ATV

Category: SHËNDETËSI

  • Pse disa njerëz bien pa ndjenja kur shohin gjak? Ja çfarë po ndodh në trupin tuaj

    Pse disa njerëz bien pa ndjenja kur shohin gjak? Ja çfarë po ndodh në trupin tuaj

    Simptomat përfshijnë marramendje, djersitje, dobësi, shikim të ngushtuar dhe rënie, ku rreziku më i madh është lëndimi gjatë vetë rënies

    Marrja e gjakut, që shpesh bën pjesë në metodat bazë diagnostikuese, për disa njerëz është përvojë shumë e vështirë dhe mund të çojë deri në humbje të vetëdijes në atë moment.

    Dr. Jordan Gaines Lewis shpjegon se një reagim i tillë ndaj gjakut apo marrjes së gjakut ka një shpjegim shumë specifik fiziologjik dhe nuk është domosdoshmërisht shenjë e “stomakut të dobët”, por një refleks i lidhur ngushtë me mënyrën se si sistemi ynë nervor mbron trurin. Humbja e vetëdijes nga pamja e gjakut ka edhe emrin e saj: sinkopa vazovagale. Kjo është një gjendje në të cilën trupi reagon papritur, zemra dhe enët e gjakut ndryshojnë ritmin, presioni i gjakut bie dhe truri merr përkohësisht më pak gjak dhe oksigjen sesa i nevojitet.

    Në thelb të këtij procesi qëndron nervi vagus, një nga nervat kryesorë që lidh trurin me organet e brendshme. Kur aktivizohet një pjesë e caktuar e trungut të trurit, mund të nisin procese që ngadalësojnë rrahjet e zemrës dhe zvogëlojnë forcën e saj, ose zgjerojnë enët e gjakut dhe ulin presionin e gjakut. Rezultati është i ngjashëm: trupi ju “vendos” në pozicion horizontal, shpesh pa paralajmërim, sepse në këtë pozicion gjaku arrin më lehtë në tru. Tingëllon frikësuese, por në këtë reagim ka logjikë. Është sikur trupi, para se ta kuptoni çfarë po ndodh, bën lëvizjen më të shpejtë për të rikthyer ekuilibrin.

    Autorja për Psychology Today thekson se humbjen e vetëdijes e paralajmërojnë këto simptoma: marramendje, zhurmë ose gumëzhitje në veshë, djersitje, dobësi, probleme me shikimin dhe vështirësi në të folur. Pas kësaj vjen rënia, e cila është më e rrezikshmja për shkak të lëndimeve të mundshme, edhe pse vetë sinkopa zakonisht zgjat pak.

    Shkaktari nuk është vetëm gjaku. Edhe qëndrimi i gjatë në këmbë, temperaturat e larta, uria, dehidratimi, si dhe stresi i fortë ose emocionet intensive mund të aktivizojnë të njëjtin mekanizëm.

    Studiuesit besojnë se të gjithë e kemi këtë refleks deri diku kur përballemi me një dëmtim serioz. Ekziston edhe një teori evolucionare që e bën këtë fenomen edhe më interesant: është e mundur që humbja e vetëdijes dikur të ketë pasur rol mbrojtës.

    Një ekspert nga Cleveland Clinic, Dr. Fred Jäger, shpjegon se në të kaluarën, humbja e vetëdijes mund ta bënte një person të dukej si i vdekur, duke ndalur sulmin e mëtejshëm. Besohet gjithashtu se ulja e rrahjeve të zemrës dhe e presionit të gjakut mund të ndihmojë në ngadalësimin e gjakderdhjes në rast dëmtimi, megjithëse ende nuk është plotësisht e qartë pse disa njerëz janë më të prirur ndaj këtyre episodeve, qoftë për shkak të gjenetikës, hormoneve apo kombinimit të faktorëve të ndryshëm.

    Këshilla është e thjeshtë: nëse ndjeni marramendje, ngushtim të shikimit ose djersë të ftohta, është më mirë të uleni ose të shtriheni menjëherë. Kjo është mënyra më e shpejtë për të mbrojtur veten nga rënia dhe për të ndihmuar trupin të stabilizohet. Nëse humbja e vetëdijes ndodh shpesh, pa arsye të qartë ose shoqërohet me simptoma të tjera, duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.

