ATV

Category: Shkencë

  • Shkencëtarët krijojnë çamçakëzin bimor që neutralizon viruset në gojë

    Shkencëtarët krijojnë çamçakëzin bimor që neutralizon viruset në gojë

    Një ekip shkencëtarësh nga Filadelfia, SHBA ka krijuar një çamçakëz eksperimental me bazë bimore që synon të ulë ngarkesën virale në gojë, duke kapur dhe neutralizuar viruset para se ato të përhapen, sipas “Science Daily”.

    Qëllimi i këtij produkti është reduktimi i transmetimit të viruseve respiratorë përmes pështymës, dhe nuk synon të zëvendësojë vaksinat apo trajtimet e aprovuar.

    Si funksionon çamçakëzi antiviral?

    Çamçakëzi përmban proteina antivirale të prodhuara nga bimët që veprojnë lokalisht në kavitetin oral.

    Një version i tij është i pasuruar me një proteinë të quajtur ACE2, e cila lidhet me proteinën “spike” të SARS‑CoV‑2 dhe “kap” viruset në pështymë.

    Kjo lidhje redukton aftësinë e virusit për t’u futur në qelizat njerëzore.

    Studime laboratorike kanë treguar se ky çamçakëz mund të ulë ngarkesën virale SARS‑CoV‑2 në mostrat e pështymës me më shumë se 95%, duke parandaluar futjen e virusit në qeliza në teste in vitro.

    Hulumtuesit gjithashtu po punojnë për një version tjetër të çamçakëzit që përfshin në formulë proteina të tjera bimore.

    Këto proteina lidhen me strukturat e jashtme të viruseve, duke kapur jo vetëm SARS‑CoV‑2, por edhe viruset e gripit dhe viruset e herpesit, në eksperimentet laboratorike që janë bërë deri më tani.

    Këto rezultate janë publikuar në revistën shkencore si “Molecular Therapy”, por deri tani janë bazuar kryesisht në teste in vitro, jo në studime të mëdha njerëzore.

    Pse është i rëndësishëm ky studim?

    Veprim lokal në gojë: Shumë viruse përhapen përmes pikave të pështymës, prandaj reduktimi i ngarkesës virale në pështymë mund të ulë transmetimin.

    Bio‑inxhineria bimore: Proteinat terapeutike mund të prodhohen te bimët, duke e bërë prodhimin më ekonomik dhe potencialisht më të zbatueshëm se metodologjitë tradicionale.

    Potencial për përdorim suplementar: Ky produkt është menduar si një shtesë për parandalimin e përhapjes, jo si zëvendësim për vaksinat dhe trajtimet e rekomanduara.

    Klinikat dhe provat njerëzore

    Një provë klinike e nisur nga Shkolla e Stomatologjisë në Universitetin e Pensilvanisë po vlerëson tani sigurinë dhe efektivitetin e çamçakëzit që neutralizon SARS‑CoV‑2 tek persona të infektuar.

    Studimet publike deri tani janë në fazë fillestare, dhe kërkojnë të dhëna të mëtejshme nga popullatat njerëzore para se të bëhen rekomandime zyrtare për përdorim të gjerë.

    Hulumtimi mbi çamçakëzin antiviral me bazë bimore është një prej hulumtimeve laboratorike në fazën e provave klinike, dhe tregon një qasje inovative për të reduktuar transmetimin e viruseve në pështymë.

  • NASA planifikon të ndërtojë bazë në Hënë në vend të stacionit në orbitë

    NASA planifikon të ndërtojë bazë në Hënë në vend të stacionit në orbitë

    NASA ka hequr dorë nga plani i mëparshëm për të vendosur një stacion në orbitën e Hënës dhe do t’i ri-drejtojë ato komponentë drejt ndërtimit të një baze prej 20 miliardë dollarësh në sipërfaqen e Hënës gjatë shtatë viteve të ardhshme.

    Administratorit i NASA-s, Jared Isaacman, i cili mori drejtimin e agjencisë amerikane hapësinore në muajin dhjetor, njoftoi ndryshimin në fillim të një aktiviteti në selinë e NASA-s në Washington, ku prezantoi një sërë rishikimesh të programit Artemis, programi kryesor i eksplorimit hënor.

