ATV

Category: Shkencë

  • Eklipsi diellor më i gjatë i këtij shekulli po vjen dhe do të zgjasë më shumë se gjashtë minuta

    Eklipsi diellor më i gjatë i këtij shekulli po vjen dhe do të zgjasë më shumë se gjashtë minuta

    Eklipsi total diellor që do të ndodhë më 2 gusht 2027, do të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme astronomike të këtij shekulli.

    Fenomeni do të jetë i dukshëm nga pjesë të Evropës, Afrikës dhe Lindjes së Mesme, dhe në vendndodhjen më të favorshme, faza totale e eklipsit do të zgjasë deri në gjashtë minuta e 23 sekonda.

    Ky është eklipsi total diellor më i gjatë që do të jetë lehtësisht i arritshëm për vëzhgim nga toka gjatë shekullit të 21-të.

    Faza më e gjatë e errësirës totale pritet pranë qytetit të Luksorit në Egjipt, prandaj ky vend tashmë shquhet si një nga destinacionet më të dëshirueshme për vëzhgimin e kësaj ngjarjeje të rrallë qiellore.

    Gjatësia e eklipsit është rezultat i pozicionit jashtëzakonisht të favorshëm të Tokës, Hënës dhe Diellit. Hëna do të jetë më pas pranë perigjeut, pika në të cilën është më afër Tokës, kështu që do të duket pak më e madhe në qiell se zakonisht.

    Në të njëjtën kohë, Toka do të jetë pranë afelit, pika e saj më e largët nga Dielli, prandaj Dielli do të duket më i vogël. Ky rregullim do t’i lejojë Hënës të bllokojë diskun e Diellit për një periudhë më të gjatë kohore.

    Ku do të jetë i dukshëm?

    Rruga e totalitetit do të jetë rreth 258 kilometra e gjerë dhe do të shtrihet nga Oqeani Atlantik, përmes Ngushticës së Gjibraltarit dhe deri në Oqeanin Indian.

    Eklipsi i plotë do të jetë i dukshëm nga Spanja jugore, Maroku verior, Algjeria, Tunizia, Libia, Egjipti, Arabia Saudite, Jemeni dhe Somalia.

    Eklipsi i pjesshëm do të jetë i dukshëm në një zonë shumë më të gjerë, duke përfshirë pothuajse të gjithë Evropën, Afrikën dhe Lindjen e Mesme.

    Për shumë vëzhgues, kjo do të jetë një mundësi për të parë të paktën një pjesë të fenomenit, ndërsa pamjet më mbresëlënëse priten brenda zonës së ngushtë të totalitetit.

    Gjatë totalitetit, drita e ditës do t’i lërë vendin shkurtimisht muzgut, temperaturat e ajrit do të bien, hijet do të bëhen më të theksuara dhe yjet dhe planetët më të ndritshëm do të jenë të dukshëm në qiell.

    Në momentin kur Hëna mbulon plotësisht Diellin, Korona Diellore bëhet e dukshme, shtresa e jashtme e atmosferës së Diellit që duket si një unazë e ndritshme rreth diskut të errët të Hënës.

    Masat paraprake

    Ekspertët paralajmërojnë se nuk duhet ta shikoni Diellin drejtpërdrejt pa filtra të posaçëm diellorë ose syze të projektuara për të vëzhguar eklipsin.

    Syzet e diellit të zakonshme nuk ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme për sytë. Vëzhgimi me sy të lirë është i sigurt vetëm gjatë një faze të shkurtër të errësirës totale, kur disku i Diellit errësohet plotësisht nga Hëna.

  • Kolegji AAB prezantohet në platformën informative evropiane “CE Report”

    Kolegji AAB prezantohet në platformën informative evropiane “CE Report”

    Kolegji AAB është prezantuar në platformën evropiane informative “CE Report”, një medium me bazë në Vjenë, i cili ndjek zhvillimet kryesore në Bashkimin Evropian dhe në vendet e Evropës Juglindore, përfshirë edhe Kosovën.

    Publikimi në këtë platformë e vendos AAB-në në një kontekst më të gjerë rajonal dhe evropian, duke theksuar zhvillimin e institucionit në fushën e arsimit të lartë, inovacionit, ndërkombëtarizimit dhe bashkëpunimit akademik.

    Në artikullin e autorëve Blerim Olluri dhe Venera Llunji, Kolegji AAB paraqitet si një institucion që synon të lidhë arsimin, kërkimin shkencor, teknologjinë dhe partneritetet ndërkombëtare me nevojat e shoqërisë moderne.

    Artikullin e plotë, të përkthyer dhe të përshtatur në gjuhën shqipe, mund ta lexoni më poshtë:

    Kolegji AAB: Avancimi i arsimit të lartë përmes inovacionit, internacionalizimit dhe ndikimit akademik global

    Nga:
    [Blerim Olluri]
    [Venera Llunji]

    Në një epokë globale të karakterizuar nga transformimet e shpejta, akcelerimi digjital dhe ndërvarësia gjithnjë e më e madhe, institucionet e arsimit të lartë nuk kufizohen më vetëm në rolin e ofruesve të dijes; ato janë aktorë kyç në formësimin e shoqërive, ekonomive dhe të ardhmes globale. Brenda këtij peizazhi në zhvillim e sipër, Kolegji AAB është etabluar fuqishëm si një prej institucioneve më profesionale dhe dinamike të arsimit të lartë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, duke u dalluar për vizionin e tij akademik largpamës, angazhimin ndërkombëtar dhe përkushtimin e pandërprerë ndaj ekselencës, inovacionit dhe zhvillimit shoqëror.

