ATV

Category: SHËNDETËSI

  • ​Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Autizmin

    ​Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Autizmin

    Dita Botërore e Autizmit synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit dhe përmirësimin e jetës së atyre që jetojnë me autizëm. Vlerësohet se 1% e popullatës globale është autike.

    Autizmi është një çrregullim kompleks që prek hapësira të shumëfishta të zhvillimit duke përfshirë ndërveprimin social, komunikimin verbal dhe joverbal, imagjinatën, sjelljet dhe interesat. Simptomat e këtij çrregullimi shfaqen shpejt në jetë, ndonjëherë në foshnjëri, por përgjithësisht përpara moshës 3-vjeç.

    Çfarë e shkakton autizmin? Shumë studime janë përpjekur t’i japin përgjigje kësaj pyetjeje. Në pak raste autizmi është shenjë e një problemi gjenetik, i tillë si X i Brishtë, megjithatë në shumë raste nuk njihen shkaqet. Aktualisht, autizmi mendohet se shkaktohet nga një kombinim i gjeneve dhe faktorëve mjedisorë. Ende nuk ka të dhëna që autizmi shkaktohet nga diçka që prindërit kanë apo nuk kanë bërë para apo gjatë shtatzënisë, apo ndërsa kujdesen për fëmijën e tyre.

    Si diagnostikohet autizimi? Diagnoza e autizmit bazohet në sjelljet e fëmijës. Aktualisht, nuk ka ndonjë test mjekësor (për shembull analizë gjaku, rreze x etj.) që do të ndihmonte në diagnostikimin e autizmit. Mjekët mund të këshillojnë teste gjenetike për të gjetur një shkak gjenetik, si dhe mund të rekomandojnë teste apo studime të tjera që ndihmojnë në përcaktimin e kushteve të tjera shëndetësore të cilat mund të jenë të pranishme.

    Kur profesionistët konstatojnë se fëmija ka autizëm apo diagnoza të lidhura me të, problemet vlerësohen në tri hapësira: ndërveprimi social, komunikimi dhe sjelljet/interesat jo të zakonshme.

    Ndërveprimi social: Fëmijët me autizëm shpesh kanë vështirësi në krijimin dhe mbajtjen e marrëdhënieve sociale. Krahasuar me fëmijët që zhvillohen normalisht, ata të diagnostikuar me autizëm mund ta kenë më të vështirë të vendosin dhe mbajnë kontakt me sy, të përgjigjen kur u flitet në emër, të luajnë lojëra të tilla si kukafshehti, apo të përfshijnë fëmijë të tjerë në lojë. Ata mund të pëlqejnë të jenë me prindërit apo të përfshihen në lojëra aktive, por shfaqin më pak interes dhe reagim krahasuar me fëmijët e tjerë me zhvillim normal.

    Komunikimi: Fëmijët me autizëm janë përgjithësisht më të ngadaltë në përdorimin e fjalëve apo frazave të thjeshta që janë normale për atë moshë. Gjithashtu, ata kanë më pak të ngjarë të përdorin gjeste të zakonshme të tilla si të kërkuarit e diçkaje, apo të drejtojnë vëmendjen e dikujt drejt një pamje apo tingulli. Disa fëmijë mund të kenë një zhvillim gjuhësor në kohën e duhur, por mund të shfaqin kthim pas apo humbje të aftësive të komunikimit rreth moshës 18-24 muaj. Kjo humbje e aftësive mund të përfshijë ulje të interesave sociale, sikurse edhe humbje të fjalëve apo frazave të cilat i kanë përdorur më parë. Fëmijët që kanë zhvillim të gjuhës mund të shfaqin modele jo të zakonshme të të folurit, të tilla si përsëritja apo bërja jehonë e frazave që dëgjojnë nga të tjerët apo nga televizori. Ata mund të kërkojnë gjëra që dëshirojnë por e kanë shumë të vështirë të mbajnë një bisedë të thjeshtë.

    Sjelljet dhe interesat: Fëmijët me autizëm përgjithësisht shfaqin një shkallë më të kufizuar lojërash krahasuar me moshatarët e tyre, dhe shfaqin më tepër sjellje përsëritëse; për shembull, ata mund të fokusohen më tepër në rreshtimin e objekteve sesa në ushqimin e një kukulle apo arushi. Gjithashtu, ata mund të jenë të interesuar për disa objekte të caktuara apo të këmbëngulin në ndjekjen e rutinave të caktuara, apo mund të përsërisin lëvizje specifike si përplasja e duarve, hedhja apo lëvizja para-mbrapa.

    Koha: Përveç shfaqjes së diferencave zhvillimore në tri hapësirat e mësipërme, fëmijët me autizëm i shfaqin këto modele përpara moshës trevjeçare.

    Dita Botërore e Autizmit është vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me rezolutën “62/139” në vitin 2007, më tepër si një përpjekje për t’i dhënë fund diskriminimit ndaj personave me autizëm. Kjo ditë është vendosur në 2 Prill dhe është përfshirë në Agjendën e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, e cila premton që askush të mos mbetet pas.