    “Nuk duhet të befasohet askush që po pezullojmë ‘Gateway’-in në formën e tij aktuale dhe po përqendrohemi në infrastrukturë që mbështet operime të qëndrueshme në sipërfaqen e Hënës”, tha Isaacman para pjesëmarrësve.

    Plani ‘Lunar Gateway’, i cili po zhvillohej nga kontraktorët ‘Northrop Grumman’ dhe ‘Vantor’, ishte planifikuar fillimisht të funksiononte si një stacion në orbitë rreth Hënës.

    Megjithatë, përshtatja e tij për përdorim në sipërfaqen hënore do të ishte teknikisht sfiduese.

    “Pavarësisht disa sfidave reale me pajisjet dhe afatet, ne mund të ripërdorim pajisje dhe angazhimet e partnerëve ndërkombëtarë për të mbështetur objektivat në sipërfaqe dhe objektiva të tjera të programit”, tha Isaacman.

    ‘Gateway’ ishte planifikuar si një qendër kërkimore shkencore dhe një pikë tranziti ku astronautët do të transferoheshin në mjete uljeje për të zbritur në Hënë.

    Ndryshimet e politikave të prezantuara nga Isaacman në javët e fundit po ndryshojnë ndjeshëm programin Artemis dhe po ndikojnë në kontrata me vlerë miliarda dollarë.

  • Zbulohet një “fosil kozmik”, ylli i rrallë që hedh dritë mbi universin e hershëm

    Zbulohet një “fosil kozmik”, ylli i rrallë që hedh dritë mbi universin e hershëm

    Astronomët kanë identifikuar një yll jashtëzakonisht të rrallë të gjeneratës së dytë, të cilin e kanë cilësuar si një “fosil kozmik”, pasi ofron të dhëna të reja mbi mënyrën se si kanë përfunduar jetën yjet e parë në univers.

    Ylli, i quajtur PicII-503, është zbuluar në galaktikën xhuxhe Pictor II, rreth 150 mijë vite dritë larg Tokës. Zbulimi është bërë me ndihmën e Kamerës së Energjisë së Errët në teleskopin Victor M. Blanco Telescope në Kili.

    Sipas studiuesve, ky yll i përket të ashtuquajturës Popullata II, që ruan gjurmë kimike nga brezat e parë të yjeve. Një nga veçoritë më të rralla të tij është përmbajtja jashtëzakonisht e ulët e hekurit – vetëm 1/40,000 e asaj që gjendet në Diell, duke e bërë atë ndër yjet më të varfër në hekur të zbuluar ndonjëherë jashtë galaktikës sonë.

    Në të njëjtën kohë, PicII-503 ka një përqendrim shumë të lartë të karbonit, me një raport karbon-hekur mbi 1,500 herë më të madh se ai i Diellit. Ky kombinim i pazakontë kimik e afron atë me yjet më primitivë të njohur deri më sot.

    Shkencëtarët e përshkruajnë këtë lloj kërkimi si “arkeologji kozmike”, pasi yje të tillë funksionojnë si kapsula kohore që ruajnë informacione mbi universin e hershëm. Yjet e parë, të njohur si Popullata III, përbëheshin pothuajse vetëm nga hidrogjen dhe helium, ndërsa elementët më të rëndë u krijuan në brendësinë e tyre dhe u shpërndanë pas shpërthimeve si supernova.

    Zbulimi i PicII-503 mbështet teorinë se disa nga këta yje të parë mund të kenë shpërthyer me energji relativisht të ulët, duke çliruar më shumë elementë të lehtë si karboni, ndërsa hekuri ka mbetur kryesisht në mbetjet e shpërthimit.

    Sipas astrofizikanit Anirudh Chiti nga Universiteti i Stanfordit, ky zbulim ishte në kufijtë e asaj që mendohej e mundur për shkak të rrallësisë ekstreme të këtyre objekteve. Studimi, i publikuar në revistën Nature Astronomy, konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt kuptimit të evolucionit të hershëm kimik të universit dhe formimit të galaktikave të para.

  • Kina miraton implantin e parë të trurit në botë – Si do të funksionojë

    Kina miraton implantin e parë të trurit në botë – Si do të funksionojë

    Kina ka miratuar implantin e parë në tru të projektuar për të ndihmuar njerëzit me paralizë të rifitojnë lëvizjen e duarve, duke shënuar autorizimin e parë komercial në botë për një pajisje të tillë. Pajisja u zhvillua nga kompania kineze Neuracle Medical Technology dhe përdor një ndërlidhje tru-kompjuter (BCI).

