ATV

Category: Shkencë

  • I nxehti ekstrem, shkencëtarët: Ja kush është shkaktari

    I nxehti ekstrem, shkencëtarët: Ja kush është shkaktari

    Pas një qershori të nxehtë rekord, zona të mëdha të SHBA-së dhe Meksikës, Evropës Jugore dhe Kinës përjetuan nxehtësi ekstreme në korrik 2023, duke thyer shumë rekorde lokale të temperaturave të larta.

    Temperaturat tejkaluan 50C më 16 korrik në Death Valley në SHBA si dhe në Kinën Veriperëndimore (CNN). Rekorde u arritën gjithashtu në shumë stacione të tjera meteorologjike në Kinë dhe rekordi i nxehtësisë kineze u thye në Sanbao më 16 korrik. Në Evropë, dita më e nxehtë ndonjëherë u regjistrua në Katalunja dhe rekordet më të larta të temperaturës minimale ditore u thyen në pjesë të tjera të Spanjës .

    “Disa vdekje nga nxehtësia janë konfirmuar në SHBA, duke përfshirë emigrantë në kufirin me Meksikën. Vetëm në Meksikë mbi 200 njerëz vdiqën për shkak të të nxehtit. Spanja, Italia, Greqia, Qiproja, Algjeria dhe Kina gjithashtu raportuan vdekje nga nxehtësia, si dhe një rritje të madhe të shtrimeve në spital për shkak të sëmundjeve të lidhura me nxehtësinë. Një pjesë e madhe e popullsisë në Itali dhe Spanjë dhe mbi 100 milionë njerëz në jug të SHBA-së janë nën alarmin e të nxehtit. Në të tre rajonet, kërkesa për energji u rrit dhe ndikoi negativisht një numër kulturash të rëndësishme, duke përfshirë vajin e ullirit në Spanjë dhe prodhimin e pambukut në Kinë” , thuhet në deklaratën e shkencëtarëve të World Weather Attribution.

    Valët e të nxehtit janë ndër rreziqet natyrore më vdekjeprurëse me mijëra njerëz që vdesin nga shkaqe të lidhura me nxehtësinë çdo vit. Megjithatë, ndikimi i plotë i një valë të nxehti rrallë dihet saktësisht sepse shumë vende nuk kanë një regjistrim të saktë të vdekjeve të lidhura me nxehtësinë, prandaj shifrat e vdekshmërisë globale të disponueshme aktualisht janë të nënvlerësuara.

    “Ky ndryshim i klimës ka një shkaktar kryesor. Ai është njeriu, “dora” e të cilit ka luajtur një rol “absolutisht shkatërrues” në valët ekstreme të të nxehtit që kanë përfshirë Amerikën e Veriut, Evropën dhe Kinën”, ky është dhe vlerësimi më i rëndësishëm i shkencëtarëve të World Weather Attribution i publikuar sot.

    Në përputhje me atë që pritej nga parashikimet e kaluara të klimës dhe raportet e IPCC, Amerika e Veriut, Evropa dhe Kina kanë përjetuar gjithnjë e më shpesh valë të nxehti gjatë viteve të fundit si rezultat i ngrohjes së shkaktuar nga aktivitetet njerëzore, prandaj valët aktuale të nxehtit nuk janë të rralla. Tashmë këto temperatura të larta do t’i përjetojnë afërsisht 1 herë në 15 vjet në rajonin SHBA/Meksikë, 1 herë në 10 vjet në Evropën Jugore dhe 1 herë në 5 vjet në Kinë.

    Nëse njerizimi nuk do të kishte qenë kaq vetë shkatërrues duke ngrohur planetin, ngjarje të tilla klimatike do të ishin jashtëzakonisht të rralla.

    P.sh. Kina do të kishte përjetuar valë të tilla të nxehti 1 herë në 250 vjet, ndërsa nxehtësi maksimale si në korrik 2023 do të kishin qenë praktikisht të pamundura të ndodhnin në rajonin SHBA/Meksikë apo në Evropën Jugore.

  • Zbulimi i fundit i shkencëtarëve për sjelljet e tmerrshme të peshkaqenëve në Florida: Kanë pirë kokainë

    Zbulimi i fundit i shkencëtarëve për sjelljet e tmerrshme të peshkaqenëve në Florida: Kanë pirë kokainë

    Shkencëtarët amerikanë kanë zbuluar se peshkaqenët me shumë gjasa konsumojnë kokainë të hedhur në ujërat e Floridës dhe kjo mund t’i bëjë ata të sillen në mënyra të çmendura.