  • ​Fëmijët rrezikohen nga teknologjia, ja çka rekomandojnë psikologët dhe sociologët

    ​Fëmijët rrezikohen nga teknologjia, ja çka rekomandojnë psikologët dhe sociologët

    Përdorimi i teknologjisë informative nga fëmijët duhet të jetë nën mbikëqyrje nga prindërve, sepse ata mund të bëhen preh e mashtrimeve dhe manipulimeve, gjë që mund të përfundojnë në lloje të ndryshme të radikalizmit politikë apo socio-kulturor, por edhe të bien në kthetra të ndryshme pornografike apo pedofilie.

    Sociologët dhe psikologët thonë se lojërat e ndryshme po bëjnë fëmijët agresiv në jetën e përditshme, por po ndikojnë edhe në cilësinë në arsim.

    Sociologu Genc Xërxa thotë për KosovaPress, se fëmijët mund të ndikon negativisht nga teknologjia dhe kjo shndërrohet në ankth.

    “Teknologjia, sidomos kjo teknologjia informative duhet të jetë nën mbikëqyrje nga prindërit, varësisht edhe nga mosha të tyre sepse në vete përmban edhe rreziqet të ndryshme. Ne mund të dimë që fëmijët mund të bëhen preh e mashtrimeve manipulimeve. Fëmijët shumë lehtë mund të mashtrohen apo siç thash edhe të manipulohen, siç ishte edhe rasti i fenomenit “balena blu”, dikur. Pastaj mund të përfundojnë në lloje të ndryshme të radikalizmit, ekstremeve të ndryshme, qofshin ato politike apo socio-kulturore, pastaj mund të përfundojnë nëse nuk kanë mbikëqyrje të rregullt edhe në kthetra të ndryshme pornografike apo pedofilie. Prindërit duhen që gjithnjë t’iu qëndrojnë afër, t’i mbikëqyrin dhe të kenë kohën e kufizuar gjatë përdorimit të teknologjisë informative”, potencoi Xërxa.

    Sipas tij, teknologjia te fëmijët e vegjël mund të ndikojë shumë rënd edhe gjatë gjumit të tyre për shkak të imazheve që ata i shohin shumicën e kohës.

    “Nuk ka ndonjë matje sociometrie tek ne dhe dallohet që sipas disa perimetrave psikologjike, ndikon negativisht edhe në psikologjinë e fëmijëve, pasi që ato moshat foshnjore apo fëmijët e vegjël, të gjitha ato imazhe të cilat i marrin nëpër mjet e teknologjisë informative, shumicën e rasteve janë edhe jo të perceptueshme për moshën e tyre, kështu që kamë dëgjuar që mund të shkaktojnë edhe strese apo ankthe të ndryshme gjatë gjumit, kështu që duhen vazhdimisht të kontrollohen dhe nuk do ta preferoj që nënat t’ia japin foshnjave telefon. Mendoj që duhet të kenë lodra apo mënyra se si të njoftohen me botën dhe për rrethin në të cilin ata e frekuentojnë fëmijët…02:18 Po është sidomos ata fëmijë që kanë predispozita dhe krijojnë varësi nga lojërat e ndryshme duke e marrë pjesë dhe duke garuar në lojëra të ndryshme, krijohet kompetentë dhe çdoherë dihet që pjesë e lojës është edhe humbja dhe nëse të fëmijët nuk mund që ta fitojnë dhe të marrin më të mirën nga ajo lojë, atëherë ajo mbërrin deri te një lloj frustrimi apo nervoze në të cilën mund të shfaqen edhe në mënyra të ndryshme”, u shpreh Xërxa.

    Besa Grajqevci, psikologe, thotë për KosovaPress, se zhvillimi i teknologjisë po ndryshon sistemin jetësor dhe se përveç të rriturve, po ndikohen edhe fëmijët. Ajo propozoi që fëmijët e moshave të hershme të mos ekspozohen në ekrane.

    “Në kohën e fundit, d.m.th zhvillimi teknologjik ka ndryshuar sistemin jetësor të njerëzve dhe në këtë aspekt përveç ne të rriturve, po ndikohen edhe fëmijët. Te moshat e hershme nuk është në rregull, nuk është mirë që të ekspozohen shumë ekraneve, të paktën deri në dy vjeçar të mos i ekspozojnë asnjë lloj ekrani, coftë televizionit, kompjuterit apo telefonit. Edhe te tek rriturit ndikon shumë por sidomos te zhvillimi psikik dhe emocional i fëmijëve, ka një ndikim shumë të madh te moshat e hershme, është e rëndësishme që prindërit të luajnë dhe të merren më shumë me fëmijën dhe të jenë të pranishëm fizikisht në rritjen dhe zhvillimin e fëmijës, jo t’iu ekspozohen shumë ekranit sepse po bëhet ajo dembelia e fëmijëve dhe po humb mendimi, po humb socializmin e fëmijëve, gjithashtu po ndikon në rritjen, shtimin e opozitetit për shkak se fëmijët nuk po janë shumë aktiv, përveç ushqimit, po ushqehen direkt në telefon, njëjta ndikon edhe tek agresiviteti i fëmijëve, po kanë më shumë sjellje agresive, sidomos kur po dalin në rrugë ose në markat e hasim një nënë me fëmijë dhe ka sjellje shumë agresive dhe është teknologjia që po e rrit agresivitetin për shkak të përdorimit të pakontrollueshëm nga ana e prindërve”, tha Grajqevci.