    BCI-të lidhin sistemin nervor të një personi me pajisje të afta për të interpretuar aktivitetin e trurit të tyre, duke i lejuar ata të veprojnë, siç është përdorimi i një kompjuteri ose lëvizja e një dore protetike, me anë të forcës së mendimit të tyre.

    Sistemi Neuracle është i destinuar për njerëzit që kanë paralizë të shkaktuar nga dëmtime serioze të palcës kurrizore në qafë. Këto dëmtime mund të pengojnë sinjalet e trurit të arrijnë në krahë dhe duar.
    Sistemi funksionon duke zbuluar sinjale të trurit të lidhura me qëllimin për të lëvizur dorën. Këto sinjale më pas përkthehen nga softueri dhe dërgohen në një dorezë robotike që mban pacienti. Doreza përdor lëvizje me ajër për të ndihmuar dorën të hapet dhe mbyllet, duke i lejuar përdoruesit të kapë objekte, sipas CGTN.

    Jo të gjithë pacientët janë të përshtatshëm për ta përdorur pajisjen. Sipas mediave shtetërore kineze, ajo është menduar për të rriturit midis moshës 18 dhe 60 vjeç që kanë pasur paralizë për më shumë se një vit dhe gjendja e të cilëve ka mbetur e qëndrueshme për të paktën gjashtë muaj. Pajisja është projektuar për njerëzit që nuk mund të kapin objekte me duar, por që ende ruajnë njëfarë lëvizjeje në pjesën e sipërme të krahëve.

    Kina ka rritur investimet e saj në teknologjinë e ndërfaqes tru-kompjuter vitet e fundit. Vendi kohët e fundit e ka përfshirë teknologjinë BCI si një përparësi strategjike kombëtare dhe planifikon ta përfshijë atë në planifikimin e ardhshëm ekonomik të vendit si një nxitës të mundshëm të rritjes së ardhshme.

    Zhvillimi vjen në një kohë kur kompanitë në të gjithë botën po garojnë për të sjellë teknologji të ngjashme në treg. Vitin e kaluar, një tjetër ndërfaqe tru-kompjuter e zhvilluar nga kompania kineze Shanghai NeuroXess tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare pasi një burrë 28-vjeçar, i cili kishte qenë i paralizuar për tetë vjet pas një dëmtimi të rëndë të palcës kurrizore, ishte në gjendje të kontrollonte pajisjet dixhitale duke përdorur mendimet e tij pesë ditë pasi mori implantin në Kinë.

    Ndërkohë, Elon Musk tha së fundmi në një postim në X se kompania e tij e implanteve të trurit Neuralink, e cila filloi provat në njerëz në vitin 2024, do të fillojë “prodhimin me vëllim të lartë” të pajisjeve BCI në vitin 2026. Neuralink tha në shtator të vitit të kaluar se 12 persona në mbarë botën me paralizë të rëndë kanë marrë implantet në tru dhe po i përdorin ato për të kontrolluar mjetet dixhitale dhe fizike përmes mendimit.

  • Vaksina kundër lisë së ujit mund të zvogëlojë rrezikun e demencës

    Vaksina kundër lisë së ujit mund të zvogëlojë rrezikun e demencës

    Vaksina kundër Herpes Zoster (e njohur si “lija e ujit”) jo vetëm që mbron nga infeksioni, por mund të ulë edhe rrezikun e demencës, sulmit në tru dhe infarktit, ka shkruar The Guardian.

    “Kemi një vaksinë që funksionon shumë mire. Por ka një lodhje nga vaksinat te njerëzit kohët e fundit”, ka thënë doktori Andrew Wallach.

    Çka është herpes zoster?

    Ky është një infeksion viral që shkaktohet nga i njëjti virus që shkakton lija e ujit. Pasi kalon lijën e ujit, virusi mbetet në trup dhe mund të rikthehet më vonë si herpes zoster, zakonisht pas moshës 50 vjeçe.