    Kjo dyshohet se ka ndodhur pasi kontrabandistët e drogës lënë tonelata kokainë në ujërat përreth Floridës, të transportuara nga Amerika e Jugut dhe Qendrore, ose për t’u larguar me bashkëpunëtorët ose për të shmangur arrestimin.

    Vetëm muajin e kaluar, u raportua se roja bregdetare amerikane sekuestroi më shumë se 6400 kg kokainë në Detin e Karaibeve dhe Oqeanin Atlantik, me vlerë 186 milionë dollarë.

    Siç raporton “The Guardian”, studiuesit filmuan një peshkaqen që dukej se ishte nën ndikimin e disa opiateve dhe po notonte në rrathë të ngushtë, pavarësisht se nuk kishte asgjë aty pranë.

    Përveç gjurmimit të peshkaqenëve, shkencëtarët vendosën gjithashtu pako të ngjashme me kokainë në ujë si pjesë e studimit të tyre, si dhe mjellma të reja për të parë se cilat do t’i kafshonin më parë.

  • Ylli me dy ‘fytyra’ habit astronomët

    Ylli me dy ‘fytyra’ habit astronomët

    Astronomët kanë zbuluar një yll me dy ‘fytyra’ ku njëra përbëhet nga hidrogjeni dhe tjetra nga heliumi. Ylli i bardhë xhuxh është quajtur Janus, në nder të perëndisë romake të ndryshimit.

    “Sipërfaqja e yllit të bardhë xhuxh ndryshon nga njëra anë te tjetra. Kur ia tregoj vëzhgimet të tjerëve, ata shastisen”, shprehet Ilaria Caiazzo, udhëheqësja e studimit në Institutin e Teknologjisë në Kaliforni.

    Fenomeni i çuditshëm mund të jetë pasojë e një faze të rrallë evolucioni që po kalon ylli i shuar. “Jo të gjithë, por disa yje xhuxhë ndryshojnë duke u mbizotëruar nga heliumi në vend të hidrogjenit”, shpjegon Caiazzo.

    Ana nga e cila ndodhet hidrogjeni është më e ndritshme. Në pjesën ku ndodhet heliumi, duken flluska dhe shtresa e hollë e hidrogjenit në sipërfaqe është shkatërruar duke e zhvendosur heliumin poshtë.

    Janus u pikas nga ZTF, një skaner në Observatorin Palomar pranë San Diegos. Ylli xhuxh rrotullohet çdo 15 minuta në aksin e tij, një fenomen që iu zbuloi astronomëve dy ‘fytyrat’ e tij.

  • 54 vjet më parë njeriu zbriti në Hënë

    54 vjet më parë njeriu zbriti në Hënë

    Ishte një kohë kur ende kishte ëndrra ku (pothuajse) çdo gjë dukej e mundur, shkruan gazeta gjermane ”Rheinpfalz” në një artikull kushtuar zbritjes së parë të njeriut në Hënë.

    “Besimi në përparimin teknologjik ishte pothuajse i patundur në vitet ‘60 të shekullit të kaluar. Por, një ëndërr u bë e vërtetë kur Neil Armstrong vendosi këmbë në sipërfaqen e Hënës më 20 korrik 1969”, shton ajo.

    “Ky ishte më shumë se kulmi i përpjekjeve të pabesueshme të inxhinierëve dhe shkencëtarëve, që u arrit me një teknologji që sot duket e vjetërsuar”, thekson ajo.

    Njerëzimi në fakt dukej i aftë për të kapërcyer barrierat e hapësirës dhe kohës, shkruan KosovaPress.

    Misioni “Apollo 11” është shndërruar sot në simbolin e një epoke të re drejt hapësirës, ku protagonistë të rinj po sfidojnë njëri-tjetrin në një garë që synon kthimin në Hënë në një rutinë duke e shndërruar këtë satelit të vogël në një bazë kërkimore dhe në një plasdarm për eksplorimin e sistemit diellor duke filluar nga planeti Mars.

  • NASA thotë se çdo vit e më shumë vera do të jetë më e nxehtë

    NASA thotë se çdo vit e më shumë vera do të jetë më e nxehtë

    Shkencëtari i NASA-s, Peter Kalmus, ka paralajmëruar se kjo verë “do të jetë më e freskëta” nga çfarë do të përjetojmë për pjesën tjetër të jetës, pasi valët e të nxehtit vazhdojnë të shkatërrojnë Evropën dhe SHBA-në, ndërsa përmbytjet, musonët dhe tajfonët godasin Azinë.