    Përveç efekteve të këqija, ajo thotë se përdorimi i teknologjisë, ka edhe efekte të mira. Sipas saj, gjithçka është e varur se si e shfrytëzojmë teknologjinë dhe se ajo duhet të shfrytëzohet sa është e nevojshme për zhvillimin e fëmijëve.

    “Ka edhe efekte të mira, varet ne sa dimë ta shfrytëzojmë, si të rriturit, edhe fëmijët, njësoj duhet ta shfrytëzojmë për atë që është e nevojshme për zhvillimin e fëmijëve, të mësojnë diçka apo të lexojnë diçka është shumë në rregull, kur po hymë në lojëra të ndryshme që po janë shumë të dëmshme lojëra me vrasje, me dhunë, automatikisht fëmijët po bëhen agresiv, në momentin që shfrytëzohet për të mirë, edhe të rriturit, edhe te fëmijët, ka efekt shumë pozitiv, por gjithmonë duhet ta ndajmë një kohë të caktuar për përdorimin e teknologjisë. Gjithashtu, është e rëndësishme që fëmijët të kontrollohet nga prindërit në çfarë aspekti po e përdorin”, u shpreh Grajqevci.

    Se kjo dukuri është duke u përdorur shumë nga fëmijët dhe po i largon nga angazhimi në arsim, e thotë sekretari i Këshillit të Prindërve, Enver Bala.

    Sipas tij, në çdo shkollë duhet të ketë psikolog të cilët i tregojnë fëmijëve se cilat janë efektet e mira dhe ato të këqija nga teknologjia.

    “Telefonat dhe mediat sociale në shoqërinë tonë dhe në sistemin arsimor, gjeneratat tona po kanë efekt shumë negativ në sistemin edukativo-arsimor sepse fëmijët janë gjithmonë të angazhuar mbas lojërave të ndryshme, në media sociale, do të thotë mësimi po mbetet mbrapa, po kemi ngecje në mësim. Unë kam fëmijë të familjes time që gjithë kohën e kalojnë në telefon e mësimet i lenë anash. Kisha bërë apel te të gjithë prindërit e Kosovës dhe të gjithë ligjëruesit të Kosovës me përdorë metoda edukativo-arsimore, psikologjike që t’i largojnë nga telefonat, sa më larg mediave sociale me qenë të koncentruar gjithmonë drejt mësimit, drejt sistemit arsimor, drejt rritjes së cilësisë në arsim…01:09 Mund të arrijnë një inteligjencë në një lami të caktuar por ka efekte shumë anësorë, ka efekte edhe në shëndet, sidomos sytë dëmtohen duke përdorur telefonin, janë të pa mbrojtur dhe fëmija kur të koncentrohet në telefon, është e pa mundur që ai të koncentrohet në mësim, gjithmonë e mendon rrjetet sociale, të lojërat e ndryshme. Kjo është ndër arsyet më të mëdha që duhet të largohet kjo dukuri që po na pengon shumë në sistemin e arsimit. Kisha preferuar që të ketë edhe psikolog që në çdo shkollë nga një orë mësimore me nga një psikolog për telefonin, për mediat sociale, për efektet anësorë, ato pozitive që të vedisohen fëmijët tanë, nxënësit tanë,” tha Balaj. /kp

  • Këto ushqime luftojnë problemet me veshka dhe infeksione urinare

    Këto ushqime luftojnë problemet me veshka dhe infeksione urinare

    Për të pakësuar rrezikun e formimit të një guri të ri, është e rëndësishme që ju të pini të paktën 3 litra lëngje gjatë ditës, kryesisht ujë.

    Gjatë stinëve të ftohta njerëzit konsumojnë më pak lëngje duke çuar në një “dehidratim” të organizmit. Në fakt dehidratimi është një problem gjatë verës për shkak të humbjes së lëngjeve nga djersitja.

    Në dimër, dehidratimi zakonisht është i fshehtë dhe ndodh nga humbja e ujit urinar pjesërisht për shkak të konsumimit më të shumtë të kafesë dhe alkoolit (të cilët kanë efekt diuretik duke nxitur urinimin) dhe humbjes virtuale të ujit për shkak të soluteve të konsumuara më shumë në dimër (kripë dhe sheqer).