    Përgjatë viteve, Kolegji AAB është shndërruar në një ekosistem akademik gjithëpërfshirës që bashkon më shumë se 17,000 studentë aktivë, mbi 700 anëtarë të stafit akademik dhe administrativ, 14 fakultete dhe më shumë se 50 programe të akredituara studimore në nivelet Bachelor dhe Master. Kjo përmasë nuk përbën vetëm një tregues të rritjes institucionale, por është pasqyrim i një transformimi më të thellë: shndërrimit të AAB-së në një qendër rajonale ku arsimi, kërkimi shkencor, inovacioni, teknologjia dhe bashkëpunimi ndërkombëtar konvergojnë në një mision të njësuar akademik me relevancë globale.

    Një tregues i rëndësishëm i rritjes së prestigjit akademik dhe i atraktivitetit institucional të Kolegjit AAB është rritja e vazhdueshme e numrit të studentëve që transferohen nga institucionet e tjera të arsimit të lartë. Vetëm gjatë vitit akademik 2025–2026, më shumë se 100 studentë zgjodhën t’i ndjekin dhe t’i vazhdojnë studimet e tyre në Kolegjin AAB—një zhvillim ky që pasqyron qartë besimin në rritje ndaj standardeve akademike të institucionit, programeve inovative të studimit dhe ambientit universitar bashkëkohor.

    Ky trend rritës dëshmon konsolidimin e reputacionit të Kolegjit AAB si një institucion dinamik dhe konkurrues i arsimit të lartë, i cili i përgjigjet kërkesave akademike dhe profesionale në zhvillim të shoqërisë së sotme. Transferimet e studentëve janë regjistruar në një gamë të gjerë disiplinash, përfshirë Shkencat Kompjuterike dhe Inxhinierinë Softuerike, Gjuhën Angleze, Shkencat Sociale, Drejtësinë, Arkitekturën, Kulturën Fizike dhe Sportin, midis të tjerave.

    Gjerësia e këtyre fushave akademike ilustron jo vetëm diversitetin dhe fuqinë ndërdisiplinore të portofolit edukativ të Kolegjit AAB, por edhe kapacitetin në rritje të institucionit për të tërhequr studentë që kërkojnë cilësi akademike, metodologji moderne të mësimdhënies, orientim praktik dhe një përvojë arsimore me orientim ndërkombëtar.

    Portofoli akademik i Kolegjit AAB shtrihet në një spektër të gjerë disiplinash, duke përfshirë drejtësinë, ekonominë, psikologjinë, shkencat sociale, shkencat e sportit, gjuhët e huaja, arkitekturën, shkencat kompjuterike, median dhe komunikimin, kujdesin shëndetësor, stomatologjinë, artet, administratën publike dhe fusha të tjera bashkëkohore të harmonizuara me nevojat në zhvillim të shoqërive moderne dhe të tregjeve globale të punës. Megjithatë, ajo që e përcakton këtë institucion nuk është vetëm diversiteti i programeve të tij, por filozofia e tij pedagogjike—ajo që urëzon qëllimisht teorinë me praktikën, duke i shndërruar studentët nga pranues pasivë të dijes në kontribues aktivë në kërkim shkencor, inovacion dhe në zgjidhjen e problemeve profesionale.

    Ky përkushtim jetësohet në një model edukativ ku studentët angazhohen vazhdimisht në kërkime shkencore dhe të aplikuara, trajnime profesionale, praktika pune (internshipe), punëtori (workshops), konferenca akademike dhe projekte ndërdisiplinore të zhvilluara në bashkëpunim të ngushtë me institucionet publike, partnerët e sektorit privat, organizatat ndërkombëtare, sistemet shëndetësore, industrinë e medias, institucionet sportive dhe aktorët e shoqërisë civile. Si rrjedhojë, të diplomuarit e Kolegjit AAB hyjnë në botën profesionale të pajisur jo vetëm me kualifikime akademike, por edhe me kompetenca praktike, shkathtësi digjitale, mendim kritik dhe një botëkuptim të orientuar ndërkombëtarisht.

    Infrastruktura fizike dhe teknologjike e institucionit e përforcon edhe më tej këtë vizion akademik. Kolegji AAB operon një nga kampuset universitare private më të avancuara në Kosovë, i cili disponon laboratorë të teknologjisë së fundit, mjedise ndërvepruese të mësimdhënies, studio arkitekture, hapësira të të mësuarit klinik dhe praktik, laboratorë gjuhësorë, amfiteatrot, sisteme të të mësuarit digjital, infrastrukturë sportive e rekreative, si dhe qasje plotësisht gjithëpërfshirëse për personat me nevoja të veçanta. Ky mjedis është projektuar jo thjesht për të mbështetur procesin e të mësuarit, por për ta formësuar aktivisht atë, duke nxitur kreativitetin, inovacionin, bashkëpunimin dhe ekselencën akademike.

    Transformimi digjital qëndron në bërthamën e strategjisë operacionale dhe pedagogjike të institucionit. Përmes sistemeve akademike dhe administrative të digjitalizuara plotësisht, platformave moderne të të mësuarit dhe metodologjive të mësimdhënies të avancuara nga teknologjia, Kolegji AAB garanton efikasitet, qasje dhe cilësi në të gjitha dimensionet e jetës akademike. Kjo plotësohet nga një infrastrukturë e fuqishme mbështetëse për studentët, duke përfshirë shërbimet e transportit falas, bibliotekat moderne dhe hapësirat e të mësuarit të orientuara drejt kërkimit shkencor, të cilat mundësojnë zhvillimin akademik të pavarur.

    Një element i dallueshëm i modelit të të mësuarit përmes përvojës (experiential learning) është integrimi i tij me ATV-në, një nga platformat mediale më me ndikim në Kosovë. Përmes këtij partneriteti, studentët e gazetarisë, medias dhe komunikimit fitojnë një përvojë të drejtpërdrejtë në mjediset profesionale të transmetimit, duke mundësuar një tranzicion të rrjedhshëm midis përgatitjes akademike dhe praktikës mediale në botën reale.