    “Shumica e njerëzve ende nuk e dinë se në çfarë rreziku janë”, tha Peter Kalmus në Twitter.

    “Kjo do të jetë vera më e freskët për sa jetë ju ka ngelur, dhe kjo nuk duhet të jetë vetëm një meme. Në fakt është e tmerrshme” shtoi ai.

    Kalmus bëri thirrje që përdorimi i lëndëve djegëse fosile të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur, përpara se të sqaronte në një postim të mëvonshëm se “do të ketë gjithmonë ndryshime rajonale dhe ndërvjetore, por në një kuptim mesatar, tendencat e nxehtësisë nënkuptojnë se kjo do të jetë vera më e freskët për një kohë të gjatë”.

    Ai tha gjithashtu se nëse bota dhe shoqëria “kalojnë në modalitetin e emergjencës klimatike”, do të ishte e mundur që planeti të fillonte të ftohet deri në fund të shekullit.

  • “Toka do të kthehet në një ferr të vërtetë nëse nuk merren masa për klimën”, thotë një shkencëtare

    “Toka do të kthehet në një ferr të vërtetë nëse nuk merren masa për klimën”, thotë një shkencëtare

    Toka do të kthehet në një “ferr” të vërtetë nëse valët e të nxehtit nuk i nxitin qeveritë e vendeve që të marrin masa për ndryshimet klimaterike. Ky është paralajmërimi që vjen nga një shkencëtare e klimës në një kohë kur Toka po përballet me fenomene ekstreme të motit.

    “Njerëzimi duhet të presë gjithnjë e më shpesh fenomene ektreme të motit, nëse temperaturat globale vijojnë të rriten me ritmet aktuale,” deklaroi Dr. Akshay Deoras, nga departamenti i meteorologjisë në Universitetin Reading.

    Temperaturat globale pritet që të rriten më më shumë se 1.5C përpara vitit 2027, duke shkelur kështu normën që ishte paracaktuar në Marrëveshjen e Parisit të vitit 2015 dhe duke shkaktuar pasoja katastrofike.

    “Temperaturat të rritje, të nxitura nga emetimet e gazeve serrë po nxehin Europën dhe pjesën tjetër të planetit tonë,” tha Dr Deoras.

    “Ne e kemi ditur edhe më herët se rritja e temperaturave me 1.5°C mund të kishte pasoja katastrofike duke sjellë fenomene të motit ekstrem, duke përfshirë këtu valën përvëluese të të nxehtit që po shohim në Spanjë dhe në Itali.”

    Marrëveshja e Parisit, e firmosur nga 175 vende, kishte si objektiv kryesor ndalimin e rritjes së temperaturave me 1.5C mbi vlerat e regjistruara në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të, përpara se të merrnin hov industrializimi dhe lëndët djegëse fosile.

  • Gjeologët propozojnë vitin 1950 si fillimin zyrtar të Epokës së Njeriut

    Gjeologët propozojnë vitin 1950 si fillimin zyrtar të Epokës së Njeriut

    Gjeologët kryesorë kanë propozuar vitin 1950 si fillimin zyrtar të të ashtuquajturës “Epoka e Njeriut” ose Antropocene.

    Gjeologët e ndajnë historinë e Tokës në epoka të ndryshme.

    Aktualisht jetojmë në Holocen, që filloi më pak se 12.000 vjet më parë, pas epokës së fundit të madhe të akullit.

    Megjithatë, meqenëse kohët e fundit njerëzimi ka ndryshuar masivisht Tokën, përmes emetimeve të gazeve serrë, shkatërrimit të ekosistemeve dhe mjeteve të tjera, ekspertët besojnë se nevojitet një epokë e re.

    “Një sekuencë sedimentare shkëmbi nga një liqen i vogël në Kanada duhet të shërbejë si referencë për fillimin e epokës”, njoftoi sot Grupi i Punës Antropocene AWG.

    Konkretisht, studiuesit favorizojnë një shtresë sedimentare nga viti 1950.

    Ekspertët vunë në dukje fillimin e epokës njerëzore duke dalluar gjeomarkera në mostrën e shkëmbinjve kanadezë, veçanërisht pasojat radioaktive nga testet e armëve bërthamore pas Luftës së Dytë Botërore.