    Dehidratimi në vetvete nuk shkakton gurë në veshka, por kushtet e krijuara nga ky proces janë të njohura që përkeqësojnë rastet e gurëve në veshka, kur faktorë të tjerë të nxitjes së formimit të tyre janë të pranishëm, shkruan Ekonomia Online. Ndryshime duhen bërë në sasinë e kripës, kalciumit, oxalateve, proteinave, kaliumit dhe lëngjeve në dietën.

    Nëse ju keni patur një gur nga kripërat e kalciumit, mjeku juaj mund t’ju kërkojë të pakësoni kripën dhe natriumin në dietën tuaj. Ju nuk duhet të shmangni marrjen e kalciumit në dietën tuaj. Është e rëndësishme që ju të mësoni nga mjeku juaj për sasinë e duhur të kalciumit që ju duhet të merrni, sepse pas një diete të ulët në kalcium për një periudhë të gjatë kohore mund të shkaktohet humbja e masës kockore ose osteoporoza.

    Nëse ju keni pasur një gur në veshka që përmban oxalate, sugjerohet që të kufizoni marrjen e ushqimeve me përmbajtje të lartë të oxalateve: kikirikë, çaj, kafe, panxhar, fasule, manaferra, luleshtrydhe, çokollatë, rrush, birrë etj.

    Për të pakësuar rrezikun e formimit të një guri të ri, është e rëndësishme që ju të pini të paktën 3 litra lëngje gjatë ditës, kryesisht ujë. Në mot të nxehtë, ju mund të keni nevojë të pini më shumë për shkak të humbjes së lëngjeve nga djersitja.

    Kjo do të ndihmojë për të mbajtur urinën tuaj më pak të koncentruar çka ul rrezikun e formimit të gurit. Duhet të zvogëloni sasinë e proteinave shtazore në dietë: mish viçi, lope, pule, derri, peshk, vezë.

    Infeksionet urinare

    Të konsumohen sa më shumë lëngje, e rekomandueshme 2-3 litra në ditë. Uji, i cili ka dhe veti antioksidante, të mos të pihet menjëherë, por pak nga pak. Po ashtu, tri herë në javë pini lëngje frutash të shtrydhura, si lëng limoni, portokalli, pjeshke, rrushi, karote etj. Boronica e kuqe në formë çaji, lëngu, fruti, tabletash lufton infeksionet urinare.

    Që 50 vjet përpara dietologët kanë raportuar efekte antiinfeksioze të boronicës së kuqe nga prania në të e të paktën dy substancave që pengojnë ngjitjen e baktereve në rrugët urinare. Aloe vera lufton infeksionet. Për këtë bimë janë gjetur shkrime të ndryshme edhe nëpër papiruse, për të cilën thuhet se është shumë e dobishme dhe nga ajo janë prodhuar tableta të vogla kundër infeksioneve të ndryshme.

    Brokoli nuk gjendet shpesh në tryezat tona sepse nuk kemi njohuri të mjaftueshme për të. Megjithatë, është mirë që ta konsumojmë më shpesh sepse përveçse është shumë i ushqyeshëm brokoli përmban glukinolat, një përbërje bimore që shkatërron bakteret në fshikëzën e urinës. Rekomandohen 200 – 300 gram brokoli në ditë të paktën 2-3 herë në javë.

    Gjithashtu, është i provuar dhe roli i vitaminës B6 për ITU. Vitamina B6 ndihmon në prodhimin e proteinave, çlirimin e glukozës, etj. Të gjitha këto procese në trup janë të domosdoshme për rritje, formimin e gjakut dhe mbrojtje kundër infeksioneve. Në formë natyrale vitamina B6 gjendet tek drithërat, banania, patatja, gjeli i detit, peshku, lajthia, arra, speci e perimet si lulelakra etj.

    Rritja e tensionit të gjakut (hipertensioni arterial)

    Një nga shkaktarët por dhe komplikacion i rëndësishëm i sëmundjeve kronike të veshkave është dhe hipertensioni arterial. Rënia e temperaturave shkakton rritje të vlerave të tensionit të gjakut, më e shprehur kjo në të moshuarit.

    Studiuesit e shpjegojnë këtë fakt me aktivizimin e shtuar të sistemit nervor simpatik dhe çlirimin e katekolaminave, përgjegjës për ngushtimin e enëve të gjakut dhe rritjen e tensionit të gjakut. Nga një studim i bërë në 8801 adulte mbi 65 vjeç në Francë, rezultoi që si presioni sistolik (maksimal) dhe ai diastolik (minimal) të gjakut rriten në dimër. Këto të dhëna do të ndihmonin në parandalimin e komplikacioneve të hipertensionit arterial në dimër si ishemia e trurit, hemorragjia nga çarja e enëve të zgjeruara (aneurizma) sidomos në këtë grup moshë, nëpërmjet monitorimit të tensionit të gjakut dhe mjekimit të kujdesshëm.

