kërkim të një rezultati pozitiv në Ligën e Kombeve, pas humbjes ndaj Austrisë.

    “Dardanët” kanë grumbulluar tri pikë në dy ndeshjet e para të Grupit B3. Kampanjën e nisën me fitore 1-0 ndaj Republikës së Irlandës, ndërsa tri ditë më vonë pësuan humbje 3-1 nga Austria.

    Me tri pikë, Kosova aktualisht renditet në vendin e dytë në grup, pas Austrisë që kryeson me gjashtë pikë.

    Përballë Kosovës këtë herë do të jetë Izraeli, që po kalon një start të vështirë në këtë edicion të Ligës së Kombeve.

    Izraelitët fillimisht u mposhtën 3-1 nga Austria, ndërsa në ndeshjen e dytë pësuan një tjetër humbje, këtë herë 3-0 ndaj Republikës së Irlandës.

    Me zero pikë pas dy takimeve dhe vetëm një gol të shënuar, Izraeli ndodhet në fund të tabelës.

    Kjo do të jetë përballja e tretë mes Kosovës dhe Izraelit. Në dy ndeshjet e mëparshme, të dyja skuadrat kanë nga një fitore, ndërsa një takim ka përfunduar në barazim. Kosova ka shënuar dy gola, ndërsa Izraeli një.

    Për Kombëtaren e Kosovës, kjo sfidë vjen si një mundësi për të reaguar pas humbjes ndaj Austrisë dhe për të marrë pikë të rëndësishme në garën për pozitat e kreut.

    Pas kësaj ndeshjeje, Kosova do të përballet sërish me Austrinë, më 4 tetor.

    Izrael-Kosovë zhvillohet sonte në Debrecen të Hungarisë, me fillim nga ora 20:45.

  • Foda para ndeshjes me Izraelin: Presim ndeshje të fortë, do të jemi më agresivë

    Foda para ndeshjes me Izraelin: Presim ndeshje të fortë, do të jemi më agresivë

    Kosova është gati për një tjetër sfidë në Ligën e Kombeve, teksa “Dardanët” të enjtën mbrëma do të përballen me Izraelin në Debrecen të Hungarisë.

    Kosova hyn në këtë takim me një fitore dhe një humbje në dy ndeshjet e para. Pas triumfit ndaj Irlandës, skuadra e Franco Fodës u mposht nga Austria dhe tani synon të rikthehet te rezultatet pozitive.

    Një ditë para përballjes, përzgjedhësi Franco Foda dhe mbrojtësi Ilir Krasniqi kanë dalë në konferencën për media, ku kanë folur për kundërshtarin, gjendjen e ekipit dhe pritshmëritë për ndeshjen.

    Foda e vlerësoi lart kombëtaren e Izraelit, duke veçuar cilësitë teknike dhe shpejtësinë e futbollistëve të saj.

    “Kombëtarja e Izraelit natyrisht që është shumë e fortë dhe pavarësisht rezultateve, këtë e ka treguar edhe në dy ndeshjet e fundit. Kanë futbollistë që janë shumë të mirë në aspektin teknik, janë shumë të shpejtë, prandaj presim ndeshje shumë të fortë, por normalisht që edhe ne do të mundohemi që të jemi sa më agresivë në këtë përballje.”

    Një nga pikëpyetjet para ndeshjes mbetet edhe portieri Arijanet Muric, i cili pësoi lëndim në sfidën ndaj Austrisë.

    “Aro Muric ka pësuar një lëndim në ndeshjen me Austrinë. Në stërvitjet e kaluara ka munguar për shkak të këtij lëndimi. Do të shohim sonte, pasi nuk mund të japim akoma një përgjigje nëse ai është i gatshëm për ndeshjen e nesërme apo jo.”

    Përzgjedhësi i Kosovës e cilësoi ndeshjen si shumë të rëndësishme, por nuk pranoi ta quajë vendimtare për pozitën e parë në grup.