    Internacionalizimi përfaqëson një nga shtyllat përcaktuese të identitetit institucional dhe të drejtimit strategjik të Kolegjit AAB. Përmes një rrjeti të gjerë prej më shumë se 150 partneritetesh me universitete dhe institucione akademike anembanë botës, Kolegji AAB ka zgjeruar ndjeshëm gjurmën e tij akademike globale dhe ka forcuar rolin e tij brenda Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë.

    Si një pjesëmarrës aktiv në kuadrin e programit Erasmus+, institucioni vazhdon të gjenerojë mundësi transformuese për studentët, stafin akademik dhe kërkuesit shkencorë përmes mobilitetit, shkëmbimeve dhe iniciativave të përbashkëta akademike. Vetëm gjatë vitit të kaluar akademik, dhjetëra studentë morën pjesë në programe shkëmbimi ndërkombëtar, ndërsa më shumë se 60 anëtarë të stafit akademik dhe administrativ u angazhuan në mobilitete për mësimdhënie dhe trajnime jashtë vendit. Në të njëjtën kohë, Kolegji AAB mirëpriti mbi 60 profesorë, kërkues shkencorë dhe ekspertë ndërkombëtarë përmes programeve të mobilitetit hyrës, ligjëratave, konferencave, javëve ndërkombëtare të stafit dhe aktiviteteve të përbashkëta akademike.

    Përtej mobilitetit, institucioni nxit në mënyrë aktive ndërlidhjen akademike përmes shkollave verore, konferencave ndërkombëtare, hakatoneve (hackathons), formateve hibride të mësimdhënies dhe bashkëpunimeve kërkimore ndërkufitare, duke krijuar një hapësirë intelektuale të gjallë për dialog ndërkulturor dhe shkëmbim të praktikave më të mira akademike globale.

    Ky orientim ndërkombëtar përforcohet më tej nga anëtarësimi i Kolegjit AAB në rrjetet kryesore akademike globale, duke përfshirë Shoqatën e Universiteteve Evropiane (EUA), Magna Charta Universitatum, ELFA e të tjera. Këto anëtarësime jo vetëm që rrisin vizibilitetin institucional, por edhe e ankorojnë fuqishëm Kolegjin AAB brenda standardeve evropiane të sigurimit të cilësisë, integritetit akademik, autonomisë institucionale dhe kërkimit shkencor të përbashkët.

    Kërkimi shkencor, inovacioni dhe zhvillimi i projekteve përbëjnë një tjetër shtyllë qendrore të strategjisë akademike të institucionit. Përmes Zyrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Bashkëpunim dhe Zyrës për Zhvillim të Projekteve, Kolegji AAB aktualisht zbaton 25 projekte të financuara në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar në kuadër të disa prej dritareve më prestigjioze evropiane dhe rajonale, përfshirë Ngritjen e Kapaciteteve në Arsimin e Lartë (CBHE), iniciativat Jean Monnet, projektet Erasmus Mundus, Horizon Europe, Institutin Evropian të Inovacionit dhe Teknologjisë (EIT), Fondin e Ballkanit Perëndimor dhe programin Visegrad+.

    Këto iniciativa nuk janë thjesht arritje administrative; ato përfaqësojnë një kontribut të strukturuar në modernizimin e kurrikulave, avancimin shkencor, zhvillimin e ndërmarrësisë, inovacionin teknologjik, tranzicionet e qëndrueshmërisë dhe bashkëpunimin ndërsektorial. Në këtë mënyrë, Kolegji AAB pozicionohet si një prodhues aktiv i dijes, i aftë për t’iu përgjigjur sfidave komplekse globale përmes zgjidhjeve të bazuara në kërkim shkencor.

    Institucioni gjithashtu dëshmon një përkushtim të fortë dhe të palëkundur ndaj Objektivave të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim të Qëndrueshëm (SDGs), duke integruar parimet e përfshirjes, barazisë, qëndrueshmërisë, inovacionit dhe përgjegjësisë sociale në kornizat e tij akademike, kërkimore dhe institucionale. Përmes iniciativave të synuara në arsimin gjithëpërfshirës, barazinë gjinore, ekosistemet e inovacionit dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, Kolegji AAB kontribuon aktivisht në transformimin shoqëror si brenda Kosovës, ashtu edhe në kontekstin më të gjerë rajonal.

    Krahas arritjeve të tij akademike dhe institucionale, Kolegji AAB ka ndërtuar një reputacion të rëndësishëm ndërkombëtar përmes çmimeve prestigjioze dhe mirënjohjeve të nderit që u akordon personaliteteve të shquara globale në politikë, diplomaci, letërsi, shkencë, arte, sport dhe të drejtat e njeriut. Këto vlerësime përfshijnë Çmimin Ndërkombëtar për Demokraci dhe Integrim, Çmimin Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut, Çmimin Ndërkombëtar të Letërsisë “Ali Podrimja”, Çmimin Ndërkombëtar për Arritje të Larta Shkencore dhe Artistike, si dhe titujt e nderit Doctor Honoris Causa dhe Professor Honoris Causa.

    Ndër personalitetet e shquara të vlerësuara nga Kolegji AAB janë Benjamín Fernández Bogado, Stjepan Mesić, Steve H. Hanke, Massimo D’Alema, William Walker, Jamie Shea, Ismail Kadare, Peter Marko Tase, Abdullah Sidran, Nexhmije Pagarusha, Doris Pack, Milo Đukanović, Ernesto Kahan, Sultan Catto, Feride Rushiti, Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë dhe Majlinda Kelmendi, mes shumë të tjerëve. Këto mirënjohje pasqyrojnë misionin më të gjerë të Kolegjit AAB për nxitjen e dialogut, forcimin e vlerave demokratike dhe promovimin e shkëmbimit ndërkombëtar akademik e kulturor.