    Kur duhet të shqetësoheni dhe t’i drejtoheni mjekut:

    Çdo urinim i shpeshtë, i shoqëruar ose jo me djegie;

    urgjenca për urinim;

    dhimbja dhe rendimi në fund të barkut;

    urinimi gjatë natës;

    vështirësia apo pamundësia për të mbajtur urinën;

    era e keqe, jo e zakonshme e urinës;

    temperatura disa herë e lartë e shoqëruar me ethe;

    janë shenjat që duhet t’i shqetësojnë njerëzit për të bërë një analizë urine të thjeshtë e për t’u konsultuar me specialistin për të gjetur shkakun.

    Këshilla

    Kontrolloni vlerat e tensionit të gjakut gjatë dimrit duke shmangur luhatjet. Mbani një ditar të tensionit të gjakut për t’ia treguar mjekut tuaj. Kjo do të ndihmojë mjekun nëse keni nevojë për të ndryshuar apo rregulluar barnat e hipertensionit arterial.

    Merruni me aktivitet fizik në mënyrë të rregullt gjatë gjithë vitit. Gjatë dimrit ju mund të vazhdoni të ushtroni aktivitet fizik. Aktiviteti fizik është i rëndësishëm për funksionin e veshkave, përmirëson funksionin e muskujve, ul tensionin e gjakut, kolesterolin në gjak, mban një peshë të shëndetshme të trupit dhe përmirëson gjumin. Aktiviteti fizik zhvillohet duke ecur, vrapuar apo duke lëvizur me biçikletë, të paktën 30 minuta në ditë, tri herë në javë. Fillo ngadalë dhe vazhdo po ashtu. Shmangni aktivitetin e sforcuar fizik, sidomos kur jeni të ekspozuar në temperatura të ulëta. Mundohuni të mos shtoni në peshë gjatë muajve të dimrit duke përdorur ushqime të shëndetshme. Shtimi në peshë përveçse rritjes së vlerave të tensionit të gjakut, ndikon dhe në punën e zemrës. Bëni vizita të rregullta te mjeku. Në qoftë se tensioni juaj i gjakut vazhdon të jetë i lartë, kontaktoni mjekun për ri-rregullimin e mjekimit për të kontrolluar tensionin e gjakut. Për njerëzit mbi moshën 65 vjeçare kjo është veçanërisht e rëndësishme. Ndryshimi i mjekimit sipas ndryshimeve sezonale që pëson tensioni i gjakut ju ndihmon të jeni të shëndetshëm gjatë gjithë vitit.

  • Si të ulni tensionin e lartë të gjakut me këto metoda

    Si të ulni tensionin e lartë të gjakut me këto metoda

    Ekzistojnë disa mënyra që mund t’i aplikojmë për menaxhimin e niveleve të presionit të lartë të gjakut dhe për të përmirësuar shëndetin e zemrës, duke përfshirë ndryshimet në dietën tuaj dhe në stilin e jetesës.

    Çfarë është presioni i lartë i gjakut?

    Presioni i gjakut është forca me të cilën gjaku pompon nga zemra në arterie, shkruan HealthLine.

    Kur presioni i gjakut është i lartë, gjaku lëviz nëpër arterie më me forcë. Kjo ushtron presion të shtuar në indet delikate në arterie dhe dëmton enët e gjakut.

    I njohur si një “vrasës i heshtur”, zakonisht nuk shkakton simptoma derisa të ketë dëme të konsiderueshme në zemër. Pa simptoma të dukshme, shumica e njerëzve nuk janë të vetëdijshëm se kanë presion të lartë të gjakut.

    Por, cilat janë mënyrat për të menaxhuar tensionin e lartë të gjakut, këtu janë disa prej tyre.

    Duhet të qëndroni aktivë dhe të ushtroni

    Të qëndruarit aktiv është një pjesë e rëndësishme e një jetese të shëndetshme.

    Përveç se ndihmon në uljen e presionit të gjakut, aktiviteti i rregullt fizik përmirëson disponimin, forcën dhe ekuilibrin tuaj. Gjithashtu ul rrezikun e diabetit dhe llojeve të tjera të sëmundjeve të zemrës.

    Nëse keni qenë joaktiv për një kohë, bisedoni me një mjek për një rutinë të sigurt ushtrimesh. Filloni ngadalë, pastaj gradualisht rritni ritmin dhe frekuencën e stërvitjeve tuaja.

    Sidoqoftë, nëse nuk jeni adhurues i palestrës, dilni për një shëtitje ose për të vrapuar, ose mund të dilni për not. Gjëja më e rëndësishme është të lëvizni!

    Mbani dietën e posaçme për ndalimin e hipertensionit

    Ndjekja e kësaj diete për ndalimin e hipertensionin mund të ulë presionin tuaj sistolik të gjakut. Kjo dietë përmban këto ushqime:

    Fruta, perime dhe drithëra të plota;

    Produkte të qumështit me pak yndyrë, mish pa dhjamë, peshk dhe arra;

    Nuk duhet të tani ushqime të pasura me yndyrna të ngopura, të tilla si ushqimet e përpunuara, produktet e qumështit me yndyrë të lartë dhe mishi i yndyrshëm.