    Këto izotope të plutoniumit janë të zbulueshëm në mbarë botën.

    Në mënyrë që të konsiderohet një standard gjeologjik universal, 3 organe të nivelit më të lartë duhet ende të votojnë për propozimin e AWG-së, shkruan ATSH.

    Një vendim pritet deri në gusht të vitit të ardhshëm.

  • Shkenca ‘ka zbuluar’ cila lindi e para, pula apo veza

    Shkenca ‘ka zbuluar’ cila lindi e para, pula apo veza

    Eshtë një çështje që çdo njeri e ka debatuar, që nga fëmijët e shkollave deri te profesorët e universitetit, por tashmë shkencëtarët thonë se më në fund kanë mësuar se cila ka lindur e para, pula apo veza.

    Kësaj pyetjeje një grup shkencëtarësh duket se i kanë dhënë zgjidhje kësaj enigma duke hulumtuar mbi proceset që çojnë në kristalizimin e karbonat kalciumit dhe formimin e lëvozhgës së vezës.

    Studimi ose teoria e publikuar në revistën shkencore ‘Nature Ecology & Evolution’, përfshinte analizën e 51 specieve fosile dhe 29 specieve në jetë, duke i ndarë në kategori ekzaminimi: oviparous vezë dhe viviparous.

    Studiuesit thonin se pararendësit reptilianë të pulave ishin viviparous – të cilët lindnin pa lëshuar vezë.

    Studiuesit e universiteteve të Bristol dhe Nanjing në Kinë, thanë se kafshët që lëshojnë vezë kanë qenë në fakt një inovacion i madh.

    Në disa terma të vështira shkencore Profesor Michael Benton, i University of Bristol, jepte te tjera detaje per teoritë: “Para lindjeve amniote, tetrapodët apo kafshët me 4 gjymtyrë u zhvilluan nga flatrat e peshkut”.“Ato duhet të jetonin në ujë ose pranë ujit në mënyrë që të ushqeheshin dhe të shumoheshin, siç bëjnë amfibët moderne si bretkosat apo salamandrat”.

    Ai shtonte: “Puna jonë dhe e studiuesve të tjerë vitet e fundit na ka bërë të besojmë se ‘modeli fiks i vezës zvarranike’ nuk është më i vlefshëm”.

    Profesor Baoyu Jiang, tha: “Kjo pikëpamje standarde po sfidohet teksa biologët kanë vërejtur gjarpërinj e hardhuca me strategji të papërcaktuar shumimi, pra si oviparitet dhe viviparitet.”

    Por megjithëse studiuesit thonë se kanë zgjidhur debatin, ku sipas tyre pula, ose më mirë proteina OC-17, është krijuar përpara vezës. /atvlive.tv

  • Zbulohet për herë të parë fytyra e faraonit Tutankhamun

    Zbulohet për herë të parë fytyra e faraonit Tutankhamun

    Kërkuesit kanë përdorur risitë teknologjike për të rikrijuar për të parën herë në mënyrë dixhitale, fytyrën e faraonit egjiptian Tutankhamun, i cili sundoi Egjiptin gjatë Dinastisë së 18-të nga mosha 9 vjeç deri në vdekjen e tij në moshën 19-vjeçare.

    Për qindra vjet, shkencëtarët janë përpjekur të kuptojnë se si dukej faraoni, por vetëm 3300 vjet më vonë, ekipe ekspertësh nga Australia, Italia dhe Brazili kanë përdorur teknologjinë për të rikrijuar fytyrën e Mbretit Tut.

    Gjetjet u prezantuan në një studim të ri që së shpejti do të botohet në Gazetën Italiane të Anatomisë dhe Embrionologjisë.

    Studiuesit përdorën modele dixhitale dhe matje të para-regjistruara të kafkës së mumifikuar të faraonit për të gjeneruar fytyrën dhe rezultatet mahnitëse.

    “Ai duket si një djalë i ri me një fytyrë delikate”, tha eksperti brazilian dhe bashkëautori Cicero Moraes.

    “Duke e parë më shumë shohim një student të ri sesa një politikan plot përgjegjësi, gjë që e bën figurën historike edhe më interesante”, konstatoi Moaraes, duke vënë në dukje se modelimi ishte sfidues sepse ekipi nuk kishte akses të drejtpërdrejtë në kafkën e faraonit të ndjerë.