    I pozicionuar në udhëkryqet e Evropës, Kolegji AAB vazhdon të forcojë rolin e tij si një institucion transformues i arsimit të lartë që ndërlidh zhvillimin lokal me mundësitë globale. Përmes vizionit të tij strategjik, partneriteteve ndërkombëtare, ekselencës në kërkim shkencor dhe qasjes së orientuar ndaj studentit, institucioni mbetet i përkushtuar fuqishëm për t’i pajisur gjeneratat e ardhshme me njohuritë, kompetencat dhe perspektivën globale të nevojshme për të udhëhequr në një botë gjithnjë e më komplekse dhe të ndërlidhur.

    Teksa Kolegji AAB konsolidon praninë e tij akademike globale, ai vazhdon të riafirmojë një bindje themelore: se arsimi i lartë nuk është vetëm një rrugë drejt suksesit individual, por një forcë e fuqishme për inovacion, bashkëpunim dhe transformim shoqëror domethënës përtej kufijve.

    Dr. Blerim Olluri është Kancelar (Rektor) i Kolegjit AAB në Prishtinë. Ka diplomuar në nivelin Master në Fakultetin e Kriminologjisë në Sarajevë, Bosnjë dhe Hercegovinë, ndërsa studimet bazë i ka përfunduar në Fakultetin e Kimisë të Universitetit të Prishtinës. Ndërkohë, ka përfunduar studimet e doktoratës në drejtësi në Tiranë. Blerim Olluri ka një përvojë të gjerë në mësimdhënie universitare, veçanërisht në fushën e drejtësisë penale. Aktualisht, ai udhëheq një nga universitetet më të mëdha në Kosovë dhe në Evropën Juglindore. Ëshet anëtar aktiv i Akademisë Amerikane të Shkencave Ligjore (AAFS) dhe ka shërbyer në Këshillin Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim të Institucioneve të Arsimit të Lartë. Është i certifikuar si ekspert i forenzikës në fusha të shumta. Një sërë botimesh të tij shkencore janë publikuar në revista të shumta shkencore rajonale, si dhe në platformat “SCOPUS” dhe “Web of Science”.

    Prof. Ass. Dr. Venera Llunji është një studiuese e shquar, përkthyese dhe lidere në arsimin e lartë me mbi tri dekada përvojë. Aktualisht mban pozitën e Zëvendëskancelares për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Kolegjin AAB në Prishtinë, ku ka avancuar internacionalizimin, ka nxitur partneritete strategjike, ka promovuar Politikën e Jashtme të Shteteve të Bashkuara dhe ka formësuar politikat e arsimit të lartë në nivelet kombëtare dhe evropiane. Puna e saj integron studimet gjuhësore dhe shkencat politike, e mbështetur nga dy tituj doktorate, trajnime të specializuara dhe një angazhim të vazhdueshëm në kërkime ndërkombëtare, mësimdhënie, diplomaci publike dhe rrjete akademike.

  • NASA zbulon planet për misionin e ardhshëm drejt Hënës – Artemis III po vjen

    NASA zbulon planet për misionin e ardhshëm drejt Hënës – Artemis III po vjen

    Ndërsa bota është ende duke menduar për misionin rekord-thyes Artemis II që dërgoi katër astronautë në anën tjetër të Hënës, Administrata Kombëtare e Aeronautikës dhe Hapësirës (NASA) e SHBA-së po përgatitet për misionin e radhës.

    NASA njoftoi planet e saj për Artemis III, një mision që do t’i mbajë astronautët afër Tokës, por do të testojë sistemet që do t’u nevojiten për një ulje eventuale në Hënë.

    Gjithashtu, do të përcaktohet se si të punohet me “anije kozmike të shumta” dhe partnerë përpara se të dërgohen astronautë në Hënë, sipas Jeremy Parsons, ndihmës administrator i përkohshëm i programit “Moon to Mars”.

    Anija kozmike Artemis III do të niset me një ekuipazh prej katër personash.

    Ajo do të qëndrojë në orbitën e ulët të Tokës për të lejuar më shumë mundësi lëshimi për secilin element të misionit, duke përfshirë Sistemin e Lëshimit në Hapësirë (SLS) që do të lëshojë Orionin dhe ekuipazhin e tij në hapësirë.

    Kjo gjithashtu do t’u japë kohë SpaceX dhe Blue Origin për të testuar sistemet e tyre të raketave për ulje me njerëz, ka njoftuar NASA.

    Kontratat qeveritare Artemis fillimisht duhej t’i shkonin SpaceX për raketën e saj Starship, por NASA tha se do t’i rihapte kontratat për shkak të vonesave.

    Tani, Blue Origin i Jeff Bezos po teston anijen e saj të uljes Blue Moon gjatë një misioni robotik të ardhshëm më vonë këtë vit.

    Ekuipazhi, i cili ende nuk është njoftuar, do të kalojë gjithashtu më shumë kohë në hapësirë sesa në misionet e mëparshme për të testuar sistemet e mbështetjes së jetës në anije, të tilla si furnizimi me ujë, oksigjen dhe azot.

    Ata gjithashtu do të shfaqin një performancë të sistemit të ankorimit për herë të parë në orbitë, që është bashkimi i dy anijeve kozmike ndërsa janë në orbitë për t’u furnizuar me karburant.

    Kjo është një pjesë kyçe e misioneve të ardhshme në Hënë dhe përfundimisht në Mars, sepse fluturimet më të gjata do të kërkojnë furnizim me karburant që duhet të bëhet nga hapësira, kanë thënë më parë ekspertët për Euronews Next.