    Simptomat kryesore janë: dhimbje (zakonisht e para që shfaqet), kruarje dhe ndjeshmëri në lëkurë, skuqje dhe flluska, shpesh në një anë të trupit.

    Në disa raste mund të ketë edhe temperaturë, lodhje dhe dhimbje koke.

    Rreth 1-4 për qind e rasteve kërkojnë shtrim në spital, sidomos te të moshuarit dhe personat me imunitet të dobët.

    Pse shfaqet?

    Virusi qëndron “i fjetur” në trup dhe mund të aktivizohet nga dobësimi i imunitetit, stresi dhe sëmundje si diabeti

    Po. Vaksina kundër herpes zoster, Shingrix, ndihmon dhe është mbi 90 për qind efektive te personat mbi 50 vjeç.

    Kjo vaksinë ul rrezikun për t’u sëmurë, e bën sëmundjen më të lehtë nëse ndodh dhe parandalon komplikime serioze.

    Një nga komplikimet më të zakonshme është dhimbja kronike e nervave, e njohur si Neuralgjia postherpetike.

    “Kjo dhimbje mund të zgjasë muaj apo edhe vite”, ka shpjeguar doktoresha Rosanne Leipzig.

    Efektet anësore

    Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, vaksina është e sigurt dhe pa efekte serioze.

    Megjithatë, mund të ketë afekte anësore si dhimbje dhe ënjtje në vendin e injeksionit, temperaturë të lehtë apo dhimbje muskujsh.

    Këto zakonisht kalojnë brenda pak ditësh.

    Vaksinën rekomandohet ta marrin të gjithë njerëzit mbi 50 vjeç (2 doza) dhe persona mbi 19 vjeç me imunitet të dobët.

    Vaksina nuk rekomandohet për persona që aktualisht janë të sëmurë me herpes zoster, gra shtatzëna dhe ata që kanë pasur reaksion alergjik ndaj vaksinës.

    Ani pse një në tre persona mund të preket nga kjo sëmundje, vetëm rreth 35 për qind e të rriturve mbi 60 vjeç në SHBA janë vaksinuar.

    Ekspertët theksojnë se, përveç mbrojtjes nga sëmundja, vaksina mund të ketë përfitime më të gjera për shëndetin e trurit dhe zemrës, ndaj ia vlen të merret në konsideratë.

    A mund ta ulë vaksina kundër lisë së ujit rrezikun e demencës?

    Studime të shumta sugjerojnë se vaksina kundër Herpes Zoster mund të lidhet me një rrezik më të ulët për Demenca.

    “Ka prova të forta për lidhjen mes vaksinës dhe rrezikut më të ulët të demencës”, ka thënë Emily Rayens nga Kaiser Permanente në California.

    Një studim i vitit 2026 zbuloi se personat e vaksinuar me Shingrix kishin 51 për qind më pak rrezik për demencë, ani pasi u morën parasysh faktorë si mënyra e jetesës dhe statusi ekonomik.

    Pse mund të ndodhë kjo?

    Sipas Dr Pascal Geldsetzer, ka dy shpjegime të mundshme:

    Virusi dhe truri
    Viruse si ai i herpes zoster mund të qëndrojnë në trup dhe të riaktivizohen, duke krijuar stres kronik për sistemin imunitar.
    “Kjo mund të ndikojë në proceset inflamatore që lidhen me sëmundje kronike, përfshirë demencën”, ka shpjeguar ai.

    Efekti më i gjerë i vaksinës
    Vaksina mund të forcojë sistemin imunitar në mënyrë më të gjerë, jo vetëm kundër virusit.

    Megjithatë, ekspertët theksojnë se duhen studime më të thelluara për të vërtetuar plotësisht këtë lidhje.

    “Mund të kemi një zgjidhje të lirë dhe të lehtë për t’u përdorur që ndihmon në parandalimin e demencës”, ka shtuar Geldsetzer.

    Përfitime të tjera të mundshme

    Disa studime sugjerojnë se vaksina mund të ulë edhe rrezikun për infarkt dhe sulm në tru

    Pse ia vlen vaksina?

    Edhe pa lidhjen me demencën, vaksina mbetet shumë e rëndësishme për të parandaluar komplikimet e herpes zoster, si dhimbja kronike e nervave.

    “Nëse ekziston mundësia që të mbrojë edhe nga demenca, pse jo?”, ka thënë doktori Andrew Wallach.