  • Dhimbje fyti? Ja kur duhet të bëni analiza dhe të mos gaboni me antibiotikët

    Dhimbje fyti? Ja kur duhet të bëni analiza dhe të mos gaboni me antibiotikët

    Dhimbja e fytit mund të jetë bakteriale, virale apo më rrallë parazitare. Analizat mikrobiologjike ndihmojnë në diagnozë të saktë, shmangin përdorimin e panevojshëm të antibiotikëve dhe parandalojnë komplikimet

    Diagnoza mikrobiologjike mundëson trajtim në kohë dhe shmang përdorimin e panevojshëm të antibiotikëve, sidomos gjatë sezonit të gripit dhe COVID-19.

    Shkaktari bakterial më i shpeshtë është Streptococcus pyogenes, i cili kërkon diagnostikim dhe trajtim të hershëm për të parandaluar komplikimet.

    Dhimbja e fytit është një nga simptomat më të shpeshta të infeksioneve të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Ajo mund të ketë origjinë bakteriale, virale, më rrallë parazitare. Diagnostikimi i saktë dhe në kohë është thelbësor për të zgjedhur terapinë e duhur dhe për të shmangur përdorimin e panevojshëm të antibiotikëve, i cili mbetet një problem serioz në praktikën klinike, transmeton Telegrafi.

    Shkaktarët më të shpeshtë të dhimbjes së fytit
    Streptokoku (Streptococcus pyogenes – streptokok beta-hemolitik i grupit A)

    Streptokoku është shkaktari më i rëndësishëm bakterial i dhimbjes së fytit. Infeksioni zakonisht fillon papritur, me temperaturë të lartë, dhimbje gjatë gëlltitjes, skuqje të fytit dhe shpesh me shtresa të bardha në bajame. Mungesa e kollës dhe dhimbjet e forta gjatë gëlltitjes janë elemente që e bëjnë më të dyshimtë për etiologji bakteriale.

    Diagnostikimi:

    Strisho e fytit me antibiogram
    Test i shpejtë për streptokok (më pak i ndjeshëm, por i shpejtë dhe praktik)
    Zbulimi i hershëm është shumë i rëndësishëm, sepse trajtimi adekuat parandalon komplikime si ethet reumatizmale, glomerulonefriti dhe përhapja e infeksionit.

    Virusi Epstein–Barr (EBV)

    Ky virus shkakton mononukleozën infektive, e cila karakterizohet nga dhimbje e zgjatur e fytit, zmadhim i nyjeve limfatike, temperaturë dhe lodhje e theksuar. Shpesh mund të shoqërohet edhe me zmadhim të shpretkës dhe mëlçisë.

    Diagnostikimi:

    Analiza serologjike (antitrupa EBV IgM dhe IgG)
    Hemogrami (prania e limfociteve atipike)
    Adenovirusi

    Adenovirusi është shkaktar i shpeshtë i infeksioneve virale të fytit, veçanërisht te fëmijët. Karakteristikë është shoqërimi me konjuktivit (skuqje e syve), temperaturë dhe simptoma të përgjithshme të infeksionit respirator.

    Diagnostikimi:

    Analiza serologjike (IgM dhe IgG në serum)
    Në raste të veçanta, metoda PCR
    Citomegalovirusi (CMV)

    CMV mund të shkaktojë një tablo klinike të ngjashme me mononukleozën, me dhimbje fyti, lodhje dhe temperaturë. Zakonisht ka ecuri më të lehtë, por mund të jetë i rëndësishëm te pacientët me imunitet të dobësuar.

    Diagnostikimi:

    Serologji (IgM dhe IgG, aviditet sipas nevojës)
    Më rrallë PCR
    Toxoplasma gondii

    Një shkaktar më i rrallë i dhimbjes së fytit, por që mund të japë simptoma të ngjashme me infeksionet virale, përfshirë lodhje dhe zmadhim të nyjeve limfatike.

    Diagnostikimi:

    Teste serologjike (IgM, IgG dhe aviditet IgG)

    Kur duhet bërë analiza për dhimbjen e fytit

    Analizat mikrobiologjike rekomandohen kur janë të pranishme:

    dhimbje e fortë e fytit dhe vështirësi në gëlltitje
    temperaturë e lartë
    shtresa të bardha në bajame
    nyje limfatike të zmadhuara
    simptoma që zgjasin më shumë se disa ditë
    mungesë përmirësimi pas trajtimit fillestar
    Në praktikë klinike, këto kritere shpesh ndihmojnë për të diferencuar infeksionet bakteriale nga ato virale dhe për të vendosur nevojën për testim.