    “Nuk mund të them se kjo ndeshje është vendimtare për pozitën e parë në grup, por absolutisht që është shumë e rëndësishme dhe secila ndeshje është shumë e rëndësishme. Mirëpo, për ne është e rëndësishme mënyra se si luajmë, si do të paraqitemi dhe sa kompakt do të jemi, për nga mënyra se si do t’i qasemi ndeshjes. Normalisht, është një prej ndeshjeve ku unë do të bëj ndryshime në formacion, krahasuar me ndeshjen paraprake.”

    Në të njëjtën konferencë, Ilir Krasniqi e vlerësoi Izraelin si një kundërshtar të fortë, duke theksuar se Kosova duhet të jetë e gatshme për një ndeshje të vështirë.

    “Fillimisht, nesër është ndeshje e vështirë, pasi Izraeli ka ekip të fortë dhe luan mirë teknikisht. Dinë të luajnë në hapësira të ngushta. I kemi parë pikat e forta dhe shpresojmë të qasemi mirë në fushë.

    Kemi nevojë gjithmonë për përmirësime dhe mësojmë nga loja e kaluar. Nga Austria kemi mësuar të jemi më kompakt dhe të luftojmë për njëri-tjetrin.

    Pra, nesër në fushë të paraqitemi si është më së miri.”

    Kosova dhe Izraeli përballen të martën në Debrecen, me fillim nga ora 20:45, në një sfidë ku “Dardanët” synojnë të marrin rezultat pozitiv dhe të rikthehen te pikët në Ligën e Kombeve.

  • Raphinha largohet nga grumbullimi i Brazilit, rikthehet në Barcelonë për shkak të një lëndimi

    Raphinha largohet nga grumbullimi i Brazilit, rikthehet në Barcelonë për shkak të një lëndimi

    Raphinha nuk do të jetë pjesë e Brazilit në miqësoren e radhës ndaj Indisë, pasi është larguar nga grumbullimi i kombëtares për shkak të një shqetësimi fizik.

    Sulmuesi i Barcelonës ndjeu dhimbje në kofshën e djathtë gjatë ndeshjes së fundit ndaj Australisë dhe u zëvendësua që në pushimin mes pjesëve.

    Sipas raportimeve të “Globo Esporte”, ekzaminimet mjekësore nuk kanë zbuluar ndonjë dëmtim serioz. Bëhet fjalë për një ënjtje të lehtë, por stafi mjekësor i Brazilit ka preferuar të mos rrezikojë me futbollistin.

    Për këtë arsye, Konfederata Braziliane e Futbollit ka vendosur ta lirojë Raphinhan nga grumbullimi, duke i dhënë mundësinë të rikthehet menjëherë në Barcelonë, ku do të nisë trajtimin dhe rikuperimin.

    Vendimi është marrë edhe duke pasur parasysh historinë e dëmtimeve të lojtarit. Gjatë sezonit të kaluar, Raphinha kishte pësuar katër lëndime në të njëjtën kofshë, duke munguar për më shumë se 150 ditë.

    Pavarësisht largimit të tij, Brazili ka vendosur të mos ftojë një zëvendësues për ndeshjen ndaj Indisë, duke vazhduar grumbullimin me grupin aktual të lojtarëve.

    Tashmë, vëmendja është te rikuperimi i Raphinhas dhe gatishmëria e tij për t’u rikthyer sa më shpejt në dispozicion të Barcelonës.

  • Manaj vazhdon të shkëlqejë me Shqipërinë, tani synon rekordin e Bogdanit

    Manaj vazhdon të shkëlqejë me Shqipërinë, tani synon rekordin e Bogdanit

    Rey Manaj po kalon një periudhë të shkëlqyer me fanellën e Kombëtares së Shqipërisë dhe këtë e konfirmoi edhe në përballjen ndaj San Marinos.