    “Ishte një punë detektive, ku gjurmët e informacionit ishin bashkuar për të na siguruar një model tredimensional të kafkës. Me të dhënat e proporcionit dhe disa matje të rëndësishme cefalometrike, ishte e mundur të merrej kafka dixhitale e një dhuruesi virtual dhe ta rregullonte atë në mënyrë që të bëhej kafka e Tutankhamenit”, shpjegoi Moraes.

    Duke përdorur metodën e tyre, ekipi ishte në gjendje të zbulonte madhësinë e buzëve të Tutit, pozicionin e bebes së syrit, lartësinë e veshëve dhe madje edhe pjesën e përparme të hundës.

    Dizajneri grafik vuri në dukje se ekipi është i sigurt se ka përputhshmëri të mirë me fytyrën e vërtetë në strukturën e përgjithshme.

    “Rindërtimi ynë është jashtëzakonisht i afërt me atë të bërë nga një ekip francez disa vite më parë, në 2005. Korrespondon gjithashtu me përshkrimet e lashta të Tutankhamunit, veçanërisht me kokën në lulen e zambakut nga thesari i varrit të tij“, tha Michael Habicht, një egjiptolog dhe arkeolog në Universitetin Flinders në Australi dhe bashkëautor i studimit./atvlive.tv/

     

  • Sindroma e Abdikimit, pse disa njerëz ndjekin verbërisht liderët politikë apo fetarë?

    Sindroma e Abdikimit, pse disa njerëz ndjekin verbërisht liderët politikë apo fetarë?

    Nga Steve Taylor/ “Psychology Today”

    Disa vite më parë shkrova një artikull me titull “Sindroma e Abdikimit”, në të cilin u përpoqa të shpjegoja fuqinë e disa udhëheqësve të kulteve fetare, guru-ve të korruptuar dhe udhëheqësve politikë mbi ndjekësit e tyre, shkruan Steve Taylog për “Psychology Today”.

    Këta të fundit heqin dorë nga përgjegjësia për jetën e tyre, nga vullneti i tyre, dhe ofrojnë njëpërkushtim të pakushtëzuar ndaj udhëheqësve. Ata u binden urdhrave të tyre, pa e vrarëmendjen mbi pasojat, sikur të jenë gati të hipnotizuar.

    Pavarësisht se sa keq sillen liderët, ndjekësit e tyre gjithmonë gjejnë një justifikim, për të ruajtur imazhin e pagabueshmërisë që kanë ndaj tyre. Unë argumentoj se kjo “Sindromë e Abdikimit” buron nga dëshira e pavetëdijshme e disa njerëzve për t’u rikthyer në gjendjen e fëmijërisë së hershme, kur prindërit e tyre ishin figura të pagabueshme, të plotfuqishëm, që e kontrollonin jetën e tyre dhe i mbronin nga bota.

    Ata po përpiqen që ta ringjallin atë gjendje fëmijërie të përkushtimit dhe papërgjegjshmërisë së pakushtëzuar. Për ta nuk ka nevojë që të mendojnë vetë, sepse udhëheqësi i tyre i di të gjitha përgjigjet. Nuk ka nevojë që të shqetësohen për asgjë, sepse mësuesi do të sigurojë gjithçka që u nevojitet.

    Ata nuk ndihen më të pasigurt, të paplotë apo të hutuar. Ata thjesht shijojnë dashurinë dhe mbrojtjen e mësuesit, siç bënin dikur me prindërit e tyre. Në librin tim të ri “DisConnected”, e përshkruaj me detaje të reja “Sindromën e Abdikimit”. Ndër të tjera shpjegoj se sindroma është aq shumë e fuqishme, sa që çon në një gjendje specifike të ndryshuar të ndërgjegjes, ose siç mund ta quajmë ne, në një gjendje të abdikuar të vetëdijes.

    Një herë bisedova me një mësues shpirtëror (guru) të njohur. Meqë mbërrita më herët sesa orari i takimit, u enda nëpër selinë e tij duke parë librat dhe objektet e tjera të qendrës. Bisedova edhe me një nga ndjekësit e mësuesit, i cili më shqetësoi paksa me shikimin e tij të zbrazët dhe admirimin fëmijëror që kishte ndaj mësuesit të tij.

    “Ai është njësh! Është gjithçka që kam kërkuar. Që kur e ndjek atë gjithçka ka shkuar shumë mirë në jetën time”- më tha plot entuziazëm. M’u kujtua se e kisha ndeshur edhe më herët atëlloj shikimi të zbrazët. Disa vite më parë, një e njohura ime më ftoi mua dhe të dashurën time të merrnim pjesë në një seminar të grupit të saj shpirtëror.