    Pse është i rëndësishëm testimi

    ndihmon në dallimin midis infeksionit bakterial dhe atij viral
    shmang përdorimin e panevojshëm të antibiotikëve
    mundëson terapi të synuar dhe më efektive
    ul rrezikun e komplikimeve afatshkurtra dhe afatgjata
    Në institucionet shëndetësore përdoret kombinimi i metodave klasike mikrobiologjike dhe analizave moderne molekulare (PCR), për të siguruar diagnozë të saktë dhe orientim të drejtë të trajtimit.

    Shtesë sezonale

    Gjatë sezonit të infeksioneve respiratore, veçanërisht në periudhat me rritje të gripit dhe COVID-19, rekomandohen edhe:

    testet për virusin e gripit (Influenza)
    testet për SARS-CoV-2 (COVID-19)
    Këto analiza zakonisht realizohen me metodën PCR dhe ndihmojnë në diferencimin e shkaqeve të dhimbjes së fytit në kontekst epidemiologjik.

  • Çfarë duhet të hamë në pranverë për energji dhe shëndet?

    Çfarë duhet të hamë në pranverë për energji dhe shëndet?

    Pranvera është sezoni i freskisë dhe rigjallërimit, dhe ushqimi që zgjedhim luan rol kyçn në energjinë dhe shëndetin tonë.

    Frutat dhe perimet e sezonit janë burim i pasur vitaminash dhe mineralesh,

    Disa rekomandime për këtë sezon:

    Frutat e freskëta

    Portokallet, mandarinat, luleshtrydhet dhe kivi janë të pasura me vitaminë C.

    Perimet e gjelbra

    Spinaqi, rukola, lakrat dhe asparagu janë të pasura me antioksidantë dhe fibra.

    Ushqimet me proteina të lehta

    Peshku, pulë dhe vezë ndihmojnë energjinë pa rënduar stomakun.

    Erëzat dhe bimët aromatike

    Majdanozi, borziloku dhe rigoni jo vetëm shtojnë shije, por përmirësojnë tretjen.

    Këshilla kryesore është të konsumoni sa më shumë ushqime të freskëta, të sezonit dhe të shmangni ato shumë të përpunuara. Kjo ndihmon trupin të pastrohet dhe të përgatitet për ditët e ngrohta që vijnë.

  • “Gjeta elemente të skizofrenisë”, neuropsikiatri Sami Rexhepi tregon një përvojë personale gjatë studimeve

    “Gjeta elemente të skizofrenisë”, neuropsikiatri Sami Rexhepi tregon një përvojë personale gjatë studimeve

    Neuropsikiatri Sami Rexhepi në emisionin “LIBERO” derisa diskutohej për “Hipokondrinë Online” – ka ndarë një përvojë personale duke përmendur se gjatë periudhës së studimeve kishte vërejtur elemente të skizofrenisë te vetja.

    Ai shpjegoi se shpesh njerëzit që lexojnë informacione sipërfaqësore për sëmundje të ndryshme mund të krijojnë perceptime të gabuara për gjendjen e tyre shëndetësore, një fenomen që në mjekësi njihet si “sindromi i studentit të mjekësisë”.

    Sipas Rexhepit, dallimi qëndron te thellësia e njohurive dhe përvoja profesionale. “E lexon një informatë, e ka sipërfaqësore, nuk është njësoj sikur unë që i kam kaluar 22 vjet shkollim, edhe e kuptoj një zinxhir apo reaksion si zhvillohet, jo vetëm një reaksion të fundit”, u shpreh ai.

    Duke ilustruar këtë fenomen, ai shtoi se edhe vetë kishte kaluar nëpër një fazë të tillë: “E kujtoj, unë kam gjetur elemente të skizofrenisë te vetja derisa nuk e kam dhënë provimin – ajo është shumë normale”.