    Sulmuesi kuqezi gjeti sërish rrugën e rrjetës, duke shënuar në minutën e 65-të golin e tretë të Shqipërisë në këtë takim.

    Ky ishte realizimi i 11-të i Manajt me fanellën kuqezi, duke e ngjitur atë edhe më lart në listën e golashënuesve historikë të Kombëtares.

    Me këtë gol, 27-vjeçari barazoi Sokol Kushtën dhe Hamdi Salihin me nga 11 gola të shënuar për Shqipërinë, ndërsa tashmë ka përpara një tjetër objektiv të rëndësishëm.

    Në horizont është rekordi i Erjon Bogdanit, i cili ka realizuar 18 gola me Kombëtaren. Manajt i nevojiten edhe shtatë gola për të barazuar legjendën kuqezi dhe për t’iu afruar majës së listës së golashënuesve të Shqipërisë.

    Megjithatë, pavarësisht progresit personal, Manaj pas ndeshjes u tregua i përmbajtur dhe theksoi se objektivat individualë nuk janë prioriteti i tij.

    “Të them të drejtën, për objektiva personale nuk më pëlqen të flas. Rëndësi ka të fitojmë në Nations League dhe të kualifikohemi sërish në Evropian. Ishalla i kap sa më shpejt, por fokusi im i vetëm mbetet Evropiani në këtë moment”, deklaroi Manaj.

    Forma e mirë e sulmuesit përbën një lajm pozitiv për Shqipërinë, e cila synon të vazhdojë me rezultate të mira dhe të sigurojë një tjetër paraqitje në skenën e madhe të futbollit evropian.

    Manaj, ndërkohë, tashmë e ka të qartë sfidën e radhës: shtatë gola e ndajnë nga rekordi i Bogdanit.

  • Peja në kërkim të reagimit ndaj Dinamos në Bukuresht

    Peja në kërkim të reagimit ndaj Dinamos në Bukuresht

    KB Peja rikthehet sonte në parket për një tjetër sfidë evropiane, teksa në Bukuresht do të përballet me Dinamon, në ndeshjen e kthimit të kualifikimeve për fazën e grupeve të FIBA Europe Cup.

    Skuadra pejane udhëton në Rumani me një detyrë të vështirë, pasi në përballjen e parë, të zhvilluar në Pejë, pësoi humbje të thellë 58:96.

    Pavarësisht disavantazhit të madh, “verdhezinjtë” synojnë të reagojnë në ndeshjen e dytë dhe ta mbyllin këtë përballje evropiane me një paraqitje sa më dinjitoze.

    Peja pritet të kërkojë një tjetër fytyrë në parket, me synimin për të luftuar deri në fund dhe për të treguar karakter përballë skuadrës rumune.

    Sfida Dinamo Bukuresht – Peja zhvillohet sonte në kryeqytetin rumun, me fillim nga ora 18:00.

  • 70,500 euro shpërblime për sportistët dhe trajnerët kosovarë pas suksesit në Taranto

    70,500 euro shpërblime për sportistët dhe trajnerët kosovarë pas suksesit në Taranto

    Sportistët dhe trajnerët kosovarë që u shpërblyen me medalje në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” do të marrin mbështetje financiare nga institucionet e Kosovës.

    Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka bërë të ditur se ka aprovuar një mbështetje të njëhershme financiare në vlerë totale prej 70,500 eurosh, e cila do të ndahet për sportistët dhe trajnerët në bazë të medaljeve të fituara.

    Shuma e shpërblimit ndryshon në varësi të ngjyrës së medaljes. Për medaljen e artë, sportisti përfiton 10,000 euro, ndërsa trajneri 5,000 euro. Për medaljen e argjendtë janë paraparë 5,000 euro për sportistin dhe 2,500 euro për trajnerin, ndërsa medalja e bronztë shpërblehet me 3,000 euro për sportistin dhe 1,500 euro për trajnerin.