    E kuptova menjëherë se ajo gjë nuk ishte për mua. U zhgënjeva nga nderimi i madh që ata treguan për mësuesin e tyre (që në fakt nuk ishte i pranishëm). Sa herë që përmendnin emrin e tij, një buzëqeshje e madhe shfaqej në fytyrat e tyre, tamam si adoleshentë të dashuruar.

    Po ashtu, unë u habita jo pak nga cilësia e dobët e mësimeve, të cilat ishin kryesisht jo koherente dhe plot klishe. Por ajo që më shqetësoi më shumë, ishte shikimi i zbrazët i secilit prej tyre. Çdokush, miqtë apo të afërmit e atij që i është bashkuar një kulti, do ta njohë këtë shikim të ngjashëm me ekstazën.

    Siç vuri në dukje një ish–pjesëtar i Kishës së Unifikimit për anëtarët e grupit:”Ata të gjithë kishin sy të qelqtë, si dy vezë, që hapeshin aq shumë saqë dukej sikur bebëzat do u pëlcisnin”. Në fakt, ky shikim “me sy të qelqtë” është investiguar nga studiuesit.

    Sociologu Benjamin Zablocki e përshkroi këtë “vështrim të zymtë, të tërhequr” – së bashku me një buzëqeshje të frikshme të ngrirë – si një shenjë klasike të shpëlarjes së trurit apo “nënshtrimit konjitiv ekstrem”. Sociologu tjetër Mark Galanter, besonte se “vështrimi i qelqtë” ka një efekt izolues. Ai përcakton kufijtë e grupit dhe i largon të huajt.

    Por nga këndvështrimi im, shikimi me “sy të qelqtë” është një shenjë e sigurt e “Sindromës së Abdikimit”. Ai është vështrimi i njerëzve që kanë hequr dorë nga përgjegjësia për jetën e tyre dhe janë kthyer në gjendjen e përkushtimit si fëmijë ndaj një figure atërore.

    Kjo gjendje e abdikuar e ndërgjegjes është e ngjashme me hipnozën. Tek e fundit, tipari thelbësor i hipnozës, është se një person heq dorë nga vullneti i tij dhe e lejon hipnotizuesin të marrë përsipër “funksionet ekzekutive” të mendjes, të cilat menaxhojnë sjelljen tonë dhe kontrollojnë vendimet dhe emocionet tona.

    Unë jam pak ngurrues për të përdorur termin “shpëlarje truri” në këtë kontekst, pasi kjo nënkupton se anëtarët e kultit janë viktima të pafajshme të liderëve keqdashës. Në librin tim të ri, unë sugjeroj që udhëheqësit e kultit, gurutë e korruptuar dhe udhëheqësit politikë autoritarë janë personalitete “që nxitin një shkëputje të madhe nga bota” dhe që dëshirojnë pushtet dhe admirim.

    Ashtu si me hipnozën – kur një subjekt e lejon hipnotizuesin të marrë përsipër vullnetin e tij Sindroma e Abdikimit është (të paktën në fillim) një marrëveshje midis ndjekësit dhe udhëheqësit. Ndjekësi ka një nevojë psikologjike për të adhuruar dikë, ndërsa udhëheqësi ka nevojë psikologjike për t’u adhuruar.

    Është një marrëveshje midis një personi që dëshiron të marrë rolin e fëmijës dhe një personi që dëshiron të marrë rolin e prindit. Sindroma e Abdikimit nuk sjell një përfundim të mirë. Ashtu si të gjitha marrëdhëniet toksike, marrëdhënia midis liderëve autoritarë dhe ndjekësve të tyre të nënshtruar, është e dënuar të shkojë keq që në fillim.

    Sepse ajo bazohet në patologji nga të dyja anët:hiper–ndikim e liderëve, dhe pasiguria dhe papjekuri psikologjike e ndjekësve të tyre. Po ashtu, është një marrëdhënie shumë e paqëndrueshme, për shkak të hendekut gjigant midis liderit (me bashkëpunëtorët e tij) dhe ndjekësve të tij të nënshtruar. Çdo patokraci – në formën e një kulti ose një qeverisje – çon në mënyrë të pashmangshme drejt konfliktit, kaosit dhe vetë-shkatërrimit.