    Termat e përdorur:

    “Skizofrenia është një çrregullim serioz i shëndetit mendor që ndikon në mënyrën si një person mendon, ndjen dhe sillet”

    “Hipokondria Online është një gjendje ku një person kërkon në mënyrë të tepruar informacione për simptoma shëndetësore në internet dhe si rezultat përjeton rritje të ankthit, shpesh duke besuar se ka sëmundje serioze pa bazë mjekësore”

    Për ta dëgjuar diskutimin rreth kësaj teme, klikoni linkun e mëposhtëm:

  • “Erdhi pacienti me 20 diagnoza”, çka është Hipokondria Online?

    “Erdhi pacienti me 20 diagnoza”, çka është Hipokondria Online?

    Fenomeni i vetë-diagnostikimit përmes internetit, i njohur si “Hipokondria Online”, po bëhet gjithnjë e më shqetësues, sidomos te të rinjtë që kërkojnë përgjigje të shpejta për simptomat e tyre në Google dhe ChatGPT. Kjo temë u diskutua në emisionin “LIBERO” dhe neuropsikiatri Sami Rexhepi dha një pasqyrë të qartë mbi rreziqet që sjell ky fenomen.

    Ai tregoi raste konkrete nga praktika e tij, ku pacientët paraqiten me një listë të gjatë diagnozash të marra nga interneti.

    “Kam pasur raste kur pacienti më ka ardhur me 20 diagnoza nga Google dhe më ka pyetur se cilën prej tyre e ka…”, u shpreh Rexhepi. Sipas tij, këta persona shpesh lexojnë shumë informacione të fragmentuara, duke i lidhur gabimisht simptomat me sëmundje të ndryshme.

    Megjithatë, në shumë raste, rezulton se pacientët janë plotësisht të shëndetshëm fizikisht. Problemi, sipas neuropsikiatrit, qëndron në gjendjen psikologjike dhe mungesën e balancës me vetveten. “Kur e humbim këtë barazpeshë, fillojmë të humbasim edhe vetëbesimin, e bashkë me të edhe vetëvlerësimin,” theksoi ai.

    Rexhepi paralajmëroi se informacioni i marrë online shpesh është sipërfaqësor dhe nuk mund të zëvendësojë dijen profesionale që kërkon vite të tëra studimi dhe përvoje. Ai e krahasoi këtë fenomen me të ashtuquajturin “sindrom i studentit të mjekësisë”, ku edhe vetë studentët, gjatë studimeve, mund të mendojnë se kanë simptoma të sëmundjeve që po mësojnë.

    Në fund, Rexhepi theksoi se personat që përjetojnë ankth nga vetë-diagnostikimi duhet të kërkojnë ndihmë profesionale, duke shmangur interpretimet e gabuara që mund të dëmtojnë shëndetin e tyre mendor.

    Vlen ta potencojmë se “Hipokondria Online” është një gjendje ku një person kërkon në mënyrë të tepruar informacione për simptoma shëndetësore në internet dhe si rezultat përjeton rritje të ankthit, shpesh duke besuar se ka sëmundje serioze pa bazë mjekësore.

    Sipas National Health Service, kjo sjellje lidhet me ankthin për shëndetin dhe përkeqësohet nga përdorimi i tepërt i burimeve online. Ndërsa Mayo Clinic e përshkruan si një formë të ankthit shëndetësor ku individët interpretojnë gabimisht simptomat e zakonshme si shenja të sëmundjeve të rënda.

    Për ta dëgjuar diskutimin rreth kësaj teme, klikoni linkun e mëposhtëm:

  • Soda e bukës dhe barnat: Kombinimi që mund të bëhet i rrezikshëm pa e ditur

    Soda e bukës dhe barnat: Kombinimi që mund të bëhet i rrezikshëm pa e ditur

    Përdoret shpesh për urthin dhe duket e padëmshme, por soda e bukës mund të ndërveprojë me barna të rëndësishme dhe të prishë ekuilibrin në organizëm. Ekspertët paralajmërojnë për rreziqet që shpesh neglizhohen

    Soda e bukës (natrium-bikarbonat) përdoret shpesh për lehtësimin e urthit dhe aciditetit në stomak, por kjo përdorim nuk është pa rreziqe. Edhe pse soda medicinale është e disponueshme pa recetë, te disa persona mund të shkaktojë ose përkeqësojë probleme ekzistuese shëndetësore. Sipas Mayo Clinic, përdorimi i pakontrolluar i antacideve që përmbajnë natrium mund të ndikojë në ekuilibrin elektrolitik dhe në funksionin kardiovaskular.