    Kosova e përfundoi pjesëmarrjen në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” me një bilanc rekord prej nëntë medaljesh, duke shënuar një tjetër sukses të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare.

    Gashani ka vlerësuar paraqitjet e sportistëve kosovarë, duke theksuar se pas çdo medaljeje qëndrojnë puna, disiplina dhe përkushtimi i tyre, ndërsa rezultatet përfaqësojnë edhe një burim krenarie për vendin.

    Përmes një postimi në Facebook, ministri ka theksuar se institucionet do të vazhdojnë të mbështesin rezultatet e larta sportive dhe të krijojnë kushte më të mira për sportistët dhe trajnerët.

    “Sportistët tanë, përmes punës, disiplinës dhe rezultateve të tyre, vazhdojnë ta përfaqësojnë denjësisht Republikën e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Çdo medalje e fituar është rezultat i përkushtimit të tyre dhe njëkohësisht krenari për vendin tonë”, ka shkruar Gashani.

    Ai u ka uruar sportistëve dhe trajnerëve sukses në garat e ardhshme, duke i falënderuar për përfaqësimin e Kosovës në “Taranto 2026”.

  • Vinicius rrëfen periudhën e vështirë: Kam nevojë për vetëbesim

    Vinicius rrëfen periudhën e vështirë: Kam nevojë për vetëbesim

    Vinicius Junior po kalon një periudhë jo të zakonshme për të, ndërsa sulmuesi i Real Madridit ka pranuar se aktualisht i mungon vetëbesimi si në nivel klubesh, ashtu edhe me kombëtaren e Brazilit.

    Braziliani, i cili në vitet e fundit është shquar për shpejtësinë, golat dhe paraqitjet spektakolare, nuk ka arritur ende të gjejë ritmin e tij më të mirë këtë sezon. Me Real Madridin, Vinicius ka realizuar vetëm një gol deri më tani, ndërsa vazhdon të përballet edhe me zhgënjimin e përjetuar në Botëror.

    Një moment i rëndësishëm për të erdhi me fanellën e Brazilit, në fitoren 4-2 ndaj Australisë në “Suncorp Stadium”.

    Vinicius realizoi nga pika e bardhë në minutën e 80-të, por mënyra se si e mori përsipër penalltinë ishte po aq domethënëse sa edhe goli.

    Raphinha, ekzekutuesi i rregullt i penalltive, ishte larguar nga loja, ndërsa Bruno Guimaraes ishte lojtari i radhës në hierarki. Megjithatë, mesfushori vendosi t’ia besojë topin Viniciusit, duke i dhënë mundësinë bashkëlojtarit të tij të përfitonte nga një moment që mund t’i rikthente besimin në vete.

    Pas ndeshjes, Vinicius e vlerësoi gjestin e Guimaraesit dhe mbështetjen që mori nga pjesa tjetër e ekipit.

    “Bruno Guimaraes është ekzekutuesi ynë i penalltive kur Raphinha nuk luan dhe mendova se ai do të donte ta merrte përsipër. Por ai e di se në këtë moment unë kam nevojë për pak vetëbesim”, deklaroi Vinicius.

    Ylli i Real Madridit foli edhe për ndikimin që ka pasur eliminimi nga Botërori dhe vështirësinë për t’u rikthyer në nivelin e tij më të mirë.

    “Bashkëlojtarët e mi e dinë se tani kam nevojë për vetëbesim. Të humbasësh një Botëror është e vështirë dhe e dhimbshme për t’u pranuar, ndërsa rikthimi nuk është kurrë i lehtë”, shtoi braziliani.

    Goli ndaj Australisë mund të jetë pikërisht momenti që Viniciusit i duhej për të nisur një kapitull të ri dhe për të rikthyer formën që e ka bërë një prej sulmuesve më të rëndësishëm të Brazilit dhe Real Madridit.