    “Misioni do të informojë për takimet me uljen dhe konceptet e banimit, si dhe operacionet e misionit në përgatitje për misionet e ardhshme në sipërfaqe”, tha NASA në një deklaratë.

    Por, ka ende disa pyetje që NASA duhet t’u përgjigjet në lidhje me Artemis III, duke përfshirë sa do të zgjasë misioni, cilat objektiva shkencore ka misioni dhe si do të komunikojnë astronautët me kontrollin tokësor.

    Ky përshkrim i misionit është një ndryshim për NASA-n nga projekti i tyre origjinal i misionit Artemis, i cili supozohej të dërgonte njerëzit në Hënë me Artemis III.

    Kthimi i shumëpritur i njerëzve në sipërfaqen e Hënës do të duhet të presë deri në Artemis IV, i planifikuar për diku në vitin 2028.

  • Një Asteroid do të kalojë shumë pranë Tokës

    Një Asteroid do të kalojë shumë pranë Tokës

    Një asteroid me përmasa të mjaftueshme për të shkaktuar shkatërrime në një qytet pritet të kalojë shumë pranë Tokës javën e ardhshme, kanë bërë të ditur shkencëtarët.

    Sipas astronomëve, trupi qiellor, i quajtur 2026 JH2, mund të jetë deri në katër herë më i madh se një autobus londinez dhe do t’i afrohet planetit tonë “sa më shumë që mundet pa e goditur”.

    Asteroidi pritet të kalojë pranë Tokës mbrëmjen e së hënës, në një distancë rreth 90 mijë kilometra. Kjo konsiderohet një afrim jashtëzakonisht i madh në terma astronomikë, pasi është afërsisht sa një e katërta e distancës mes Tokës dhe Hënës.

    Edhe pse ka përmasa që, në rast përplasjeje, mund të shkaktonin dëme të mëdha, asteroidi u identifikua nga observatorët vetëm pak ditë më parë. Kjo ka rikthyer shqetësimet për aftësinë e zbulimit të hershëm të objekteve potencialisht të rrezikshme pranë Tokës.

    Megjithatë, simulimet tregojnë se nuk ka asnjë mundësi përplasjeje me Tokën të paktën për 100 vitet e ardhshme.

    Vlerësimet aktuale sugjerojnë se asteroidi ka një diametër nga 16 deri në 35 metra dhe do të lëvizë pranë Tokës me një shpejtësi relative prej rreth 5.17 milje në sekondë.

    “Është lloji i objektit që do të mund ta shkatërronte një qytet mjaft lehtë, nëse do të godiste”, tha Mark Norris nga Universiteti i Lancashire për “New Scientist”.

    Madhësia e asteroidit mbetet një vlerësim, pasi bazohet në sasinë e dritës që reflekton sipërfaqja e tij. Kjo do të thotë se përmasat nuk mund të përcaktohen me saktësi të plotë. Nëse asteroidi përbëhet nga material i errët ose që reflekton pak dritë, ai mund të jetë më pranë kufirit të sipërm të vlerësimeve, ose edhe më i madh.

    Edhe në skenarin më të ulët të përmasave të tij, objekti mbart potencial të madh shkatërrues. Ekspertët thonë se, në rast përplasjeje, 2026 JH2 mund të shkaktonte një ngjarje të ngjashme me meteorin e Chelyabinsk-ut.

    Në vitin 2013, një meteor rreth 18 metra i gjerë shpërtheu mbi qytetin Chelyabinsk në Rusi, pranë kufirit me Kazakistanin. Shpërthimi ishte rreth 30 herë më i fuqishëm se bomba atomike e hedhur në Hiroshima dhe krijoi një valë goditëse që përshkoi globin dy herë.

    Nën zonën e shpërthimit, rreth 45 kilometra mbi tokë, nxehtësia ishte aq e fortë sa disa persona pësuan djegie dhe dëmtime në sy. Rreth 1,500 njerëz u plagosën dhe më shumë se 3,600 banesa u dëmtuan, ndonëse vetëm një pjesë shumë e vogël e trupit qiellor arriti në sipërfaqe.

    Me përmasa që mund të arrijnë deri në 35 metra, 2026 JH2 mund të ishte edhe më shkatërrues, duke hyrë në kategorinë e asteroidëve që shpesh quhen “vrasës qytetesh”.

    Megjithatë, pavarësisht afrimit ekstrem, astronomët theksojnë se asteroidi nuk paraqet asnjë rrezik për Tokën.

    Falë rrjetit të teleskopëve të mbrojtjes planetare, shkencëtarët mund të bëjnë përllogaritje shumë të sakta të orbitave të asteroidëve. Edhe pse 2026 JH2 do të jetë shumë i zbehtë për t’u parë me sy të lirë, ai mund të jetë i dukshëm përmes teleskopëve amatorë në zona me qiell të errët.

    Aktualisht, asteroidi ndodhet rreth 3 milionë kilometra larg Tokës, në yjësinë Ursa Major.

    Më herët gjatë këtij viti, drejtuesja e mbrojtjes planetare në NASA paralajmëroi se ende ekzistojnë dhjetëra mijëra asteroidë të përmasave të rrezikshme që nuk janë zbuluar. Dr. Kelly Fast, e cila drejton përpjekjet për gjetjen dhe gjurmimin e objekteve pranë Tokës, tha se shkencëtarët janë ende në kërkim të rreth 15 mijë trupave qiellorë të mesëm që mund të përbëjnë kërcënim.

    Sipas saj, një përplasje nga një objekt i tillë, me diametër të paktën 140 metra, nuk do ta shkatërronte planetin, por mund të shkaktonte dëme të mëdha rajonale.