    Si trajtohet herpes zoster?

    Nëse sëmureni, trajtimi kryesor janë ilaçet antivirale, që funksionojnë më mirë nëse merren brenda 72 orëve nga shfaqja e skuqjes.

    Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, trajtimi i hershëm është shumë i rëndësishëm.

    Ndihmojnë gjithashtu edhe qetësuesit kundër dhimbjes, losione si kalamina dhe kompresa të ftohta.

  • Zbulim i ri: Molekula e pitonëve mund të ndihmojë në humbjen e peshës pa efekte anësore

    Zbulim i ri: Molekula e pitonëve mund të ndihmojë në humbjen e peshës pa efekte anësore

    Një zbulim i ri shkencor mbi metabolizmin e jashtëzakonshëm të pitonëve mund të hapë perspektiva të reja për humbje të shëndetshme në peshë dhe për luftimin e humbjes së muskujve që lidhet me moshën.

    Studiuesit në Shtetet e Bashkuara kanë identifikuar një molekulë të panjohur më parë në gjakun e pitonëve, e cila i sinjalizon trurit kur organizmi ka marrë mjaftueshëm ushqim. Këta gjarpërinj janë të njohur për aftësinë e tyre për të konsumuar vakte shumë të mëdha dhe më pas për të qëndruar pa ushqim për muaj apo edhe vite, pa dëmtime afatgjata në zemër apo muskuj.

    Molekula, e quajtur para-tiraminë-O-sulfat (pTOS), u zbulua nga ekipi i drejtuar nga profesoresha Leslie Leinwand në Universitetin e Kolorados Boulder, në bashkëpunim me studiues nga Stanford Medicine dhe Baylor University. Studimi është publikuar në revistën shkencore “Nature Metabolism”.

    Sipas kërkimit, menjëherë pas ushqimit, metabolizmi i pitonit përshpejtohet ndjeshëm, ndërsa niveli i pTOS në gjak rritet mbi 1,000 herë. Edhe te njerëzit kjo molekulë rritet pas vakteve, por në nivele shumë më të ulëta. (pTOS) prodhohet përmes një procesi që përfshin bakteret e zorrëve dhe më pas dërgon sinjale në tru për të frenuar oreksin.

    Ndryshe nga hormoni GLP-1, i përdorur në ilaçe për humbje peshe si Ozempic apo Wegovy, që shpesh shoqërohen me efekte anësore si të përziera dhe probleme tretjeje, (pTOS) ka treguar rezultate premtuese në studimet me kafshë, duke ulur marrjen e ushqimit dhe peshën trupore pa efekte të theksuara anësore.

    Megjithatë, studiuesit theksojnë se kërkimi është ende në faza të hershme. (pTOS) është testuar vetëm te minjtë dhe efektet e tij te njerëzit mbeten për t’u studiuar. Gjithashtu, tek personat me prediabet ose diabet të tipit 2, ky mekanizëm mund të mos funksionojë në të njëjtën mënyrë.

    Ky zbulim nënvizon rolin e rëndësishëm të baktereve të zorrëve në rregullimin e metabolizmit dhe mund të çojë në zhvillimin e trajtimeve të reja që ndihmojnë në kontrollin natyror të oreksit.

  • Pranvera Hyseni fiton çmim prestigjioz në astronomi planetare në SHBA

    Pranvera Hyseni fiton çmim prestigjioz në astronomi planetare në SHBA

    Astronomja e njohur kosovare, Pranvera Hyseni, është shpërblyer me çmimin “Stephen E. Dwornik” në fushën e astronomisë planetare, një nga vlerësimet më të rëndësishme për studiuesit e rinj në këtë disiplinë.

    Ky çmim jepet nga Shoqata Amerikane e Gjeologjisë për prezantimin më të mirë nga një student doktorature, në kuadër të Konferencës së Shkencave Planetare dhe Hënore, e mbajtur në Teksas, SHBA.

    Në këtë konferencë morën pjesë mbi 2000 studiues dhe ekspertë nga e gjithë bota, çka e bën këtë çmim një arritje të jashtëzakonshme.

    Ky sukses përfaqëson një moment të rëndësishëm jo vetëm për karrierën e saj shkencore, por edhe për promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare të shkencës.