    Gjithashtu çka ju ndihmon juve është edhe reduktimi i konsumit të ëmbëlsirave dhe pijeve të ëmbla, të tilla si soda dhe lëngje.

    Reduktoni kripën

    Reduktimi i konsumimit të natriumit mund të jetë jetik për uljen e presionit të gjakut.

    Në disa njerëz, kur konsumojnë natrium të tepërt, trupi i tyre fillon të mbajë lëngje. Kjo rezulton në një rritje të mprehtë të presionit të gjakut.

    Për të ulur natriumin në dietën tuaj, provoni të përdorni barishte dhe erëza për t’i dhënë shije ushqimeve në vend të kripës.

    Ushqimet e përpunuara gjithashtu priren të jenë të ngarkuara me natrium. Sigurohuni që të lexoni gjithmonë etiketat e ushqimeve dhe të zgjidhni alternativa me nivele të ulëta të natriumit kur është e mundur.

    Mbani një peshë të moderuar

    Pesha dhe presioni i gjakut shkojnë dorë për dore. Për njerëzit me mbipeshë ose obezitet, humbja e vetëm 2 deri në 4.5 kilogram mund të ndihmojë në uljen e niveleve të presionit të gjakut.

    Nëse pini duhan, konsideroni që ta lini

    Çdo cigare që pini rrit përkohësisht presionin e gjakut për disa minuta pasi të keni mbaruar. Nëse pini duhan rregullisht, presioni i gjakut mund të qëndrojë i ngritur për periudha të gjata kohore.

    Njerëzit me presion të lartë të gjakut që pinë duhan janë në rrezik më të madh për zhvillimin e tensionit të lartë të rrezikshëm të gjakut, sulmit në zemër dhe goditjes në tru.

    Edhe tymi i dorës së dytë mund t’ju vërë në rrezik të shtuar për presionin e lartë të gjakut dhe sëmundjet e zemrës.

    Përveç sigurimit të shumë përfitimeve të tjera shëndetësore, lënia e duhanit mund të ndihmojë që presioni i gjakut të kthehet në normalitet.

    Reduktoni konsumimin e alkoolit

    Shijimi i një gote vere në vaktin tuaj të bollshëm është shumë mirë. Në fakt, vera e kuqe mund të jetë edhe një burim i besueshëm i dobishëm për shëndetin e zemrës kur konsumohet me kujdes.

    Megjithatë, konsumimi i sasisë së tepërt i alkoolit mund të çojë në shumë probleme shëndetësore, duke përfshirë presionin e lartë të gjakut.

    Pirja e tepërt mund të zvogëlojë gjithashtu efektivitetin e disa ilaçeve për presionin e gjakut.

    Reduktoni stresin

    Në botën e sotme me ritme të shpejta që është e mbushur me kërkesa në rritje, mund të jetë e vështirë të ngadalësoni dhe të relaksoheni. Megjithatë, është e rëndësishme që herë pas here të largoheni nga përgjegjësitë tuaja të përditshme për të ndihmuar në menaxhimin e niveleve të stresit.

    Stresi mund të rrisë përkohësisht presionin e gjakut. Shumë prej tij mund të mbajë presionin tuaj për periudha të gjata kohore.

    Duhet të gjeni shkakun e stresit tuaj. Mund të jetë puna, marrëdhënia ose financat tuaja. Pasi të dini burimin e stresit tuaj, mund të përpiqeni të gjeni mënyra për ta rregulluar problemin. /Telegrafi/

  • ​21 marsi – Dita Botërore e Sindromës Down

    ​21 marsi – Dita Botërore e Sindromës Down

    Sindroma Down ndodh kur një individ ka një kopje shtesë të pjesshme ose të plotë të kromozomit 21.

    Nuk dihet ende pse ndodh, por sindroma Down ka qenë gjithmonë një pjesë e gjendjes njerëzore. Ajo ekziston në të gjitha rajonet anembanë globit dhe zakonisht rezulton në efekte të ndryshueshme në stilet e të mësuarit, karakteristikat fizike dhe shëndetin.

    Në dhjetor 2011, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së shpalli 21 Marsin si Ditën Botërore të Sindromës Down.

    Incidenca e vlerësuar e sindromës Down është midis 1 në 1000 deri në 1 në 1100 lindje të gjalla në mbarë botën. Çdo vit, rreth 3,000 deri në 5,000 fëmijë lindin me këtë çrregullim kromozomik.

    Cilësia e jetës së njerëzve me sindromën Down mund të përmirësohet duke plotësuar nevojat e tyre për kujdesin shëndetësor, duke përfshirë kontrolle të rregullta me profesionistë shëndetësorë për të monitoruar gjendjen mendore dhe fizike dhe për të ofruar ndërhyrje në kohë, qoftë fizioterapi, terapi profesionale, terapi të folurit, këshillim apo edukim special.

    Personat me sindromë Down vazhdojnë të përballen me sfida të ndryshme në të gjitha aspektet jetësore, të cilat u pamundësojnë atyre jetën e dinjitetshme dhe realizimin e të drejtave të tyre, të cilat burojnë nga Kushtetuta dhe ligjet tjera të Republikës së Kosovës.