    Megjithatë, Toka ende nuk ka një sistem të gatshëm për të devijuar një asteroid nëse zbulohet papritur se është në kurs përplasjeje.

    Në vitin 2022, NASA dërgoi qëllimisht anijen kozmike DART drejt hënës së vogël Dimorphos, me qëllim ndryshimin e orbitës së saj përmes përplasjes. Misioni u cilësua si sukses dhe tregoi se një asteroid mund të devijohet nga trajektorja e tij.

    Por Dr. Nancy Chabot, shkencëtare planetare në Universitetin Johns Hopkins dhe një nga drejtueset e misionit, paralajmëroi se aktualisht nuk ka një tjetër anije të ngjashme me DART-in, të gatshme për t’u nisur nëse do të shfaqej një kërcënim real.

    “DART ishte një demonstrim i rëndësishëm”, tha ajo. “Por nuk kemi një tjetër të gatshme për ta përdorur në rast se do të na duhej për një kërcënim konkret.”

  • Shkencëtarët rusë: Vaksina kundër hantavirusit mund të kërkojë vite për t’u zhvilluar

    Shkencëtarët rusë: Vaksina kundër hantavirusit mund të kërkojë vite për t’u zhvilluar

    Një vaksinë kundër hantavirusit mund të zhvillohet në të ardhmen, por procesi i plotë i testimit dhe miratimit sipas standardeve ndërkombëtare mund të zgjasë disa vite, deklaroi epidemiologu rus dhe zëvendëspresidenti i Akademisë Ruse të Arsimit, Genadi Onishçenko.

    Në një intervistë për agjencinë TASS, Onishçenko tha se Rusia ka kapacitetet teknologjike për të prodhuar një vaksinë, duke përmendur përvojën e fituar gjatë zhvillimit të vaksinave kundër COVID-19.

    “Sfida kryesore nuk është shkencore, por teknologjike. Vaksina mund të krijohet në mënyrë të ngjashme me atë të koronavirusit, por nëse respektohen të gjitha standardet e regjistrimit të barnave, përfshirë provat paraklinike dhe tre fazat e testeve klinike, procesi do të zgjasë disa vite”, u shpreh ai.

    Eksperti theksoi gjithashtu se ekzistojnë më shumë se 40 lloje të hantavirusit, çka e bën të nevojshme përcaktimin se ndaj cilit variant duhet të fokusohet vaksina. Megjithatë, ai sqaroi se nuk është e nevojshme të zhvillohen menjëherë vaksina për të gjitha variantet.

    Hantavirusi është një grup virusesh që transmetohen kryesisht nga brejtësit dhe mund të shkaktojnë sëmundje serioze te njerëzit, përfshirë probleme të rënda respiratore dhe renale.

  • Alarm nga shkencëtarët: Frikë për një vit veçanërisht të vështirë sa i përket zjarreve

    Alarm nga shkencëtarët: Frikë për një vit veçanërisht të vështirë sa i përket zjarreve

    Zjarret pritet të arrijnë nivele shumë të larta këtë vit në mbarë botën, të nxitura nga ndryshimet klimatike dhe fenomeni El Niño, ndërsa që nga fillimi i vitit kanë arritur tashmë nivele rekord, paralajmërojnë studiuesit.

    “Ky vit ka nisur shumë fuqishëm për sezonin e zjarreve në botë, me 50% më shumë sipërfaqe të djegura krahasuar me mesataren për këtë periudhë të vitit”, deklaroi Theodor Kipping gjatë një prezantimi për gazetarët.

    Sipas tij, kjo sipërfaqe është “20% më e madhe se rekordi i mëparshëm që nga fillimi i monitorimit global në vitin 2012”, ndërsa paralajmëroi se pritet një “vit veçanërisht i vështirë”.

    Sipërfaqja totale e djegur në botë nga fillimi i vitit deri më 6 maj ka arritur në 1.63 miliardë hektarë, sipas të dhënave të Sistemit Global të Informacionit për Zjarret (GWIS), krahasuar me mesataren prej 1.1 miliardë hektarësh për periudhën 2012-2025 deri në të njëjtën datë.

    Situata është veçanërisht shqetësuese në Afrikë, ku janë regjistruar nivele rekord në shumë vende të Afrikës Perëndimore dhe rajonit të Sahelit. Zjarret në savanë janë favorizuar nga alternimi i reshjeve të forta, që nxisin vegjetacionin, me periudha thatësire që favorizojnë përhapjen e flakëve.

    Fenomeni El Niño

    Studiuesit paralajmërojnë gjithashtu për pasojat e rikthimit të pritshëm të fenomenit natyror El Niño, i cili rrit temperaturat globale.

    Ky fenomen është një nga fazat e ciklit natyror në Oqeanin Paqësor, që zakonisht nis në pranverë dhe ndikon gradualisht në muajt pasues mbi temperaturat, erërat dhe klimën në pjesë të ndryshme të planetit.

    World Meteorological Organization ka paralajmëruar se, megjithëse mbeten pasiguri, rikthimi i El Niño nga maji deri në korrik po bëhet gjithnjë e më i mundshëm, ndërsa fenomeni i kundërt La Niña po dobësohet. Kjo pritet t’i shtohet rritjes së vazhdueshme të temperaturave të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor.

    “Mundësia për zjarre ekstreme dhe të rrezikshme mund të jetë ndër më të lartat në historinë e fundit, nëse zhvillohet një El Niño i fortë”, vlerësoi Kipping. Sipas tij, fenomeni mund të krijojë kushte të forta nxehtësie dhe thatësire në Australi, në veriperëndim të Shteteve të Bashkuara dhe Kanada, si edhe në pyjet e Amazonës.

    Edhe Friederike Otto theksoi se zhvillimi i një El Niño të fuqishëm këtë vit, i kombinuar me efektet e ndryshimeve klimatike, mund të sjellë “fenomene klimatike ekstreme të paprecedenta”.