    Soda e bukës: Disa persona kanë rrezik të shtuar nga përdorimi

    Përdorimi i sodës së bukës kërkon kujdes të veçantë te disa grupe pacientësh. Natrium-bikarbonati përmban sasi të konsiderueshme natriumi, gjë që mund të jetë problem për personat që kanë kufizim të marrjes së kripës, sidomos te hipertensioni ose sëmundjet kardiovaskulare (persona në dietë me natrium të kufizuar). Sipas American Heart Association, marrja e lartë e natriumit lidhet drejtpërdrejt me rritjen e presionit të gjakut dhe rrezikun për komplikime kardiake.

    Tabletët ose pluhuri duhet të treten plotësisht në ujë para përdorimit. Përndryshe, mund të shkaktojnë irritim ose dëmtim të mukozës së stomakut. Gjithashtu, nuk rekomandohet marrja me stomak të mbushur, pasi kjo mund të rrisë rrezikun e parehatisë dhe dhimbjes, sidomos te personat me stomak të ndjeshëm.

    Masat paraprake para fillimit të përdorimit

    Para se të filloni përdorimin e natrium-bikarbonatit, është e rëndësishme të informoni mjekun për alergjitë e mundshme ndaj barnave, të paraqisni listën e të gjitha barnave që përdorni (përfshirë suplementet dhe preparatet bimore) dhe të jepni historinë e plotë mjekësore. Sipas U.S. Food and Drug Administration, ndërveprimet mes barnave dhe substancave të zakonshme pa recetë janë shpesh të nënvlerësuara dhe mund të kenë pasoja serioze.

    Ky preparat mund të mos jetë i përshtatshëm për personat me:

    • tension të lartë të gjakut
    • gjakderdhje në traktin tretës
    • insuficiencë kardiake
    • sëmundje të veshkave

    Gjithashtu, është e rëndësishme të theksohet se gratë shtatzëna dhe ato që ushqejnë me gji duhet të konsultohen me profesionist shëndetësor para përdorimi.

    Në çfarë duhet kushtuar vëmendje gjatë përdorimit?

    Nëse përdorni sodë buke për urth dhe simptomat zgjasin më shumë se dy javë, duhet të paraqiteni te mjeku. Përdorimi i zgjatur pa mbikëqyrje mund të maskojë sëmundje më serioze të sistemit tretës, siç theksohet edhe nga National Institute of Diabetes and Digestive and Kidney Diseases.

    Ndërveprimet me barna të tjera

    Natrium-bikarbonati mund të ndikojë në veprimin e shumë barnave, duke rritur rrezikun e efekteve anësore ose duke ulur efikasitetin e tyre. Kjo ndodh sepse ai ndryshon pH-në e stomakut dhe urinës, duke ndikuar në përthithjen dhe eliminimin e barnave. Kujdes i veçantë kërkohet nëse përdorni:

    • antacide të tjera
    • barna si Aspirin dhe preparate të ngjashme
    • benzodiazepina (barna kundër ankthit)
    • antiaritmikë
    • antimikotikë si Ketoconazole
    • barna psikiatrike si Lithium
    • antibiotikë të caktuar, përfshirë Tetracycline
    • barna për artritin reumatoid si Methotrexate
    • suplemente hekuri dhe vitamina

    Çfarë thotë shkenca: Si ndodh alkaloza metabolike?

    Një nga faktet e rëndësishme, por më pak të njohura, është se përdorimi i tepërt i sodës së bukës mund të çojë në alkalozë metabolike, gjendje në të cilën prishet ekuilibri acido-bazik në organizëm. Sipas Cleveland Clinic, kjo gjendje shfaqet kur rritet niveli i bikarbonatit në gjak dhe mund të shkaktojë simptoma si nauze, dridhje muskulore, konfuzion dhe çrregullime të ritmit të zemrës.

    Në rastet më të rënda, alkaloza metabolike mund të jetë gjendje serioze dhe potencialisht e rrezikshme që kërkon mbikëqyrje mjekësore.

    Në përfundim, edhe pse natrium-bikarbonati duket si zgjidhje e thjeshtë dhe e arritshme për urthin, përdorimi i tij kërkon kujdes. Përdorimi i gabuar ose afatgjatë mund të çojë në komplikime, sidomos te personat me sëmundje kronike ose ata që përdorin barna të tjera.