  • Pse është e rëndësishme të konsumoni hurme?

    Pse është e rëndësishme të konsumoni hurme?

    Hurmat janë bërë tradicionalisht frute të cilat po simbolizojnë muajin e shenjtë të Ramazanit për shumë besimtarë që agjërojnë.

    Edhe pse tre hurma hahen në fillim të Iftarit çdo ditë gjatë Ramazanit për arsye shpirtërore, ato gjithashtu vijnë me bonusin e shtuar të përfitimeve të shumta shëndetësore, shkruan realbuzz.com.

    Një nga aspektet më të rëndësishme të agjërimit është marrja e sasisë së duhur të energjisë, dhe duke marrë parasysh se një porcion mesatar hurmash përmban 31 gram, ato janë ushqimet perfektë për t’ju dhënë juve një shtytje.

    Hurmat janë gjithashtu një mënyrë e shkëlqyer për të marrë disa fibra shumë të nevojshme, të cilat do të ndihmojnë dhe përmirësojnë tretjen gjatë gjithë Ramazanit.

    Ato gjithashtu kanë edhe nivele të larta të kaliumit, magnezit dhe vitaminave B, dhe shpejt bëhet e qartë janë një nga frutat më të shëndetshëm. /Telegrafi/

     

  • Shkencëtarët janë shumë afër kurës për trajtimin e HIV-it

    Shkencëtarët janë shumë afër kurës për trajtimin e HIV-it

    Shkencëtarë thonë se kanë eliminuar me sukses HIV-in nga qelizat e infektuara, duke përdorur teknologjinë e modifikimit të gjeneve Crispr, që është fituar edhe çmimi Nobel për këtë teknologji.

    Teknologjia që funksionon sikur gërshërët, por në nivel molekular, mund të presë ADN-në në mënyrë që pjesët “e këqija” të mund të hiqen ose çaktivizohen, raporton BBC, përcjell Telegrafi.

    Kjo jep shpresë që studiuesit përfundimisht të heqin qafe virusin tërësisht nga trupi, megjithëse duhet ende punë për të ditur nëse trajtimi do të jetë i sigurt dhe efektiv.

    Ilaçet ekzistuese të HIV-it mund ta ndalojnë virusin, por jo ta eliminojnë atë.

    Ekipi i Universitetit të Amsterdamit, duke paraqitur një përmbledhje, ose abstrakt, të gjetjeve të tyre të hershme në një konferencë mjekësore këtë javë, theksoi se puna e tyre mbetet thjesht “dëshmi e konceptit” dhe nuk do të bëhet një kurë për HIV-in së shpejti.

    Dr. James Dixon, profesor i asociuar i teknologjive të terapisë së gjeneve dhe qelizave staminale në Universitetin e Nottingham, pajtohet, duke thënë se gjetjet e plota ende kërkojnë shqyrtim.

    “Do të nevojitet shumë më tepër punë për të demonstruar rezultate në këto analiza qelizore, që mund të ndodhin në të gjithë trupin për një terapi të ardhshme”, tha ai.

    “Do të ketë nevojë për shumë më tepër zhvillim përpara se kjo të ketë ndikim tek ata me HIV”. /Telegrafi/

  • Disa arsye përse duhet konsumuar sa më shumë kungull

    Disa arsye përse duhet konsumuar sa më shumë kungull

    Ashtu si perimet dhe frutat e tjera në ngjyrë portokalli, si qitrot, karotat dhe patatet e ëmbla, edhe kungujt janë të pasur me beta karotene. Trupi e ndryshon këtë antioksidues në vitaminë A.

    Kjo vitaminë i nevojitet trupit për shikim më të mirë, për të luftuar bakteret dhe për të ndihmuar sistemin riprodhues të funksionojë siç duhet. Ajo ndihmon gjithashtu me zemrën, mushkëritë, veshkat dhe organet e tjera që të jenë të shëndetshme.

    Forcon shikimin: Një kupë me kungull mund t’ju sigurojë 200% të sasisë së rekomanduar çdo ditë për vitaminën A. Nëse e merrni atë, sytë do t’ju falënderojnë.

    Ul rrezikun për kancer: Vitamina A nga kungulli siguron një tjetër përfitim shëndetësor: një rrezik më të ulët për të zhvilluar disa lloje kanceri, si ai i mushkërisë dhe prostatës. Studimet tregojnë se ky përfitim vjen vetëm kur konsumoni ushqime me vitaminë A. Nuk mund të merrni të njëjtën mbrojtje vetëm nga suplementet e vitaminës A.

    Forcon imunitetin: Përveç beta karotenes, kungujt janë të pasur edhe në vitaminë C, E, hekur dhe folate – lëndë ushqyese këto që forcojnë sistemin imunitar. Përfshirja e kungullit në dietë ndihmon në mirëfunksionimin e qelizave, luftimin e baktereve dhe shërimin më të shpejtë të plagëve.