  • NASA përgatit nisjen për misionin e parë me ekuipazh në Hënë në më shumë se 50 vjet

    NASA përgatit nisjen për misionin e parë me ekuipazh në Hënë në më shumë se 50 vjet

    NASA ka dhënë leje për raketën e saj në Hënë për një lëshim të mundshëm në prill me katër astronautë, pasi përfundoi një raund të ri riparimesh.

    Raketa 98 ​​metra do të dalë nga hangari dhe do të kthehet në platformën e nisjes javën e ardhshme në Qendrën Hapësinore Kennedy të Floridës, duke çuar në një përpjekje për lëshim që më 1 prill. Kjo do të shënojë udhëtimin e parë të njerëzimit në hënë në më shumë se 50 vjet.

    Ekuipazhi i Artemis II duhet të ishte nisur në një fluturim rreth hënës më herët këtë vit, por rrjedhjet e karburantit dhe probleme të tjera me raketën e Sistemit të Lansimit në Hapësirë ​​ndërhynë.

    Edhe pse NASA arriti të mbyllte rrjedhjet e karburantit të hidrogjenit në platformën e sondazhit në shkurt, një problem me rrjedhjen e heliumit e detyroi agjencinë hapësinore ta kthente raketën në Ndërtesën e Montimit të Automjeteve për riparime, duke e shtyrë misionin për në prill.

    Agjencia hapësinore ka një dritare gjashtëditore për lëshimin e anijeve kozmike në fillim të prillit. Nëse e humbet këtë mundësi, duhet të ndalet deri më 30 prill ose në fillim të majit.

    “Është një fluturim prove dhe nuk është pa rrezik, por ekipi ynë dhe pajisjet tona janë gati”, tha Lori Glaze, Zëvendës Administratore e Asociuar për Drejtorinë e Misionit të Zhvillimit të Sistemeve të Eksplorimit (ESDMD) të NASA-s në fund të shqyrtimit dy-ditor të gatishmërisë së fluturimit.

    Glaze dhe zyrtarë të tjerë të NASA-s refuzuan të jepnin informacione për probabilitetet e rrezikut për misionin e ardhshëm.

    Historia ka treguar se një raketë e re ka 50 përqind shanse për sukses, tha John Honeycutt, kryetar i ekipit të menaxhimit të misionit.

    Ka aq shumë boshllëk që nga fluturimi i vetëm tjetër i Sistemit të Lansimit në Hapësirë, më shumë se tre vjet më parë, pa askënd në bord, saqë është e vështirë të kuptosh ndonjë shifër të vlerësimit të rrezikut, tha Honeycutt.

    «Nuk është fluturimi i parë», tha Glaze. «Por gjithashtu nuk jemi në një kadencë të rregullt. Pra, padyshim që kemi shumë më tepër rrezik sesa një sistem fluturimi që fluturon gjatë gjithë kohës».

    Në fund të muajit të kaluar, administratori i ri i NASA-s, Jared Isaacman, njoftoi një rishikim të madh të programit Artemis për të përshpejtuar gjërat dhe, duke vepruar kështu, për të zvogëluar rrezikun.

    I pakënaqur me ritmin e ngadaltë dhe boshllëqet e gjata midis misioneve hënore, ai shtoi një fluturim shtesë provë në orbitën rreth Tokës për vitin e ardhshëm. Ky është tani Artemis III i ri, me uljen në hënë nga dy astronautët të zhvendosur në Artemis IV. Isaacman synon një dhe ndoshta edhe dy ulje hënore në vitin 2028.

    Ndërkohë, Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm të NASA-s paralajmëroi në një audit këtë javë se agjencia ende ka nevojë për një strategji të qartë shpëtimi për ekipet hënore.

    Ulja pranë polit jugor të Hënës do të ishte më e rrezikshme sesa për astronautët e Apollos që shkojnë më afër ekuatorit, duke pasur parasysh terrenin e ashpër polar, sipas raportit.

    Raporti përmendi anijet hënore si kontribuesin kryesor në humbjen e mundshme të ekuipazhit gjatë disa uljeve të para në hënë të anijes Artemis. Ai e renditi pragun e humbjes së ekuipazhit nga agjencia hapësinore në 1 në 40 për operacionet hënore dhe 1 në 30 për misionet Artemis në përgjithësi.