    Prandaj, rregulli më i rëndësishëm është që para fillimit të përdorimit të rregullt të konsultoheni me profesionist shëndetësor dhe ta përdorni këtë preparat natyral në mënyrë të përgjegjshme.

  • Pini ujë në mëngjes për shëndet më të mirë

    Pini ujë në mëngjes për shëndet më të mirë

    Një numër në rritje studiuesish dhe ekspertësh të shëndetit po theksojnë rëndësinë e konsumimit të ujit menjëherë pas zgjimit në mëngjes. Sipas tyre, kjo praktikë e thjeshtë mund të ketë përfitime të shumta për organizmin dhe mirëqenien e përgjithshme.

    Gjatë natës, trupi kalon disa orë pa marrë lëngje, çka mund të çojë në një nivel të lehtë dehidratimi. Pirja e ujit në mëngjes ndihmon në rihidratimin e trupit, përmirëson funksionin e organeve dhe nxit metabolizmin. Studiuesit theksojnë se një gotë ose dy ujë menjëherë pas zgjimit mund të ndihmojë në aktivizimin e sistemit tretës dhe në eliminimin e toksinave.

    Gjithashtu, uji në mëngjes mund të ndikojë pozitivisht në përqendrimin dhe energjinë gjatë ditës. Disa studime sugjerojnë se edhe një nivel i lehtë dehidratimi mund të ndikojë në performancën mendore dhe fizike, ndaj fillimi i ditës me ujë është një hap i rëndësishëm drejt një rutine të shëndetshme.

    Ekspertët rekomandojnë që uji të pihet para kafesë ose ushqimit, në mënyrë që trupi të përfitojë maksimalisht nga efektet e tij. Për më tepër, krijimi i këtij zakoni të përditshëm është një mënyrë e thjeshtë dhe efektive për të përmirësuar stilin e jetesës.

  • Magnezi apo zinku: Cili suplement do t’ju ndihmojë të flini më mirë?

    Magnezi apo zinku: Cili suplement do t’ju ndihmojë të flini më mirë?

    Magnezi dhe zinku janë suplemente të njohura që mund të përmirësojnë cilësinë e gjumit. Nëse keni probleme me rënien në gjumë, magnezi mund të jetë një zgjedhje më e mirë, ndërsa zinku mund të jetë më i dobishëm nëse nuk ndiheni të pushuar pas gjumit. Ato janë më efektive nëse ka mungesë të njërit prej këtyre mineraleve në trup, dhe në varësi të llojit të problemit të gjumit, njëri prej tyre mund të jetë më i dobishëm se tjetri, shkruan Health.com.

    Si ndihmon magnezi me gjumin

    Magnezi është një mineral që është thelbësor për shumë procese trupore, përfshirë gjumin. Efekti i tij në përmirësimin e gjumit manifestohet në disa mënyra. Së pari, ai rregullon prodhimin dhe çlirimin e hormoneve dhe neurotransmetuesve të lidhur me stresin dhe gjumin, siç janë melatonina dhe acidi gama-aminobutirik (GABA). Ai gjithashtu nxit relaksimin e të gjithë trupit duke qetësuar sistemin nervor dhe duke zvogëluar stresin dhe ankthin. Së fundmi, ai relakson muskujt, gjë që kontribuon më tej në pushimin fizik.

    Hulumtimet kanë treguar se magnezi mund të përmirësojë gjumin në disa mënyra – duke ju ndihmuar të flini më gjatë, duke rënë në gjumë më shpejt dhe duke përmirësuar në përgjithësi cilësinë e gjumit. Kjo është veçanërisht e vërtetë për njerëzit me nivele të ulëta të magnezit. Megjithatë, studimet sugjerojnë se magnezi mund të mos jetë i dobishëm për të gjithë, veçanërisht për ata me nivele normale të këtij minerali në trupin e tyre, shkruan Index.hr, transmeton Klankosova.tv.

    Si ndikon zinku në gjumë

    Zinku është një mineral tjetër që luan një rol në rregullimin e gjumit. Ai ndihmon në krijimin dhe rregullimin e hormoneve të gjumit dhe humorit, serotoninës dhe melatoninës.