  • Zbulohet një rrugë më e shkurt për të shkuar në Mars  – brenda 153 ditësh

    Zbulohet një rrugë më e shkurt për të shkuar në Mars – brenda 153 ditësh

    Një studim i ri sugjeron se udhëtimi drejt Mars mund të bëhet shumë më i shpejtë se sa mendohej deri më tani, duke reduktuar kohën e një misioni vajtje-ardhje në vetëm 153 ditë.

    Aktualisht, me teknologjinë ekzistuese, një udhëtim njëdrejtimësh drejt Planetit të Kuq zgjat rreth nëntë muaj, ndërsa një mision i plotë mund të zgjasë deri në tre vite.

    Por studiues nga State University of Northern Rio de Janeiro kanë identifikuar një mundësi të re që mund të shkurtojë ndjeshëm këtë kohë.

    Ky skenar bazohet në një fenomen astronomik të quajtur “opozita e Marsit”, që ndodh rreth çdo 26 muaj, kur Toka dhe Marsi ndodhen në të njëjtën anë të Diellit dhe në distancën më të afërt mes tyre.

    Studiuesit analizuan opozitat e ardhshme, përfshirë ato të viteve 2027, 2029 dhe 2031, për të parë nëse mund të shfrytëzohen për një udhëtim më efikas.

    Një rol kyç në këtë “shkurtore” luan asteroidi 2001 CA21, trajektorja e të cilit kryqëzon orbitat e Tokës dhe Marsit. Sipas llogaritjeve, gjatë opozitës së vitit 2031, një anije kozmike mund të përdorë këtë rrugë për të arritur në Mars në rreth një muaj.

    Sipas planit teorik, nisja do të bëhej më 20 prill, mbërritja në Mars më 23 maj, qëndrimi do të zgjaste 30 ditë dhe kthimi në Tokë do të përfundonte më 20 shtator – duke e çuar kohëzgjatjen totale të misionit në 153 ditë.

    Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se ky skenar është ekstrem dhe kërkon energji shumë të lartë, duke e bërë atë më shumë një model teorik sesa një plan të menjëhershëm realizimi. Një alternativë më e realizueshme, sipas tyre, është një mision prej rreth 226 ditësh, i cili balancon më mirë kohën dhe kërkesat energjetike.

    Ky zhvillim mund të jetë me interes për NASA, e cila synon të dërgojë njerëz në Mars në fillim të viteve 2030. Eksplorimi i këtij planeti mbetet një nga objektivat kryesore, pasi mund të ndihmojë në kuptimin e historisë së Tokës dhe në kërkimin e jetës jashtë saj.

  • Paralajmërimi i Nobelistit për të ardhmen e njerëzimit – fundi i botës nuk është larg

    Paralajmërimi i Nobelistit për të ardhmen e njerëzimit – fundi i botës nuk është larg

    Fizikani teorik amerikan David Gross, fitues i Çmimit Nobel në Fizikë, ka dhënë një paralajmërim të fortë për të ardhmen e njerëzimit, duke sugjeruar se rreziqet globale mund ta çojnë atë drejt një krize ekzistenciale shumë më shpejt sesa mendohet.

    Gross, i cili u vlerësua me Nobelin në vitin 2004 për zbulime në fushën e fizikës teorike, thekson se kërcënimet më të mëdha sot janë lufta bërthamore dhe zhvillimi i pakontrolluar i inteligjencës artificiale.

    Sipas tij, probabiliteti për një konflikt bërthamor global mbetet shqetësues dhe është rritur në dekadat e fundit.

    Në një intervistë të fundit, ai sugjeroi se mundësia që një individ të jetojë edhe 50 vite të tjera është relativisht e ulët, duke përmendur një vlerësim të përafërt prej rreth 35 vitesh për shkak të rrezikut të luftës bërthamore.

    Ai shtoi se, nëse trendet aktuale vazhdojnë, një katastrofë globale mund të ndodhë edhe brenda këtij shekulli.

    Gross thekson se situata është përkeqësuar pas shpërbërjes së marrëveshjeve për kontrollin e armëve bërthamore dhe përshkallëzimit të tensioneve ndërkombëtare, përfshirë konfliktet dhe rivalitetet mes fuqive të mëdha dhe vendeve me kapacitete bërthamore.

    Një tjetër shqetësim madhor sipas tij është roli në rritje i teknologjive të avancuara, veçanërisht inteligjencës artificiale. Ai paralajmëron se automatizimi i sistemeve ushtarake dhe përdorimi i AI në vendimmarrje të shpejtë mund të krijojnë situata të rrezikshme dhe të paparashikueshme.

    Në skenarë ekstremë, vendime kritike për përdorimin e armëve bërthamore mund të delegohen te sistemet inteligjente, të cilat megjithëse të avancuara, nuk janë të pagabueshme dhe mund të prodhojnë rezultate të pasakta.

    Megjithatë, në përfundim, fizikani thekson se armët bërthamore janë krijim i njerëzimit – dhe si të tilla, eliminimi i tyre mbetet në dorën e vetë njerëzve.

  • Pse ëndërrojmë? Studimi: Ëndrrat na përgatisin për jetën reale

    Pse ëndërrojmë? Studimi: Ëndrrat na përgatisin për jetën reale

    Ëndrrat mund të duken të çrregullta dhe të paqarta, por sipas një studimi të ri shkencor, ato luajnë një rol të rëndësishëm në përgatitjen tonë për sfidat e përditshme.

    Sipas studiuesve, ëndrrat nuk shërbejnë vetëm për përpunimin e emocioneve apo kujtimeve, por funksionojnë si një lloj simulimi mendor. Gjatë gjumit, truri krijon skenarë që lidhen me qëllime dhe situata reale, si mbijetesa, marrëdhëniet shoqërore apo kujdesi për familjen.