    Parandalon tensionin e lartë të gjakut: Ngjyra portokalli e kungullit tregon gjithashtu se kjo perime është e pasur në kalium. Kjo është shumë e rëndësishme për uljen e tensionit të gjakut. Farat e kungullit janë gjithashtu të pasura në minerale dhe sterolë bimorë që rrisin nivelet e kolesterolit të mirë (LDL) dhe mbajnë nën kontroll tensionin e gjakut.

    Ndihmon rënien nga pesha: Kungujt janë të pasur me sasi të larta fibrash. Kjo do të thotë që ju mbajnë të ngopur për një kohë të gjatë. Fibrat në dietë ndihmojnë edhe shëndetin digjestiv, kështu nuk do të keni probleme me kapsllëkun.

  • Me çka duhet ta nisim vaktin e iftarit, këshilla e rëndësishme që duhet ta dini!

    Me çka duhet ta nisim vaktin e iftarit, këshilla e rëndësishme që duhet ta dini!

    Muaji i Ramazanit është një kohë e veçantë për reflektim, vetë-përmirësim për të gjithë ata që agjërojnë.

    Është shumë e rëndësishme, të hamë shëndetshëm dhe të kemi trup të hidratuar për të agjëruar tërë ditën, shkruan ClevelandClinicAbuDhabi.ae.

    Duke qenë se, trupi ynë ka pushuar gjatë tërë ditës nga ushqimet, është shumë e rëndësishme të dimë se me çfarë duhet ta prishim agjërimin.

    Sipas, ekspertëve, prishja e agjërimit duhet të bëhet me tre hurma dhe ujë – kjo pasi uji dhe hurmat i japin një energji të menjëhershme dhe nxitje hidratimi përpara vaktit tuaj kryesor.

    Pasi t’i keni konsumuar këto, niseni darkën me një supë të lehtë pasi është një zgjedhje e shkëlqyeshme për të filluar vaktin kryesor të iftarit duke ju ndihmuar të hidratoheni.

    Tregoni kujdes me sasinë e ushqimeve të rënda dhe me ëmbëlsirat. /Telegrafi/

  • Shenjat që paralajmërojnë migrenën

    Shenjat që paralajmërojnë migrenën

    Përafërsisht 12 orë para sulmit të migrenës zakonisht lajmërohet shenjat e para, siç është dëshira për një ushqim, për shembull, çokollatë.

    Njerëzit atëherë gabimisht mendojnë se çokollata ishte ajo që kishte sulmuar dhimbjet e kokës së migrenës, thekson mjeku britanik dr. Andrew Dodson.

    Shenjat se migrena po afrohet janë shija metalike në gojë, si dhe urinim të tepërt apo mërzitje të shtuar. Atëherë duhet shtuar qarkullimin e gjakut në tru, duke konsumuar një kafe espresso të fortë, një gotë ujë, si dhe të ushtroni për 20 minuta.

    Lëngjet shtojnë qarkullimin e gjakut, derisa kafeina dhe ushtrimet shpejtojnë punën e zemrës, si dhe shtojnë qarkullimin në tru. Kjo mund të ndalet, apo të paktën të zbutet sulmi i migrenës.

    Sulmet e migrenës shpesh paraprihen nga një gjendje e veçantë, me paraqitjen e çrregullimeve vizuale, interferojnë me aftësinë për të folur në mënyrë koherente, por ndonjëherë shkaktojnë konfuzion.

    Pacientët me migrenë zakonisht janë në gjendje të perceptojnë shenjat e ardhjes së një sulmi të afërt dhe përpiqen të flenë. Gjatë gjumit, sulmet janë më të vështira për t’i përballuar, transmeton Telegrafi.

    Dhimbja e kokës zakonisht rritet gradualisht, duke arritur një intensitet që bëhet i pamundur për t’u përballuar. Tipikisht, dhimbja verifikohet në të njëjtin vend, por pozicioni dhe natyra e dhimbjes mund të jetë e ndryshme.

    Qendra e dhimbjes është zakonisht balli, sytë dhe tëmthat. Shpesh, gjatë një ataku fillon pështirosja, përzierja dhe në qoftë se arrini që të villni situata përmirësohet.

    Ndikim të njëjtë kanë edhe ilaçet beta-bllokatorë, të cilët përmirësojnë qarkullimin dhe shpesh përdoren për shërimin e migrenës.

    Buka apo biskota e lyer me mjaltë ndihmojnë që dhembjet e kokës që pasojnë pas pijes së tepërt të kalojnë më lehtë, thekson Dalia Kempell. Kjo ndodh për shkak se fruktoza, sheqeri natyral, rrit shkrirjen e alkoolit në trup.

    Burime të mira, po ashtu, janë edhe mollët, qershitë, rrushi dhe domatet.

    Mjekësia konvencionale disponon një numër të shumëllojshëm ilaçesh. Konsultohuni gjithmonë me mjekun përpara se t’i konsumoni. /Telegrafi/