    Studimet kanë zbuluar se njerëzit që marrin suplemente zinku ose hanë ushqime të pasura me zink bien në gjumë më shpejt, ndihen më të pushuar pas një gjumi të thellë dhe vënë re një përmirësim të përgjithshëm në cilësinë e gjumit. Njerëzit me nivele normale ose të larta të zinkut kanë më shumë gjasa të raportojnë gjumë të mirë dhe të flenë 7 deri në 9 orë çdo natë.

    Nga ana tjetër, disa studime kanë treguar se suplementet e zinkut nuk përmirësojnë cilësinë e gjumit. Nevojiten më shumë studime për të kuptuar dozën dhe rolin ideal të zinkut në gjumë.

  • Personat që zgjohen herët janë më të lumtur

    Personat që zgjohen herët janë më të lumtur

    Sipas psikologes Bailey Bosch, kjo ndodh për shkak të orës biologjike.

    Përderisa shumë prej nesh nuk preferojmë të zgjohemi herët në mëngjes, studime të reja kanë treguar se personat e hershëm mund të jenë më të lumtur dhe më të shëndetshëm krahasuar me ata që flenë më gjatë.

    Sipas studimit të publikuar në revistën “Psychiatric Research” personat që flenë me herët dhe zgjohen në orën 06:00 të mëngjesit apo me herët, kane 25% me pak gjase të preken nga depresioni krahasuar me ata që rrinë zgjuar natën.

    Sipas psikologes Bailey Bosch kjo ndodh për shkak të orës biologjike. Sipas saj trupi i njeriut pëlqen këtë rutine ngase është ritëm me primitive dhe natyral.

  • Mënyra se si të shëroni muskujt e lënduar

    Mënyra se si të shëroni muskujt e lënduar

    Kur tepër shpejt tendosni muskulin, ndodh lëndimi, d.m.th. pëlcitja e fijeve muskulore.

    Sa më shumë fije të jenë të shkëputura, lëndimi është më serioz. Shkoni te mjeku nëse zona e lënduar është shtangur apo përflakur, apo nëse me rastin e lëvizjeve shkakton dhimbje të madhe. Ndërkohë, ndiqni këtë tabelë kohore të trajnerit të kondicionit, Shon Grosse.

    24 orët e para deri në 48 orë

    Zvogëloni dhembjen dhe ënjtjen me metodën R.I.C.E (Rest=pushim, ice=akull, Compresson = kompresioni, Elevation – elevacioni). Mbështillni fashën elastike përreth vendit të lënduar, aq fort që të bëjë kompresonin pa ngadalësimin e qarkullimit të gjakut. Pastaj ngrini vendin e lënduar mbi lartësinë e trupit dhe pushoni duke shtuar akull në çdo 2–3 orë nga 15-20 minuta derisa jenë të zgjuar.

    Xhelet kundër përflakjes, të cilat përmbajnë ibuprofen gjithashtu mund të ndihmojnë në këtë fazë, mirëpo mos i përdorini më gjatë se 4 ditë, sepse mund të çrregullojnë shërimin e muskujve.

    Pas 3 deri në 4 dite

    Në mënyrë që të pengoni shtangimin dhe dobësimin e zonës së lënduar filloni me lëvizje dhe zgjidhjen. Ndoshta do të ndieni dhembje të butë, mirëpo nuk bën të matet me dhembjen nga lëndimi.

    Një herë apo dy herë në ditë, lëvizja e lehtë e zonës së lënduar në seri prej 10–20 përsëritjeve, gradualisht duke shtuar vëllimin e lëvizjeve në çdo seri vijuese. Gjithashtu lehtë shtrini zonën e lënduar. Provoni 5–10 përsëritje me shtytje nga 10–30 sekonda. Ndjenja nuk është e këndshme, por do të ndihmojë.

    Pas 2 deri në 3 jave

    Shtoni ngarkesën me pesha, përsëritje dhe seri të barabarta 25-50% të ngarkesave të aplikuara para lëndimit. Në çdo të tretin trening shtoni ngarkesën me 10 për qind. Ndërprisni shtimin e ngarkesës nëse ndieni dhembje dhe mos kaloni në nivelin pasues derisa dhembja të pushojë.

    Nëse në këtë fazë të shërimit ende hetoni shtangim apo ënjtje, nëse dhembja çrregullon aktivitetet tuaja të përditshme ose nëse ndiheni jo këndshëm në pjesën e lëndimit, shkoni te mjeku ose fiziatri para se të vazhdoni me cilindo aktivitet.