    Autori i studimit, Frederick Thomas, thekson se ëndrrat mund të shërbejnë si një “hapësirë praktike” ku mendja përpunon sfida sociale, duke ndihmuar individin të përgatitet për situata që lidhen me reputacionin, lidhjet dhe sigurinë personale.

    Studimi sugjeron se ëndrrat janë një “hapësirë simulimi me shumë qëllime”, ku truri ushtron role të ndryshme njëkohësisht. Kjo mund të ndihmojë njerëzit të përballen më mirë me ndërveprimet komplekse gjatë jetës së përditshme.

    Për kërkimin, rreth 400 pjesëmarrës përshkruan ëndrrat e tyre të fundit, të cilat më pas u analizuan nga ekspertë. Ata identifikuan disa tema kryesore që shfaqeshin shpesh, si mbrojtja nga rreziku, konkurrenca dhe suksesi, nevoja për përkatësi sociale, kujdesi për familjen, frika nga sëmundjet dhe marrëdhëniet romantike.

    Rezultatet treguan se temat më të zakonshme ishin ato që lidhen me mbijetesën dhe statusin, si për shembull ëndrra ku njerëzit ndjekin apo dështojnë në situata të rëndësishme. Gjithashtu, u vu re se disa tema shfaqen së bashku, duke sugjeruar se truri organizon sfidat sociale në mënyrë kuptimplote edhe gjatë gjumit.

    Studimi, i publikuar në revistën “Dreaming”, zbuloi se këto modele janë të ngjashme tek të dy gjinitë, duke treguar se ëndrrat pasqyrojnë mënyra universale të përballjes me jetën.

    Ekspertët theksojnë se interesi për rolin e ëndrrave po rritet, sidomos në një botë të karakterizuar nga presion social dhe pasiguri. Sipas tyre, ëndrrat nuk janë thjesht përvoja të rastësishme, por një mekanizëm i rëndësishëm për të kuptuar dhe menaxhuar realitetin.

    Një studim tjetër sugjeron se edhe ëndrrat e frikshme mund të kenë efekt pozitiv. Studiues nga Universiteti i Kansasit zbuluan se ndjenja e frikës gjatë ëndrrave mund të ndihmojë në përmirësimin e kontrollit emocional gjatë ditës.

    Megjithatë, ekspertët theksojnë se kjo vlen vetëm kur gjumi nuk ndërpritet nga makthe të forta. Në këto raste, ëndrrat mund të shërbejnë si një mënyrë natyrale për të përpunuar emocionet dhe për t’u përgatitur për situata reale.

  • NASA planifikon të ndezë zjarr në Hënë për eksperimente

    NASA planifikon të ndezë zjarr në Hënë për eksperimente

    NASA ka zbuluar një plan të pazakontë: ndezjen e një zjarri në sipërfaqen e Hënës për të studiuar se si sillet flaka në kushte me gravitet të ulët dhe për të përmirësuar sigurinë e misioneve të ardhshme hapësinore.

    Edhe pse duket e habitshme, zjarri konsiderohet një nga rreziqet më serioze për astronautët. Kjo sepse në hapësirë dhe në mjedise me gravitet të reduktuar, si Hëna apo International Space Station, flakët nuk sillen njësoj si në Tokë. Materiale që në Tokë nuk digjen lehtësisht mund të vazhdojnë të digjen për periudha më të gjata në hapësirë.

    Eksperimenti i planifikuar për këtë vit do të përfshijë katër mostra materiali, të cilat do të vendosen në një dhomë të mbyllur dhe do të transportohen në Hënë në kuadër të një misioni pa ekuipazh. Aty, ato do të ndizen dhe do të monitorohen nga kamera dhe sensorë për të analizuar përhapjen e flakës dhe konsumimin e oksigjenit.

    Shkencëtarët theksojnë se ky test është thelbësor përpara kthimit të njerëzve në Hënë në vitin 2028, në kuadër të misioneve të ardhshme. Në Tokë, përhapja e zjarrit ndikohet nga graviteti dhe rrymat e ajrit, por në Hënë – ku graviteti është rreth një e gjashta e atij tokësor – këto procese ndodhin ndryshe.

    Në këto kushte, oksigjeni mund të ushqejë flakën pa e shuar atë, duke krijuar një mjedis potencialisht më të rrezikshëm për përhapjen e zjarrit. Studiuesit paralajmërojnë se zjarret në habitatet hënore, ku niveli i oksigjenit do të jetë i ngjashëm me atë të Tokës, mund të jenë një kërcënim real për astronautët.

    Një sfidë e madhe për NASA-n është testimi i zjarrit në kushte të ngjashme me hapësirën. Eksperimentet aktuale në Tokë dhe në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor kanë kufizime, pasi mund të simulojnë mikrogravitetin vetëm për periudha të shkurtra ose me flakë shumë të vogla.

    Testet e mëparshme kanë treguar fenomene të pazakonta, si përhapja e flakës në drejtim të kundërt me rrjedhën e ajrit apo djegie më intensive në materiale të holla. Këto rezultate kanë nxitur nevojën për eksperimente më të avancuara.

    Projekti i ri, i njohur si “Flammability of Materials on the Moon”, do të jetë hera e parë që një zjarr i kontrolluar ndizet në sipërfaqen hënore, duke u ofruar shkencëtarëve një kuptim më të qartë të rreziqeve dhe sjelljes së flakës në hapësirë.

    Ky eksperiment pritet të luajë një rol kyç në përgatitjen e misioneve të ardhshme dhe në garantimin e sigurisë së astronautëve gjatë qëndrimit në Hënë.