    Të kontraktuara nga NASA për të siguruar anijet e uljes në Hënë për astronautët, SpaceX i Elon Musk dhe Blue Origin i Jeff Bezos kanë përshpejtuar punën për të përmbushur datën e re të synuar 2028. Zyra e inspektorit të përgjithshëm tha se mbeten shumë sfida teknike, duke përfshirë furnizimin me karburant të anijeve të tyre të uljes në orbitën rreth Tokës përpara se të fluturojnë drejt Hënës.

    NASA dërgoi 24 astronautë në hënë gjatë misionit Apollo, 12 prej të cilëve zbarkuan në të. Të gjitha fluturimet në hënë, përveç njërës prej tyre, Apollo 13, arritën objektivat e tyre kryesore. Programi përfundoi me Apollo 17 në vitin 1972.

    © SYRI.net

  • Astronauti i NASA-s: “Ne po jetojmë një gënjeshtër” pas 178 ditëve në hapësirë

    Astronauti i NASA-s: “Ne po jetojmë një gënjeshtër” pas 178 ditëve në hapësirë

    Astronauti i NASA-s, Ron Garan, përjetoi një ndryshim të thellë jetësor pas 178 ditëve në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS). Duke nisur më 4 prill 2011 dhe duke u kthyer më 16 shtator 2011, Garan kreu pothuajse 3,000 orbita rreth Tokës dhe kuptoi se njerëzimi ka qenë duke “jetuar një gënjeshtër”.

    Ai tregoi se, duke parë Tokën nga dritarja e ISS-së, u trondit nga mënyra se si duket planeti nga orbitë. Nga hapësira, sistemet delikate të mbijetesës së Tokës, atmosfera, oqeanet dhe ekosistemet duken qartë, por shoqëria njerëzore i trajton ato sikur ekzistojnë vetëm për të shërbyer ekonomisë globale.

    “Unë nuk pashë ekonominë. Por që sistemi ynë njerëzor e trajton gjithçka – duke përfshirë vetë sistemet e mbijetesës së planetit – si një degë të ekonomisë globale, është e qartë nga hapësira se ne po jetojmë një gënjeshtër,” tha ai për Big Think.

    Garan shtoi se kjo pamje i bëri të kuptonte se shumë nga sistemet që njerëzimi përdor janë të ndërtuara mbi një ide të gabuar: se burimet natyrore të Tokës janë thjesht një vegël për rritjen ekonomike. Nga kjo perspektivë, bëhet e qartë se mënyra se si njerëzimi organizon prioritetet është themelore e gabuar.

    “Duhet të ndryshojmë mënyrën e të menduarit: nga ekonomi, shoqëri, planet te planet, shoqëri, ekonomi. Vetëm atëherë do të vazhdojmë procesin tonë evolucionar,” shpjegoi Garan.

    Astronautët e quajnë këtë ndryshim “Overview Effect”, një term i krijuar nga filozofi i hapësirës Frank White në 1987. Ai përshkruan një ndryshim të thellë të ndërgjegjësimit që përjetojnë shumë astronautë duke parë Tokën nga hapësira, duke sjellë një ndjenjë të fuqishme habie, vlerësimi më të thellë për bukurinë dhe delikatesën e planetit dhe lidhje me njerëzimin dhe Tokën si tërësi.

    Për Garan, kjo nuk ishte një ide abstrakte, por një ndryshim i përhershëm perspektive. Edhe pse deklaratat u bënë në 2022, intervista e tij së fundmi u shpërnda në rrjetet sociale, duke mahnitur përdoruesit.

    “Ai u kthye përjetësisht i ndryshuar. Shumica e nesh qëndrojmë këtu poshtë duke u grindur për kufijtë në hartë,” shkroi një përdorues.

    Garan shpjegoi se “orbital perspective” – perspektiva orbitale – është ajo që njerëzit bëjnë me këtë ndërgjegjësim. Ai e përshkroi si një ndjenjë të padrejtësisë kur sheh kontrastin midis bukurisë së jashtëzakonshme të planetit dhe realitetit të vështirë për shumë banorë.

    “Një gjë që kuptova gjatë kohës në hapësirë është se ne nuk jemi nga Toka, ne jemi të Tokës. Dhe për ta çuar më tej, ne nuk jemi thjesht në univers; ne jemi universi duke marrë vetëdije për veten e vet.”

    Ai shtoi se kuptimi i këtij koncepti nuk kërkon të shkosh në hapësirë; njerëzit mund të zhvillojnë perspektivën orbitale edhe duke qëndruar në Tokë. Ai përdori metaforën e një “dolly zoom” nga filmi për të shpjeguar se si mund të shqyrtohen problemet nga një perspektivë e gjerë dhe nga afër.

    “Nëse përdorim dolly zoom për një situatë, do të zmadhojmë zonën gjeografike sa më shumë të mundemi, idealisht të gjithë planetin, por pa humbur fokusin tek detajet e vogla në terren,” tha ai.

    Garan theksoi se kjo perspektivë e gjerë nuk duhet të bëjë që të humbasim vëmendjen ndaj individëve; njerëzit nuk duhet të reduktohen në statistika, grupe votimi ose konsumatorë, por të vlerësohen si anëtarë të shoqërisë.

    Ai shtoi se duke menduar në kohë të gjata, madje edhe në breza, ndërsa trajtohen sfidat e menjëhershme, mund të kuptohen më mirë problemet dhe të gjenden zgjidhje më të forta dhe afatgjata.

    Pavarësisht sfidave që përballet bota, Garan mbetet optimist, duke besuar se një ndërgjegjësim i rritur mbi lidhjen e ndërsjellë të njerëzimit po përhapet në të gjithë planetin dhe mund të ndihmojë në zgjidhjen e shumë problemeve globale dhe frymëzimin e njerëzve për një të ardhme më të mirë.

  • Sonte ndodh “hënë e përgjakur” – një pamje që nuk do ta shohim deri në vitin 2028

    Sonte ndodh “hënë e përgjakur” – një pamje që nuk do ta shohim deri në vitin 2028

    Sonte, më 3 mars, në qiell do të ndodhë një eklips total hënor, i njohur edhe si “hënë e përgjakur”.

    Gjatë këtij fenomeni, Hëna merr një nuancë të kuqe të errët ose portokalli sepse Toka bllokon përkohësisht një pjesë të dritës së Diellit që Hëna normalisht reflekton. Ky është gjithashtu eklipsi i fundit total deri në vitin 2028, shkruan N1 Sarajevë.

    Pse Hëna merr një ngjyrë të kuqe?

    Një eklips total hënor mund të ndodhë vetëm gjatë një Hëne të plotë, kur Toka rreshtohet saktësisht midis Diellit dhe Hënës. Efekti i “hënës së përgjakur” ndodh kur hija e plotë e Tokës, ose umbra, mbulon plotësisht Hënën.

    Megjithatë, një pjesë e dritës së Diellit kalon nëpër atmosferën e Tokës. Gjatësitë më të shkurtra të valëve, siç është drita blu, shpërndahen, ndërsa gjatësitë më të gjata të valëve, siç janë e kuqja dhe portokallia, arrijnë në Hënë dhe ndriçojnë sipërfaqen e saj. Sa më shumë pluhur dhe grimca në atmosferë, aq më intensive është nuanca e kuqe.

    Ku do të jetë e dukshme?

    Ky fenomen astronomik nuk do të jetë i dukshëm nga Evropa dhe Afrika. Kushtet më të mira të shikimit do të jenë në Amerikën e Veriut dhe të Jugut, pjesë të Azisë Lindore, rajonin e Paqësorit dhe Australinë. Faza e eklipsit total do të zgjasë pak më pak se një orë, ndërsa shkëlqimi i kuqërremtë do të zgjasë edhe më shumë.

    Kur është mundësia tjetër?

    Edhe pse do të duhet të presim për një tjetër eklips total, eklipset e pjesshme hënore ndodhin më shpesh. Ato ndodhin kur Hëna është e plotë, por Toka nuk është plotësisht e rreshtuar midis saj dhe Diellit. Eklipsi i pjesshëm tjetër pritet në fund të gushtit të këtij viti dhe, ndryshe nga ai i sonte, do të jetë i dukshëm nga Evropa. Nuk kërkohen instrumente të posaçme për ta vëzhguar atë – thjesht dilni jashtë dhe shikoni lart në qiellin e natës.